ATV

Category: Lajme

  • “A ishe martu për letra në Kosovë”, mërgimtarja habit me përgjigjen

    “A ishe martu për letra në Kosovë”, mërgimtarja habit me përgjigjen

    Martesat në mes shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, dhe shqiptarëve të tjerë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të pranishme.

    Bashkëjetesat në mes të rinjve të cilët martohen nga dy vende të largëta, kryesisht ndodhin në shtetet e jashtme të cilat kanë kushte më të mira të jetesës, ndërkohë që rrallëherë vajzat apo djemtë mund të kthehen nga kurbeti për të jetuar në Kosovë, qoftë edhe për hir të dashurisë.

    Në emisionin “n’malAn’det”, në mesin e shumë mysafirëve të tjerë ishte e ftuar edhe Elisa Murmullaku nga Gjermania, e cila pohoi se pavarësisht se ka lindur dhe është rritur në Gjermani, për hir të dashurisë do të kthehej për të jetuar në Kosovë.

    “…Po. Nuk jam kanë në situatë të tillë, por po pse jo. Mundesh me u kënaq në Kosovë…”, tha ajo.

    Kujtojmë se vala e ikjes së të rinjve nga Kosova nuk është ndërprerë. Prej vitit 2013 deri më 2022, 252 mijë njerëz kanë ikur nga Kosova, legalisht e ilegalisht.

    Për t’i dëgjuar intervistat ekskluzive të mërgimtarëve anë e kënd botës, ju ftojmë që nëpërmjet linkut të mëposhtëm, ta shikoni emisionin veror të ATV-së “n’malAn’det”:

  • Situata me zjarret në Shqipëri, Peleshi: Ka përmirësim në orët e fundit

    Situata me zjarret në Shqipëri, Peleshi: Ka përmirësim në orët e fundit

    Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë orëve të fundit janë shuar pjesa më e madhe e vatrave të zjarreve në vend.

    Aktualisht ka mbetur vetëm një vatër aktive zjarri, në masivin pyjor Plyk- Kraps-Gjorkos, e cila u riaktivizua pas izolimit një ditë më parë dhe po punohet në terren për fikjen e tij.

    “Situata e zjarreve në territorin e vendit paraqitet më e mirë, gjatë orëve të fundit. Pas një pune të gjatë të trupave të emergjencave civile në bashkëpunim me efektivë të FA, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave. Ka vetëm një vatër aktive zjarri, në masivin pyjor Plyk- Kraps-Gjorkos, e cila u riaktivizua pas izolimit një ditë më parë. Po punohet në terren për fikjen e tij. Ka përmirësim të situatës në fushën e mbetjeve në Vlorë, por gjendja po mbahet nën monitorim”, njofton Ministria e Mbrotjes./ TCh/

  • Pesë persona humbën jetën nga tajfuni Dokusuri në Filipine

    Pesë persona humbën jetën nga tajfuni Dokusuri në Filipine

    Numri i të vdekurve nga tajfuni i fuqishëm Doksuri në Filipine u rrit në pesë të enjten, njoftuan mediat shtetërore.

    Katër vdekje të tjera u raportuan nga rajoni verior i Cordillera-s, sipas Agjencisë së Lajmeve Filipine. Gjithashtu, dy persona u plagosën në jugperëndim të kryeqytetit Manila.

    Numri i njerëzve të prekur nga reshjet e dendura, erërat e forta dhe përmbytjet gjithashtu u rrit në 328,356 pasi tajfuni përfshiu 836 fshatra në ishull.

    Autoritetet lokal zhvendosën mijëra njerëz në qendrat e evakuimit.

    Rreth 400 shtëpi u dëmtuan nga tajfuni.

    Ndërkohë, Tajvani raportoi gjithashtu të paktën një vdekje për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga tajfuni Doksuri.

    Sipas Qendrës Qendrore të Operacionit të Emergjencave, tre persona u bllokuan në ujërat e përmbytjeve në Tajvanin lindor të mërkurën. Zjarrfikësit shpëtuan dy prej tyre, ndërsa e treta, një grua, humbi jetën.

    Byroja Qendrore e Motit lëshoi një paralajmërim për reshje të dendura shiu dhe erëra të forta në Tajvanin jugor nga e enjtja deri të premten, shkruan AA, përcjell KosovaPress

    Dhjetra fluturime ndërkombëtare dhe vendase u anuluan të enjten, me shkolla dhe zyra të mbyllura në disa zona.

  • ​Lëndohen dy persona në vendin e punës në Prizren

    ​Lëndohen dy persona në vendin e punës në Prizren

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë lënduar rëndë të mërkurën derisa kanë qenë duke punuar. Bëhet fjalë për dy raste të ndara, në Prizren dhe në fshatin Krushë të Vogël të kësaj komune.

    Personi që ka marrë lëndime trupore derisa ka qenë duke punuar në fshatin Krushë të Vogël ka pranuar tretman mjekësor në Spitalin e Prizrenit.

    Ndërsa viktima tjetër është lënduar pasi është rrëzuar derisa ka qenë duke punuar në kompani ndërtimi.

    Personi është dërguar për tretman mjekësor në QKUK ndërsa të dy rastet janë në procedurë hetimore./KP

  • Vazhdojnë kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë të PK-së

    Vazhdojnë kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë të PK-së

    Përkundër reagimeve të institucioneve të Kosovës dhe të ndërkombëtarëve se kërcënimet ndaj atyre që duan t’i shërbejnë vendit janë të papranueshme, rrjete sociale serbe kanë vazhduar të publikojnë fotografi dhe emra të pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës (PK).

    Ishte sërish kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram që publikoi identitetin e pesë policëve të tjerë serbë të PK-së.

    Madje, këtë herë ata kanë thënë se kjo është një kundërpërgjigje ndaj këtyre reagimeve.

    “Pasi të gjithë ambasadorët perëndimorë, përfshirë edhe kreun e EULEX-it, kanë reaguar ndaj publikimit të emrave të 5 serbëve që kanë filluar të punojnë në të ashtuquajturën Polici të Kosovës, duke e cilësuar si ‘kërcënim’ që është absurd total dhe asnjëri prej tyre nuk reagon, kur sulmohen, arrestohen, rrëmbehen serbë në Kosovë e Metohi, po shpallim edhe 5 emrat”, thuhet në shkrim.

    KosovaPress sërish ka mbuluar fytyrat dhe emrat e tyre në mënyrë që të mos ndikojë në rritjen e kërcënimit ndaj tyre.

    Personat, identiteti i të cilëve u publikua nga rrjetet sociale serbe këtë radhë kanë inicialet si në vijim: P. R., M. T., J. P., T. G., dhe U. V.

    Ndërkaq, pas raportimit të KosovaPress-it se rrjete sociale serbe kanë publikuar identitetin e policëve të rinj serbë dy ditë më parë, kanë reaguar krerët e shtetit, ambasadorë e personalitete të tjera.

    Ata kanë dënuar një gjë të tillë duke thënë se kërcënimet janë të papranueshme.

    Kujtojmë se serbët janë dorëhequr nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, me kërkesë të Listës Serbe.

  • Një orë e gjysmë pritje te Dheu i Bardhë, një orë në Merdarë

    Një orë e gjysmë pritje te Dheu i Bardhë, një orë në Merdarë

    Mërgimtarët që po vijnë në Kosovë për t’i kaluar pushimet, po presin një orë e gjysmë në pikat kufitare tokësore.

    Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në pikën e kalimit kufitar Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë në Kosovë janë deri në një orë e gjysmë, derisa kolona është 450 metra. Ndërsa, në dalje, pritjet janë 15 minuta, ndërsa kolona është 150 metra.

    Ndërkaq, në pikën e kalimit kufitar Merdarë, pritjet në hyrje janë një orë, derisa kolona është 250 metra. Ndërsa, pritjet në dalje në këtë pikë kufitare janë 3 deri në 5 minuta, derisa kolona nuk ka, shkruan KosovaPress.

    Në ditët e fundit, mërgimtarët kanë pritur me orë të tëra në pikat e kalimit kufitar për të hyrë në Kosovë./KP

  • ​Arrestohet një person i kërkuar në Ferizaj

    ​Arrestohet një person i kërkuar në Ferizaj

    Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar një person që ishte në kërkim për shkak të posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve.

    Arrestimi ka ndodhur në orën 06:00 të mëngjesit, në shtëpinë e të dyshuarit 25 vjeçar, në Gërlic të Ferizajt.

    “Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge ’’ me dënim burgimi prej dy ( 2 ) viteve. Pas kompletimit të dokumentacionit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit”, ka njoftuar Policia e Kosovës./KP

  • Një burrë në Mitrovicë raporton se vajza e tij është zhdukur

    Një burrë në Mitrovicë raporton se vajza e tij është zhdukur

    Një burrë në Mitrovicë ka raportuar në Polici se vajza e tij është zhdukur.

    “Mitrovicë 26.07.2023 – 08:30. Një mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është në procedurë hetimore.

  • Ibri thahet si asnjëherë më parë, mitrovicasit shprehin brengën e tyre

    Ibri thahet si asnjëherë më parë, mitrovicasit shprehin brengën e tyre

    Lumi Ibër në qytetin e Mitrovicës është shterur pothuajse krejtësisht tre ditë më parë, ndërsa qytetarët nuk mbajnë mend të ketë ndodhur diçka e tillë asnjëherë në të kaluarën.

    Disa prej tyre mendojnë se janë temperaturat e larta që çuan në shterjen e këtij lumi, por të tjerët fajësojnë faktorin njeri për një situatë të tillë.

    Peshqit tashmë kanë ikur nga ky lumë, ndërsa mitrovicasit thonë se bota tjetër nënujore është shkatërruar nga dielli.

    Erblin Macula, qytetar nga Mitrovica, thotë për KosovaPress se ka dalë me familjarët të peshkojë në Ibër, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, për shkak të nivelit shumë të ulët të ujit dhe mungesës së peshkut.

    Ai nuk mban mend shterje kaq të madhe të Ibrit ndonjëherë.

    Ndonëse nuk përjashton mundësinë e ndikimit të temperaturave të larta në rënien e nivelit të ujit në Ibër, ai konsideron se faji mund të jetë edhe te penda e liqenit të Ujmanit, prej nga vjen sasia e ujit për qytetarët e Mitrovicës.

    “Sot dola me djalin dhe vëllain, meqë jemi peshkatarë sportiv, por problem sepse niveli i ujit tepër i ulët në Ibër… Thatësia që është duke marrë këto ditë ka ndikuar të ketë rënie të nivelit të Ibrit… Unë për vete nuk mbaj mend një nivel kaq të ulët të ujit, edhe pse ne varemi nga penda ku lëshohet uji te liqeni i Gazivodës, sepse sasia e ujit vjen nga atje, kështu që edhe kjo mund të ndikojë”, thotë Macula.

    Muhamedin Hetemi, një mitrovicas tjetër, gjendjen në lumin Ibër e quan katastrofë ekologjike të ekosistemit.

    Ai, përveç temperaturave të larta, për këtë situatë fajëson edhe faktorin njeri, duke dyshuar se dikush qëllimshëm ka ndalur sasinë e ujit te penda e liqenit të Ujmanit.

    Hetemi, duke evokuar kujtimet nga e kaluara, rrëfen për kohët kur në Ibër janë larë fëmijët dhe të rinjtë, kur Ibri ishte përplot me peshq, gaforre e gjallesa tjera, por edhe kur ky lumë shërbente si mjet transporti për drutë, të cilat qytetarët i blinin në Kollashin dhe i hidhnin në Ibër, valët e të cilit i bartnin këta dru deri në Mitrovicë.

    “Po shikoj dhe po më duket afër një katastrofe ekologjike të ekosistemit. Unë kam jetuar afër këtu dhe që nga ajo kohë nuk mbaj mend që niveli i ujit të Ibrit ka rënë kaq shumë… Frikësohem se nuk do të ketë më peshq Ibri… Pasoja e temperaturave të larta ka sigurisht ndikim, por temperaturat e larta kanë qenë edhe më herët, mirëpo besoj se edhe faktori njeri ka dorë në këtë. Penda e Gazivodës – Ujmanit ndoshta është ndalur atje për shkak të furnizimit me ujë… Jemi larë në Ibër krejt qyteti, kemi pirë ujë të Ibrit, ka pasur peshqi, gaforre, gjallesa tjera, por tash ka ndryshuar komplet… Edhe atë pjesë e mbaj mend, ka qenë një fabrikë e drurit lart (Kollashin-Zubin Potok v.j.), e cila për shkak të transportit më të lehtë, drutë…janë lëshuar në Ibër dhe kanë ardhur deri te stacioni i trenit poshtë (në Mitrovicë) ku është bërë mbledhja e tyre”, thotë Hetemi.

    Edhe Isuf Jashari, 74-vjeçar poashtu nga Mitrovica, bënë të ditur se nuk mban mend të ketë parë nivel kaq të ulët të ujit në Ibër.

    “Qe 74 vjet nuk mbaj mend nivel kaq të ulët të ujit… Si pasojë e thatësisë ndoshta… Kam ardhur me hy në ujë, por duhet të kthehem… Po thonë se ky ujë është shumë ‘ilaç…për reumë’”, thotë ai.

    Ndërkaq, Arif Kadriu nga shoqëria civile, njëherit anëtar i Shoqatës së peshkatarëve në Mitrovicë, duke e quajtur të tmerrshme situatën e krijuar para pak ditësh në Ibër, dyshon se kjo ka mundur të ndodhë vetëm në pendë që gjendet te Zubin Potoku, ku dikush e ka ndalur ujin.

    Sipas tij, peshqit kanë shpëtuar duke ikur në lumin e Sitnicës, por bota tjetër nënujore, duke përfshirë këtu edhe insekte të ndryshme, janë shkatërruar krejtësisht nga dielli.

    “Është katastrofë, është tmerr me ndodhë diçka e tillë që rrjedhja e Ibrit me u ndalë në atë nivel, mos me pas ujë hiç aspak. Diçka e tillë me ndodhë pa dorën e njeriut është e pamundur… Dikush ka bërë diçka dhe të shohim kush…Ne jemi në kontakt me të gjithë pothuajse. Institucionet komunale nuk kanë asnjë informacion se qysh ka ndodhë kjo…Kjo mund të ndodhë vetëm në pendë që gjendet te Zubin Potoku… Dikush e ka ndal, ka bërë diçka… sepse nuk ka tjetër… nuk e di, nuk kam informacion të saktë pse… Peshku ikë aty ku ka ujë, në këtë rast ka vazhduar në lumin Sitnicë, kurse bota tjetër nënujore që janë të ekspozuar nga dielli, janë shkatërruar automatikisht, do të thotë insektet… Unë e di që penda është një nevojë për prodhimin e rrymës, mirëpo ne kemi nevojë për ujë. Është e kotë të kemi rrymë kur s’kemi ujë. Pa rrymë mund të mbijetohet, pa ujë jo… Ne pendën e Ujmanit e kemi plot. Do të thotë është përtej nivelit, kështu që mungesë të ujit nuk ka. Askush nuk mund të thotë që s’ka, sepse vetë e kam parë, edhe prurjet janë të bollshme. Po, kemi pasur një kohë thatësi, por kjo nuk ndikon absolutisht, pra nuk është kjo arsye që Ibri me u tha”, thotë Kadriu për KosovaPress.

    Në anën tjetër, Komuna e Mitrovicës përmes një komunikate në faqen e saj zyrtare, e ka quajtur alarmuese shterjen e Ibrit dhe njëkohësisht rrezikimin me ujë të pijes për qytetarët në këto temperature të larta.

    “Komuna e Mitrovicës ka kërkuar sqarim dhe sipas informatave nga organet kompetente, arsyeja e mungesës së ujit është për shkak të punimeve të zhvilluara në liqenin e Ujmanit”, thuhet mes tjerash në këtë komunikatë.

    KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër-Lepenc’ rreth kësaj çështjeje, mirëpo disa nuk kanë pranuar të flasin, ndërsa të tjerët kanë qenë të paqasshëm në telefonat e tyre. /kp

  • Tërmet në Shqipëri

    Tërmet në Shqipëri

    Dridhje tektonike janë regjistruar sot (e enjte) në Korçë të Shqipërisë. Qendra Sizmologjike Euro-Mediterane (EMSC) njoftoi shkalla e dridhjes ishte 2.6 të Rihterit, ndërsa është regjistruar në ora 08:56.

    Kjo shkallë e dridhjes konsiderohet e vogël dhe pa dëme.

    Kujtojmë se më 26 nëntor të vitit 2019, Shqipëria ishte tronditur kur një tërmet me 6.4 shkallë të Rihterit kishte shkaktuar vdekjen e 51 personave.