ATV

Category: Lajme

  • Oficeri britanik vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Oficeri britanik vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë e tij edhe gjatë seancës së të mërkurës.

    I njëjti është në cilësinë e dëshmitarit të 14-të me radhë në këtë çështje gjyqësore e cila ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Gregory Kehoe, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Ndryshe i njëjti është përgjigjur gjatë seancës së djeshme në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Kehoe.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët dhe dëshmitari që të flitet ngadalë në mënyrë që të mund të përkthehet dhe të mbahet në rregull transkripti.

    Tutje ka deklaruar se përveç se i është miratuar kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për zgjatjen e numrit të fjalëve për një kërkesë të prokurorisë, pranohet shtimi i numrit të fjalëve edhe për përgjigjet e mbrojtjes për kërkesën e ZPS-së.

    Më tej, trupi gjykues me kërkesë të mbrojtësit të viktimave ka ri-urdhëruar klasifikimin si publik të urdhrit gojor të bërë në seancë private për kërkesën për marrje në pyetje të një dëshmitari, ku kanë urdhëruar redaktimin e emrit të viktimës.

    Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja që deri më 28 korrik të komunikojë se cilët janë pesë dëshmitarët e radhës kurse ka urdhëruar mbrojtjen të rishikojë kohën për kundër-pyetje për këta pesë dëshmitarë deri më 4 gusht.

    ‘‘Koha e vlerësuar për mbrojtjen mund të cenojë shpejtësinë e procesit gjyqësor dhe vlerësimi i saktë i kundër-pyetjeve është e rëndësishme’’, tha gjykatësi.

    Në vazhdim është dhënë urdhër me gojë lidhur me kundërshtimet për pyetjet që bën trupi gjykues.

    Ai tha se rregulloja nuk parasheh mundësinë e kundërshtimeve të pyetjeve gjyqësore por se trupi gjykues mund të pranojë kundërshtimet e tilla që kjo më pas të ngritët në nivel apeli.

    ‘‘Kundërshtimet duhet të bëhen në përputhje me kodin e sjelljes profesionale dhe urdhrin e trupit gjykues për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe vendimin e apelit lidhur me pyetjet gjyqësore’’, tha gjykatësi Smith.

    Po ashtu sipas tij, pyetjet nuk duhet të mbajnë komente dhe se trupi gjykues do vendos për kundërshtimet për pyetjet gjyqësore.

    I njëjti tha se trupi gjykues ka vlerësuar se pyetjet e mbrojtësit të Veselit gjatë ditës së djeshme kanë kaluar përtej sjelljes së duhur gjyqësore.

    Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Kurti përkujton 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit

    Kurti përkujton 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit.

    Sipas tij, në këtë ngjarje u masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.

    “Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

    “Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, ka thënë ai tutje.

    Sipas tij, për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelohet Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit”, ka thënë më tej Kurti.

    “Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar ai.

  • Rasti “Gylenistët”, ish-shefi i AKI-së dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim

    Rasti “Gylenistët”, ish-shefi i AKI-së dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashin lidhur me rastin e njohur si “Gylenistët”.

    Gashi, sipas gjykatës, është dënuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe me dënim plotësues ndalimin e ushtrimit të funksionit në administrate publike apo funksioneve në shërbime publike në kohëzgjatje prej 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Ndërsa, nga akuza është liruar Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani. Krsniqi është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe Sylejmani është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.

    Përfaqësuesit e autorizuar të palëve të dëmtuara për realizimin e kërkesave pasurore juridike, udhëzohen në kontestin civil.

    Kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatës, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Epopeja e Rahovecit, Haradinaj: Atë ditë iu dha mesazh i qartë armikut për vendosmërinë e shqiptarëve për liri

    Epopeja e Rahovecit, Haradinaj: Atë ditë iu dha mesazh i qartë armikut për vendosmërinë e shqiptarëve për liri

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët në Epopenë e Rahovecit në 25-vjetorin e saj. 

    Haradinaj ka thënë se Epopeja e Rahovecit i kishte dhënë mesazh të qartë armikut.

    “Epopeja e Rahovecit, e vitit 1998, i dha mesazh të qartë armikut për vendosmërinë e shqiptarëve që të jetojnë të lirë në trojet e tyre”, ka thënë HAradinaj.

    Ai ka kujtuar të rënët e asaj dite.

    “Heroizmi i bashkëluftëtarëve në ato ditë korriku mbetet i paharruar, ashtu siç mbetën të përjetësuar emrat e tyre: Hamdi Berisha, Habib Berisha, Agim Qelaj, Gani Paçarizi, Avdullah Bugari, Agim Kelmendi, Bujar Buzhala, Afrim Krasniqi, Sadik Shala, Ramadan Morina, Faik Rama, Gëzim Hamza, Mizair Isma, Remzi Ukshini, Liman Gegaj, Arian Brahimi, Bekim Isma, Bajram Veliu, Samir Nurkasa, Eshrefedin Kastrati, Gëzim Mullabazi, Xhafer Nurkasa dhe Xhevat Kasapiz

    Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Haradinaj.

  • Berisha: U tmerrova nga veprimi i Rasim Malokut, ka inate personale me mua

    Berisha: U tmerrova nga veprimi i Rasim Malokut, ka inate personale me mua

    Avokati Besnik Berisha ka thënë se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka shkelur ligjin me rastin e arrestimit të tij të enjten e javës së kaluar.

    Berisha tha se prokurori Rasim Maloku ka inate personale me të dhe se ka kërkuar që seanca dëgjimore të mbahet e hapur, kjo sipas tij, nuk i mundësua. Berisha tha se prokurori i ka keqpërdorur një deklaratë të prindit të klientit të tij.

    Berisha ka thënë se prokurori Maloku ka kamufluar me deklaratën e dëshmitarit Kajtaz Sinani.

    “Ai u detyrua me insistimin tonë që të lexonte deklaratat mbi të cilat mbështeste dyshimin e bazuar dhe jam tmerru kur e kam dëgju duke lexuar deklaratën e një burri si Kajtaz Sinani, të cilën aq keq e kishte kamufluar dhe kishte vënë trillimet e tij. Ky është krimi që e ka bërë Rasimi. Deklaratën e një njeriu që e thotë të vërtetën, e kamuflon dhe thotë që gjatë muajve tetor-dhjetor Besnik Berisha ka kërkuar x-y shume për të ndikuar në vendimmarrje juridike”.

    “Prokurori është dashur që së paku ta gjej një provë, një dëshmitar që Besnik Berisha ka kërkuar ndonjë ryshfet. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur dhe ai e lexoi mbi atë që është bazuar dhe unë jam befasuar me atë që e ka lexuar”.

    “Prokurori nuk kishte autorizime për t’më arrestuar mua, prokurori ka manipuluar me prova”, u shpreh ai. Unë kam kërkuar të përballem me provat, prokurori u arsyetua se nuk i ka me vete. Unë ja kam përmend urdhërat nga pushteti, i kam thënë unë jam arrestuar për shkak të fjalës sime në televezion… Prokurorit ja kam bo me dije që unë marrë veprime të ligjshme… Unë e kuptova që jam para tij për shkak të inateve personale, kritikave të mia publike për ministren për prokurorin”, u shpreh ai ndër të tjera.

    “Kinse unë e paskam udhëzuar klientin tim që mos ta pranojë fajësinë se mund të dënohen”, tha tutje Berisha.

  • 44 aktakuza kundër 50 personave, për vepra të ndryshme penale

    44 aktakuza kundër 50 personave, për vepra të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se nga prokuroritë Themelore janë ngritur dyzetekatër (44) aktakuza kundër pesëdhjetë (50) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar njëzetenjë (21) persona, si dhe pranë gjykatave kompetente janë parashtruar pesë (5) kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj pesë (5) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dymbëdhjetë (12) persona, ka paraqitur tri (3) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave, si dhe ka ngritur njëzetenjë (21) aktakuza kundër njëzetekatër (24) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, dy (2) persona të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e arrestit shtëpiak për një (1) person të dyshuar. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur nëntë (9) aktakuza kundër njëmbëdhjetë (11) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, tre (3) persona të dyshuar, në tri raste të ndara.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorëve kujdestar, ka ndaluar dy (2) persona në kohëzgjatje prej 48 orëve, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktim paraburgimi për një (1) person, si dhe ka ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër dhjetë (10) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur katër (4)  aktakuza kundër pesë (5) personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Dyshimet për keqpërdorim? Hajdari: Nuk e di që jam nën hetime

    Dyshimet për keqpërdorim? Hajdari: Nuk e di që jam nën hetime

    Dyshimet për keqpërdorim, Hajdari: Nuk e di që jam nën hetime

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi se nuk ka informata që është nën hetime.

    Ajo shtoi se nuk është ftuar në intervistim nga Prokuroria.

    “Unë nuk jam ftuar asnjëherë nga askush për ndonjë hetim… Jo, nuk e di (që jam nën hetime)”, tha ajo.

    Kështu u shpreh ajo pas realizimit të verifikimin periodik të peshoreve shumëtonëshe në mullirin “Albatros” në fshatin Torinë.

    Së fundmi është raportuar se ministrja Rozeta Hajdari është duke u hetuar nga task-forca antikorrupsion në Policinë e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Hajdari dyshohet se ka keqpërdorur rezervat shtetërore, në lidhje me blerjen e miellit dhe vajit dhe se është dëmtuar buxheti i shtetit. /kp

  • Përleshje në Prishtinë: Lëndohen tre persona, arrestohen pesë

    Përleshje në Prishtinë: Lëndohen tre persona, arrestohen pesë

    Tre persona janë lënduar si pasojë e një përleshje e cila ka ndodhur rreth orës 20:00 në Prishtinë në rrugën “Ibrahim Luftiu”, në afërsi të gjimnazit “Sami Frashëri”. Ndërsa janë arrestuar pesë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se është raportuar se gjatë përleshjes është përdorur edhe një armë zjarri, e cila është konfiskuar.

    “Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, janë rrahur në mes vete. Me vendim të prokurorit të dyshuarit, katër janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri do të dërgohet në vuajtje të dënimit pasi që, kishte urdhër arrest nga gjykata”, thuhet në raport.

  • Kanosi dy prokurorë, arrestohet dhe ndalohet pejani

    Kanosi dy prokurorë, arrestohet dhe ndalohet pejani

    Policia e Kosovës ka arrestuar në Pejë një person të dyshuar për kanosje ndaj dy prokurorëve.

    Në një njoftim për media bëhet e ditur se Drejtoria Rajonale e Policisё Pejё, më 14 korrrik rreth orёs 19:20, ёshtё informuar se nё rrugën “Mbretёresha Teutё”, i dyshuari ka kanosur pёrmes telefonit dy prokurorë tё shtetit.

    “Policia menjëherë ka marrё masat e nevojshme duke kërkuar tё dyshuarin (i njohur pёr Policinё), nё vendbanimin e tij, mirёpo i njëjti nuk ёshtё hasur nga Policia”, thuhet në njoftim derisa bëhet e ditur se pas njё pune intensive tё hetuesve tё Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP Pejё, ёshtё arritur tё identifikohet lokacioni i personit tё dyshuar dhe i njëjti ёshtё arrestuar.

    Lidhur me rasti ёshtё njoftuar Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar qё i dyshuari tё ndalohet pёr 48- orё.

  • Mot me diell sot dhe nesër, këto janë temperaturat

    Mot me diell sot dhe nesër, këto janë temperaturat

    Dita e sotme në vendin tonë pritet të ketë mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Ferizaj me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 35 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Pejës me 18 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Pprizreni me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, edhe në Shqipëri pritet të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 40 gradë Celsius. /atvlive.tv//atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme: