ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku dhe ambasadori suedez flasin për situatën në Kosovë

    Abdixhiku dhe ambasadori suedez flasin për situatën në Kosovë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

    Abdixhiku e Westerlund folën për situatën politike në vend, ku theks të veçantë patën relacionet e Kosovës me aleatë.

    “U ritheksua qëndrimi i LDK-së karshi kësaj situate; ndërsa kryetari Abdixhiku shpalosi idenë dhe iniciativën e tij dhe të LDK-së për aktivitetin gjithëpërfshirës me gjithë akterët në vend që formojnë dhe kanë ndikim në opinionin publik (takime konsultative me gazetarë dhe opinionistë, shoqëri civile, profesorë, diplomatë dhe ish-diplomatë si dhe biznese) dhe akterë tjerë të shoqërisë tonë që besojnë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës”,thuhet në njoftimin e LDK-së.

    Më tej, bëhet e ditur se gjatë takimit u fol edhe për aktivitetet e LDK-së dhe mundësitë e bashkëpunimit.

  • Arrestohet për kanosje një 22-vjeçar, i sekuestrohet arma

    Arrestohet për kanosje një 22-vjeçar, i sekuestrohet arma

    Zyrtarët policorë të stacionit policor Veriu, kanë arrestuar një person të dyshuar për një rast kanosjeje, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.

    Ngjarja ka ndodhur sot, rreth orës 11:30, në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, me ç’ rast policia arrestoi të dyshuarin.

    Ndërlidhur me rastin policia gjithashtu ka gjetur dhe sekuestruar edhe një revole të kalibrit 7.65 mm, dy fishekë të kalibrit 7.65 mm, si dhe një thikë.

    Ndaj të dyshuarit është iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale ” Kanosja” si dhe “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës” dhe i njëjti është proceduar më tej.

  • Për një ditë raportohen pesë raste të falsifikimit të parasë

    Për një ditë raportohen pesë raste të falsifikimit të parasë

    Pesë raste të falsifikimit të parasë janë raportuar vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se bëhet fjalë për dy raste në Prishtinë, një në Prizren, një tjetër në Pejë dhe një rast në Malishevë.

    Të hënën një person në Prishtinë ka njoftuar policinë se nga një kompani private janë deponuar monedha që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    Të njëjtat janë sekuestruar nga njësia e hetuesisë ndërsa rasti është në proceadurë hetimore.

    Ndërsa një tjetër person raportohet të jetë ndaluar pasi ka tentuar të bëjë pagesë me kartëmonedhë që dyshohet të jetë e falsifikuar.

    “Është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti është hasur duke bërë pagesën me një kartëmonedhë që dyshohet të jetë e falsifikuar. Monedha e dyshuar është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë.

    Kartëmonedha që dyshohet të jenë falsifikuar janë sekuestruar edhe në Prizren dhe Pejë.

    Ndërsa në Malishevë një zyrtar i një banke ka raportuar se një person ka deponuar kartëmonedhë qe dyshohet të jetë e falsifikuar.

    “Ankuesja femër kosovare zyrtare e një banke, ka raportuar se nga një person është deponuar një kartëmonedhe që dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar nga njësia e hetuesisë. Rasti në procedurë hetimore”, është bërë e ditur në raportin e Policisë së Kosovës

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 12-të vazhdon dëshminë

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i 12-të vazhdon dëshminë

    Dëshmitari i dymbëdhjetë me radhë (me kodin 04337) po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar, ka filluar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Avokati Roberts ka kërkuar që fillimisht seanca të kalojë në sesion privat.

    Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se dëshmitarin do fillojë ta marrë në pyetje fillimisht mbrojtja e Selimit, më pas ajo e Thaçit, Veselit dhe në fund e Krasniqit.

    Ndryshe, të pranishëm në sallën e gjyqit janë Thaçi, Veseli dhe Selimi, kurse Krasniqi është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes, me lejen që është e miratuar nga trupi gjykues.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të kokainës

    Aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të kokainës

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.H., i cili aktualisht gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Në një komunikatë për media bëhet e ditur se sipas aktakuzës, i pandehuri L.H., me datë 06.05.2023 rreth orës 18:40 min në Pikë kalimin Kufitar të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim importon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “kokainë”, ku i njëjti haset nga zyrtarët policorë.

    Aty thuhet se “i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Republikën e Shqipërisë, me veturën e marrë në ‘Rent a Car’ e depërton narkotikun në Republikën e Kosovës, mirëpo pas informatave të siguruara dhe gjatë kontrollit nga ana e policisë, brenda automjetit gjendet dhe sekuestrohet një qese plastike e substancës së dyshuar për narkotikë me peshë prej 101.49 gramë dhe gjatë kontrollit një qese tjetër të dyshuar për narkotikë në peshë prej 0.82 gramë i është gjetur në trupin e të pandehurit, e gjithë kjo sasi narkotiku në peshë të përgjithshme prej 102.31 gramë, e cila pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit ‘kokainë’, përderisa të njëjtën natë në gjatë urdhër kontrollit të kryer në shtëpinë e të pandehurit, e cila gjendet në Prishtinë, janë gjetur dhe sekuestruar tri peshore digjitale, tri pako me folie (dy folie të najlonit dhe një e aluminit).”

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • Kanosi një grua, arrestohet një burrë në Mitrovicë

    Kanosi një grua, arrestohet një burrë në Mitrovicë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person pasi dyshohet se i njëjti në gjendje të dehur ka kanosur një grua.

    Ngjarja ka ndodhur në veri të Mitrovicës.

    “KANOSJE/ Mitrovicë Veri 10.07.2023-18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti nën ndikim të alkoolit ka kanosur viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje në raport thuhet se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ​Ministria e Bujqësisë procedon 2 milionë euro pagesa për bujqit

    ​Ministria e Bujqësisë procedon 2 milionë euro pagesa për bujqit

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar të martën se janë proceduar 2 milionë euro pagesa për fermerët në kuadër të Programit të Pagesave Direkte 2023.

    Sipas kësaj ministrie, me pagesa do të vazhdohet edhe ditëve në vijim.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka njoftuar se pagesat për plehërimin dhe naftën do të procedohen paguhen pasi që fermerët i sjellin faturat si dëshmi.

    “Sot kemi proceduar 2 milionë euro për pagesë për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2023 për sipërfaqe, pas kontrolleve rigoroze në teren. Me këtë intensitet të pagesave do të vazhdohet edhe ditëve në vijim. Ndërsa, pagesat për plehërimin dhe naftën do të procedohen / paguhen pasi që fermerët i sjellin faturat si dëshmi. Ju rikujtojmë se për herë të parë kontrolle në shumë komuna të Kosovës nga 5% apo 10% është rritur në 100%”, ka shkruar ministri Peci.

  • Doktori nga Zvicra zbulon efektet anësore të vaksinës së COVID-19!

    Doktori nga Zvicra zbulon efektet anësore të vaksinës së COVID-19!

    Doktori i shkencave farmaceutike, Ylber Qusaj, i ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ka folur rreth pandemisë COVID-19, vaksinës kundër koronavirusit dhe efekteve të saj anësore.

    Ai tha se në fillim ka pasur mendime dhe teori të ndryshme rreth këtij virus, mirëpo falë vaksinës antiCOVID-19, ne tashmë jemi të lirë nga kjo sëmundje.

    “Sidomos në fillim të pandemisë ka pasur konspiracione të ndryshme, mirëpo virusi COVID-19, që e kemi pasur deri tash ka qenë një ndër virus më të rrezikshme dhe më të vështira që kemi pasur. Mirëpo tash me marrjen e vaksinës antiCOVID-19, kemi rritur imunitetin e njerëzimit në përgjithësi dhe tani jemi të lirë nga ky virus. Të gjitha ata që thonë se “ vaksina na kanë lënë me pasoja’, është më shumë një lloj miti se sa që mund të ketë pasoja. Nuk ka pasur asnjë efekt anësore të vaksinës së COVID-19, beso aq të vogla kanë qenë efektet anësore, që vetëm ka qenë mite të njerëzve që kanë dashtë mos me marr vaksinën”, tha ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Talibanët ndalojnë organizatat suedeze në Afganistan pas djegies së Kuranit

    ​Talibanët ndalojnë organizatat suedeze në Afganistan pas djegies së Kuranit

    Administrata talibane tha të martën se të gjitha aktivitetet e Suedisë në Afganistan duhet të ndalohen pas djegies së Kuranit jashtë një xhamie në kryeqytetin suedez muajin e kaluar.

    “Pas fyerjes së Kuranit të shenjtë dhe dhënies së lejes për fyerje të besimeve myslimane… Emiratet Islamike të Afganistanit urdhërojnë ndalimin e të gjitha aktiviteteve të Suedisë në Afganistan”, tha Zabiullah Mujahid, një zëdhënës i administratës talibane në një deklaratë për media, shkruan REL.

    Që kur talibanët morën kontrollin në vitin 2021, Suedia nuk mban më një ambasadë të hapur në Afganistan.

    Urdhri pritet të ndikojnë në organizatën joqeveritare suedeze, Komitetin Suedez për Afganistanin, i cili ka një prani të konsiderueshme në të gjithë vendin, duke ofruar ndihmë në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe zhvillimin rural me mijëra punonjës ndihmës të përfshirë.

    Muajin e kaluar, një emigrant irakian në Suedi dogji Kuranin jashtë një xhamie në Stokholm, duke shkaktuar zemërim të gjerë brenda botës myslimane.

    Komiteti Suedez për Afganistanin nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi urdhrin e talibanëve. Administrata talibane nuk dha detaje se cilat organizata do të prekeshin./REL/

  • Dita Botërore e Popullsisë

    Dita Botërore e Popullsisë

    Sot shënohet Dita Botërore e Popullsisë.

    OKB-ja vendosi 11 korrikun si Ditën e Popullsisë së Botës, për t’u kujtuar njerëzve se çdo njeri është i dobishëm, por ekziston vetëm një tokë për të gjithë.

    OKB-ja parashikon se numri i njerëzve në botë deri në vitin 2050 pritet të shkojë në 9 miliardë.

    Por krahas këtyre parashikimeve askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, por një gjë është e qartë:

    Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pamasë.