ATV

Category: Lajme

  • Rregullat në autostradat e Serbisë, mërgimtarët të kenë kujdes

    Rregullat në autostradat e Serbisë, mërgimtarët të kenë kujdes

    Diaspora e Kosovës shfrytëzon Serbinë për të ardhur në vendlindje.

    Meqë rregullat kanë hyrë në fuqi, mërgimtarëve që kalojnë nëpër Serbi u bëhet thirrje të kenë kujdes.

    Do të ketë matje të kohës që kalohet në një segment të rrugës mes dy punkteve ku bëhet pagesa dhe pagesa e dënimit për tejkalim të shpejtësisë bëhet menjëherë në punktin e pagesës për autostradë, përcjell albinfo.ch.

    Shpejtësia e lejuar në autostradat e Serbisë është 130km/h dhe dënimet janë të ashpra.

    Shkojnë nga 25 euro deri mbi 1000 euro ose 15-60 ditë burg, shkruajnë mediat serbe.

    Këto janë rregullat të cilat duhet t’u përmbahen mërgimtarët.

    Suboticë – Nish (423 km); 3 orë e 31 minuta,

    Beograd – Nish (237 km): 1 orë e 58 minuta,

    Beograd – Suboticë (190 km): 1 orë e 34 minuta,

    Beograd – Shid (109 km): 54 minuta.

    130 km/h është shpejtësia maksimale e lejuar në autostradat në Serbi.

    120 km/h është shpejtësia maksimale e lejueshme në autostradat në Serbi me anë të shenjave.

    Dënohen 3,000 dinarë (25 euro) për shpejtësi nga 120 në 140 km/h

    Dënohen prej 10,000 dinarë (85 euro) për shpejtësi nga 151 në 160 km/h

    100,000 dinarë (845), 15 deri në 60 ditë burgim, 15 pika ndëshkuese dhe nëntë deri 12 muaj pa licencë është dënimi për tejkalimin nga 201 deri 220 km/h.

  • Aleatët nuk pajtohen për dërgimin e bombave kasetore në Ukrainë

    Aleatët nuk pajtohen për dërgimin e bombave kasetore në Ukrainë

    Disa aleatë të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre, lidhur me vendimin e Uashingtonit për t’i dërguar bomba kasetore Ukrainës.

    Të premten, SHBA-ja konfirmoi se do t’i dërgojë armët e diskutueshme Ukrainës, derisa presidenti Joe Biden, këtë e cilësoi si “vendim shumë të vështirë”.

    Pas vendimit të qeverisë amerikane, Britania, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Spanja, thanë se kundërshtojnë përdorimin e këtyre armëve.

    Bombat kasetore janë të ndaluara në më shumë se 100 shtete, për shkak të rrezikut që ato paraqesin për civilët.

    Ato zakonisht lirojnë shumë bomba më të vogla që mund të vrasin pa dallim, në një zonë tët gjerë.

    Këto bomba gjithashtu kanë shkaktuar polemika për shkak të shkallës së tyre të dështimit.

    Bombat e pashpërthyera mund të qëndrojnë në tokë për vite dhe më pas të shpërthejnë në mënyrë të pakontrolluar.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një intervistë për “CNN” të premten se ka folur me aleatët lidhur me këtë vendim, që ishte pjesë e një pakoje të ndihmave ushtarake, në vlerë të 800 milionë dollarëve.

    I pari i SHBA-së tha se është dashur të kalojë një kohë që ai të bindet që ta marrë këtë vendim, por veproi për shkak se ukrainasve po u mbaron municioni.

    Vendim i Bidenit është kritikuar edhe nga grupet e të drejtave të njeriut, teksa “Amnesty International” tha se bombat kasetore paraqesin “kërcënim të madh për jetët e civilëve, edhe shumë kohë pasi konflikti të ketë përfunduar”.

    SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia, nuk janë ndër 123 vendet që kanë nënshkruar konventën, nëpërmjet të cilës ndalohet prodhimi apo përdorimi i këtyre bombave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dodik ngre padi penale kundër Schmidt

    Dodik ngre padi penale kundër Schmidt

    Presidenti i entitetit të dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska, Mirolad Dodik, ka intensifikuar mosmarrëveshjen e tij me komunitetin ndërkombëtar, duke paraqitur atë që ai e quajti një “ankesë penale” kundër përfaqësuesit të lartë të emëruar ndërkombëtarisht në Bosnje.

    Dodik tha të shtunën se ka bërë kallëzim penal kundër Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt në Prokurorinë Publike të Qarkut në Banja Luka, sepse ai ka kohë që merret me punët e përfaqësuesit të lartë pa autorizim, për të cilin nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Ai pretendoi se “me qëllimin për të shkaktuar dëme në Republikën Srpska, Schmidt paraqitet në mënyrë të rreme si një zyrtar duke e ditur se ai nuk ishte emëruar në përputhje me Aneksin 10 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.”

    Sipas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, Schmidt ka fuqinë të imponojë ligje si interpretuesi përfundimtar i kushtetutës së shtetit, megjithëse vendimet e tij mund të shqyrtohen dhe vihen në dyshim nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, nëse miraton Zyra e Përfaqësuesit të Lartë.

    Marrëveshja, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës 1992-95, vendosi një sistem administrativ, sipas të cilit shteti boshnjak mbetet i ndarë midis Republika Srpska, dhe Federatës Muslimane Boshnjako-Kroate, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore.

    Lëvizjet e Dodik, i cili ka udhëhequr një fushatë gjithnjë e më nxitëse për vite me radhë, erdhën një javë pasi Schmidt anuloi disa vendime të diskutueshme që kundërshtojnë një marrëveshje paqeje që i dha fund luftës civile në vend.

    Schmidt më 1 korrik u tha gazetarëve në Sarajevë se “vendimet e fundit të marra nga Asambleja e Republikës Srpska përfaqësojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës dhe gjithashtu të marrëveshjes së paqes të Dejtonit.”

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dje akuzoi Dodikun për shkelje të kushtetutës së Bosnjës dhe minim të marrëveshjes së Dejtonit.

    Një javë më parë, Ambasada Britanike tha gjithashtu se mbështet veprimet e Schmidt dhe shprehu mbështetjen e përbashkët të shteteve të Kuintit: Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Tragjedia në Kavajë, mbyten në det 3 pushues nga Shqipëria

    Tragjedia në Kavajë, mbyten në det 3 pushues nga Shqipëria

    Mesdita e së dielës, qe fatale për një familje nga Shqipëria, që humbi tre anëtarë të saj pas ata u mbytën në det.

    Siç bënë me dije autoritetet në Shqipëri, një burrë rreth të pesëdhjetave së bashku me dy djemtë e tij të moshave 13 e 15 vjeç, u mbytën në plazhin Vilë-Boshtovë, në Kavajë.

    Sipas disa dëshmitarëve që qenë prezent kur ndodhi tragjedia, viktimat kishin depërtuar në një zonë më të thellë për të notuar, teksa ishin përfshirë nga rrymat detare.

    Një tjetër dëshmitar, fajësoj ambulancën pasi siç tha, nëse do vinte në kohë, do shpëtoheshin të paktën dy nga viktimat.

    Siç raportohet në mediat shqiptare, në atë zonë ka edhe mungesë të rojeve të plazhit, derisa viktimat ishin nxjerrë nga pushuesit e tjerë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shtëpitë e pa banuara, rrezik për ferizajasit

    Shtëpitë e pa banuara, rrezik për ferizajasit

    Ferizajt ka ngelur prej dekadash në gjendje të mjerë.

    Qytetarët pohojnë se shtëpitë përdoren për aktivitete ilegale.

    “Është nevojë të rrënohet mos me ju lon hapësirë të rinjëve të pandërgjegjshëm të krijojnë degjenerim. Duhet me rrënu se po përdoret për drogë nga ata”, thotë një qytetar.

    “Këto shtëpi duhet të hiqen, më vjen keq ta them por njerëzit po përfitojnë në mënyrë ilegale duke për punë të ndryshme në këto shtëpi. Është mirë që pushteti të bëjë çmos t’i rrënojë ato”, tha një qytetar tjetër.

    Hiç më larg se 200 metra, në gjendje të njëjtë është edhe një tjetër shtëpi.

    Megjithatë, nga drejtoria e Urbanizmit thonë se ende nuk kanë leje për rrënimin e tyre nga pronarët e shtëpive.

    “Nuk kemi pas leje nga pronarët për rrënim. Në momentin që na lejohet rrënimi do të fillojë përmes rregullave procedurale për leje rrënim në këto shtëpi të cilat janë të rrezikshme për qytetarët tanë”, tha drejtori i Urbanizmit në Ferizaj, Arbër Bytyqi.

    Sipas qytetarëve, pronarët tash e 40 vjet nuk janë paraqitur për të rregulluar gjendjen e keqe të shtëpive të tyre. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Qytetarët ankohen për rritje të çmimeve

    Qytetarët ankohen për rritje të çmimeve

    Në Kosovë po vazhdon rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.

    Sipas qytetarëve, kjo rritje po del të jetë e papërballueshme, e që sipas tyre shtimi i inspektorëve në treg është i nëvojshëm.

    “Çmimet janë të larta për pagat që janë në vend. Disi po duhet me ia dalë, sipas mundësive ashtu edhe po duhet të shpenzojmë. Qeveria të ketë pak rritje të rrogave, të pensioneve. Duhet të shtojë edhe numrin e shumë inspektorëve, sidomos në produktet e ushqimeve duhet me qenë në çdo market ta shohin çdo produkt sepse shumë keq kështu”, tha Mevlude Sylejmani, qytetare.

    “Sa më shumë t’i zbresin çmimet, sepse për pensionistët është e vështirë. Por, dashtë Zoti të na zvogëlojnë çmimet, kish me qenë më së miri”, tha Ramadan Ajvazi, qytetar.

    sipas ekonomistit Mustafë Kadrijaj vendimi i Qeverisë për ndalimin e transportimit të mallrave serbe në Kosovë, mund të ndikojë në rritjen e çmimit të produkteve.

    “Tani kur e gjithë Kosova dhe e gjithë bota punojnë sipas ekonomisë së tregut dhe liberal dhe në të bëjmë këso hapa arbitrar, kjo do ta dëmtojë Kosovën si një shtet. Bizneset zakonisht kur ka këso spekulime ekonomike tentojnë që t’i rrisin çmimet dhe në këtë drejtim Ministria e Tregtisë përmes inspektoratit të tyre duhet të ndërmarrë hapa konform ligjit që të gjobiten bizneset që bëjnë rritje të çmimeve enorme”, tha Mustafë Kadrijaj, ekonomist.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë vendimi i Qeverisë së Kosovës mund të sjellë ngritje të çmimeve, si shkak i rritjes së kostove.

    “Në afatshkurtër nuk besoj se do të ketë ndonjë efekt, mirëpo nëse zgjat më shumë kjo masë ndalese, atëherë do të ketë padyshim efekt, për arsyeje se gjithë ata qe e kanë marrë lëndën e parë në Serbi dhe në qoftë se tani nuk mund ta importojnë prej aty, do të detyrohen që ta kërkojnë në një treg më të lartë që do ju kushtojë më shtrenjtë, vet distanca e transportit do ta ketë koston më të lartë dhe do të vijë deri tek shtrenjtimi i lëndës së parë që ajo me automatizëm më pas do të reflektojë në produktin final”, tha Rafuna.

    Rafuna për më tepër kërkoi angazhimin e inspektorëve në tregje, derisa nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë që inspektimi i tregut bëhet në baza ditore.

    “Inspektorati i Tregut, konform mandatit ligjor që ka, bën monitorim të tregut në baza ditore, për të evidentuar dhe parandaluar çdo abuzim të mundshëm me çmimet e produkteve nga tregtaret kundrejt konsumatorëve. Çështja e abuzimeve me çmime të produkteve, të drejtat ekonomike të konsumatorëve dhe penalizimet ndaj subjekteve ekonomike që abuzojnë me çmime, rregullohet Ligji Nr. 06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit. Gjobat që shqiptohen sipas këtij ligji, janë proporcionale me shkeljet që bëhen nga subjektet ekonomike”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor i çmimeve të konsumit ishte 0,1 % në muajin maj. Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin maj 2023, me muajin maj 2022, ishte 5,5 %. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Punëtorët e sigurimit në Mitrovicë të Veriut e Zveçan s’kanë marrë paga që kur serbët braktisën institucionet

    Punëtorët e sigurimit në Mitrovicë të Veriut e Zveçan s’kanë marrë paga që kur serbët braktisën institucionet

    Fillimit të muajit i gëzohet pothuajse çdo punëtor. Por jo edhe ata të sigurimit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të cilët nuk kanë marrë pagë tash e sa muaj.

    Në fakt këta nuk janë paguar që nga koha kur serbët i braktisën institucionet në veri.

    Por zgjidhje nuk u gjeti ende as qeverisja e re komunale.

    Në situatë të njëjtë janë edhe 7 punëtorët e sigurimit në komunën e Zveçanit.

    Kompania e kontraktuar nga Komuna, nuk i ka paguar punëtorët e saj, pasi siç thotë, komuna nuk ua ka proceduar paratë atyre.

    Sidoqoftë, në këtë komunë kryetari i ri, Ilir Peci, tha se po punojnë që brenda pak ditëve të rregullohet kjo çështje.

    “Është shumë e vërtetë se tash kanë hy në muajin e shtatë që s’kanë marrë pagë. Këtu janë gjithsej 7 punëtorë, mirëpo jemi në procedurë shumë të shpejtë dhe besoj që brenda pak ditëve do të përfundojë edhe pagesa e tyre se me të vërtetë ka zgjatë shumë, 7 muaj pa pagesë është jashtë mase”, tha Peci.

    Por asnjëra palë nuk tregoi nëse muajt e kaluar pa paga, do t’u kompensohen punëtorëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Policët pa transport, detyrohen të presin rrugëve për t’i marrë ndokush me veturë

    Policët pa transport, detyrohen të presin rrugëve për t’i marrë ndokush me veturë

    Nuk janë në patrullë.

    Këta zyrtarë policorë, po presin që të vijë ndonjë mjet transportues për të shkuar në shtëpi, pasi institucioni ku punojnë nuk ua siguron transportin.

    Problemi rritet kur ata janë në ndërrimin e pasdites, pasi atëherë nuk ka as linja private të transportit, andaj këta zyrtarë policorë mbesin në mëshirë të qytetarëve, që dikush t’i afrojë deri në qytetin ku jetojnë.

    “Ata ose duhet të udhëtojnë me veturat e tyre private ose duhet të mbeten në mëshirën e qytetarëve, nëse dikush qëllon rastësisht udhëton në drejtim të vendbanimit të tyre dhe i merr zyrtarët policorë, prandaj kjo çështje duhet të rregullohet, ose t’iu paguhet udhëtimi ose të rregullohet në një formë tjetër me një transport zyrtar”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

    Në fakt, transporti për zyrtarët policorë kishte qenë i rregulluar më herët përmes disa autobusëve, që kanë qarkulluar kryesisht nëpër qytetet e mëdha, por për shkak të vjetërsisë së tyre, ata tashmë janë jashtë përdorimit.

    Të mos harrojmë që ka shumë pjesëtarë të policisë, e sidomos ata që punojnë në divizionin e sigurisë së objekteve, që udhëtojnë nga qytete mjaft të largëta, në fakt udhëtojnë edhe nga fshatrat, të cilët udhëtojnë për shembull nga qyteti i Kamenicës, Gjilanit, Vitisë e Vushtrrisë e kështu me radhë, të cilëve u duhet të udhëtojnë bukur gjatë në mes të natës, për me ardhur në vend të punës. Besoj që është mjaft e vështirë dhe është dashur dhe duhet gjithsesi që Policia e Kosovës të gjejë një zgjidhje për ta”, tha ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

    Sipas Qalajt, i cili për një kohë e kishte drejtuar vetë institucionin e policisë, thotë se ka buxhet të mjaftueshëm për blerjen e autobusëve të rinj dhe rregullimin e transportit, por që ka
    keqmenaxhim brenda.

    Sidoqoftë, Policia nuk ka treguar nëse ka në plan që për punonjësit e tyre ta rregullojë çështjen e transportit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova pa Gjykatë Ushtarake

    Kosova pa Gjykatë Ushtarake

    Kosova nuk e ka një institucion të veçantë që do shqyrtonte shkeljet ligjore të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës: fjala është për Gjykatën Ushtarake.

    Sipas ish-kryetarit të ish-Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, një institucion i tillë është i nevojshëm për ushtrinë pasi do shërbente në forcimin e disiplinës së trupave të FSK-së.

    “Si çdo shtet, një ushtri përpara unë e kam përfunduar ushtrinë në kohë të ish-Jugosllavisë, ka qenë gjykata ushtarake. Kjo vlen për ushtarët… Unë mendoj se pavarësisht nga numri, gjykata ushtarake mirë është të ekzistojë. Sepse ajo e luan rolin e forcimit të disiplinës. Në këtë aspekt, mirë do të ishte, por kjo është çështje e qeverisë, e organeve tjera… Në ushtri ekziston policia ushtarake, policia ushtarake më lehtë e ka për me i mbajt disiplinën kur ekziston gjykata ushtarake”, tha Dobruna.

    Mirëpo, njeriu që qe në krye të FSK-së nga viti 2011 deri në vitin 2015, ndan një tjetër qëndrim sa i përket themelimit të Gjykatës Ushtarake.

    “Me një numër të caktuar që Ushtria e Kosovës i ka pesë mijë (ushtarë) aktivë dhe tre mijë rezervë apo edhe numër deri në 10 mijë, Kosova është shtet i vogël dhe nuk ka nevojë që të ketë një gjykatë të posaçme ushtarake për shkak se nuk ka edhe raste shumë të theksuara që kanë shkelje ligjore apo kanë vepra penale. Dhe për mendimin tim do të ishte ngarkesë e buxhetit apo e panevojshme që Ushtria e Kosovës të ketë një gjykatë ushtarake. Ne jemi në dijeni që FSK ka nxjerrë një ligj për Ombuspersonin apo për një njeri, i cili do të merret për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve dhe ai person do të jetë në një mënyrë edhe mbrojtës i atyre pjesëtarëve, por edhe urë lidhëse mes gjykatave”, tha Kadri Kastrati, gjenerallejtnant i FSK-së.

    Sipas ish-gjeneralit Katrati, rastet ku pjestarët e FSK-së implikohen në vepra penale janë të minimale.

    E në linjë me mendimin e ish-gjeneralit është edhe Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

    “Modeli i gjykatave ushtarake i përket ushtrive më të mëdha që kanë nevojë, për shembull shteteve të mëdha që kanë nevojë për të pasur një model të tillë për faktin që numri i pjesëtarëve, të cilët mbulojnë këto gjykata janë të mëdha. Në Kosovë mendoj që numri i ushtarëve është jashtëzakonisht i vogël për të krijuar kaq shumë instanca të cilat janë duke u krijuar. Mendoj që mbase mund të krijohet një dhomë pranë gjykatave aktuale, apo të caktohet një prokuror apo gjykatës që merret me këto raste. Por, nuk mendoj që ka nevojë që Kosova të ketë gjykatë ushtarake”, tha Vrajolli.

    Ndërkaq, veprimtaria e Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, ka zgjatur rreth katër muaj gjatë viteve ’98 dhe ’99. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • PDK denoncon ndërhyrjen e qeverisë në hetimet e Policisë

    PDK denoncon ndërhyrjen e qeverisë në hetimet e Policisë

    Dy ditë pas shkarkimit të shefit të ekipit që udhëhiqte hetimet ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit, Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur ndërhyrje të pastër politike shkarkimin e Shemsi Hazirit.

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se Qeveria ka për qëllim të parandaloj hetimet ndaj zyrtarëve të partisë në pushtet.

    “Shkarkimi i Drejtorit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve tregon se kjo Qeveri dëshiron të mbroj më çdo kusht njerëzit e saj që janë nën hetime për korrupsion, dhe këtë po e bënë duke ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në procesin e hetimit ndaj tyre. Ky shkarkim shpjegon arsyen dhe motivet e vërteta pse Kryeministri Kurti dhe kjo Qeveri sulmonte prokurorin e shtetit me aq brutalitet pak ditë pas arrestimit në Nagip Krasniqit”, tha Gruda.

    Derisa thotë që ky rast tregon që premtimet për luftë kundër korrupsionit kanë qenë një mashtrim, Gruda u bënë thirrje Qeverisë të heqin dorë nga ndërhyrjet politike.

    “Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heq dorë nga ndërhyrjet politike në organet që po zhvillojnë hetimet dhe t’i hap rrugë zbardhjes së kësaj afere. Më lejoni të jem i qartë për të gjithë, nuk ka forcë që mund të mbyllë dhe heshtë aferën korruptive të Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit. Qytetarët e Kosovës do të marrin vesh herët apo vonë të vërtetën e këtij skandali korruptiv”, tha Gruda.

    Se nuk është hera e parë që partitë në pushtet tentojnë të parandalojnë hetimet ndaj zyrtarëve të tyre, e thotë edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    “Nuk është hera e parë që Task Forca kundër Korrupsion e Policisë së Kosovës është subjekt i vendimeve politike për shkak të punës dhe performancës së tyre në luftimin e korrupsionit. Njëjtë kishte vepruar edhe LDK me përpjekjen për të shpërbërë të njëjtën në kohën e kryeministrit Hoti kur kjo Task Forcë kishte filluar me arrestime dhe hetime të zyrtarëve të lartë të LDK. Të njëjtën qasje po e zbaton edhe VV, duke shkarkuar drejtorin e kësaj Task Force kur ky mekanizëm po heton rastet e ambasadorit Martin Berishaj dhe drejtorit të KEK Nagip Krasniqi. Fatkeqësisht, politika në publik bën propagandë për luftimin e korrupsionit derisa në praktikë ushtron ndërhyrje politike për të mbrojtur të dyshuarit për korrupsion duke vazhduar kulturën e pandëshkueshmërisë”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

    Ambasadori Martin Berishaj është nën hetime në Kosovë për mosdeklarim të pasurisë, kurse procedura ndaj tij janë paralajmëruar ose po zhvillohen edhe në vende tjera të rajonit.

    Ndërkaq, ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili ndodhet në paraburgim, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: