ATV

Category: Lajme

  • Dështon raportimi i Bislimit para komisionit parlamentar për integrim evropian

    Dështon raportimi i Bislimit para komisionit parlamentar për integrim evropian

    Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pasur të raportonte të premten para Komisionit për Integrime Evropiane.

    Mirëpo as Bislimi dhe as deputetët e LV-së, nuk ishin të pranishëm në sallë, për çka edhe kjo mbledhje dështoi.

    Ndryshe, në sallën e këtij komisioni deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka vendosur disa posterë në Komisionin për Integrim Evropian ku shihet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi duke e gjuajtur me shishe deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtakun.

  • Një i mitur ther me thikë bashkëmoshatarin e tij në Viti, viktima nuk mbijetoi

    Një i mitur ther me thikë bashkëmoshatarin e tij në Viti, viktima nuk mbijetoi

    Një rast tragjik dyshohet se ka ndodhur në Viti, ku një i mitur u ther për vdekje nga një bashkëmoshatar. Viktima vdiq në spital, ndërkaq rrethanat dhe motivet e rastit janë akoma të panjohura.

    Rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me incidentin tragjik.

    Ajo që dihet deri më tani është se viktima dhe i dyshuari janë të mitur.

    Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima, i cili është nga fshati Lubishtë i Vitisë, fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në Viti, e më pas është transferuar në Gjilan, si pasojë e plagëve që kishte pësuar.

    I riu që u godit me mjet të mprehtë nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.

  • 9 kosovarë helmohen nga një material kimik në një hotel në Shëngjin

    9 kosovarë helmohen nga një material kimik në një hotel në Shëngjin

    Në një hotel në Shëngjin ku po pushonin disa kosovarë, 9 persona janë helmuar nga një material kimik.

    “Mendohet se kjo ka ardhur nga shkaku i një dezinfektimi me një material kimik, që ka ndikuar të kërkojnë ndihmë mjekësore”, deklaroi kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu.

    Ai shtoi se kjo nuk ka ndodhur nga ushqimi apo nga uji i pijshëm, shkruan RTK.

    Kryetari Ndreu bëri të ditur se janë 9 persona që janë dërguar në spitalin e Lezhës dhe jo 50 siç është njoftuar më parë.

    Ai sqaroi shkakun e kësaj ngjarjeje, në hotelin ku kanë banuar ata turistë kosovarë, derisa shtoi se çdo gjë është raportuar për mënyrën se si ka ndodhur kjo ngjarje, edhe në spitalin e Lezhës.

    Ndërkaq kryetari Ndreu sqaroi se të gjithë personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore kanë marrë raportet mjekësore përmes një kartele ku pasqyrohet e gjithë trajtimi mjekësor, që sipas tij këto janë çështje protokoli, ndryshe funksionon sistemi këtu në Shqipëri, ndryshe në Kosovë.

    “Për të vertetuar në gjurmët në gjak për të përcaktuar mikroorganizma duhet minimalisht dy javë”, theksoi Ndreu.

    Tutje, ai shtoi se standardet e ushqimit që ka Lezha nuk ka asnjë vend tjetër në rajon.

  • Hoxhaj kritikon Bislimin: Dështimin e tij në negociata e mbulon me kritikë ndaj BE-së

    Hoxhaj kritikon Bislimin: Dështimin e tij në negociata e mbulon me kritikë ndaj BE-së

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Besnik Bislimin pasi ky i fundit kritikoi BE-në.

    Hoxhaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kryenegociatori i Kosovës (Besnik Bislimi) as nuk di të negocojë e as nuk di të shpjegojë se çfarë ka negocuar.

    “Kryenegociatori i Kosovës as nuk di të negociojë dhe as të shpjegojë në publik se çfarë ka negocuar, duke përmbushur në çdo takim interesat e Serbisë brenda Kosovës dhe duke mbuluar dështimin e tij gjoja me kritikën ndaj BE-së!”, ka shkruar Hoxhaj tutje.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Në ditën e sotme në vendin tonë do të mbizotërojë kryesisht mot i kthjellët dhe vranësira të pakta. Gjatë zonave malore, pritet të ketë edhe reshje të izoluara të shiut.

    Temperaturën minimale do ta mbajë Ferizaj me 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalen Prizreni me 35 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në vendin tonë pritet të jetë kryesisht me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale do ta mbajë sërish Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalen Prizreni me 37 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 41 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Bislimi sot raporton para komisionit parlamentar për integrim evropian

    Bislimi sot raporton para komisionit parlamentar për integrim evropian

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, sot do të raportojë para komisionit parlamentar për Integrim Evropian.

    Raportimi pritet të fillojë në orën 09:00, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

  • Takohet grupi koordinues për anëtarësim në Këshill të Evropës, marrin pjesë Kurti dhe Gërvalla

    Takohet grupi koordinues për anëtarësim në Këshill të Evropës, marrin pjesë Kurti dhe Gërvalla

    Sot kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, do të marrin pjesë në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës, në Këshillin e Evropës.

    Takimi do të mbahet në Qeverinë e Kosovës dhe do të nis në orën 09:30 të mëngjesit.

    Këtë e kanë konfirmaur përmes një komunikate për media nga Ministria e Punëve të Jashtme.

  • AAK-ja sot dorëzon në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagën minimale

    AAK-ja sot dorëzon në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagën minimale

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta dorëzojë sot (e premte) në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagën minimale, sipas të cilit parashihet që paga minimale të bëhet 250 euro.

    Në njoftimin e këtij subjekti bëhet e ditur se pas kësaj, shefi i GP të AAK-së, Besnik TAhiri do t’iu drejtohet mediave.

    “Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri do të dorëzojë kërkesën lidhur me vlerësimin e e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale. Pas dorëzimit Tahiri do t’i drejtohet mediave lidhur me lëndën dhe kërkesën e AAK-së”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për pagën minimale, gjë që nuk u prit mirë nga opozita.

  • Sanksionet e SHBA-së godasin sërish Serbinë, ky është subjekti i radhës i sanksionuar

    Sanksionet e SHBA-së godasin sërish Serbinë, ky është subjekti i radhës i sanksionuar

    Departamenti amerikan i Thesarit i ka sanksionuar të enjten rreth 120 individë dhe kompani për mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Në mesin e tyre është sanksionuar edhe një kompani nga Serbia, MCI Trading DOO, me seli në Beograd.

    Në njoftimin e autoriteteve amerikane është thënë se kjo kompani i ka ndihmuar kompanisë ruse AK Microtech për të blerë pajisje të teknologjisë së lartë nga prodhues prej Azisë, Evropës dhe Lindjes së Mesme.

    Kompania ruse, AK Microtech akuzohet se i ka ofruar Ministrisë ruse të Mbrojtjes, pajisje të teknologjisë së lartë.

    Në njoftim është thënë se kjo kompani specializon në transferimin e teknologjisë së huaj te kompanitë ruse për prodhimin e mikroelektronikës.

    “Një numër i atyre që i pranojnë këto pajisje janë persona dhe entitete të bllokuara nga Shtetet e Bashkuara”, është thënë në deklaratë, duke shtuar se AK Microtech punon me ndërmjetësues jorusë për t’i dërguar pajisjet te pranuesit rusë.

    “Një prej këtyre ndërmjetësuesve është kompania serbe MCI Trading DOO”, është thënë në njoftim.

    Aty është përmendur se kompania serbe ka kryer një mori transferesh për kompaninë ruse prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kompania MCI Trading dhe drejtori i saj Ivan Cvetiq janë shtuar në listën e sanksioneve për, siç është thënë, ndihmë materiale dhe sponsorim apo ofrim të ndihmës financiare apo teknologjike për kompaninë AK Microtech.

    Zëvendëssekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo, ka thënë se sanksionet e reja përbëjnë një tjetër hap në përpjekjet e SHBA-së për t’i kufizuar kapacitetet ushtarake të Rusisë.

  • Dialogu shkon në “pushim” pa pajtimin për zbatimin e Marrëveshjes

    Dialogu shkon në “pushim” pa pajtimin për zbatimin e Marrëveshjes

    Me gjithë suksesin e proklamuar nga ana e BE-së pas arritjes së Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, shumë pika të saj mbeten të pazbatuara. As në takimin e fundit para se dialogu të shkojë në pushim, palët nuk gjetën gjuhë të përbashkët për sekuencimin e Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes. Njohësit Daniel Serwer dhe David Phillips ia faturojnë BE-së dhe SHBA-së mungesën e rezultateve dhe kanë shtruar domosdoshmërinë e dinamizimit të procesit

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë “ka shkuar në pushim veror” pa ia vendosur pikën shumicës së çështjeve të dakorduara në Marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit për zbatimin e saj të dakorduar në Ohër më 18 mars.

    Dokumentet mbi të cilat palët nuk i vunë nënshkrimet mbetën nën hijen e tensioneve të majit e qershorit në veriun e populluar me shumicë serbe. Dakordim nuk pati as në takimin e fundit që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pati me kryenegociatorët e të dyja shteteve. Për pasojë, ai e përsëriti refrenin e muajve të fundit që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri dhe të shënohet përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, e ka fajësuar BE-në dhe ShBA-në për mungesën e rezultateve në dialog.

    “BE-ja dhe SHBA-ja janë duke dështuar si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin. Presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk ka detyrime për marrëveshjet e arritura në shkurt dhe mars. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se nuk do të lëvizë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa vendosur rend dhe ligj në veri të Kosovës. Amerikanët dhe evropianët nuk janë të gatshëm të bëjnë presion mbi Vuçiqin. Presioni i tyre ndaj Kurtit nuk ka dhënë rezultate”, i ka thënë KOHËS Serwer.

    Pa vullnet mes palëve, ish-diplomati amerikan e sheh të vështirë dinamizmin e këtij procesi.

    “Çështja është tek vullneti politik. Nuk ekziston as në Beograd e as në Prishtinë. Për këtë jam dakord me Gabriel Escobarin. Megjithatë, SHBA-ja ka përdorur shumë shkopinj me Prishtinën dhe shumë karota me Beogradin. Uashingtoni duhet të ribalancojë politikën e tij”, ka thënë Serwer.

    Emisari amerikan, Gabriel Escobar, gjatë raportimit më 18 korrik para Kongresit Amerikan, ka shprehur shqetësimin për mungesën e përafrimit mes Kosovës e ShBA-së. Teksa e ka përsëritur se Kosova duhet ta përmbushë detyrimin për themelimin e Asociacionit, Escobar ka paralajmëruar pasoja për Serbinë nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri.

    Ndërkaq profesori amerikan i Universitetit të Kolumbias në Nju-Jork, David Phillips, e quan dështim dialogun e deritashëm.

    “Nëse e shohim një pamje më të gjerë të çështjeve që e shqetësojnë Kosovën, dialogu është një dështim”, ka thënë Phillips. “Unë gjithmonë kam thënë se angazhimi i SHBA-së është kritik. Megjithatë, SHBA-ja duhet të mbështesë në mënyrë proaktive Kosovën. Qetësia është një qorrsokak”.

    S’ka pajtim në katër çështjet e diskutuara

    ShBA-ja deri tash i ka dhënë mbështetje dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli zyrtar.

    Por dakordimi mungoi edhe në takimin e së mërkurës. Tema e parë ishte ajo e planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, për të cilën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se është parë nevoja të punohet më tej në konkretizimin e disa dokumenteve të rëndësishme për të siguruar zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Ai ka shprehur brengën se draftet e deritanishme që Lajçaku ua ka dërguar palëve, “janë selektive, lënë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të Marrëveshjes”.

    Përplasjet më të mëdha i ka prodhuar pika që flet për vetëmenaxhimin e serbëve. Serbia vazhdon të insistojë që dialogu të zhvillohet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa për Qeverinë e Kosovës, Asociacioni nuk mund të ketë epërsi ndaj pikave tjera të marrëveshjes.

    Neni 7 i propozimit të BE-së flet për “vetëmenaxhimin” e komunitetit serb që sipas qeveritarëve të Kosovës dhe emisarit Lajçak nënkupton Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkaq sipas Aneksit të dakorduar në Ohër, “Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.

    Asociacioni ka qenë pika që ka prodhuar më së shumti kundërthënie e përplasje brenda vendit, edhe gjatë qeverive paraprake. Edhe veprimet për ngritjen e tij pas marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 janë shoqëruar me mungesë transparence. Përveç tri vendimeve të qeverive të kaluara lidhur me Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit, edhe Qeveria aktuale nuk ka pasur informacione lidhur me punën dhe përmbajtjen e dokumenteve të draftuara. Pa u koordinuar me Qeverinë, ky ekip e prezantoi edhe draft-statutin në njërin prej takimeve të Brukselit, por i cili u kundërshtua nga pala kosovare, meqë kurrkund nuk i ka referencë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    Në periudhën kur zhvillonin takimet me palët e përfshira në komunat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues kishte shprehur përcaktimin për kompetenca ekzekutive të Asociacionit, në fushën e zhvillimit ekonomik, shëndetësi, arsim e planifikim hapësinor.

    Ngecjet në termat e referencës për komisionet e përbashkëta

    Në takimet e zhvilluara deri tash dakordim nuk pati as për terma të referencës për Komisionin e Përbashkët që ka të bëjë me zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur.

    “Ka mbetur vetëm një koment substancial me të cilin ata duhet të merren dhe mendoj që ky dokument është shumë afër adoptimit final që kishte me i hapë rrugë dhe funksionalizimit të Komisionit të Përbashkët”, deklaroi Bislimi pas takimit të fundit.

    Çështje tjetër e diskutuar ishte ajo për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

    Pala kosovare ka prezantuar komentet që kanë të bëjnë me nevojën që Komiteti i Përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara dhe në Marrëveshjen Bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse, ekzekutive, nuk mund të zëvendësojë trupa të tjerë.

    Sa i përket temës së energjisë, e cila është trashëguar prej vitesh nga marrëveshjet e kaluara, Bislimi ka thënë së në takimin e fundit në Bruksel “ka pasur një keqinterpretim nga ana e BE-së për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës”. Por ka shtuar se në Bratislavë është eliminuar ky keqkuptim dhe tash janë shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit.

    Obstruksionet e Serbisë

    Me gjithë suksesin e proklamuar nga ana e BE-së rreth aneksit për zbatimin e propozimit të BE-së, zyrtarët serbë në disa raste paralajmëruan se nuk do të zbatojnë atë përderisa nuk themelohet Asociacioni. Kjo u dëshmua edhe në testin e parë të marrëveshjes, ku Serbia në kundërshtim me nenin katër të marrëveshjes doli kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe loboi edhe tek shtetet e tjera që ta pamundësojë një gjë të tillë.

    Por mbështetur në udhërrëfyes, Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit do të bëhen pjesë kryesore e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE. Në dokument përmenden edhe pasojat që i presin palët në rast të mosrespektimit të obligimeve, në proceset përkatëse të anëtarësimit dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

    Aneksi për zbatimin e marrëveshjes flet edhe për organizimin e një konference donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihmë financiare për Kosovën dhe Serbinë. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

    Jo vetëm që nuk pati ndihma financiare, por Kosovës iu pezulluan edhe ato që ishin në vazhdim e sipër pas tensioneve në veriun e Kosovës.

    Qeveria e Kosovës shpresoj që pas veprimeve për shtensionimin e situatës në veri, BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese, por kjo nuk ndodhi. Qeveria pranoi t’i largonte njësitë speciale nga veriu deri në masën prej 25 për qind, si dhe është pajtuar që në katër komunat veriore të mbahen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, pas verës.

    “Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është habi që ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e z. Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian”, ka theksuar Bislimi.

    Lajçaku vazhdon të flasë për shtensionim të situatës

    Pavarësisht qëndrimit të Qeverisë se iu përgjigj kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës, emisari Lajçak ka vazhduar të flasë për rëndësinë e shmangies së dhunës në veri. E ka bërë këtë pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lajçaku ka shkruar në Twitter se me Vuçiqin kanë rënë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Gjithashtu ka përmendur edhe nevojën për përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan në postimin e Lajçakut.

    Thirrje për zbatimin e Marrëveshjes bazë dhe shmangien e tensioneve ka bërë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai i ka kërkuar Bashkimit Evropian të enjten që të veprojë me vendosmëri në mënyrë që rajoni të mos mbetet peng i një krize të pafundme për shkak të Kosovës e Serbisë.

    “BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Bazë. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafundme mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendore është i paqartë, të bëhet një Donbas i vogël nga mosngritjet e nxitura nga Rusia dhe as dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër, nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të”, ka shkruar Rama në Twitter.

    Por eksperti amerikan, Daniel Serwer, thotë se ekziston rreziku i përsëritjes së tensioneve të para disa javëve në veri.

    “Vuçiq ka përdorur vazhdimisht provokimet në Kosovë për ta larguar vëmendjen nga problemet e tij politike në Beograd. Edhe Kurti shpesh ka reaguar në mënyra që kanë rritur tensionet. Nëse Vuçiqi do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, kjo mund t’i krijojë atij një nxitje për të provokuar telashe në Kosovë”, ka theksuar Serwer.

    E profesori David Phillips tek ka folur për rrezikun për kthimin e tensioneve, ka theksuar se ka elementë të cilët do të preferonin që dialogu të dështojë.

    “Ata mund të ndërmarrin veprime për të siguruar një dështim të tillë”, ka thënë ai.

    Gjatë tensioneve të fundit në veri, 93 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar. Cak i sulmeve nga protestues të dhunshëm kanë qenë edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe gazetarët shqiptarë.