ATV

Category: Lajme

  • Edi Rama shkarkon të gjithë sekretarët e PS-së

    Edi Rama shkarkon të gjithë sekretarët e PS-së

    Ka zgjatur rreth 1 orë mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Shqipëri, e cila solli ndryshime të rëndësishme në strukturën e drejtuese të partisë, pasi është shkarkuar sekretariati ekzekutiv.

    Asambleja Kombëtare e PS-së ka zgjedhur si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosin, i cili më parë ka mbajtur pozicionin Sekretari Organizativ në parti. Vendin e tij më parë e ka mbajtur që nga shtatori 2021 Damian Gjiknuri. Ky i fundit nuk pranoi që të komentojë vendimin e Asamblesë, por shtoi se “më mirë do të bëhet”.

    Rokadë duket se ka ndodhur mes Blendi Çuçit dhe Taulant Ballës. Ish-ministri i Brendshëm do të jetë kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, post të cilin e ka mbajtur më parë Taulant Balla.

    Ndërkohë është konfirmuar se nuk ka pasur ndryshime në kabinetin qeveritar, por gjithsesi mund të ketë, pasi kreu i qeverisë ka paralajmëruar se me këtë do të merret nesër ose pasnesër, thanë burime për Report Tv.

    Asambleja, e cila vjen 1 vit pas mbledhjes më të fundit mes socialistëve, do të pasohet nga një tjetër takim dy ditë më pas.

    Më 28 dhe 29 korrik në Tepelenë, kryeministri Edi Rama do të mbledh qeverinë në një takim informal. Zyrtarisht thuhet se në këtë takim do të shpallen objektiva të reja për ministritë përkatëse. Gjithsesi asambleja mblidhet në një situatë delikate brenda kampit rozë. Socialistë me emër, kryetarë bashkish janë arrestuar, dhe së fundi prej disa ditësh SPAK ka urdhëruar arrestimin e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

  • Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet për zgjedhjet e reja në lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – por, vetëm përmes iniciativës së qytetarëve dhe pas votimit për shkarkim të kryetarëve aktualë.

    Pa dhënë detaje se çfarë saktësisht është duke u bërë, kryeministri Albin Kurti tha se institucionet do të sigurohen që baza ligjore për shkaktimin e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, të jetë gati sa më shpejtë të jetë e mundur.

    Meqë asnjëherë më parë nuk janë shkaktuar zgjedhje referuar Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryeministri Kurti tha se nuk e di sa kohë merr plotësimi i bazës ligjore e procedurale dhe procesi zgjedhor.

    “Ne çfarë po punojmë në këto ditë dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë muajve të gushtit, kur është pushim në institucione, është që të sigurohemi që kjo përvojë e re që do të kemi, me ndërprerjen e mandateve të katër kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë, që do të jetë përvojë e re për ne, të jetë aq i sigurt sa që i pasfidueshëm në kuptim legal dhe juridik”, tha Kurti.

    Detaje nuk dha as ministri Elbert Krasniqi, i cili iu referua vetëm legjislacionit ekzistues.

    “Baza ligjore, e cila del dhe buron nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, për të cilën unë kam kompetencë të flasë, tjerat pastaj janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.

    Pasi theksoi se shkaktimi i zgjedhjeve të reja përmes iniciativës qytetare, votimit për shkarkim të kryetarëve merr kohë, Selatin Kllokoqi nga D+, thekson se KQZ-ja duhet të plotësojë disa akte të brendshme para se të shkohet me këtë formë.

    “Mirëpo edhe këtu është një pengesë, sepse parashihet që kjo proceduralisht të rregullohet me rregullore nga KQZ-ja, e cila nuk është e rregulluar. Pra, hipotetikisht nëse do të ndodhte që kryetarët të mos japin dorëheqje, procedura e shkarkimit do të kërkonte kohë… Dhe, pjesa tjetër është edhe KQZ-ja duhet të aktivizohej që të aprovonte rregulloret e caktuara, të cilat e rregullojnë këtë çështje”, tha Kllokoqi.

    Si hap për deeskalim, Qeveria mbështetë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – por vetëm në pajtim me kuadrin ligjor dhe kushtetues, jo përmes dorëheqjes së kryetarëve të zgjedhur më 23 Prill.

    Qeveria, po ashtu, e lidhë procesin e ri zgjedhor me heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Policët e rinj serb në veri vazhdojnë punën përkundër kërcenimeve

    Policët e rinj serb në veri vazhdojnë punën përkundër kërcenimeve

    Policët e rinj të Veriut po i bëjnë patrullat e para bashkë me kolegët me përvojë.

