ATV

Category: Lajme

  • Presidenca paralajmëron analizimin e Ligjit për pagën minimale

    Presidenca paralajmëron analizimin e Ligjit për pagën minimale

    Një ditë më parë përfaqësues të veteranëve të UÇK-së kërkuan nga presidentja Osmani që të mos e dekretojë Ligjin për Pagën Minimale, i cili nuk u garanton atyre pension në lartësinë e pagës së re.

    E, në Presidencë thanë se ligji do të analizohet sapo Kuvendi t’ua dërgojë. Ndërkaq, juristët tregojnë rrethanën kur ligji mund t’i kthehet Kuvendit.

    Në Presidencë ende nuk ka shkuar Ligji për Pagën Minimale, i cili nuk ua garanton veteranëve të UÇK-së pensionin në lartësinë e pagës së re.

    Veteranët kërkojnë që presidentja Vjosa Osmani të mos e dekretojë ligjin dhe t’ia kthejë Kuvendit.

    Në institucionin më të lartë të shtetit thanë se ligji do të trajtohet ngjashëm sikur të tjerat që u shkojnë nga Kuvendi.

    “Ligji është ende në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka ardhë në Presidencë. Kur të vjen, do të analizohet sikurse edhe ligjet e tjera”, ka thënë këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.

    Njohësi i çështjeve ligjore, Anton Nrecaj, numëron arsyet të cilat mund të ndikojnë tek presidentja që t’ia kthejë Ligjin Kuvendit.

    Nrecaj rikujton se edhe nëse ligji dekretohet nga deputetët, atij mund t’i kontestohet kushtetutshmëria në Gjykatën Kushtetuese.

    Një numër i madh ligjesh janë rrëzuar në Kushtetuese deri tash, ndërkaq kanë qenë të pakta rastet kur ato i janë kthyer Kuvendit nga presidenti i shtetit. Por presidenti ka të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend vetëm një herë, dhe në rast se përmbajtja e njëjtë i vjen për dekretim, ai nuk mund të refuzohet më.

  • Nuk ka pritje të gjata në pikëkalimet kufitare

    Nuk ka pritje të gjata në pikëkalimet kufitare

    Për shkak të situatës në veri, Qeveria ditë më parë u kishte bërë thirrje bashkatdhetarëve që ta shmangin rrugën nëpër Serbi për të ardhur në Kosovë. Ndonëse në masë më të vogël, bashkatdhetarët edhe këtë vit po e shfrytëzojnë rrugën nëpër Serbi.

    Megjithatë, shfrytëzimi më i pakët i kësaj rruge, ka bërë që në pikëkalimin kufitar në Merdar të mos ketë pritje të gjata.

    Bashkatdhetari Safet Mehmetaj, kaloi përmes pikëkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdar. Ai arriti në Kosovë pas shumë orë në rrugë nga Gjermania.

    Megjithatë, rruga e mërgimtarëve për të ardhur në Kosovë nuk është e lehtë. Endrit Bullatovci, që ka ardhur nga Gjermania, flet për vështirësitë e kësaj rruge të gjatë.

    “Jo të gjithë i shfrytëzojnë makinat për të ardhur në Kosovë. Të tjerë zgjedhin të vinë me autobus”, ka thënë Bullatovci.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të hyrë dhe për dalë nga Kosova, si në Merdar, ashtu edhe në pikëkalimet tjera kufitare nuk janë më të gjata se 5 minuta.

    Pas tensioneve në veri të vendit, Qeveria u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i shmangin pikëkalimet kufitare me Serbinë, për të shmangur çfarëdo incidenti, dhe t’i shfrytëzojnë rrugët tjera alternative për udhëtim.

  • Evropa “pushtohet” nga vapa përvëluese, ekspertët ngrejnë alarmin: Temperaurt do të shkojn në 50°C

    Evropa “pushtohet” nga vapa përvëluese, ekspertët ngrejnë alarmin: Temperaurt do të shkojn në 50°C

    Prej disa ditësh e gjithë Europa është përfshirë nga një masë e të nxehtit afrikan, por sipas ekspertëve vala përvëluese pritet të vijojë edhe përgjatë javës së ardhshme edhe në të tjera shtete të botës.

    Eksperët paralajmërojnë rritje temperaturash të cilat në disa shtete pritet të arrijnë në 50 gradë celcius.

    Lajmin e kanë bërë të ditur mediate huaja, sipas të cilave Evropa Jugore dhe Afrika Veriore do të “pushtohen” nga moti i nxehtë.

    Temperaturat në këto vende do të arrijnë kulmin rreth 45 gradë celsius, por pjesë të Afrikës veriore mund të arrijnë edhe 50 gradë Celsius.

    Pjesët jugore të SHBA-së dhe Meksika veriore do të vuajnë gjithashtu temperatura shumë mbi mesataren për pjesën më të madhe të javës së ardhshme. Temperaturat atje do të jenë rreth 40 gradë Celsius dhe nuk do të zbresin nën 30C.

    Në Kanada parashikohen stuhi të forta, të cilat sjellin tornado, breshër dhe shi të dendur.

    India, nën-kontinenti dhe pjesët perëndimore të Mianmarit do të përfshihen nga reshje të dendura shiu, deri në 50 cm në pesë ditë.

    Kina jugore do të ndjejë efektet e stuhisë tropikale Talim, e cila ka të ngjarë të zbresë në tokë pranë provincës Hainan të hënën vonë ose herët të martën.

    Më shumë përmbytje të lumenjve ka të ngjarë të ketë në Korenë e Jugut. Shira të dendur priten gjithashtu në Japoninë e afërt.

  • Punëtorët e sektorit publik, ende në pritje të shtesave

    Punëtorët e sektorit publik, ende në pritje të shtesave

    Punëtorët e sektorit publik s’e kanë marrë asnjë shtesë në pagë, nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat, në shkurt të këtij viti.

    Derisa po presin tash e pesë muaj që t’i marrin në mënyrë retroaktive, ekzekutivi nuk ka konfirmuar se a do t’i marrin shtesat për pesë muaj menjëherë, pasi komisionet t’i përfundojnë shqyrtimet.

    “Në momentin kur komisionet e përcaktojnë, Qeveria dhe ministritë përkatëse do të dalin me njoftimet se çfarë do të ndodhë”, kishte thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Pritjen kaq të gjatë për shtesat, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, e vlerëson të pakuptimtë, derisa shton se po bëhet padrejtësi me zyrtarët policorë.

    “Një komision me punu për kaq shumë muaj, këtu duket që nuk ka një seriozitet të punës…”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    Ndërkaq, 35 zyrtarë policorë dhe staf civil, në mënyrë vullnetare, kanë dhënë dorëheqje për shkak të pakënaqësive lidhur me shtesat, që nga fillimi i këtij viti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Spitali i Gjakovës në kushte të mjerueshme

    Spitali i Gjakovës në kushte të mjerueshme

    Mungesa e klimatizimit në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë është shndërruar në një shqetësim për pacientët.

    Si rrjedhojë, ata kritikojnë drejtorinë e spitalit për mosrregullimin e kushteve elementare në spital.

    “Ka mungese te klimave. Ata veç rrejnë. Veq rrejn rrejn ska sen ktu”, thotë një pacient.

    “Duhet me u rregullu me punu mashum”, tha një familjar.

    Përveç kushteve të dobëta, tashmë aty po hyjnë dhe po dalin edhe kafshë shtëpiake. Në pamjet e ATV-së shihet një mace që shëtitet në ambientet e brendshme të këtij institucioni.

    Ndërkohë, për këtë situatë, ATV-ja ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga drejtori i spitalit, Jeton Zarari, por ky i fundit u tregua jobashkëpunues përmes thirrjes telefonike.

    “Nuk ju la me hi se masnej po vijnë televizionet e gazetat. Plot kanë ardhë po s’i kom leju. E maca keni pa, s’po di, nuk është problem”, tha Zarari.

    Pas disa orë insistimi për të pasur një sqarim për këtë situatë, drejtoria e ShSKUK- së, përmes një përgjigje me shkrim, ka bërë të ditur se këshilli drejtues i spitalit do të hapë një tender për blerjen e klimave.

    “Lidhur me klimat ekzistuese në Spitalin e Gjakovës, kemi kontraktuesin për riparimin e klimave, të cilët i kanë rregulluar 80% të aparateve klimatike të spitalit. Mirëpo, kanë gjetur afër 17 sosh të cilat nuk riparohen dhe duhet ndërruar. Këshilli drejtues i spitalit ka marrë vendim për hapjen e tenderit për blerjen e disa klimave të reja dhe është në procedurë”, thuhet në sqarimin nga SHSKUK.

    Sipas tyre, po vazhdon mbikëqyrja e mungesave eventuale nëpër reparte të spitalit. ATV-ja ka raportuar edhe muaj më parë për kushtet jo të mira që po e shoqërojnë këtë spital. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Prishtina e Ferizaj në hall me mbeturinat

    Prishtina e Ferizaj në hall me mbeturinat

    Hedhja e mbeturinave vend e pa vend është kthyer në një zakon në Prishtinë.

    Një gjende e tillë tash e sa ditë është në rrugën “Sylejman Vokshi”, fare pranë sheshit “Zahir Pajaziti”.

    Mbeturina nëpër tokë shihen edhe në rrugët e tjera në qendër të kryeqytetit.

    “Është zakonisht shqetësuese pamja me këto mbeturina. Ka nevojë kjo popullatë me u vetëdijesu. Sidomos gjatë ardhjes së mërgimtarëve niveli i mbeturinave rritet se mërgata blejnë sene shumë e ato dikun hidhen”, thotë një qytetar.

    Ndërkohë, nga Kompania Regjionale e Mbeturinave në Prishtinë, përmes një përgjigje me shkrim i kanë thënë ATV-së, se në muajt e verës ka më shumë telashe në mbarëvajtjen e situatës me mbeturina.

    “Meqenëse jemi në muajin korrik dhe afër muajit gusht në Prishtinë kemi rritje apo dyfishim të mbeturinave. Kjo për shkak edhe të numrit të madh të mërgimtarëve. Sa i përket përgjegjësisë qytetare në hedhje të mbeturinave më shumë kemi shqetësime tek hedhja e mbeturinave inerte dhe të vëllimshme të cilat shkaktojnë prishje në kamionët tanë gjithashtu e zënë vendin për hudhjen e mbeturinave ushqimore apo ditore. Ne vazhdimisht jemi në kapacitete të plota të punës në operimin e përditshëm. Ne operojmë 24 ore për 7 ditë të javës”, tha Petrit Reçica, kryeshef ekzekutiv në KRM “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë.

    Hiç më e mirë gjendja nuk është as në Ferizaj.

    Në segmentin rrugor “12 qershori”, kjo pjesë e cila është ndër më të frekuentuara vazhdon të jetë e mbushur me mbeturina nëpër tokë.

    Edhe në këtë qytetet, qytetarët kanë shprehur shqetësimet e tyre.

    “Papastërtia po është shumë e keqe. Po kanë faj qytetarët që nuk po i gjuajnë në kontenjera. Kena qytetar të pakulturun”, tha një qytetar.

    “Mbeturina ka nëpër qytet është kultura në nivel të ulët. Duhet mos me u gjujt cigare dhe letra në tokë”, tha një qytetar.

    Se me ardhjen e mërgimtarëve dhe sezonit veror, vështirësohet menaxhimi i mbeturinave, e thonë edhe nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastërtia” në këtë komunë.

    “Me ardhjen e verës dhe mërgimtarëve është rrit edhe niveli i mbeturinave. Ne si kompani i kemi marrë masat që me i dal ball kësaj situate”, tha Naim Nuhiu, shef ekzekutiv në KRM “Pastërtia”, Sh.A-Ferizaj.

    Sipas kompanive të pastrimit, problem tjetër vazhdon të jetë mungesa e kontejnerëve, për të cilat komunat kanë premtuar se së shpejti do të rrisin numrin e tyre. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shëtitorja e përkohshme e Fushë Kosovës, rruga “Dardania” shndërrohet në shesh për qytetarët

    Shëtitorja e përkohshme e Fushë Kosovës, rruga “Dardania” shndërrohet në shesh për qytetarët

    Që nga dje segmenti rrugor këtu në rrugën “Dardania”, në Fushë Kosovë është kthyer në një shëtitore për lëvizjen e lirë të këmbësorëve, ndërkohë për automjete është i ndaluar nga ora 20:00 deri në mesnatë.

    Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli tha se kjo po bëhet me qëllim që të kenë mundësi më të madhe qytetarët që të kalojnë kohën jashtë në hapësirat publike.

    “Disa vite radhazi kjo rrugë i plotëson kushtet që qytetarët ta shfrytëzojnë atë në orët e vona të mbrëmjes për ecje”, tha zëdhënësi në Komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli.

    Teksa shenja e vendosur ndalon lëvizjen e automjeteve përfshirë edhe taksitë, Topalli tha se të drejtë qarkullimi kanë autoambulancat në rastet urgjente.
    “Taksitë tani do të jenë në rrugët periferike, anësore ku do të punojnë në atë pjesë, ndërkohë kjo rrugë lejohet vetëm për autoambulancat në raste emergjente”, tha Topalli.

    Ky vendim po mirëpritet nga qytetarët.

    “Është shumë e qëlluar, mendoj se ksi ka vetëm në Fushë Kosovë. I përshtatet si të rejave e të rinjëve e po ashtu edhe të vjetërve”, tha një qytetar.
    Por një qytetar thotë se ka raste kur ky vendim shkelet.

    “S’respektohet edhe pse është shëtitore, hyjnë knena e andej kush se kqyr shenjën”, tha një tjetër qytetar.

    Ndryshe, nga Komuna e Fushë Kosovës bëjnë të ditur se policia do të jetë prezentë për mbarëvajtjen e sigurisë në atë pjesë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Turistët e huaj e vendasit po i përballojnë temperaturat e larta

    Turistët e huaj e vendasit po i përballojnë temperaturat e larta

    Nga 35 deri në 37 gradë celsius janë temperaturat maksimale këto ditë në Kosovë.

    Pavarësisht temperaturave të larta, moti i nxehtë nuk po i ndalon turistët e huaj ta vizitojnë Kosovën. Një të tillë e takuam në pishinën e Gërmisë, në të dielën më të nxehtë të këtij viti.

    “Është hera e parë që po e vizitoj Kosovën, por edhe Ballkanin, është një vend shumë i mirë, moti këto ditë është shumë i nxehtë, por ne jemi nga Kotor, Kotor është një vend më i nxehtë se Kosova, e që nuk e kemi problem, gjithashtu vendet atraktive që ka Kosova, po bëjnë që të harrojmë të nxehtin që po mbizotëron këto ditë”, tha Burak Atilkan, turist.

    Për dallim nga ata që kalojnë gjithë ditën në pishinë, një qytetar tregon se aty shkon vetëm paradite.

    “Po e përballojmë të nxehtit që po mbizotëron këto ditë, pasi që si të kryhet shkolla e notit i iku vapës së madhe dhe kthehem në shtëpi”, tha një qytetar.

    Në anën tjetër ka turistë edhe në qytet, të cilëve më shumë u bën përshtypje qyteti sesa i nxehti.

    “Këtu moti është pak nxehtë, por që po e përballojmë dhe se nuk e kemi problem, pasi që po bëjmë kujdes më të shtuar për shëndetin tonë kur ka temperatura më të larta, e që moti nuk po na ndalon të vizitojmë vendet e bukura që ka shteti i Kosovës”, tha Lena Dushk, turiste.

    Gjatë 24 orëve të fundit, në Klinikën e Pediatrisë 140 fëmijë kanë kërkuar ndihmë mjekësore si shkak i temperaturave të larta. Për kujdes të shtuar nga rrezet drekte të diellit kanë bërë thirrje edhe nga Instituti Hidrometeorologjik. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 5 aksidente tren – veturë brenda gjashtë muajsh, shkaku kryesor është mungesa e sinjaleve ndriçuese

    5 aksidente tren – veturë brenda gjashtë muajsh, shkaku kryesor është mungesa e sinjaleve ndriçuese

    Brenda gjashtë muajve të këtij viti, në Kosovë kanë ndodhur 5 aksidente mes një treni dhe një veture. Në 2 raste, përveç dëmeve materiale, aksidentet përfunduan me fatalitet.

    Mungesa e sinjaleve ndriçuese është shkaktari kryesor për aksidente, numri i të cilëve vlerësohet se po rritet.

    “Moskoordinimi me sinjalet ndriçuese, ose mungesa totale e sinjaleve ndriçuese në rrugë, ku është dashur t’i kemi semaforët, te rruga ku kalon treni dhe t’i kemi sinjalizimin vertikal, te transporti mbi goma larg, por gjithsesi të jenë me barriera, aty ku ka frekuentim të automjeteve sidomos në zonën e qytetit, gjithsesi të ketë barriera”, tha eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

    Qytetarët, të cilët duhet të kalojnë përmes hekurudhës ndihen të rrezikuar.

    “Kjo rrugë për mendimin tim është e rrezikshme, për shkak që nuk ka të vendosura barriera, edhe pse numri i trenave për të kaluar në këtë pjesë, është i ulët, por që janë shumë të shpejtë dhe të rrezikshëm. Në këtë pjesë numri i veturave që kalojnë është i lartë dhe nuk kemi mundësi të shohim kur kalon treni, pasi që nuk ka sinjalizues dhe ndihemi të rrezikuar gjithmonë”, tha një qytetar.
    “Këtu është rrezik për shkak që nuk ka barriera. Këtu shpeshherë kanë ndodhur edhe aksidente, ku treni e ka goditë veturën”, tha një tjetër qytetar.

    Sipas të dhënave të Policisë, gjatë vitit 2022 në Kosovë, janë raportuar 8 aksidente mes një treni dhe një veture, ndërkaq gjatë vitit 2021, 13 aksidente. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 110 milionë euro investime kapitale, sipas ministrit Murati

    110 milionë euro investime kapitale, sipas ministrit Murati

    Disa ditë më parë, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka publikuar deklarimin e 3 mujorit të dytë të vitit 2023 për Investime Kapitale. Sipas tij, ky tremujor ka shënuar nivelin prej 110 milionë euro, më i larti i regjistruar në vitet e fundit.

    Deklarimet e Muratit, po konsiderohen të pavërteta nga deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Ministri i Financave, tentoj që tre mujorin e dytë të këtij viti ta paraqes si të suksesshëm. Por kishte harruar që ti shihte dhe ti krahasonte edhe tre mujorin e parë të këtij viti, duke përfshirë pra gjashtë mujorin e parë të këtij viti dhe ti krahasoj me vitet e kaluara. Nëse e shihini si të tillë, gjashtë mujori i parë i këtij viti në investimet kapitale sipas vetë raportit të ministrit të financave është diku rreth 150 milion euro. Por nëse e krahasoni po marr shembull me vitin 2017 investimet kapitale në gjashtëmujorin e parë të viti 2017 ishin 160 milion euro, pra ishin më të larta se sivjet, ndërsa në vitin 2018 ishin 182 milion euro”, tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

    Përveç deputetëve të LDK-së, edhe nga Aleanca nga Ardhmëria e Kosovës thonë se Qeveria po mashtron me shifra dhe rritje ekonomike.

    “Kjo është Qeveri e mashtrimeve dhe po mashtrojnë edhe me shifra edhe me rritje ekonomike edhe me norma ekonomike. Sepse kur analistët e caktuar dhe kur ekspertët e kësaj lamije po e thonë po del krejt e kundërta, ata po mundohen me shifra sikurse në çdo dikaster edhe në këtë dikaster po merren me mashtrime dhe po mashtrojnë opinionin e gjerë, sepse nuk ka investime të huaja, sepse në një vend me krizë të tillë politike nuk vjen askush të investoj dhe kjo është e ngjitur nga Albin Kurti dhe LVV-ja”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

    Kadrijaj për më tepër thotë se si shkak i situatës së krijuar në veri, Qeveria po minimizon dëmet e shkaktuara në investime kapitale.

    “Nuk i kam parë këto shifra ende e do t’i studioj, nuk qëndron kjo e vrertët, sepse shqetësim për ne por edhe në takimet që i kemi pasur edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it por edhe takime jashtë vendit kemi thënë që është shqetësues që niveli i investimeve të huaja në Kosovë ka rënë dukshëm sepse as ush nuk dëshiron në një vend ku shihet potencialisht që do të ketë krizë ose që do të ketë luftë. Kjo qeveri me këtë krizën që e ka krijuar po mundohet në këtë formë ti minimizojë dëmet që i ka shkaktuar vendit”, tha Kadrijaj.

    Mos efikasiteti në realizimin e investimeve kapitale, ka qenë një nga problemet e mëdha të Qeverisë Kurti II. Në tre mujorin e parë, rreth gjysma e ministrive,
    kishin zero përqind investime kapitale të realizuara, kurse pjesë tjetër ishte po ashtu në përqindje shumë të vogël.

    Efikasitet të ulët në realizimin e investimeve kapitale ka edhe në disa komuna të Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: