ATV

Category: Lajme

  • Mustafa e sheh të rëndë marrëveshjen e Ohrit: Kurti po tensionon situatën në veri

    Mustafa e sheh të rëndë marrëveshjen e Ohrit: Kurti po tensionon situatën në veri

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa akuzon kryeministrin Albin Kurti për tensionim të situatës në vend.

    Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Kurti po krijon reagim ndërkombëtar dhe sipas tij, po mundohet të fitojë poena për shtensionim të situatës.

    Mustafa thekson se Kurti s’mund t’i ikë zbatimit të marrëveshjes së njohjes reciproke me Serbinë, duke eskaluar situatën në veri.

    Ai thotë se marrëveshja e Ohrit është më e rëndë se ajo e 2013-ës. Ndër të tjera, Mustafa flet edhe Asociacionin dhe për masat e BE-së ndaj Kosovës.

    Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaron se nuk ka pasur nevojë që të tensionohet situata në veri të vendit dhe që kryetarët e komunave atje nuk kanë pasur nevojë të “instalohen në zyret e tyre me njësi speciale të Policisë”.

    “Problemi është se zoti Kurti po tensionon situatën në veri, por jo vetëm veri po krijon një tensionim të situatës, po krijon një reagim ndërkombëtar lidhur me këtë dhe pastaj në një formë po dëshiron që të merr poenta për shtensionim, për një situatë që nuk ka pasur nevojë që të tensionohet, nuk ka pasur nevojë që të çohen gjitha ato forca policore në veri, nuk ka pasur nevojë që kryetarët e Komunave në veri të instalohen në zyret e tyre me njësi speciale të policisë, sepse nuk është Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për të vendos kryetarët e komunave në zyrë por kanë një rol tjetër, e tani çfarë do të thotë kjo është një çështje krejt tjetër.”, thotë ai për KosovaPress.

    Ish-kretari i LDK-së ka bindjen se situata në veri të vendit është ndërlikuar që nga viti i kaluar, kur është biseduar për targat e automjeteve e pastaj, sipas tij, me marrjen e masave të ndryshme në veri të vendit, siç thotë ai, që kanë të pakordinuara me ndërkombëtarët.

    Ai potencon se kryeministri s’mund t’i ikë zbatimit të marrëveshjes së njohjes reciproke me Serbinë, siç nënvizon ai, përmes veprimeve të eskalimit të situatës në veri.

    “Ka qenë një praktikë ne veri të vendit kanë qenë ndërhyrje të madha, ato janë bërë me pajtueshmëri ose me një koordinim me Amerikanët dhe me vendet e Quintit, edhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi me NATO-n dhe KFOR-in dhe ato kanë munguar kësaj radhe, pse kanë munguar duhet të japë arsye dhe shpjegim z.Kurti se pse kemi ardhur në këtë situatë që në Bruksel dhe në Ohër të pranohet një situatë e cila nuk ka qenë fare e paraparë që më herët të bëhet, sepse ka qenë e paraparë të bëhet një marrëveshje për njohje reciproke, një marrëveshje e fundit dhe e stabiliteti të sigurisë, themi e përkohshme që siguron një status quo që është bërë atje, por është bërë dhe është pranuar nga z.Kurti. Prandaj z.Kurti nuk mund të ikë zbatimit të kësaj marrëveshje përmes veprimeve të ndryshme të eskalimit të situatës në veri të vendit, çfarë ka bërë deri më tani.”, nënvizon ai.

    Në një intervistë për KosovaPress, Isa Mustafa flet edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Lidhur me marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociacionit, të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mustafa shprehet se dokumenti është bërë si obligim i tyre që të implementohet ligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë, të vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Tani unë jam shprehur edhe publikisht se sa i përket dokumentit të vitit 2015 unë e marrë përgjegjësinë, sepse s’e kemi bërë dokument pa vetëdije, dokumenti është bërë si obligim i yni që të implementojmë ligjin paratifikimin e marrëveshjes së parë, sepse marrëveshja e parë e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, unë atëherë nuk kam qenë as Kryeministër as nuk ka qenë deputet i kuvendit të Republikës së Kosovës, kam qenë kryetarë i LDK-së i një partie, e cila ka qenë në opozitë. Dhe në vitin 2015 unë e kam trashëguar detyrimin me ligj që qeveria duhet të implemetojë marrëveshjen në vitin 2013 dhe unë kam punuar që të gjejë dhe që me një alternativë të implementimit të asaj të atij ligji dhe asaj marrëveshje, prandaj ka lindur dhe ai dokument i vitit 2015 dhe nuk dua që kjo baza dhe zanafilla është në vitin 2013, aty është ratifikuar një marrëveshje me 2 /3 të deputetëve është ratifikuar me ligj dhe tani ndërkombëtarët thonë se ju me ligj e keni obliguar shtetin e juaj që ju të bëni asociacionin, por në atë periudhë nuk e kam bërë unë por e ka bërë qeveria e z.Thaçi, nuk të fajësojë atë qeveri, sepse nuk e ka bërë me dëshirë ose me qejf, por e ka pasi obligim ndërkombëtar”, thotë ai.

