ATV

Category: Lajme

  • Zyrtarisht miratohet zbritja e 100 eurove në tatimin në pronë

    Zyrtarisht miratohet zbritja e 100 eurove në tatimin në pronë

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në mbrëmje në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për pronën e paluajtshme, që nënkupton se nga ky ligj do të mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.

    Sipas Ministrisë së Financave, përmes këtij ligji po ashtu mundësohen lirime tatimore për banimin primar e tokën bujqësore.

    MF-ja ka thënë se me këtë ligj do të ketë kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024, dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

  • Chollet pritet të vizitojë Kosovën në fund të korrikut

    Chollet pritet të vizitojë Kosovën në fund të korrikut

    Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pritet të vijë në Kosovë. Është raportuar se ai do të vizitojë Prishtinën më 30 e 31 korrik.

    Vizita e tij në Kosovë nuk është konfirmuar nga Qeveria e as nga Zyra e Presidentes. Për qëndrimin e Cholletit në Kosovë nuk janë deklaruar as në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, megjithëse nuk e kanë mohuar.

    Megjithëkëtë, njohës të zhvillimeve të dialogut përmendin çështjet që pritet të jenë në fokus të vizitës së tij. Analisti Visar Xani thotë se dialogu e marrëdhëniet mes dy shteteve do të jenë temat kryesore.

    “Përkushtimi ndaj dialogut, besimi i vazhduar dhe partneriteti me SHBA-në janë temat kyç që do t`i presim, dhe patjetër përkushtimi amerikan dhe mesazhi amerikan do të vijnë direkt nga ai për të treguar se rrugëtimi do të jetë i përbashkët dhe s`duhet pasur dilema dhe bashkëpunime në koordinimin e proceseve, dhe projektet e përcaktuara amerikane patjetër që duhet të pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe të mos ketë dyshime”, ka thënë ai.

    Sipas Xanit, vizita e përfaqësuesit të lartë të Departamentit të shtetit, duhet të shfrytëzohet mirë nga autoritetet kosovare.

    “Është me rëndësi që çdoherë mesazhet diplomatike, aq më shumë nëse kemi mesazhe nga një përfaqësues i lartë i departamentit të shtetit, t`i kuptojmë saktë dhe të veprojmë saktë konform atyre mesazheve dhe të mos kemi keqkuptime të caktuara se pastaj mund të ketë edhe pasoja”, ka theksuar ai.

    Chollet për vizitë në Kosovë qëndroi edhe në fillim të këtij viti. Vizita e tij në fund të korrikut bëhet në kohën kur ai është propozuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që të jetë nënsekretar i Mbrojtjes.

  • Lista Serbe kërkon nga Escobari që Kosova ta themelojë Asociacionin

    Lista Serbe kërkon nga Escobari që Kosova ta themelojë Asociacionin

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq bashkë me Slavko Simiq kanë zhvilluar të enjten një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Takimi në mes tyre ka ndodhur në Departamentin amerikan të Shtetit.

    Siç ka njoftuar Lista Serbe, në takim është përcjellë “qëndrimi i komunitetit serb për situatën e sigurisë politike në Kosovë, si dhe nevojën e respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë marrëveshjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe udhërrëfyesin. për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës”.

    Qeveria e Kosovës ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Evropina, ku thotë se i kanë ndërmarrë veprimet për deeskalim.

    Por, Lista Serbe nuk është mjaftuar, duke kërkuar formimin e Asociacionit si dhe lirimin e serbëve që sipas Beogradit dhe Listës Serbe ”po persekutohen“.

    Zyrëtët e Listës Serbe do të zhvillojnë edhe të tjera takime në SHBA.

  • Raporti i DASH: Kontesti me Serbinë, korrupsioni, interferimi politik në ekonomi dhe gjyqësor pengojnë tërheqjen e investimeve

    Raporti i DASH: Kontesti me Serbinë, korrupsioni, interferimi politik në ekonomi dhe gjyqësor pengojnë tërheqjen e investimeve

    Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023.

