ATV

Category: Lajme

  • Koreja e Veriut ndryshon kushtetutën për të kërkuar sulm automatik bërthamor nëse Kim Jong Un vritet

    Koreja e Veriut ndryshon kushtetutën për të kërkuar sulm automatik bërthamor nëse Kim Jong Un vritet

    Koreja e Veriut ka përditësuar kushtetutën e saj për të kërkuar një sulm hakmarrës bërthamor nëse udhëheqësi Kim Jong Un vritet, sipas një raporti.

    The Telegraph raportoi se ndryshimi vjen mes tensioneve të larta globale pas vrasjes së udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe zyrtarëve të tjerë gjatë një konflikti të kohëve të fundit.

    Khamnei u vra në një sulm izraelit në Teheran si pjesë e një operacioni të koordinuar ushtarak amerikano-izraelit në fillim të këtij viti, raportoi më parë Fox News Digital.

    Rishikimi kushtetues u miratua gjatë një sesioni të Asamblesë Supreme Popullore të Koresë së Veriut, e cila u hap më 22 mars në Phenian, tha media.

    Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) i Koresë së Jugut informoi zyrtarët e lartë të qeverisë këtë javë mbi përditësimin, sipas raportit.

    Politika e rishikuar përshkruan procedurat për veprime hakmarrëse nëse udhëheqja e Koresë së Veriut është e paaftë ose vritet.

    “Nëse sistemi i komandës dhe kontrollit mbi forcat bërthamore të shtetit vihet në rrezik nga sulmet e forcave armiqësore… një sulm bërthamor do të nisë automatikisht dhe menjëherë”, thuhet në dispozitën e përditësuar.

    Reuters raportoi më parë se Koreja e Veriut rishikoi kushtetutën e saj për të përcaktuar territorin e saj si kufitar me Korenë e Jugut dhe për të hequr referencat për ribashkim, duke reflektuar përpjekjen e Kim për t’i trajtuar zyrtarisht dy Koretë si shtete të ndara.

    Kjo shënoi herën e parë që Koreja e Veriut përfshiu një klauzolë territoriale në kushtetutën e saj.

    Muajin e kaluar, Kim u zotua të forcojë më tej aftësitë bërthamore të vendit, duke ruajtur një qëndrim të ashpër ndaj Koresë së Jugut, të cilën ai e ka quajtur shteti “më armiqësor”.

  • Dy vetëm sot, Vjosa Osmani prezanton një tjetër prurje të re

    Dy vetëm sot, Vjosa Osmani prezanton një tjetër prurje të re

    Ish-presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se pjesë e ekipit të saj për zgjedhjet e 7 qershorit do të jetë Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

    Osmani këtë e njoftoi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, e cila la të nënkuptohet se Kodra do të kandidojë për deputet në listen e Osmanit, e cila është përbashkuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), shkruan Insajderi.

    “Përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Besimi ka dëshmuar se humanizmi është përkushtim i përditshëm ndaj njerëzve. Këtë mision Besimi do ta vazhdojë në një tjetër betejë: për ta përfaqësuar kauzën e pacientëve në Kuvend”, deklaroi ndër të tjera Osmani.

    Osmani sot njoftoi edhe se pjesë e ekipit të saj do të jetë edhe Visar Xani.

    Osmani me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ prezantoi punën e Xanit ndër vite, të cilit ia vlerësoi angazhimin në shërbimin publik ndaj qytetarëve.

    “Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë. Fillimisht si gazetar e analist politik, me syrin kritik ndaj zhvillimeve shoqërore e politike, e më pas brenda vetë institucioneve, aty ku fjala duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe puna në rezultat”, deklaroi ndër të tjera Osmani.

  • Investime miliardëshe për gazin amerikan në rajon, Kosova mungon në hartë

    Investime miliardëshe për gazin amerikan në rajon, Kosova mungon në hartë

    Ndërsa gazi po kthehet në armën kryesore të sigurisë energjetike në Evropë, Shtetet e Bashkuara po shtyjnë fuqishëm projekte të reja në Ballkanin Perëndimor. Nga Shqipëria në Bosnje e Hercegovinë, rrjeti i ri po merr formë. Por, në hartën e re që po krijohet, Kosova mungon.

    Në pesë vjetët e fundit, qasja e Kosovës ndaj gazit ka qenë më shumë një “tërhiq e mos e këput” sesa një politikë e vendosur. Nga një projekt konkret me mbështetje amerikane, te refuzimi i tij në vitin 2021, e deri te rikthimi i diskutimeve për mundësi të reja këtë vit, vendi është ende pa një drejtim të qartë.

    Në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar bashkëpunimin si “vendimtar” për një sektor të sigurt energjetik.

    Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, është fakt që gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.

    Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.

    Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

    Për sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, kjo nënkupton një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Qendrore dhe Lindore.

    “Këto partneritete bazohen në mbështetjen tonë të ndërsjellë për një agjendë të zgjerimit energjetik – dhe kjo dëshmohet nga marrëveshjet me vlerë prej miliarda dollarësh, që janë nënshkruar”, shkroi Wright në X.

    Edhe pse pa një rol të qartë në këto zhvillime, Kosova nuk është jashtë vëmendjes së Shteteve të Bashkuara. I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë urgjente për modernizim – çfarë krijon mundësi të mëdha për industrinë amerikane që të investojë.

    Megjithatë, ai thekson se projektet e mëdha do të varen nga vetë Kosova, përkatësisht përmirësimi i mjedisit biznesor dhe rregullator në vend.

    “Duhet të bëhen hapa për t’i nxitur investimet private amerikane dhe financimet ndërkombëtare që të vijnë në Kosovë. Për këtë po punojnë Departamenti i Tregtisë, Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Nëse dhe kur dinamikat e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në ndërmjetësim mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë Volz.

    Volz shprehet optimist dhe thekson se lidhja e Kosovës me infrastrukturën rajonale të gazit është tashmë pjesë e diskutimeve që po zhvillohen.

    “Qëllimi ynë është që burimet energjetike amerikane të arrijnë te të gjithë partnerët dhe aleatët tanë, që janë të interesuar për një bashkëpunim afatgjatë energjetik me industrinë amerikane dhe me Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës nëse ekziston ndonjë plan apo afat konkret për lidhjen me rrjetin rajonal, për mundësitë e ndërtimit të infrastrukturës së gazit dhe për bisedimet me zyrtarët amerikanë, por nuk mori përgjigje as pas një jave pritjeje.

    Aktualisht, Kosova përfiton nga programi Kompakt i Qeverisë amerikane, me vlerë mbi 230 milionë euro, i cili është i fokusuar në energji të pastër dhe stabilitet të furnizimit. Si pjesë e tij, vendi tashmë ka siguruar bateri me kapacitet të lartë për ruajtjen e energjisë.

    E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, tha në një ngjarje këtë javë se ky investim është dizajnuar pikërisht për të adresuar furnizimin e paqëndrueshëm me energji në Kosovë – një problem që prej vitesh ndikon negativisht në biznese, familje dhe konkurrencë.

    “Asnjë përparim nuk ndodh në izolim. Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën në këto përpjekje, por suksesi varet nga angazhimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës, sektorit privat, institucioneve financiare dhe shoqërisë civile”, tha Prattipati.

    Pesë vjet më parë, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së. Atëkohë, ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli, tha se “nevojiten më shumë informacione për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

    “Gazsjellësi do të bëhet nëse është në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës dhe në përputhje me Strategjinë e Kosovës. Së pari bëhet Strategjia, e pastaj merren vendime për projekte specifike”, tha Rizvanolli në një seancë të Kuvendit, më 18 nëntor 2021.

    Në Strategjinë që u bë për vitet 2022-2031 u parapa mundësia që Kosova të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen, dhe që qymyri të hiqet nga përdorimi më së voni deri në vitin 2050, për t’u lënë vend burimeve tjera energjetike.

    “(Bashkë)investimi në termocentralet me gaz natyror, për qëllim të mbulimit të kërkesës bazë dhe/ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoni të Veriut dhe në Greqi, do të shqyrtohet me qëllim të zbatimit brenda afatit të kësaj strategjie”, thuhet në dokument.

    Kosova nuk ka dalje në det – gjë që e bën më të vështirë ndërtimin e infrastrukturës së gazit pa bashkëpunim me vendet fqinje. Një nga opsionet është lidhja me infrastrukturën e planifikuar në Shqipëri ose Greqi, veçanërisht përmes gazsjellësit TAP – që transporton gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, deri në Itali – ose përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë.

    Burim Ejupi, drejtor i Institutit për Politika Zhvillimore – Indep në Prishtinë, thotë se Kosova nuk e ka humbur plotësisht hapin, por se ka mbetur prapa, për shkak të mungesës së një qëndrimi të qartë politik. Ai thotë se, ndonëse gazi tashmë është afër – me infrastrukturën në Shqipëri dhe atë në Maqedoni të Veriut – vendi vazhdon të lëvizë pa një drejtim të prerë.

    “Mënyra më e lehtë e tranzicionit energjetik është përmes gazit, pasi, gjatë djegies, ai emeton rreth dy herë më pak dioksid karboni. Po ashtu, termocentrali me gaz vihet në punë shumë shpejt dhe ka kapacitet të kontrolluar prodhimi. Kosova ka probleme edhe me balancimin e energjisë, ndaj një termocentral me gaz do të ishte shumë i mirëseardhur, sidomos kur dihet se, viteve të fundit, po paguhen gjoba milionëshe për këtë arsye”, thotë Ejupi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    Një studim që publikoi Instituti Indep në vitin 2022, konstatoi se gazi natyror mund të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Kosovën në adresimin e së ashtuquajturës “trilemë energjetike” – dekarbonizimin, sigurinë e furnizimit dhe energjinë e përballueshme.

    Po atë vit u publikua edhe një studim i financuar nga Banka Evropiane për Investime, i cili theksonte se burimet finale të gazit natyror për Kosovën mund të përfshijnë gazin rus, gazin e lëngshëm natyror nga Greqia, si dhe atë nga Kroacia.

    Me ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe zhvillimet e reja në terren, Ejupi thotë se gazi për Kosovën nuk është më çështje teknike, por e vendimmarrjes politike.

    “Në ish-Jugosllavi ka ekzistuar traseja prej Obiliqit deri në Shkup dhe prej Obiliqit deri në Mitrovicë. Në Obiliq ka qenë ngrohtorja, prej ku është dërguar avulli në Hekuranën e Shkupit, por gjithashtu edhe në Trepçë. Domethënë, sa i përket infrastrukturës tokësore, Kosova nuk ka nevojë për shpronësime, sepse tashmë ato ekzistojnë”, thotë Ejupi.

    Ai shton se, sipas disa llogaritjeve dhe duke marrë parasysh investimet në TAP, ndërtimi i plotë i infrastrukturës së gazit në Kosovë mund të realizohet për 3 deri në 5 vjet, me një kosto që varion nga rreth 200 milionë deri në 400 milionë euro.

    “Ne i kemi tri industri të mëdha aktualisht në Kosovë. Është Feronikeli, i cili është jashtë funksionit, është Trepça dhe Sharr-Cemi. Ato mund ta ndërrojnë sistemin e operimit prej energjisë elektrike në gaz”, shprehet Ejupi.

    Brenda Shaffer, nga Qendra Globale e Energjisë pranë Këshillit Atlantik, thotë se sfida kryesore, në përgjithësi, nuk qëndron te tubacionet apo interkonektorët, por te sigurimi i burimit kryesor të gazit. Dhe për Kosovën, sipas saj, ky burim tashmë ekziston – për shembull përmes Korridorit Jugor të Gazit nëpërmjet Shqipërisë.

    Duke e trajtuar këtë si çështje politike dhe prioritetesh, e jo thjesht teknike, Shaffer thotë se nisma e mbështetur nga SHBA-ja për ndërlidhjet e gazit në Ballkanin Perëndimor përbën një mundësi historike për diversifikimin e furnizimeve me energji dhe uljen e ndotjes.

    “Nëse nuk je i sigurt në aspektin energjetik, nuk mund të jesh i sigurt si shtet. Nuk ka siguri kombëtare pa siguri energjetike – nuk mund të mbrohesh, nuk mund të ndërtosh industri të armëve… Kjo ka qenë gjithmonë qasja e SHBA-së: t’i ndihmojë aleatët dhe partnerët të bëhen të sigurt në aspektin energjetik, sepse nëse aleatët e tu janë të sigurt, atëherë edhe ti je i sigurt”, thotë Shaffer për Exposenë.

    Por, si çdo burim energjie, edhe gazi nuk shihet vetëm në një drejtim. Ai sjell përfitime, por edhe dilema dhe kosto.

    Anne-Sophie Corbeau, nga Qendra për Politikat Globale të Energjisë me seli në Paris, thotë se Kosova nuk duhet domosdoshmërisht të orientohet drejt gazit. Sipas saj, kalimi nga qymyri te gazi nuk është zgjidhje automatike, pasi duhet peshuar rreziku i luhatjeve të tregut dhe mundësia që një varësi të zëvendësohet me një tjetër, në vend të një diversifikimi të vërtetë energjetik.

    “Ajo që po shoh, është se i gjithë rajoni po kalon nga një varësi, që më parë ishte nga gazi rus, në një varësi tjetër që kryesisht lidhet me gazin e lëngshëm natyror amerikan. Të varësh nga ky gaz është në rregull, sepse mund të shfrytëzosh burime të ndryshme furnizimi. Por, nëse gjithçka vjen vetëm nga një vend i vetëm, edhe pse ai pritet të bëhet një eksportues shumë i madh i energjisë në të ardhmen, a do të doje të ishe i varur vetëm nga një shtet?”, thotë Corbeau për Exposenë.

    Ajo që është e sigurt, sipas zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Energjisë, Volz, është se vendet që zgjedhin të bashkëpunojnë me SHBA-në për sigurinë dhe diversifikimin energjetik, mund të presin rritje të investimeve të huaja, pasi prania amerikane në sektorin e energjisë shihet si një faktor stabiliteti dhe besueshmërie.

    Në këtë kontekst, gazifikimi mund të jetë pikërisht shtysa që i duhet Kosovës për të dalë nga pasiguria energjetike dhe për t’u bërë më tërheqëse për investimet./REL/

  • Ushtria zbret me parashuta në një ishull për të ndihmuar një britanik të dyshuar me hantavirus

    Ushtria zbret me parashuta në një ishull për të ndihmuar një britanik të dyshuar me hantavirus

    Mjekët ushtarakë britanikë janë hedhur me parashutë në ishullin e largët atlantik Tristan da Cunha për të ndihmuar një shtetas britanik i dyshuar me hantavirus.

    Burri ishte larguar nga MV Hondius — anija turistike e goditur nga një shpërthim vdekjeprurës i virusit — në mesin e prillit, në territorin më të largët të banuar britanik jashtë shtetit, ku ai jeton.

    Ai raportoi simptomat e para dy javë pasi kishte zbritur nga anija dhe thuhet se ndodhet në gjendje stabile ndërsa qëndron i izoluar. Tashmë janë konfirmuar gjashtë raste me virusin, përfshirë edhe dy britanikë të tjerë që po trajtohen jashtë anijes.

    Të shtunën, nga një avion RAF A400M u hodh edhe oksigjen, pasi rezervat në ishull kishin arritur në një nivel “kritik”, tha Ministria e Mbrojtjes (MoD).

    Gati një muaj pas vdekjes së parë në bordin e MV Hondius, anija tashmë ka mbërritur në Tenerife, ku autoritetet po ndihmojnë më shumë se 100 persona të zbresin për t’u riatdhesuar.

    Tre persona kanë vdekur nga shpërthimi, përfshirë dy që u konfirmua se kishin hantavirus.

    Hantavirusi është një grup virusesh që bartet nga brejtësit. Shumica e hantaviruseve nuk transmetohen nga personi te personi, por varianti Andes — i identifikuar te disa persona që kishin qenë në anijen holandeze — transmetohet.
    Britaniku që jeton në Tristan da Cunha kishte zbritur nga anija më 14 prill, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

  • Vjosa Osmani prezanton Visar Xanin si pjesë të ekipit të saj

    Vjosa Osmani prezanton Visar Xanin si pjesë të ekipit të saj

    Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani e ka prezantuar Visar Xanin si pjesë të ekipit të tij.

    Ajo tha se tha se puna e Visar Xanit për 18 vjet lidhet me fjalën publike.

    Postimi i plotë:

    Për më shumë se tetëmbëdhjetë vjet, puna e Visar Xanit lidhet ngushtë me fjalën publike.

    Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë. Fillimisht si gazetar e analist politik, me syrin kritik ndaj zhvillimeve shoqërore e politike, e më pas brenda vetë institucioneve, aty ku fjala duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe puna në rezultat.

    Në organizata ndërkombëtare dhe në administratë publike, Visari ka sjellë qetësinë e njerëzve që e kuptojnë shtetin si një projekt në të cilin duhet të punohet ditë pas dite. Visari ka kontribuar në reforma, në komunikim institucional dhe në formimin profesional të shumë zyrtarëve në Kosovë, në veçanti me rolin e tij si Koordinatori Nacional i RESPA-s për Kosovën.

    Mbi të gjitha, ai sjell një cilësi që rrallë thuhet, por lehtësisht dallohet: seriozitetin e njeriut që e sheh shërbimin publik si detyrim ndaj qytetarëve dhe jo si privilegj.

    I nderuar Visar, na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët

  • OVL-UÇK tregon emrat e dëshmorëve që ranë nga 1 deri më 15 maj gjatë luftës në Kosovë

    OVL-UÇK tregon emrat e dëshmorëve që ranë nga 1 deri më 15 maj gjatë luftës në Kosovë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka postuar në Facebook për dëshmorët e rënë nga data 1 deri në 15 maj.

    Në njofitm thuhet se sakrifica e tyre mbetet themel i shtetit tonë dhe amanet i përhershëm për brezat që vijnë.

    Postimi i plotë:

    Nga 1 deri më 15 maj, gjatë luftës tonë çlirimtare, ranë këta dëshmorë të kombit shqiptar.

    Në ditët më të rënda për popullin shqiptar, ata nuk u zmbrapsën përballë armikut, por u ngritën si mburojë e Kosovës dhe si zëri i pavdekshëm i lirisë. Sakrifica e tyre mbetet themel i shtetit tonë dhe amanet i përhershëm për brezat që vijnë.

    Asllan Gashi, Abdiselam Ahmeti, Abedin Myrtezi, Agim Selmanaj, Agron Veliu, Agron Veliqi, Burim Veliqi, Emin Musliu, Emrush Buzhala, Faton Kiqina, Gani Rrustemaj, Halil Gashi, Jemin Musliu, Musa Maloku, Rexhep Zenelaj, Sadik Ganijaj, Sadik Rrustemaj, Shpend Hiseni, Adnan Bunjaku, Agim Sadiku, Agim Sadriu, Ali Hyseni, Ali Zeneli, Bajram Musa, Bastri Hyseni, Beqir Hyseni, Besim Rexhepi, Elmaz Peci, Faruk Beqiri, Feta Gega, Halil Gashi, Hasan Hasani, Jakup Shehu, Mehdi Musliu, Nystret Musa, Xhavit Bajraktari, Xhevdet Ahmeti, Abdyl Duqi, Bajram Sallahaj, Besim Tiku, Fazli Jakupi, Liman Koca, Naim Xani, Nasuf Gashani, Nasuf Goxhuli, Nesret Halili, Rifat Goxhufi, Tahir Gashani, Avdyl Nimani, Bislim Tretça, Fehmi Preteni, Hadije Spahiu, Mursel Boletini, Naim Hyseni, Nazmi Bashota, Nazmi Karrafeta, Abedin Murtezi, Behxhet Hamza, Behxhet Shabani, Elhami Hasani, Enver Kukaj, Florim Maliqi, Imri Halili, Isuf Mulaj, Januz Zejnullahu, Kamush Shatrolli, Metë Aliaj, Pal Palucaj, Ramadan Rexhepi, Shabi Kajolli, Luan Haradinaj, Artim Jashari, Afrim Krasniqi, Avdi Kelmendi, Bedri Bazaj, Florin Maliqi, Gani Kelmendi, Kadri Qollaku, Liman Rekaj, Nijazi Rexhepi, Safet Rexhepi, Tafil Osmani, Bahri Fazliu, Adnan Krasniqi, Ahmet Gjikolli, Arrnaud Paillard, Bujar Roka, Demush Lataj, Demush Mavraj, Françesko Bider, Gani Brahimaj, Gazmend Zeqiri, Hamdi Çetaj, Hazyr Këpuska, Luan Krasniqi, Osman Tafa, Safet Rexhepi, Sherif Muqaj, Tomë Gjokaj, Visar Juniku, Yllka Domi, Agim Hasanaj, Besim Halilaj, Haki Kameraj, Afrim Berisha, Ajet Rrahmani, Bekim Kelmendi, Bekim Mavraj, Bujar Neziri, Emin Berisha, Esat Shabani, Hasan Maloku, Hysni Berisha, Ibish Mavraj, Jeton Ahmeti, Kushtrim Hoxha, Menderes Dervishaj, Menhend Dervishaj, Metush Gashi, Muharrem Gashi, Muharrem Morina, Mustafë Shabani, Nexhat Bajrami, Përparim Berisha, Ragip Morina, Ramush Shatrolli, Rexhep Berisha, Sabedin Hamiti, Safet Elshani, Tafil Osmani, Ukshin Maloku, Xhelal Morina, Hazir Mala, Ilir Konushevci, Ali Hoxha, Ali Ivaja, Azem Musliaj, Azem Ukaj, Bajram Musliaj, Dashmir Krasniqi, Fatmir Hyseni, Megzun Boshnjaku, Rifat Beqiraj, Sefedin Xërxa, Shemsi Musliaj, Taulant Nura, Shukri Qorri, Afrim Behrami, Agim Haxhiavdyli, Hajriz Muhadini, Hamdi Ferati, Ilir Berisha, Ilir Sadrijaj, Islam Koci, Islam Neziraj, Ismet Osmani, Lan Dobraj, Muhamet Kabashi, Naim Luboci, Shaqir Tërshana, Sherif Buqaj, Xhevdet Dobra, Ylber Hoxha, Afrim Syla, Ali Hasi, Arben Shala, Bardh Aliaj, Besim Nuka, Emin Kryeziu, Fatos Ademaj, Idriz Gajraku, Ismail Ismaili, Ismet Marmullaku, Izet Beqiraj, Kreshnik Ademaj, Muhamet Kabashi, Naim Orllati, Nazim Bakiu, Nikollë Dodaj, Qamil Osmani, Shaban Morina, Shefqet Thaqi, Urim Mehmeti, Xhafer Grabovci, Xhevdet Loshaj, Adem Bajrami, Adem Gashi, Agron Rrahmani, Avdullah Avdullahu, Bekim Bytyqi, Elmi Morina, Gëzim Duqi, Hajdar Ademi, Ilmi Morina, Mehmet Dula, Milaim Krasniqi, Murat Dula, Ramiz Rexha, Sadri Neziri, Shefqet Rexha, Sinan Rexha, Xhevdet Krasniqi, Arif Hysenaj, Bedrush Gashi, Burim Veliqi, Faton Vehbiu, Idriz Gajraku, Nijazi Bajraktari, Shefshet Bazaj, Qaush Morina, Adem Ahmetaj, Bedrush Gashi, Hamdi Ferati, Hamdi Krasniqi, Ismet Morina, Nuhi Haliti, Sali Gashi, Skender Gega, Mehedin Morina, Ajdin Rramanaj, Avdullah Lushi, Driton Demaku, Emrush Krasniqi, Hasan Çeku, Isuf Shala, Jahë Tofaj, Qamil Ilazi, Rifat Smajli, Sabit Hiseni, Selim Shehu, Shaban Smajli, Sinan Berisha, Muhamet Çitaku, Adem Mulaj, Behram Behrami, Faik Gogjuli, Hamzë Zyberaj, Ilmi Bahtiari, Lahë Gashi, Malush Ahmeti, Muharrem Mehmeti, Nuhi Berisha, Sadri Shala, Sadri Neziri dhe Shefqet Bazaj.

    OVL UÇK-së i përkujton me nderimin më të lartë dëshmorët e rënë gjatë luftës tonë çlirimtare dhe nuk do t’i harrojë kurrë sakrificën, gjakun dhe amanetin e tyre për liri. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

  • Rrahje për kontest pronësor mes dy vëllezërve në Mitrovicë, njëri nga ta bëhet për spital

    Rrahje për kontest pronësor mes dy vëllezërve në Mitrovicë, njëri nga ta bëhet për spital

    Një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor ka eskaluar në përleshje fizike mes dy vëllezërve në Mitrovicën e Jugut.

    Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 9 maj 2026, rreth orës 13:45, ku dy të dyshuar meshkuj janë përleshur ndërmjet vete pas mosmarrëveshjeve lidhur me pronën.

    Gjatë incidentit, lëndime ka pësuar edhe një viktimë mashkullore, e cila kishte tentuar t’i ndalonte të dyshuarit. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

    Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i PK:

    Mitrovicë Jugu / 09.05.2026 – 13:45. Dy të dyshuar m/k (vëllezër) pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor ishin përleshur ndërmjet vete. Pas incidentit, trajtim mjekësor ka pranuar viktima m/k e cila kishte tentuar ti ndalojë të dyshuarit. Me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Arben Gashi njofton nëse do të kandidojë për deputet

    Arben Gashi njofton nëse do të kandidojë për deputet

    Arben Gashi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka bërë të ditur se do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Gashi këtë e ka njoftuar me anë të një postimi në ‘Facebook’, ku ka thënë se është propozuar nga dega e LDK’së në Pejë dhe ajo në Prishtinë.

    “Me propozim të Degës së LDK-së në Pejë dhe Degës IV të LDK-së në Prishtinë, jam kandidat edhe për një mandat për deputet në Kuvendin e Kosovës. Falënderoj strukturat e LDK-së, votuesit dhe qytetarët e Kosovës për besimin e vazhdueshëm ndaj meje. Ju garantoj se do të vazhdoj me përkushtim në mbrojtje të vlerave tona politike, të sistemit demokratik dhe të besimit qytetar, për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe të përhershme”, ka deklaruar Gashi.

    Gashi kandidoi edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare, mirëpo s’i pati votat e mjaftueshme që të bëhej deputet.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, sot përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim për certifikim

    Zgjedhjet e 7 qershorit, sot përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim për certifikim

    Listës së 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që deri më 7 maj njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, mund t’i shtohen edhe subjektet e reja politike.

    Sot, më 10 maj në orën 24:00, KQZ do të përmbyllë afatin për subjektet e reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të radhës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë një ditë më herët për Ekonomia Online se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, por jo edhe partitë politike, që ligji për zgjedhjet e përgjithshme i konsideron të certifikuara automatikisht.

    “Deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.

    Ndërkaq, dy ditë më pas, deri më 12 maj, të gjitha subjektet politike kanë kohë për të dorëzuar online në KQZ listën me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet për Kuvend.

    “Më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha ai.

    Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike. Nga këto, 18 ishin parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    Deri më tani, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë njoftuar KQZ-në se do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, 9 të tjera për mospjesëmarrje dhe janë formuar 3 koalicione të ndryshme.

    Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

    Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate.

    Partitë politike që kanë njoftuar formimin e koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

  • Pasi u bë pjesë e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, reagon Rrustem Mustafa

    Pasi u bë pjesë e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, reagon Rrustem Mustafa

    Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo parti ‘’mundet bashkë’’, dhe se, Kosova ka nevojë për normalitet, institucione funksionale dhe bashkim në ndërtim e integrim.

    Mustafa ka thënë edhe se PDK është gati për ndryshimin që e meriton çdo qytetar.

    Postimi i tij i plotë:

    PDK mundet bashkë

    Kosova ka nevojë për normalitet institucione funksionale dhe bashkim në ndërtim e integrim. Duhet ti largojmë nga politika ata që mbajnë vendin në tension përçarje dhe paaftësi.

    Është koha për përgjegjësi stabilitet dhe shtet që ecën përpara. Ne jemi gati për ndryshimin që meriton çdo qytetar.

    PDK mundet Bashkë!.