ATV

Category: Lajme

  • Gërvalla përmend vullnetin e qytetarëve për mos-kompromis në dialog

    Gërvalla përmend vullnetin e qytetarëve për mos-kompromis në dialog

    Cilësimi si tigër prej letre që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, i bëri Bashkimit Evropian, kur tha se nuk janë të aftë të garantojnë paqe e siguri në rajon, mori vëmendjen e të gjithëve.

    Por para këtij deklarimi në forumin e Dubrovnikut, Ministrja Gërvalla dha disa shifra që aludojnë se 84 për qind e qytetarëve janë kundër kompromiseve në dialog me Serbinë.

    “Pse në 2021, 50 për qind e qytetarëve than mos bëni kompromis në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, ndërsa në mars të këtij viti 84 për qind ishin kundër që të ketë kompromis në dialog. Kjo është një fatkeqësi për çdo ndërmjetësim që të prodhoj një dinamik të tille dhe sigurisht që ka alternativa që po themi se duhet strategji të reja”, tha Gërvalla.

    Këto statistika Ministrja Gërvalla me shumë gjasë i përmendi referuar një sondazhi të bërë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, në periudhën shkurt – mars të këtij viti.

    Por i njëjti sondazh, thotë se mbi 90 për qind e qytetarëve i besojnë Amerikës dhe Shqipërisë si partnerë kryesorë në politikë, ndonëse krerët e Qeverisë aktuale, ka kohë që nuk kanë takuar zyrtarë të lartë amerikan dhe kanë refuzuar takimet me Kryeministrin e Shqipërisë.

    Sipas analistëve, diplomacia kosovare po vepron në bazë të sondazheve, pa vlerësuar si duhet peshën e veprimeve.

    “Kjo tregon që me këtë politik popullsite dhe të udhëhequr nga sondazhet, në vazhdimësi qeveria Kurti dhe politika e jashtme kanë demonstruar se mund t’i sjellin Kosovës vetëm armiq dhe jo miq, dhe natyrisht kjo politikë e cila është udhëhequr vazhdimisht nga qeveria e Kosovës e dëmton skajshmërish pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha analisti politik, Arbnor Sadiku.

    Sipas Sadikut, Kosova nuk është në pozicion që të veproj kësisoj pasi i nevojitet ndihma e ndërkombëtarëve.

    “Udhëheqja e politikës së jashtme me popullizma të tillë dhe me një politikë e cila dihet që më shumë udhëhiqet nga shtetet e forta që kanë ekonomi, diplomaci dhe ushtri të fortë kurse politika liberale udhëhiqet nga shtetet që kanë si Kosova një politikë e cila afekton të ardhmen e saj evropiane dhe bazohet më tepër mbi vlerat e saj demokratike se sa mbi pozitën e saj me forcave të brendshme në raport me politikën e jashtme dhe arenën ndërkombëtare”, tha Sadiku.

    Në sondazhin e lartcekur, SHBA-ja vlerësohet si mbështetësi kryesorë, edhe në fushat e tjera përfshirë edhe atë të ekonomisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova dhe Serbia – temë në parlamentin britanik

    Kosova dhe Serbia – temë në parlamentin britanik

    Situata në veriun e Kosovës po shihet si shqetësuese nga kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak.

    Kurse sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është zgjidhja që ai përkrah.

    Rastin e saj për t’i bërë pyetje kryeministrit Britanik, deputetja Alicia Kearns ngriti një çështje: zgjerimin e mandatit të KFOR- it në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që sillen nga Serbia në Kosovë.

    “Ne gjithashtu konsiderojmë lobimin për zgjerimin e mandatit të KFOR-it në Kosovë, në mënyrë që ata të mirren me armët ilegale që sillen nga Serbia në Kosovë dhe të cilat financohen ilegalisht nga Beogradi”, tha Kearns.

    Pasi morri fjalën, kryeministri britanez Rishi Sunak tha se përgjegjësia për ulejen e tensioneve në veri të vendit i takon kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksndër Vucic.

    “Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni, i dënojmë fortë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se prijësit në Beograd dhe në Prishtinë kanë përgjegjësi për të ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Sunak.

    Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, tha se Qeveria britanike është informuar nga KFOR-i se këto armë mbërrijnë me ambulanca nga Serbia. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 40-vjeçarja nga Kosova dërgohet në urgjencë pas rrezikut për t’u mbytur në det në Shëngjin

    40-vjeçarja nga Kosova dërgohet në urgjencë pas rrezikut për t’u mbytur në det në Shëngjin

    Një tjetër pushuese rreth moshës 40-vjeç ka rrezikuar jetën mesditën e sotme në zonën e Kune Vainit.

    40-vjeçarja është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit të Lezhës për ndihmë mjekësore dhe po mbahet nën kontroll për shkak se kishte konsumuar shumë ujë.

    Brenda kësaj jave është rasti i tretë ku pushues nga Kosova rrezikojnë të mbyten në bregdetin e Shëngjinit, raporton Top Channel.

    Edhe pse deti është i trazuar dhe janë ngritur flamujt e kuq në pikat e vrojtimit ajo çka vihet re janë kullat e vrojtimit bosh.

  • Tensionet në veri: Rrallohen hyrjet në Merdar, shpeshtohen në Morinë

    Tensionet në veri: Rrallohen hyrjet në Merdar, shpeshtohen në Morinë

    Situata në veri të vendit, ka krijuar një pasiguri për të gjithë bashkatdhetarët që marrin rrugën në Kosovë përmes pikave kufitare të Serbisë. Të dhënat e fundit nga Qendra për Menaxhim Kufitar theksojnë se ka rënie të hyrjeve në pikat kufitare tokësore të Kosovës.

    Për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në vendet evropiane, po zgjedhin rrugë më të gjata për vizitë në vendlindje, por të sigurt.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka bërë të ditur për Radio Kosovën, përmes postë elektronike, se hyrjet për në Kosovë janë shtuar më shumë në pikëkalimin “Perëndimi” në Morinë, përderisa pikëkalimi “Veriu”, ku përfshihet pikëkalimi në Merdar, ka shënuar dukshëm rënie.

    Sipas statistikave të tyre del se në nga data 01.06.2023-deri më 03.07.2023 në Kosovë kanë hyrë 591 mijë e 636 persona. Kjo është një rënie krahasuar në datat e njëjta të vitit 2022, ku përmes pikave kufitare tokësore në Kosovë kanë hyrë mbi 740 mijë persona.

    Bashkatdhetari Rexhë Islamaj, jeton në Zvicër. Ai thotë se për shkak të situatës në vend dhe thirrjes së qeverisë për shmangie të pikës kufitare në Merdar, ka ardhur në Kosovë përmes rrugës Kroaci, Mal të Zi e Shqipëri.

    “E kam ndërruar për shkak që qeveria ka kërkuar, dhe një shok me mua ka qenë me dokumente të Kosovës, dhe nuk kemi dashur që t’i biem andej për shumë arsye. Kam ardhur nëpër Kroaci, kemi kaluar shumë mirë. Rruga ishte shkurtuar për 100 km, dhe kemi hyrë në Mal të Zi direkt dhe pa telashe. Kemi ardhur gjithmonë për Merdar ose te Dheu i Bardhë, e tash kthimin do ta bëjë nga Durrësi për në Itali, me trajekt”, tha Islamaj.

    Fatmir Syla, ka vite që jeton në Gjermani me familjen e tij. Ai thotë se nuk kalon nga Merdari asnjëherë për shkaqe sigurie.

    “Nga Gjermania kam ardhur me 26, nga Kroacia-Slloveni –Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, e preferojë gjithmonë këtë rrugë për shkak të sigurisë. Kam pasur frikë se do të ketë më fluks për arsye se për Serbi kanë bërë thirrje me u shmang, por ka qenë gjithçka në rregull edhe pa tollovi, përveç në Mal të Zi që kemi pritur 10 minuta përndryshe udhëtimi ka qenë pa probleme dhe shumë mirë kemi kaluar. Unë për Merdar nuk udhëtoj kurrë, për shkak të sigurisë”, tha Syla.

    Qeveria ditë më parë, i ka bërë thirrje diasporës kosovare që të shmangin pikëkalimin kufitar nëpërmjet Serbisë, për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, për të shmangur çfarëdo incidenti, dhe duke përdorur rrugë alternative për udhëtim.

  • Lehonat që kërkojnë ndihmë psikologjike stigmatizohen nga shoqëria

    Lehonat që kërkojnë ndihmë psikologjike stigmatizohen nga shoqëria

    Kërkimi i ndihmës psikologjike vazhdon të shihet si dobësi në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut, theksojnë mjekët psikiatër. Kjo, thonë ata, bën që shumë persona të mos kërkojnë ndihmë profesionale edhe në rastet kur ballafaqohen me probleme psikike.

