ATV

Category: Lajme

  • Kurti kujton Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn: U flijuan për çlirimin dhe lirinë e Kosovës

    Kurti kujton Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn: U flijuan për çlirimin dhe lirinë e Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, në shënim të 28-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

    Me këtë rast, Kurti tha se Konushevci dhe Malaj kishin ideal të përbashkët dhe ishin të përkushtuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës.

    “Njëri nga Kosova, tjetri nga Shqipëria të pandashëm për çlirim e për bashkim, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, nuk u ndanë asnjëherë nga njëri tjetri, e kishin idealin e njëjtë, e kishin punën e përbashkët dhe ishin të angazhuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për Republikën e pavarur e sovrane, të cilën e gëzojmë sot”, tha Kurti.

    Ai vlerësoi veçanërisht rolin e Ilir Konushevcit në organizimin logjistik të luftës çlirimtare, duke e lidhur sakrificën e tij me zhvillimin aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Ilir Konushevci si shpirti i logjistikës, i furnizimit, i ngritjes së luftës çlirimtare, punoi shumë kohë para luftës në mënyrë që të mund të luftojmë e të çlirohemi, andaj sot kur e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës, me armatimin e municionin modern e të shumtë që ka, me radhët e saj që sa vijnë e shtohen, ndjejmë se po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi ndaj gjithë dëshmorëve të kombit, ndaj të gjithë martirëve të luftës së fundit e në veçanti ndaj njerëzve si Ilir Konushevci e Dr. Hazir Mala, të cilët aq shumë u angazhuan e kontribuan që të mund të luftojmë e të çlirohemi”, tha ai.

    Kurti kujtoi edhe barrën që, sipas tij, Konushevci kishte marrë pas vrasjes së komandantit Zahir Pajaziti.

    “Ilir Konushevci pati një barrë të madhe pas vrasjes së komandantit Zahir Pajaziti, sepse në kohën kur ne ishim me humbje të mëdha në radhët tona, ai kishte barrën e dyfishtë, andaj edhe sakrifica e tij, lufta e paepur që bëri duhet të mësohet nga brezat e rinj se si duhet atdheu dhe se si duhet të bëhemi shembull për ata të cilët do të vijnë pas nesh”, deklaroi Kurti.

    Ai bëri homazhe për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit shqiptar.

    “Lavdi komandantit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malajt, si dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar të të gjitha etapave të përparimit të vendit e të kombit mbarë”, tha Kurti.

  • Peter Magyar betohet si kryeministër i Hungarisë, përfundon epoka 16-vjeçare e Orbanit

    Peter Magyar betohet si kryeministër i Hungarisë, përfundon epoka 16-vjeçare e Orbanit

    Lideri pro-evropian i qendrës së djathtë, Péter Magyar, është betuar si kryeministër i Hungarisë, duke shënuar përfundimin zyrtar të 16 viteve në pushtet të Viktor Orbán-it.

    Ceremonia e së shtunës – gjatë së cilës Magyar i kishte ftuar njerëzit t’i bashkoheshin për të “shkruar së bashku historinë hungareze” dhe për të “kaluar portën e ndryshimit të regjimit” – vjen një muaj pasi partia e tij opozitare Tisza fitoi një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare.

    Rezultati shkaktoi festime në Budapest dhe më gjerë, pasi Orbán dhe lëvizja e tij populiste e nacionaliste prej kohësh ishin konsideruar nga e djathta ekstreme globale si një model për t’u ndjekur.

  • ShBA vendos sanksione ndaj kompanive kineze për lidhjet me Iranin

    ShBA vendos sanksione ndaj kompanive kineze për lidhjet me Iranin

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të reja ndaj disa kompanive kineze, të cilat akuzohen se kanë ndihmuar Irani në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe teknologjike.

    Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, masa ndëshkuese përfshijnë katër kompani, tre prej tyre me seli në Kinë, të cilat dyshohet se kanë ofruar imazhe satelitore që janë përdorur në sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

    Paralelisht, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar edhe 10 individë dhe kompani të tjera, përfshirë subjekte kineze, të cilat akuzohen për furnizim të materialeve dhe teknologjisë së përdorur në prodhimin e raketave balistike dhe dronëve.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo subjekti që, sipas tij, mbështet industrinë ushtarake të Iranit.

    “Do të kërkojmë llogaridhënie nga çdo subjekt që ndihmon kapacitetet ushtarake të Iranit”, u shpreh Rubio.

    Nga ana tjetër, Kina ka reaguar duke kundërshtuar sanksionet e njëanshme, duke i cilësuar ato si të pabazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe duke theksuar se do të mbrojë kompanitë e saj.

    Vendimi vjen vetëm pak ditë para takimit të paralajmëruar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në Pekin, duke shtuar tensionet diplomatike mes dy fuqive botërore.

  • Marta Kos pritet në Kosovë për vizitën e parë si komisionere për Zgjerim

    Marta Kos pritet në Kosovë për vizitën e parë si komisionere për Zgjerim

    Marta Kos pritet të realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë më 15 maj, duke shënuar një moment të rëndësishëm në angazhimin e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Sipas rel-it vizita pritet të konfirmohet zyrtarisht në ditët në vijim. Kjo do të jetë hera e parë që Kos viziton Prishtinën që nga marrja e detyrës si komisionere për Zgjerim më 1 dhjetor 2024.

    Që prej fillimit të mandatit, ajo ka vizituar të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Partneritetin Lindor, disa prej tyre më shumë se një herë.

    Sipas zyrtarëve evropianë, mungesa e mëhershme e vizitës në Kosovë është ndikuar nga situata politike dhe mungesa e institucioneve funksionale në vend gjatë krizës së fundit politike.

    Një vizitë e planifikuar më herët për 12 mars ishte anuluar, pas vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke shtyrë kështu kontaktet e drejtpërdrejta të nivelit të lartë mes BE-së dhe Kosovës.

  • Whitaker: Ka përfunduar epoka kur ShBA paguante më shumë për mbrojtjen e Evropës

    Whitaker: Ka përfunduar epoka kur ShBA paguante më shumë për mbrojtjen e Evropës

    Ambasadori i Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, ka deklaruar se ka përfunduar periudha kur SHBA mbulonte pjesën më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen e Evropës.

    Përmes një reagimi publik lidhur me takimin e kësaj jave ndërmjet SHBA-së dhe NATO-s, ai theksoi se tashmë aleatët duhet të tregojnë më shumë angazhim konkret në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Whitaker u shpreh se qasja e re amerikane bazohet në politikën “America First” të presidentit Donald Trump, duke kërkuar veprime dhe përgjegjësi më të mëdha nga vendet aleate.

    “Epoka kur Amerika paguante një faturë të jashtëzakonshme për mbrojtjen e Evropës ka mbaruar”, deklaroi ai, duke shtuar se SHBA pret angazhim më të madh nga partnerët e NATO-s në përballje me sfidat globale të sigurisë.

  • Aksion i madh në Burgun e Dubravës, bastisen të gjitha dhomat e të burgosurve

    Aksion i madh në Burgun e Dubravës, bastisen të gjitha dhomat e të burgosurve

    Zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë zhvilluar një operacion të gjerë bastisjeje në Qendrën Korrektuese të Dubravës, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjes së sigurisë brenda institucionit korrektues.

    Gjatë aksionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme të qendrës, përfshirë dhomat e të burgosurve, hapësirat e përbashkëta, sallën e sportit, si dhe ambientet e jashtme përcjellëse.

    Në operacion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera korrektuese, ndërsa mbështetje ka ofruar edhe njësia speciale K9.

    Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të kontrollit nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Megjithatë, gjatë bastisjes janë larguar sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe hapësirat e përbashkëta, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka falënderuar të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtij operacioni, duke theksuar se aksione të tilla synojnë krijimin e një ambienti korrektues të qetë, të sigurt dhe funksional.

  • LVV e nominon Albin Kurtin kandidat për kryeministër

    LVV e nominon Albin Kurtin kandidat për kryeministër

    Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje e ka nominuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Nominimi i Kurtit ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjatë mbledhjes së së shtunës.

    Kryetarja e Forumit të Gruas në këtë parti, Albulena Haxhiu, ka pasur lëvdata për bashkëpartiakun teksa ka dhënë propozimin.

    “E propozoj se e njoh nga afër. E them me bindje me plotë, ai nuk e ka kuptuar pozitën e kryeministrit as si rehati e as si privilegj. Për të, pozita ka qenë për t’i ndihmuar qytetarëve. Për Albin Kurtin, shteti matet aty ku prek jetën e qytetarit. Përtej qeverisjes më të suksesshme, me te shteti nuk është strehë për të fortët e as strehë për plaçkë. Është i pashantazueshëm në politikë”, ka thënë ndër të tjera Haxhiu.

  • Pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht gruan, arrestohet pejani

    Pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht gruan, arrestohet pejani

    Një person në Pejë është arrestuar pasi sulmoi fizikisht gruan e tij.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në strehimore.

    Derisa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Pejë 08.05.2026, 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton PK.

  • Rubio: ShBA pret përgjigjen e Iranit për propozimin e armëpushimit

    Rubio: ShBA pret përgjigjen e Iranit për propozimin e armëpushimit

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni pret një përgjigje nga Irani lidhur me propozimet amerikane për një marrëveshje të përkohshme armëpushimi, me synim uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

    Deklarata vjen në një moment kur Teherani ka akuzuar SHBA-në për shkelje të armëpushimit të brishtë të shpallur muajin e kaluar, ndërsa përleshjet në dhe rreth Ngushtica e Hormuzit janë përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit.

    Sipas raportimeve, ndërmjetësues pakistanezë i kanë dorëzuar Iranit një memorandum të shkurtër nga SHBA-ja, i cili mund të shërbejë si bazë për një armëpushim më të qëndrueshëm dhe për rifillimin e negociatave diplomatike.

    Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump tha se pret një përgjigje nga Irani “së shpejti”. “Do të marr një letër me sa duket sonte”, deklaroi ai, ndërsa i pyetur nëse Teherani po e zvarriste qëllimisht procesin, u përgjigj: “Do ta zbulojmë së shpejti”.

    Nga ana tjetër, Rubio, gjatë një vizite në Romë, u shpreh optimist për mundësinë e nisjes së negociatave serioze.

    “Presim një përgjigje prej tyre sot. Shpresoj të jetë një ofertë serioze. Shpresa është që kjo të na fusë në një proces të mirëfilltë negociatash”, tha ai.

    Ndërkohë, SHBA-ja dhe Irani vijojnë të testojnë qëndrueshmërinë dhe vullnetin e njëri-tjetrit përmes retorikës së ashpër, presionit diplomatik dhe incidenteve sporadike ushtarake, në përpjekje për të fituar avantazh në çdo marrëveshje të mundshme.

  • Ramiz Lladrovci pret që kryesia e PDK të votojë pro kthimit të Fatmir Limajt

    Ramiz Lladrovci pret që kryesia e PDK të votojë pro kthimit të Fatmir Limajt

    Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është përfshirë në debatin e fundit rreth përfshirjes së Fatmir Limajt në listën e PDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Lladrovci ka thënë se pret lajme të mira nga Kryesia e PDK, duke thënë se argumenti se Limaj “na ka sharë” duhet analizuar meqë sipas Lladrovcit as nga PDK nuk ia kanë lënë keq.

    Lladrovci në fund ka thënë se një yll më shumë nuk ua zbeh ndriqimin yjeve që tashmë po shkëlqejnë.

    Pres lajm të mirë nga Kryesia e PDK-së e cila nuk do ta përsëris gabimin me votim për Fatmirin.

    Një nga “argumentet” negative se Fatmiri na paska sha, do parë në realisht, as na nuk e kemi kursye.

    Qielli është plotë yje, një yll ma shumë, nuk ia zbeh ndriçimin yjeve që po shkëlqejnë!”, ka shkruar Lladrovci.