ATV

Category: Lajme

  • Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Të hënën, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit.

    Në këtë mbledhje, rend të ditës janë disa pika të papërfunduara nga seancat paraprake.

    Rendi i ditës është si në vijim:

    Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 20 prill dhe 29 qershor 2023:

    Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

    Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,

    Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023:

    Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën

    Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:

    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

    7. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,

    8. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,

    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,

    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,

    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

    12. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,

    13. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

    V. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023:

    4. Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

    VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023:

    22. Votimi për emërimin e dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

    23. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    VII. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023:

    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    VIII. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    Pyetjet parlamentare,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në lidhje me çështjen: ”Përgjegjësia e tij në raport me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj”,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-139 për procedurën përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-118,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-190 për zhvillim rajonal të balancuar,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-200 për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-227 për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin sovran të Republikës së Kosovës,

    Shqyrtimi i Raportit për mbikëqyrjen e zbatimit t Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim,

    Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,

    Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetrorë të Cilësisë,

    Emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,

    Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

    Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRRE.

    IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Plani i Gjermanisë për të marrë më shumë punëtorë nga Ballkani

    Plani i Gjermanisë për të marrë më shumë punëtorë nga Ballkani

    Krahas ligjit të ri të punëtorëve të kualifikuar, Gjermania po prezanton masa për të inkurajuar më shumë migrim për punëtorët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

    Parlamenti gjerman ra gjithashtu dakord të zgjerojë të ashtuquajturën “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor”, për ta bërë më të lehtë për më shumë punëtorë nga vende të caktuara jashtë BE-së të vijnë në Gjermani, shkruan The Local.

    Çfarë është rregullorja e Ballkanit Perëndimor?

    Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u prezantua për herë të parë në vitin 2016 dhe u jep shtetasve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia mundësi në tregun gjerman të punës për çdo lloj punësimiSipas rregullores aktuale, punëtorët kanë nevojë për një ofertë detyruese pune nga një punëdhënës në Gjermani dhe kualifikime të njohura.

    Fillimisht, rregullorja duhej të skadonte në fund të vitit 2020, por, për shkak të kërkesës së madhe nga punëdhënësit në Gjermani për punëtorë nga këto vende, rregullorja u zgjat deri më 31 dhjetor 2023.

    Rregullorja konsiderohet një model suksesi që ka lejuar punëdhënësit në Gjermani të rekrutojnë deri në 25,000 punëtorë të kualifikuar çdo vit nga këto vende, përcjell albinfo.ch.

    Si do të ndryshojë ligji?

    Me zgjerimin e ligjit, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor do të mbetet e përhershme dhe kuota vjetore e punëtorëve të lejuar nga këto rajone do të dyfishohet në 50,000 në vit.

    Ata do të lejohen të hyjnë në Gjermani për çdo lloj punësimi pa pasur nevojë të paraqesin dëshmi të kualifikimeve profesionale.

    Ky është një lajm veçanërisht i mirë për industrinë e ndërtimit, e cila ka mirëpritur faktin se rregullorja e re nuk kërkon kualifikime nga emigrantët, por përkundrazi u lejon kompanive të vendosin nëse përvoja profesionale afatgjatë është e mjaftueshme për ta.

    Përveç zgjerimit të kuotës për punëtorët nga Ballkani, Parlamenti gjerman synon gjithashtu të sjellë një kuotë migrimi për punëtorët e pakualifikuar nga vende të tjera përveç Ballkanit Perëndimor, të cilët mund të tregojnë se kanë një ofertë punësimi në Gjermani, shkruan The Local.

    Numri që po diskutohet aktualisht është 30,000, i cili do të përcaktohet nga Agjencia Federale e Punësimit (BA) në bazë të kërkesës.Këta punëtorë do të lejohen të ndërmarrin çdo lloj punësimi që kërkon pagesa të sigurimeve shoqërore për tetë muaj brenda një viti nëse punëdhënësi është i lidhur me marrëveshje kolektive dhe mbulon plotësisht shpenzimet e udhëtimit.

    Ka gjithashtu plane për t’u dhënë asistentëve të huaj të infermierisë nën nivelin e punonjësve të kualifikuar akses në tregun e punës, me synimin për të marrë rreth 1200 kujdestarë shtesë, përcjell albinfo.ch.

  • Edi Rama shkarkon ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi

    Edi Rama shkarkon ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

    Ai ka thënë se propozimin do t’ia dorëzojë presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj të hënën.

    Në ndërkohë, në vend të Çuçit, Rama ka propozuar Taulant Ballën.

    “Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falënderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese edhe në këtë drejtim”, ka shkruar Rama në Twitter.

