ATV

Category: Lajme

  • ​Programi i shkëmbimit kreativ, nënshkruhet marrëveshja Kosovë-SHBA

    ​Programi i shkëmbimit kreativ, nënshkruhet marrëveshja Kosovë-SHBA

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe Leutrim Fishekqiu, drejtor i Organizatës Joqeveritare “Autostrada Biennale”, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës: Programi i shkëmbimit kreativ ShBA – Kosovë”, raporton EO.

    Përmes kësaj marrëveshje, artistë botërorë do të vijnë në Kosovë për t’i promovuar veprat e tyre.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se artistë të mirënjohur nga Amerika do të performojnë në Prishtinë, duke e quajtur këtë diplomaci kulturore.

    “Sot e kemi një ditë me interes të veçantë ku po e nënshkruamë një marrëveshje ‘Autostrada Biennale’. Kjo kontratë nënkupton se bashkëpunimet që i kemi pas do të vazhdojnë edhe më tutje në aspektin e artit dhe kulturës ku do të sjellim artistë të mirënjohur amerikan që do të performojnë në kryeqytet”, tha Rama.

    “Do të bëjnë diplomaci kulturore e kështu do të njihemi me këta artistë botërorë”, tha tutje Rama.

    E ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se artistët që do të vijnë në Kosovë, me vete do të sjellin edhe këndvështrime të artit të tyre amerikan.

    Madje sipas tij, ata do të mundohen të krijojnë dialog që synon t’i rrënojë të gjitha barrierat, raporton EO.

    “Me të vërtetë jam i lumtur që dua të theksoj së përmes kësaj marrëveshje do të mundohemi të sjellim një mostër të larmishme të artit amerikan. Artistët cilët do të vijnë në Kosovë, me vete sjellin edhe këndvështrime të artit të tyre”.

    “Gjatë qëndrimit në Kosovë do të krijojnë dhe do të ekspozojnë veprat e tyre prandaj e mirëpres këtë sinergji të ndjenjave amerikane me ato kosovare dhe ata do të angazhohen në tërë vendin”, tha Hovenier.

    “Meqenëse po flasim artit ata do të mundohen të krijojnë dialog që synon t’i rrënojë të gjitha barrierat”, tha tutje Hovenier.

    Drejtor i Organizatës Joqeveritare “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, u shpreh i lumtur me këtë bashkëpunim. Sipas tij, përmes këtyre bashkëpunimeve, po krijohet arti në Kosovë.

  • Festë në familjen Jashari: Diplomon Shaban Jashari i ri

    Festë në familjen Jashari: Diplomon Shaban Jashari i ri

    Pasardhësi i familjes heroike Jashari, Shaban Jashari, ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB.

    Një student i shkëlqyer si Shabani është motiv shtesë për gjithë studentët dhe angazhimin e pakusht nga stafi akademik dhe administrativ i Kolegjit AAB.

    I lumtur për këtë arritje u shpreh vetë ai, ku ndër të tjera tha se studimet në Kolegjin AAB ishin një përvojë shumë e mirë duke marrë parasysh cilësinë dhe korrektësinë që ofrohet nga institucioni për çdo student, pa dallim.

    Ai falënderoi rektorin e Kolegjit AAB Lulzim Tafa për mbështetjen e vazhdueshme, stafin akademik dhe administrativ.

  • ​Mbrojtja e Veselit përfundoi intervistimin e ish-komandant Remit

    ​Mbrojtja e Veselit përfundoi intervistimin e ish-komandant Remit

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe sot ka vazhduar dhënien e dëshmisë së tij para trupit gjykues në Hagë.

    Seanca gjyqësore filloi me parashtrimin e pyetjeve nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili e pyeti atë për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    Rrustem Mustafa pohoi se ishte në dijeni se përveç Azem Sylës, ishin edhe disa anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm që qëndronin jashtë Kosovës.

    Emmerson: A ishit në dijeni asokohe që disa nga anëtarët e shtabit të përgjithshëm përveç Azem Sylës për të cilin biseduam qëndronin jashtë Kosovës për pjesën më të madhe të konfliktit veçanërisht nga nëntori 1998 dhe marsi 1999. ‘Të gjithë qëndronin jashtë vendit me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantit të zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit’. Ju kujtohet që na e dhatë këtë përgjigje, a mund ta e pohoni në seancë publike se përgjigje juaj ishte e saktë dhe unë lexova përgjigje tuaja?

    Mustafa: Po

    Po ashtu, mbrojtja e Kadri Veselit pyeti edhe për pozitën që Azem Syla kishte në UÇK.

    Emmerson: Para Rambujesë, Azem Syla ishte komandanti i përgjithshëm i UÇK-së…

    Mustafa: …..

    Emmerson: Thoni që nuk e dije por a është e vërtetë që Azem Syla qëndronte në Tiranë gjatë gjithë kohës së konfliktit, bazën e ka pas në Tiranë gjatë konfliktit, nuk është dikë që e ke ndeshur në këto gjatë këtyre dy viteve?

    Mustafa: Po

    Emmerson: Dhe nuk ka qenë ushtarak apo jo?

    Mustafa: Ne e kemi llogaritur që ai po punon në logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Emmerson: Logjistikën, pra si komandant në terren personalisht ju nuk e kishit idenë se kush e kishte marr rolin e komandantit të UÇK-së nga Shtabi i Përgjithshëm…

    Pjesa më e madhe e pyetjeve nga avokati Emmerson është bërë në seancën e së premtes.

    Ndërsa aktualisht, ish-komandant Remi po intervistohet nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

    Kjo është dita e pestë e Rrustem Mustafës si dëshmitar në Gjykatën Speciale, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • Gjuajtën me armë zjarri në një aheng familjar, arrestohen dy persona në Gjilan

    Gjuajtën me armë zjarri në një aheng familjar, arrestohen dy persona në Gjilan

    Policia në Gjilan ka njoftuar se ka arrestuar dy persona, pasi të njëjtit kanë gjuajtur me armë zjarri në një aheng familjar.

    Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy armë zjarri dhe tri gëzhoja.

    Ata janë dërguar në stacion policor dhe janë intervistuar, ndërsa më pas ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Njoftimi i plotë:

    Arrestohen dy të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në aheng familjar

    Gjilan, 17 korrik 2023                                                                                                 

    Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, stacioni Policor Gjilan me datën 16.07.2023 rreth orës 14:20 ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në një lagje të qytetit të Gjilanit.

    Njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë vendin e ngjarjes ku kanë takuar dy të dyshuar R.I. (viti i lindjes 1955, mashkull, kosovar shqiptar) dhe F.S. (viti i lindjes 1977, mashkull, kosovar shqiptar) të cilët dyshohet se gjatë një ahengu familjar (dasmë) kanë shtënë me armë zjarri.

    Nga dy të dyshuarit janë konfiskuar dy armë zjarri, njëra e llojit Ëalther e kalibrit 9 mm dhe tjetra e llojit Zoraki 917-T si dhe tri (3) gëzhoja të kalibrit 9 mm. Të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin Policor Gjilan ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

    Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj dy të dyshuarve të ngritët kallëzim penal për veprat penale ,,Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe rasti do të procedohet në prokurorinë themelore.

    Me këtë rast Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan me që jemi në sezonin kur jemi të bashkuar për të ndarë kohë të mirë dhe gëzime familjare, u bënë apel të gjithë qytetarëve për mos përdorim të armëve gjatë këtyre evenimenteve. Në të shkuarën ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellë pasoja tragjike.

    Ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë, andaj ,,Festoni me zemër, jo me armë’’.

  • Çitaku i reagon Kurtit për mospjesëmarrje në takimin në Tiranë: Edi Rama nuk të ftoi në dasmë

    Çitaku i reagon Kurtit për mospjesëmarrje në takimin në Tiranë: Edi Rama nuk të ftoi në dasmë

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka quajtur fëmijërore dhe të papërgjegjshme sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në takimin joformal në Tiranë, për shkak të pjesëmarrjes së tij në një konferencë në Greqi.

    Çitaku ka thënë se si qenka më me rëndësi konferenca në ishujt e Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit në Tiranë.

    “Fëmijërore dhe politikisht e papërgjeshme sjellja e Kryeministrit Kurti. Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në darsëm familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit”, ka shkruar Çitaku.

    Ajo ka shtuar se në takime të tilla nuk duhet të ketë asgjë personale.

    “Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karrshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, ka shkruar Çitaku.

