ATV

Category: Lajme

  • Rama kërkon nga Bosnjë dhe Hercegovina t’i lejojë qytetarët e Kosovës të hyjnë në këtë shtet me karta identiteti

    Rama kërkon nga Bosnjë dhe Hercegovina t’i lejojë qytetarët e Kosovës të hyjnë në këtë shtet me karta identiteti

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të turit ballkanik është takuar të premten me kryetaren e Këshillit të Ministrave në Bosnjë dhe Hercegovinë, Borjana Kristo.

    Në një konferencë për medie pas takimit, Rama ndër të tjera ka kërkuar që Bosnjë dhe Hercegovina t’i lejojë qytetarët e Kosovës të hyjnë me karta identiteti në vend.

    “Në Bosnje jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në ligjin e minoriteteve të republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera dhe unë ia thashë edhe kryeministres që jemi të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që të kemi problematika të kësaj natyre ndërkohë që politika duhet të mbështesë”, ka thënë Rama.

  • Apeli vërteton dënimin me 15 vite burgim ndaj të akuzuarit se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes e cila më pas vdiq në QKUK

    Apeli vërteton dënimin me 15 vite burgim ndaj të akuzuarit se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes e cila më pas vdiq në QKUK

    Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, përmes së cilit Ilir Haxhiaj ishte dënuar me 15 vite burgim efektiv, për akuzën se ushtroi dhunë në ditën kur i vdiq bashkëshortja.

    Haxhiaj akuzohej se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij H.D, teksa kishte qenë duke vozitur, kishte ndalur makinën, kishte nxjerrë nga vetura me forcë tani të ndjerën dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe pasi tani e ndjera ishte rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti. Më pas, H.D., kishte vdekur në QKUK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata e Apelit, me vendimin e 25 prillit 2023, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Haxhiaj, avokatit Shkëlzen Sopjani, ndërsa aktgjykimin e 16 janarit 2023, të Gjykatës Themelore në Prizren e ka vërtetuar.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, se janë vërtetuar faktet vendimtare për veprën penale lëndim i rëndë trupor për të cilin është shpallur fajtor i akuzuari.

    “Gjykata e Apelit, ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesës së ushtruar përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe ka ardhur në përfundim se i njëjti nuk përfshihet me shkeljet e pretenduara, të parapara në nenin 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset edhe sipas nenit 394 të KPPK. Kolegji ka ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë, ka vërtetuar të gjitha faktet vendimtare, të cilat e karakterizojnë veprën penale lëndim i rëndë trupor, nga neni 186 par.5 lidhur me par.1 të KPK, për të cilin është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim përkatës ligjor”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Apeli ka vlerësuar se në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka vërtetuar gjendjen faktike.

    Sipas Apelit, shkalla e parë, me rastin e marrjes së vendimit ka marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese që ndikojnë në marrjen e një vendimi sa më të drejtë dhe të arrihet qëllimi i dënimit.

    “Me rastin e marrjes së vendimit për dënimin, gjykata e shkallës së parë ka pasur parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në marrjen e vendimit sa më të drejtë, duke respektuar dispozitat ligjore të cilat u referohen, sikurse rrethanave lehtësuese, po ashtu edhe atyre rënduese, sikurse që janë se me dënimin e shqiptuar pritet që të arrihet efekti dhe qellmi i të njëjtit. Si rrethana lehtësuese rezulton se ka pasur parasysh se i akuzuari është baba i pesë fëmijëve, i gjendjes së varfër ekonomike, kurse si rrethanë rënduese ka pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, e cila ka qenë shumë e vrazhdë, sepse nga kjo vepër penale ka humbur jetën një person – ish bashkëshortja, si dhe shkallën e intensitetit të kryerjes së të njëjtës”, thuhet në vendim.

    Kundër aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Prizren, në afat ligjor ankesë kishte ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Haxhiaj, avokati Sopjani, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.

    Në ankesën e ushtruar, Sopjani kishte propozuar që Gjykata e Apelit, ta aprovon si të bazuar ankesën dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, të anulohet, ashtu që çështja penale ti kthehet të njëjtë gjykatë në rigjykim e vendosje.

    Ndryshe, Haxhiaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren në shkurt të vitit 2021 dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh.

    Mirëpo, Gjykata Supreme sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të avokatit mbrojtës, rastin e ka kthyer në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 gusht 2019, Ilir Haxhiaj akuzohej se më 31 maj 2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën “Suzuki” Ëagon R+ në rrugën “Gusia” në dalje të fshatit Samadraxhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, të ndjerën H.D., e ulur mbrapa me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj i akuzuari Ilir Haxhiaj e ka ndalur makinën në anën e djathtë të rrugës dhe e ka nxjerrë nga vetura me forcë të ndjerën.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Haxhiaj pasi kanë dalë jashtë nga vetura, ka filluar ta sulmojë fizikisht bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H. D., duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit e cila pastaj është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti ku i pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore dhe në vertikuj.

    Si pasojë e dëmtimeve në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, H. D., kishte vdekur në QKUK në Prishtinë.

  • Rama mbërrin në Sarajevë, takohet me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës

    Rama mbërrin në Sarajevë, takohet me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës

    Kryeministri Edi Rama ndodhet në Sarajevë në ditën e dytë të turit ballkanik në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Rama sot do zhvillojë takime me krerët e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Kreu i qeverisë u prit nga ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës, Elmedin Konakoviç. Aktualisht po zhvillon takim dhe më pas do të mbaj¥ konferencë të përbashkët me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.

    Një ditë më parë ai zhvilloi takime në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ranë dakord në nevojën e maksimalizimit të përfitimeve ekonomike përmes projekteve të parashikuara në Iniciativën e Berlinit.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë ditën e djeshme ai u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Një takim me kryeministrin Albin Kurti mbeti pa u realizuar, edhe pse Rama u shpreh optimist se do të ketë një të tillë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, veprim ky përmes të cilit, siç tha ai, ia ka hequr ‘merakun’ homologut të tij.

    Kurti pranonte të takohej me Ramën vetëm në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive dhe jo takim kokë më kokë.

    Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Në këtë mënyrë ai lajmëroi fundin e nismës “Open Ballkan” në të cilën aktivisht ishin anëtarë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe që u pranua nga Mali i Zi, por jo Bosnja dhe Kosova.

    Ndërkohë samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti dhe nga ky samit 5 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritshmëri të larta. /TCH

  • Studentët e mjekësisë protestojnë në Shqipëri kundër punësimit të detyruar për 5 vjet brenda vendit

    Studentët e mjekësisë protestojnë në Shqipëri kundër punësimit të detyruar për 5 vjet brenda vendit

    Qindra studentë të mjekësisë protestuan sot para Universitetit të tyre si dhe para Kuvendit, duke kërkuar anullimin e një projekt-ligji, që parashikon punësimin e tyre të detyruar deri në 5 vjet pas përfundimit të studimeve.

    Projekt-ligji u kërkon studentëve të mjekësisë që të nënshkruajnë një marrëveshje, sipas të cilës, ata do ta tërheqin diplomën e studimeve pas një punësimi 5-vjeçar në sistemin shëndetësor shqiptar.

    Por studentët deklaruan gjatë protestës, që nëse nisma nuk anullohet, ata do të bojkotojnë vitin akademik.

    Projekt-ligji parashikon një marrëveshje me studentët e Mjekësisë, që ata të punojnë deri në 5 vite brenda vendit pas përfundimit të studimeve, në sektorin publik dhe atë privat.

    Edhe diplomën ata mund ta marrin vetëm pas punësimit 5 vite në sistemin shëndetësor shqiptar pas mbarimit të studimeve.

    Studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërtin, u propozohet të nënshkruajnë një marrëveshje në fillim të vitit të ri akademik se pranojnë të punojë jo më pak se tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe vitit të gjashtë, se pranojnë punësimin për dy vite në Shqipëri.

    Nëse studentët nuk nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë, atëherë ata duhet të përballojnë vlerën e plotë të kostos së studimeve.

    Studentët e mjekësisëe nisën protestën e tyre nga sheshi para universitetit të mjekësisë dhe marshuan për disa kilometra tek Kuvendi i Shqipërisë, ku shumica socialiste kaloi për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar projekt-ligjin e miratuar dje nga qeveria.

    Ata theksuan se kishin kërkuar sqarime dhe konsultime për projekte të tilla, por deri pak ditë më parë zyrtarët e universitetit ua kishin mohuar ekzistencën e këtij projekt-ligji, i cili u miratua në qeveri dhe hyri shpejt në procedurat e Kuvendit.

    Dea Guri, studente e vitit të pestë Mjekësi dhe një nga organizatoret e protestës, theksoi se mjekët nuk duan të ikin nga Shqipëria, por kushtet e punës së tyre këtu janë shumë të vështira, ndaj me detyrim nuk duhet bërë mbajtja dhe punësimi i tyre, por plotësimi i detyrueshëm i standarteve profesionale.

    “Ne kërkojmë anullimin e vendimit, ose në të kundërt do të bojkotojmë vitin akademik. Bëmë dy mbledhje dhe na gënjyen sy më sy se një draft i tillë nuk ekzistonte. Tani e nxjerrin të mërkuën dhe e miratojnë të enjten. Ne e duam Shqipërinë dhe nuk duam të ikim. Kurthet dhe presionet që na bëjnë po na i vështirësojnë studimet”, tha studentja Guri.

    Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për raportin e mjekëve me numrin e banorëve.

    Largimi i mjekëve dhe punonjësve të tjerë pranë tyre është një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor, sepse Shqipëria ka 188 mjekë për 100 mijë banorë, ndërsa në vendet e BE kjo normë është më shumë se dyfishi.

    Pavarësisht kundërshtimit dhe protestës së studentëve të mjekësisë në sheshin e Kuvendit, projekt-ligji u kalua me procedura të shejtuara dhe pritet të miratohet nga shumica socialiste brenda korrikut, duke hyrë në fuqi në vjeshtë kur nis viti i ri akademik.

    Kjo i vë studentët para faktit të kryer, të nënshkrimit ose jo të një marrëveshje për të punuar 2-5 vjet në Shqipëri pas kryerjes së studimeve.

    Opozita ishte në krah të studentëve, duke theksuar se mjekët nuk mund të mbahen me forcë dhe reforma të tilla të nxituara nuk kanë rezultat.

    “Një mijë e 200 mjekë janë larguar dhe më në fund qeveria po e sheh se ka një situatë dramatike, për sa i përket shifrave të largimit të mjekëve nga Shqipëria, po kjo nuk ndryshohet me forcë. Edhe reforma e arsimit të lartë, që u bë me forcë dhe pa dëgjuar palët, po shihet si dështoi. Sot universitetet publike janë në situatën e tyre më të keqe”, tha deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, Jorida Tabaku.

    Ndërsa deputetët socialistë theksuan se me këtë projekt-ligj synohet arritja e normën europiane 3.5 mjekë për një mijë banorë, ndërsa Shqipëria është ende larg kësaj norme, krahasuar edhe me vende të rajonit.

    Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se Shqipëria nuk i arrin dot pagat e larta të vendeve të tjerë, por ne duhet të garantojmë shëndetin publik, deri sa studimet vazhdojnë me fonde publike.

    “Na duhet të bëjmë politika si kjo që është e mirëseardhur, që ne të prodhojmë mjekë për çdo cep të territorit. Mos e harroni që e kemi në zbatim një politikë të quajtur “Mjekë për Shqipërinë”, ku i kemi dhënë mundësinë një mjeku që shkon të punojë në qarqe të largëta të marrë një pagë tre herë më të lartë”, tha zoti Balla.

    Largimi i mjekëve nga Shqipëria është përshkallëzuar vitet e fundit, në vendet e BE-së, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Italisë.

    Ekspertë të pavarur vlerësojnë se shkak i këtij “largimi të trurit” nga vendi është sistemi i pareformuar dhe i keqfinancuar shëndetësor, ndërsa mjekët punojnë në kushte të papërshtatshme.

    Kushtet e dobëta ekonomike dhe lufta e pakët ndaj korrupsionit renditen prej tyre ndër faktorët e emigrimit të mjekëve.

  • Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania mund të dërgojë trupa shtesë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Kështu deklaroi më 7 korrik ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

    “Pas kërkesës nga kolegia ime austriake Klaudia [Tanner], ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual [parlamentar] që t’i lehtësohet barra Austrisë”, tha ai për gazetarët pas takimit me homologët e tij nga Austria dhe Zvicra në Bern.

    Pasi në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, NATO angazhoi 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

    Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 70 trupa gjermane.

    Që nga fundi i majit, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet.

    Për shkak të mospërmbushjes së tyre, BE-ja nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese.

    Ambasada gjermane në Prishtinë më 6 korrik konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të BE-së.

  • Miratohet raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit

    Miratohet raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit

    Komisioni për Shëndetësi miratoi sot raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit.

    Mes tjerash, në këtë raport kërkohet edhe plotësim-ndryshimi i këtij projektligji, ku do të përfshihen edhe cigaret elektronike, po ashtu edhe përcaktimi i ambienteve të mbyllura dhe të hapura.

    Në anën tjetër, anëtarët e komisionit, përfshirë edhe deputetët e mazhorancës shprehën mospajtime për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

  • Kurti priti në takim shefin e ri të EULEX-it: Jemi të përkushtuar për shtet ligjor e demokraci

    Kurti priti në takim shefin e ri të EULEX-it: Jemi të përkushtuar për shtet ligjor e demokraci

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, me rastin e fillimit të mandatit të tij.

    Duke e falënderuar për mikpritjen, Barbano e përgëzoi Kryeministrin Kurti për progresin mbresëlënës ekonomik dhe demokratik që ka shënuar Kosova.

    U bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend.

    Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor, demokraci dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

    Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.​

  • Murtezaj: ATK shënoi rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë

    Murtezaj: ATK shënoi rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Në një konferencë për media, drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj tha se në periudhën janar-qershor të këtij viti të hyrat e grumbulluara nga tatimet janë 423.2 milionë euro, ose 19 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Murtezaj tha se pavarësisht sfidave që po ballafaqohet vendi nga ana ekonomike, falë punës që po bëjnë kanë arritur të shënojnë progres në këtë drejtim.

    Mes tjerash, duke folur për inkasimin e borxheve, Murtezaj tha se ka ulje të borxheve në këtë drejtim.

    Ai ka theksuar se sfidë kryesore e ATK-së është identifikimi dhe trajtimi i personave, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e tyre personale.

  • Begaj në Azerbajxhan, pritet nga homologu Aliyev

    Begaj në Azerbajxhan, pritet nga homologu Aliyev

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjendet për vizitë në Azerbajxhan me ftesë të homologut të tij, Ilham Aliyev.

    Begaj u prit nga Aliyev sot në mëngjes.

    Ndërsa pas takimit, Begaj u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit është më i fortë se kurrë.

    “Faleminderit miku im President Aliyev për pritjen shumë miqësore! Teksa Shqipëria dhe Azerbajxhani festojnë 30 vjet marrëdhënie diplomatike, bashkëpunimi mes dy vendeve është më i fortë se kurrë!”, shkroi Begaj në Facebook.

  • Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e këtij personi

    Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e këtij personi

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin e të dyshuarit që i shkaktoi lëndime të rënda trupore një të mituri.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti kishte ndodhur me 7 qershor 2023, rreth orës 20:15, në rrugën “Hadi Kantarxhiu”, në Prizren, ku i dyshuari ka sulmuar të dëmtuarin te mitur me ç ’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Sipas policisë, sektori i hetimeve ka bërë përpjekje maksimale në ndriçim të veprës penale dhe ka siguruar fotografi dhe video të të dyshuarit, mirëpo deri tani nuk ka rezultuar në identifikim e tij.

    “Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr Autorizimin në pajtim të dispozitave të nenit 76 prag 2 te KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e te dyshuarit”, ka njoftuar policia.

    Për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarit për identifikimin e të njëjtit.

    “Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kanë çfarëdo informate, apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Suharekë, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim të policisë.