ATV

Category: Lajme

  • OKB: 165 milionë njerëz ranë në varfëri në tri vjetët e fundit

    OKB: 165 milionë njerëz ranë në varfëri në tri vjetët e fundit

    Pandemia COVID-19, kriza e kostos së jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë shtyrë 165 milionë njerëz në varfëri që nga viti 2020, u tha në një raport të publikuar më 13 korrik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

    OKB-ja bëri thirrje që të shqyrtohet mundësia e një pauze në shlyerjen e borxhit për vendet në zhvillim.

    Për shkak të këtyre krizave, 75 milionë njerëz mendohet se kanë rënë në varfëri ekstreme gjatë periudhës kohore 2020-2023. Varfëri ekstreme cilësohet kur një person jeton me më pak se 2.15 dollarë në ditë.

    Sipas një studimi të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim edhe 90 milionë të tjerë do të bien nën kufirin e varfërisë prej 3.65 dollarë në ditë.

    “Më të varfrit vuajnë më shumë dhe të ardhurat e tyre në vitin 2023 parashikohet të mbeten nën nivelet e para pandemisë”, thuhet në raport.

    “Në vendet me borxhe të larta, ekziston një korrelacion midis niveleve të larta të borxhit, shpenzimeve të pamjaftueshme sociale dhe një rritjeje alarmante të normave të varfërisë”, tha në një deklaratë shefi i UNDP-së, Achim Steiner.

    Sipas një raporti tjetër të OKB-së të publikuar më 12 korrik, rreth 3.3 miliardë njerëz, gati gjysma e njerëzimit, jetojnë në vende ku shpenzohet më shumë për pagesën e interesit për borxhin sesa për arsimin dhe shëndetin.

    Dhe vendet në zhvillim, pavarësisht se kanë nivele më të ulëta të borxhit, po paguajnë më shumë interes, pjesërisht për shkak të normave më të larta.

    Sipas raportit, kostoja vjetore e nxjerrjes nga varfëria të 165 milionë njerëzve do të ishte mbi 14 miliardë dollarë amerikanë.

    Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, i cili ka bërë presion për një reformë të institucioneve financiare ndërkombëtare, denoncoi “sistemin tonë financiar global të vjetërsuar, i cili pasqyron dinamikën e fuqisë koloniale të epokës kur u krijua”.

  • Vuçiq: Tërheqja e 25 për qind të policisë nga Veriu i Kosovës është mashtrim

    Vuçiq: Tërheqja e 25 për qind të policisë nga Veriu i Kosovës është mashtrim

    Serbët janë parë gjithmonë si një faktor përçarës dhe është e vërtetë se ekziston një matricë që çdokujt t’u jepet gjithçka dhe serbëve t’u hiqet gjithçka, theksoi presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

    Vuçiq tha për mediat serbe se ndaj serbëve nuk zbatohen vetëm standarde të dyfishta, por edhe më shumë se kaq.

    Lidhur me vendimin e Kosovës për tërheqjen e 25 për qind të Policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, ai nënvizoi se ishte një mashtrim.

    Ai ka theksuar se serbët në Kosovë keqtrajtohen çdo ditë.

  • Një femër në Fushë Kosovë raporton se ishte dhunuar kur ishte 13 vjeçare

    Një femër në Fushë Kosovë raporton se ishte dhunuar kur ishte 13 vjeçare

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një femër ka raportuar të enjten në Polici se ishte dhunuar kur ishte 13 vjeçare.

    Në raportin policor bëhet e ditur se është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    “Fushë Kosovë 2019. Ankuesja femër kosovare, më datë 13.07.2023 ka njoftuar se ishte dhunuar nga një i dyshuar mashkull kosovar kur ajo ishte 13 vjeçare. Me vendim të prokurorit është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Kurti inspektoi punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë

    Kurti inspektoi punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë pas mesnate ka inspektuar punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë, pasi la seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën pati rrahje mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.

    Kreu i ekzekutivit ka shpërndarë një video në Facebook, ku ka shkruar se janë duke vazhduar punimet me intensitet të lartë.

    “Po vazhdojnë punimet me intensitet të lartë në rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Sonte jemi në terren, për të parë nga afër punën që po bëhet edhe në orët e vona të natës e pas mesnatës.

    I falemnderoj punëtorët e inxhinerët që nuk po ndalen ditë e natë për ta përfunduar këtë rrugë në afat!

    Qeveria për Komunat”, ka shkruar ai.

  • ​Asamblistja e Prishtinës kalon nga LV-ja në PDK, kthehet sërish në LV

    ​Asamblistja e Prishtinës kalon nga LV-ja në PDK, kthehet sërish në LV

    Berna Saraçi është sërish asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Këtë e ka konfirmuar nënkryetarja e Komunës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu dhe shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

    Kujtojmë se vetëm më pak se një muaj më herët, Saraçi kaloi nga VV-ja në Partinë Demokratike të Kosovës. Tash është kthyer sërish nga ku u largua më 21 qershor.

    “Më 21 qershor ndava njoftimin se Berna Saraçi na u bashkua për Prishtinën. Më 27 qershor, në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal, zyrtarizuam kalimin e saj si asambliste në grupin e PDK me arsyetimin e elaboruar në fjalimin e saj. Sonte Berna ka vendosur të kthehet si asambleiste e LVV-së për të përmbyllur mandatin e saj në grupin ku ishte deri më 21 qershor. Bashkë me grupin e PDK në Prishtinë, Bernës i dëshirojmë rrugëtim të qetë dhe të mbarë në vazhdimësi”, ka shkruar Sahatçiu.

    Ndërsa Sveçla ka shpërndarë një fotografi të takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Albin Kurti, e ku ka shkruar “Na 3 asamblistët, sonte, në takim me Kryeministrin. Vazhdojmë rrugëtimin bashkë me Bernën”.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Në ditën e sotme në vendin tonë do të mbizotërojë kryesisht mot me diell dhe vranësira të herë pas hershme, të cilat më vonë pritet të gjenerojnë reshje të izoluara të shiut.

    Temperaturën minimale do ta mbajë Gjakova me 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalen Prishtina me 33 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në vendin tonë pritet të jetë kryesisht me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale do ta mbajë sërish Gjakova me 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalen Prishtina me 34 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Kush është Guvernatori i ri i BQK-së?

    Kush është Guvernatori i ri i BQK-së?

    Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, me datë 13 korrik 2023, pas propozimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Ahmet Ismaili është zgjedhur për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    Konform nenit 38 të Ligjit Nr. 03/L-209 për BQK-në, pas zgjedhjes së z. Ismailit në pozitën e Guvernatorit nga Kuvendi, emërimi i tij duhet të bëhet nga Presidentja e vendit duke zyrtarizuar mandatin 5-vjeçar të Guvernatorit.

    Kush është Guvernatori i BQK-së?

    Ahmet Ismaili ka lindur në Podujevë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Drejtimin Banka dhe Financa të Fakultetit Ekonomik. Përtej studimeve universitare,  Ismaili ka marrë edhe titullin doktor i shkencave ekonomike në drejtimin Banka dhe Financa, nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës.

    Bazuar në CV-në e tij dhe profilin e tij në platformën LinkedIn, Guvernatori në ardhje i BQK-së ka mbi 18 vjet përvojë pune profesionale në nivele të larta drejtuese, si në industrinë private financiare, ashtu edhe në sektorin publik. Fillimisht, ai ka punuar si bankier në pozita të ndryshme përfshirë edhe pozita të larta menxheriale, si në sektorin bankar, ashtu edhe në atë të sigurimeve, duke vazhduar pastaj në role menaxhuese në sektorin publik.

    Deri në zgjedhjen e tij si Guvernator, Ismaili mban pozitën e Drejtorit Menaxhues dhe Anëtarit të Bordit në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Kurse para këtij roli, ai ka mbajtur pozita të ndryshme, siç është ajo e Drejtorit të Thesarit të Shtetit, për një mandat të plotë, ku paralelisht ka qenë edhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Pagesave në BQK.

    Ai ka shërbyer edhe si Anëtar Bordi dhe Anëtar i Komitetit të Auditimit në Fondin për Sigurimet Shëndetësore. Në këto role, Ismaili ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, siç janë sesionet dhe takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, si dhe sesionet dhe takimet e Thesareve dhe Bankave Qendrore të shteteve të tjera, duke përfshirë rajonin, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Guvernatori në ardhje i BQK-së ka përvojë edhe si ligjërues përgjatë tetë viteve në Universitetin e Prishtinës, si dhe në Universitete të tjera të akredituara në Kosovë, duke ligjëruar në fushën e bankave dhe afarizmit bankar, menaxhimit financiar, analizës financiare dhe fusha të ngjashme në programet e studimeve bachelor dhe master. Paralelisht, gjatë 16 viteve të kaluara, Ismaili ka qenë i angazhuar herë pas here edhe si trajner i lartë i certifikuar në kuadër të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Ismaili gjithashtu ka punuar edhe si ekspert dhe konsultent i institucioneve të ndryshme ndërkombëtare në Slloveni dhe ShBA.

