ATV

Category: Lajme

  • Samiti i Tiranës konsiderohet mundësi e mirë për afrim mes Kurtit e Ramës

    Samiti i Tiranës konsiderohet mundësi e mirë për afrim mes Kurtit e Ramës

    Duke e konsideruar si mundësi të mirë për përafrim të raporteve, njohës të çështjeve politike besojnë se Kryeministri Albin Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për pjesëmarrje në Samitin e Tiranës për Procesin e Berlinit.

    Përkundër raporteve të acaruara kohëve të fundit dhe refuzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të takohet me të, homologu i tij shqiptar, Edi Rama e ftoi publikisht në Samitin e Tiranës të Procesis të Berlinit.

    Ftesa, gati tre muaj para takimit, nga njohës të politikës konsiderohet si hapje e Ramës për qetësim të raporteve.

    “Ftesa e Ramës drejtuar Krutit për Samitin e Tiranës, ishte një reflektim KARSHI mospajtimeve që kishin. Ftesa ku tha se e fton të jetë pjesë e procesit, tregon se rama Dëshiron që t’i relaksojë raportet me Kurtin e Kosovën.”

    Andaj, Fidan Ukaj, beson se gjasat janë të mëdha të ketë përgjigje pozitive.

    “Mendoj se kurti do të reflektojë dhe do t’I përgjigjet pozitivisht ramës, e pastaj të reflektojë edhe në Raport me Faktorët ndërkombëtar, në mënyrë që masat e përkohëshme të hiqen.

    Pritshmëri të njëjtë për mosrefuzim, ka edhe njohësi tjetër i çështjeve politike nga Shqipëria, Ben Andoni.

    “Besoj se deri në tetor do ketë presion ndryshe ndaj kurtit, dhe mbi te gjitha do gjenden elemente tjera për t’u qetësuar Tirana me Prishtinën. Duhet ta kemi parasysh se Rama kur refuzoi mbledhjen, dhe përdori gjuhë të papërshtatshme.

    Sidoqoftë, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë deklaruar lidhur me ftesën publike që Rama i bëri kryeministrit të Kosovës, të premten.

  • Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut: BE-ja e paaftë të garantojë paqe e siguri

    Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut: BE-ja e paaftë të garantojë paqe e siguri

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është i paaftë. Në Forumin e Dubrovnikut, ku mori pjesë në panel së bashku me përfaqësuesin e BE-së për dialog Miroslav Lajçak dhe emisarin amerikan, Gabriel Escobar, Gërvalla ka vlerësuar se Bashkimi Evropian nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë. Ky qëndrim i saj u replikua nga emisarët.

    Pas marrëveshjes së Brukselit me 27 shkurt, dhe aneksit të Ohrit, Kosova dhe Serbia nuk mund te kthehen prapa, tha përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialog Miroslav Lajçak.

    Gjatë diskutimit në Forumin e Dubrovnikut në panel se bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe emisarin amerikan, Gaberiel Escobar, Lajçak tha se njëra nga sfidat kryesore të Ballkanit Perëndimor është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

    “Më herët gjatë këtij viti u arritën 2 marrëveshje shumë të rëndësishme, këto marrëveshje na dhanë platformë të re në negociata dhe them se nuk ka më kthim prapa. Këto marrëveshje na japin dy obligime atë në mes të Kosovës e Serbisë dhe atë në mes të këtyre dy shteteve veçmas dhe BE-së. Natyrisht rrugës ka edhe pengesa dhe me çështjen e zgjedhjeve në veri ndodhi një pengesë. Tani kemi tre kushte për t’u kthyer në normalitet sepse duam t’i zbatojmë

    marrëveshjet e arritura sepse nuk ka alternativë tjetër. Tani me platformën e re në negociata nuk mund të kthehemi pas”

    Teksa tha se Kosova është shembulli më i mirë në rajon sa i përket sundimit tw ligjit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u tregua skeptike nëse Bashkimi Evropian mund të garantojë paqe në Evropë.

    “Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër nga letra” në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”

    Ky vlerësim i kryediplomates kosovare, siç duket nuk i pëlqeu emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “Këtu më duhet t’i replikojë koleges nga Kosova, por gjithçka pozitive që po ndodhë në Ballkan është për shkak të bashkëpunimit evropiano-amerikan. Secili shtet tashmë ka lëvizur përpara. Natyrisht që kemi nevojë për siguri, por angazhimi i NATOs në rajon është shumë i rëndësishëm,. Ashtu ishte në Bosnje e edhe në Kosovë. Dallimi është që shtetet anëtare në NATO tashmë i kanë tejkaluar sfidat etnike. Por ato që vazhdojnë të kenë udhëheqësi që beson në popullzim e nacionalizëm dhe rivalitet etnik kanë shumë sfida. Andaj shpresoj të shfrytëzojmë dialogun procesin e zgjerimit në BE dhe angazhimin amerikan të ndihmojnë këto tre shtete në kthehen në rrugën që duhet të jenë e që është integrimi i plotë në BE.”

    Për situatën në Ballkan, konkretisht në Kosovë, Gaberiel Escobar foli paraprakisht me gazetarë edhe në Zagreb.

    Escobar tha se shpreson që kryeministri Albin Kurti do t’i pranojë kërkesat e ndërkombëtareve për tejkalim të krizës në veri. Sipas emisarit amerikan, ka

    indikacione se Beogradi mund t’i pranojë kërkesat e BE-së, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Prishtinën.

  • Polemika për BE’në, Lajçak Gërvallës: Është ëndrra e secilit shtet që troket për anëtarësim

    Polemika për BE’në, Lajçak Gërvallës: Është ëndrra e secilit shtet që troket për anëtarësim

    Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla -Schëarz në fjalën e saj në Forumin e Dubrovnikut ka bërë një vlerësim për Bashkimin Europian duke thënë se ky union është tigër prej letre dhe nuk mund të ofrojë siguri pa ndihmën e SHBA’së dhe NATO’s.

    Gërvalla, këtë konstatim e ka bërë duke e përdorur një fjali të një gazetari gjerman, pa ia përmendur emrin.

    Ndaj kësaj ka reaguar emisari i BE’së Miroslav Lajcak duke ia kthyer Gërvallës.

    “Gjëja e parë që dua të them ësgtë se BE është larg të qenurit perfekte, por është më e mira që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka bashkim tjetër shtetesh në këtë planet qe ka sjellë stabiltet politik, prosperitet ekonomik, kohezion social më të madh dhe respekt për të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe endërr e vendeve që trokasin në dyert e BE’së” ka thënë Lajçak.

  • Vuçiq përdori fjalën demilitarizim për Kosovën, siç bëri Putini për Ukrainën

    Vuçiq përdori fjalën demilitarizim për Kosovën, siç bëri Putini për Ukrainën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kërkon një qasje të ngjashme ndaj Kosovës si Rusia ndaj Ukrainës.

    Gjatë fjalës së tij më 6 korrik, ai theksoi synimin e tij për të përdorur konceptin e demilitarizimit për Kosovën, paralelisht me një qasje të ngjashme që presidenti rus, Vladimir Putin, ka zbatuar në Ukrainë.

    Duke iu drejtuar publikut për situatën në Kosovë, Vuçiq kërkoi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të kërkuar “demilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura shqiptare”, transmeton The Geopost.

    “Në atë seancë do të kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së t’i kërkojë KFOR-it të veprojë sipas rezolutës 1244 dhe të kryejë demilitarizimin e të gjitha formacioneve shqiptare në përputhje me të njëjtën rezolutë. Unë personalisht do të marr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë presidenti serb.

    Kjo deklaratë e Vuçiqit tregon një dëshirë për një qasje të ngjashme me atë të përdorur nga Putini në Ukrainë, ku Rusia justifikoi masat e saj të demilitarizimit me arsyetimin e mbrojtjes së popullatës ruse.

  • Si u bind Biden që ta furnizojë me municion thërrmues Ukrainën?

    Si u bind Biden që ta furnizojë me municion thërrmues Ukrainën?

    Ukraina do të shfrytëzojë municionin thërrmues vetëm në zonat e okupuara prej rusëve dhe nuk do t’i përdor për të sulmuar territore në Rusi. Kjo garanci e ka bindur presidentin amerikan, Joe Biden që të merr vendim për ta furnizuar me këtë armë shtetin ukrainas.

    Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov përshëndeti vendimin e amerikanëve për të dërguar armët e diskutueshme, duke thënë se ato do të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve të ushtarëve.

    Ai shtoi se Ukraina do të mbajë një regjistër të rreptë të përdorimit të tyre dhe do të shkëmbejë informacionin me partnerët e saj, raporton skynews.

    “Qëndrimi ynë është i thjeshtë – ne duhet të çlirojmë territoret tona të okupuara përkohësisht dhe të shpëtojmë jetën e njerëzve tanë”, tha ai.

    “Ukraina do t’i përdorë këto municione vetëm për de-okupimin e territoreve tona të njohura ndërkombëtarisht. Këto municione nuk do të përdoren në vendet e njohura zyrtarisht
    territorin e Rusisë”, shtoi ai.

    Biden kishte deklaruar se municionet thërrmuese nuk do të shfrytëzohet për të sulmuar Rusinë, por vetëm caqet ruse në Ukrainë.

    Municionet thërrmuese, të quajtura edhe bomba thërrmuese, janë bombola që mbajnë dhjetëra deri në qindra bomba më të vogla, të quajtura gjithashtu si nën-municione.

  • Rrahja masive për guroren në Borizanë, Rahman Rraja jep dorëheqjen nga mandati i deputetit

    Rrahja masive për guroren në Borizanë, Rahman Rraja jep dorëheqjen nga mandati i deputetit

    Deputeti i Partisë Socialiste, Rahman Rraja ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, pas ngjarjes në Borizanë, ku familjarët e deputetit ushtruan dhunë ndaj disa banorëve.

    Në deklaratën e tij për media, Rraja ka thënë se i ndihet i turpëruar publikisht nga fëmija i tij, ndërsa u ka kërkuar ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar.

    “Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike”, ka njoftuar ai.

    Tutje, Rrahja u ka kërkuar ndjesë edhe të gjithë atyre që e kanë votuar që nga viti 2000  si kryetar komune dhe prej dy mandatesh si deputet.

    Po ashtu, ai i ka kërkuar djalit të tij që të dorëzohet para drejtësisë.

    “Ju kërkoj ndjese viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që me la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, ka përfunduar Rraja.

  • Lajçak: Vazhdon përpjekja jonë për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Lajçak: Vazhdon përpjekja jonë për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se udhëtimi i tij në Ballkan e ka ndihmuar atë më shumë për të kuptuar situatën që është në veri të Kosovës.

    Lajçak ka thënë se vazhdojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vazhdon përpjekja jonë për të kthyer në rrugën e normalizimit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan ai në postimin e bërë në Facebook.

    Tutje, ai ka dhënë detaje rreth takimeve që ka pasur në Kosovë dhe Serbi.

    “Në fillim të kësaj jave, udhëtova në Kosovë dhe Serbi, në kuadër të përpjekjeve të BE-së për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Fokusi kryesor ishin takimet e mia me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, si dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq në Serbi për të shqyrtuar opsionet për rrugën përpara në përputhje me kërkesat e BE-së për deeskalim, zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrja e serbëve të Kosovës dhe kthimi në dialog”.

    “Në Kosovë takova edhe shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, gjeneralmajor Barbano dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia. Ne diskutuam situatën e sigurisë në Kosovë, nevojën urgjente që të gjitha palët të ndërmarrin hapa konkretë për de-përshkallëzimin dhe kemi shqyrtuar opsionet për kontributin e organizatave tona”, ka shkruar ai tutje.

  • Vuçiq ankohet te Macroni: Prishtina “të vijë në vete”

    Vuçiq ankohet te Macroni: Prishtina “të vijë në vete”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron.

    Ai deklaron se me presidentin e Francës ka biseduar rreth situatës aktuale në Kosovë.

    Në llogarinë personale në Instagram, Vuçiq ka pohuar se i ka thënë Macronit që Kosova është destruktive dhe se ai është e gatshëm për bashkëpunim.

    “Dhuna tani e pamaskuar e drejtuar kundër serbëve në Kosovë po heq gjithnjë e më qartë çdo mundësi për një bisedë të civilizuar dhe një qasje për zgjidhjen e çështjeve të hapura. E theksova se Serbia mbetet e përkushtuar për dialog dhe ruajtjen e paqes, edhe pse komuniteti serb në Kosovë është i vetmi grup etnik në Evropë që është i ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme”, ka shkruar Vuçiq.

    “Kam kërkuar nga presidenti Macron që të bëjë një përpjekje shtesë në mënyrë që pala prishtinase të vjen në vete dhe t’i kthehet sa më shpejt bisedimeve”, shtoi ai.

    Vuçiq i ka kërkuar Macronit që të ndalojë autoritetet kosovare siç tha ai “të bëjnë gjëra të kota që synojnë de-përshkallëzimin e situatës”, por i njëjti nuk ka përmendur dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe qytetarëve në veri të Kosovës.

    “E falënderova presidentin Macron për gatishmërinë që të dëgjojë Beogradin, si dhe për vendosmërinë e tij për të bërë përpjekje shtesë për të zgjidhur situatën jashtëzakonisht komplekse dhe mbi të gjitha të rrezikshme në Kosovë”, përfundoi Vuçiq.

  • Vdekja e 50-vjeçarit në Gjilan, Hyseni: Shpresojmë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë

    Vdekja e 50-vjeçarit në Gjilan, Hyseni: Shpresojmë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë

    Pas vdekjes së një 50-vjeçari si pasojë e zjarrit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka uruar që tragjeditë e tilla të mos përsëriten kurrë.

    Në llogarinë e tij në Facebook, ai iu ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të gjithë atyre që e njohin tashmë të ndjerit.

    “Një tragjedi e rëndë na ka goditur sot. Një 50-vjeçar humbi jetën sot në një aksident zjarri, duke lënë zbrazëti të madhe në zemrat e familjes, por edhe gjithë miqve e bashkëqytetarëve. Njësitet e zjarrfikësve dhe policia e qytetit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku dhe kanë bërë evakuimin e të gjithë banorëve nga ndërtesa, për çështje sigurie”, ka shkruar ai.

    Një banesë në Gjilan përfshihet nga zjarri, vdes një 50-vjeçar

  • Një banesë në Gjilan përfshihet nga zjarri, vdes një 50-vjeçar

    Një banesë në Gjilan përfshihet nga zjarri, vdes një 50-vjeçar

    Sot në mëngjes një banesë është përfshirë nga zjarri në Gjilan, ku si pasojë një 50-vjeçar ka humbur jetën.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    “Drejtoria rajonale e Policisë, stacioni policor në Gjilan, sot më 08.07.2023 në orën 08:45 nga qendra emergjente 112 është pranuar një informatë se nga një banesë afër tregut të gjelbër kati i katërt është duke dalë tym. Janë angazhuar njësitet patrulluese. Njësitet e zjarrfikësve me urgjencë kanë dalë në vend të ngjarjes”, ka thënë Hashani.

    Sipas tij, janë evakuuar të gjithë banorët e banesave përreth për çështje sigurie.

    “Hetuesit rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit. Nga hetimet e para njoftohet se në banesë është gjetur një person pa shenja jete i gjinisë mashkullore rreth 50-vjeç . Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML”, ka deklaruar ai.

    Tutje, ai ka treguar se hetuesit rajonalë janë duke i hetuar rrethanat e këtij rasti të rëndë që rezultoi me vdekjen e një personi.