    76 zyrtarët e sapopranuar, 46 prej të cilëve janë të komunitetit serb, në vitin e parë do të trajnohen, për t’u ndarë pastaj nëpër sektorë.

    “Atëherë dihet saktë se për çfarë statusi aplikojnë. A do jenë hetues, a patrullë apo njësi të specializuara…”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

    Meqenëse shumica janë serbë, zëvendësdrejtori i policisë, Veton Elshani, beson në efekt pozitiv.

    “Ajo që ne besojmë që do të ndodhë është rritja e efektivitetit dhe efikasitetit të patrullimeve. Meqenëse policët e rinj kanë më shumë qasje në komunitet, në problemet e tyre dhe në zgjidhjen e problemeve të tyre”, tha Elshani.

    Ndërkohë në rrjete sociale në Serbi, janë bërë publike fotografitë e disa prej policëve të rinj, të cilët veç tjerash konsiderohen si tradhtarë.

    Kërcënimet e tilla, megjithëse nuk kanë ndikuar në punë, do të trajtohen seriozisht.

    “Kemi pasur diskutime me kolegët tanë. Nuk shohin kërcënime serioze. Janë më shumë komente sociale nga shtete tjera. Por, nëse kemi kërcënime serioze, do ta marrim me seriozitet dhe do t’i trajtojmë seriozisht. Dhe do marrim veprime”, tha Elshani.

    Ndërkohë, për këtë çështje kanë reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier.

    “Fushata në platforma sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin, janë të papranueshme, edhe pse jemi të bindur se janë të shpërfillura. Ata janë policë të Kosovës sepse janë profesionistë, sepse janë qytetarë që kanë dashurinë për vendin”, tha Kurti.

    “Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë
    diversitetin e Kosovës”, tha Hovenier.

    Konkurset për pranimin e policëve të rinj, po bëhen në vazhdën e zëvendësimit të policëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • KRU “Prishtina” me aksion për shkyçje në Graçanicë

    KRU “Prishtina” me aksion për shkyçje në Graçanicë

    Krejt këtë revoltë e shkaktoi pasi që pronarja e këtij lokali në Graçanicë kuptoi se do t’i ndërpritet furnizimi me ujë në lokalin e saj, për shkak të borxhit mbi 2 mijë euro ndaj Kompanisë Rajonale të ujësjellësit “Prishtina”.

    Por përkundër rezistimit, shkyçja u bë.

    “I kam fëmijët katër vjet dhe gjashtë vjet, mos e dhashtë zoti të më shkyçësh nga uji, se a e di çfarë ndodh më pas. Pse keni ardhur në fshatin tim, kjo s’është e shqiptareve kjo është e serbëve”, thotë një qytetar.

    Aksioni vazhdoi edhe nëpër fshatra. Në Llapnasellë, u shkyç shtëpia e një qytetari tjetër serb me mbi 3 mijë euro borxh.

    Pas aksionit, banorët lokalë akuzuan Kompaninë e ujësjellësit për veprime politike.

    Zëdhënësja e kompanisë rajonale “Prishtina”, tha se ky aksion është vazhdimësi e aksionit që javë më parë filloi në Prishtinë, duke paralajmëruar se shkyçjet do të jenë intensive.

    “Sot jemi në komunën e Graçanicës për t’i shkyçur të gjithë konsumatorët që kanë kyçje ilegale e borxhe ndaj KRU-së. Ky aksion do të vazhdojë deri vonë në Graçanicë e do të vazhdojë edhe në Llapnasellë, shumë prej nesh kanë filluar të politizojnë këtë çështje, por ne s’kemi filluar me këtë komunë por me Prishtinën”, tha Arjeta Mjeku nga KRU “Prishtina”.

    Një aksion i tillë do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, kësaj radhe në komunën e Shtimes. Shuma e borxheve ndaj kësaj kompanie kalon vlerën e mbi 45 milionë eurove. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Keqpërdorimet me pensione, projektligji për skemën pensionale nuk ofron zgjidhje

    Keqpërdorimet me pensione, projektligji për skemën pensionale nuk ofron zgjidhje

    Sipas statistikave, në muajin qershor në Kosovë kanë marrë pensionin bazik të moshës, mbi 148 mijë qytetarë.

    Por një numër i konsiderueshëm i tyre, ani pse jetojnë jashtë vendit, përfitojnë edhe pensionin e pleqërisë në Kosovë.

    Këtë keqpërdorim që vazhdon me vite, nuk pritet ta rregullojë as Ligji i ri për skemën pensionale, që tashmë është miratuar në Qeverinë e Kosovës.

    Këtij projektligji i është shtuar vetëm një paragraf, përmes të cilit iu ndalohet qytetarëve që nuk janë rezidentë në Kosovë të marrin pensione, nëse nuk janë të pranishëm fizikisht në vend mbi 183 ditë brenda vitit.

    Kjo praktikë e keqpërdorimit nuk po shihet se do të arrihet të zgjidhet vetëm përmes kësaj pike të ligjit.

    “Duhet një kontroll më i mirë, në vitin 2015 janë larguar më shumë se 10 mijë veta bazuar në një udhëzim administrativ, janë larguar nga skema pensionale. Ky nen mundohet ta përkufizojë më mirë, por te implementimi duhet të gjendet një mënyrë që të identifikohet që në bazë të ligjit nuk i takon pensioni”, tha Selatin Kllokoqi nga organizata “D+”.

    Për zbatimin e mëtejmë të kësaj dispozite, në projektligj thuhet se Ministria përgjegjëse mund të nxjerrë akt nënligjor.

    Deputeti nga partia në pushtet, Eman Rrahmani, beson se më konkretisht zgjidhjen e kësaj do ta mundësojë njëra nga marrëveshjet ndërkombëtare tashmë të miratuara.

    “Para rreth një muaji është kaluar një marrëveshje ndërkombëtare, e cila është financuar rreth 40 milionë euro për reformë në skemën pensionale dhe besoj që me ato reformë do të trajtohet secila problematikë. Edhe çështjen të cilën ju e ngritët, por edhe shumë çështje të tjera do të rregullohen përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, që parashihet edhe një konsulent që do të vijë nga jashtë për të ndihmuar në skemën pensionale”, tha deputeti i LV-së, Eman Rrahmani.

    Ndërkohë, projektligji për skemën pensionale do të shqyrtohet në lexim të parë në Kuvend të premten. /atvkuve.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • BE-ja nuk ndryshon mendje, në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    BE-ja nuk ndryshon mendje, në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, vazhdojnë të jenë në fuqi edhe pas pajtueshmërisë mes Kosovës dhe BE-së në Bratislavë dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

    Që nga 3 qershori, qëndrimi i 27 shteteve anëtare të BE-së nuk ka ndryshuar, konfirmoi ambasadori Tomas Szunyog.

    “Ka kushte dhe kërkesa të caktuara dhe ka edhe një deklaratë që thotë se do të ketë pasoja negative nëse ato lloj kërkesash dhe kushtesh nuk plotësohen. Pra, ne jemi ende të udhëhequr nga deklarata e 3 qershorit… Nuk ka asnjë sanksion… Por, nëse po mendoni për masat, qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit, është ende i njëjtë”, tha Szunyog.

    Por, kryeministri Albin Kurti pret që masat të hiqen sa më parë.

    “Ne jemi duke u përgatitur që të kemi zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës. Ndërkaq, për këto masat që janë ndërmarrë ndaj neve e të cilat janë quajtur edhe të përkohshme, edhe të kthyeshme, natyrisht që presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë paraprakisht. Pra, nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut për 3 qershorin”, tha Kurti.

    Ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarët tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dy pushues nga Kosova rrezikojnë mbytjen në Shëngjin, 30-vjeçarja në gjendje të rëndë

    Dy pushues nga Kosova rrezikojnë mbytjen në Shëngjin, 30-vjeçarja në gjendje të rëndë

    Dy pushues nga Kosova, kanë rrezikuar jetën mesditën e sotme në bregdetin e Shëngjinit.

    Një 40-vjeçar dhe një 30-vjeçare nga Kosova kanë rrezikuar të mbyten dhe kanë qenë pushuesit ata që i kanë nxjerr në breg, ku janë marrë menjëherë nga ambulanca dhe transportuar në gjendje të rëndë për jetën.

    40-vjeçari e ka gjendjen më të stabilizuar, ndërsa e reja është në terapi intensive dhe në gjendje të rëndë për jetën, pasi kishte pirë shumë ujë. /tch

  • Tre të moshuar humbin jetën nga zjarret në Itali

    Tre të moshuar humbin jetën nga zjarret në Itali

    Ishulli jugor italian i Sicilisë është dërrmuar nga zjarret e egra nga të cilat humbën jetën tre të moshuar, bëri të ditur presidenti rajonal.

    Mediat italiane raportojnë se një çift rreth të 70-ave vdiq në shtëpinë e tyre në periferi të Palermos, dhe thanë se trupat e tyre u gjetën të djegur në rrënojat e shkaktuara nga zjarri.

    Një grua e moshës 80 vjeçare vdiq në provincën e Palermos, pasi ambulanca nuk mundi të arrijë në banesën e saj për shkak të zjarreve të mëdha që po digjeshin në afërsi.

    Përmes një mesazhi të postuar gjatë natës në Facebook, presidenti sicilian Renato Schifani tha se “nxehtësia përvëluese dhe zjarret shkatërruese të paprecedentë” e kishin kthyer të martën në “një nga ditët më të vështira në dekada”.

    Zjarrfikësit italianë thanë se luftuan rreth 1,400 zjarre nga e diela deri të martën, duke përfshirë 650 në Sicili dhe 390 në Kalabri. Trupi i pajetë i një burri një 98-vjeçar që kishte qenë i shtrirë në u gjet pasi shtëpia e tij është djegur nga zjarri në Kalabri.

    Të mërkurën, zjarret ishin ende aktive në kodrat përreth Palermos, duke nxitur vendosjen e avionëve zjarrfikës për të luftuar flakët.

    I gjithë rajoni i Mesdheut ka përjetuar një valë të nxehtë të fortë verore të martën, duke çuar në zjarre vdekjeprurëse të përhapura në zona të mëdha.

    Në Sicili, që është një destinacion i famshëm turistik, një zjarr brenda një terminali javën e kaluar rezultoi në mbylljen pothuajse totale të aeroportit të saj më të madh në Katania, që ndodhet në pjesën lindore të ishullit.

    Për më tepër, aeroporti i Palermos duhej të mbyllej për disa orë të martën për shkak të një zjarri aty pranë.

    “Shpresoj që flukset turistike në zonat e prekura nga zjarret të mos pësojnë humbje”, tha ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci, me origjinë nga Sicilia, në një intervistë për gazetën La Stampa. Ai pranoi se rreziku i humbjeve të tilla ekziston dhe është i kuptueshëm duke pasur parasysh rrethanat.

    Qeveria do të mblidhet në Romë të mërkurën për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në rajonet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe për të futur një skemë të veçantë të pushimit për punëtorët më të ekspozuar ndaj valës së të nxehtit.

    Ndërsa zjarret vazhdojnë të sfidojnë jugun e Italisë, pjesa veriore e vendit po përballet me stuhi të forta që rezultuan në vdekjen e dy personave të martën.

    Një nga viktimat ishte një vajzë 16-vjeçare, e shtypur nga një pemë që i ra përsipër./REL/

  • Djali i Enver Zymberit: Shpresoj që një ditë ta vesh uniformën e Policisë

    Djali i Enver Zymberit: Shpresoj që një ditë ta vesh uniformën e Policisë

    Në 12-vjetorin e vrasjes së pjesëtarit të Forcave Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, varrin e vizitoi djali i tij, Sokoli.

    Aty, ai rrëfeu për dhimbjen dhe mungesën që e ka për babin e tij, teksa shpreson që një ditë do ta vesh uniformën e Policisë së Kosovës.

    Në një rrëfim për Ekonomia Online, Sokoli tha se vendin e prindit të tij s’mund ta zëvendësoj askush por që po ia del falë të familjarëve të tij.

    “Po normal është e vështirë por falë Zotit nuk jam vet, e kam nënën, i kam motrat e axhallarët dhe normal që vendin e tij nuk mund ta zëvendësojë askush, por jemi bërë të fortë”, u shpreh ai.

    “Padyshim që jam duke punuar në atë drejtim dhe shpresoj që një ditë do ta vesh uniformën e Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.

  • Bie nga ura, vdes 50-vjeçari në Mitrovicë

    Bie nga ura, vdes 50-vjeçari në Mitrovicë

    Një 50-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e rënies nga ura në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë.

    Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës në policinë rajonale të Mitrovicës.

    Rasti është hapur në polici si “hetim i vdekjes”.

    “Sot, rreth orës 13:30, është raportuar se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë, si pasojë e rënies nga lartësia e urës, ka humbur jetën viktima mashkull/kosovar rreth 50 vjeçar. Hetuesit policor kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”.