    Guvernatori në ardhje i BQK-së është 39 vjeçar, i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë bashkë me familjen.

    Kujtojmë se deri në zgjedhjen e z. Ismaili, institucionin më të rëndësishëm financiar në vend e ka udhëhequr z. Fehmi Mehmeti, kurse aktualisht BQK udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së Guvernatorit, z. Bashkim Nurboja, i cili paralelisht është edhe kryesues i Bordit të BQK-së.  Këtë institucion do ta udhëheqë z. Ahmet Ismaili në një mandat 5-vjeçar, pas dekretimit nga Presidentja e vendit, sipas procedurave ligjore.

    Rreth Bankës Qendrore të Kosovës

    Më 27 korrik 2010, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin nr. 03/L-209 për “Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), është pasardhëse e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, është subjekt juridik publik bazuar në nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës dhe të dispozitave të këtij ligji, që ka autonomi administrative, financiare dhe menaxhuese.

  • Sot mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë Kosovës

    Sot mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë Kosovës

    Sot duke filluar në orën 10:00, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës.

    Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë personalitetet më të larta shtetërore, përfshirë përfaqësues nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Personalitetet e larta shtetërore dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të ju drejtohen të pranishmëve me nga një fjalë rasti, përderisa në këtë ceremoni do të shpërndahen edhe certifikatat për të diplomuarit.

  • Kështu u zhvilluan dje ngjarjat në kuvendin e Kosovës

    Kështu u zhvilluan dje ngjarjat në kuvendin e Kosovës

    Paraditen e 13 korrikut, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë deputetja Mimoza Kusari-Lila.

    Fillimisht kryeministri, Albin Kurti u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive.

    Rreth dhunës në Kuvend foli edhe vetë Mërgim Lushtaku, i cili tha se reagimi i tij ishte kundër Radojçiqit dhe “argatëve të tij”.

    “Reagimi im ishte kundër Radojçiqit dhe argatëve të tij”, shkroi Lushtaku në Facebook.

    U deshën orë që normaliteti të kthehej në sallën plenare, por edhe pas pauzës përsëri pati tensione në Kuvend, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbajtur fjalimin e hyrjes së seancës, deputetë të opozitës kanë vazhduar të mbajnë të bllokuar foltoren.

    Tensionet në Kuvendin e Kosovës vazhduan ku deputetët opozitarë kanë hedhur sërish ujë dhe shishe ndaj kryeministrit Albin Kurti.

    Të pranishëm në seancë ishin edhe forcat e sigurimit.

    Dhuna që u zhvillua dje në Kuvend u dënua nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila tha se dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.

    Gjithashtu edhe Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas rrahjes që ndodhi djenë Kuvendin e Kosovës, për çka ka thënë se dhuna nuk është mjet për të shprehur mospajtimet.

    Sipas tij, “është për të ardhur keq të shohësh atë që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës”.

    Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka dënuar dhunën që ndodhi sot në Parlamentin e Kosovës midis qeverisë dhe opozitës.

    Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar duke thënë se skenat e dhunës, janë “imazhe jo të mira”.

    Instituti Demokratik i Kosovës që merret me monitorimin e Kuvendit thekson se seanca e së enjtes u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas përleshjeve fizike në Kuvendin e Kosovës, midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit, prokurori i shtetit ka iniciuar hetime për veprën penale “Sulmi” dhe ka autorizuar “policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.

    Kadri Kryeziu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbrëmë në RTV21 tha se imunitet penal s’ka as kryeministri, as ministri dhe Policia ka të drejtë të hyjë në seancë t’i arrestojë.

    “Është njëfarë kundërvajtje penale, që i bjen se mund të dënohen ose do të ketë masa ndëshkuese varësisht prej rrezikshmërisë ose pasojave që kanë pasur deputetët”, tha ai.

    Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës dhe pozitës, është bërë kryetemë e mediave botërore.

    Më shumë detaje për zhvillimet e ditës së djeshme në kuvenin e Kosovës, i gjeni në videon më poshtë:

  • ​Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot qëndron në Kosovë

    ​Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot qëndron në Kosovë

    Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot do të qëndrojë në Kosovë, ku do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe me përfaqësues të institucioneve të sigurisë.

    Fillimisht takim do të ketë me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, ku në ora 9:20 do të kenë konferencë të përbashkët për media.

    Pas konferencës, delegacionin nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të pritet nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Pastaj delegacioni i Belgjikës në AP të NATO-s takon kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionit për Integrime Evropiane.