    Ndonëse arsyet e këtyre veprimeve nuk i ka bërë të ditura, besohet se ky vendim është marrë pas dhunës barbare të ndodhur ditë më parë në Fushë-Krujë, ku të përfshirë, veç tjerësh, ishin djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja, dhe dy vëllezërit e tij.

    Sot gjatë ditës, edhe Rraja dha dorëheqje nga detyra e deputetit, ndërsa kërkoi falje për dhunën e shfrenuar ndaj dy qytetarëve.

  • Osmani takon Escobarin: Përfshirja e ShBA-së është me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon

    Osmani takon Escobarin: Përfshirja e ShBA-së është me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon

    Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në margjinat e Forumit në Dubrovnik, ka takuar të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Me diplomatin amerikan, ai tha se ka biseduar për situatën në rajon.

    Osmani tha se përfshirja e ShBA-së në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi jetike për stabilitetin e rajonit.

    “Me Escobarin për situatën aktuale dhe sfidat me të cilat përballet rajoni ynë. Përfshirja aktive e ShBA-së në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE është me rëndësi jetike për stabilitetin. Ne jemi të përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së kuadër të dialogut strategjik”, ka shkruar Osmani në Twitter.

  • Projekti i parkut i kushtoi 144 mijë euro, punët mbeten në gjysmë

    Projekti i parkut i kushtoi 144 mijë euro, punët mbeten në gjysmë

    Parku në lagjen Davidovc të Shtimes, ndonëse është përuruar ditë më parë, punimet në të ende nuk kanë përfunduar. Për këtë komuna fajëson kompaninë punuese, derisa kompania thotë se i respektoi afatet.

    Këto mjete të rënda, tregojnë se në parkun e përuruar ditë më parë në komunën e Shtimes ende ka punë. Gjendja e projektit prej 144 mijë eurosh rreth 3 kilometra larg qendrës tregon se përurimi ishte i ngutshëm.

    Vulën e përurimit e dëshmon vetëm shiriti i cili u pre nga kryeministri Albin Kurti, Ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, e kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, më 2 korrik.

    Sipas kryetarit të Shtimes, operatori i cili fitoi projektin ishte njoftuar me kohë për datën e përurimit të parkut në Davidovc.

    “Raahti per hir te vertes dy javë e dundit kane qene ditet me intensive te perfundimit te fazave te fubdit te ketij projekti te rendesishem per kominen e shtimes dhe pikerisht kto dy jave jane shoqeru me mot te lig siç edhe e keni pa e dhe vet pa dasht me shfajsu operatorin qe ne kete rast eshte dasht me qene me i kujdesshem ne shperndarjen e fazave te punes se me kohe e ka dit qe inaugurimi do te ndodh at dite situata ka qene e tille une besok se e kemi mirkuptimin e qytetarve dhe besoj jemi te justifikum per shkak te motit te lig. Ne vetem kemi marr masa ndaj operatotidt per dinamiken e punes kjo ka qene e paparshikuar kush e k mendu qe mund te vuajm nga vershimet”

    Në anën tjetër, operatori përfitues, kompania “Ardhmëria”, përmes një përgjigje telefonike, tha se i gjithë procesi ngeci për shkak të disa pajisjeve që i kishin porositur në Turqi, të cilat u vonuan.

    Po kjo kompani tha se ka punuar sipas kontratës, ndonëse projekti ishte paraparë të përfundojë në nëntor.

    Por banorët mezi presin që parku të përfundojë.

    “E mira smires eshte qe tu permbahemi rregullabe qe e kn parapru operatori me me pundhenesin une besoj keto pune kryhen po kuhstet atmosferike ka ndikue nashta edje nglizhenca e punkeyesit kshtuqe jane be vonesa ne projekt”

    “Muaj me se paku nuk mun me perfundu mas paku nese punojna e nese spunojn bavaki jet qeshtu probpemet ne pergjithsi ne gjys pk mbesin ne fshatra. Smundet me u shfrytetu se puna si pun si perfundu vendi eshte i mire por pune ska”

    Projekti për ndërtimin e parkut ishte bashkëpunim mes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Komunës së Shtimes dhe Republikës gjermane, Rajna Veriore Vestfalia

  • Projekti për rinovimin e shkallëve të postës nuk përfundoi as në fillim të korrikut

    Projekti për rinovimin e shkallëve të postës nuk përfundoi as në fillim të korrikut

    Punimet për rinovimin e shkallëve të njohura si “Shkallët e Postës” në lagjen “Dardania”, ishin planifikuar të përfundonin në janar. Por, punimet që kanë rifilluar, ende janë larg përfundimit. Qytetarët të cilët kalojnë çdo ditë në atë zonë ankohen se edhe ecja në atë pjesë nuk është e lehtë.

    “Projekti për rinovimin e shkallëve të postës në kryeqytet, fillimisht ishte në plan të përfundonte në dhjetor të vitit të kaluar, pas kësaj periudhe përfundimi i projektit është shtyrë për në janar të këtij viti. Por që edhe pse jemi në muajin korrik, ky projekt ende nuk është përfunduar”.

    Qytetarët vazhdojnë të shfrytëzojnë rrugët alternative, për të kaluar në pjesën tjetër të lagjes.

    Ata për më tepër shprehën të pakënaqur që punimet nuk përfunduan me kohë, derisa ecja në këtë pjesë nuk është e lehtë.

    Rreth vonimit të këtij projekti, ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje nga zyrtarë të komunës së Prishtinës, por që këta të fundit nuk ishin të qasshëm.

    Projekti për rinovimin e shkallëve në lagjen “Dardania”, në kryeqytet, kishte filluar më 10 tetor të vitit të kaluar.

  • Mbi 48 mijë turistë vizituan Kosovën gjatë muajit maj

    Mbi 48 mijë turistë vizituan Kosovën gjatë muajit maj

    Për shkak të situatës së tensionuar në veri, ishte paralajmëruar mundësia që turizmi vendor të pësojë. Por, gjendja në terren flet ndryshe. Vetëm në dy muajt e fundit, Kosovën e vizituan më shumë se 48 mijë turistë. Derisa Unioni i Turizmit të Kosovës thotë se shifra është më e lartë se vitin e shkuar.

    Ne mesin e shteteve të paraqitura në këtë pikturë është edhe Gjermania, prej nga vjen Jan Suleiman, i cili tash e një javë është duke qëndruar në Kosovë.

    Ndonëse në Kosovë erdhi për një konferencë, Suleiman thotë se mbeti i mahnitur nga kultura e vendet që deri tash pati mundësi t’i vizitojë.

    Erdha në Kosovë për punë në një konferencë, por vendosa t’i vizitoj disa vende, vizitova Prizrenin, Pejën dhe erdha në Prishtinë. Mund të them se më pëlqejnë shumë malet në Kosovë, por edhe njerëzit janë shumë të qetë e mikpritës. Nuk kam dëgjuar shumë për Kosovën më parë, por mund të them se Kosova është një vend ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit dhe do të qëndroj këtu edhe për së paku 2 javë.

    Jeton Latifi, pronar i njërit prej hosteleve të shumta në kryeqytet, thotë se numri i vizitorëve të huaj është rritur.

    Për dallim prej viteve të tjera, këtë vit kemi rritje të numrit të vizitorëve aziatikë. Për çdo vit ka rritje të numrit të turistëve, edhe përveç turizmit, kohëve të fundit

    kemi parë rritje të numrit të njerëzve të cilët vijnë për investime në Kosovë, e derisa t’i kryejnë punët me letra qëndrojnë këtu.

    Njësoj thotë edhe Unioni i Turizmit në Kosovë.

    Në bazë të statistikave, na gëzon fakti që kemi mbi 40% rritje të numrit të turistëve të huaj që kanë shprehur interesim ta vizitojnë Kosovën. Kjo është si vazhdimësi e vitit të kaluar, është një lajm fantastik. Unioni i turizmit po punon shumë që të promovojë më së shumti.

    Vetëm në muajin maj të këtij viti, më shumë se 48 mijë vizitorë qëndruan në Kosovë. Krahasuar me vitin e kaluar, shifra paraqet rritje për 28%.

    Numër i lartë i vizitorëve u shënua edhe gjatë vitit të kaluar. Në periudhën janar-shtator, Kosovën e vizituan mbi 375 mijë turistë.

    Ndërkaq, gjatë periudhës së njëjtë, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vendi kishte përfituar nga turistët mbi 1 miliard euro.

  • Projektligje të rëndësishme s’arrijnë të votohen

    Projektligje të rëndësishme s’arrijnë të votohen

    Një e katërta e projektligjeve të proceduara në Kuvend janë marrëveshje ndërkombëtare. Për miratim të tyre nevojiten edhe votat e opozitës, por një gjë të tillë deputetët e saj nuk po e bëjnë. Analistët konsiderojnë se pushteti fillimisht duhet të fokusohet në miratimin e projektligjeve me rëndësi, që më pas opozita të marrë pjesë në votim të tyre.

    Gjatë më shumë se dy viteve të legjislaturës së 8-të në Kuvend janë proceduar 246 projektligje, e janë miratuar 177 prej tyre.

    Ndërkohë, 49 janë në procedurë, derisa të tjerat kanë dështuar të miratohen.

    Kurse, afro 25% e projektligjeve të proceduara janë marrëveshje ndërkombëtare.

    Për miratimin e tyre duhen edhe votat e opozitës, ku në disa raste deputetët e saj nuk po marrin pjesë në votim.

    “Duhet të bëjë dialog pozita, t’i miratojë disa nga kërkesat e opozitës, siç është Ligji për Pagën Minimale, rritja e pagave, e miratimi i disa projektligjeve të tjera me rëndësi për vendin, duke bërë të mundur më pas miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.”

    Derisa, pikat e rendit të ditës po vazhdojnë të shtyhen nga një seancë në tjetrën, analistët vlerësojnë se mazhoranca ka humbur fokusin në problemet elementare që përballen qytetarët.

    “Nuk janë të interesuar për uljen e çmimeve, nuk janë të interesuar as për t’i rritur pagat, nuk janë të interesuar për tema të brendshme. Zotëri Kurti është i obsesionuar pas Vucicit dhe një qasje e tillë do të jetë e dëmshme për Kosovën, edhe për brenda edhe për jashtë.”

    Ndërkohë, një ndër pikat e papërfunduara është edhe votimi i rezolutës për punën e qeverisjes dyvjeçare. Por, brenda afro 2 muajve ajo ishte në rend dite 8 herë, mirëpo ende nuk është votuar.

  • Edhe një javë kohë për t’u miratuar projektligji për skemën pensionale

    Edhe një javë kohë për t’u miratuar projektligji për skemën pensionale

    Opozita tashmë ka marrë vendim për bojkot të punës në Kuvend derisa vetëm deri më 15 korrik ka afat të miratohet projektligji për skemat pensionale. Nëse partia në pushtet nuk arrin ta votojë e vetme, atëherë Ligji aktual do të shfuqizohet, pas një jave.

    Gjatë kësaj jave Qeveria miratoi plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e obligon edhe Kuvendin për miratim.

    Por, ky projektligj për të cilin afat për votim ka vetëm edhe një javë mund të mos votohet në Kuvend për shkak të bojkotit të punës nga partitë opozitare.

    “Ne tash kemi qëndrim politik që ne nuk marrim pjesë në votim por japim kontrubutin tonë me atë që është brenda kompetencave të secilit deputet.”

    “Ne kemi marr një vendim, që nuk do të marrim pjesë as në votim në Parlament e as në komisione parlamentare.”

    Ani pse pushteti ka mjaftueshëm deputetët për kalimin e këtij projektligji pritet të shihet nëse të gjithë do të jenë të pranishëm në seancë.

    Ndërkaq Gjykata Kushtetuese në rast të mosvotimit në Kuvend do ta shfuqizojë Ligjin më 15 korrik 2023.

  • Qeveria pajtohet me dy emra për Guvernator, vendimi i shkon Kuvendit

    Qeveria pajtohet me dy emra për Guvernator, vendimi i shkon Kuvendit

    Vetëm dy emra të kandidatëve për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës i janë dërguar Kuvendit për votim. Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli janë vlerësuar me më së shumti pikë nga paneli përzgjedhës. Por, lista me vetëm dy kandidatë për një pozitë kaq të rëndësishme po vlerësohet e ulët.

    Pas më shumë se dy javë nga mbyllja e konkursit të dytë, Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli janë dy emrat që i kanë shkuar Kuvendit të Kosovës, si kandidatë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

    Të premten në mbrëmje, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është pajtuar me dy kandidaturat e përzgjedhura nga paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së.

    Kandidati me më së shumti pikë është vlerësuar Ahmet Ismaili me 84.67, nga 100 maksimale dhe Lulzim Ismajli 73.67 pikë derisa gjithsej në këtë konkurs ishin 17 kandidatë.

    Por, anëtar të komisionit për Buxhet kanë kritika pasi thonë se lista e kandidatëve për pozitën e guvernatorit do të duhej të ishte më e gjatë.

    Lushtaku thotë se i gjithë procesi ka qenë i mbyllur dhe jotransparent andaj dyshon se në krye të BQK-së do të vijë kandidati i duhur.

    Pas dërgimit të emrave të Kuvend, fillimisht kandidatët do të trajtohen në Komisionin për Buxhet Punë dhe Transfere e më pas do të shkojnë për votim në seancë.

    Në prill të këtij viti procesi për përzgjedhjen e guvernatorit u kthye në pikën zero për shkak të parregullsive, ndërkaq në krye të BQK-së si ushtrues detyre u emërua Bashkim Nurboja, i cili ishte kryetar i Bordit mbikëqyrës.