    Stojan Bajraktarov, mjek psikiatër, thotë se 20 për qind e grave gjatë muajve të shtatzënisë dhe periudhës së lehonisë rrezikojnë të preken nga problemet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor. Këto shifra , sipas tij, flasin për nevojën e një zgjidhje sistemore për mbështetjen psikologjike të grave gjatë periudhës së shtatzënisë dhe lehonisë, sikurse edhe të atyre që ballafaqohen me ndryshime rrënjësore në jetë veçanërisht kur kanë të bëjnë me problemet shëndetësore.

    Këto reagime pasojnë tentimin për vetëvrasje të një lehone 39-vjeçare, gjatë javës që po lëmë pas (2 gusht), e cila u hodh nga kati i parë i spitalit të gjinekologjisë pas lindjes së foshnjës. Për këtë grua nga Shkupi kjo lindje është e para.

    Autoritet spitalore thanë se ajo është ankuar për shqetësime psikologjike, me ç`rast ka folur dhe me psikiatrin e klinikës. Por, edhe pas tri ditësh ajo sërish është ankuar për shqetësime psikologjike, ndërsa mjekët kujdestarë i kishin dhënë barna për qetësim. Kjo nuk ka qenë e mjaftueshme që ajo të heq dorë nga synimi për vetëvrasje. Aktualisht ajo kurohet nga plagët e rënda që ka marrë gjatë tentimit për vetëvrasje.

    Gratë që kërkojnë ndihmë psikologjike vazhdojnë të stigmatizohen nga rrethi

    Rritja e konsumimit të barnave kundër depresionit dhe rasti me lehonën që tentoi të vetëvritet, nxiti debate të shumta në opinionin maqedonas nëse personat që kanë probleme me shëndetin mendor arrijnë të marrin ndihmë profesionale me kohë.

    Psikiatri Stojan Bajraktarov thotë për Radion Evropa e Lirë se gratë që kërkojnë ndihmë psikologjike vazhdojnë të stigmatizohen nga shoqëria. Ato kritikohen se nuk dinë të kujdesen për fëmijët e tyre dhe më e keqja, siç shprehet ai, se nuk arrijnë të bëhen nëna të mira.

    “Nga rrethi ku jetojnë, shoqëria, këto gra paragjykohen se nuk dinë të kujdesen për fëmijët e tyre të porsalindur. Kjo bën që gratë të hezitojnë të flasin hapur për problemet që kanë lidhur me shëndetin mendor, veçanërisht ato që vijnë nga viset rurale dhe kjo bën që ato mos kërkojnë ndihmë shëndetësore”, thekson Bajaraktarov. Ai shton se se shumë pak gra bëjnë konsulta në departamentin e klinikës në Shkup, i cili kryesisht merret me shëndetin mendor të grave para dhe pas shtatzënisë.

    Mungesa e mjekëve psikiatër shqiptarë, barrierë për pacientet

    Problem më vete paraqet dhe numri shumë i vogël i mjekëve psikiatër shqiptarë. Në Klinikën e Psikiatrisë në Shkup ka të punësuar 19 mjekë psikiatër nga të cilët vetëm dy janë shqiptarë.

    Edlira Destani, psikologe, thotë për REL-in se me shumë rëndësi është që gratë të trajtohen me kohë dhe në gjuhën që për to është më e njohur.

    “Çdo person është individ më vete. Ndryshim që vjen në momentet e caktuara e nuk janë të përgatitur në mënyrën e duhur – apo ajo se te personi i caktuar mund të kemi pasur problematika të caktuara, të cilat nuk janë trajtuar ose janë trajtuar sipërfaqësisht – këto ndryshimet e përnjëhershme në jetën e tyre mundet të rindezin problematikat që kanë qenë të fjetura te vetja e tyre. Dhe, për këtë arsye këta persona, nëse nuk do të kenë mbështetje psikologjike, pasojat mund të jenë me çrregullime të mëdha psikologjike… Këto problematika mund të zbërthehen më së miri nga specialistë që flasin gjuhën e pacientit”, vlerëson Destani.

    Aktivistet për të drejtat e grave thonë se duhet gjetur zgjidhje sistemore për trajtimin e shëndetit mendor që në fillim të shtatzënisë, nëse tek ato paraqiten shqetësime të caktuara dhe jo siç theksojnë ilaçi të kërkohet në internet.

    Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Viktoria Jovanovska, gjatë prezantimit të rastit me lehonën që tentoi vetëvrasjen, tha se shqyrtohet mundësia që lehonat të vizitohen nga mjekët psikiatër. /REL

  • Rama: Samiti do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-së

    Rama: Samiti do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-së

    Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar samitin e NATO-s që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë, si një samit vendimtar i cili do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s

    Kryeministri tha se Shqipëria është e gatshme që të angazhojë trupa shtesë në NATO dhe shtoi se në dekadën e fundit Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes.

    “Ne mezi presim samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius. Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor”, tha Kryeministri Rama shkruan A2CNN

    “Në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së sonë. Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë. Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, shtoi Rama.

  • Kryeministri britanik: Kurti dhe Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionet në veri

    Kryeministri britanik: Kurti dhe Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionet në veri

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak është shprehur i shqetësuar lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionin dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme.

    Kryeministri Sunak i bërë këto komente gjatë një takimi të komitetit ndërlidhjes në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ku tha se pikëpamja e tyre është se duhet të gjendet një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE.

    Ai është pyetur nga deputetja e Parlamentit Britanik dhe kryetare për punë të jashtme, Alicia Kearns për zgjerim të mandatit të KFOR-it, në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që sillen nga Serbia në Kosovë dhe të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi.

    Kryeministri Sunak tha se janë të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe pikëpamja e tyre është se duhet të gjendet një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE.

    Kryeministri britanik Sunak është ndalur edhe tek Bosnja dhe Hercevogina, ku ka thënë se Qeveria Britanike mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe se ata do të vazhdojnë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë.

    “Në lidhje me EUFOR-in, ne e shohim se EUFOR është jetik për paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mospjesëmarrjen tonë, dhe kjo nuk reflekton rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ne do të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin”, tha ai.

  • Tragjedia e pushuesve në Kavajë, mësohet emri i babait që humbi jetën bashkë me dy djemtë e tij

    Tragjedia e pushuesve në Kavajë, mësohet emri i babait që humbi jetën bashkë me dy djemtë e tij

    Tragjedi në bregdetin e Kavajës. Tre persona janë mbytur teksa notonin në plazhin Vilë Boshtovë.

    Babai i identifikuar si Elvis Halilaj 50 vjeç, me dy djemtë e mitur nga Tirana 13 dhe 15 vjeç, ishin duke notuar në det teksa ende nuk dihen rrethanat sesi janë mbytur.

    Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për ti shpëtuar por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.

    Ngjarja e rëndë nxjerr në pah pasojat e mungesës së masave të sigurisë, flamujve sinjalizues dhe vrojtuesve të plazheve.

    Trupat e pajetë të familjarëve deklarohet se janë dërguar në spitalin e Kavajës dhe pritet të nisen në atë të Durrësit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie në sezon pushimesh.

    Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /tch

  • Tragjedi në Kavajë: Mbytet në det babai me dy djemtë, 13 dhe 15 vjeçarë

    Tragjedi në Kavajë: Mbytet në det babai me dy djemtë, 13 dhe 15 vjeçarë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në Kavajë. Tre pjesëtarë të një familje, babai rreth 55 vjeç, dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç janë mbytur në det.

    Sipas njoftimit të Policisë atje, njësitë përkatëse kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar, por të tre kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.

    Njoftimi i policisë:

    Më datë 09.07.2023, në plazhin Vilë-Boshtovë, duke notuar në det janë mbytur tre shtetas kosovarë, pjestarë të së njëjtës familje (babai rreth 55 vjeç, dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç).

    Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për ti shpërtuar por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.

    Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët që po futen nga Serbia në Kosovë

    Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët që po futen nga Serbia në Kosovë

    Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e ka ngritur në Parlamentin Britanik çështjen e futjes së armëve nga Serbia në Kosovë. Ajo e ka pyetur kryeministrin e vendit, Rishi Sunak se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që misioni paqeruajtës i NATO-s të merret edhe me armët ilegale që tha se po futen nga Serbia në Kosovë.

    Ajo foli për një “dështim ndërkombëtar” në parandalimin e situatës në Kosovë. Kearns tha se “kjo reflektohet më së miri nga reagimi i BE-së dhe SHBA-së dhe ndëshkimet e fundit të Kosovës përballë antagonizmit serb dhe retorikës secesioniste të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë”.

    “Si kryeministër, a do të dini të angazhoheni që ne t’i bashkohemi EUFOR-it, ku unë do të shtoja se si Turqia dhe Kili janë anëtarë, dhe a do ta konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që po dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë?”, e pyeti ajo kryeministrin britanik.

    Sunak nuk iu përgjigj konkretisht në këtë çështje, por shprehu shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë përgjegjësi në parandalimin e dhunës së mëtejshme.

    “Gjëja e parë për të thënë është se ne dhe Qeveria mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojmë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Rishi Sunak.