ATV

Category: Lajme

  • Kurti pas përleshjes në Kuvend: Nuk frikësohem nga këto sulme

    Kurti pas përleshjes në Kuvend: Nuk frikësohem nga këto sulme

    Kreu i Qeverisë Albin Kurti shumë shkurt e ka komentuar përleshjen e ndodhur në Kuvend e Kosovës.

    “Nuk frikësohem nga këto sulme” u tha ai shkurt gazetarëve, teksa po shkonte nga Qeveria në Kuvend ku pritet të vazhdojë seanca, transmeton EO.

    Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës nuk do të tërhiqet nga veriu dhe se vetëm 25 për qind e policëve do të zhvendosen nga objektet komunale të katër komunave në veri.

    Derisa ka qenë duke folur për marrëveshjen për depërshkallëzimin e situatës në veri para deputetëve të Kosovës, Kurti ka deklaruar se Policia e Kosovës s’ka qenë kurrë më e pranishme sesa tash në veri.

    Këto komente Kurti i ka bërë në seancën e Kuvendit që është mbajtur të enjten, para se ministrat e deputetët e pushtetit të përlesheshin fizikisht me deputetët e PDK-së.

  • Abdixhiku: Dhuna nuk ka vend në Kuvend

    Abdixhiku: Dhuna nuk ka vend në Kuvend

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se e dënojnë dhunën dhe se ajo nuk ka vend në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se inicuesit e gjuhës së dhunës, nuk mund të mbajmë ligjërata sot.

    Ai para gazetarëve u shpreh se LDK do të mbajë në frymën e saj, siç u shpreh ai, shembullin e sjelljes politike dhe demokratike në vend.

    “Pamjet e dhunës në Kuvendin e Kosovës, në sallën parlamentare nuk e kanë vendin asnjëherë. Nuk e kishin vendin as sot, nuk e kanë pasur vendin as në të shkuarën. Gjithsesi, inicuesit, mirëmbajtësit e gjuhës së dhunës, të përçarjes dhe ndarjes politike në vend, nuk kanë çfarë të na mbajnë ligjerata sot. Ata kanë ushqyer në vazhdimësi dhunën, me veprime, me mjete, por gjithesi edhe me gjuhë. Ne dënojmë dhunën e sotme dhe konsiderojmë se nuk ka vend në Kuvend. Dhe LDK do të mbajë në frymën e vet themeltare dhe identitare, sjelljen e saj demokratike si shembull i sjelljes politike në vend”, tha Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së shtoi se nënkryetari Kujtim Shala është në takimin me kryetarin e Kuvendit e Kosovës, Glauk Konjufca.

    “Këto elementet të nxitjes së dhunës janë të qarta për të gjithë se i patë. I patë dhe goditjet dhe sjelljet të tilla, për neve dhuna është dhunë dhe dënohet, por ne do të shohim edhe për burimin e kësaj dhune. Pra, nivelin polarizues që kemi në vend dhe mosaftësinë të sillemi si akterë normal politik përbashkues në sfidat përpara të Kosovës. Ne duhet të jemi përgjegjës karshi veprimeve tona dhe do të bëjmë përpjekje për të sjellur sjellje demokratike normale”, shtoi Abdixhiku.

    Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

    Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.

  • Dhuna në Kuvend, reagon ambasadori ​Hovenier

    Dhuna në Kuvend, reagon ambasadori ​Hovenier

    Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas rrahjes që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, për çka ka thënë se dhuna nuk është mjet për të shprehur mospajtimet.

    Sipas tij, “është për të ardhur keq të shohësh atë që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës”.

    Hovenier ka shkruar në Twitter se përdorimi i dhunës nuk është mjet për të shprehur mospajtimet.

    “Është për të ardhur keq të shoh se çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mospajtimet. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta, por dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”, ka shkruar Hovenier.

  • Haxhiu paralajmëron opozitarët: Do të përballeni me ligjin për korrupsionin dhe pasurimin antiligjor

    Haxhiu paralajmëron opozitarët: Do të përballeni me ligjin për korrupsionin dhe pasurimin antiligjor

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një statusi në facebook, ka bërë një reagim për dhunën e sotme në Kuvendin e Kosovës.

    Ajo ka paralajmëruar opozitën se do të përballen me ligjin për korrupsionin dhe pasurimin antiligjor.

    “Nuk do mend për të kuptuar se të tillët dëshpërimisht hedhin grushte, pasi që të njejtët po përballen e do të përballen me ligjin, për të gjitha krimet dhe korrupsionin e po ashtu pasurimin e tyre të jashtëligjshëm”, ka shkruar ajo.

    Ajo në këtë postim thotë se Qeveria Kurti nuk ka asnjë ministër a zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi.

    “Ata që nxitën dhe ndihmuan për kaq vite krimin e organizuar në veri, si Lista Srbska nuk janë në koalicion siç ndodhte me qeveritë e dikurshme. Madje krerët e tyre po hetohen nga institucionet e drejtësisë, e bashkëpunëtorë të tjerë të këtyre strukturave po arrestohen në veri të Mitrovicës. Një sërë hapash janë ndërmarrë drejt shtrirjes së sovranitetit e ligjvënies në veri të vendit, atje ku pushtetet e kaluara kishin lejuar madje edhe amnistuar krimet e strukturave paralele serbe për vite me radhë”, ka shkruar ajo. /atvlive.tv

  • Avokati Besnik Berisha ndalohet për 48 orë

    Avokati Besnik Berisha ndalohet për 48 orë

    Avokatit Besnik Berisha i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

    Lajmin për KosovaPress e konfirmuar sot avokati i Berishës, Naim Rudari.

    Berisha dhe tre persona të tjerë janë arrestuar për tri vepra penale.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se avokati Besnik Berisha dhe tre personat e tjerë me inicialet N.Xh., I.S., dhe R.C., janë arrestuar për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së.”, ka informuar prokuroria./KP

  • Zemaj: Gjuajtja me ujë nuk është sulm

    Zemaj: Gjuajtja me ujë nuk është sulm

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, nuk e ka konsideruar sulm gjuajtjen e ujit nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ndaj kryeministrit Albin Kurti.

    Zemaj ka thënë se përleshja e sotme nuk tregon se ka përçarje mes opozitës e pozitës, sepse mes tyre nuk ka as bashkëpunim. Sipas tij, pushteti koordinohet me Listën Serbe.

    “Në një shtet demokratik, incidentet duhet të jenë demokratike. Mos gjykoni diçka me sjellë një përfundim brenda Kuvendit dhe deputetëve të saj. Unë ndoshta s’i kam parë të gjitha pamjet. Çfarë konsideroni ju sulm? Gjuajtja me ujë nuk është sulm. Nuk ka përçarje as nuk ka bashkëpunim. Pushteti nuk koordinohet me opozitën. Pushteti koordinohet me Listën Serbe dhe kriminelët”, ka thënë Zemaj.

  • ​Këshilli Prokurorial i reagon Qeverisë për miratimin e Projektligjit të ri për KPK-në

    ​Këshilli Prokurorial i reagon Qeverisë për miratimin e Projektligjit të ri për KPK-në

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratimin e Projektligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, duke e cilësuar si tentativë të re për të cenuar pavarësinë e saj.

    KPK-ja, më këtë rast, thekson se miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës, i cili, njëkohësisht, minon bashkëpunimin për procesin e reformës, të shprehur përmes nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit nga institucionet tona relevante të drejtësisë.

    “Këshilli Prokurorial, deklaron se përkundrejt asaj që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij, Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me verdiktin e organit më të lartë kushtetues në vend dhe ka vazhduar me moskoordinimin e plotë dhe ka miratuar me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme këtë Projektligj tejet të rëndësishëm, pa përfillur fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi dhe duke injoruar plotësisht bashkërendimin e nevojshëm me sistemin prokurorial dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e KPK-së.

    Siç njofton KPK-ja, sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore, për të cilat është shprehur vullneti i angazhimit të përbashkët, porse kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim.

    “KPK-ja paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që i njëjti cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në komunikatë.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon po ashtu se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente.

  • Dhuna në Kuvend, reagon presidentja ​Osmani

    Dhuna në Kuvend, reagon presidentja ​Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas rrahjes që ndodhi sot në seancën plenare mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.

    Osmani ka thënë se dhuna në Kuvend është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve të Kosovës, të ndërtuara me shumë mund e sakrificë.

    “Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, ka thënë ajo përmes një reagimi.

    Osmani ka apeliar për riafirmim të përkushimit ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit.

  • Mergim Lushtaku jep versionin e tij si ndodhi ngjarja në Kuvend

    Mergim Lushtaku jep versionin e tij si ndodhi ngjarja në Kuvend

    Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, para gazetarëve dha versionin e tij se si kishte ndodhur ngjarja e përleshjes së sotme në Kuvendin e Kosovës, raporton ATV.

    Ai tha se fillimisht ishte sulmuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislmi me një shishe plot me ujë, ndërsa më pas, ai rrëfen se ka ardhur ministrja Albulena Haxhiu me qëllim që ta shtyjë atë.

    “Duke i parë të gjitha këto sulme siç i keni pa, prandaj unë duke parë të gjitha këto sulme që janë bërë në drejtim timin por edhe të kolegëve, ku fizikisht më është gjuajtur me shishe me plotë me ujë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nga Albulena Haxhiu shihet çartë se ka ardh me tentim për të më shtyrë, pastaj edhe nga ministri i Financave ishte me një mjet të fortë, dhe natyrisht pas atij sulmi, edhe unë natyrshëm kam reagu. Asnjëherë nuk e kisha në plan ta kem një reagim të dhunshëm. Veprimi i im ka qenë politik dhe si i tillë, unë kam vepru vetëm me gjuajtje të ujit”, tha Lushtaku. /atvlive.tv

    Edicionin special në ATV për zhvillimet e fundit në Kuvend e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxha: U sulmuam nga Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati

    Hoxha: U sulmuam nga Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati

    Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për media tha se janë provokuar dhe sulmuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri Hekuran Murati.

    “Përballë skandalit më të madh të aferës “Zdravo”, e cila shpërfaqi bashkëpunimin e këtij pushteti me Milan Radoiçiq, sot në vend të dhënies së llogaridhënies dhe përgjegjësisë që deputetët kërkuan, ne u dhunuam. Sot deputetët e PDK-së erdhën në Kuvend për të kryer detyrat, për të kërkuar nga kjo Qeveri llogaridhënie për këtë skandal dhe për koordinimin me Milan Radoiçiqin dhe Listen Serbe. Aksioni i ynë simbolik opozitar dhe jo i dhunshëm, irritoi zëvendëskryeministrin, i cili më pas sulmoi kolegun time Mërgim Lushtaku, i cili as nuk e gjuajti me molotov, as me zollë, as me gaz lotsjellës, as me vezë as me shishe, përveç që i freskoi pak në këtë situatë të tensionuar pas përgjimeve. Ne ishim aty për të kryer obligimin tonë si deputetë dhe u provokuam e u sulmuam nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri Hekuran Murati”, tha Hoxha. /atvlive.tv

    Edicionin special në ATV për zhvillimet e fundit në Kuvend e gjeni në videon më poshtë: