ATV

Category: Lajme

  • Veç në qershor në Prishtinë 39 raste të dhunës në familje

    Veç në qershor në Prishtinë 39 raste të dhunës në familje

    Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, ka konfirmuar se veç në muajin qershor në kryeqytet janë raportuar 39 raste të dhunës në familje.

    Sipas saj, numri i rasteve ka shënuar rritjen në krahasim më vitin e kaluar kur ishin raportuar 17 raste të tilla. Madje Sahiti shton se institucionet duhet të ndërmarrin politika që ta parandalojnë këtë fenomen.

    “Kur jemi te rastet e dhunës në familje, fatkeqësisht kemi një trend në rritje nga viti në vit. Tani që po flasim në statistikat e fundit që i posedojmë për këtë vit është shtuar dukshëm numri i rasteve të dhunës në familje. Nëse bëjmë një paralele në krahasim me vitin e kaluar të gjashtëmujorit të parë tani kemi 39 raste që janë raportuar vetëm përgjatë muajit qershor të dhunës në familje që vitin e kaluar e kishim një situatë tjetër; ishin shtatëmbëdhjetë raste të cilat i kishim të paraqitura në Qendrën për Punë Sociale, kështuqë ky është një tregues që me të vërtetë po shtohen rastet e dhunës në familje, është diçka shumë e dhimbshme”.

    “Por ne si institucione paralelisht, si institucione të nivelit lokal dhe ato të nivelit qendror duhet të bashkohemi dhe të ndërmarrim politika të cilat tregojnë mirëfilli që duhet ta parandalojnë këtë fenomen”.

    Ajo ka përmendur një varg masash që duhet të ndërmerren, duke filluar nga sic ka thënë edukimi i brezave të rinj se dhuna nuk është mjet për të zgjidhur asnjë kontest.

    Sipas saj, duhet që të punohet edhe në procesin e trajtimit dhe të rehabilitimit të këtyre viktimave dhe integrimin e tyre në shoqëri përmes trajnimeve, punëtorive, work-shopeve duke i ndihmuar të krijojnë start-upet të vogla.

    “… si bëhet kjo, bëhet duke edukuar breza të rinj, duke shkuar në shkolla, duke u treguar fëmijëve tanë se dhuna nuk është mjet për të zgjidhur asnjë kontest që mund të kemi, asnjë telashe që mund ta kemi me dikë. E pastaj të të punojmë edhe në procesin e trajtimit dhe të rehabilitimit të këtyre viktimave e ne në këto komponentë jemi duke mjaftueshëm, e sidomos në komponentet e fundit, prandaj po them që çalojmë në komponentë e parë; në parandalim dhe po punojmë mjaftueshëm si kryeqytet, jemi edhe model në Kosovë duke ofruar këtë ndihmesë financiare për herë të parë për viktimat e dhunës në familje dhe po shohim që këto viktima kanë filluar ta marrin jetën e tyre në duar dhe paralelisht me këtë ne jemi duke synuar që këto gra, këto zonja të cilat kanë pasur dhunë në familje të integrohen në shoqëri përmes trajnimeve, punëtorive, work-shopeve duke i ndihmuar të krijojnë start-upet të vogla”.

    Ajo foli për mbështetjen financiare që Komuna e Prishtinës po u jep viktimave të dhunës në familje si dhe bashkëpunimin që kjo komunë ka me organizatat e shoqërisë civile, përcjell Ekonomia Online.

    Drejtoresha Sahiti ndër të tjera tha se 305 mijë euro janë ndarë për këto organizata në mënyrë që të ofrohen shërbime sociale direkte në kryeqytet për këto raste.

    “Kryeqyteti për herë të parë ka ndarë 305 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë shërbime sociale në kryeqytet, shërbime direkte sociale dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne sepse kemi arritur të mbështesim 36 organizata. Tani jemi në fazën e ankesave ku priten të shqyrtohen edhe të tjera organizata të cilat ankohen meqë e kanë afatin e fundit për t’u ankuar në rast se vlerësojnë se i kanë pasur dokumentet e duhura për të qenë pjesë e thirrjes, për të përfituar nga thirrja jonë publike dhe çka është e rëndësishme të potencojmë është se për herë të parë i kemi nëntë programe të reja të cilat jemi duke i mbështetur si kryeqytet e që fokusin kryesor e kanë tek gratë të cilat kanë pasur dhunë në familje, për t’i mbështetur ato financiarisht, për t’i avancuar ato në kuptimin e profesionit e gjetjes së një profesioni për t’i ndihmuar ato që të pavarësohen në mënyrë që të mos detyrohen që të kthehen tek dhunuesi edhe një herë. Kjo ka qenë primare dhe shumë e rëndësishme edhe në çdo paraqitje që e kemi pasur si drejtori”.

    Ajo ka treguar se që nga nëntori i 2022-ës është marrë vendim që viktimat e dhunës në familje të financohen me një pako prej 500 euro për muaj që supozon të përfshijë pagesën e qerasë, të kushteve të jetesës dhe për fëmijë në rast se viktima ka dhe i merr me vete.

    “Kryeqyteti në fund të vitit të kaluar, në nëntor të 2022-ës, siç edhe e dini ka marrë një vendim shumë të guximshëm dhe të parin në vend në asamblenë komunale për t’i mbështetur financiarisht viktimat e dhunës në familje në një pako prej 500 euro në muaj. Fatkeqësisht rastet e dhunës po rriten, po rritet edhe raportimi i tyre ndoshta edhe është rritur vetëdija, ky është një tregues që është ngritur vetëdija për mos ta duruar dhunën si mjet të cilin e përdorin njerëzit e ndryshëm fatkeqësisht, dhe ne po i mbështesim financiarisht këto zonja, i kemi deri më tani shtatë gra të cilat i kemi mbështetur dhe jemi vetëm në muajin korrik dhe po shpresoj dhe po uroj shumë që mbështetja jonë do të përfshi sa më shumë gra të cilat kanë pasur dhunë”, tha ajo, raporton EO.

    “Ne urojmë që të kemi sa më pak raste, por ne jemi këtu për secilin rast i cili i plotëson kriteret, dhe shumat janë të ndryshme, varësisht nga kërkesat që kanë, sepse janë tre komponentë të ndihmës financiare që ne ofrojmë; është pagesa e qirasë, pagesa e kushteve të jetesës, e poashtu pagesa për fëmijë në rast se gratë kanë fëmijë, një zonjë mund ta ketë një fëmijë apo dy me vete. Në total është një pako prej 500 eurosh”, u shpreh ndër të tjera Sahiti.

  • Ibrahimi: Dëmet nga vërshimet e janarit s’janë kompensuar ende, të krijohet Fond Emergjent

    Ibrahimi: Dëmet nga vërshimet e janarit s’janë kompensuar ende, të krijohet Fond Emergjent

    Komunat e prekura nga vërshimet e janarit nuk janë kompensuar ende, ka bërë të ditur  Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

    Dëmet në komunat Skenderaj, Mitrovicë, Klinë e Istog kapin vlerën e disa dhjetëra miliona eurove.

    Në këto komuna janë krijuar komisione për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por që sipas Ibrahimit po kontestohen nga niveli qendror.

    Me këtë rast, Ibrahimi ka kërkuar të krijohet Fondi Emergjent për komunat, në mënyrë që qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore të kompensohen më shpejt.

    “Unë javën e kaluar kam qenë në koordinim me kryetarë të komunave sa i përket çështjeve që janë në interes të autoriteteve lokale të Kosovës dhe në bazë të informatave që posedojmë ne si AKK nga kryetarët e komunave të prekura nga vërshimet e janarit, ende nuk ka filluar kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Më duhet të theksoj se komunat me kapacitetet e tyre financiare i kanë përkrahur qytetarët të cilët kanë qenë të prekur nga vërshimet por shpresojmë që niveli qendror duhet ta ngrisë gatishmërinë sa i përket bashkëpunimin me nivelin lokal rreth këtyre problemeve”, thotë Ibrahimi.

    “Janë fenomene natyrore të cilat nuk mund t’i ndalë as niveli lokal dhe po shpresojmë në një të ardhme të afërt niveli qendror do ta ngrisë vetëdijen dhe do ta themelojë nj Fond Emergjent për nivel lokal, ku qytetarët mund të përfitojnë nga dora e shteti sa më shpejt që është e mundur. Duhet theksoj se komunat i kanë kryer të gjitha obligimet dalin nga legjislacioni në fuqi, sa i përket dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe janë deponuar në nivelin qendror dhe sipas informacioneve, kompensimi nuk është kryer”, u shpreh tutje Ibrahimi.

    Drejtori i AKK-së i konsideron si të paarsyeshme kontestimet e nivelit qendror vlerësimet e komisioneve vlerësuese nga komunat.

    “Legjislacioni në fuqi kërkon lloj hapash. Pra në fillim komunat i themelojnë komisionet vlerësuese të dëmeve, pastaj ato rishikohen edhe një herë në nivel lokal, pastaj dërgohen në Kuvend Komunal për shqyrtim, analizim dhe aprovim dhe ne po besojmë se Kuvendi Komunal si organi vendimmarrës në nivel lokal merr vendim se ato janë dëmet, atëherë nuk e di pse niveli qendror mund t’i kontestojë ose të shkojë edhe një herë në terren dhe t’i kontrollojë se a janë në rregull. Pra kjo është ajo burokracia”, u shpreh Ibrahimi.

    Ibrahimi ka ankesa edhe sa i përket komunikimit të komunave me nivelin qendror. Theks të veçantë i jep ankesave të komunave sa i përket Projektligjit të Tatimit në Pronë.

    “Bashkëpunimi me nivelin qendror përveç takimeve që e kemi pas me kryeministrin ku i kemi ngrit një varg çështjes, kanë qenë mbi 10 tema të cilat janë ngritur nga kryetari i Asociacioni i Komunave dhe i përkrahur nga të gjithë kryetarët. Ka pasur shumë kërkesa dhe kërkesat janë objektive sepse ato kërkesa vijnë nga interesat e qytetarëve”, u shpreh Ibrahimi, teksa shton se pas këtij takimi nuk ka pasur komunikim më me Qeverinë.

    Teksa ka folur për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Tatimin në Pronë, Ibrahimi e konsideron absurde moskonsultimin me hisedarët kryesor të këtij ligji.

    “Nuk ka pasur komunikim sa i përket Projektligjit për Tatimin në Pronë, i cili ministri Hekuran Murati ka theksuar se ai Projektligj është hartuar nga një grup teknik, pa konsulta me askënd. Është sinqerisht për keqardhje që hisedarët kryesorë të këtij ligji që janë komunat, nuk janë konsultuar. Pra kjo ndodh për herë të parë, gjithmonë komunat janë konsultuar dhe ky projektligj ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, neve duam të besojmë se ky ligj do të kthehet mbrapa në Qeveri sepse duhet të konsultohen komunat”, thotë ai.

  • “The Sun”: Shqipëria, Maldivet e pazbuluara të Evropës, tashmë me një aeroport të ri

    “The Sun”: Shqipëria, Maldivet e pazbuluara të Evropës, tashmë me një aeroport të ri

    Vlora është pjesë e Rivierës shqiptare, e cila po vizitohet nga një numër i madh britanikësh, këtë vit, shkruan në një artikull Kara Kodfrey për të përditshmen angleze “The Sun”.

    Aktualisht, ata duhet të fluturojnë drejt qytetit të Tiranës dhe më pas me orë të tëra me makinë për të shkuar në resortin bregdetar.

    Megjithatë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të hapet në prill të vitit 2024, duke e lehtësuar kështu udhëtimin e tyre.

    Aeroporti me vlerë 90 milionë paund do të ketë një pistë prej dy miljesh dhe mund të mbajë deri në dy milionë pasagjerë në vit.

    Ndërsa, ende nuk është konfirmuar se cilat linja do të operojnë nga aeroporti, kompania ajrore britanike “Ryanair” ka njoftuar së fundmi 17 linja të reja drejt Tiranës nga Britania e Madhe.

    Linjat ajrore buxhetore mund të ulin çmimet e biletave, kur aeroporti në Vlorë të hapet vitin e ardhshëm.

    Ka pasur disa kundërshtime pas ndërtimit të tij, për shkak të afërsisë me Lagunën e mbrojtur të Nartës, e cila është shtëpia e mijëra specieve, shkruan Atsh. Megjithatë, vendasit kanë shpresuar se kjo do të ndihmojë në nxitjen e turizmit në zonë.

    Adriatik Sela, i cili jeton në fshatin e afërt, Akern tha për median lokale se ai shpreson se biznesi do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës.

    Ministria e Turizmit informoi se ata zgjodhën zonën, pasi një pistë ajrore ushtarake ishte në ndërtim më parë atje, në vitet 1920.

    Riviera Shqiptare ka tërhequr interesin e shumë britanikëve që duan pushime të lira në plazh.

    Jo vetëm që fluturimet janë vetëm disa orë nga Britania e Madhe, por birra kushton 1,10 paund dhe hotelet fillojnë nga 20 paundë.

    Disa prej tyre madje janë krahasuar me “Maldivet e Evropës” me vila ditore sipër ujit, për vetëm 8 paundë.

    Një aeroport i ri në Britaninë e Madhe gjithashtu mund të rihapet për herë të parë në një dekadë.

    Aeroporti “Plymouth” është detyruar të mbyllej në vitin 2011, por besohet se do të rifillojë fluturimet e pasagjerëve shumë shpejt.

    Aeroporti “Manston” në BM shpreson të rifillojë fluturimet e planifikuara të pasagjerëve për herë të parë në gati 20 vjet.

  • Zjarr i madh në objektin e ETC-së në Klinë

    Zjarr i madh në objektin e ETC-së në Klinë

    Një zjarr i madh ka përfshirë objektin e ETC mëngjesin e së shtunës në Klinë. Përveç dëmeve materiale deri në këto momente nuk ka të lënduar.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Gashi bëri të ditur se objekti i ETC-së është përfshirë nga zjarri rreth orës 06:30.

    Ai tha se deri në këto momente nuk ka të lënduar, ndërkaq zjarrfikësit ende janë duke u përpjekur për ta lokalizuar zjarrin.

    “Objekti i ETC-së është përfshirë nga zjarri rreth orës 06:30. Policia e zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes”, tha ai.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës tha se fillimisht kanë shkuar në vendngjarje Policia e zjarrfikësit e Klinës, e më pas në ndihmë u kanë dalë edhe zjarrfikësit e Pejës e Deçanit.

  • Edhe sot pritje te Dheu i Bardhë, kolona 1000 metra

    Edhe sot pritje te Dheu i Bardhë, kolona 1000 metra

    Mërgimtarët që ia kanë mësyrë Kosovës po përballen me pritje të gjata në kufi. Edhe sot, pika e kalimit kufitar, Dheu i Bardhë është më e ngarkuara.

    Në këtë mëngjes, pritjet për të hyrë në Kosovë te Dheu i Bardhë janë 60 minuta, ndërsa kolona është 1 mijë metra.

    Ndërsa, për të dalë nga Kosova, siç informon Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet janë 5 deri në 10 minuta, derisa kolona në dalje nuk ka.

    Pritje në hyrje deri në 30 minuta ka në pikën e kalimit kufitar Muçibabë, ndërsa në dalje, pritjet janë 10 minuta. Në Muçibabë nuk ka kolona as në hyrje dhe as në dalje.

    Ndërsa, pritje prej 5 deri në 10 minuta në hyrje dhe në dalje ka në pikën e kalimit kufitar, Hani i Elezit, derisa në pikat e tjera kufitare nuk ka pritje apo kolona.

    Mërgimtarët kanë pritur dje deri në pesë orë te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë.

  • Moti sot me diell dhe vranësira

    Moti sot me diell dhe vranësira

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka informuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht rreth relievit malor.

    Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-34 gradë Celsius.

    Ndërsa, të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht me diell, por më i freskët.

    “Pas dite parashihet të fryjë erë mesatare dhe lokalisht e fortë.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gra celsius, ndersa maksimalet e dites parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius. Kujdes nga rrezet direkte të diellit, për shkak të indeksit UV të lartë, respektoni këshillat e IKSHP.”, ka informuar IHMK.

  • Një tjetër incident në bregdetin e Shëngjinit, pushuesi nga Kosova rrezikon të mbytet

    Një tjetër incident në bregdetin e Shëngjinit, pushuesi nga Kosova rrezikon të mbytet

    Një tjetër pushues 41-vjeç nga Kosova ka rrezikuar të mbytet në bregdetin e Shëngjinit.

    Ngjarja ka vetëm pak minuta që ka ndodhur dhe është transportuar menjëherë në spital nga ambulanca pasi i është dhënë ndihma e parë nga mjekët në bregdet.

    Pushuesi po merr trajtimin e nevojshëm në spitalin e Lezhës, dhe gjendja e tij shëndetësore është drejt normalizimit./TCh/

  • Kryeministri Kurti bashkëbisedon me bizneset nga Sektori i Plastikës për identifikimin e profileve të nevojshme

    Kryeministri Kurti bashkëbisedon me bizneset nga Sektori i Plastikës për identifikimin e profileve të nevojshme

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar edhe sot bashkëbisedimin me bizneset. Sot mirëpriti përfaqësues nga Sektori i Plastikës, ku përveç ndërmarrësve, të pranishme ishin edhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

    Ai i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë bashkëbisedim për këtë temë aq të rëndësishme e vendimtare për transformimin socio-ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm.

    Duke marrë parasysh që hendeku i zotësive është një ndër faktorët që po shpie edhe tek emigrimi i vazhdueshëm, por edhe te problemet e ndryshme sociale kryeministri tregoi se e kemi vënë prioritet lidhjen e arsimit me ekonominë, derisa ura mes këtyre dyjave është sistemi dual i edukimit, përkatësisht arsimimi dhe aftësimi profesional.

    Kësisoj, kryeministri sqaroi se në bashkëpunim të ngushtë me odat ekonomike dhe tregtare, me shoqatat sektoriale dhe ndërmarrjet aktive, arsimi dual sipas modeleve të vendeve gjermano-folëse ka nisur pilotimin në vitin 2022-2023 në katër shkolla profesionale, në tre komuna, me katër profile: kuzhinier, floktar, kamerier dhe murator. Ndërkaq tani, për shkak të interesimit të vet komunave dhe shkollave, viti shkollor 2023-2024, do të na gjej me 21 shkolla profesionale në 13 komuna ku do të ofrohen edhe tetë profile shtesë, përfshirë atë si rrobaqepës, automekanik, përpunues i metalit, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregtar me shumicë dhe pakicë, dhe estetist.

    “Ne jemi të interesuar pra që nevojat e industrisë dhe planprogramet e shkollave të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe si Qeveri dëshirojmë të ndërmjetësojmë suksesshëm”, përfundoi kryeministri drejtuar ndërmarrësve duke i falënderuar për kontributin dhe angazhimin në fushën e tyre.

    Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pasi përshëndeti të pranishmit tha se jemi së bashku për të adresuar rolin kryesor të Arsimit dhe Aftësimit Profesional për rritjen e punësimit cilësor në vendin tonë, por edhe për zhvillimin ekonomik, mjedisor dhe ambiental të Republikës sonë. Ajo cilësoi se zhvillimi i sektorëve të industrisë përpunuese është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit ngase kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e vlerës së prodhimit në vend dhe në rritjen e të punësuarve me profile të ndryshme.

