ATV

Category: Lajme

  • Xhaxhai i Marigona Osmanit për Arbër Sejdiun: Shihemi pas 15 vjetësh

    Xhaxhai i Marigona Osmanit për Arbër Sejdiun: Shihemi pas 15 vjetësh

    Xhaxhai i Marigona Osmanit, Remzi Osmani, tha se nuk është i lumtur me aktgjykimin dënues me 15 vjetësh burgim kundër Arbër Sejdiut, i dënuar për ndihmë në vrasjen e mbesës së tij.

    Osmani, pas përfundimit të seancës ku u shpall aktgjykimi dënues me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës, i është drejtuar Sejdiut me fjalët: “Shihemi pas 15 vitesh”.

    Pas përfundimit të seancës, Osmani është shprehur i pakënaqur me një pjesë të aktgjykimit.

    “Jam plotësisht i lumtur me burgimin e përjetshëm të Dardan Krivaqës, por me të akuzuarin e dytë jo. Kuptohet 15 vite. 2 vite i ka mbajtur, pastaj pesë vite ia hjekin andej-këndej. Me u dënu për 15 vite për pjesëmarrje në vrasje është pak”, ka thënë Remzi Osmani.

    I pyetur se çfarë ka nënkuptuar me fjalët që ia drejtori Arbër Sejdiut në përfundimin e seancës, ai ka thënë: “Po, e kam bërë me ia uruar lirimin pas 15 vitesh”.

    Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqën dhe 15 vjet burgim Arbër Sejdiun, për vrasjen e Marigona Osmanit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqikei.

    Viktima nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Para se të fillojë seanca gjyqësore, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar duke kërkuar ndëshkim maksimal për vrasësit e saj.

    Përndryshe në seancën e fundit, Krivaqa shprehu keqardhjen për atë që ka ndodhur duke pohuar se do të donte ta kthente kohën pas.

  • ​Elshani: Situata në veri e qetë, por delikate

    ​Elshani: Situata në veri e qetë, por delikate

    Sot është vendosur që të largohen edhe 25% e forcave policore të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit. Vendimi u mor pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit vlerësohet të jetë e qetë, stabile, por delikate.

    “Situata e sigurisë për momentin është e qetë, është stabile, por është edhe delikate, duke e ditur zhvillimet politike që janë duke u zhvilluar, mirëpo për momentin mund të konsiderohet se është e qetë”, tha ai.

    Elshani theksoi se varësisht nga vlerësimi i situatës së sigurisë do të bëhet reduktimi i numrit të policëve nga objektet komunale në veri, ashtu siç është paraparë me marrëveshje politike, ndërsa shtoi se policia nuk ka ndonjë plan për tërheqje nga veriu në përgjithësi.

    “Njëherë për njëherë ne jemi në tërë territorin e Kosovës, nuk kemi ndonjë plan për tërheqje nga veriu në përgjithësi. Mund të konsideroj se mund të jetë një vlerësim i situatës së sigurisë në formë të përgjithshme ashtu siç është paraparë me marrëveshje politike, në mënyrë që ne të vendosim se sa policë do të jenë nëpër ndërtesat e komunave, mirëpo nuk ka ndonjë plan që policët të tërhiqen në pjesën tjetër të veriut të Kosovës”, vijoi Elshani.

    Autoritetet policore thonë se policët serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje më 5 nëntor të vitit të kaluar nuk do të kthehen më në polici, ndonëse pranojnë se marrëveshjet politike do ta përcaktojnë fatin e tyre.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut bëri të ditur për KosovaPress se prej më shumë se 500 policëve serbë të dorëhequr në nëntor të vitit të kaluar, të gjithë i kanë kthyer pajisjet, duke përfshirë këtu edhe armët.

    “Unë mendoj se ata të cilët kanë dhënë dorëheqje janë larguar nga policia dhe nuk do të kthehen më. Sidoqoftë, marrëveshjet politike janë ato të cilat përcaktojnë ndoshta ndonjë veprim tjetër… Nuk e kam atë informacion së paku unë që ka policë i cili nuk e ka dorëzuar armën”, tha Elshani.

    Derisa nuk flet shumë për shkak të hetimeve, nëse janë identifikuar ose arrestuar të gjithë personat të cilët kanë sulmuar së fundi pikat policore me shok-bomba, granata dhe mjete tjera të ngjashme në atë pjesë, Elshani tregon se policia ka identifikuar në masë të madhe kryesit e veprave kundër gazetarëve, KFOR-it dhe policisë.