    Në këtë raport theksohen një mori problemesh e pengesash që frenojnë investitorët e huaj për të investuar në Kosovë.

    Një nga këto arsyeje përmendet edhe korrupsioni si dhe sundimi i dobët i ligjit.

    Por theksohet se ka edhe ndërhyrje politike në ekonomi që automatikisht e bën më të vështirë çështjen e investitorëve të huaj.

    Po ashtu, përmendet problemi me energjinë elektrike, pra nuk ka besueshmëri për furnizim të vazhdueshëm – si dhe të drejtat pronësore e integrimi i kufizuar rajonal e global ekonomik.

    Në këtë raport, si problem theksohet edhe çështja e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes Kosovës dhe Serbisë.

    ”Potenciali i Kosovës për të tërhequr IHD në rritje është i kufizuar nga çështje të shumta strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; ndërhyrja politike në ekonomi dhe gjyqësor; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; korrupsioni; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mungesën e zbatimit të kontratave. Aftësia e vendit për të mbështetur rritjen mbështetet ndjeshëm në mbështetjen financiare ndërkombëtare dhe remitancat. Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Kosovës me Serbinë dhe mungesa e njohjes formale nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, gjithashtu pengon investimet dhe krijon pengesa për të bërë biznes”, thuhet në raport.

    Në këtë raport, ka edhe të tjera detaje për mosmarrëveshjet e Kosovës dhe Serbisë, si një problem në klimën e investimeve.

    “Mungesa e marrëdhënieve të normalizuara me Serbinë, nga e cila Kosova u shkëput në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, mbetet një burim tensionesh politike dhe kërcënimesh për konfrontime të dhunshme, veçanërisht në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Një shembull i fundit dhe ilustrues përfshin një njoftim të qeverisë së Kosovës në tetor 2022 për zbatimin e një vendimi të mëparshëm që kërkonte shkëmbimin e targave të Serbisë me targat ‘RKS’ të lëshuara nga Republika e Kosovës. Si përgjigje ndaj këtij njoftimi dhe rritjes së tensioneve, u ngritën barrikada në katër komunat veriore të Kosovës duke bllokuar rrugët e transportit brenda dhe jashtë rajonit”, thuhet në raport.

  • Gjendet i vdekur një person te Mati 1, dyshohet për vetëvrasje

    Gjendet i vdekur një person te Mati 1, dyshohet për vetëvrasje

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e mbrëmjes në lagjen Mati 1 në Prishtinë, ku një 28-vjeçar dyshohet se ka bërë vetëvrasje brenda një veture.

    Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Ai tha se vdekja e 28-vjeçarit është konfirmuar nga ekipi i mjekëve emergjent.

    Borovci shtoi se dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje ndërsa rasti është duke u hetuar si “Hetim mbi vdekjen”.

    “Rreth orës 21:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në një veturë në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi i mjekëve emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 28 vjeç.

    Përkundër që mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje, policia me kujdes të shtuar po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen”, tha Borovci.

  • Statovci: Përfundimisht u ndalen padrejtësitë që janë bërë 70.000 pensionistëve

    Statovci: Përfundimisht u ndalen padrejtësitë që janë bërë 70.000 pensionistëve

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Jeta Statovci ka thënë se me ligjin për skemat pensionale janë larguar padrejtësitë shumvjeçare.

    Ajo përmes një reagimi në rrjetet sociale ka shkruar se populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna.

    Ky është reagimi i Jeta Statovcit:

    Kosova nuk është dashur të lejojë diskriminim në pensione për qytetarët e saj, për kohë kaq të gjatë!

    Me votimin tonë sot në Kuvend, u vendosë të rregullohet kjo padrejtësi.

    Populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna, pra në shkelje të të drejtave dhe lirive elementare njerëzore.

    Nëse ne dhe bota demokratike këtë e kemi quajtur diskriminim e shkelje  të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, atëherë,  çfarë kuptimi kishte që njerëzve tanë nuk ua kthenim të drejtat e mohuara?

    Nga sot, stazhi dhe të drejtat tjera nga marrëdhënia e punes për rreth 70,000 pensionistë, janë rikthyer dhe kështu përveç ndikimit pozitiv në kuptimin e drejtësisë sociale, Kosova me akte konkrete po e materializon refuzimin e pushtimit e të veprimeve gjenocidale të Serbisë.

  • ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e konsiderojnë të jashtëzakonshme mbajtjen e seancës së sotme në orën 14:00 dhe atë për të cilën thanë se kanë marr njoftim për në orën 16:00.

    Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi u shpreh se propozuesi duhet të jap arsyeshmërinë e kësaj jashtëzakonshmërie ku në një seancë të trajtohen dy çështje totalisht të ndryshme.

    Sipas tij, kjo po ndikon në negativisht në kualitetin e ligjeve.

    “Kishte qenë mirë që propozuesi me të na shpjegojë arsyeshmërinë e jashtëzakonshmërisë së këtyre dy çështjeve totalisht të ndryshme si bashkohen në jashtëzakonshmërinë e tyre, dhe ne po ashtu para disa orësh morëm një ftesët për një seancë tjetër të jashtëzakonshme por sot në ora 16:00. Çka ka të jashtëzakonshme pse duhet Kuvendi t’i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme brenda një dite të shqyrtojë tri pika të cilat janë totalisht të ndryshme dhe të paktën dy prej tyre mund të presin zakonishmërinë e seancave. Pse duhet me u bë kjo punë sepse kjo po ndikon negativisht në kualitetin e ligjeve dhe po krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshmërinë ku një grup parlamentar”, tha ai.

    Tutje ai theksoi se me këtë sjellje po i humb esenca e parlamentarizmit.

    “Unë nuk po shoh diçka të jashtëzakonshme që duhet me u mbledh sot në ora 16:00 ose ora 14:00 me I trajtua me një zakonshmëri dy çështje totalisht të ndryshme dhe po ashtu me ardhur në ora 16:00 me ftesën që e kemi marr po sot me trajtua një ligj në dy leximet po sot po i humb esenca parlamentarizmit, ky normaliteti i shkeljes së procedurave kuvendore dhe i praktikave demokratike në këtë mënyrë po fillon po bëhet I rrezikshëm”, tha ai.

    Mendim të njëjtë me Gashin paraqiti edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se është e paprecedent që të sillen ligje për shqyrtim të cilat janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Ai theksoi se kjo qasje është totalisht e paarsyeshme.

    “Ky Kuvend sot i ka thirrur tri seanca të jashtëzakonshme për tri ligje të zakonshme, për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese. Është e paprecedent dhe as në historinë e këtij parlamenti edhe të parlamentarizmit që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj i cili është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese, është totalisht e pakuptimitë dhe po të drejtohem edhe ty kryetar si thirrës i seancës që po ashtu ta trajtosh këtë çështje me shumë kujdes… 100 mijë herë kishte më qenë më urgjente të diskutohet rrezikshmëërinë e Policisë në veri të Kosovës dhe e kishte pas mbështetjen e deputetëve, por me na sjell ligje të cilat i nënshtrohen një procedure parlamentare, me na sjell një ligj që është duke u diskutuar në Gjykatë Kushtetuese kjo tregon me të vërtetë për një logjikë ose totalisht të paaftë ose seriozisht të mbrapsht. Kërkoj prej teje si kryetar dhe prej kolegëve të LVV të reflektojnë pse, pse duhet ky me u bë peng i një qeverisje totalisht in-efektive i një qeverisje me ligje anti-kushtetuese për të trajtuar ligje”, theksoi ai.

    Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

    Po, ashtu në këtë seancë në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128./kp

  • Mediat bojkotojnë seancën e Kuvendit, pasi iu kufizua hapësira

    Mediat bojkotojnë seancën e Kuvendit, pasi iu kufizua hapësira

    Gazetarët dhe kameramanët e bojkotuan seancën e Kuvendit, pasi atyre iu kufizua hapësira.

    Në pjesën ku qëndrojnë mediat, kur nisi seanca u vendos shirit ndarës. Ai u vendos nga administrata e Kuvendit, siç u tha për çështje sigurie.

    Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

    Në seancën e jashtëzakonshme, në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128./KP

  • Murati: Me skemën e re pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona

    Murati: Me skemën e re pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona

    Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nga kjo skemë pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë persona.

    “Ka qenë një zotim i yni si qeveri dhe ka qenë edhe kërkesë e pensionerëve, e cila më në fund po merr përgjigjen e duhur sa i përket rregullimit të kuadrit ligjor. Në lidhje me këtë kemi pranuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtuese. Në bazë të përllogaritjes që kemi bërë parashihet që në skemën parciale të kalojnë rreth 70 mijë persona. Periudha nga largimi nga puna konsiderohet si periudhë e punës për hir të njohjes së kontributit 15-vjeçar. Si impakt buxhetor vlerësohet të jetë diku 60 milionë euro në vit. Është e nevojshme të bëhet edhe llogaritja e kostove për 50 vite. Dhe kostoja ka dalë të jetë rreth 1.3 miliard euro për këto 50 vite”, ka theksuar ministri Murati.

    Mirëpo për ligjin ngritën kritika deputetë të opozitës. “Kam pritur shumë më tepër nga ju. Nuk janë dy rekomandimet e Gjykatës Kushtuese të përfshira brenda. Të gjitha vendet që kanë dalë nga konfliktet e kanë rregulluar që me reformë çdo tre vjet të bëhet rirregullimi i pjesëmarrësve në këtë kategori. Ndoshta ministër do të ishte mirë që një skemë që e ka hartuar Kroacia të merrej në konsideratë. Ftoj që të gjithë të jemi unik pasi këta njerëz kanë nevojë për ne”, tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

    “Nuk e di se si do ta informoni Gjykatën Kushtetuese sa i përket plotësimit të vendimit në plotni dhe se si ata do të përgjigjen. Mendoj që zgjidhja parciale do të mbetet temë e hapur. Ne duhet të ulemi bashkërisht. Nuk po dyshoj në vullnet por duhet të jemi koherent në lidhje me atë që po kërkojmë”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    Mirëpo deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se të gjithë qytetarët e mirëpresin këtë ligj. “Besoj që të gjithë qytetarët e mirëpresin ligjin. Ne jemi para një reforme të të gjitha skemave dhe mendoj që edhe skemat tjera do të rregullohen”, ka shtuar ajo.

    Ndryshe, Projektligji për Skemat Pensionale të financuara nga shteti do të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit në orën 14:00./rtk

  • Vendoset shiriti – gazetarëve u “kufizohet” hapësira në Kuvend

    Vendoset shiriti – gazetarëve u “kufizohet” hapësira në Kuvend

    Kuvendi ka vendosur një shirit në pjesën e mediave duke i zhvendosur gazetarët dhe kameramanët të cilët përcjellin punën e këtij institucioni më prapa.

    Kuvendi është arsyetuar se ka vendosur shiritin për shkaqe sigurie derisa pritej të niste seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga ora 14:00, e kësaj të enjte.

    Shiriti u vendos në pjesën ku janë mediet dhe xhamit ndarës të ballkonit për medie.

    Na ballkonin e Kuvendit, nga ku mundësohet pamja e plotë e sallës së seancave, janë vendosur rregullisht ekipet e gazetarëve që kanë përcjellë seancat. Ajo është hapësira e vetme nga e cila gazetarët mund t’i përcjellin punimet e Kuvendit.