    Rëndësinë e zbatimit të mësimit dual e ritheksoi edhe njëherë gjatë bashkëbisedimit ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

    “Mësimi në shkollat profesionale ofron disa mundësi, ofron mundësinë e zhvillimit të praktikës në objektin e shkollës, ku në shkolla kanë kabinetet dhe laboratorët, ku ata mbajnë mësimin profesional, punën praktike, ofron mundësinë e ofrimit të punës praktike në biznese për një kohë të caktuar dhe mësimin dual”, potencoi ajo ndër të tjera.

    Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e bizneseve të Sektorit të Plastikës shfaqën para kryeministrit dhe ministreve falënderimet e tyre për rolin dhe angazhimin konkret në këtë çështje.

    Gjatë ditës, Kryeministri gjithashtu do të zhvillojë një bashkëbisedim edhe me përfaqësues të bizneseve nga sektori i metaleve.

  • Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri jehonë në mediet e huaja

    Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri jehonë në mediet e huaja

    Pas seancës maratonë me debate, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

    Ligji u miratua me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

    Miratimi i projektligjit ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare si Associated Press e cila në një artikull të saj shkruan se “Kuvendi i Shqipërisë legalizoi të premten kanabisin për qëllime mjekësore në një vend që dikur njihej si udhëkryq evropian për trafikun e marijuanës”.

    Qeveria beson se lejimi i prodhimit të kufizuar të kanabisit mund të rrisë të ardhurat nga taksat.

    “Rritja e marihuanës lulëzoi në Shqipëri në të kaluarën pasi trafikantët e drogës shfrytëzonin mungesën e qeverisjes së fortë në vendin postkomunist.

    Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, qeveria e majtë e Partisë Socialiste e kryeministrit Edi Rama vendosi shkatërrimin e bimëve të kanabisit si objektiv kryesor.

    Gjatë dy viteve, ajo shkatërroi miliona bimë kanabisi me një vlerë tregu të vlerësuar prej 7 miliardë euro (8.5 miliardë dollarë), më shumë se dy të tretat e prodhimit të brendshëm bruto vjetor të vendit në atë kohë.

    Në vitin 2014, një oficer policie u qëllua për vdekje gjatë një operacioni në fshatin Lazarat, në jug të vendit.

    Shqipëria është ende një rrugë kryesore për trafikimin e drogave të forta. Policia ende godet rastet e izoluara të rritjes së kanabisit, por shumë më rrallë se një dekadë më parë”, mbyll artikullin “AP”.

  • Haradinaj i drejtohet opozitës: Nëse doni të rrëzoni Kurtin, mbështesni mocionin

    Haradinaj i drejtohet opozitës: Nëse doni të rrëzoni Kurtin, mbështesni mocionin

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse partitë opozitare janë të sinqerta në qëndrimin për të rrëzuar Qeverinë Kurti ato duhet ta kujtojnë se rruga e vetme është mocioni i propozuar nga AAK.

    Sipas Haradinajt, është shtuar numri i atyre që besojnë se Kurti dhe qeveria e tij janë fatkeqësi për Kosovën.

    “Një shumicë kritike pajtohet se është e nevojshme që sa më parë të dilet nga kjo gjendje. Njëra parti kërkon zgjedhje për të ndalur këtë të keqe që po i bëhet vendit, ndërsa partia tjetër është në kërkim të një rruge të re, po ashtu për të dalur nga kjo gjendje”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka thënë se AAK e ka ofruar modelin se si të dilet nga situata e krijuar, që sipas tij është mocioni i mosbesimit.

    ”Në fakt edhe njëra edhe tjetra parti opozitare, po e kërkojnë të njëjtën gjë që e kemi kërkuar edhe ne, por nuk po e shohin mënyrën se si realizohet kjo! Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje? A ta presim kryeministrin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij, gjë e cila duket e pamundshme, apo të presim të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu? Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin”, ka shkruar Haradinaj./