ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Ferizaj me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 34 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 40 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Mblidhen dy Komisione të Kuvendit të Kosovës

    Mblidhen dy Komisione të Kuvendit të Kosovës

    Sot do të mbahen mbledhjet e dy komisioneve të Kuvendit të Kosovës.

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, mban mbledhje, në të cilën do të bëj shqyrtimin e raportit me amendamente të Komisionit Funksional për Projektligjin pёr të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, shqyrtimin e raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore dhe shqyrtimin e raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshilllin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    Po ashtu ky komision do të bëj shqyrtimin edhe të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, raporton RTKlive.

    Në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit vjetor i Organit Shqyrtues i Prokurimit për vitin 2022, shqyrtimi i raportit vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2022, shqyrtimi i raportit vjetor Financiar i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022, shqyrtimi i raporti vjetor Financiar i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022 dhe shqyrtimi i Raporti vjetor Financiar i Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2022.

    Ndërkaq Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, në rend dite ka shqyrtimin e raporteve të komisioneve të përhershme për Projektligjin pёr të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

  • Kuvendi hap dyert për mërgimtarët

    Kuvendi hap dyert për mërgimtarët

    Sot, Kuvendi i Kosovës organizon aktivitetin tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”.

    Ku bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës mund edhe të takohen me deputetë.

    Ky aktivitet fillon nga ora 08:00, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

     

  • AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot mban tryezë diskutimi me shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë dhe të pagjeturve dhe ish-udhëheqës të UÇK-së.

    “Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kohë që ka filluar një cikël diskutimesh për situatën e rëndë politike në Kosovë dhe modalitetet e mundshme për të dalë nga kjo situatë, me pjesëmarrës nga jeta publike, ekspertë të fushave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave”, njofton AAK.

    Tryeza mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe AAK edhe javën e kaluar ka mbajtur tryze të tillë me akterë të tjerë në vend.

  • Prokuroria nis hetimet për një rast që ministri Peci e denoncoi në Facebook

    Prokuroria nis hetimet për një rast që ministri Peci e denoncoi në Facebook

    Pas kritikave që ministri i Bujqësisë, Faton Peci u bëri institucioneve të drejtësisë për mosveprime në rastet që po i denoncojnë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka nisur hetimet për tjetërsimin e pronave që ishin në pronësi të Institutit Bujqësor të Kosovës.

    Ky veprim vjen pak ditë pasi që ministri i Bujqësisë, Faton Peci kritikoi organet e drejtësisë përmes një statusi në Facebook, duke ngritur dyshime për tjetërsimin e pronave shtetërore për interesa personale.

    Nga Prokuroria shkurt vetëm kanë konfirmuar nisjen e hetimeve, duke mos treguar se pse një hetim i tillë nuk ishte bërë më herët.

    Por pavarësisht kësaj, as ministri Peci e as zyrtarë të kësaj ministrie, nuk kanë pranuar të flasin rreth këtyre denoncimeve.

    Avokati Yll Zekaj thotë se denoncimet që ministri ka bërë për keqpërdorimet brenda institucionit që ai udhëheq duhet të jenë alarm për sistemin e drejtësisë.

    Por, ai vlerëson se nuk duhet që të përdoret gjuhë e ashpër dhe vazhdimisht të ndërhyhet në punët e këtyre institucioneve.

    “Politika asnjëherë nuk duhet të përzihet në sistemin e drejtësisë, politika mund ta ndihmojë atë duke i identifikuar edhe rastet siç po bënë edhe ministri Peci, por me identifikimin e rastit me orientimin e atyre rasteve në sistemin e drejtësisë, mbaron më kompetenca e ministrit, për të gjuajtur gurë, mbi sistemin e drejtësisë, edhe ashtu një sistem i brishtë dhe është identifikuar si lehtë i ndikueshëm”, ka thënë avokati Yll Zekaj.

    Ministrat e Qeverisë Kurti vazhdimisht kanë kritikuar sistemin e drejtësisë.

    Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci shpesh përmend se ka dërguar në Prokurori shumë raste që kanë të bëjnë me keqpërdorime me subvencione e me menaxhimin e pronave.

  • Në këtë ditë të nxehtit arrin kulmin në Kosovë, temperaturat do të shkojnë deri në 40 gradë

    Në këtë ditë të nxehtit arrin kulmin në Kosovë, temperaturat do të shkojnë deri në 40 gradë

    Java e fundit e korrikut do të fillojë me mot shumë të nxehtë dhe kryesisht me diell. Temperaturat të martën sipas Prishtina Weather, mund të arrijnë edhe deri në 38 gradë, e lokalisht t’i afrohen edhe 40 gradë.

    Si zakonisht, pas çdo të nxehti ekstrem, masa të freskëta ajrore nga veriu do të depërtojnë mbi vend nga dita e mërkurë dhe enjte, që zbresin temperaturat edhe deri në 23C.

    “24.07 – Mot më i nxehtë dhe kryesisht me diell.

    25.07 – Shumë nxehtë, kryesisht me diell dhe erë. Pasdite do të ketë edhe vransira kalimtare.

    26.07 – Kryesisht me diell, me erë dhe jo shumë nxehtë. Pasdite më vonë dhe mbrëmje rrebeshe e bubullima kalojnë mbi vend.

    27.07 – Më freskët, me vransira e diell. Nuk përjashtohen mundësi për riga lokale shiu.

    28.07 – Më ngrohtë, me kthjellime e diell.

    Do të fryjë erë mesatare dhe e fuqishme nga jugperëndimi 8-18m/s, e të enjten ndryshon drejtimin në veriore, ku frynë me intenzitet të lehtë dhe mesatarë 4-8m/s.

    Shtypja atmosferike do të pësojë një rënie të theksuar nën vlera normale.”

  • Kurti për median kroate: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi kur vendosën masa ndëshkuese ndaj meje

    Kurti për median kroate: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi kur vendosën masa ndëshkuese ndaj meje

    Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List” ka folur për zhvillimet e fundit në vend.

    Në këtë intervistë i pari i ekzekutivit nuk ka kursyer kritikat për bashkimin Evropian dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë.

    “Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”, ka deklaruar Kurti për “Veçernji List”.

    Kurti thotë se Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj tij duke i vendosur masa ndëshkuese, derisa në të njëjtën kohë sipas tij falën presidentin e Serbisë.

    “Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi”.

    Ai shpreson se masat ndëshkuese nga BE-ja do të jenë afatshkurtëra.

    “Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka deklaruar mes tjerash Kurti.

  • Punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë të ekspozuar në temperatura të larta e pa masa mbrojtëse

    Punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë të ekspozuar në temperatura të larta e pa masa mbrojtëse

    “Qytetarë të dashur, kujdes nga temperaturat e larta! Qëndroni në hije. Shmangni aktivitetin fizik të mundimshëm gjatë temperaturave të larta”.

    Janë këto vetëm disa thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë për të mos u ekspozuar në diell gjatë temperaturave të larta.

    Mirëpo masat e rekomanduara për shëndetin nuk po përfillen nga të gjithë.

    Janë këta punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë, të cilët përveç ekspozimit ndaj temperaturave të larta, disa prej tyre madje nuk kanë as pajisje mbrojtëse të punës.

    E mungesa e tyre sipas ekspertëve të sigurisë dhe shëndetit në punë mund të jenë fatale për punëtorët.

    “Si rezultat i mungesës së pajisjeve mbrojtëse mund të vijë deri te një aksident apo tek një fatkeqësi me fatalitet. Së dytë mund të jetë fakti që jo të gjitha vendpunishtet mobile apo ato të cilat janë të dedikuara për ndërtim i plotësojnë kushtet për nga aspekti teknik dhe i pajisjeve kolektive mbrojtëse. Pastaj mungesa e stafit të kualifikuar nga punëdhënësi është një mangësi e madhe që çon deri tek këto aksidente”, thotë Lirik Veselaj, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Këto janë arsyet që sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, rastet e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës janë rritur.

    “Realisht numri i punëtorëve që po humbin jetën në vendin e tyre të punës po rritet. Krahasuar me vitin e kaluar është një rritje jashtëzakonisht e madhe. Deri në fund të qershorit të këtij viti kemi 14 raste që po themi se është numër shumë i madh. A përkujdesin nuk janë duke e bërë as institucionet që janë obligative ndaj këtyre kompanive. As sigurinë minimale nuk janë duke e bërë pronarët e kompanive”, thotë Jusuf Azemi nga kjo sindikatë.

  • Greqi, evakuuimi nga ishulli i Rodosit, më masivi nga zjarret në vend

    Greqi, evakuuimi nga ishulli i Rodosit, më masivi nga zjarret në vend

    Rreth 19,000 persona janë evakuuar nga ishulli grek i Rodosit ndërsa zjarret vazhdojnë për të gjashtën ditë në tre fronte, thanë autoritetet greke të dielën.

    Ministria e Ndryshimeve Klimatike dhe Mbrojtjes Civile tha se ishte “evakuimi më i madh nga zjarret në vend”.

    Policia lokale tha se 16,000 vetë u evakuuan nga toka dhe 3,000 nga deti nga 12 fshatra dhe disa hotele. Gjashtë persona u trajtuan për një kohë të shkurtër në një spital për probleme me frymëmarrjen.

    Një person që ra dhe theu këmbën gjatë evakuimit në hotel dhe një grua shtatzënë mbetën të shtruar në spital. Autoritetet thanë se gruaja ishte në gjendje të mirë.

    Agjencitë turistike TUI dhe Jet2 anuluan fluturimet për në Rodos. Jet2 tha se po anulonte pesë fluturime të rregullta për pasagjerët për në ishull të dielën, por do të dërgonte avionë në Rodos për të evakuuar klientët e vet.

    TUI tha se po anulonte të gjitha fluturimet për në ishull të paktën deri të martën. Një agjent i një kompanie turistike në Rodos, Stelios Kotiadis konfirmoi për Associated Press se evakuimi po bëhej me nxitim.

    “Ka pasur panik. … Autoritetet ishin të mbingarkuar,” tha ai. Megjithatë ai shtoi se hotelet e braktisura “janë në gjendje shumë më të mirë sesa njoftohet në mediat sociale. … Ata do të jenë gati të rihapen shumë shpejt nëse Mbrojtja Civile hap dritën e gjelbër.”

    Zoti Kotiadis tha se ai dhe agjentë të tjerë udhëtimi dërguan autobusë në juglindje të ishullit për të marrë turistët e evakuuar. Ai shtoi se 90% e turistëve të evakuuar janë nga vendet evropiane.

    Ambasadori britanik në Greqi, Matthew Lodge, tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po dërgonte një ekip të shpejtë për t’u shërbyer shtetasve britanikë në Rodos.

    Ministria e Punëve të Jashtme greke tha se po dërgonte personel në Aeroportin Ndërkombëtar të Rodosit për të ndihmuar turistët e huaj që kanë humbur dokumentet e udhëtimit.

    Zëdhënësi i Brigadës së Zjarrfikësve, Yannis Artopios tha se deri të dielën pasdite, 266 zjarrfikës dhe 49 automjete zjarrfikëse po punonin në terren, së bashku me qindra vullnetarë.

    Dhjetë avionë zjarrfikës, përfshirë dy nga Franca, dy nga Turqia dhe një nga Kroacia, si dhe tetë helikopterë po veprojnë në atë zonë. Bashkimi Evropian ka dërguar përforcime të konsiderueshme.

    “Mbi 450 zjarrfikës dhe shtatë avionë nga BE-ja janë dislokuar në Greqi ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin”, tha të dielën në Twitter Komisioneri i BE-së për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.

    Në pjesën malore të Rodosit, një front aktiv i zjarreve, zjarrfikësit janë përpjekur të ndalojnë përhapjen e flakëve në pyjet e dendura aty pranë.