    Ndryshe sot në Tiranë do të mbahet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkani, ku i pranishëm do të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

  • Ish-komandant Remi po vazhdon të merret në pyetje nga mbrojtja e Veselit

    Ish-komandant Remi po vazhdon të merret në pyetje nga mbrojtja e Veselit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.

    Dëshmitari Mustafa në seancën e së hënës ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Ben Emmerson, i cili ka filluar ta marrë në pyetje këtë dëshmitar në sesion e pasdites të së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së mërkurës, të enjtes dhe të premtes.

    Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ​Samiti në Tiranë ‘përze’ Bislimin

    ​Samiti në Tiranë ‘përze’ Bislimin

    Edi Rama vijon përpjekjet paraprake për të mirëpritur në tetor në Tiranë takimin e radhës së Procesit të Berlinit. Pas turit dy ditor në gjithë rajonin, kryeministri shqiptar ka ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor në një drekë informale këtë të hënë në Tiranë.

    Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar: katër kryeministra të rajonit, ajo e Serbisë Bërnabiç, kryeministri maqedonas Kovaçevski, shefi i qeverisë malazeze Abazoviç dhe kryeministrja e Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo. Në takim do të marrë pjesë edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

    Ftesë ka marrë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, por edhe pas përpjekjes së Varhelyi, ai ka zgjedhur të shkojë në një simpozium ndërkombëtar që po mbahet në Greqi, ku Shqipëria prezantohet nga një grup të organizatave joqeveritare të kryesuar nga Remzi Lami.

    Mësohet se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit. Zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit. Kjo gjithmonë nëse Albin Kurti nuk ndryshon mendje në minutë të fundit, dhe lë Greqinë për Tiranën.

    Duket se Kurti vijon të rrijë larg tryezës së Ramës, duke e mbajtur edhe Kosovën larg.

    Këto mbledhje koordinuese kanë për qëllim që rajoni të krijojë një plan të përbashkët veprimi kur në tetor të ulet në tryezë përballë Bashkimit Evropian.

    Veç sigurisë dhe gjeopolitikës në tërësi, Ballkani Perëndimor është i etur për fonde evropiane dhe ato jepen kryesisht për projekte të mëdha që ndërlidhin vendet, ndaj secili shtet nuk mund të shkojë me kërkesat e veta, por me një plan të përbashkët me fqinjët.

    Samiti i Berlinit është një format i nisur nga Gjermania, në të cilin kanë marrë pjesë pa rezerva të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirë edhe Kosovën, që ka qenë një kritike e madhe e Open Ballkan, të cilin Rama për momentin e ka lënë mënjanë. Paradoksalisht tani është Kurti ai që po i qendron larg Procesit të Berlinit, i cili tashmë thuajse ka përcaktuar Tiranën si qendrën kryesore të koordinimit të tij./abcnews.al/

  • Djegia e veturave të autosallonit në Vushtrri, policia del me detaje

    Djegia e veturave të autosallonit në Vushtrri, policia del me detaje

    Një autosallon është përfshirë nga zjarri në Vushtrri ditën e diel. Sipas policisë, aty janë djegur gjashtë vetura tërësisht dhe disa të tjera janë dëmtuar pjesërisht nga zjarri.

    Sipas ankuesit, persona të panjohur i kanë vënë zjarrin veturave. PK-ja ka bërë të ditur se s’ka të lënduar nga incidenti.

    Rasti po hetohet.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    ZJARRVËNIE/Vushtrri 16.07.2023 – 00:57. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur i kanë djegur gjashtë (6) vetura tërësisht dhe disa të tjera janë dëmtuar pjesërisht nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Të lënduar nuk ka, lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

  • Përmbytjet në Korenë e Jugut u marrin jetën të paktën 40 personave

    Përmbytjet në Korenë e Jugut u marrin jetën të paktën 40 personave

    Numri i të vdekurve nga shiu i dendur në Korenë e Jugut është rritur në 40, dhe presidenti i vendit Yoon Suk Yeol fajësoi të hënën autoritetet duke thënë se kanë dështuar të ndjekin protokollet e reagimit ndaj fatkeqësive.

    Mes viktimave ishin dymbëdhjetë individë që humbën jetën tragjikisht në një nënkalim që u përmbyt.

    Që nga e enjtja e javës së kaluar, rajonet qendrore dhe jugore të vendit janë goditur nga reshjet e shiut, duke arritur kulmin e sezonit të shirave që nisi në fund të qershorit.

    Ministria e Brendshme ka raportuar gjithashtu nëntë persona të zhdukur dhe 34 të plagosur në të gjithë vendin.

    Dymbëdhjetë persona humbën jetën në një nënnkalim në qytetin qendror të Çeongju. Incidenti ndodhi të shtunën kur një përmbytje e menjëhershme përfshiu 15 automjete, duke përfshirë një autobus.

    Nëntë presona të tjerë pësuan lëndime.

    Incidenti ka ngritur shqetësime për aftësinë e Koresë së Jugut për të parandaluar dhe reaguar në mënyrë efektive ndaj dëmeve nga përmbytjet.

    Disa përdorues të rregullt të rrugës kritikuan qeverinë për mos ndalimin e hyrjes në nënkalim, pavarësisht parashikimeve për përmbytje.

    Vitin e kaluar, kur reshjet më të mëdha në 115 vjet që shkatërruan Seulin, duke përfshirë distriktin e pasur Gangnam, rezultuan me vdekjen e të paktën 14 personave dhe përmbytje të metrove, rrugëve dhe shtëpive, qeveria u zotua të marrë masa për të trajtuar më mirë fatkeqësitë e shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

    Presidenti Yoon, i cili kohët e fundit u kthye nga një udhëtim jashtë shtetit, bëri thirrje për një takim brenda agjencisë për reagimin ndaj fatkeqësive të hënën. Ai pranoi se situata ishte përkeqësuar për shkak të menaxhimit të dobët të zonave me ndjeshmëri të lartë.

    “Ne kemi theksuar vazhdimisht rëndësinë e kontrollit të aksesit në zonat e rrezikshme dhe zbatimin e evakuimeve parandaluese që nga viti i kaluar. Megjithatë, nëse parimet themelore të reagimit ndaj fatkeqësive nuk respektohen në vend, garantimi i sigurisë publike bëhet i vështirë,” tha Yoon gjatë takimit.

    Ai u kërkoi autoriteteve të bëjnë përpjekje maksimale në shpëtimin e viktimave dhe premtoi mbështetje për përpjekjet e rimëkëmbjes dhe familjet e prekura.

    Ai gjithashtu propozoi përcaktimin e zonave të prekura nga përmbytjet si zona të veçanta të fatkeqësive./REL/

  • Nga Berlusconi tek…/ Miliarderët që u ndanë nga jeta në vitin 2023

    Nga Berlusconi tek…/ Miliarderët që u ndanë nga jeta në vitin 2023

    Sado para të grumbulloni në jetë, një ditë do të vdisni ashtu si gjithë të tjerët. E në vitin 2023 ndërruan jetë disa nga njerëzit më të pasur në botë.

    Megjithatë, nëse ndiqni vetëm ato që raportohen në internet, do të mendonit se kanë vdekur shumë më shumë miliarderë sesa numri aktual.

    Marrim shembull, Hamish Harding, një nga pesë viktimat e shpërthimit të nëndetëses Titan. Pothuajse çdo artikull për vdekjen e tij e quan atë një miliarder.

    Ai ishte i pasur, sigurisht, por Forbes, e cila mban një listë në kohë reale të çdo miliarderi në planet, shkroi se sasia aktuale e pasurisë së tij nuk dihet. Dhe pavarësisht se disa media britanike i referohen si “miliarder”, Forbes në thelb nuk e njeh atë si të tillë.

    Në raste të tjera, si Roberto Ongpin dhe Mario Lopez Estrada, ata ishin padyshim miliarderë në një moment, por vlera e tyre neto kishte rënë në kohën kur vdiqën.

    Dhe disa, si oligarku rus Sergey Grishin, kishin financa kaq të errëta saqë, megjithëse ka shumë të ngjarë që ata të ishin miliarderë, nuk ka asnjë mënyrë reale për ta provuar këtë.

    Ne ju sjellin ata që kishin një pasuri të verifikueshme prej 1 miliard dollarësh në emrin e tyre (dhe shumë më tepër) që vdiqën në 2023.

    Lista:

    -JOSEPH HARDY III

    -TED LERNER

    -BILLY JOE ‘RED’ MCCOMBS

    -THOMAS LEE

    -TOM LOVE

    -MASATOSHI ITO

    -GORDON MOORE

    -SILVIO BERLUSCONI

    -JAMES CROWN