Situata në mes Turqisë dhe Suedisë rreth anëtarësimit të kësaj të fundit në NATO duket se ka marrë një zgjiedhje.
BBC raporton se presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, është pajtuar të mbështesë Suedinë rreth anëtarësimit në NATO.
Sekretari i NATO, Jens Stoltenberg, në një konferencë, tha se presidenti turk Erdogan do të përcjellë ofertën e Suedisë në parlamentin turk dhe “të sigurojë ratifikimin”.
“Presidenti Erdogan ka rënë dakord të përcjellë protokollin e pranimit për Suedinë në Asamblenë e Madhe Kombëtare [parlamentin e Turqisë] sa më shpejt të jetë e mundur dhe të punojë ngushtë me asamblenë për të siguruar ratifikimin.” – tha Stoltenberg, raporton BBC.
Ndonëse u përjashtuan nga “Defender Europe 23”, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës vazhdojnë angazhimet e tyre krah trupave të NATO-s jashtë vendit. Sipas ish-gjeneralit të FSK-së, këto marrëveshje janë të domosdoshme për vendin.
Nuk ishin në krah të mijëra trupave të vendeve aleate të NATO-s, pjesëmarrëse në trajnimin “Defender Europe 23”. Mirëpo, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë avancimin e tyre profesional me shtetet anëtare të NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje për ATV-në, tha se ushtarët kosovarë po ndjekin trajnime në vende të ndryshme të botës.
Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i vazhduar të gjitha aktivitetet, trajnimet dhe operacionet, sipas planit dhe planifikimeve për vitin 2024. Pjesëtarët e FSK-së, momentalisht duke ndjekur trajnimet në vende të ndryshme, si: SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Turqi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Çeki, Austri dhe Itali.
Madje, angazhimet e pjesëtarëve Forcës të Sigurisë nuk mbarojnë me kaq.
Pjesëtarët e FSK-së janë duke ndjekur trajnime në fusha të ndryshme ushtarake, në bazë të misionit për oficer e nënoficer dhe janë duke vazhduar shkollimet në akademitë ushtarake të vendeve partnere si: ShBA, Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Momentalisht një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të FSK-së janë duke i ndjekur trajnimet jashtë vendit.
Kadri Kastrati, që udhëhoqi FSK-në nga viti 2011 deri në vitin 2015, vlerëson se marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, mes Kosovës dhe shteteve përkatëse janë të domosdoshme për vendin.
Këto janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi qëllimi është që Kosova të anëtarësohet në NATO. Andaj për ta arritur këtë, ne duhet t’i kemi edhe standardet e arritshmërisë, përgatitjeve, pajisjeve në nivel me ato të NATO-s, ose të përafërta me ato të NATO-s.
Ish-gjenerali thekson se është krenar me performancën që pjesëtarët e ushtrisë së Kosovës kanë treguar në angazhimet e tyre në shtetet partnere.
Ushtarët tanë gjithmonë janë kthyer me suksese dinjitoze nga atje, gjithmonë duke synuar vendin e parë, të dytë, të tretë.
Kurse, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konsideron se pavarësisht kapaciteteve që shtetet mund të kenë, arritja e marrëveshjeve në sferën e mbrojtjes është në interes të shtetit.
Ndërkohë, marrëveshje të tilla mund të jenë më pak produktive për shkak të kapaciteteve të shteteve, por Kosovës i intereson të ketë marrëveshje me të gjitha shtetet.
Kosova në muajin maj u përjashtua nga trajnimi “Defender Europe 23” si rezultat i mospërfilljes së kërkesave të ShBA-së për veriun.
Në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, komuna e Ferizaj dhe Drenasit, evidentohen si dy komuna që në projekte të caktuara kanë kryer obligimet financiare ndaj kompanive, të cilat nuk kanë përfunduar punët. Në Ferizaj e pranojnë këtë lëshim, derisa në Drenas jo. Zyrtarë nga Komuna e Drenasit thonë se ZKA-ja mund të ketë bërë gabime ndaj përpilimit të raportit për ta.
Qarkullimi i mjeteve motorike në rrugën “Hajredin Azizi”, në Fshatin Rakaj të Ferizajt, vështirë bëhet.
Kjo si pasojë e mospërfundimit të asfaltimit të rrugës, ashtu siç e parasheh kontrata.
“Asfaltimi dhe zgjerimi i rrugëve këtu në fshatin Rakaj të Komunës së Ferizajt, është vetëm një nga projektet e vitit 2022 që nuk ka përfunduar ende, e për këtë situatë Zyra Kombëtare e Auditimit fajëson Komunën për parregullsitë në pranimin e punëve”.
Për mospërfundimin e punëve sipas afatit të përcaktuar, Komuna e Ferizajt fajëson kompanitë kontraktuese.
“Ky projekt ka qenë i kontraktuar, mirëpo për shkak të ndalimit të punimeve nga problemet financiare që ka pasur kjo kompani më parë si rrjedhojë janë ndalë edhe punimet”.
Sipas raportit të ZKA-së, edhe në Komunën e Drenasit, disa projekte nuk kanë përfunduar pavarësisht qe obligimet financiare i ka kryer ajo. Mirëpo, përfaqësuesi i kësaj komune, thotë se në Zyrën Kombëtare të Aditimit, mund të ketë ndodhur ndonjë gabim, pasi, sipas tij, nuk është paguar asnjë kompani pa u përfunduar punët.
“Ka ndodhur ndoshta gabim teknik pasi që në ZKA figurojnë disa pagesa për punë që nuk i kemi kryer dhe nuk figurojnë pagesa për punët që kemi kryer”.
Mbi 90 mijë euro, sipas ZKA-së, janë paguar për ndërtimin e objekteve sportive në Drenas, mirëpo, sipas saj, këto projekte nuk janë përfunduar.
Viktimat e dhunës në familje po përballen me vështirësi në raportimin e dhunës dhe abuzim psikologjik. Kështu u tha këtë të hënë, në konferencën e mbajtur, “Të kuptuarit e peizazhit institucional”, që kishte për qëllim prezantimin e një peizazhi të qëndrimeve institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje.
Në Kosovë ka shënuar ngritje raportimi i rasteve të dhunës në familje, por bashkë më këtë edhe vetë dhuna.
Me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni, këtë të hënë është mbajtur konferenca “Të kuptuarit e peizazhit institucional”, që ka për qëllim prezantimin e një peizazhi të qëndrimeve institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje.
“Janë dy objektiva të parapara, objektiva e parë synon që të ndërgjegjësojë publikun e gjerë dhe komunitetin se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe se çdo individ inkurajohet ta sfidojë atë. Ndërsa, objektivi i dytë i këtij projekti është promovimi i zbatimit të masave efektive për parandalimin dhe luftimin e dhunës së bazuar në gjini, si në nivel lokal, po ashtu edhe në nivel nacional”.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, thotë dhuna ndaj grave ka shënuar rritje.
“Shqetësimi kryesor i yni është numri i raportuar, sepse përpos që raportohen në polici, mendojmë që nuk është rritur vetëm raportimi, por është rritur edhe dhuna. Edhe ky projekt, edhe hulumtimi na bën me dije që duhet ende punë në praktikë dhe një bashkëpunim më i madh mes komunave. Shpeshherë humbim edhe jetë të grave për shkak që përveç që dhuna është prezentë, janë edhe pabarazitë e tjera dhe diskriminimi tjetër që gratë përjetojnë dhe është shumë vështirë”.
Ndërkaq, ekspertja Nora Jusufi, rendit shkaktarët e tjerë që ndikojnë në shtimin e dhunës në familje.
“Mungesa e edukimit të qytetarëve për të drejtat e grave si dhe cenueshmëria ekonomike apo vulnerabiliteti ekonomik dhe varësia prej bashkëshortëve që ato e kanë në aspektin financiar apo ekonomik”.
Ky projekt, cili ka për qëllim parandalimin e dhunës, është mbështetur nga Bashkimi Evropian, si dhe është implementuar në Prishtinë, Prizren, Kamenicë, Mitrovicës, Gjakovë dhe Gjilan.
Mërgimtarët që vijnë në Kosovë, në pikat kufitare duhet ta paguajnë policën e sigurimit, për të cilën ende nuk është vendosur nëse do t’ua rimbursojë këtë vit Qeveria e Kosovës. Mërgimtarët thonë se pavarësisht vendimit të Qeverisë, vitin e kaluar nuk u janë rimbursuar të hollat. Derisa nga Byroja Kosovare e Sigurimeve janë në pritje për një marrëveshje të tillë.
Pikën kufitare në Merdar, e përdori edhe këtë verë për të ardhur në Kosovë.
Por edhe këtë herë, mërgimtari nga Gjermania Hashim Ejupi, pagoi 20 euro policën e sigurimit, pa e ditur nëse Qeveria e Kosovës do t’ia rimbursojë mjetet.
“Edhe vitin e kaluar e kemi paguar sigurimin njësoj si këtë vit, edhe dëshminë po ua tregoj, vetëm para dy viteve nuk kemi paguar. Vitin e kaluar edhe këtë vit, kemi paguar njësoj si viteve të tjera. Vitin e kaluar e kemi bërë pagesën për shkak që nuk na ka informuar askush, kemi qëndruar 4 javë, por që nuk na kanë informuar”.
Madje, as ata që aplikuan për kompensim qysh vitin e kaluar, ende nuk i kanë marrë të hollat.
“Vitin e kaluar, sigurimin e kemi paguar vetë, na kanë thënë ejani merrni paret në Prishtinë, por paret nuk na janë rimbursuar, e që e mirëpresim këtë vendim të Qeverisë për rimbursimin e parave të sigurimit”.
Ndërkaq, Byroja Kosovare e Sigurimeve pohon se edhe këtë vit është në diskutime me Qeverinë për një marrëveshje të tillë.
“Jemi në diskutime të draftit të marrëveshjes që i bie që Qeveria ka interesim edhe këtë vit që t’i subvencionojë policat e bashkatdhetarëve, mirëpo si çdo vit edhe këtë vit përcillet një draft, diskutohet, aprovohet dhe pastaj shkohet në rishikim, nuk e dimë se kur do të jetë final, as kur do të kthejë përgjigje finale Ministria që pajtohen me draftin e Marrëveshjes dhe nuk e dimë kur do të jetë data e fillimit të implementimit”.
Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 5 milionë euro për rimbursim, ndërsa në vitin 2022 ndau 3 milionë euro. Këtë vit Qeveria ende nuk ka ndarë fond për këto shpenzime që i kryejnë bashkatdhetarët.
Pavarësisht kritikave e vërejtjeve të opozitës, përfshirë edhe të një deputeti të mazhorancës, ka kaluar në lexim të parë projektligji për tatimin në pronë. Debati i ashpër u zhvillua midis ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami. Ndërsa, PDK-ja e AAK-ja teksa kërkuan zgjedhje të parakohshme, thanë se nuk do të votojnë asnjë projektligj, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare.
Politikat e reja të tatimit në pronën e paluajtshme kanë përplasur ashpër pozitën e opozitën.
Në seancën e Kuvendit, të hënën, ndonëse projektligji i cili ndër të tjera mundëson faljen e 100 eurove të tatimit për këtë vit kaloi në lexim të parë, nga opozita u quajt sulm ndaj komunave.
Debat më i ashpër u zhvillua mes ministrit të Financave dhe deputetes së LDK-së që dikur e udhëhiqte këtë dikaster.
Bajrami teksa e quajti Muratin të paaftë, e akuzoi se po përdor gjuhë tjetër para mikrofonit.
Përveç nga deputetët e opozitës, projektligji u kritikua edhe nga deputeti i partisë në pushtet, Eman Rrahmani, i cili tha se nuk do ta votojë atë në lexim të dytë.
Vërejtjeve iu kundërpërgjigj ministri Murati.
Gjatë kësaj seance plenare nuk kaluan dy marrëveshje ndërkombëtare, pasi PDK-ja e AAK-ja thanë se nuk do t’i votojnë ato, dhe asnjë projektligj tjetër.
Derisa nga partia më e madhe opozitare u kërkua që vendi të shkojë në zgjedhje, për çka kryeparlamentari pati një reagim.
Ndërkohë, Kuvendi gjatë kësaj seance ka miratuar në lexim të parë projektligjin për njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe invalidëve e veteranëve.
Ky përgjim i publikuar në gazetën online “Nacionale”, ku dëgjohet shefja e deputetëve të LV-së, Mimoza Kusari Lila, në një bashkëbisedim me Slavko Simiqin e Listës Serbe, ka nxitur reagimin e deputetëve të opozitës në seancën e Kuvendit të hënën.
Biseda raportohet se ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, dhe Kusari Lila ndër të tjera dëgjohet duke thënë se ka folur edhe me Milan Radojçiqin, ndaj të cilit kishte fletarrest si i dyshuar për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Opozita e akuzoi Vetëvendosjen se po bashkëpunon me Listën Serbe kundër shtetit të Kosovës.
Por Kusari Lila ka mohuar të ketë komunikuar me Milan Radojqiqin.
Shefja e deputeteve të LV-së tha se me biseda më Simiqin ka qenë vetëm rreth agjendës së Kuvendit.
Milan Radojçiqi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si i dyshuar për pjesëmarrje në grupe kriminale në veri të vendit. Ai dyshohet edhe për frikësim të dëshmitarëve në rastin Brezovica, për çka kishte edhe fletarrest. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Mos-ratifikimi nga Bosnjë e Hercegovina i tri marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, të nënshkruara në Nëntor të vitit të kaluar, mund të bëhet shkak që Samiti i Tiranës më 16 Tetor, të mbahet pa nisjen e zbatimit të tyre nga të gjitha palët.
Edhe pse i kanë ratifikuar marrëveshjet, Serbia dhe Mali i Zi ende nuk i kanë depozituar njoftimet zyrtare te Maqedonia e Veriut, si palë e autorizuar, të cilat janë të nevojshme për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve.
Nga 1 Qershori, marrëveshjet për lëvizje të lirë, njohje të diplomave dhe të profesioneve, janë në fuqi vetëm për tri nga gjashtë shtete nënshkruese, të cilat i kanë kompletuar të gjitha procedurat: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Megjithatë, fillimi i përfitimeve për tri vendet do të nisë tek pas përmbylljes së periudhës tremujore për hartimin e rregullave për njohjen e profesioneve dhe diplomave.
Teksa thotë se si pasojë e ratifikimit mbetet në fuqi regjimi i vizave për kosovarët që udhëtojnë drejt Bosnjë e Hercegovinës, Zulfaj kërkon nga Gjermania dhe BE-ja të ndikojnë që marrëveshjet të nisin zbatimin para Samitit të Tiranës.
Refuzimin e kryeministrit Albin Kurti për takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në turneun përgatitor, Zulfaj nuk e sheh si pengesë për informim e propozime.
Në Samitit e Tiranës pritet të kërkohet ose të nënshkruhen marrëveshje për zgjerimin e njohjes së profesioneve dhe diplomave.
BE-ja synon që përmes Procesit të Berlinit të krijojë Tregun e Përbashkët ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si përgatitje për anëtarësim. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq ka deklaruar se nuk i ndan të njëjtat pikëpamje me Serbinë për çështjen e Kosovës, raportoi media serbe “B92”.
Në një vizitë të zhvilluar të hënën në Serbi, ku u prit nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, Milatoviqi ka thënë se kjo vërehet me njohjen e Kosovës shtet në vitin 2008.
Ai ka theksuar se nevojitet shtensionim i situatës në veri të Kosovës, teksa ka shtuar se Mali i Zi e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Është shumë e rëndësishme që nga adresat më të mëdha shtetërore të fokusohemi në tema që na bashkojnë. Ka edhe nga ato ku nuk kemi të njëjtat pikëpamje, sigurisht që çështja e Kosovës është një nga ato. Ju e dini që Mali i Zi e ka njohur Kosovën në vitin 2008. Ajo që është e rëndësishme për mua është që tensionet në veri të Kosovës të vihen nën kontroll dhe të ndodhë depërshkallëzimi. Ne e mbështesim sinqerisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Milatoviqi.
Kjo është vizita e parë e një presidenti malazias në Serbi në këto shtatë vjetët e fundit.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin.
Lajçak, bëri të ditur se gjatë takimit dypalësh sot me Bislimin në Bratislavë kanë rënë dakord për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës.
“Pata diskutime intensive dypalëshe sot me Besnik Bislimin në Bratislavë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në përputhje më deklaratën e 27 vendeve të BE-së të 3 qershorit, dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, shkroi Lajçak.