    Temperaturat në Greqi vazhduan të ishin të larta të dielën. Që para mesditës, temperaturat kishin arritur 38 gradë Celsius.

    Disa nga të evakuuarit, përfshirë turistë, po strehohen në hotele të tjera, palestra dhe një qendër konferencash. Një kompani transporti ka ofruar një nga anijet e saj për strehim. Agjenti i udhëtimit, Kotiadis i tha agjencisë Associated Press se po përdoreshin tre anije.

    Zjarre shpërthyen të dielën edhe në pjesë të tjera të vendit. Gjendja më e rëndë ishte në Evia, ishulli i dytë më i madh i Greqisë, ku autoritetet u thanë banorëve të katër fshatrave jugore që të evakuoheshin në qytetin Karystos, në perëndim të zonë ku po përhapej zjarri.

    Zëvendësguvernatori i Greqisë Qendrore, Giorgos Kelaiditis, i cili ishte pranë njërit prej fshatrave, i tha agjencisë shtetërore ANA-MPA se situata është e vështirë:

    “Zjarri mund të jetë 2 kilometra larg, por era është e fortë, tymi i dendur dhe është vështirë për frymëmarrjen,” tha ai.

    Përveç Rodosit dhe Evias, autoritetet shpallën një pjesë të madhe të territorit grek, si zonën me rrezikshmërinë më të lartë nga zjarret. Një pjesë tjetër e vendit u deklarua si shumë e rrezikuar nga zjarret. /VOA

  • Insitituti për hetimin e krimeve të luftës me përparësi dhe mangësi

    Insitituti për hetimin e krimeve të luftës me përparësi dhe mangësi

    Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës, nuk po shihet si mekanizmi më i mirë i mundshëm për arritjen e rezultateve të kënaqshme sa i përket trajtimit të këtyre krimeve.

    Gzim Shala, jurist në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se adresë kryesore për ndjekjen penale të këtyre rasteve, është Prokuroria Speciale e Kosovës.

    ‘’Po synohet që ky Institut të dokumentojë krimet e kryera në Kosovë, mirëpo nëse flasim për atë se çfarë nevojitet në raport me krimet e luftës në Kosovë e që është ndjekja penale dhe gjykimi i rasteve të krimeve të luftës, ky Institut nuk do të mund ta bëjë, për këtë arsye nëse flasim në përgjithësi për nevojën që ka Kosova për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, adresa kryesore është Prokuroria Speciale e Kosovës dhe në secilin rast nëse duam të kemi ndjekje dhe gjykim efektiv të këtyre rasteve, definitivisht adresa është Prokuroria Speciale e cila duhet të fuqizohet në këtë drejtim”, tha Shala.

    Megjithatë sipas Shalës, Instituti ka mandat vetëm për dokumentimin e krimeve.

    ‘’Përkundër aspekteve pozitive ndoshta që mund të bëjë Instituti, kompetencat e këtij Instituti nuk janë të asaj natyre që mund të sjellin drejtësi për viktimat e krimeve të luftës, për shkak se nuk kanë mandat në kuptim të ndjekjes apo gjykimit të rasteve të krimeve të luftë…’’, tha Shala.

    Ndërkaq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, vlerësojnë se dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, si proces, do i shërbejë më pas edhe ndjekjes penale të kryerësve të krimeve.

    ‘’Sa i përket dokumentimit të viktimave të krimeve të luftës, Fondi për të Drejtat Humanitare në Kosovë dhe në Serbi, që nga përfundimi i luftës janë duke punuar në dokumentimin e viktimave të luftës dhe kanë arritur t’i dokumentojnë të gjitha viktimat të cilët e kanë humbur jetën gjatë kohës së luftës dhe përmes këtij dokumentimi, sigurisht që palët do ta kenë më problem që t’i mohojnë këto krime, për arsye se çdo viktimë është dokumentuar me emër dhe mbiemër…’’, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Në rast themelimi, Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës do ketë mandat për dokumentimin e krimeve të kryera nga 1 janari i vitit 1998 deri në 20 qershor të vitit 2000. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: