ATV

Category: Lajme

  • Banorët e “Muharrem Fejzës” protestojnë për mungesë të kontejnerëve

    Banorët e “Muharrem Fejzës” protestojnë për mungesë të kontejnerëve

    Zgjodhën heshtjen, i lanë fotografitë të flasin.

    Kështu në sallën e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës banorët e lagjes “Muharrem Fejza”, në kryeqytet, shprehën pakënaqësitë e tyre për gjendjen me mbeturina në lagjen e tyre.

    Edhe pse në numër të vogël, thonë se arritën të përcjellin mesazhin e tyre.

    “Është vapë, kanë filluar ditët e verës dhe ne atje jemi duke jetuar në një deponi mbeturinash, kundërmimi është i jashtëzakonshëm. Na është premtuar 8 muaj më parë që ky problem do të zgjidhet shumë shpejt, por që është një injorim total, nuk kapacitete për kontejner, as orari për tërheqjen e mbeturinave e as i zgjidhjeve problematike e që shumë shpejt ka mu shfaq ndonjë epidemi”, tha organizatori i protestës, Dren Shahini.

    Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, u premtoi zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi.

    “Ju premtojmë që ky problem do të rregullohet shumë shpejt, kemi shpallur tenderin për blerjen e kontejnerëve dhe kemi shpallë tenderin për blerjen e kamionëve të rinj, të cilët deri në një masë do ta përmirësojnë situatën. Ne po përballemi me një problem që është i trashëguar dhe po mundohemi ta zgjidhim. Pastrimi menaxhohet nga një ndërmarrje publike regjionale, e cila ka probleme të jashtëzakonshme”, tha Zogaj.

    Por për Shahinin kjo nuk është e mjaftueshme.

    “Çështja jonë nuk është veç me ardhë e me na vizitu, por me mbajtë takime me qytetarë 1 orë, më të shpeshta, me thirre takim me qytetarë, që me i dëgju problematikat e tyre që të kthehet një feedback, e jo që nuk marrim asnjëherë përgjigje”, tha Shahini.

    “Ne jemi të hapur, ju ftojmë në takime, por ju ftojmë edhe në kësi lloj forma të protestës, e çmojmë, veç mos me na ndodhë situata si në Kuvendin e Kosovës”, tha Zogaj.

    Komuna e Prishtinës, ka ndarë buxhet prej 300 mijë eurove për menaxhimin e mbeturinave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • PSD-ja me aksion simbolik para Qeverisë, përleshet me Policinë

    PSD-ja me aksion simbolik para Qeverisë, përleshet me Policinë

    As hapësirat përreth Kuvendit sot nuk ishin të qeta.

    Partia Social Demokrate teksa po mbante një aksion simbolik para Qeverisë, u ballafaqua me Policinë e Kosovës.

    Përplasja mes policëve dhe anëtarëve të PSD-së, erdhi si rezultat i mbishkrimeve “veç 2-3 minuta”, që protestuesit po i vendosnin në makinat zyrtare, duke ironizuar me shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

    Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, teksa u shpreh e shqetësuar sa i përket përleshjes me policinë, tha se qeveria duhet të japë dorëheqje pasi, sipas saj, ka bashkëpunuar me Listën Serbe.

    “Shefja e Grupit Parlamentar të LV-së ka dalë duke folur me ton shumë dashamirës me kryesuesin e Listës Srbska, i cili del që ishte një ndërlidhje me Milano Radojiçiq, në ndërmjetësim për t’i koordinuar hapat si për Ligjin për Paga ku bëhet fjalë për veteranë, për të cilin kemi protestuar që ata të trajtohen në mënyrë të duhur”, tha Rrusta.

    Rrusta tha se Qeveria e Kosovës po mban atë që ajo e quajti “maskë të moralit”.

    “Gjithë çfarë po shohim sot është një degradim i kësaj dhe anën tjetër këta që na kanë mbajtë këtë diplomën e moralit se nuk koordinohen e nuk bashkëpunojnë, se janë autonomë dhe të pavarur, gjithë çfarë po del është se këta e bëjnë këtë gjë, por e bëjnë fshehur. E kur ju del kjo, këta e denoncojnë atë që e ka bërë të madhe. Por, duhet me pasë të qartë se ‘vegëza’ është një fije që edhe heq gjithë këtë maskën e madhe që po duket se e ka ky pushtet. Le të bjerë njëherë dhe përfundimisht kjo maska morale që po e mbajnë këta”, tha Rrusta.

