ATV

Category: Lajme

  • Më 4 gusht aktgjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit

    Më 4 gusht aktgjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit

    Gjykimit për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit, po i vjen fundi gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë me rastin e seancës së fjalëve përfundimtare.

    Dy të akuzuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, kanë dalur sot sërish para gjyqtarit të procedurës paraprake, nën akuzat për disa vepra penale.

    Në seancën e fundit, të akuzuarit dhanë mbrojtjen e tyre, me ç’rast Sejdiu u deklarua, kurse Krivaqa vazhdoi të mbrohej në heshtje.

  • Avokati i Krivaqës: Mora 1 mijë e 800 sms me komente negative si “pastë gruaja jote fatin e Marigonës”

    Avokati i Krivaqës: Mora 1 mijë e 800 sms me komente negative si “pastë gruaja jote fatin e Marigonës”

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare në gjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, mbrojtësi i Krivaqës, avokati Admir Salihu, tha se ka marrë komente negative nga publiku, për mbrojtjen e të akuzuarit.

    “Kam marrë 1 mijë e 800 sms me komente si “pastë gruaja jote fatin e Marigonës, pastë vajza jote fatin e tillë”, tha avokati Salihu.

    Sipas tij, ky rast është ekzagjeruar nga publiku dhe konsideron se aktakuza është e dobët dhe joprofesionale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Salihu thotë se kjo aktakuzë është e ndikuar nga publiku për të paraqitur storie dhe ngjarje të paqena, por që nuk japin gjykimin dhe drejtësinë e merituar.

    “Prokuroria ka dështuar qartazi të provojë motivin, nëse motivi ka qenë tradhtia”, ka thënë tutje avokati Salihu.

  • Vajza e Jakup Krasniqit publikon letrën e tij me urimin për martesë: Sot nuk ndjej asgjë veç lirisë…

    Vajza e Jakup Krasniqit publikon letrën e tij me urimin për martesë: Sot nuk ndjej asgjë veç lirisë…

    Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa ka publikuar një letër mjaft prekëse, të babait të saj, me rastin e martesës.

    Me një foto të bashkëngjitur ku shihet Gresa dhe burri i saj, përballë një fotografie të Krasniqit, të ngjitur në mur, ajo ka publikuar vargjet.

    Kujtojmë se Jakup Krasniqi është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë.

  • Mbrojtja kërkon që Krivaqa e Sejdiu të dënohen me burgim të përjetshëm

    Mbrojtja kërkon që Krivaqa e Sejdiu të dënohen me burgim të përjetshëm

    Në seancën gjyqësore ku po jepen fjalët përfundimtare të palëve për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, avokati i palës së dëmtuar, familjes Osmani, Gazmend Rexhepi ka kërkuar që ndaj të dyshuarve për dhunim dhe vrasje si dhe ndihmë në vrasje Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu të shpallet dënimi kapital.

    Sipas Kodit Penal te Kosovës ky dënim, më i rëndi që e njohin ligjet e Kosovës është ai me burgim të përjetshëm.

    Ndërkohë familja e 18 vjeçares Marigona Osmani pritet të kërkojë dëmshperblim dhe do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje pasurore juridike pas përfundimit të këtij gjyqi.

    Sipas të dëmtuarve, vrasja e Marigona Osmanit është më e rënda nga paslufta dhe është ende më mizore se sa që është paraqitur në aktakuzë.

  • Vendimi i Supremes për Gucatin e Haradinaj pritet pas shtatorit

    Vendimi i Supremes për Gucatin e Haradinaj pritet pas shtatorit

    Mbrojtja e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt po e presin me kureshtje vendimin e Gjykatës Supreme në Hagë. Kjo pasi nëse edhe Supremja e ulë sado pak dënimin për dy udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, atëherë kjo do të mund të sillte lirimin e të dyve.

    Kështu ka deklaruar avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman. Ai ka thënë se vendimi i Apelit nuk pritet para shtatorit.

    “Përgjigja e Konsoliduar e Prokurorisë ndaj ankesës sonë u dorëzua më 3 korrik 2023 dhe përgjigja jonë do të dorëzohet deri më 3 gusht 2023. Pas kësaj, Kolegji i Gjykatës Supreme ka 60 ditë për të nxjerrë vendimin e tij. Në ankesën tonë ne kemi kërkuar seancë gojore, por gjykata ende nuk ka vendosur për këtë. Ne nuk parashikojmë që Kolegji i Gjykatës Supreme të nxjerrë një vendim shumë përpara fillimit deri në mes të shtatorit”, ka thënë Cadman.

    Avokati i Haradinajt thekson se pritjet e tij janë që Haradinaj të lirohet menjëherë. Sipas tij, secila ulje e dënimit, nënkupton lirimin.

    “Ne presim që ankesa të përcaktohet në mënyrë të drejtë dhe të pavarur nga Kolegji i Gjykatës Supreme dhe se i vetmi rezultat i drejtë do të ishte prishja e vendimit të Kolegjit të Gjykatës së Apelit dhe urdhërimi i lirimit të menjëhershëm të z. Haradinaj nga paraburgimi. Kolegji i Gjykatës Supreme, në parim, mund të urdhërojë rigjykim ose të zvogëlojë dënimin. Çdo ulje e dënimit do të nënkuptonte përfundimisht lirimin e z. Haradinaj nga paraburgimi. Megjithatë, përderisa ne kërkojmë një lirim të plotë, mund të spekulojmë vetëm për rezultatin e apelit”, deklaroi Toby Cadman.

    Nasim Haradinaj e Hysni Gucati ishin dënuar fillimisht me nga 4 vjet e gjashtë muaj burgim. Pas ankesës në Gjykatën e Apelit, dënimi u reduktua në 4 vjet e e tre muaj. Duke ditur se të dy janë arrestuar në shtatorin e vitit 2020, atëherë një pjesë e madhe e dënimit është mbajtur.

    Si rezultat, Toby Cadman ka bërë të ditur se ata do të kërkojnë lirimin e parakohshëm të Nasim Haradinajt.

    “Z. Haradinaj do t’i ketë arritur së shpejti dy të tretat e dënimit të tij, prandaj kualifikohet për lehtësim të dënimit, ose lirim të hershëm. Ne jemi në procesin e përgatitjes së kërkesës dhe unë do të takohem me z. Haradinaj këtë javë për ta diskutuar më tej çështjen. Pikëpamja jonë është që ka bazë të fuqishme për ta përkrahur kërkesën e tij për lirim të hershëm”, ka thënë avokati Toby Cadman.

    Gjykata Speciale kohë më parë kishte caktuar edhe penalin që do të merret me këtë rast. Kryetare e këtij paneli është caktuar e para e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Pastaj gjyqtarja Christine van den Wygnaert dhe Daniel Fransen.

    Krerët e OVL-UÇK-së ishin dënuar për ndikim në drejtësi, dëmtim të provave e frikësim të dëshmitarëve. Kjo ndërlidhur me dosjet të cilat ishin publikuar në shtatorin e vitit 2020 në disa konferenca për media.

    Aty, Gucati e Haradinaj theksuan se po e dëshmojnë bashkëpunimin e Prokurorisë së Hagës me Serbinë.

  • Osmani uron Zvicrën për Ditën Kombëtare: Do të forcojmë lidhjen tonë

    Osmani uron Zvicrën për Ditën Kombëtare: Do të forcojmë lidhjen tonë

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Zvicrën për Ditën Kombëtare, duke thënë se ky shtet është edhe një përkrahës i flaktë i popullit të Kosovës.

    “Gëzuar Ditën Kombëtare Presidentit Alain Berset dhe miqve tanë zviceranë! Zvicra është partneri ynë i kahershëm dhe një përkrahës i flaktë i popullit të Kosovës. Së bashku, ne do të vazhdojmë të forcojmë lidhjen midis vendeve tona, me diasporën tonë që luan një rol kryesor”, ka shkruar Osmani.

    Zvicra shënon Ditën Kombëtare më 1 gusht kur u themelua Konfederata Zvicerane u festua për herë të parë në këtë datë në vitin 1891.

  • 74 aktakuza kundër 84 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    74 aktakuza kundër 84 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur shtatëdhjetekatër (74) aktakuza kundër tetëdhjetekatër (84) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dhjetë (10) persona dhe janë paraqitur tri (3) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër (4) personave.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar tre (3) persona, si dhe ka ngritur njëzetepesë (25) aktakuza kundër tridhjetenjë (31) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur njëzetedy (22) aktakuza kundër njëzetepesë (25) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit në dy raste të ndara ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar dhe ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orëve, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi dhe ka ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër njëmbëdhjetë (11) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tre (3) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh për kryerjen e veprave të ndryshme penale, si dhe ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një (1) person, dhe ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur trembëdhjetë (13) aktakuza kundër katërmbëdhjetë (14) personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Hyn në fuqi rregullorja e re për banka, cilat janë shërbimet pa pagesë që mund të marrin qytetarët?

    Hyn në fuqi rregullorja e re për banka, cilat janë shërbimet pa pagesë që mund të marrin qytetarët?

    Sot ka hyrë në fuqi rregullorja e re për banka, ku sipas kësaj rregullore bankat duhet të ofrojnë shërbime bazike pa pagesë për qytetarët.

    Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës më 20 dhjetor 2022 kishte miratuar Rregulloren për shërbime bazike, ndërkaq neni 5 paragrafi 4 do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

    BQK në njoftimin e bërë për media ka njoftuar se, rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike ka për qëllim të përcaktojë kushtet për qasjen e konsumatorëve në llogari pagese me shërbime bazike.

    Rregullorja u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh rrethanat financiare të tyre, statusin e punësimit apo nivelin e të ardhurave, që të mund të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.

    Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike aplikohet për të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja të licencuara nga BQK-ja, që veprojnë në Republikën e Kosovës.

    Detaje rreth rregullores së re mund të gjeni duke klikuar KËTU.

  • ​Zëvendësministrja e arsimit jep dorëheqje

    ​Zëvendësministrja e arsimit jep dorëheqje

    Zëvendësministrja për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës, Edona Maloku-Bërdyna ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj, për arsye subjektive.

    Dorëheqjen ajo ia ka dorëzuar kryeministrit Kurti, duke thënë se e ka të pamundur të vazhdojë më tej angazhimin e saj, në këtë detyrë.

    “Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti. Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim. Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare. U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, ka shkruan ajo në Facebook.

  • Policët e Kosovës bëhen me kamera të trupit, bëhet pranim-dorëzimi i donacionit

    Policët e Kosovës bëhen me kamera të trupit, bëhet pranim-dorëzimi i donacionit

    Policia e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media ku do të bëhet pranim-dorëzimi i donacionit të kamerave të trupit për Policinë e Kosovës.

    Ky është projekt i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

    Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel, Gazmend Hoxha dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Jeffrey Hovenier, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

    Kjo është komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës (PK), me datën 01 gusht 2023 do të organizojë konferencë për media, e cila i dedikohet pranim-dorëzimit të donacionit për kamerat e trupit të Policisë së Kosovës, i cili është projekt i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

    Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel, Gazmend Hoxha dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë z. Jeffrey Hovenier, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

    Konferencës i paraprinë nënshkrimi i pranim-dorëzimit të donacionit, fjalimet, publikimi i një video-sekuence të përdorimit të kamerave nga zyrtarët policorë, si dhe do të bëhet ekspozimi dhe demonstrimi i përdorimit të kamerave të trupit.