    “Duke marrë parasysh se kjo është pjesë e hetimeve, nuk mund të flasë shumë për këtë çështje, por policia ka identifikuar në masë të madhe kryesit e veprave, apo të dyshimtët që i ka identifikuar për kryerjen e veprave të ndryshme ndaj gazetarëve, KFOR-it, apo policisë, dhe jemi dike punuar në kryerjen e veprimeve tona ashtu siç e parasheh ligji… Kemi arrestuar disa persona, disa të tjerë janë në kërkim, kështu që kjo punë vazhdon”, u shpreh Elshani.

    Nënkoloneli Elshani pranon se shqetësim për Policinë e Kosovës në veri mbetet funksionimi i strukturave paralele.

    “Unë konsideroj se Policia këtu si të stabilizohet mirë situata, do të ketë punë me prishje të rendit dhe qetësisë publike, me dhunë në familje, dhe mandej kalojmë te krimi ekonomik, financiar dhe krimi i organizuar që duhet të luftohen… Duhet të kalohen edhe disa tema të tjera si strukturat paralele të cilat janë funksionale këtu, që të dimë saktë se si të veprojmë me to, duke marrë parasysh se të gjitha informacionet veç i kemi, dhe pas marrjes së veprimeve tona ne do të dimë se nga duhet të lëvizë zhvillimi i këtij vendi”, deklaroi Elshani.

    Elshani thotë se situata e përgjithshme në veri të Kosovës megjithatë ka ndryshuar për të mirë, duke thënë se është ndërtuar besimi i qytetarëve ndaj policisë dhe se janë afër qytetarëve.

    “Policia ka arritur të jetë afër qytetarëve, qytetarët konsideroj se e kanë parë që jemi këtu për ta, tash me ardhjen edhe të 74 zyrtarëve shtesë këtu qëndrimi i tyre ndaj neve dhe në përgjithësi situata ka ndryshuar. Konsiderojmë se jemi më afër tyre dhe ata më afër neve me probleme… Për shembull më shumë raste të dhunës në familje janë të paraqitura më shumë për gjashtë mujorin e këtij viti, kur pothuajse të gjithë këtu ishim shqiptarë, sesa në gjashtëmujorin e vitit të kaluar. Kështu që besimi (mes qytetarëve dhe policisë v.j.) veç është krijuar, është duke u ndërtuar, forcuar, mirëpo këtu problemi është më shumë politik”, tha zëvendësdrejtori Elshani.

    Ndryshe, situata në komunat më veriore të vendit është tensionuar nga data 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill tentuan të hyjnë në objekte komunale. Më 29 maj pati tensionim të situatës kur persona të armatosur të nacionalitetit serbë përdorin dhunë ndaj forcave të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve duke lënë të lënduar me dhjetëra persona.

  • Haxhiu reagon pas dënimit të Krivaqës dhe Sejdiut: Gjykim i drejtë për krimin mizor

    Haxhiu reagon pas dënimit të Krivaqës dhe Sejdiut: Gjykim i drejtë për krimin mizor

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ndërgjegja kolektive “mund të jetë më e qetë” pas dënimit maksimal të shqiptuar sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Haxhiu, në një shkrim në Facebook, e ka cilësuar të drejtë gjykimin për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

    “Gjykim i drejtë për krimin mizor”, ka thënë ministrja. “Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu”.

    Ministrja Haxhiu ka deklaruar se “ndërgjegjja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet.”

  • Duartrokitje në sallë pasi Dardan Krivaqës iu shqiptua dënim i përjetshëm

    Duartrokitje në sallë pasi Dardan Krivaqës iu shqiptua dënim i përjetshëm

    Gjykata Themelorë në Ferizaj e ka dënuar Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Pas shqiptimit të dënimit nga ana e kryetarit të trupit gjykues, janë dëgjuar duartrokitje në sallë, që ka detyruar gjyqtarin që të thërret për qetësi në sallë.

    Krivaqa është dënuar për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, të cilit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Ndërsa Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës.

  • Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Me burgim të përjetshëm është dënuar Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje.

    Kështu ka vendosur sot Gjykata Themelore në Ferizaj, duke i shpallur ata fajtor për veprën penale “Vrasje”, ndërsa i ka liruar ata nga akuza për dhunim, meqë nuk është provuar se është kryer vepra penale.

    Kur gjykatësi ia shqiptoi dënimin Krivaqës u dëgjuan thirrje nga të pranishmit, derisa vendimi u duartrokit.

    Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021.

    Ndërkohë, para fillimit të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, mbajti aksion simbolik para Gjykatës së Ferizajt.

    Protestues me pankarta në duar, kërkuan dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.

    “Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit. Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta. Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.

    “Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaqën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prap theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore”, shtoi ajo.

  • Papa Françesku paralajmëron vizitë në Kosovë

    Papa Françesku paralajmëron vizitë në Kosovë

    Papa Françesku ka paralajmëruar që do ta vizitojë Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur ai së fundmi për një media spanjolle.

    I pyetur nëse ka ndonjë udhëtim të planifikuar përtej atyre të shpallura zyrtarisht, Françesku ka thënë se është duke punuar për vizitë në Kosovë.

    “Ne jemi duke punuar në Kosovë, por nuk është e përcaktuar.”, është shprehur ai për gazetën Vidanueva, përcjell KP.

    Ndër të tjera, ai ka thënë se nuk do të shkoj në asnjë vend të madh të Evropës derisa të mbarojë me të vegjlit.

    Kujtojmë që, më 22 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Vatikan. Kurti e ka ftuar Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën.

  • Kërkohet dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit

    Kërkohet dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit

    Para fillimit të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, po mban aksion simbolik para Gjykatës së Ferizajt. Protestues me pankarta në duar, po kërkojnë dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.

    “Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit. Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta. Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.

    “Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaqën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prap theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore”, shtoi ajo.

    Protesutesit do të qëndrojnë para gjykatës deri në shpalljen e aktgjykimit.

    Aktgjykimi nga Gjykata Themelore e Ferizajt po shpallet gati dy vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit./KP

  • E dhimbshme: Kjo është vajza e re që humbi jetën tragjikisht në Kosovë, e hedhur nga kati i gjashtë i hotelit nga partneri i saj

    E dhimbshme: Kjo është vajza e re që humbi jetën tragjikisht në Kosovë, e hedhur nga kati i gjashtë i hotelit nga partneri i saj

    Vdekja tragjike e një të reje nga Argentina (27) vazhdon të jetë temë e mediave jo vetëm në Kosovë dhe Zvicër, por edhe në Argjentinë, prej nga ishte viktima e së martes së kaluar, e cila në orën dy të mëngjesit ishte hedhur nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë nga një zviceran me origjinë kosovare. Qysh dje dhe sot, mediat argjentinase kanë kuptuar rastin dhe kanë mbushur faqet e tyre të gazetave duke vajtuar jo vetëm familjen e viktimës, por tërë Argjentinën për bijën e tyre, shkruan gazeta zvicerane “Le Canton27.ch.”

    Gjithë mediat e Argjentinës të pikëlluar publikojnë emrin dhe foton e bijës së tyre që humbi jetën tragjikisht në Kosovë:

    “Një e re argjentinase ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i gjashtë në Kosovë dhe partneri i saj zviceran me origjinë kosovare, i cili më pas është arrestuar…” është ky titulli kryesor që dominon në mediat argjentinase, duke u referuar mediave zvicerane, për vrasjen tragjike të së resë, e cila kishte shkuar në dasmën e vëllaut të autorit të krimit. Mediat argjentinase flasin për tragjedinë duke publikuar fotot dhe emrin e të ndjerës María Clara Urdangaray. Për vdekjen e Marisë flasin në gazeta dhe televizione prindërit e saj, tërë pikëlluar dhe me sy të perlotur.

    “Një 27-vjeçare argjentinase me emrin María ka humbur jetën gjatë orëve të para të së martës së kaluar në Republikën e Kosovës, pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një hoteli. Për vdekjen e saj u arrestua partneri i të resë, një 31-vjeçar me kombësi zvicerane: hetuesit dyshojnë se ai e hodhi në boshllëk…” (Una argentina de 27 años murió durante la madrugada del martes pasado en la República de Kosovo tras caer desde el sexto piso de un hotel…) shkruan gazeta argjentinase “Infobae,” duke cituar babain e saj se “kosovari ishte një femicid,” përcjell Le Canton27.ch.

    Gjithë mediat në Argjentinë njoftojnë se “gjithçka ka ndodhur rreth orës 2 në një ndërtesë në qytetin e Fushë Kosovës, në lagjen e Prishtinës, kryeqytetin e vendit evropian. Viktima, e identifikuar si María Clara Urdangaray, ishte në dhomën që ajo ndante me partnerin e saj. Sipas shtypit vendas, dyshohet se në atë moment mes të dyve ka pasur një debat, pas së cilës e reja ka rënë në zbrazëti.”

    María Clara është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike të Universitetit të Kosovës, ku ka ndërruar jetë nga plagët e rënda. Më pas, Drejtësia e Prishtinës i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji derisa po hetohen rrethanat e ngjarjes. Për Facundo, babain e viktimës, nuk ka dyshim se ishte një krim: “Është një femicid, e hodhën nga ballkoni.”

    María Clara Urdangaray jetonte në Zvicër që nga muaji mars dhe ishte në një lidhje me një shtetase të lindur në Kosovë. Familja e viktimës pretendon se ishte një femicid dhe kërkojnë drejtësi. “Vajza ime kishte folur me nënën e saj dhe ajo e kishte përshkruar të dashurin si një tip femëror dhe shumë xheloz. Është një femicide, jam i bindur,” tha babai i të resë mediat e Buenos Aires.

    “Ata na thanë se autopsia, procesi ligjor dhe ekspertiza do të zgjasin deri në 15 ditë,” shpjegoi Facundo Urdangaray, i cili njoftoi se po kërkojnë të riatdhesojnë trupin e saj në vend me ndihmën e Ministrisë së Jashtme.

    Kush ishte María Clara Urdangaray, e reja e vrarë në Kosovë:

    María Clara ishte me origjinë nga La Plata dhe ishte transferuar në Evropë vitin e kaluar. Babai i saj saktësoi se ajo udhëtoi për në Spanjë më 1 nëntor, “në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.” “Ai jetoi në Barcelonë për dy ose tre muaj derisa takoi këtë njeri (të dyshuarin e arrestuar) dhe ata shkuan të jetojnë së bashku në Zvicër,” tha Facundo për kanalin TN.

    27-vjeçarja do të kishte komunikuar për herë të fundit me familjen të dielën. “Ajo na dërgoi video nga dasma, dukej mirë dhe e lumtur, nuk e kuptoj,” thanë ata. Bëhej e ditur se familja e mori vesh lajmin përmes një shoqeje që ajo kishte në Barcelonë.

    “Nuk ishim shumë të sigurt se ishte vajza jonë dhe na njoftoi. Filluam të mësojmë dhe mbërritëm në Ministrinë e Jashtme që po përpunon gjithçka për ne, na trajtoi mrekullisht dhe po bën gjithçka që transferimi të bëhet sa më shpejt,” sqaruan ata për gazetën “Pagina12.”

    Ndërkohë, Facundo Urdangaray, babai i së resë, tha për kanalin Todo Noticias se “ajo ka udhëtuar në Spanjë më 1 nëntor, ka jetuar në Barcelonë për dy ose tre muaj dhe ka takuar këtë person dhe kanë shkuar të jetojnë së bashku në Zvicër.”

    Gazeta tjetër argjentinase “Ellitoral” ka shkruar se “Kanë qenë bashkë për katër muaj deri në këtë fundjavë që ishte udhëtimi. Ata kishin udhëtuar në Kosovë për martesën e vëllait të këtij personi dhe duket se natën duhet të ketë qenë, nuk dihen rrethanat që ka ndodhur kjo gjë. U shkaktua,” tha burri dhe shtoi: “Është një femicide. Çifti i dyshuar, në një lloj diskutimi, e hodhën nga ballkoni dhe vdiq në spital.”

  • ​LDK: Pushteti aktual është i shkeljeve ligjore dhe kushtetuese

    ​LDK: Pushteti aktual është i shkeljeve ligjore dhe kushtetuese

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Qeverinë për shkelje të Kushtetutës.

    Sipas tyre, pushteti aktual është i shkeljeve ligjore dhe kushtetuese.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në konferencë për media, ka thënë se shkeljet kushtetuese janë kthyer në normë nga kryeministri Albin Kurti.

    Sipas tij, shkelja e Kushtetutës u dëshmua edhe dje me rrëzimin e disa neneve të Ligjit për zyrtarët publikë.

    Ndërkaq, anëtari i kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se gjysma e kabinetit qeveritar e ka shkelur Kushtetutën./KP

  • Dyshohet se dhunuan një grua, arrestohen dy burra në Istog

    Dyshohet se dhunuan një grua, arrestohen dy burra në Istog

    Policia ka informuar sot se dy burra janë arrestuar për dhunim në Istog.

    “Istog 02.08.2023 – 23:44. Dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar për shkak se të njëjti dyshohet se e kanë kryer vepren e dhunimit ndaj viktimës femër kosovare.”, është bërë e ditur në raportin policor.

    Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.