    Sipas Mustafës, shumë më e rëndë është marrëveshja e Ohrit e arritur më 18 mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Të rëndë e sheh ai edhe çështjen e pozitës se Kishës Ortodokse serbe, e cila është paraparë në pikën e shtatë të marrëveshjes së Ohrit.

    “Unë konsideroj se shumë më e rëndë është marrëveshja e Ohrit se sa ajo e vitit 2013, ajo që është ratifikuar në kuvend për arsyeje në vitin 2015 ne me dokument e kemi përcaktuar se statuti i asociacionit duhet të trajtohet nga gjykata kushtetuese, dhe kur gjykata kushtetuese konstaton se statuti është në harmoni me kushtetutën, atëherë bëhet asociacioni por nuk mund të bëhet pa një shqyrtim dhe vendim të gjykatës kushtetuese. Tani nuk është paraparë por vetëm është ndryshuar cilësimi i asociacionit nga asociacion në vet menaxhim të komuniteti serb. Çfarë është vet menaxhimi i komuniteti serb për mua është e paqartë , a është një lloj autonomie apo ai asociacion konvertuar në vet menaxhim por më shumë përngjan një lloj të autonomisë të qytetarëve serb në Kosovë se sa në një asociacion ose një bashkësi si në Zajednic siç e kanë quajtur Vetëvendosje dhe praktikohet akoma dhe kryetari i kuvendit të bëjë gjithmonë shërbehet me këtë shprehje jo me bashkësi dhe asociacion, sepse ju ka bërë ndërdyjë ajo, mendojë që është e rëndë edhe çështja e pozitës se Kishës ortodokse serbe e cila është paraparë në pikën e shtatë të marrëveshjes së Ohrit, por janë pranuar si të tilla si të implemtohen pa e dëmtuar në mënyrë qetësore shtetin dhe kushtutetshmërinë e vendit.”, nënvizon ai.

    Lidhur me draft-statutin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin, ish-kreu i LDK-së thotë se ajo nuk ishte detyrë e Ramës, por e Kurtit.

    Ai thotë se nuk mund të kritikohet kryeministri shqiptar për draft-statutin nëse qeveria nuk del me propozim të vetin.

    “Unë s’e kam parë atë dokument, mirëpo nuk ka qenë ne themi në detyrën e z.Rama që të bëjë, ajo detyrë ka qenë e kryeministri Kurti dhe qeverisë Kurti, sepse edhe kërkesa ndërkombëtare edhe Bashkimit Evropian ka qenë qeveria duhet te sjellë një propozim se si qeveria sheh implementimin e marrëveshjes se Ohrit edhe pikë së 7 të vetëmenaxhimit dhe 10 që të bëjnë implementimin e marrëveshjeve të gjitha marrëveshjeve, të cilat janë përcaktuar më parë. Përderisa qeveria nuk del me një propozim të vetin, atëherë ne mund të akuzojmë dhe të kritikojmë Ramën, pse Rama, unë jam i bindur se Rama se nuk e ka bërë kokë në vete edhe nuk është një dokument që Rama është ulur dhe e ka shkruajtur….Rama përpos asaj që ka dorëzuar te gjermanët-francezët do të thotë që nuk ka ecur më tutje dhe e ka lënë te disa institucione të Bashkimit Evropian. Prandaj, unë e kisha parë të nevojshme që këtë të bëjë qeveria e jo kryeministri i Shqipërisë, sepse po krijohen edhe relacione në opinion jo të mira edhe ndaj kryeministri Rama dhe Shqipërisë.”, shprehet ai.

    Mustafa flet edhe për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

    Derisa potencon se Kosova ka qenë e respektuar nga Bashkimi Evropian, ai shtron pyetjen se nëse BE tërheq masat ndaj Kosovës, “ a do të jemi sikur në gjendjen që ishim më parë?”.

    “Problemi është se ndaj Kosovës për herë të parë janë aplikuar sanksione pa marrë parasysh se çfarë thotë Bashkimi Evropian këto janë sanksione, sepse janë marrë masa të cilat në një formë e sanksionojnë Kosovën qoftë në ndihma financiare, të cilat duhet t’i merrë Kosova, qoftë në pjesëmarrje ne institucione te ndryshme ndërkombëtare, qoftë në takime të ndryshme, qoftë në takime tjera përpos procesit të dialogut dhe tani shtrohet pyetja se kur Kosovës do t’i hiqen këto masa sanksionuese që i ka vënë Bashkimi Evropian ose se pse ndodhi që sanksione të tilla të ndërmerren ndaj njësive Ushtrisë së Kosovës, të cilës ju ndalua pjesëmarrja në ushtrimet ushtarake të NATO-së, përkatësisht KFOR-it vetëm sa kishin filluar më parë, për mua shtrohet kjo pyetje çfarë do të ndodhë kur komuniteti ndërkombëtar do të jetë i kënaqur me sjelljen e Kosovës dhe do të tërheq këto sanksione, por edhe nëse tërheq a do të jemi sikur në gjendjen që ishim më parë. Në një gjendje në të cilën komuniteti ndërkombëtar nuk ka pas vërejte ndaj Kosovës, Kosova ka qenë e respektuar nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e ndryshme të lidhura me Bashkimin Evropian, në qoftë se këto lacione janë të cenuara ose të dëmtuara atëherë shtrohet pyetja se si ato të cenohen dhe unë jam i bindur se nuk do të cenohen për një kohë shumë të gjatë në nivelin që kanë qenë me parë pa marrë parasysh se çfarë ka dëshirë të thotë tani qoftë Vetëvendosja ose partitë që janë në pushtet.”, thotë ai.

    Mustafa i quan tërësisht të gabuara deklaratat e ministres së Punëve të të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila para dy javëve, në forumin e Dubrovnikut i është referuar Bashkimit Evropian si “tigër prej letre”.

    Ai thekson se Kosova nuk mund ta bëjë asnjë hap pa BE-në.

    “Mendoj se reagimet e ministres së jashtme kanë qenë reagime totalisht të gabuara, se nuk mundet një ministre e jashtme me u shpreh në formë të tillë ndaj institucioneve ndaj Bashkimit Evropian, tani neve na pëlqen diçka dhe nuk na pëlqen nga Bashkimi Evropian, ne mund të kemi një përshtypje se ata po përkrahin Serbinë sesa Kosovën, edhe Serbia mund të ketë një përshtypje të veten se po përkrahin Kosovën sesa Serbinë, mirëpo ne duhet të jemi të vetëdijshëm se asnjë hap nuk munden me e bërë përpara pa një bashkëpunim me Bashkimin Evropian, dhe nuk jemi ne Kosova te cilët ia diktojmë Bashkimit Evropian se kush do të jetë institucioni ose njeriu në Bashkimin Evropian i cili do të merret me këto çështje…Mirëpo, ne duhet të respektojmë këto institucione dhe asesi të bëhemi një arbitër i Bashkimit Evropian se kush bënë e kush nuk bënë, sepse ne nuk mund të bëjmë zgjidhje, sepse zgjidhjen e bëjnë ata.”, shton tutje ai.

  • Kurti për “Vecernji list”: Vuçiqin e bën nervoz demokracia, do të bëhet mbret

    Kurti për “Vecernji list”: Vuçiqin e bën nervoz demokracia, do të bëhet mbret

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidentin serb Vuçiq e bën nervoz demokracia.

    Ai në një intervistë për “Vecernji list” ka thënë se Vuçiq dëshiron të bëhet mbret.

    Ndër të tjerash ai ka thënë se në kufirin Kosovë-Serbi ka baza të ushtrisë serbe “prandaj jemi shumë të kujdesshëm”.

    “Ne kemi blerë Bajraktarët, dyfishuam buxhetin e ushtrisë dhe rritëm numrin e ushtarëve. Në kufi janë bazat e ushtrisë serbe, prandaj jemi shumë të kujdesshëm”, tha Kurti.

  • Këto janë komunat zvicerane me përqindjen më të madhe të kosovarëve

    Këto janë komunat zvicerane me përqindjen më të madhe të kosovarëve

    Shqiptarët (kryesisht shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë) zyrtarisht përbëjnë komunitetin e katërt më të madh, të huaj në Zvicër, pas gjermanëve, italianëve dhe portugezëve. Por, në kantonet gjermane të vendit ata zënë vendin e tretë dhe në ndonjërin prej tyre, madje edhe vendin e dytë.

    Sidoqoftë, Zyra Federale e Statistikave ka bërë së fundi një listë prej dhjetë komunave me përqindjen më të lartë të banorëve kosovarë, shkruan blick.ch.

    Qytetarët me shtetësi të dyfishtë nuk llogariten.

    1
    Egerkingen (Solothurn)

    Komuna e Egerkingen-it zë vendin e parë. Këtu proporcioni i kosovarëve në raport me numrin e gjithmbarshëm të banorëve është 9.3 për qind, pra 391 nga gjithsej 4221 banorët, janë kosovarë. Egerkingen-i ndodhet direkt në autostradë dhe kufizohet, ndër të tjera, me komunat Härkingen, Hägendorf dhe Neuendorf, transmeton albinfo.ch. Përveç kësaj, Egerkingen-i është shumë afër Oltenit.

    2
    Reinach AG
    Reinach-u në kantonin Aargau zë vendin e dytë në renditje, me 9.2 për qind. Ky fshat, së bashku me Menziken-in, është qendër ekonomike në Aargaun jugor. 9.2 për qind dmth 838 persona me shtetësi kosovare jetojnë në këtë lokalitet Reinach-u ka 9108 banorë.

    3
    Leibstadt AG
    Ky fshat është më i njohur për termocentralin bërthamor. Nga 1886 banorë (viti 2021) 157 janë nga Kosova. Kjo është 8.3 për qind.

    4
    Triengen LU
    Çfarë kanë të përbashkët furçat e dhëmbëve, tharëset e flokëve dhe aeroplanët e vegjël? Pikërisht, të treja janë të lidhur me Triengen. Kompania zvicerane Trisa ka selinë e saj këtu. Ajo punëson mbi 1000 njerëz dhe furnizon të gjithë Zvicrën. Përveç një aeroporti për aeroplanë të vegjël, Triengen ka gjithashtu një rrjet të madh rrugor që mund të përdoret për të udhëtuar shpejt në Lucern ose Aarau. Me një popullsi prej 4687 (që nga viti 2021), 387 vijnë nga Kosova – pra 8.3 për qind.

    5
    Bottstein AG
    Kthehemi në kantonin Aargau. Böttstein ndodhet në Aare në rrethin Zurzach. Nga 4063 banorë (nga viti 2021), 8 për qind janë me shtetësi kosovare, 325 banorë, përcjell albinfo.ch. Pikërisht përballë, në anën tjetër të lumit Aare, ndodhet Döttigen-i, i cili renditet i 12-ti me 6.7 për qind të kosovarëve.

    6
    Birr AG
    Proporcioni këtu është 7.7 për qind. 354 nga 4573 banorë janë nga Kosova. Që nga vendosja e kompanisë energjetike ABB (Brown, Boveri & Cie.) me ndërtesa fabrikash dhe zona banimi në vitet 1950, komuna e Birrit ka përjetuar një rritje të fortë me një përqindje të lartë të udhëtarëve dhe të huajve. Përveç ABB-së, aktualisht funksionon edhe dega General Electric.

    7
    Spreitbach AG
    Spreitbach është i njohur për të gjithë. Sipas Bfs, qyteti i Spreitbachut ka 12,162 banorë  (viti 2021) dhe një përqindje e të huajve mbi 50 për qind. 921 banorë vijnë nga Kosova. Kjo është 7.6 për qind.

    8
    Tecknau BL
    Tecknau në kantonin e Baselland është komunë fare e vogël. Ajo ka një popullsi prej 813 banorësh (që nga viti 2021) dhe 60 prej tyre janë kosovarë, që përbën 7.4 për qind të banorëve të Tecknau.

    9
    Dulliken SO
    Komuna e dytë e Solothurnit në këtë listë është në rrethin e Oltenit, transmeton albinfo.ch. Rreth 7.3 përqind e 5,200 banorëve të Dulliken vijnë nga Kosova, ose 382 sish.

    10
    Menziken AG
    Këtu përbërja e banorëve nga Kosova është 7.2 për qind. Menziken-i është pikërisht pranë Reinach. 483 nga 6706 banorë janë kosovarë.

  • ​Rritja e pagës minimale, “Qeveria të ndihmojë bizneset e vogla ose do të falimentojnë”

    ​Rritja e pagës minimale, “Qeveria të ndihmojë bizneset e vogla ose do të falimentojnë”

    Rritja e pagës minimale në vlerë prej 264 eurove po konsiderohet të jetë e dëmshme për bizneset e vogla. Kështu po vlerësojnë ekspertë të ekonomisë, të cilët apelojnë që Qeveria t’i ndihmojë mikrobizneset, qoftë me subvencione të qirasë apo në forma të ndryshme, në mënyrë që të mos falimentojnë.

    Kuvendi i Kosovës pa opozitën, para 10 ditësh ka miratuar Ligjin për Pagën Minimale. Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se në Kosovë janë 80,985 persona që paguhen më pak se 264 euro në muaj. Sipas tij, janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë.

    Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të premten e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për pagën minimale.

    Ekspertët e ekonomisë kërkojnë nga Qeveria të ndërmarrë hapa të nevojshëm në këtë drejtim, në mënyrë që të parandalohet rritja e informalitetit.

    Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija thotë për KosovaPress se disa nga bizneset e vogla e kanë problem t’i përmbahen këtij kriteri, në këtë mënyrë, ai thotë se shumica e bizneseve të vogla do të falimentojnë.

    “Në rast se do të bëhet obligative që do të kenë një pagë fikse 250, apo çfarëdo vlere për këto biznese, do të dëmtohen në masë të madhe, për shkak se ato fillimisht duhet të mbushin obligimet ndaj punëtorëve, pastaj të krijojnë profitin e tyre. Në mënyrë që të bëhet kjo zgjidhje, duhet t’i rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që nuk mund të jenë konkurrent në treg, pastaj tregu gradualisht i detyron që ata t’ia vendosin drynin ndërmarrjes tyre… Kjo për shkak se ndërmarrjet e vogla dhe mikro ndërmarrjet e kanë vështirësinë e qarkullimit të kesh-it dhe vështirësinë e kapitalit dhe aseteve tjera financiare, të cilat atyre u pamundësojnë që t’u përmbahen një kriteri të tillë për të vendosur një pagë minimale për punëtorët e tyre 250 euro”, thotë Avdija.

    Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK),Lulzim Rafuna thotë se rritja e pagës minimale do t’i dëmtojë ndërmarrjet e vogla.

    Sipas Rafunës, para se të sillet ligji është dashur të bëhej një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale te këto biznese.

    “Para se të sjellet ligji ish dashtë me qenë një studim, një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale, sidomos tek bizneset e vogla që fillojnë punën. Por, ne edhe më herët e kemi ngrit zërin që bizneset e vogla të ndihmohen në një periudhë të caktuar kohore, derisa të stabilizohen pak. Duhet me qenë shumë të kujdesshëm, në momentin që fillon të implementohet ligji që mos të dëmtohen asnjë biznes, duke përfshirë edhe ato biznese që sapo kanë filluar punën”, shprehet ai.

    Rafuna shton se ka nevojë që të ndihmohen bizneset e vogla, në mënyrë që të mos pësojnë ndonjë dëmtim nga ana e pagës minimale.

    Në këtë drejtim, ai thotë se shteti duhet t’i ndihmojë këto biznese me politika fiskale.

    “Duhet të përgatitet një paketë e masave fiskale, sidomos tek subvencionimi i qirasë për një periudhë të caktuar kohore ose subvencionimi i fuqisë punëtore, aty ku hasen në vështirësi, me pas ndihma në forma të ndryshme, në zbutjen e interesave. Ka mënyra të ndryshme dhe ka masa të ndryshme, vetëm është çështje e një studimi dhe vlerësimi nga ana e institucioneve të vendit, në bashkëpunim me biznesin dhe të shihen cilat janë ato masa më të dobishme dhe që krijojnë një efekt më të mirë për të ndihmuar biznesin”, thotë Rafuna.

    Ndërsa, hulumtuesi nga Riinvest, Visar Vokrri potencon se rritja e pagës minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit te punëtorët.

    “Kjo pagë minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit, për shkak se kemi pas një numër të bizneseve që kanë deklaruar ndoshta pagën e punëtorëve deri në nivel të pagës minimale, ndërsa pjesën tjetër ua kanë kompensuar përmes kanaleve joformale. Pra, në këtë kontekst konsideroj se qeveria tani duhet të jetë më e kujdesshme dhe të fokusohet në masat që kanë për qëllim uljen e informalitetit. Pra, në rritjen e kapaciteteve të inspektoratit të punës, në mënyrë që kësisoj të parandalojë rritjen e mëtutjeshme të informalietit si rezultat i rritjes së pagës minimale”, thotë Vokrri.

    Përndryshe, me 60 vota për dhe një abstenim, para 10 ditësh është miratuar ligji për pagën minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet në vlerë 264 euro. Ndërsa, në votim nuk është mbështetur asnjë amendament.

    Ndërkaq, është bërë pothuajse një vit prej kur ky projektligj ishte miratuar në parim.

    Shqyrtimi i këtij dokumenti është pezulluar nën arsyetimin se po synohet konsensusi me veteranët e UÇK-së që projektligji nuk ua garanton pensioni në masën e pagës minimale. Amendamente për këtë kanë dorëzuar në Kuvend dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, ku kishin kërkuar të fshihen nga projektligji nenet, me të cilat parashtrojnë nga përfitimi i pagës minimale, kategoria e veteraneve të luftës, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe personave të verbër. Mirëpo, asnjëra nuk është mbështetur nga pozita në momentin e votimit.

    Kundër këtij ligji me protesta janë shprehur edhe organizatat e dala nga lufta. Ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe janë në pritje të vlerësimit nga ekspertet e zyrës së presidencës.

    Veteranët kanë paralajmëruar protesta para Kuvendit edhe të mërkurën e javës që vjen.

  • 55 ditë i ngujuar: Çka dihet për fatin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit

    55 ditë i ngujuar: Çka dihet për fatin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit

    Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, tash e 55 ditë është i ngujuar në ndërtesën e komunës.

    Gjithçka nisi pas protestave në tri komunat veriore me shumicë serbe pasi kryetarët shqiptarë të zgjedhur ishin futur nëpër ndërtesat ku duhej të shërbenin nën shoqërimin e policisë.

    Në atë të diele, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një mbledhje. Aty besohet të ishte vendosur që Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit, duhej ta bënte një sakrificë të madhe: jo vetëm që do të futej brenda ndërtesës, por edhe do të ngujohej në të.

    Dhe, ashtu ndodhi. Hetemi u fut brenda ndërtesës dhe bashkë me të besohet se ishte deputeti Salih Zyba, që qëndroi dy-tri ditë.

    Një tallje të rëndë drejtuar Lulzim Hetemit e kishte bërë kryeministri Edi Rama duke e krahasuar përbuzshëm me heroin kombëtar Oso Kukën.

    Ai e kishte përmendur Oso Kukën në dhjetëra raste duke e treguar atë që sipas tij është politikë absurde e Kosovës që po e prish me botën perëndimore.

    Kryeministri Kurti në anën tjetër ka pasur krejtësisht fjalë të tjera duke e lavdëruar Hetemin për “qëndresën e tij”, raporton Nacionale.

  • Pushime të djegura për mijëra turistë në ishullin grek Rodos, evakuohen 30.000 vetë

    Pushime të djegura për mijëra turistë në ishullin grek Rodos, evakuohen 30.000 vetë

    Natë kaotike në ishullin grek të pushimeve, Rodos.

    Për mijëra turistë pushimet shprehimisht u dogjën.

    Sipas AFP gjithsej janë evakuuar 30.000 vetë pas shpërthimit të zjarreve masive. Më shumë se 2000 prej tyre, shumica pushues u morën me anije nga plazhet, njoftoi roja bregdetare greke, por edhe me autobusë. Jo pak turistë duhej të ecnin me këmbë në përpjekje të dilnin nga zona e rrezikut, pas rrugëve të bllokuara.

    Temperaturat rreth 40 gradë kanë përfshirë Greqinë prej ditësh. Shumica e të evakuuarve janë dërguar në veri të ishullit për t’u strehuar në salla sporti apo shkolla. Zjarret ende nuk janë shuar. /DW

  • “Mjaft keni jetuar”: Përjetimi i grave ukrainase në burgun rus

    “Mjaft keni jetuar”: Përjetimi i grave ukrainase në burgun rus

    Tri ditë pasi forca të shumta ruse u futën brenda kufirit të Ukrainës, duke lëvizur drejt kryeqytetit, Viktoria Andrusha, një mësuese 26-vjeçare e matematikës dhe shkencave kompjuterike, po ndihmonte në përkujdesjen e prindërve të vet në një fshat rreth 90 minuta në jug të Kievit.

    Trupat ruse kryen bastisje shtëpi për shtëpi në fshatin e quajtur Stariy Bykiv. Në shtëpinë e prindërve të saj ata e gjetën Andrushën, si dhe telefonin e saj mobil, i cili përmbante fotografi dhe video të mjeteve ushtarake ruse.

    “Ata thjesht thanë se ju keni një status të një ‘topçiu’ – një detektues topçiu”, tha ajo për Current Time, një term i njohur si një vëzhgues artilerie, dikush që ndihmon ta drejtosh artilerinë apo mortajën kah armiku.

    “Ata i urrenin më së shumti në veçanti njerëzit me status të tillë”, theksoi ajo.

    Ata e arrestuan atë. Gjatë gjashtë muajve në vazhdim, ajo përjetoi rrahje, goditje me shok elektrik, mbyllje të syve, dërrmim, uri, mërzim të pafundme, dhe një pasiguri të frikshme: ajo nuk e dinte nëse do të dilte e gjallë nga aty ndonjëherë.

    Autoritetet ukrainase vlerësojnë se më shumë se 25.000 ukrainas po mbahen peng nga Rusia tani për tani – disa prej të cilëve, në Donbas dhe Krimea, janë duke u mbajtur qysh para pushtimit të plotë të shkurtit 2022. Nga ajo shifër, 126 janë gra, 80 prej të cilave civile, nga 30 qershori.

    Andrusha është njëra nga to.

    Lyudmyla Huseynova është një tjetër.

    “Kjo ishte gjëja më e frikshme për mua”

    Huseynova, 61 vjeçe, ish-inxhiniere e sigurisë në vendin e punës, tha se ishte arrestuar nga burra të panjohur më 9 tetor 2019, më shumë dy vjet para pushtimit të plotë, në Novoazocsk, një qytet bregdetar në Donetsk, në perëndim të kufirit rus.

    “Më ndaluan në rrugë, pranë një veture. Ata kërcyen dhe më futën në atë makinë duke më shtyrë. Më çuan në shtëpinë time, e kontrolluan atë, gjetën libra ukrainas, një flamur ukrainas, pastaj ma futën një thes në kokë dhe më çuan më larg me veturë”, tha ajo në një intervistë më 4 korrik në Kiev.

    Ajo tha se e kishin dërguar me veturë në qytetin e Donetskut, rreth dy orë e gjysmë me veturë drejt veriut, me thesin që ia mbanin ende në kokë dhe pa i dhënë asnjë shpjegim për atë se çfarë do të ndodhte. Përfundimisht, ajo u soll në një burg të njohur si Izolyatsia – ngujimi – në një ish-fabrikë e cila më vonë ishte shndërruar në qendër për art bashkëkohor.

    “Kur më sollën aty, më detyruan të zhvishem. Kur bullizimi filloi dhe më hodhën në një qeli, ata më lejuan ta hiqja thesin, dhe një vajzë tjetër më tregoi se për çfarë vendi bëhej fjalë”, tha Huseynova.

    “Nuk më lejohej të ulesha apo të shkoja në shtrat nga ora gjashtë e mëngjesit deri në orën 10 të natës”, tha ajo. “Llamba shumë të nxehta ishin të instaluara afër, jo shumë larg shtratit tim. T’i digjnin sytë”.

    “Dhe në katër ditët e para, ajo çfarë dëgjova ishin britma të tmerrshme. Thjesht iu luta zotit se ato nuk ishin britmat e të afërmeve të mi. Kjo ishte gjëja më e frikshme për mua”, tha Huseynova.

    Në anën tjetër, Andrusha tha se ishte dërguar në një qendër ndalimi përgjatë kufirit, në rajonin rus Kursk, ku i ishin lidhur sytë dhe duart.

    “Ata na detyruan të gjunjëzoheshim dhe thanë: ‘Do t’ju qëllojmë me armë tani’”, tha ajo në një intervistë të xhiruar më 29 qershor.

    Kur të burgosurit erdhën në qendrën e ndalimit, të gjithë kaluan nëpër procesin e “pranimit”, sipas saj.

    Ajo tha se të burgosurit dërgoheshin në një korridor të brendshëm, ku nuk kishte kamera të vëzhgimit dhe rriheshin.

    “Kaq e kishte puna juaj”

    Ajo tha se ishte rrahur aq keq, dhe ishte goditur me një armë trullosëse, saqë e kishte humbur vetëdijen në një çast.

    Rrëmbyesit e saj do të thoshin, kujton ajo: “Ju keni jetuar paksa tashmë. Epo, mjafton për ju, e keni provuar tashmë. Kaq e kishte puna juaj”.

    “Erdhi një çast kur thashë se po alivanosja, po e humbisja vetëdijen. Ata nuk më besonin mua, më kërcënonin, ‘do t’ju djegim të gjalla tani’”, tha ajo.

    Nga dita e parë e rrëmbimit të saj, Andrusha tha se nga ajo dhe të burgosurat e tjera pritej ta mësonin himnin kombëtar rus, dhe qortoheshin dhe ndëshkoheshin për çfarëdo gabimi apo shkeljeje.

    “Zoti të ndihmoftë po the ndonjë fjalë gabim diku, apo po këndove butësisht apo kështu diçka”, tha ajo.

    “Unë bezdisesha në veçanti nga kënga e tyre ‘Xhaxha Vova’. Kjo këngë thjesht e lartësonte Putinin”, tha ajo. “Kishte momente kur ata më detyronin të mësoja poezi. Dhe njëra nga ato poezi quhej ‘na falni, të dashur rusë”.

    Andrusha tha se qante shpesh.

    “Edhe nëse qaja, e bëja në një mënyrë që [rojat] mos ta vërenin”, tha ajo. “Pastaj erdhi një çast kur ata thjesht na çuan neve në korridor dhe e lëshuan një video për Mariupolin, ku shfaqnin qytetin e bombarduar dhe fëmijët duke jetuar në një bodrum. Të gjitha emocionet shpërthyen në atë moment”.

    “Ende nuk ndiej se dua të ha”

    Uria dhe etja ishin gjë e zakontë në qendrat e ndalimit.

    “Kishte ditë kur ata na jepnin vetëm copa të vogla të bukës, shumë të vogla, për tërë ditën. Dhe ti duhesh që disi ta bësh këtë copë buke të zgjasë për ty. Dhe unë e asgjë tjetër”, tha Huseynova.

    Në raste të tjera, tha ajo, të burgosurave u jepej qull që ishte i fortë si guri.

    “Në të ata përzinin jashtëqitje miu dhe ishte e pamundur të hahej. Ende nuk mund ta shijoj ushqimin. Nuk dua të ha asgjë”, tha ajo.

    Andrusha, e cila u lirua nga Rusia më 22 shtator 2022, vazhdon të punojë si mësimdhënëse.

    Huseynova, e cila jeton në Kiev dhe është vullnetar për një organizatë joqeveritare që lufton për gratë e burgosura, u lirua më 17 tetor 2022. /REL

  • ​114 vjet nga Kongresi i Dibrës

    ​114 vjet nga Kongresi i Dibrës

    Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman është mbajtur në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës.

    Kongresi është sponsorizuar nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim”, me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.

    Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres kanë refuzuar kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga komiteti dhe kanë krijuar një komision të përbashkët me xhonturqit, vendimet e të cilit, edhe pse kanë qenë në thelb për besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë Otomane, kanë përfshirë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore.

    Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës janë te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërinë e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që ka pasur qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër ishte pranuar rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.

    Pas 6 dite pune Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit, më 28 korrik ka miratuar një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve janë quajtur “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, ka përfaqësuar programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që i janë bërë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë.

    Në këtë pjesë ishte shprehur uniteti i të gjithë osmanlinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; ishte kërkuar gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

    Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ka ruajtur në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit janë quajtur “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, janë përfshirë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.

    Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin aty kanë pasur të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Është parashikuar ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat ishte mësuar filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.

    Krahas këtyre, janë përfshirë edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Është kërkuar që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshpëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i janë lënë për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë.

  • BQK: Bankat të ofrojnë falas llogari të shërbimeve bazike për klientët

    BQK: Bankat të ofrojnë falas llogari të shërbimeve bazike për klientët

    Banka Qendrore e Kosovës tanimë u ka shpërndarë një rregullore të re bankave në vend, me të cilën obligohen që të ofrojnë një llogari bazike falas për të gjithë klientët bankar.

    Në bazë të kësaj rregullore e cila hyn në fuqi më 1 gusht të këtij viti, klientëve të bankave u ofrohet ky shërbim pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

    “Shërbime mund të kryhen nëse hapni një llogari të pagesës me shërbime bazike: – shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e në llogarie pagese; – shërbime që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; – shërbime që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; Si dhe ekzekutimi i transaksioneve të mëposhtme të pagesave: -debitimi direkt; – transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet; – transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës, ose përmes platformave online. Qasja në llogaritë e pagesave me shërbime bazike duhet të sigurohet nga bankat për konsumatorët, pavarësisht nga rrethanat financiare të konsumatorëve, të tilla si statusi i punësimit të tyre, niveli i të ardhurave, historia e kredisë ose falimentimi”, thuhet në rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike. /KP/

  • Mbi dy orë pritjet në pikat kufitare të Kosovës

    Mbi dy orë pritjet në pikat kufitare të Kosovës

    Mërgimtarët janë duke pritur mbi dy orë për të hyrë në territorin e Kosovës, nga pikat kufitare tokësore.

    Më së shumti pritje ka në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku kolona është 2,000 metra, teksa pritjet janë mbi dy orë e gjysmë.

    Ndërkohë, mërgimtarët po presin edhe në Merdarë, ku pritjet janë deri në dy orë.

    Në pikët tjera kufitare situata është e qetë, ku pritjet janë nga 5 deri në 10 minuta.

    Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, mërgimtarët që janë duke ardhur nga vende të ndryshme të Evropës janë duke pritur në radhë të gjata për të hyrë në Kosovë.