ATV

Category: Lajme

  • Turqia goditet nga një tërmet, nuk raportohet për viktima

    Turqia goditet nga një tërmet, nuk raportohet për viktima

    Një tërmet ka goditur shtetin turk pas atyre vdekjeprurësve të muajit shkurt të këtij viti.

    Një tërmet me magnitudë 4.5 shkallësh të Rihterit ka goditur sot shtetin turk, raporton gazeta hurriyet.

    Kështu ka bërë të ditur ueb-faqja e Institutit Sizmologjik Evropian Mesdhetar (EMSC), e cila ka dhënë edhe detajet e para.

    Tërmeti ndodhi në një thellësi prej pesë kilometrash, 66 kilometra në veriperëndim të Kahramanmaras, një qytet me afro 400 mijë banorë.

    Deri më tani nuk ka informacione për viktima, të lënduar apo dëme të materiale.

    Kujtojmë se Kahramanmaras ishte epiqendra e dy tërmeteve shkatërruese me magnitudë 7.7 dhe 7.6, të cilët goditën Turqinë në fillim të vitit.

  • Osmani: Mendimi historik i GJND-së, thirrje për shtetet ta njohin realitetin e pakthyeshëm të Kosovës së pavarur

    Osmani: Mendimi historik i GJND-së, thirrje për shtetet ta njohin realitetin e pakthyeshëm të Kosovës së pavarur

    Sot bëhen 13 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar se 13 vjet më pare u konfirmuar se Kosova nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

    “13 vjet më vonë, ky opinion historik mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”, ka shkruar ajo në Twitter.

     

  • ​KQZ-ja sërish në kërkim të kompozimit të melodisë, rishpallet konkursi

    ​KQZ-ja sërish në kërkim të kompozimit të melodisë, rishpallet konkursi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rishpallur konkursin për kompozimin e melodisë së institucionit.

    Lajmi bëhet i ditur në ueb faqen e KQZ-së dhe sipas të dhënave të publikuara, melodia e KQZ-së do të jetë e përhershme, identifikuese e institucionit dhe informatat të cilat do të transmetohen dhe publikohen në audio apo video, do të shoqërohen me këtë melodi.

    Sipas KQZ-së, kjo melodi, duhet të ketë një ritëm dhe tingull unik dhe origjinal, që tregonin domethënien dhe misionin e KQZ-së. Po ashtu, kompozimi nuk duhet të jetë i ngjashëm me ndonjë melodi apo këngë të cilitdo vend, parti politike apo institucion tjetër të Republikës së Kosovës.

    Të gjitha detajet për konkursin, i cili do të jetë i hapur deri më 21 gusht 2023, janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së, www.kqz-ks.org (Njoftime > Mundësi punësimi > Konkurset e hapura) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/konkurset-e-hapura/

  • ​Haziri kërkon zgjedhje të reja: Kurti ka humbur legjitimitetin, të jap dorëheqje

    ​Haziri kërkon zgjedhje të reja: Kurti ka humbur legjitimitetin, të jap dorëheqje

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja. Haziri, në një intervistë për KosovaPress kërkon nga kryeministri Albin Kurti të jap dorëheqje, pasi i sheh si vështirë të realizueshme mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë apo dhe shpërbërjen e Kuvendit. Sipas tij, pas zhvillimeve të fundit në vend dhe sanksioneve ndërkombëtare, Kurti ka humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet janë një opsion serioz, siç thotë ai, për rikthimin e normalitetit në Kosovë.

    Krahas kësaj, i dyti i LDK-së akuzon Kurtin se ka agjendë të fshehur në raport me dialogun me Serbinë. Derisa flet për KosovaPress edhe për mundësitë që LDK-ja të dalë me një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjedhjet e brendshme në LDK.

    Haziri nënvizon se LDK është e gatshme qysh nesër të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, por kërkon një konsensus më të gjerë parlamentar, përfshirë edhe mazhorancën.

    “Zgjedhjet janë një opsion dhe opozita është gjithmonë e gatshme. LDK-ja si një prej partive kryesore opozitare nesër është e gatshme me hy në proces zgjedhor. Ne nuk presim gjë tjetër gjatë kohës kur je në opozitë veç me shty agjendën zgjedhore. Por ajo kërkon një konsensus më të gjerë që përfshinë edhe shumicën parlamentare. Iniciativa për mocion mosbesimi është e shkurtë dhe pamjaftueshme. Shpërbërja e Kuvendit po ashtu, pa pjesëmarrjen e shumicës parlamentare nuk mund të ndodh, ku mund të themi edhe kryeministri del me fytyrë nëse është ky qëllim dhe deputetët e rrëzojnë vetveten. Por ec e gjeji ata deputetë që janë të gatshëm të shpërbëjnë mandatin e vet. Kjo ka ndodhur një herë në Kosovë, ku zotëri Thaçi në koalicion me AKR-në e kanë shpërbërë Kuvendin dhe kanë çuar vendin në zgjedhje. Më e mira dhe më e drejta edhe me popullin është dorëheqja, e cila shkakton zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë”, thotë Haziri.

    Përkitazi me këtë, Haziri thotë se po ofrojnë opsion ndryshe për qytetarët, këtë sipas tij e kanë dëshmuar edhe në iniciativën e tyre të takimeve “Rruga e re”.

    Në anën tjetër, Haziri shprehet i tronditur me incidentin e javës së kaluar në Kuvend, ku thotë se zyrtarët e lartë qeveritarë kanë prekur në sovranitet, duke u grushtuar me deputetët e PDK-së.

    “Zotëri Kurti e ka humbur legjitimitetin përkundër numrave në Kuvend. Incidenti i fundit në Kuvend, ku zyrtarë të lartë të qeverisë prekin në sovranitet, pasi deputeti e ka një emër të përveçëm, por ai është përfaqësues qytetar. Salla e Kuvendit të Republikës përfaqëson sovranitet. Qeveria me ra në nivele të tilla të grushtohet me opozitën, këtë rast me PDK-në është tregues i qartë se është një lloj panike dhe frike politike brenda tyre. Ata dëshirojnë të mbulojnë me skandale të tilla, që erdh si pasojë e daljes në publik të një incizimeve që kanë ndodhur”, deklaron Haziri.

    Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Haziri akuzon kryeministrin Albin Kurti se ka agjendë të fshehur në këtë proces, duke përjashtuar opozitën, shoqërinë civile dhe kategoritë e tjera shoqërore.

    Sipas tij, agjendat e fshehura janë të rrezikshme, prodhojnë rezultatet të papritura dhe të padëshiruara.

    “Kjo qeveri ka agjendë të fshehur. Asnjë qeveri në raport me dialogun nuk ka ndodhur me pas agjendë të fshehur. Çka është kjo agjenda e fshehur? Ne e dimë cilat janë parimet e negociatave, formati dhe agjenda e negociatave. Kjo nuk është e re, tash e tridhjetë vjet shqiptarët e Kosovës kanë vendosur se me Serbinë negociojnë me ndërmjetësim ndërkombëtar, garancinë të ShBA-së dhe vend neutral. Parimi i negociatave është rikthyer ai i vitit 2013, i cili nënkupton se çdo marrëveshje ka një lloj ambiguiteti konstruktiv. Tash lëvizet prej Brukselit që ka qenë qendra kryesore e negociatave, ka takime në Bratislavë, Ohër dhe Kretë… Ka pasur një agjendë të fshehur që e dinë veç kryeministri dhe dikush rreth tij dhe askush tjetër. Opozita është e përjashtuar, shoqëria civile është e përjashtuar, hiç katër këshilltarë që i paguan qeveria norvegjeze. Nuk e di çfarë roli kanë por ata janë të angazhuar. Komiteti i biznesit, akademikëve janë të përjashtuar nga kjo pjesëmarrje. Pse duhet me pas një qeveri një agjendë e cila është për ta. Agjendat e fshehura janë të rrezikshme, pasi prodhojnë rezultat të papritur dhe të padëshiruar”, thekson ai.

    Nënkryetari i LDK-së, shton se kriza aktuale në veri është edhe tek hezitimi i kryeministrit Kurti të hartojë statutin e Asociacionit.

    Ai është kritik ndaj Kurtit për qasjen e tij në raport me aleatët ndërkombëtarë, pasi përkundër dakoordimit në Bratislavë për depërshkallëzim të situatës në veri ende s’ka largim të masave ndëshkuese ndaj Kosovës që janë vendosur nga BE-ja.

    Ndërkaq, Haziri, nënvizon se LDK-ja nuk do të propozojë asnjë draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe derisa është në opozitë.

    “Tash s’ka implementim andaj ngërçi është aty. Elefanti në dhomë është statuti i Asociacionit. Gjithçka po bëhet me i ikë draftimit të këtij dokumenti, në anën tjetër partnerët tanë presin, asgjë tjetër dhe më pak se një dokument që paraqet vizioni e qeverisë në lidhje me organizimin dhe kompetencat e komunave me shumicë serbe në Kosovë…Vetëm kur jemi ne në qeveri dhe përgjegjësi shtetërore, përndryshe LDK-ja s’ka asnjë lloj obligim kur është në opozitë me draftu akte që i takojnë qeverisë. Me kushtetutë qeveria është organi i vetëm ekzekutiv t’i zbatojë detyrat, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, thotë nënkryetari i LDK-së.

    Haziri për KosovaPress flet edhe për procesin zgjedhor në LDK, ku në shtator pritet të zgjidhet kryetari dhe strukturat e reja.

    Ai e bën të qartë se kësaj radhe s’do të kandidojë për të qenë kryetar i LDK-së, ndërkohë thotë se kandidati i vetëm pritet të jetë kryetari aktual, Lumir Abdixhiku.

    “Para dy vjetëve unë jam dal kandidat kur LDK-ja i ka pasur ditë më të vështira të saj politike dhe kam përcaktuar rolin tim. Tash këto dy vjet ne kemi arritur të përballojmë situatën të rikthejmë politikisht shumëçka. Unë nuk kam shpreh asnjë lloj interesimi që të kem një tjetër rol në LDK, përpos këtij që e kam tash. Jam konfirmuar edhe për një mandat në strukturat e LDK-së në Gjilan, që e kam shumë për zemër. Procesi zgjedhor në fund të shtatorit determinon çfarë statusi do të na jep kuvendi i ardhshëm. Por për momentin është vetëm zotëri Lumir Abdixhiku kandidat i LDK-së për kryetar. A mundet të del dikush, mundet, pasi LDK-ja pas mbyllet cikli zgjedhor në degë fillon me u shfaq interesimi”, përfundon Haziri.

  • Nuk punon sistemi në RMV, policia merr shënime me dorë në vendkalimin kufitarë Qafë Thanë

    Nuk punon sistemi në RMV, policia merr shënime me dorë në vendkalimin kufitarë Qafë Thanë

    Kolona kilometrike vërehen mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitarë Qafë Thanë. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në temperatura presin rreth dy orë në kolonë për të kaluar kufirin.

    Nga ana e Maqedonisë së Veriut po punohet me ritme shumë të ngadalta. Qytetarët janë të revoltuar, ka shumë nga ata që udhëtojnë drejt Shqipërisë vetem për ta kaluar ditën, ndërsa ka edhe dasmor, ndërkohë ju duhet të presin me orë të tëra për ta kaluar kufirin.

    Sipas burimeve nga terreni, kolonat janë shkaktuar për shkak se nuk punon sistemi dhe policia i regjistron të dhënat me dorë.

    Ndërkohë, situata paraqitet ndryshe nga ana e Shqipërisë Përderisa nga ana e RMV udhëtarët presin rreth 2 orë për të kaluar kufirin në Shqipëri nuk ka radhë pritjeje dhe kufiri kalohet për më pak se 5 minuta.

  • Lajçak: Takimi i parë s’ishte i lehtë, pastaj Kurti e Vuçiq u mësuan ta dëgjojnë njëri-tjetrin pa u ofenduar

    Lajçak: Takimi i parë s’ishte i lehtë, pastaj Kurti e Vuçiq u mësuan ta dëgjojnë njëri-tjetrin pa u ofenduar

    Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, me të cilin është i ngarkuar.

    Ai nxori detaje për takimet që mbahen në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Lajçak tha se takimin e parë dy udhëheqësit e kishin të vështirë, por se më pas u mësuan të komunikojnë duke e dëgjuar njëri-tjetrin.

    “Si Kurti, ashtu edhe Vuçiq e dinë se për çfarëdo që të bien dakord, qytetarët do ta shohin me kujdes. Për shkak të këtij presioni, u desh kohë për të zhvilluar një marrëdhënie pune. Mbaj mend që takimi i parë në 2021 nuk ishte i lehtë. Më pas ata mësuan të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të mos pajtohen me respekt, në vend që të ofendojnë”, tha Lajçak për gazetën austriake “Kurier”.

    I pyetur për kritikat se është i njëanshëm në dialog, ai përgjigjet se prioriteti i tij është paanshmëria.

    “Marrëdhëniet midis BE-së dhe Serbisë janë komplekse, siç janë marrëdhëniet midis BE-së dhe Kosovës. Puna e paanshme është prioriteti im,” tha Lajçak.

    Lajçak u pyet gjithashtu edhe për qëndrimin e pesë shtetet anëtare të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai u përgjigj se këto shtete janë duke e përcjellë me vëmendje epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Sido që të jetë rezultati, ai do t’i prekë ata. Por të gjithë duan normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbështesin marrëveshjen e marsit”.

  • ​Interesim për adoptim të qenve endacakë, frikë se mund të jetë vetëm prej parave

    ​Interesim për adoptim të qenve endacakë, frikë se mund të jetë vetëm prej parave

    Komuna e Prishtinës së shpejti pritet të fillojë së zbatuari në praktikë idenë e adoptimit për qentë endacakë me subvencionim. Aktualisht, ky institucion ka pranuar mbi 30 kërkesa për adoptim, ndërsa synojnë që të rrisin sigurinë publike. Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kërkon që përzgjedhja e atyre që do të adoptojnë qentë të merret seriozisht pasi disa mund ta bëjnë vetëm për përfitime financiare.

    Çdo person që adopton një qen endacak do të përfitojë 50 euro në muaj, mbështetje kjo nga Komuna e Prishtinës. Një person nuk mund të adoptojë më shumë se pesë.

    Drejtori për Siguri Publike dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica deklaroi për KosovaPress se problemi me qentë endacakë është i trashëguar dhe aktualisht shqetësimi numër 1 për kryeqytetasit.

    Fushtica tha se plani për adoptim ka ngjallur interes, ndërsa tha se kontrata sqaron në detaje jo vetëm përfitimet por edhe obligimet që rrjedhin. Sipas tij, në rast se kafsha keqtrajtohet dënimet do të variojnë nga 1 deri në 3 mijë euro.

    “Prej ditës kur kemi filluar, kur është lansuar kjo ide kemi marrë shumë kërkesa të qytetarëve, kemi bërë një listë të pritjes ku qytetarët vijnë dhe lajmërohen dhe shprehin interesim që të fillojnë procesin e adoptimit, mbi 30 kërkesa të qytetarëve që të fillojnë procesin e adaptimit… Kjo është një diçka e re që ndodhë për herë të parë jo vetëm në Kosovë por edhe në regjion, aty kemi parë edhe obligimet që ka adoptuesi dhe kryeqyteti, parashihen përveç beneficioneve që në këtë rast është subvencionimi nga 50 euro në muaj dhe trajtimi i qenve në qendrën tonë pa pagesë, por parashihen edhe dënime në rast që adoptuesi nuk sillet mirë me kafshën apo e shkel kontratën dhe dënimet do të jene prej 1 mijë deri 3 mijë euro”, tha Fushtica.

    Sipas Fushticës, e gjithë kjo është pjesë e planit për një Prishtinë më të sigurt, pasi sulmet nga qentë endacakë janë rritur në 6-mujorin e parë të këtij viti.

    “Ne në plan të parë e kem sigurinë e kryeqytetit, nga të dhënat që i kemi nga QKMF-së ne vetëm për 6 muaj kemi 262 raste të sulmeve të qenve ndaj qytetarëve, është rritje enorme nga viti i kaluar, përveç aspektit të sigurisë publike kemi të bëjmë edhe me aspektin e shëndetit publik, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe trajtimit human të qenve”, tha Fushtica.

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve është skeptik në lidhje me këtë ide të Komunës së Prishtinës. Elza Ramadani tha se në Kosovë ka mungesë të kulturës së adoptimit të kafshëve, prandaj si rrjedhojë kemi edhe kafshë që lihen rrugëve.

    Ramadani theksoi nevojën që përzgjedhja e atyre që do të adoptojnë të bëhet me kujdes, ndërsa kërkoi nga vetë qytetarët që të jenë të sigurtë para se të vendosin të marrin një qen.

    “Para se të adoptohet një qen duhet të kenë kohë, të jenë të sigurt që mund të mbajnë qenin për 10-15 vite aq sa jeton qeni dhe që të kenë mundësi financiare që të dërgojnë të veterinari dhe të merren me kafshën çdo ditë, se nuk është objekt që lihet i lidhur mbas shtëpisë, por është një krijesë që ka nevojë për përkujdesje dhe dashuri dhe po shpresojmë që personat që me të vërtetë janë seriozë në këtë aspekt dhe kanë me marrë kafshë dhe mos merrni kafshë nëse nuk mund t’i mbani, nëse mendoni me i braktisë, sepse vetëm po shkaktoni probleme që po i pëson edhe vet kafsha”, tha Ramadani.

    Qytetarët në Prishtinë të pyetur nga KosovaPress u shprehën se e përkrahin vendimin për subvencionimin nga komuna për ata që adoptojnë qentë.

    “Nëse zbatohet me përpikëri edhe qytetarët kur të marrin t’i mbajnë me kujdes e jo t’i lëshojnë prape me u mbush qyteti prapë pa kontroll mos me pas nga me ik prej tyre, prandaj besoj që ai që e keqpërdor duhet të pësojë sanksionet meritore ligjore pasi rrezikon jetën e qytetarëve. Shqiptarët kanë pasur gjithmonë kulturë mirëpo tash kohët e fundit se shoh kulturë me u mbush sheshi ku shëtitin qytetarët dhe lokalet dhe shkollat të rrezikohen fëmijët kemi shumë raste konkrete po edhe të rritur prandaj është vendim me vend të gjendet forma për t’i eliminuar këta edhe qyteti me qenë i lirë. Ata d.m.th. duhet në strehimore po kush e merr qytetari ai d.m.th. le të kujdeset në mënyrë të ndërgjegjshme mos t’i keqpërdor”, tha Vesel Veseli, qytetar nga Prishtina.

    “Popullata duhet të vetëdijesohet për punën e qenve, me dashtë së pari ta dijë vlerën e qenit, nuk është i rrugëve, e vetmja kafshë që dhuron dashuri kush e kupton, kush nuk e kupton, pula e bën një ve, e ki përfitimin mishin, te qeni nuk dhuron asgjë vetëm dashuri prandaj është e qëlluar”, shtoi Rizvan Avdiu, një tjetër qytetar.

  • Një zjarrfikës kërkoi ndihmë mjekësore pas shuarjes së zjarrit në ETC

    Një zjarrfikës kërkoi ndihmë mjekësore pas shuarjes së zjarrit në ETC

    Një zjarrfikës sot pas shuarjes së zjarrit në objektin e ETC-së në Klinë ka kërkuar ndihmë mjekësore.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Fadil Gashi.

    Gashi tha se zjarrfikësi për shkak të tymit të madh kishte kërkuar ndihmë mjekësore nga mjekët.

    Sipas tij, zjarrfikësi ka marr ndihmën mjekësore në një nga QMF-të e Klinës.

    Ndryshe, zjarri i cili shpërtheu në orët e hershme të mëngjesit në objektin e ETC-së në Klinë është lokalizuar.

  • Martohet vajza e Jakup Krasniqit, shkon në Hagë për të marrë urimin nga babai i saj

    Martohet vajza e Jakup Krasniqit, shkon në Hagë për të marrë urimin nga babai i saj

    Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot është martuar, ndërsa urimin e parë për martesë  e ka pranuar nga babai i saj, i cili gjendet në paraburgim në Hagë.

    Gresa Krasniqi, në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, ka publikuar disa fotografi me bashkëshortin e saj para Gjykatës Speciale.

    “Dita e parë, urimi i parë prej babit”, ka shkruar ajo mbishkrim mbi fotografitë  e publikuara.

    Ndryshe, më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Gjakovë, djali rrahë prindërit e tij

    Gjakovë, djali rrahë prindërit e tij

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të dhunës që ka ndodhur në Gjakovë.

    Siç njofton Policia, një djalë ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij.

    Rasti ka ndodhur ditën e premte, rreth orës 10:30.

    “Viktimat burrë e grua kanë informuar se djali i tyre m/k ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. Viktimave u është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në njoftim.

    Policia bën të ditur se rasti është duke u hetuar.