ATV

Category: Lajme

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Në Kosovë sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të herëpashershme, derisa priten edhe reshje shiu në zonat malore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 25 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale, për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Prishtinës me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 25 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 32 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Njohja e Kosovës nga Ukraina, temë diskutimi në Kiev

    Njohja e Kosovës nga Ukraina, temë diskutimi në Kiev

    Lajme pozitive se Ukraina mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, kanë ardhur ditëve të fundit nga Kievi. Ligjvënësit ukrainas janë pro njohjes së Kosovës.

    Mes tyre kreu i Komisionit për politikë të jashtme të Ukrainës a Oleksandr Merezhko, tha për RTK-në se vendimi final i takon presidentit Volodymyr Zelensky.

    “Para se të marrim një vendim të tillë duhet të peshojmë pluset dhe minuset për t’i marrë në konsideratë dhe pasojat politike. Por, vendimi përfundimtar i takon vetëm presidentit, jo parlamentit. Ne deputetët nuk vendosim për këtë çështje, megjithatë, ne përfaqësojmë popullin, ne kemi zërin e popullit të Ukrainës, dhe njerëzit në Ukrainë e shohin shumë qartë se Kosova është në anën e Ukrainës dhe për Serbinë ju e dini se Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Në Serbi shohim simpati ndaj Rusisë. Në Serbi, për fat të keq, shohim një zhvillim të marrëdhënieve me Rusinë, i cili është shqetësues për ne, dhe sigurisht që ka ndikim tek votuesit tanë”, ka deklaruar deputeti Merezhko.

    Se a do të ndodhë njohja nga Ukraina pas përfundimit të luftës atje, Merezhko derisa thotë se është vështirë të pretendohet qysh tani, megjithatë shprehet optimist se kjo mund të ndodhë.

    “Shumë çështje që duken problematike ose të diskutueshme në Ukrainë, priren të shtyhen deri në fund të luftës. Tani ne jemi të shqetësuar për mbijetesën tonë, po luftojmë kundër një armiku shumë të fuqishëm dhe për këtë arsye, ne priremi të shtyjmë disa çështje të vështira dhe të ndërlikuara, por në të njëjtën kohë e shohim, përsëri po flas nga një këndvështrim politik këtu, ne mund të shohim se aleatët tanë që na ndihmuan për të mbijetuar, ata e mbështesin Kosovën, ata tashmë e kanë njohur Kosovën dhe është një nga argumentet në favor të njohjes. Por, një çështje tjetër, shumë do të varet nga politika e Bashkimit Evropian. Ukraina është një kandidate për t’u anëtarësuar në BE, po ashtu, ne duhet të koordinojmë politikën e jashtme me BE-në. Shumë do të varet nga qëndrimi i BE-së në lidhje me Kosovën”, deklaroi ai.

    Për njohjen e pavarësisë së Kosovës po punojnë edhe gazetarët ukrainas në Kosovë.

    Gazetarja Lyudmila Makey, tha se populli dhe politikanët në Ukrainë janë të interesuar të mësojnë më shumë për Kosovën pasi që sipas saj Serbia kishte bërë shumë propagandë.

    “Para se të vinim në Kosovë kemi pasur një vakuum, kemi pasur shumë pak informata, ka qenë e mbuluar e gjitha me filtrim të Serbisë. Qytetarët ukrainas kanë shumë interes për Kosovën dhe kur postojë materiale për Kosovën kam parë se ka shumë interesim që Ukraina ta njohë Kosovën. Materialet tona lexohen edhe nga politikanët në Ukrainë, të cilët kanë shumë interesim për këtë shtet dhe në njëfarë forme ne ua hapim sytë për çka ndodhë dhe çka është Kosova. Para një jave kemi pasur bashkëbisedim me një profesor shumë të njohur nga Kievi, që i ka vlerësuar materialet tona nga Kosova dhe këto materiale u shpërndanë në media shumë të njohura atje. Ai është i bindur që Ukraina do ta njohë Kosovën, menjëherë pas luftës”, tha Makey, gazetare nga Ukraina, në Kosovë

    Ndërkaq, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar tha se Ukraina është përfshirë në letrën që mbi 50 deputetë ia dërguan kryediplomatëve të BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar qasje më të ekuilibruar dhe më proporcionale të bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën dhe Serbinë”.

    Edhe ambasadori i Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkach, një ditë më parë tha se gjithnjë e më shumë në Ukrianë po rriten zërat për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se disa deputetë të Parlamentit të Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

    Ai po ashtu e pranoi se kjo nuk është befasi pasi që lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

  • Shefi i EULEX-it viziton Teodosijen në Manastirin e Graçanicës, tregon çka biseduan

    Shefi i EULEX-it viziton Teodosijen në Manastirin e Graçanicës, tregon çka biseduan

    Shefi i EULEX’it, Giovanni Pietro Barbano, të mërkurën ka vizituar peshkopin e Kishës Ortodokse Serbe, Teodosije.

    Giovanni Pietro Barbano ka treguar se me Teodosije folur për situatën e sigurisë si dhe dhe të drejtat e komuniteteve.

    “Gjatë diskutimeve të hapura, dëgjova brengën lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut për komunitetet joshumicë”, ka shkruar Barbano.

    “E sigurova atë që EULEX do të vazhdojë mbështetjen për rend dhe ligj dhe se nga afër do ta monitorojë sistemin e drejtësisë në terma procedural, ligjor dhe të të drejtave të njeriut, përfshirë trajtimin e barabartë për të gjitha komunitetet”, ka shkruar ai në Twitter.

  • Zeqiri nuk do peticion, propozon dorëheqje

    Zeqiri nuk do peticion, propozon dorëheqje

    Kryetari i Zubin Potokut, nuk preferon nismën e qeverisë qendrore për shkarkimin e kryetarëve të komunave, nëpërmjet procedurës së peticionit.

    Izmir Zeqiri, që u zgjodh në këtë pozitë në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga pakica serbe që në veri të republikës janë shumicë, do donte një ide tjetër për zgjedhje të reja.

    “Për mendimin tim kishte me qenë më mirë, do të thotë të kishte një marrëveshje politike të themi kështu, dhe një vullnet i dorëheqjeve të kryetarëve”, tha Zeqiri për Klan Kosova.

    Në fakt ai po vazhdon të kryejë detyrën e kryekomunarit jo nga zyra qendrore, por nga një alternative në fshatin Çabër.

    Në zyrën e tij në Zubin Potok, fizikisht shkoi vetëm me 26 maj, kur sikur kryetari i Zveçanit dhe ai i Leposaviqit, me asistencë policore ju mundësua hyrja në godinat komunale.

    “Kemi informacion ditor rreth gjendjes në komunë dhe rreth komunës. Kështu që në momente të caktuara ose të duhura, neve do të shkojmë kur krijohen kushtet e duhura. Me krejt kabinetin do të shkojmë edhe atje, mirëpo për momentin po funksionojmë edhe nga këtu”, shtoi ai.

    Ndërkohë në ndërtesën e komunës së Liqenit të Ujmanit, ka një telashe estetike. Sipas pretendimeve të disa politikanëve e aktivistëve lokalë është se mbishkrimin e komunës që ishte në alfabetin cirilik, e hoqi dikush me qëllim.

    Zeqiri thotë se shkronjat i rrëzoi era dhe se pretendimi që ato i hoqi policia nuk qëndron dhe se kur përmbushen kushtet mbishkrimi do sanohet.

    I pari i Zubin Potokut është kryekomunari i dytë që bashkë me atë të Zveçanit, Ilir Peci, kryejnë detyrat nga ambiente alternative.

    Ndërsa, Lulzim Hetemi, që udhëheq Leposaviqin, po qëndron brenda në komunë qe më shumë se dy muaj.

  • Pas reduktimit të policisë në Veri, BE-ja kërkon hapa të mëtejshëm

    Pas reduktimit të policisë në Veri, BE-ja kërkon hapa të mëtejshëm

    Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për reduktimin edhe për 25 për qind të pranisë policore brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri.

    Mirëpo, BE-ja thotë se nevojiten hapa të mëtejshëm në kuadër të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

    “BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka filluar iniciativën ligjore për largimin e kryetarëve të komunave veriore, që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

    Largimi i kryetarëve po pretendohet të bëhet përmes peticioneve.

  • Dëmet nga shiu ua vështirësojnë trajtimin pacientëve me kancer

    Dëmet nga shiu ua vështirësojnë trajtimin pacientëve me kancer

    Reshjet e shiut fundjavën e kaluar shkaktuan dëme materiale në Klinën e Onkologjisë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Arsyeja?

    Kompanitë e kontraktuara për renovimin e kulmit të kësaj klinike, nuk arritën të kryenin punimet me kohë.

    Për pasojë, dokumentet e pacientëve janë dëmtuar, janë prishur disa kompjuterë, janë dëmtuar tavanet dhe muret e zyrave dhe dhomave të pacientëve, që marrin trajtimin për lloje të ndryshme të kancerit në Onkologji.

    Në kohën kur ka nisur sanimi i dëmeve, nën zhurmën e sharrave e çekanëve, pacientët merrnin terapitë e tyre kundër kancerit.

    “Po na pengon [zhurma] pak, por çka të bëjmë. Edhe ata duhet të punojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë një paciente e shtrirë në katin e dytë të Onkologjisë.

    Shiu shkaktoi dëme edhe në kuzhinën e klinikës, nga ku shpërndahet ushqimi për pacientët.

    hiu që depërtoi në klinikë ka prekur edhe kabinetin e citostatikëve, aty ku përgatitet terapia për pacientët që trajtohen me kimioterapi.

    Kjo ka detyruar stafin të ndryshojë vendin e materialit për përgatitjen e terapisë për pacientët me kancer.

    Në një prej dhomave, ku pacientët marrin terapinë, për shkak të rrjedhjes së vazhdueshme të ujit, janë larguar dy shtretër të pacientëve.

    Për renovimin e kulmit të Onkologjisë janë angazhuar dy kompani private. Të pyetur për punën dhe dëmet e shkaktuara në klinikë, përfaqësuesit e kompanisë nënkontraktuese sqaruan se deri te depërtimi i ujit në klinikë erdhi për shkak se kompania kryesore, që ka fituar tenderin për renovim, nuk ka arritur me kohë të sjellë materialin për mbulimin e kulmit dhe prandaj janë shkaktuar dëmet fundjavën e kaluar.

    Por, kompania kryesore, në komunikimet që ka pasur me zyrtarët përgjegjës, ka thënë se masat paraprake mbrojtëse janë marrë, por dëmet u shkaktuan për shkak të erërave të forta.

    Mbikëqyrja e punimeve në kulmin e Onkologjisë është në përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë.

    Njomzaj Blakaj, menaxhere e projektet të efiçencës së energjisë, tha për REL-in se në kontratën e punimeve është specifikuar se gjitha dëmet eventuale të shkaktuar gjatë ndërtimit do t’i marrë përsipër kompania që e ka fituar tenderin.

    “Kompania ndërtuese, pas gjendjes së krijuar ka thënë se do t’i bëjë të gjitha sanimet e dëmeve të shkaktuar”, tha Blakaj.

    Të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e kompanive ndërtuese.

    Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) po pret që të bëhet vlerësimi i saktë i dëmeve.

    “Ne presim që të bëhet një vlerësim i saktë i dëmeve dhe të rregullohen sa më parë”, tha një nga drejtorët në SHSKUK.

    Në Klinikën e Onkologjisë, tashmë të dëmtuar nga reshjet e shiut, nga fillimi i vitit e deri në muajin korrik janë kontrolluar 30.000 persona.

    Deri po atë muaj, janë konfirmuar 1.224 raste të reja me kancer.

    Në këtë klinikë, në vitin 2022 ishin kontrolluar apo kishin marrë shërbime 47.351 persona, ndërkaq 1.736 ishin raste të reja.

    Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera të nevojshme për ta.

    Brenda 24 orëve, aty mesatarisht marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

    Shpeshherë, pacientet aty presin në radhë me orë të tëra për të gjetur shtrat për të marrë kimioterapi. /REL

  • Kurti tregon për 8 profilet e reja që do të shtohen në arsimin dual

    Kurti tregon për 8 profilet e reja që do të shtohen në arsimin dual

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka treguar se duke filluar nga muaji shtator i këtij viti, do të shtohen tetë profile të reja në arsimin dual.

    Këto profile që i ka treguar Kurti përmes një postim në Facebook janë: Rrobaqepësi, Automekanik, Metal përpunues, Përpunues i drurit, Instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, Instalues elektrik, Tregti me shumicë dhe pakicë dhe Estetist.

    “Përveç profileve kuzhinier, asistent i mikpritjes hoteliere (kamarier), floktar e murator, nga viti i ardhshëm shkollor do të fillohet edhe këto profile të reja në arsimin dual. Tashmë po zgjerohemi në 21 shkolla në 13 komuna të ndryshme, me 12 profile”, ka shkruar Kurti, të mërkurën.

  • Agjentët e FBI-së vrasin të dyshuarin për kërcënim të Presidentit Biden

    Agjentët e FBI-së vrasin të dyshuarin për kërcënim të Presidentit Biden

    Një person, i akuzuar për kërcënime ndaj Presidentit Joe Biden, u vra nga agjentët e FBI-së në Juta disa orë përpara se Presidenti pritej të mbërrinte atje të mërkurën, thanë autoritetet.

    Agjentët FBI-së po përpiqeshin të zbatonin një urdhër arresti në shtëpinë e të dyshuarit Craig Deleeuw Robertson në Provo, në jug të qytetit Salt Lake, në në orën 6:15 të mëngjesit kur filluan të shtënat me armë, thuhet në deklaratën e FBI-së.

    Robertson postoi në internet të hënën se kishte dëgjuar se Presidenti Biden po vinte në Juta dhe se po planifikonte të gjente një kostum kamuflazhi dhe “të pastronte pluhurin nga snajperi M24”.

    Postimet treguan se ai dukej se zotëronte një snajper me rreze të gjatë veprimi dhe shumë armë të tjera, si dhe veshje kamuflimi, thanë hetuesit në dokumentet e dorëzuara në gjykatë.

    Robertson gjithashtu iu referua një “vrasjeje presidenciale” dhe bëri kërcënime të tjera kundër Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, thuhet në dokumentet e gjykatës.

    Sipas autoriteteve, Robertson kishte shkruar në Facebook në shtator të vitit 2022 se “Është koha e duhur për një ose dy vrasje presidenciale. Së pari Joe, pastaj Kamala!!!” Postimi i tij është përfshirë në dosjen e dorëzuar në gjykatë. Asnjë avokat mbrojtës nuk u përmend menjëherë për zotin Robertson në dokumentet e gjykatës.

    Nuk u publikuan detaje të mëtejshme në lidhje me të shtënat, të cilat janë duke u analizuar nga FBI-ja.

    Presidenti Biden është në mes të një turneu në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Ai vizitoi të mërkurën shtetin e Nju Meksikos, ku foli në një fabrikë që do të prodhojë turbina për prodhimin e energjisë nga era dhe pritet të shkojë më vonë gjatë ditës në Juta.

    Të enjten, ai pritet të vizitojë një spital të Departamentit të Veteranëve për të folur rreth ligjit PACT, i cili zgjeroi përfitimet për veteranët e ushtrisë amerikane dhe do të mbajë një takim për mbledhje fondesh për zgjedhjet e presidenciale të vitit 2024. /VOA

  • Ragmi Mustafi emërohet këshilltar politik i Besnik Bislimit

    Ragmi Mustafi emërohet këshilltar politik i Besnik Bislimit

    Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, është emëruar këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

    Sipas tij, kjo rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    Ndërsa deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shkruar se emërimi i Mustafit në këtë pozitë e mban Luginën pjesë të agjendës qeveritare.

    Sipas tij, kjo është një përzgjedhje e mirë për t’i krijuar hapësirën që të vazhdojë angazhimin, sipas tij të palodhur, për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë./KosovaPress

  • Deputeti gjerman në mbështetje të letrës së ligjvënësve evropianë dhe amerikanë

    Deputeti gjerman në mbështetje të letrës së ligjvënësve evropianë dhe amerikanë

    Deputeti gjerman nga CDU, Knut Abraham, e ka mbështetur letrën e ligjvënësve evropianë e amerikanë, dërguar Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, ku kërkohet ndryshim i qasjes në raport me Kosovën dhe Serbinë.

    Ai ka thënë se kjo është një nismë shumë e mirë dhe në kohë.

    Abraham e ka shpërndarë shkrimin e deputetes britanike, Alicia Kearns, derisa ka shkruar se “kjo letër e ka mbështetjen time të plotë”.

    Të hënën, për letrën e dërguar te sekretari amerikan i Shtetit, shefi i diplomacisë së BE-së, dhe sekretari i Jashtëm britanik, kishte shkruar deputetja në Londër, Alicia Kearns.

    Letra ishte nënshkruar nga deputetë dhe kryetarë të komiteteve për punë të jashtme.