ATV

Category: Lajme

  • Kthehet në rigjykim rasti Suzana Zogëjanit -Sekiraqa e dënuar me 25 vjet burgim

    Kthehet në rigjykim rasti Suzana Zogëjanit -Sekiraqa e dënuar me 25 vjet burgim

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që rasti I Suzana Zogëjani Sekiraqës e cila është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e burrit të saj të kthehet në rigjykim.

    Ajo e kishte vrarë bashkëshortin e saj në vitin 2018 në shtetin e Francës. Pas këtij veprimi ishte kthyer në Kosovë, ku ishte arrestuar dhe ishte shpallur fajtore më 2019 për “vrasje të rëndë” nga Gjykata e Prishtinës.

    Para se të ndodhte vrasja, Zogëjani – Sekiraqa, kishte raportuar disa herë te autoritetet franceze se ishte viktimë e dhunës në familje e shkaktuar nga bashkëshorti i saj. Nga viti 2010 deri në vitin 2018, në periudha të ndryshme kohore, asaj dhe fëmijëve të saj, u ishte ofruar strehim nga autoritetet franceze. Në vitin 2018, Gjykata e Lionit në Republikën e Francës e kishte shpallur fajtor dhe dënuar për dhunë në familje tashmë të ndjerin A.S. për ta liruar pastaj me kusht.

    Kurse me 21 shtator të vitit 2018 Zogëjani – Sekiraqa e kishte vrarë atë, e cila më pas bashkë me fëmijët e saj ishte kthyer në Republikën e Kosovës, ku ishte lajmëruar në Ambasadën e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës dhe më 4 tetor 2018, e njëjta ishte arrestuar nga organet kompetente.

  • “Thirrje” ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese

    “Thirrje” ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese

    Grafiti i ri “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” u shfaq në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është pikturuar flamuri i Serbisë.

    Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.

    Grafiti në qendër të qytetit

    Pos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shfaqur në stadium, para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të qytetit.

    Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radios Evropa e Lirë se ishte një mesazh i shëmtuar dhe se në ato fasada mund të vizatohej diçka shumë më e mirë.

    “Nxitja, kujton disa prej gjërave negative”, tha ai.

    Ai tha se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propagandë nacionaliste.

    Milica Jovanoviq, banore e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo i percepton këto mbishkrime si shpërfytyrime të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.

    “Mendoj se mesazhi nuk përkon me atë që është ky qytet, një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo, nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë”, tha ajo.

    Sipas një sondazhi të Institutit për Çështje Evropiane të realizuar në gusht të vitit 2022, gjysma e të anketuarve (49.9 për qind), besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.

    Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh, por është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

    Në mesin e kalimtarëve ishte edhe Rade Grozdaniq, i cili tha për REL-in se “shkrimi i mesazheve të tilla është utopi e pastër”.

    Ai deklaroi se iu desh të largohej nga Kroacia në vitin 1995 pas operacionit “Stuhia”, i cili i lejoi Kroacisë të rimarrë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj, ku serbët formuan të ashtuquajturën Republikë Serbe e Krajinës.

    “Ajo thirrje dhe ajo politikë nuk mund t’i bëjë askujt mirë”, tha Rade Grozdaniq, duke komentuar lidhur me grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

    “Çfarë kthimi, çfarë Kosove, çfarë ushtrie, mendoj se ka gjëra më të bukura që u interesojnë njerëzve”, tha ai.

    “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është varg i një kënge popullore.

    Një qytetar i Beogradit, i cili është prezantuar si Miodrag, i tha Radios Evropa e Lirë se i kupton ata që shkruajnë mesazhe të tilla, por se nuk do t’i shkruante vetë.

    “Ka nga ata që e përdorin për t’i ngatërruar njerëzit, mendoj se e bëjnë të rinjtë. Dikush e fut si temë, nuk mendoj se ata që e shkruajnë janë nga ata që lexojnë dhe shumë të arsimuar”, tha ai.


    YIHR: Një mesazh kërcënues

    Maja Zhiliq, koordinatore e programit të Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR (Youth Initiative for Human Rights), i tha Radios Evropa e Lirë se mesazhi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shumë i qartë dhe shumë kërcënues.

    “Sepse të gjithë e dimë se çfarë bëri ushtria serbe në vitet ’90 në Kosovë dhe çfarë do të thotë ky mesazh në kontekstin e sotëm të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo.

    Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.

    Në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë.

    Serbia dhe Kosova në fund të shkurtit kanë pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian dhe në prill palët kanë rënë dakord për Aneksin për zbatimin e saj.

    Partitë dhe lëvizjet e djathta në Serbi e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

    Maja Zhiliq nga Nisma Rinore ka vlerësuar se mesazhi i grafitit “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është se nuk ka rrugë paqësore për zgjidhjen e kontestit. Ajo theksoi se për këto grafite nuk ka asnjë reagim nga asnjë institucion në Serbi.

    Grafite të reja si reagim ndaj ngjyrosjes në shkurt
    Nuk dihet se kush qëndron mbrapa grafitit “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, por postimet me fotot e tyre shpërndahen në kanalet e djathtistëve në Telegram. Gjithashtu, ato shpërndahen në postimet në rrjetet sociale të disa anëtarëve të partive të djathta.

    Sipas atyre njoftimeve, grafite me këtë varg ka edhe në qytete të tjera të Serbisë.

    “Duket se disa forca nga e djathta, pas aksionit të ngjyrosjes filluan ta lyejnë qytetin”, ka theksuar Maja Zhiliq.

    Në shkurt, aktivistët e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe shoqatës Krokodil, në parkun në sheshin Slavija të Beogradit, ngjyrosen grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

    Tani, ky grafit është rishfaqur në të njëjtin vend.

    Në një portal, i cili thuhet se është një portal informativ jozyrtar për të gjithë tifozët e Crvena Zvezdës, shkruhet se tifozët kanë krijuar grafite me atë mbishkrim në disa vende të Beogradit ditëve dhe javëve të fundit.

    Në portal thuhet se ky është një reagim ndaj “shkatërrimit” të grafiteve pranë sheshit Slavija. Klubi i futbollit Crvena Zvezda nuk është prononcuar ndaj këtyre pretendimeve.

    Zhiliq pranon se për të, si aktiviste, është shkatërrues që grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është rishfaqur në vendin ku ishte lyer.

    “Sa mendojnë të rinjtë se përgjigjja për zgjidhjen e problemeve mes Serbisë dhe Kosovës është që ushtria të kthehet në Kosovë dhe të përsërisë të njëjtat që kanë ndodhur në vitet ’90”, pyeti ajo.

    Maja Zhiliq thotë se përveç heqjes së këtyre grafiteve, duhet edhe më shumë edukim dhe punë me të rinjtë për këto tema për të ndryshuar perceptimin.

    Në dhjetor të vitit 2022, Serbia i dërgoi një kërkesë KFOR-it, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, për kthimin e deri 1000 ushtarëve dhe policëve të saj.

    Kjo kërkesë ishte bërë, siç thanë autoritetet në Beograd, për shkak të pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Beogradi i ishte referuar Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara.

    KFOR-i e refuzoi këtë kërkesë në fillim të janarit.

    Ashtu si grafiti “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” që po shfaqen tani në Beograd, nga fundi i vitit 2021 qyteti është përmbytur me vizatime të Ratko Mlladiqit, i dënuar i Hagës për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar 250 prej tyre, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që t’i largojnë ato./rel

  • Gjykata Kushtetuese e shpall të pranueshme kërkesën e Konjufcës

    Gjykata Kushtetuese e shpall të pranueshme kërkesën e Konjufcës

    Gjykata Kushtetuese e ka pranuar kërkesën e Kuvendit të Kosovës që listës së marrëveshjeve ndërkombëtare drejtpërdrejt të aplikueshme në Kosovë t’i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

    Kushtetuesja, në një aktvendim të publikuar të martën, ka konstatuar se kjo konventë nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.

    Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO 207/22, parashtruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të amendamentit të propozuar kushtetues. Kërkesa është parashtruar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe është dorëzuar në Gjykatë, më 21 dhjetor 2022, bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.

    Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (ii) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.

    Përkitazi me vlerësimin e amendamentit kushtetues të propozuar nga Kuvendi, Gjykata fillimisht analizoi parimet kryesore të përcaktuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe vuri theks në të drejtat që ajo përcakton lidhur me (i) respektin për dinjitetin e natyrshëm, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale dhe pavarësinë e personit me aftësi të kufizuara; (ii) respektimin e parimit të mosdiskriminimit; (iii) pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri; (iv) respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (v) respektin për kapacitetet në zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara; si dhe (vi) respektin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre.

    Gjykata gjithashtu vuri theks në detyrimet pozitive që merr përsipër Republika e Kosovës përmes këtij amendamenti kushtetues, duke pasur parasysh që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton edhe detyrime specifike pozitive ndaj shteteve, ndër tjerash, për ndërmarrjen e (i) masave të nevojshme legjislative; si dhe (ii) masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë.

  • ATK-ja me projekt të ri, ka një kërkesë për tatim-paguesit

    ATK-ja me projekt të ri, ka një kërkesë për tatim-paguesit

    Projekti më i ri i Administratës Tatimore të Kosovës për mos-deklarimin e të Ardhurave Personale synon të adresoj shqetësimin e mungesës së deklarimit të të ardhurave të individëve. Kjo iniciativë ka për qëllim të zvogëlojë evazionin fiskal dhe të siguroj që të gjithë qytetarët dhe rezidentët e Kosovës të kontribuojnë në sistemin tatimor sipas ligjit.

    Përmes këtij plani, ATK do të kryej aktivitete me qëllim të identifikimit të personave të cilët nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë saktë detyrimet tatimore. Projekti do të përfshijë kampanjë informuese që do t’iu kujtoj qytetarëve për detyrimin e tyre ligjor për të deklaruar të ardhurat në mënyrë të rregullt. Përveç kësaj do të përmirësohen dhe zgjerohen mekanizmat e monitorimit dhe kontrollit për të identifikuar raste të mundshme të mos-deklarimit.

    Administrata Tatimore do të fokusohet në ngritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në këtë drejtim do të organizoj seminare edukative dhe materialet e informacionit të njëmendshme për tatimpaguesit potencial. Po ashtu, do të kujdeset për të lehtësuar procedurat e deklarimit dhe të inkurajoj përdorimin e platformave digjitale për të kryer deklaratat tatimore më lehtësisht.

    Projekti i ri synon të ndikoj pozitivisht në efikasitetin e sistemit tatimor, duke rritur të ardhurat tatimore dhe ndihmuar në zhvillimin e vendit në mënyrë të qëndrueshme dhe të drejtë. Ky projekt ka një rol të rëndësishëm në krijimin e një ambienti të barabartë fiskal dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e kontributit të tyre në financat publike.

  • 400 mijë udhëtarë vetëm gjatë muajit korrik në aeroportin “Adem Jashari”

    400 mijë udhëtarë vetëm gjatë muajit korrik në aeroportin “Adem Jashari”

    Muaji korrik i këtij viti, shënoi një numër të ri rekord në numër të udhëtarëve dhe fluturimeve, duke tejkaluar shifren krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar rreth 9% në nr. të udhëtarëve dhe mbi 2% në numër të fluturimeve.

    Nga Janari i këtij viti e deri më sot përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ LKIA, kanë kaluar pothuajse 2 milion udhëtarë, ndërsa vetëm në muajin korrik përmes këtij aeroporti kanë kaluar 400.000 udhëtarë duke shënuar një rritje të përgjithme në nr të udhëtarëve në këtë vit prej rreth 14% dhe në numër të fluturimeve rreth 6% .

    Zvicra dhe Gjermania akoma mbeten destinacionet me më së shumti udhëtarë dhe fluturime ku më pas pasohen nga Turqia, Austria etj.

  • Dita Nacionale e Zvicrës, uron Haradinaj: Ishte strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike

    Dita Nacionale e Zvicrës, uron Haradinaj: Ishte strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Zvicrën me rastin e Ditës Nacionale të saj.

    Haradinaj ka thënë se Zvicra ishte strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike.

    “Zvicra ka qenë strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike, dhe sot me të drejtë vazhdon të jetë shtëpia e dytë e shumë bashkatdhetarëve tanë”, ka thënë Haradinaj.

    Urimi i plotë i Haradinajt:

    Në Ditën Nacionale të Zvicrës, shpreh urimet më të përzemërta për këtë vend mik.Zvicra ka qenë strehë e shumë shqiptarëve në kohë të vështira historike, dhe sot me të drejtë vazhdon të jetë shtëpia e dytë e shumë bashkatdhetarëve tanë.Kosova mbetet e vendosur për thellim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Në të njëjtën kohë jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm që Zvicra ka dhënë në secilën etapë të historisë sonë.Urime!

  • Policia e Kosovës dhe Shqipërisë nisin patrullimet e përbashkëta

    Policia e Kosovës dhe Shqipërisë nisin patrullimet e përbashkëta

    Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafikun rrugor, Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit Shqiptar, kanë hartuar memorandum bashkëpunimi për patrullime të përbashkëta të dy policive rrugore në territorin e Republikës së Shqipërisë.

    Sipas Policisë, referuar numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në Shqipëri dhe numrit të madh të mjeteve që qarkullojnë në akset rrugore në mes të dy vendeve, është vlerësuar i suksesshëm ky patrullim i përbashkët.

    “Ky patrullim ka për synim rritjen e efikasitetit në sigurinë rrugore, parandalimin e kundërvajtjeve dhe aksidenteve si dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Qeveritë nordike synojnë shtensionimin pas rasteve të reja të djegies së Kuranit

    Qeveritë nordike synojnë shtensionimin pas rasteve të reja të djegies së Kuranit

    Në Suedi dhe Danimarkë të hënën, më 31 korrik, janë djegur më shumë kopje të librit të shenjtë të islamit, teksa qeveritë e këtyre dy shteteve nordike thanë se po shqyrtojnë mënyra ligjore për të kufizuar akte të tilla me synim që të ulin tensionet e rritura në disa shtete myslimane.

    Në javët e fundit, në Danimarkë dhe Suedi janë mbajtur disa protesta ku janë djegur apo janë dëmtuar kopje të Kuranit. Këto protesta kanë shkaktuar zemërim në shtetet myslimane, të cilat kanë kërkuar që qeveritë nordike të ndalojnë djegien e librit të shenjtë të islamit.

    Qeveria daneze tha të dielën se do të tentojë të gjejë “një mjet ligjor” që do t’iu mundësonte autoriteteve që të ndërhyjnë në protesta të tilla, nëse vlerësohet se protesta të tilla sjellin “pasoja të mëdha negative për Danimarkën, më së paku në lidhje me sigurinë”.

    “Fakti që ne po sinjalizojmë si në Danimarkë ashtu edhe jashtë se o punojmë në këtë çështje, shpresojmë që do të ndihmojë në shtensionimin e problemeve me të cilat po përballemi”, tha ministri i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, pas takimit me udhëheqësit e politikës së jashtme në Parlamentin danez të hënën.

    “Nuk është se jemi nën presion që të veprojmë, por bazuar në analizat tona politike është në interesin tonë më të mirë dhe të të gjithëve”, shtoi Rasmussen.

    Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, të hënën në Danimarkë dhe Suedi janë djegur kopje të Kuranit. Në Stokohm një refugjatë irakian, që ka organizuar disa protesta në javët e fundit, dogji një kopje të Kuranit para Parlamentit të Suedisë. Në Danimarkë, protestuesit anti-islam dogjën Kuranin para ndërtesës së Ambasadës së Arabisë Saudite në Kopenhagë, ndërkaq protesta të tjera janë planifikuar më vonë gjatë ditës.

    Në dy shtetet nordike, autoritetet nuk kanë mundur të ndalin djegiet e kopjeve të Kuranit, pasi akte të tilla mbrohen nga ligjet për lirinë e shprehjes.

    Megjithatë, dy qeveritë tani kanë thënë se po shqyrtojnë ndryshime ligjore që do t’iu mundësonin autoriteteve të ndalojnë djegien e kopjeve të Kuranit.

    Qeveria suedeze tha gjatë këtij muaji se po shikon që të gjejë zgjidhje, por partitë e krahut të djathtë kanë kundërshtuar këto nisma, duke argumentuar se liria e shprehjes nuk ka komporomis.

    Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, tha të hënën se u ka dërguar letra 57 shteteve të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, duke u shpjeguar të drejtën për tubim në Suedi dhe duke dënuar aktet islamofobilke.

    Organizata për Bashkëpunim Islamik ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar zhvillimet e fundit rreth djegieve të Kuranit. /rel

  • ​Kurti priti në takim presidentin e Akademisë Papnore për Jetë, imzot Paglia

    ​Kurti priti në takim presidentin e Akademisë Papnore për Jetë, imzot Paglia

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim, për të dytën herë brenda këtij viti, Presidentin e Akademisë Papnore për Jetë, imzot Vincenzo Paglia.

    Siç njofton Zyra e Kryeministrit, bashkërisht folën për rëndësinë e lirive fetare, tolerancën dhe harmoninë ndër fetare në shtetin e Kosovës.

    “Imzot Paglia e falënderoi kryeministrin për këtë pritje miqësore dhe e përgëzoi për punën e tij veçanërisht në mbrojtjen e lirive dhe harmonisë fetare”, citohet në komunikatë imzot Paglia.

    Në këtë takim të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.

  • ​Ministria e Mjedisit pezullon pëlqimin mjedisor për ndërtimin e inceneratorit në Ferizaj

    ​Ministria e Mjedisit pezullon pëlqimin mjedisor për ndërtimin e inceneratorit në Ferizaj

    Ministri i Mjedisit, Planikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se kanë pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një inceneratori për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt.

    Ministri Aliu në konferencë për medie të martën, tha se pëlqimi mjedisor kësaj kompanie iu është dhënë pa dijenin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

    Sipas tij kjo është bërë pa i përfilluar ligjet dhe pa konsultim me ekspertë të ambientit.

    Për këtë arsye ministri Aliu tha se pas auditimit kanë shkarkuar edhe komisionin brenda ministrisë që ka dhënë pëlqim mjedisor.

    Inceneratori ka qenë i planifikuar të mbledh dhe djeg rreth 100 mijë ton mbeturina.