Beogradi po shndërrohet një kryeqytet të ideologjive politike ekstreme dje po promovon propagandën ruse kundër NATO-s, ka thënë Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Ai ka shkruar në “X” se kryeqyteti i Serbisë, në muajin korrik ishte mikpritës i lëvizjeve rinore të majta ekstreme (komuniste).
“Beogradi po kthehet në kryeqytet të ideologjive ekstreme politike, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta. Në korrik 2023, Beogradi ishte mikpritës i një mbledhjeje të lëvizjeve rinore të majta ekstreme/komuniste WFDY. Në Beograd ka frymë të theksuar të së djathtës ekstreme, edhe ajo si dhe e majta ekstreme përfaqësojnë qëndrimin kundër Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, e djathta ekstreme në Serbi, por edhe e majta, kundërshtojnë NATO-n për ndërhyrjen në vitin 1999.
“Natyrisht, obsesioni i tyre është promovimi i propagandës ruse kundër NATO-s dhe Kosovës”, vijoi ai.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve me dëshminë e dëshmitarit të ZPS-së.
Dëshmitari i ri i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është dëshmitari i mbrojtur W03879. Ky është dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë deri tani.
Dje dëshmitari i 16-të është përgjigjur në pyetjet e ZPS-së, konkretisht prokurorit Matt Halling.
Kurse, në pjesën më të madhe të kohës seanca është zhvilluar në sesion privat.
Dje avokati i Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës ka kërkuar nga trupi gjykues që tregojë se akuza ndaj ish krerëve të UÇK-së në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.
Kurse Çarls Smith III, kryesues i Trupit Gjykues, tha se për këto çështje, avokati duhet t’i adresojë me shkrim në mënyrë që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.
Po ashtu dje Trupi gjykues refuzoi si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së.
Sot në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficientëve sipas pozitave të tyre. Kështu bëri të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.
Kryetari në këtë sindikatë, Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, mirëpo ende nuk ka reagim nga MPB-ja.
Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim sot edhe tek Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
“Arsyeja është se në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë premtuar para tre muajve se do të rregullojnë vlerën e koeficienteve sipas pozitive që kanë, ku në këtë grup janë, automekanik, autolimarët, muratorët, ujë-instaluesit, elektricistët e shumë kategori të mjeshtërive, ku me Ligjin e ri të pagave janë diskriminuar shumë”, thotë Zeqiri.
Zeqiri tha se numri i këtyre punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100.
Ai derisa tha se këtyre punëtorëve ju ka humbur durimi të presin më gjatë, shtoi se kategoritë e lartpërmendura kanë mbetur në kategorinë e koeficientit të një mirëmbajtësi.
Ai në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.
Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro.
Megjithatë, ky ligj është në Gjykatën Kushtetuese të cilin më 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Kushtetuese.
Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera. /kp
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitave në komunat e vendit, sot do të vizitojë Komunën e Dragashit, ku do të zhvillojë një sërë takimesh.
Në orën 11:00, Osmani do të pritet në takim nga kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, derisa në orën 11:40, presidentja Osmani do ta vizitojë Asamblenë Komunale të Dragashit dhe do të mbajë fjalim.
Ndërkaq me fillim nga ora 12:10, Osmani dhe kryetari i Xheladini do të deklarohen për media.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte në mbrëmje në “Ballkonin e Hapur”, ka organizuar pritjen lamtumirëse për ish ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, në të cilën ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeverisës, diplomatë të shumtë, përfaqësues të lartë të KFOR-it, udhëheqës të ndryshëm të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë të Kuvendit të Republikës e bashkëpunëtorë të afërt.
Në këtë pritje, Kryeministri Kurti përmes një fjale rasti vlerësoi se prej se u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi.
“Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën”, tha kryeministri dhe shtoi se buxheti për ushtrinë sot është mbi dy herë më i madh sesa para dy vjetëve, duke shënuar rritje nga 67 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 141 milionë euro sa e kemi sot.
Duke e vlerësuar për punën e tij si ministër, kryeministri tha se ish ministri Mehaj ka bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar, bashkëpunim ndërministror i cili sipas kryeministrit ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.
“Arritjet e ish ministrit Mehaj janë dëshmuar edhe në bashkëpunimin e tij të dendur dhe të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Mbrojtjes dhe e FSK-së e ka rritur dukshëm profilin ushtarak të Republikës në rang botëror, duke realizuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe misionin ndërkombëtar në Ishujt Falkland. Dhe, pas tërmetit shkatërrues në Turqi, në shkurtin e këtij viti, ekipi i FSK-së nisi menjëherë në një mision të kërkim-shpëtimit. E gjatë këtij misioni, ushtarët tanë arritën të shpëtojnë disa jetë njerëzish, duke përfshirë aty edhe dy fëmijë”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, Kryeministri Kurti tha se suksesi i ish ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë.
Kryeministri gjithashtu veçoi se ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.
Në fund të fjalës së tij Kryeministri Kurti e ka falënderuar ish ministrin Mehaj me fjalët “Armend, në emrin tim, dhe në emrin e të gjithë Qeverisë, të faleminderit përzemërsisht për punën dhe shërbimin tënd gjatë këtyre dy vjet e pesë muajve të fundit. Faleminderit që, edhe pse fizikisht larg Kosovës, kurrë s’ke qenë larg me mendje e me zemër. Dhe kurrë se ke harruar se sa shumë i kemi borxh atdheut tonë, Republikës së dashur të Kosovës. Faleminderit”.
Ndërkaq, ish ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se i beson motos e cila thuhet në ushtri ‘Krah për krah’, nëse ecim krah për krah atëherë i arrijmë edhe qëllimet e përbashkëta.
Pasi falënderoi kryeministrin për fjalët dhe besimin e dhënë ai tha se ka bërë vetëm punën e tij pasi siç tha ai këtë ia kemi borxh atdheut dhe çdo dëshmori të kombit. Më tej ish ministri Mehaj tha se qëllimi i përbashkët i të gjithëve është integrimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Deputetja e Listës Guxo. Jeta Statovci ka reaguar pas kritikave të opozitës për rrugët nacionale që kanë mbetur ende të pa përfunduara.
Ajo ka thënë se të gjitha këto projekte kanë mbetur në gjysmë nga qeveritë e kaluara janë shqyrtuar nga qeveria Kurti.
Ky është postimi i saj në Facebook:
“RRUGA E RE” QË MRAPA KODRËS, BASHKOHET ME RRUGËN E MOÇME.
Lideri që synon rrugë të re ani pse vjen nga kthinat e rrugëve të vjetra, po të ishte i vërtetë, do t’i shkonte ndërmend të thoshte pak fjalë, për vitet nga 2009 (Mitrovicë, Pejë etj) kur partnerët e tyre i nisën këto rrugë, apo nga vitet 2015 e 2016 (kur rruga e Podujevës filloi) kur prindi i tij politik i nisi ato rrugë, pa shpronësim, pa projekt, pa buxhet, si mos më keq. Por nuk thotë asgjë nga ato sepse ai është thjeshtë një fasadë që mbulon të vjetren brenda për t’u bashkuar me të moçmen, në kërkim të lumturisë me marrëveshjet ndajmë 50:50.
Qeverisja aktuale të gjitha projektet e lëna gjysmë, i rishikoi, revidoi, korrektoi e i bëri gati për ekzekutim. Rruga për Podujevë ka progres për 2 muaj më shumë se 6 vitet e tyre. Rruga e Gjilanit po përfundon ndërkohë që rrugët që lidhin Gjakovën, rruga Prizren – Prevallë, Dragash- Brod, Gjilan Kllokot po vazhdojnë me ritme të papara ndonjëherë.
Rruga Prishtinë – Pejë ka filluar ne vitin 2008 dhe më vonë në 2013 pjesa tjetër, Rruga Dollc – Gjakovë ka filluar në vitin 2018, Rruga Prishtinë – Mitrovicë ka filluar në vitin 2008 dhe dy llotet tjera në vitin 2018, Rruga Prishtinë – Podujevë ka filluar në vitin 2016 dhe tash pjesa tjetër në vitin 2023, Autostrada e Gjilanit ka filluar në vitin 2018. Kurse, për rrugën A, cka të themi tjetër, pos që mu në fillim, alarmoi dhe prokurorinë e shtetit për keqpërdorimet.
Pra, kjo siç duke është rruga e re, që të dërgon te zanati i vjetër.
Viktimat e dhunës seksuale në Kosovë nuk gëzojnë benefite siç ndodhë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thonë se të drejtat të cilat janë përcaktuar me ligj, nuk po realizohen në mungesë të procedurave që e sigurojnë konfidencialitetin e viktimave.
Përveç pensionit prej 230 eurosh, gratë e burrat e dhunuar gjatë luftës e kanë pothuajse të pamundur të realizojnë të drejtat e tjera të përcaktuara me ligj, për shkak të mungesës së procedurave që sigurojnë konfidencialitetin.
Sipas drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, këta persona duhet të posedojnë një ID, përmës së cilës do të identifikoheshin si viktima civile.
Në mungesë të kartelizimit, Rushiti shton se kjo kategori e viktimave të luftës nuk mund të përfitojnë shërbimeve falas pranë institucioneve apo strukturave lokale, për shkak të frikës se do të identifikohen.
Drejtoresha e QKRMT-së thotë se janë duke punuar që të krijojnë një plan avokues për të drejtat e tjera që u takojnë viktimave të dhunës seksuale.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, konsiderohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra. Por deri më tani komisioni qeveritar ia ka njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale vetëm rreth 1400 personave. Muajin e kaluar Kuvendi i Kosovës ka vazhduar deri me 15 maj 2025 afatin për aplikim për njohjen e statutit të viktimave të dhunës seksuale.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti e prezantoi si prioritet ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, projekt në vlerë rreth 200 milionë euro. Por, ekspertë të infrastrukturës dhe ekonomisë vlerësojnë se para këtij projekti, Qeveria duhet të punojë në përfundimin e pesë projekteve për rrugët kryesore që lidhin kryeqytetin me Mitrovicën, Pejën, Gjilanin, Gjakovën dhe Podujevën.
Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë dhe Prishtinë-Podujevë janë disa prej projekteve kryesore të papërfunduara në rrjetin e brendshëm tw rrugëve nacionale dhe autostradave.
Në këtë mes, rekordin më negativ për nga kohëzgjatja e mban projekti për rrugën dyshiritore nga kryeqyteti në drejtim të Mitrovicës – i ngecur në gjysmë.
Larg nga përfundimi mbetet projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, ndonëse punimet në të nisën para plot 14 vjetësh.
Në faza e kohëzgjatje të ndryshme, me zvarritje janë përballur edhe punimet në relacionet tjera të lartpërmendura.
Për këto pesë rrugë, Qeveria këtë vit ka ndarë më pak se 50 milionë euro.
Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti prezantoi si prioritet ndërtimin e një rruge të re Prizren-Tetovë, projekt në vlerë 200 milionë euro.
Edhe pse këtë rrugë e vlerëson të nevojshme, inxhinieri Driton Tafallari thotë se prioritet duhet të jetë përfundimi i rrugëve që qytetarët i përdorin çdo ditë.
“Këto rrjetet kanë mbetur jo me vite por me dekada papërfunduar. Unë e kuptoj se ka probleme serioze sidomos me shpronësim të një numri të madhe të tokave, mirëpo ajo që mua më duket e paarsyeshme është se pse Qeveria nuk e jep një plan ose afat kohor, me u tregu qytetarët se cila rrugë kur pritet me u kry dhe me iu mbajtë këtij plani”.
Pa mohuar rëndësinë e rrugës Prizren-Tetovë, Safet Gërxhaliu nga EK Consulting theksoi se ky projekt nuk mund të nis pa përfundimin e rrugëve kryesore brenda, të cilat i përshkroi në gjendje të mjerueshme.
“Të gjitha këto rrugë të filluara, qoftë nga Prishtina në Mitrovicë, qoftë në drejtim të Pejës, qoftë në drejtim të Merdares, apo edhe Shkupit, se sa kanë rëndësi gjeo-strategjike dhe politike, kanë rëndësi edhe ekonomike dhe integruese, prandaj duhet të jetë prioritet përfundimi i këtyre rrugëve dhe tek më vonë të mendohet në investime 200 milionëshe në rrugën Prizren-Tetovë. Nuk e konteston askush arsyeshmërinë kombëtare dhe nacionale, por të mendohet në mënyrë racionale, pa emocione dhe pa nacionalizëm politik”.
Gërxhaliu beson se deklaratat dhe veprimet e kryeministrit Kurti lidhen me ambiciet e tij politike.
“Shumë më tepër janë deklarata populiste dhe politike, që paralajmërojnë themelimin, si duket, të Vetëvendosjes në Maqedoni sesa që është prioritet për t’u implementuar. Në këtë drejtim duhet kuptuar fare mirë se me Maqedoninë nuk ka lojë dhe eksperimente, sepse është një shtet në rrugëtim shumë të shpejtë në familjen evropiane, është anëtare e NATO-s, prandaj besoj që duhet të tregojmë maturi politike, ekonomike dhe mbi të gjitha ndëretnike”.
Në Shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshje për rrugën Prizren-Tetovë, por ende nuk është finalizuar marrëveshja financiare – që përfshin ndërtimin e një tuneli prej 6.4 km.
Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar sqarime nga Gjykata Speciale rreth raportimeve në media rreth pretendimeve se janë kërkuar katër dëshmitarë katolikë kundër ish presidentit kosovar, që po akuzohet për krime lufte, për çka nuk komentoi Prokuroria. Në seancën e mbajtur të hënën pas pushimit të verës, ka nisur dëshminë dëshmitari i 16 i mbrojtur i Prokurorisë, i cili ka thënë se pjesëtarët e LDK-së nuk ishin të mirëpritur në UÇK, dhe për disa nga anëtarët sipas tij pengesë ishte Ibrahim Rugova.
Raportimet në media rreth pretendimeve lidhur me kërkimet për të gjetur dëshmitarë katolikë kundër Hashim Thaçit janë kthyer në çështje diskutimi mes mbrojtjes dhe Prokurorisë në gjykimin që po zhvillohet në Hagë ndaj tij, Rexhep Selimit, Kadri Veselit, e Jakup Krasniqit.
Qysh në fillim të seancës avokati i Thaçit, ka kërkuar nga Gjykata sqarime rreth këtyre pretendimeve, që sipas tij janë tepër shqetësuese, e nëse vërtetohen paraqesin ndërhyrje në drejtësi.
Mbrojtja ka përmendur edhe disa raportime të zyrtarëve rusë se ish liderët e UÇK-së janë të përfshirë në trafikim organesh, duke kërkuar nga gjykata që të theksoj me njoftim publik se ata nuk janë duke u akuzuar për këtë vepër penale.
“Është shumë shqetësuese ndikimi në dëshmitarë. Ka shumë artikuj të botuar në Prishtinë që pretendojnë për një person shqiptar në Gjermani që thuhet që citohet të ketë thënë që i është kërkuar të gjejë 4 dëshmitarë katolikë kundër Thacit. Kjo është ndërhyrje në drejtësi. Gjykata duhet të kërkoj sqarime nëse janë kërkuar dëshmitarë nga dikush që është i pranishëm në këtë sallë gjyqi. Do ta bëjmë parashtresën edhe me shkrim”
“Kjo është një çështje e cila nuk është diskutuar me neve interpartes, asnjë prej të çështjeve që u ngrit nga z.Kehoe, nuk ka të bëjë me dëshmitarin i cili do të vijë për të dëshmuar në sallën e gjyqit, kështu që ju kërkojmë që mbrojtja e zotit Thaçi t’i parashtrojë me shkrim këto shqetësim”
Ndërkohë seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të në këtë rast. Dëshmitari ish pjesëtar i UÇK-së në zonën e Llapushnikut, e mbështetës i Lidhjes Demokratike ka dëshmuar nën masa mbrojtëse, derisa disa herë seanca është mbyllur për publikun.
Ai është përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë rreth strukturës dhe zinxhirit komandues të kësaj zone, teksa ka thënë se ishte ndier nën presion kur dëgjonte se pse përkrahësit e LDK-së i janë bashkuar UÇK-së.
Sipas tij gjatë vitit 1998, u fliste se pjesëtarët e LDK-së nuk duhej pranuar në ushtri.
Ushtarëve a u thuhej që LDK ishte armiku, a i përhapte këto mesazhe edhe komanda e UÇK-së?
E kuptova që pengesë e tyre paska qenë Rugova..
Ndërsa Gjykata e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë që të merret si provë një video në cilën shihej Fatmir Limaj, e Ismet Jashari, e që ZPS-ja pretendonte se aty paraqiste ceremoninë e betimit të ushtarëve UÇK-së.
Gjykimi për krime lufte ndaj Thaçit e të tjerëve nisi në prill të këtij viti, ndërsa deri tash janë dëgjuar 15 dëshmitarë të ZPS-së, shumica e të cilëve në seanca të mbyllura për publikun.
Një vit më parë, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gracanicës kishin nënshkaruar marrëveshje për funksionalizimin e linjës Prishtinë-Gracanicë. Mirëpo, kjo linjë e premtuar nuk është ende funksionale. Derisa nga komuna e Gracanicës thonë se s’ka autobusë, në atë të Prishtinës bëjnë të ditur që në muajin shtator do të funksionalizohet linja e transportit publik, Prishtinë-Gracanicë.
As pas një viti, nuk ka transport publik për banorët e Graçanicës, ndonëse një marrëveshje ishte nënshkruar në gusht të vitit të kaluar mes Komunës së Prishtinës dhe asaj të Graçanicës.
Mosfunksionimi i kësaj linje, sipas Nënkryetarit për Komunitete në Komunën e Graçanicës, Leutrim Ajeti, është për shkak të mungesës së autobusëve.
“Arsyeja e deritashme ka qenë për shkak të mungesës së autobusëve siç kanë thënë edhe nga Komuna e Prishtinës, mirëpo në bashkëpunim gjatë këtyre ditëve jemi dakorduar me kryetarin dhe nënkryetarin që ta gjejmë një zgjidhje që kjo linjë më në fund të funksionalizohet.”
Ajeti për më tepër thotë se edhe qytetarët e Graçanicës janë të shqetësuar për mungesën e kësaj linje.
“Ankesa nga qytetarët janë shumë të mëdha dhe meqenëse nuk kemi ndërmarrje duhet të shfrytëzohen linja të ndërurbane që vijnë nga komuna e Gjilanit dhe ka raste kur autobusi është i mbushur plot me pasagjer dhe nuk ka vend për qytetarët tanë, pra një linjë Graçanicë-Prishtinë është e nevojshme pasi që edhe nxënësit e komunitetit shqiptar të shkollave të mesme, shkollimin e kryejnë në Prishtinë”.
Ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës, bëjnë të ditur se kjo linjë pritet të funksionalizohet në muajin shtator.
“Fillimisht kemi nënshkruar marrëveshjen me Komunën e Graçanicës, ku Kryeqyteti ofron autobusët e tij për ketë linje dhe e subvencionon atë. Pastaj, meqenëse linja kalon ne rruge magjistrale, Ministria e Transportit ka bere analizat e saj dhe ka dhëne lejen për këtë linje, ky proces ka zgjatur disa muaj. Pas marrjes se lejes nga Ministria e Infrastrukturës, ekipet tona ne Komunën e Prishtinës, kane bere analizat se nga cilat linja aktuale mund te marrim autobusët për t’i dedikuar për linjën e re! Dhe, ne fund, tani për Shtator do te jemi gati për te filluar linjën. Kemi bere te gjitha përgatitjet e duhura.”
Marrëveshja për funksionimin e Linjës Prishtinë-Graçanicë është nënshkruar në gusht të vitit të kaluar ndërmjet Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj dhe kryetarit për Komunitete në Komunën e Graçanicës, Leutrim Ajeti.