ATV

Category: Lajme

  • Policia kap edhe personin e dytë të dyshuar për vrasjen e Sami Morinës në Mitrovicë

    Policia kap edhe personin e dytë të dyshuar për vrasjen e Sami Morinës në Mitrovicë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar edhe personin e dytë në Mitrovicë, si të përfshirë në vrasjen e 56 vjeçarit.

    Sipas policisë, ai është një 25 vjeçar me inicialet K.M. dhe ndaj tij tashmë është caktuar edhe masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

    Njoftimi i policisë:

    Si rrjedhojë e hetimeve lidhur me veprën penale ”vrasje rëndë”, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve mbi dyshime të bazuar në orët e mesditës së sotme kanë identifikuar dhe arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar për përfshirje në veprën penale “vrasje e rëndë”, e ndodhur me datën 12 gusht 2023 në Mitrovicë. Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit K. M., 25 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

    Njoftimi i policisë për arrestimin e të dyshuarit të parë:

    Me 12.08.2023, rreth orës 17:15 është raportuar se në rrugën e UÇK -së, në Mitrovicën e Jugut, një person është gjetur një person pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes është identifikuar se peroni i pajetë është viktima S. M., 56 vjeçar. Fillimisht rasti është kualifikuar si vdekje e dyshimtë, prokuroi i rastit ka urdhëruar që trupit të viktimës t’ i bëhet autopsia në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Si rrjedhojë e hetimeve intensive nga ana e hetuesve të Sektorit Rajonal, me datën 13 gusht 2023, mbi dyshime të bazuara për përfshirje në rast është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar Xh. N., 43 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës. Lidhur me rasti në cilësi të provës materiale është konfiskuar vetura e viktimës e cila është gjetur në posedim te i dyshuari.

    Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndërsa, rasti nga vdekje e dyshimtë është ri-kualifikuar në veprën penale “vrasje e rëndë”.

  • 35 të burgosur marrin certifikata për aftësim profesional

    35 të burgosur marrin certifikata për aftësim profesional

    Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me zëvendësuesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, kanë shpërndarë 35 certifikata të aftësimit profesional për të burgosurit.

    “Aftësimi i tyre ka përfshirë lëmenjtë e ndërtimtarisë, automekanik, instalim të ngrohjes, axhustatorë, etj. Certifikatat e aftësimit profesional jo vetëm që do t’u ofrojnë të burgosurve mundësi për një të ardhme më të mirë, por gjithashtu do të ndihmojnë në zvogëlimin e ndikimit të krimit në shoqëri. Kjo përpjekje për të ofruar mundësi për të përfituar njohuri dhe aftësi të reja është një hap drejt ri integrimit të tyre në shoqëri dhe një kontribut i rëndësishëm për të shmangur përsëritjen e veprave penale”, thuhet në njoftimin e MD-së.

    Sipas njoftimit, ministrja Haxhiu në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të aftësimit profesional për të burgosurit në Qendrën Korrektuese të Dubravës theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt ri integrimit të tyre në shoqëri dhe përballjes me sfida të reja.

    Ajo shprehu besimin se aftësitë e fituara do të ndihmojnë të burgosurit të integrohen më lehtë në tregun e punës pas lirimit.

    “Pas shpërndarjes së certifikatave, ministrja Haxhiu vizitoi edhe Institutin për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Në këtë institucion, ajo takoi stafin dhe personat të cilët janë në trajtim, duke treguar vullnetin e saj për të mbështetur dhe ndihmuar këtë kategori”, theksohet në njoftim.

    Në njoftim theksohet se vizita e ministres Haxhiu edhe njëherë rikonfirmon kujdesin e duhur ndaj personave me nevoja të veçanta, ndërsa gjithashtu reflekton përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të ndryshuar dhe përmirësuar sistemin e drejtësisë në vend.

  • Maliqi publikon sondazhin: Gati 30 për qind e shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Britani janë deklaruar “të pafe”

    Maliqi publikon sondazhin: Gati 30 për qind e shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Britani janë deklaruar “të pafe”

    Analisti Agon Maliqi, ka publikuar një sondazh që ishte realizuar në Britani, ku respodentët kishin treguar për bindjet e tyre fetare.

    Në këtë anketë që e ka publikuar Maliqi, 30% e shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Britaninë e Madhe janë deklaruar si “të pafe”.

    “Në regjistrimin e popullsisë (censusin) e bërë në Britani të Madhe, prej 30,000 kosovarëve që banojnë në këtë shtet, 48 për qind janë deklaruar myslimanë, gati 30 për qind si të “pa fe”, ndërsa 10 për qind të krishterë. Pyetja shtrohet: a po i rrejnë kosovarët anketuesit në Britani se janë të pa fe prej ndonjë kompleksi, apo po i rrejnë anketuesit në Kosovë se janë myslimanë prej marres? Apo emigracioni në Britani të Madhe nuk është përfaqësues i shoqërisë kosovare në përgjithësi, dhe atje kanë shkuar më shumë shtresat shoqërore më sekulare? Gjithsesi, rast për t’u studiuar. A ka dikush të dhëna krahasuese për censuset në Gjermani dhe Zvicër?”, ka shkruar Maliqi.

    Grafika:

  • Shpërthen gazi në minierën e Bulqizës, lëndohen tre minatorë

    Shpërthen gazi në minierën e Bulqizës, lëndohen tre minatorë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur të hënën në minierë e Bulqizës në Shqipëri.

    Ngjarja ndodhi në nivelin e 17 të minierës. Shkaku dyshohet se ka shpërthyer një sasi gazi dhe për pasojë kanë pësuar djegie trupore tre punëtorë që ndodheshin në këtë nivel.

    Tre minatorët e plagosur Rrahim Karaj, Asllan Çakalli dhe Trifon Snalla janë dërguar me urgjencë drejt Tiranës për të marrë mjekim më të specializuar dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

    Sipas burimeve minatorët ata pësuan djegie të rënda të gradës së tretë. Fillimisht punëtorët janë dërguar në spitalin e Bulqizës për të marrë ndihmën e parë, ku nga pamjet shihen familjarët e shqetësuar.

    Po ashtu është bërë menjëherë evakuimi i të gjithë punëtorëve nga fronti i punës dhe rrjedhja e gazit është vënë nën kontroll.

    Sipas policisë situata aktualisht është normalizuar. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, po punohet për zbardhjen e shkaqeve të plota të kësaj ngjarjeje./Top Chanel/

  • Operacioni “Goditja” në Mitrovicë, kapen shtatë revole e 12 thika

    Operacioni “Goditja” në Mitrovicë, kapen shtatë revole e 12 thika

    Operacioni “Goditja” i Policisë së Kosovës ka vazhduar edhe në Mitrovicë të Jugut.

    Në një komunikatë për media, policia ka bërë me dije se që nga data 8 gusht e deri sot janë konfiskuar shtatë armë të zjarrit, 12 armë të ftohta si dhe janë arrestuar nëntë persona

    Ky plan i policisë po implementohet pas shtimit të rasteve të vrasjeve nëpër lokale.

    Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:

    Po vazhdon së realizuari plani operativ Goditja

    Mitrovicë, 14 gusht 2023

    Në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, po vazhdon së realizuari plani operativ ‘Goditja’.

    Si rezultat i angazhimeve të shtuara policore në teren, nga data 8 gusht 2023, janë realizuar:

    – 303-patrulla policore

    – 238- pika kontrolli të automjeteve

    – 1397- vetura te kontrolluara

    – 2143 -persona të legjitimuar

    – 66- pika kontrolli me radar

    – 12- pika me alkooltest

    – 08- lokale të kontrolluara

    – 07 -armë zjarri të konfiskuara

    – 12- armë të ftohta (thika)

    – 09- persona të arrestuar

    Angazhimet policore që burojnë nga plani operativ “Goditja” vazhdojnë të mbeten prioritet i ditëve ne vijim.

  • Dëshmitari i 16-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve dëshmon për Zonën e Llapushnikut, thotë se Limaj ishte komandanti kryesor

    Dëshmitari i 16-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve dëshmon për Zonën e Llapushnikut, thotë se Limaj ishte komandanti kryesor

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879 është duke dëshmuar për Zonën e Llapushnikut, komandant kryesor i të cilës zonë tha se ishte Fatmir Limaj.

    Paraprakisht, përmes paraqitjes së një fotografie, dëshmitari identifikoi se numri 2 i duket si objekti i Shtabit të Zonës së Llapushnikut kurse nga këndi i fotografisë së dytë tha se nuk e ka të qartë nëse ishte ajo ndërtesa e Shtabit të kësaj zone, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Më tej, me paraqitjen e një videoje ku ishin disa ushtarë të UÇK-së që sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ishte ceremoni e betimit, dëshmitari identifikoi se ishin të pranishëm Musë Jashari, Fatmir Limaj dhe Ismet Jashari.

    Por, kjo video nuk u pranua si provë pasi që sipas gjykatës nuk ka lidhje me këtë dëshmitar, duke thënë se video është e pavlerë.

    Tutje, u diskutua për komunikimin e urdhrave, e që dëshmitari tha se ka pasur rregulla por beson se nuk janë zbatuar tërësisht dhe kryesisht rregullat iu janë thënë gojarisht dhe jo me shkrim.

    Ai foli për zinxhirin komandues të zonës së Llapushnikut, ku tha se Fatmir Limaj ishte komandanti kryesor, më tej përmendi komandantin tjetër Isak Musliu dhe zëvendësit e tij Shefqet Buçi dhe Ymer Alishani.

    Ai tha se urdhrat komunikoheshin përmes komandës dhe se secili raportonte te eprori i tij.

    Ndërkaq, i pyetur lidhur me një dokument në të cilën thuhet se UÇK-ja dhe populli shqiptar po goditen prapa shpinës me elemente kolaboracioniste, dëshmitari tha se nuk e kishte parë këtë dokument gjatë luftës por që kur kishin shkuar në Llapushnik ishte ndjerë njëfarë presioni se pse njerëzit e LDK-së janë kyçur në UÇK.

    Kur u pyet se a thuhej nga ushtarët e UÇK-së se LDK ishte armik, ai tha se kishte dëgjuar se është thënë se janë njerëz të pabesueshëm apo nuk duhet t’i pranojnë.

    Por që për të mësuar bazën e informacioneve për përgjigjet e dhëna të dëshmitarit, është kaluar në seancë private.

    Po ashtu, disa nga përgjigjet e dëshmitarit kanë qenë të pamundura të dëgjohen.

  • Rama nderon ish-ministrin Mehaj me “Çelësin e Qytetit”

    Rama nderon ish-ministrin Mehaj me “Çelësin e Qytetit”

    Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe punën mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komunës së Prishtinës, kryetari i kësaj komunë, Përparim Rama i ka dhuruar Çelësin e Qytetit ish-ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.

    I pari i kësaj komunë, Rama tha se dhurimi i këtij çelësi është më e pakta që mund të dhurojnë për ministrin.

    “Me keqardhje e zemër tw thyer, përkundër faktit që kemi pas një marrëdhënie fantastike, ke ardhur prej Norvegjie në vendlindje dhe ke bërë një shërbim fantastik. Pra, kemi pas një bashkëpunim të mrekullueshëm. Kemi krijuar një bashkëpunim të mirëfilltë që janë shembull për të gjithë. E kuptoj vendimin e juaj, mirëpo nuk mund të them se një mik i madh që kam pas këtu, tash nuk do të jetë në institucion, por shpresoj se miq do të mbesim përgjithmonë”, tha Rama.

    Ndërsa ministri Mehaj u shpreh i lumtur për këtë mirënjohje.

    “Me të vërtete pak befasi dhe e papritur, por së pari faleminderit për bashkëpunimin, për punën që po bëni për qytetarët e kryeqytetit. Je shembull për bashkëpunim, i kemi borxh këtij vendi shumë, të përgëzoj për bashkëpunimin, po bënë një punë të mrekullueshme. Pleqtë kanë thënë rri shtrembët e fol drejt, e unë jam prej atyre. Përkushtimi ndaj popullit është shumë i rëndësishëm, të ja kthejmë çdo njëri aq sa kemi vullnet për një bashkëpunim të plotë. Bashkëpunimi sidomos me ty personalisht ka qenë shumë i lehtë, pa shumë filozofi, e kemi gjetur një zgjidhje të përbashkët për të mirën e qytetarëve, me fjalë pak e shumë punë. Është nderim i veçantë, do të më keni prapa në çdo mënyrë në mbështetje të Kosovës”, tha Mehaj.

    Si shenjë mirënjohje pwr bashkëpunim, edhe ministri Mehaj pati një dhuratë, për kryetarin e kryeqytetit. Ai derisa ja dhuroi një emblemë të FSK-së, tha se kjo është si shenjë për përkushtimin që edhe ata që vinë pas tij në MB, e përcjellin të njëjtën frymë për të mirën e vendit.

  • Një person i vdekur nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Parma të Italisë

    Një person i vdekur nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Parma të Italisë

    Një person humbi jetën dhe 11 tjerë u plagosën pasi një zjarr shpërtheu në një shtëpi për të moshuarit dhe njerëzit që vuanin nga sëmundje mendore në qytetin verior të Parmës, herët në mëngjesin e së hënës.

    Viktima është një grua 62-vjeçare mysafire në “Casa di Arianna”, e drejtuar nga kooperativa Avitas.

    Dhjetë të ftuar dhe një punonjës shëndetësor gjithashtu kishin nevojë për trajtim spitalor pasi pësuan helmim nga tymi, raporton ANSA.

    Megjithatë, askush nuk u raportua të ishte në gjendje të rëndë. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili raportohet se shpërtheu rreth orës 5:30 të mëngjesit me orën lokale.

    “Dëshiroj të dërgoj një mesazh ngushëllimi për familjen e viktimës dhe mendimet e mia janë me ata që janë aktualisht në spital për shkak të helmimit nga tymi”, tha kryebashkiaku i Parma, Michele Guerra.

    Ai tha se po punojnë që të vazhdojë ofrimi i mbështetjes për ata që kanë nevojë.

    “Ndërtesa në fjalë është në pronësi dhe udhëheqje private. Ne po punojmë që të vazhdohet ofrimi i mbështetjes për ata që kanë nevojë, ndërsa presim që hetuesit të përcaktojnë natyrën e zjarrit dhe shkaqet e tij,” shtoi ai.

  • Trupi gjykues refuzon si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

    Trupi gjykues refuzon si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai po dëshmon nën masa mbrojtëse për periudhën e vitit 1998 dhe rreth zonës së Llapushnikut për të cilën ka thënë se komandanti kryesor ishte Fatmir Limaj.

    Në fillim të marrjes në pyetje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një video për të cilën prokurorit Matt Halling ka thënë se është ceremoni betimi e UÇK-së.

    Ai ka kërkuar që njëjta të pranohet si provë materiale, por është refuzuar nga trupi gjykues meqë aty nuk shihej se është kryer betimi.

    Lidhur me këtë video ka reaguar mbrojtja e Thaçit, avokati Gregory Kehoe, i cili ka thënë se nuk ka asnjë bazë për shfaqjen e kësaj video meqë dëshmitari në gjykatore nuk ishte pjesë e saj.

    Prokuroi Halling: Këta ishin tre personat e pranishëm në ceremoninë e betimit që diskutuam në seancë private? Të nderuar gjykatës, duke pasur parasysh identifikimin që bëri dëshmitari dhe duke pasur parasysh se është pranuar në mënyrë të përkohshme si provë materiale shoqëruese për një dëshmitarë tjetër, ne mendojmë që është e përshtatshme që kjo të pranohet si provë materiale.

    Avokati Kehoe: Doni të pranojmë një regjistrim për betim ku nuk ka betim konkretisht, thonë që është e njëjta por nuk është e njëjta, prokuroria thotë se një dëshmitar tjetër mund të verifikojë këtë, në rregull kur të vijë ky dëshmitar ke ta bëjë, por kjo video nuk ka të bëjë fare me këtë dëshmitarë përveç faktit që Musë Jashari, Famtir Limaj, kanë qenë të pranishëm atje, dhe Ismet Jashari. Dhe ju po tregoni si duken ceremonitë e betimit të UÇK-së që ishin shumë efikase por ama betim nuk ka aty.

    Gjykatësi Smith: Pranohet, nuk ka asnjë lidhje në këtë video të na tregojë për betim konkret aty. Kjo video është e pavlerë.

    Pas kësaj, prokuroi ka thënë se do të ketë një tjetër dëshmitar që do të flas për këtë video.

    Ai ka vazhduar me pyetje rreth strukturës së komandës në zonën e Llapushnikut.

    Dëshmitari ka thënë se komandanti kryesor ka qenë Fatmir Limaj.

    Derisa ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshmitari ka thënë se në periudhën e vitit 1998 kishte deklarata që pjesëtarët e LDK-së nuk duhej pranuar në UÇK.

    “Një herë pasi kemi shkuar në Llapushnik kanë filluar të deklarohen disa ushtarë pa uniformë, të thjesht kanë qenë, as nuk e njihnin Rugovën, thoshin ta kishim zënë shallin, unë nuk e kuptova kush është shalli, por ne jemi ishim hy me qëllim që me luftu me forcat serbe, pastaj e kuptova që është fjala për Rugovën, pengesë e tyre paska qenë Rugova. Ne kemi qenë pjesë e LDK-së deri shumë vonë pas luftës, atëherë një far lloj presioni që kemi pasur ka qenë edhe ky motiv, njerëzit e LDK-së pse janë kyçur në UÇK, kanë menduar këta njerëzit që kanë qenë në fillim që vetëm këta duhet me e udhëheq luftën dhe vetëm këta duhet me zotërua Kosovën, ashtu diçka”, ka thënë ai.

    Sipas dëshmitarit, në atë kohë thuhej se pjesëtarët e LDK-së nuk janë të besueshëm.

    Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar që të tregohet se kush kishte bërë deklarata të tilla, por prokuroi ka thënë se pyetjet rreth kësaj duhet të bëhen në seancë private.

    Halling e ka pyetur dëshmitarin nëse ishte komanda e UÇK-së ajo që përhapte mesazhe të tilla.

    “Mendoj që prej UÇK-së ka qenë sigurisht se nuk kish mujt me folë dikush, shumica prej luftëtarëve kanë qenë në LDK, atëherë ka pasur kundërshtime këtu, është pa qartë, veprimi i tyre, sjellja e tyre ndaj njerëzve të LDK-së, është parë qartë se ka pasur kundërshtime me thënë jo kjo nuk vazhdon kështu, duhet me ndërpre, nuk kemi të bëjmë me LDK-në, janë dashur të deklarohen ata”, ka thënë ai.

    Pas kësaj, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar që të bëhen pyetjet e përgjithshme në seancë publike dhe të vazhdohet pastaj me pyetje të tjera në seancë private, në mënyrë që të mos krijohen paqartësi dhe ndërprerje.

    Seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

  • Kryeministri Kurti më 28 Nëntor në Preshevë?

    Kryeministri Kurti më 28 Nëntor në Preshevë?

    Pas pushimeve verore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një turne të vizitave në disa vende shqiptare në Ballkan. Ai ka filluar me Tetovën, i cili u prit nga mijëra shqiptare të kësaj Republike ish-Jugosllave.

    Sipas burimeve të gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch, se kabineti i tij është duke shqyrtuar mundësinë për një vizitë të re në Ulqin (Mal të Zi) si dhe Luginën e Preshevës, rajon ky i banuar me shqiptarë.

    Ndonëse ky informacion nuk është konfirmuar ende nga zyra e kryeministrit, burimet e gazetës zvicerane Le Canton27.ch, mëson se kabineti i Qeverisë pritet të kërkojë leje për vizitë në Luginën e Preshevës më 28 Nëntor, mu në ditën e flamurit kombëtar.