    Kjo protestë është një ndër reagimet e shumta në sferën publike të Kosovës pas publikimit të audio-incizimeve, ku shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, dëgjohet teksa flet me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

    Mes tjerash, në këto audio-incizime Mimoza Kusari – Lila pranon se ka komunikuar me Milan Radojqiqin, i cili është i kërkuar nga autoritetet kosovare dhe është në listë të zezë të ShBA-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Opozita kërkon llogari për bisedën mes Kusari-Lilës e Simiqit

    Opozita kërkon llogari për bisedën mes Kusari-Lilës e Simiqit

    Me të filluar seanca plenare e së enjtes, në qendër të vëmendjes ishte shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

    Partitë opozitare nuk lanë pa ia përmendur bisedën me nënkryetarin e Listës Serbe Slavko Simiq. Partia më e madhe opozitare, PDK, kërkoi që Kusari-Lila të kërkojë falje publike për bisedën.

    Kurse, partitë e tjera opozitare kërkuan të dinë nëse kryeministri ishte në dijeni për bisedën e zhvilluar mes Kusari-Lilës e deputetit Simiq.

    Por opozita nuk mori përgjigje. Gjatë fjalimit të tij, Albin Kurti akuzoi qeveritë e kaluara, të cilat, sipas tij, kanë bashkëpunuar me Milan Radoiçiqin, i cili përmendet në bisedat e Kusari – Lilës.

    Seanca më pas u ndërpre pas përleshjes fizike që filloi mes deputetëve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dënohet dhuna në Kuvend

    Dënohet dhuna në Kuvend

    Dëm të madh ndaj institucioneve demokratike, e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani, përdorimin e dhunës fizike në parlamentin e Kosovës.

    Sipas presidentes, dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik.

    “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
    Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, tha Osmani.

    Grushtet në Kuvend i ka dënuar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke shtuar se në çdo demokraci ka dallime të forta, por ato duhet të zgjidhen përmes diskursit e jo dhunës.

    “Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, tha Hovenier.

    Me tone kritikuese ndaj opozitës, për ngjarjet në Kuvend reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    “Imagjinojini si ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushte! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, tha Rama.

    Derisa dhuna u dënua edhe nga shoqëria civile, partia opozitare, Lidhja Demokratike, është distancuar nga përleshjet në Kuvend. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Grushte mes pushtetit e opozitës në Kuvend, në përleshje nuk u përfshinë LDK-ja e AAK-ja

    Grushte mes pushtetit e opozitës në Kuvend, në përleshje nuk u përfshinë LDK-ja e AAK-ja

    Seancat e Kuvendit të Kosovës shpesh janë të zhurmshme. Por, seanca e së enjtes ishte edhe e dhunshme. Debati eskaloi në përleshje fizike mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.

    Fillimisht PDK-ja ngjiti pllakate në foltore të Kuvendit, duke e paraqitur kryeministrin si Pinokio. Fotografia qëndroi fare pak meqë atë e laroi zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

    Pavarësisht këtyre lëvizjeve, kryeministri Albin Kurti vazhdoi të fliste. Atij më pas iu afrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

    Reagim të shpejtë karshi tij pati ministri Hekuran Murati, derisa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e sulmoi me shishe Lushtakun.

    Në përleshje brenda sekondash u përfshinë edhe ministra e deputetë të tjerë.
    Reagoi edhe sigurimi i kryeministrit. Gjatë kacafytjes, kryekuvendari kërkonte qetësi e në një moment e ftoi policinë brenda sallës.

    Ata qëndruan brenda në sallë derisa kryeministri u largua. Në përleshje në të cilën u dhanë shumë grushte nuk u përfshinë fare dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.

    Rreth tre orësh pas përleshjes, deputetët u kthyen në sallë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mediat botërore: Grushte pas “Pinokios” në Parlamentin e Kosovës

    Mediat botërore: Grushte pas “Pinokios” në Parlamentin e Kosovës

    Ngjarja e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e të dyja kampeve, pozitë dhe opozitë, u përleshën fizikisht, ka zënë vend të rëndësishëm në mediat ndërkombëtare.

    “Përleshje me grushte shpërthyen në Parlamentin e Kosovës pasi deputeti e spërkati kryeministrin me ujë”, është titulli i agjencisë “Reuters”.

    “Politico” i ka vënë këtë titull shkrimit të saj për ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës. “Përleshje masive në kuvendin e Kosovës për shkak të karikaturës së Pinokios dhe hedhjes së ujit”.

    AP-ja e ka zgjedhur këtë titull: “Parlamenti i Kosovës shpërtheu në përleshje pasi u hodh ujë në drejtim të kryeministrit”.

    Ngjashëm kanë raportuar edhe shumë media tjera në mbarë botën në gjuhë të ndryshme.

    Kujtojmë se sot në orët e paradites, teksa po mbahej seanca e rregullt plenare, deputetë të PDK-së kanë vendosur disa pankarta para kryeministrit Kurti e para ministrave tjerë të qeverisë, por edhe në folësen e Kuvendit.

    Më pastaj, te folësja e Kuvendit, ku po mbante fjalim kryeministri, është vendosur edhe një fotografi e tij e përpunuar me hundë të gjatë që simbolizon karakterin fiktiv dhe protagonistin e romanit për fëmijë, Pinokio, të cilit i rritet hunda sa herë gënjen.

    Kjo nuk i pëlqeu numrit dy të qeverisë, Besnik Bislimit, i cili u ngrit nga vendi dhe e hoqi atë fotografi, të cilën e shqeu.

    Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ngrihet nga vendi dhe niset në drejtim të kryeministrit, të cilin edhe e lag me ujë.

    Këtu nis edhe përleshja fizike mes pushtetit e opozitës./klankosova

  • Rrahja në Kuvend, Prokuroria nis hetimet dhe të përfshirët do të intervistohen

    Rrahja në Kuvend, Prokuroria nis hetimet dhe të përfshirët do të intervistohen

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar hetimet në drejtim të veprës penale “Sulmi” lidhur me rrahjen që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës.

    Prokuroria ka autorizuar policinë për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë deklaratat e palëve të përfshira në rast.

    “Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Prishtinë, 13 korrik 2023– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.

    Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë.

  • Përplasen sërish deputetët e PDK-së dhe LVV-së

    Përplasen sërish deputetët e PDK-së dhe LVV-së

    Sërish ka ndodhur një përplasje midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Kjo ka ndodhur në momentet kur mazhoranca në Kuvend po insiston në mbajtjen e seancës së Kuvendit dhe kjo po kundërshtohet nga PDK-ja.

    Në këto momente, ka pasur shtyrje dhe tensione midis deputetëve të PDK-së dhe LVV-së. Tensionet dhe gjuha e ashpër mes tyre po vazhdon.

  • Hill: Sanksionimi i Vulinit nuk nënkupton marrëdhënie më të këqija Serbi-SHBA

    Hill: Sanksionimi i Vulinit nuk nënkupton marrëdhënie më të këqija Serbi-SHBA

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha më 13 korrik se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të kenë ndonjë marrëdhënie me shefin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, por se sanksionet e vendosura ndaj tij si individ nuk nënkuptojnë marrëdhënie më të këqija me Serbinë.

    “SHBA-ja studioi me kujdes Vulinin dhe aktivitetet e tij, dhe arriti në përfundimin se ai nuk është dikush që duam në Amerikë. Në këtë mënyrë, sanksionet janë një mënyrë për të mbrojtur SHBA-në”, u tha Hill gazetarëve, gjatë një turneu në zonën arkeologjike Belo Bërdo.

    Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e BIA-s, Vulin.

    Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Ambasadori Hill tha se mendon që Serbia është në rrugën e duhur dhe se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë janë të mira, dhe po përmirësohen.

    “SHBA-ja dëshiron të ndihmojë Serbinë, e cila tregon qartë se dëshiron të jetë pjesë e institucioneve perëndimore. Ne do ta ndihmojmë atë në masën që dëshiron vetë Beogradi”, tha Hill.

    Gjatë një vizite në punimet për restaurimin dhe rehabilitimin e një zone arkeologjike, të cilat po kryhen nga Qeveria e Serbisë dhe mbikëqyren nga Ambasada amerikane, Hill shtoi se Vulin nuk do të mund të marrë një vizë amerikane.

    Nënsekretari i Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Brian E. Nelson, deklaroi në shpjegimin e sanksioneve kundër Vulinit, më 11 korrik, se vendimi e mbante atë përgjegjës për aktet e supozuara korruptive dhe destabilizuese që mundësonin edhe aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon.

    Ai shtoi se Departamenti i Thesarit nuk do të përmbahet nga shënjestrimi i aktorëve që “abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale, në të njëjtën kohë duke minuar autoritetet demokratike në Ballkanin Perëndimor”

    Partia e Vulinit, Lëvizja Socialiste, e cila është pjesë e koalicionit me Partinë Progresive Serbe në pushtet, hodhi poshtë akuzat dhe kritikoi SHBA-në. Vetë Vulin nuk është deklaruar publikisht.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse do të zëvendësojë Vulinin, por ka paralajmëruar hetim për akuzat e SHBA-së.

    Para se të bëhej shef i BIA-s, Vulin ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes, dhe si ministër i Brendshëm.

    Peci: Dhuna në Kuvend është instaluar nga Vetëvendosje, mbetet aty derisa ata nuk kërkojnë falje
    Read more

  • ​Konjufca pas rrahjes në Kuvend: Ditë e rëndë për Kosovën

    ​Konjufca pas rrahjes në Kuvend: Ditë e rëndë për Kosovën

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se episodi i rrahjes së sotme në sallën plenare në Kuvend është ditë e rëndë për Kosovën.

    Ai ka kërkuar nga të zgjedhurit e popullit dhe kabineti qeveritar të ruajnë qetësinë dhe të hapin një kapitull të ri, pas incidentit të sotëm, transmeton KP.

    Konjufca tha se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në seancë me qëllim të uljes së tensioneve në Kuvend.

    “Ne i kemi betejat tona, ne i kemi mosmarrëveshjet tona. Si forca politike i kemi papajtueshmëritë tona të thella ndonjëherë, por ato mospajtime gjithmonë, le të themi se i bëjnë nder vendit nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm, minimumit normal të funksionimit të institucioneve demokratike që monitorohen prej qytetarëve por edhe botës së jashtme. Po iu bëj thirrje si kryetar i Kuvendit që të merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi të kalojmë këtë ditë të vështirë dhe momente të vështira për vendin tonë. Pra po iu thërras për një minimum të një sjellje që ma merr mendja që do t’i gëzonte qytetarët e Republikës sonë nëse e shohin. Ne nuk i kemi kursyer fjalët më të rënda për njëri-tjetrin, por prapë ato janë fjalë. Por në momentin kur kalohet nga fjalët në goditje, ato si veprime pastaj nuk janë veprime që trajnohen vetëm në Kuvend. Me ato pastaj është një pushtet tjetër i veçantë që merret. A është për deputetin si postin më fisnik e denjë një sjellje e tillë. Meqenëse është kështu, bisedova edhe me kryeministrin ai po heq dorë nga fjala e tij”, tha ai.

    Konjufca shtoi se sjellje të tilla si të sotmet në Kuvend nuk dëshiron të përsëriten.

    “Kemi pas probleme të natyrave të tjera, por jo në kuptimin fizik drejt fytyrës, kokës dhe trupave me ia mësyrë njëri-tjetrit siç e pamë sot në Kuvendin e Kosovës. Këtë nuk ia dëshirojmë askujt dhe kjo është një sjellje që natyrisht do të gjykohet prej qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nuk do të kisha dëshiruar të përsëritet më në këtë Kuvend”, përfundoi ai.

    Rrahja në Kuvend ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti. Ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu që i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “Pinoku”. Ajo fotografi është larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    Pas kësaj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti. Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një dosje e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin. Pastaj aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje.