ATV

Category: Lajme

  • Miratimi i Ligjit për pagën minimale, Kurti: Do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë

    Miratimi i Ligjit për pagën minimale, Kurti: Do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me miratimin në lexim të dytë në Kuvend, mundësohet rritja e pagës minimale.

    Kurti tha se me këtë është përmbushur edhe një tjetër zotim tjetër i kësaj qeverie.

    “Me miratimin në lexim të dytë në Kuvend, mundësohet rritja e pagës minimale. Nga 130 euro e 170 euro, në 264 euro bruto për të gjithë”.

    Tutje tha se për punëtorët nën 35 vjeç rritje e pagës minimale për 103%, ndërsa për punëtorët deri në 65 vjeç rritje për 55%. Po ashtu hiqet tatimi në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale.

    Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë, ndërsa nga heqja e shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

    “Punëtorëve po ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson jetë të dinjitetshme. Falënderoj të gjithë deputetët që votuan këtë ligj”, tha Kurti.

  • Halimi: Dhuna në Kuvend është veprimi i gjuhës së VV-së

    Halimi: Dhuna në Kuvend është veprimi i gjuhës së VV-së

    Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar për dhunën e përdorur në seancën e sotme të Kuvendit, duke thënë se “është veprimi i gjuhës së partisë në pushtet e projekti politik i Kurtit për vendin”.

    Sipas Halimit, nga ky ambient i dhunshëm dhe të folurit për luftën, qytetarët tanë po ikin çdo ditë.

    Halimi ka thënë se qytetarët meritojnë një mendësi të re politike, ku fokusi do të përqendrohet në politika publike të avancuara për përmirësim të jetës së tyre.

    “Realitetet paralele e fiktive të krijuara nga partia në pushtet, e bashkë me to edhe investimet e mëdha digjitale duke krijuar profile të rrejshme, ku me një ‘click’ fyerja e poshtërimi bëhen mënyrë jetese për mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherë e përgjithmonë duhet të marrin fund. Dëmet e shkaktuara pikërisht nga kjo politikë e Albin Kurtit do të jenë vështirë të riparueshme.

    Dhuna në Kuvendin e Kosovës është veprimi i gjuhës së partisë në pushtet e projekti politik i Kurtit për vendin, po bënë hapa prapthi ashtu siç i shkon për shtati vetëm atij, porse vendi nuk po përparon, sepse ai me një kastë popullistësh po ja vjedhin kohën dhe miqtë Kosovës!”, ka shkruar Halimi.

  • Kuvendi kalon në parim Fondin Sovran

    Kuvendi kalon në parim Fondin Sovran

    Kuvendi i Kosovës e ka kaluar në parim projektligjin për Fondin Sovran.

    61 deputetë kanë votuar për projektligj, siç tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm që do të përfshijë shumë ndërmarrje publike.

    Ky mekanizëm ka qenë një nga premtimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

  • Presidenti amerikan viziton anëtarin më të ri të NATO-s

    Presidenti amerikan viziton anëtarin më të ri të NATO-s

    Presidenti amerikan, Joe Biden, është takuar me liderët nordikë në Finlandë, në ditën e fundit të udhëtimit të tij në Evropë. Takimi i mbajtur në Helsinki vjen një ditë pas përfundimit të Samitit të NATO-s, të cilin presidenti e cilësoi si shumë të suksesshëm.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti takim me liderët nordikë, të enjten, në territorin e anëtarit më të ri të NATO-s, Finlandës, në një demonstrim të fuqisë dhe ndikimit në rritje të aleancës ushtarake kundër Rusisë.

    “Unë e kam bërë këtë qe një kohë të gjatë”, tha Bideni, në hapje të takimit me presidentin finlandez, Sauli Niinistö, në Pallatin presidencial. “Unë nuk mendoj se NATO-ja ka qenë ndonjëherë më e fortë”.

    Bideni u takua gjithashtu me liderët e vendeve të tjera nordike, duke përfshirë Suedinë, Norvegjinë, Danimarkën dhe Islandën. Suedia pritet të bëhet vendi i 32-të, anëtar i NATO-s, pas premtimeve për më shumë bashkëpunim me Turqinë në përpjekjet kundër terrorizmit, ndërsa mbështeti ofertën e Ankarasë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Finlanda fitoi anëtarësimin në NATO në fillim të këtij viti.

    Si Finlanda ashtu edhe Suedia braktisën një histori të mosangazhimit ushtarak dhe kërkuan të bashkohen me aleancën e NATO-s, pasi Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.

    Ndalesa e shkurtër e Bidenit në kryeqytetin finlandez është pikë kthese e një udhëtimi që ishte skicuar me kujdes për të nxjerrë në pah rritjen e aleancës ushtarake që presidenti amerikan thotë se është forcuar që nga pushtimi rus i Ukrainës. Pranimi i Finlandës në NATO dyfishoi në mënyrë efektive kufirin e aleancës me Rusinë.

    Samiti i suksesshëm i NATO-s

    Bideni mbërriti në Helsinki pas asaj që ai e konsideroi një samit të suksesshëm të NATO-s në Vilnius, Lituani, ku aleatët gjetën gjuhë të përbashkët në lehtësimin e rrugës për Ukrainën, për t’u bërë gjithashtu një anëtare e ardhshme e aleancës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e quajti rezultatin e samitit “një fitore të rëndësishme të sigurisë” për vendin e tij, por megjithatë shprehu zhgënjimin që nuk mori një ftesë të drejtpërdrejtë për t’u bashkuar.

    Bideni dhe zyrtarë të tjerë të administratës gjithashtu zhvilluan biseda të rëndësishme me Turqinë, para se ajo të hiqte dorë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO.

    Bideni tha se ndihej mirë për këtë udhëtim. “Ne arritëm çdo qëllim që kishim vendosur të arrinim”, u tha ai gazetarëve të mërkurën përpara nisjes për në Finlandë.

    Dhe pavarësisht zhgënjimeve të shprehura të Zelenskyyt, Bideni – i cili u takua me udhëheqësin ukrainas të mërkurën në Vilnius – tha të enjten se Zelenskyy “u nda shumë i kënaqur”.

    Dy presidentë të ndryshëm

    Udhëtimi i presidentit amerikan këtë javë – një përpjekje koreografike e përpiktë, që synon të shfaqë kundërshtimin ndërkombëtar ndaj luftës së liderit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë – u zhvillua gati pesë vjet pas ditës kur presidenti i atëhershëm, Donald Trump, qëndroi përkrah Putinit në Helsinki. Kjo ndodhi vetëm disa ditë pasi Trumpi përfundoi një samit të NATO-s, ku ai përçmoi aleancën dhe nga i cili kërcënoi se do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara.

    Në të kundërtën, Bideni ka përkrahur parimet e multilateralizmit që Trumpi i shmangu, duke folur vazhdimisht për nevojën për të rindërtuar koalicionet ndërkombëtare pas katër vjetëve të trazuar nën udhëheqjen e paraardhësit të tij.

    Gjatë hapjes së takimit, Niinistö tha se homologët e tij nordikë kishin një objektiv kryesor: “të garantonin të ardhmen – në aspektin e sigurisë, mjedisor dhe në atë teknologjik”. Bideni shtoi se “kombet rreth tryezës jo vetëm që ndajnë histori të përbashkët, por ndajmë sfida të përbashkëta dhe unë do të shtoja pa modesti edhe vlerat e përbashkëta”.

    Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, i cili takoi Bidenin në Oval Office javën e kaluar, i tha Bidenit: Unë të kam takuar ty më shumë sesa kam takuar familjen time.

    Vizita simbolike e Bidenit

    Bisedimet në Pallatin presidencial në zemër të Helsinkit do të fokusohen në bashkëpunimin më të ngushtë midis vendeve nordike dhe Shteteve të Bashkuara për çështjet e sigurisë, mjedisit dhe teknologjisë, tha zyra e Niinistös. Bideni caktoi gjithashtu një konferencë shtypi me Niinistön përpara se të nisej për në Washington.

    Bideni është presidenti i gjashtë i SHBA-së që viziton Finlandën, një vend me 5.5 milionë banorë që ka qenë nikoqir i disa samiteve, SHBA – Bashkim Sovjetik dhe SHBA – Rusi. E para përfshinte presidentin amerikan, Gerald Ford, i cili nënshkroi të ashtuquajturën Marrëveshje të Helsinkit me më shumë se 30 vende të tjera në vitin 1975.

    Por Charly Salonius-Pasternak, studiues i lartë në Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, vuri në dukje se vizita e Bidenit shënoi herën e parë që një president në detyrë i SHBA-së erdhi në Finlandë për të nderuar vetë vendin, në vend që ta konsideronte një vend neutral për takime me liderët rusë ose për arsye të tjera të ngjashme.

    “Fakti që Bideni ka zgjedhur të shkojë posaçërisht në Finlandë është simbolik dhe, në njëfarë mënyre, shumë konkret”, tha ai. “Është një lloj mesazhi që vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë”.

    Në epokën e Luftës së Ftohtë, Finlanda veproi si një amortizator neutral midis Moskës dhe Washingtonit dhe udhëheqësit e saj luajtën një rol balancues midis Lindjes dhe Perëndimit, duke mbajtur marrëdhënie të mira me të dy superfuqitë.

    Finlanda dhe Suedia fqinje hoqën dorë nga neutraliteti i tyre tradicional politik duke iu bashkuar Bashkimit Evropian në vitin 1995, por të dyja mbetën të palidhura ushtarakisht, me sondazhet që tregonin një shumicë të qartë të qytetarëve të tyre kundër anëtarësimit në NATO. Kjo ndryshoi shpejt pas 24 shkurtit 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën.

  • Statovci: Nuk e humbim fokusin

    Statovci: Nuk e humbim fokusin

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, ka reaguar pas kalimit të ligjeve në seancën e sotme.

    Ajo përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë që përkundër ngjarjeve ‘nuk e humbim fokusin dhe shohin andej nga i kanë drejtuar qytetarët.

    Ky është reagimi i Statovcit:

    Nuk e humbim fokusin. Shohim andej nga na kanë drejtuar 440,000 votat e qytetarëve dhe përtej.

    Të gëzuar tejmase që

    👉Ligji që rregullon çmimet e barnave dhe që i mbronë qytetarët nga abuzimet: kaloi;
    👉Ligji që i mbronë qytetarët në nevojë nga përmbaruesit, përtej minimumit jetik për jetesë: kaloi;
    👉Ligji që i mbronë të punësuarit, më së shumti gratë, nga pragu i pagës minimale, që rritet për herë të parë pas 11 vite, nga 130 dhe 170 euro në 264 euro: kaloi;
    👉Ligji që themelon Insitutin për krimet e luftës që do të dokumentojë krimin shtetëror të Serbisë mbi jetën, shëndetin, pronën e qindra mijërave shqiptarëve të Kosovës: kaloi;
    👉Ligji që themelon Fondin Sovran dhe që i mundëson shtetit përfitimet nga asetet e të mirat publike dhe mundësi investime në kompani prodhuese dhe eksportuese: kaloi;

    E gjithë kjo sepse vota e 14 shkurtit shumëçka nga e mbara ktheu në binarë e pothuajse gjithëçka nga e mrapshta i nxorri nga binarët. Përfitues nuk jemi ne. Janë qytetarët që e shkaktuan 14 shkurtin 2021, e me gjasë do të vazhdojnë ta thellojnë këtë realitet endë më shumë.

     

  • Kalon Ligji për Pagën Minimale

    Kalon Ligji për Pagën Minimale

    Ligji për pagën minimale është miratuar me 60 vota pro dhe një abstenim, duke vendosur pagën minimale në 264 euro.

    Përjashtimi i veteranëve të luftës nga Ligji ka shkaktuar polemika të mëdha dhe mbetet ende i pazgjidhur.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës vendosë për shumat e pensioneve bazuar në kufizimet buxhetore, koston e jetesës dhe inflacionin”, thuhet në dispozitën që përmbahet në këtë projektligj.

    Amendamentet e propozuara nga AAK dhe PDK për përfshirjen e veteranëve të luftës në ligj janë refuzuar nga shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka festuar miratimin e ligjit, duke vënë në pah pagën minimale prej 264 euro.

  • Vala e të nxehtit përfshin Evropën Jugore

    Vala e të nxehtit përfshin Evropën Jugore

    Një valë e të nxehtit ka mbuluar disa pjesë të Evropës jugore dhe Afrikës veriperëndimore, me mundësinë që të ketë temperatura rekorde gjatë ditëve në vijim, kanë paralajmëruar ekspertët.

    Agjencia Evropiane e Hapësirës ka paralajmëruar se nga kjo javë Evropa pritet të hyjë nën ndikimin e vapës së madhe dhe se temperaturat mund të arrijnë deri në 48 gradë Celsius.

    Në deklaratën e kësaj agjencie thuhet se Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia do të përballen me valën e motit të nxehtë. Në Itali, temperaturat pritet të arrijnë deri në 48.8 gradë Celsius, derisa autoritetet kanë lëshuar alarmin e kuq për 10 qytete, përfshirë Romën, Florencën dhe Bolonjën.

    Kjo valë e të nxehtit është emëruar vala e nxehtit “Cerberus”, nga Agjencia Meteorologjike Italiane. Temperatura më e lartë në historinë e Evropës, u mat vitin e kaluar me 48.8 gradë në Sicili të Italisë, por ky rekord mund të thyhet sërish këtë vit.

    Të martën, një burrë në të dyzetat në Italinë veriore, ka vdekur si pasojë e nxehtësisë ekstreme.

    Muaji qershor u regjistrua si muaji më i ngrohtë deri më tani në tokë, duke u rritur me rreth 1 gradë mbi vlerën e matur në vitin 1976. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • S’ka qartësi kur dhe si hiqen masat e BE-së, pas hapit të parë nga Kosova

    S’ka qartësi kur dhe si hiqen masat e BE-së, pas hapit të parë nga Kosova

    Tërheqja e një pjese të Policisë që ishin vendosur në dhe përreth katër ndërtesave komunale në veri, është hapi i parë që Kosova ndërmori, sipas dakordimit me Bashkimin Evropian, për shtensionim të situatës.

    Pas veprimeve fillestare nga Qeveria, presidentja Vjosa Osmani pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese – të cilat i vendosi në fund të muajit të kaluar.

    “Ne shpresojmë që BE-ja t’i tërheqë masat të cilat janë ndërmarrë ndaj Kosovës padrejtësisht dhe ne mund të vazhdojmë me më shumë suksese në dialog. Sa u përket procedurave për përgatitjen e zgjedhjeve nuk ka nevojë për shumë kohë. Ligjet e japin mundësinë për organizimin e zgjedhjeve”, tha Osmani.

    Heqja e masave, sipas kryeministrit Albin Kurti, duhet të bëhet para takimit të javës së ardhshme të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi, dhe Petar Petkovic, për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

    Bashkimi Evropian nuk tregoi kur ose nëse ka filluar me heqjen e masave, dhe nëse heqja e tyre do të bëhet gradualisht apo përnjëherë.

    Në një reagim të mërkurën, edhe pse dakordimit për hapat fillestarë iu referua si lajm i mirë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret nga Kosova edhe hapa të mëtejmë pozitivë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • KPK-ja e quan Projektligjin e ri tentativë për cenim të pavarësisë

    KPK-ja e quan Projektligjin e ri tentativë për cenim të pavarësisë

    Gati katër muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial, ekzekutivi miratoi në Qeveri projektligjin e ri.

    Sipas këtij projektligji, sërish parashihet që institucioni i Avokatit të Popullit të ketë të drejtën që t’i ofrojë dy propozime për anëtarë joprokurorë, të cilët do të veprojnë si përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

    Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Avokati i Popullit nuk e ka këtë kompetencë.

    Përveç anëtarëve aktualë të Këshillit, deri në vitin 2026, KPK-së, sipas projektligjit, do t’i shtohen edhe 8 anëtarë joprokurorë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash.

    Ndërsa, kuorumi do të jetë me 12 anëtarë.

    “Nga tetë (8) anëtarët joprokurorë, dy (2) prej tyre zgjidhen në bazë të katër (4) nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një (1) pozitë rezervohet për profesorët universitarë të drejtësisë. Mandati i tetë (8) anëtarëve të zgjedhur zgjat deri më 11 janar të vitit 2026”, thuhet në Projektligjin për KPK-në.

    Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një reagimi me shkrim ka thënë se miratimi i këtij projektligji është përpjekje e re për të cenuar pavarësinë e këtij institucioni.

    Sipas KPK-së, Qeveria e ka miratuar projektligjin me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme pa përfillur Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi.

    “Kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjell dështim, andaj KPK-ja paralajmëron se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që ai cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokuorial të Kosovës.

    Ligji për KPK-në u miratua gjatë vitit të kaluar, por u dërgua në Kushtetuese, nga dy partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja. Pas gati nëntë muajsh, Gjykata vendosi që ligjin ta shpallë të pavlefshëm.

    Kushtetuesja kishte gjetur ndër të tjera vërejtje për mënyrën e propozimit të anëtarëve joprokurorë nga Avokati i Popullit, balancimin dhe përfundimin e mandatit para kohës të anëtarëve aktualë në KPK-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Naftëtarët blejnë naftë 1.13 centë, ndërsa e shesin 1.34 centë

    Naftëtarët blejnë naftë 1.13 centë, ndërsa e shesin 1.34 centë

    Vetëm dy centë paguan më shtrenjtë naftëtarët për furnizim me naftë, në dy javët e para të korrikut, sesa në muajin qershor.

    Por në disa pika derivatesh, qytetarët blejnë naftë deri në 15 centë më shtrenjtë.

    Sipas të dhënave të doganës, naftëtarët në dy javët e para të korrikut, blenë naftë me çmim mesatar prej 1.13 centësh, por në disa pika, nafta shitej me çmim prej 1.34 centësh, apo thënë ndryshe 21 centë më shtrenjtë sesa paguajnë vetë.

    Megjithatë, sipas Shoqatës së Naftëtarëve, në rritjen e çmimeve ka ndikuar rritja në bursë, derisa dallimin në çmime nëpër pika karburantesh e arsyetojnë me tregun e lirë.

    “Kosova është treg i lirë dhe çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese Opek. Kjo është e mirë që çmimet janë të ndryshme nëpër pika karburantesh, ku dihet që para disa viteve ka pasur shumë kompani të cilat janë nëpër gjykata për shkak se është çmimi i njëjtë. Treg i lirë dhe i hapur, konkurrenca, oferta e bën çmimin”, tha Berjani.

    Andaj, pikërisht tregu i lirë, sipas njohësve të ekonomisë, favorizon tregtarët që të rrisin çmimet si të duan, veçanërisht tash me ardhjen e mërgimtarëve.

    “Këtë po e shfrytëzojnë në formë perfide tregtarët në Kosovë ku po i rrisin çmimet dhe po lulëzon ekonomia spekulative që nuk i bën nder as qytetarëve e as Kosovës e më së paku diasporës”, tha eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

    Andaj, sipas Gërxhaliut, edhe rritja në bursë nuk është se qëndron pasi që ka ulje të inflacionit.

    “Është një dukuri shumë interesante që duhet të analizohet, derisa kemi ulje të inflacionit në Evropë dhe në Eurozonë, kemi edhe në Kosovë dhe kur e kemi këtë ulje të inflacionit, pse duhet të kemi këtë rritje të çmimeve të produkteve strategjike”, tha Gërxhaliu.

    Megjithatë, sipas Gërxhaliut, fajin për këtë mund ta ketë bllokimi i mallrave nga Serbia, nga e cila Kosova importon goxha naftë.

    Vetëm në vitin 2022, vlera monetare e importit të derivateve nga Serbia, kalon mbi 60 milionë euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: