ATV

Category: Lajme

  • Vëlla e motër, dhe një 17 vjeçar mbeten të lënduar në aksidentin në Lakrishtë

    Vëlla e motër, dhe një 17 vjeçar mbeten të lënduar në aksidentin në Lakrishtë

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Tre persona u lënduan rëndë mëngjesin e së hënës pasi vetura e tyre ra nga rrethi në lagjen Lakërishte në kryeqytet. Dy nga të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa tjetri po trajtohet në intensiv dhe është në gjendje më të rëndë, për shkak të lëndimeve që ka marr në kokë.  Ekspertët e komunikacionit, thonë se projektimi i dobët i rreth rrotullimit është shkaktar i aksidentet e shpeshta aty.

    Vëlla e motër, dhe një bashkudhëtar i tyre 17 vjeçar mbetën të lënduar rënd mëngjesin e së hënës, pasi vetura e tyre me targa të huaja ra nga rreth rrotullimi në lagjen Lakrishte në Prishtinë.

    “Nga aksidenti që ka ndodhur, si bashkudhëtar njëri ka pësua lëndime më të rënda. Të lënduarit i kanë kërkuar ndihmë në qkuk, emergjencë, pas ekzaminimeve të kryera radiologjike, një pacient 17 vjecar ka qenë në gjendje  më të rëndë për shkak të gjakderdhjes ku është dashtë të intervenojnë në kirurgji”.

    E shenjat e vajrave motorike, e disa pjesë të xhamave të veturës kanë mbetur ende të rreth rrotullimi në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë.

    “Në këtë vend përfundoi vetura e cila sot gjatë orëve të para të mëngjesit u vetë aksidentua dhe ra nga rreth rrotullimin këtu në lagjen lakrishte, si pasojë mbetën të lënduar tre persona e në mesin e tyre një 17 vjecar”.

    Sipas njohësve të komunikacionit, shkaktar i aksidenteve të shpeshta në këtë rreth rrotullim, në të cilin në vitin 2017 kishin humbur jetën 4 persona të së njëjtës familje, është mungesa e ndriçimit dhe shenjat e pa mjaftueshme.

    “Projekti i rreth rrotullimit është projekt i keq, sepse krijon konflikt e fatalitete,  në raste të tilla ne preferojmë që të mos ndërrohet shpejtësia. Zhvillimi i shpejtësisë është njëri nga faktorët e faktor të tjerë janë, ndriçimi i vogël, sinjalizimi jo adekuat, që është në afërsi të rrethit. E po ashtu edhe mbrojtëset e rrugës nuk janë adekuate më shumë kanë rolin e dekorimit”.

    Pa kaluar as një orë nga aksidenti në Lakrishtë, ndodhi edhe një tjetër aksident 5 kilometra larg rrethit të madh në Prishtinë. Aty tre persona mbetën të lënduar pasi vetura përfundoi në njërën nga furrat afër rrethit të Çagllavicës. Por as tek rrethi i Çagllavicës nuk është hera e parë që ndodhin aksidente. Në po të njëjtin vend, në rrugën nacionale Prishtinë – Ferizaj në prill të këtij viti vdiq një 35 vjeçar.

     

  • Shqiptarët, të papunë në Serbi

    Shqiptarët, të papunë në Serbi

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Mungesa e investimeve si dhe diskriminimi në baza etnike, po lë pa punë shumë shqiptar në Luginën e Preshevës. Ata që përfaqësojnë shqiptarët në Serbi, thonë se banorët, si pasojë e papunësisë po detyrohen ta lëshojnë vendin.

    “Ne jemi komuna më e papunësuar në Serbi. Shkalla e papunësisë është dikur rreth 40 deri në 45 për qind”.

    Shqiptarët, të cilët përbëjnë mbi 94 për qind të popullsisë në Preshevë, nuk po arrin të gjejnë vend pune në vendin ku shumë nga ta janë lindur e rritur.

    Qeveria e Serbisë, e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, nuk e ka për synim ta zhvillojë Preshevën, komunën më të re në territorin e saj.

    “Ne bëjmë presion në insitucionet e Serbisë por ata vazhdojnë të mos bëjnë investime këtu dhe i largojnë investitorët”.

    Në Serbi, shqiptarët po hasin vështirësi të gjejnë një vend pune edhe në institucionet publike të vendit.

    “Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë është vetëm simbolik. Shumë më drastik është përfaqësimi jonë në sistemin e gjyqësorit, ku nga 13 prokuror, në një vend me 62 për qind shqiptar që janë në komunën e Bujanocit, janë vetëm tre shqiptar. Marrë parasysh se kjo komunë e mbulon edhe komunën e Preshevës që ka 95 për qind shqiptar”.

    Të dhëna publike nuk posedojnë, por, nga Këshilli Kombëtar Shqiptar pohojnë se Lugina e Preshevës, dita ditës po humbet njerëzit. Shkas për këtë janë pikërisht mundësitë e pakta për punësim.

    “Kuadrot tona po përjashtohen. Ne jemi plotësisht jashtë institucioneve të Serbisë”.

    Sipas kryetarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, këto zhvillime kundër shqiptarëve të Luginës, pasqyrojnë përfundimin e procesit të integrimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

    “Kjo është produkt i ndërprerjes së një procesi që filloi në vitin 2002, pra procesit të integrimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë”.

    Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës po ashtu shprehen kritik edhe me qasjen e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë kundrejt këtyre trojeve. Ndërsa, kritika dhe zhgënjim shprehin edhe për faktorin ndërkombëtar.

     

  • Bullgari, BNB do të emetojë vetëm monedha përkujtimore 2 euro pas ndryshimit të euros

    Bullgari, BNB do të emetojë vetëm monedha përkujtimore 2 euro pas ndryshimit të euros

    Banka Kombëtare Bullgare (BNB) do të lejohet të emetojë monedha përkujtimore vetëm me një emërtim prej 2 euro pas hyrjes së Bullgarisë në eurozonë, e cila është planifikuar për fillimin e vitit 2025. Përveç kësaj, ajo do të jetë në gjendje të emetojë edhe monedha koleksioni , të cilat megjithatë duhet të jenë të prerjes, ngjyrës dhe madhësisë së ndryshme nga monedhat në qarkullim për t’u dalluar prej tyre, ka thënë Banka Qendrore, cituar nga e përditshmja Telegraf.

    Çdo vend që përdor euron si monedhë zyrtare mund të emetojë dy monedha përkujtimore në vit. Këto monedha kanë të njëjtat veçori, veti dhe anë të përbashkëta si monedhat normale 2 euro. Ajo që i bën ata të ndryshëm është dizajni përkujtimor në anën e tyre kombëtare. Vetëm prerja prej 2 euro mund të përdoret për monedha përkujtimore, thuhet në faqen e internetit të Bankës Qendrore Evropiane (ECB).

    Si rregull, çdo vend mund të lëshojë vetëm dy monedha përkujtimore prej 2 eurosh në vit. Përjashtimisht, një monedhë e tretë mund të emetohet, me kusht që të jetë emetuar bashkërisht nga të gjitha vendet e eurozonës dhe përkujton një ngjarje me rëndësi në mbarë Evropën.

    Këto monedha të përbashkëta kanë një dizajn të përbashkët në anën kombëtare, si dhe emrin e vendit emetues dhe ngjarjen e përkujtuar në gjuhën ose gjuhët përkatëse kombëtare. Monedhat përkujtimore 2 euro janë kurs ligjor në të gjithë zonën e euros. Kjo do të thotë se ato mund të përdoren – dhe duhet të pranohen – ashtu si çdo monedhë tjetër euro.

    Shumica e monedhave përkujtojnë përvjetorë të ngjarjeve historike ose tërheqin vëmendjen ndaj ngjarjeve aktuale me rëndësi kulturore. Për shembull, monedha e parë përkujtimore 2 euro u emetua nga Greqia për të festuar Lojërat Olimpike në Athinë në 2004.

    Ndërsa ECB është përgjegjëse për miratimin e volumit maksimal të monedhave që çdo vend mund të lëshojë, duke përfshirë monedhat përkujtimore, dizajni dhe emetimi i tyre mbeten një kompetencë kombëtare, thuhet në faqen e internetit të Bankës Qendrore Evropiane.

    Në dy vitet e fundit, interesi për monedhat përkujtimore të BNB ka qenë i madh. Çdo monedhë e sapoprerë mbaron brenda një ose dy ditësh. Për të përmbushur interesin e lartë, BNB po prezanton një praktikë të re nga viti 2024 – duke vënë në qarkullim deri në katër monedha përkujtimore ari në vit, të cilat nuk kanë prerje të paracaktuar. Dizajni i përgjithshëm i anës së pasme është vendosur të përdorë ikonën e Hyjlindëses Molla e Artë, e rekomanduar nga Sinodi i Shenjtë. Kjo ikonë e Nënës së Zotit daton nga shekulli i 17-të dhe ruhet në kishën në lagjen Gorni Voden të Asenovgradit.

    Monedhat e para të arit pa emetim të paracaktuar do të dalin në janar 2024. Katër monedhat e “Shën Virgjëreshës Mari – Molla e Artë” do të emetohen në fillim të çdo viti kalendarik, me ndryshimin e vetëm të vitit të emetimit në anën e përparme. Në fund të vitit do të ndërpritet prerja dhe do të shpallet prerja përkatëse për katër llojet e madhësive të ndryshme./BTA-KosovaPress/

  • Hovenier: Vlerësojmë përpjekjet e Rashiqit për kthimin e serbëve në Kosovë

    Hovenier: Vlerësojmë përpjekjet e Rashiqit për kthimin e serbëve në Kosovë

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, njofton se sot e ka takuar ministrin serb të Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, i cili drejton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

    Hovenier është ndalur te detyrat e Rashiqit për kthimin e serbëve në Kosovë, duke thënë se i vlerësojnë përpjekjet e tij dhe të ekipit të tij për çështjen e kthimi të serbëve që duan të kthehen.

    “Takim i mirë me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Rashiq. I vlerësojmë përpjekjet e ministrit dhe ekipit të tij për të përkrahur të gjithë ata që cilët duan ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për kthim në kushte të dinjitetshme dhe të sigurta”, thuhet në postimin në llogarinë e Ambasadorit, në Twitter.

    Hovenier tutje ka shkruar se çështja e kthimit “mbetet një prioritet i lartë për Shtetet e Bashkuara dhe partnerëvë tanë”.

  • Krasniqi: Mërgata mbështetja më e madhe për Kosovën

    Krasniqi: Mërgata mbështetja më e madhe për Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në zyrën e tij, kryetarin e degës së PDK-së, në Itali, Patriot Krasniqin, së bashku me ekipin e tij.

    Në një postim në rrjetin e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se PDK-ja po rritet në diasporë, derisa ka theksuar se mërgata ka qenë është dhe do të mbetet mbështetja më e madhe për Kosovën.

    “Mërgata – ka qenë, është dhe do të mbetet mbështetja më e madhe për Kosovën. E, me PDK-në në qeverisje, Kosova do të jetë mbështetja më e madhe për mërgatën tonë, kudo që ata jetojnë!”, ka shkruar Krasniqi.

  • Kurti mirëpret zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, flasin për avancim të marrëdhënieve

    Kurti mirëpret zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, flasin për avancim të marrëdhënieve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, që po shoqërohej nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili dhe këshilltari i Presidentit Erdogan, Sabri Demiri.

    Në komunikatën për media bëhet e ditur se në këtë takim “u konfirmua përkushtimi për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve tashmë shumë të mira ndërmjet dy shteteve”.

    “Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, në çdo fazë të shtet-formimit, shtet-ndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar se mirëpritet bashkëpunimin me kabinetin e ri të Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan”, thuhet në komunikatën për media.

    Bëhet e ditur se krahas tyre, kryeministri Kurti njoftoi delegacionin turk, të udhëhequr nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Bozay edhe për procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën në katër komunat në veri.

    Fuqizimi i raporteve në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe shëndetësisë, dhe planet e përpjekjet e dy palëve për të krijuar një forum ekonomik të përbashkët, ishin po ashtu prej temave kryesore të diskutimit të sotëm, thuhet po aty.

  • Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë

    Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë

    Rreth orës 13:00 në rrugën rrugën “Xhevë Lladrovci” në Prishtinë ka pasur të shtëna me armë zjarri.

    Zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha se nuk ka persona të lënduar, ndërsa i dyshuari është në kërkim të policisë.

    “Sot rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Xhevë Lladrovci” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të peronit të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e policisë”, tha Ahmeti.

  • Aktakuzë për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve kundër ish nën-kryetarit të Komunës së Kllokotit

    Aktakuzë për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve kundër ish nën-kryetarit të Komunës së Kllokotit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet S.M. ish nën-Kryetar i Komunës së Kllokotit, për shkak se u vërtetua dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ e sanksionuar me nenin 210 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

    Prokuroria Speciale njofton se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri,

    “S.M. në bashkëkryerje me të dënuarin B.D. dhe persona të tjerë, ka kanosur seriozisht qytetarët e nacionalitetit serb të Komunës së Kllokotit, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore të zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura me datë 14 shkurt 2021, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuar politike, me kërcënimin se do ti largonin nga puna, ashtu që i dënuari B.D. në cilësinë e Kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik ‘’Lista Serbe’’, kurse i pandehuri S.M. në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota për subjektin politik me numër 129 ‘’ Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq’’”, njofton prokuroria.

    Çështja ka kaluar në kompetencë të gjykatës për procedurë të mëtutjeshme, kurse gjatë kësaj faze të procedurës i pandehuri mbrohet në liri, thuhet në njoftim.

  • Mafia shqiptare shtrin “duart” në politikën belge, gjyqtari: Po pastrojnë paratë në Adriatik

    Mafia shqiptare shtrin “duart” në politikën belge, gjyqtari: Po pastrojnë paratë në Adriatik

    Mafia shqiptare ka depërtuar deri në strukturat shtetërore të Brukselit dhe Antwerpit duke korruptuar policë, gjyqtarë apo edhe politikanë.

    Për këtë po shkruan një libër gjyqtari i njohur belg, Michel Claise.

    67-vjeçari e thotë me plot bindjen se mafia shqiptare po dominon portin e Antverpës në Belgjikë, një pikë strategjike e trafikut të kokainës.

    Por ai thotë gjithashtu se paratë e mafies shqiptare po shkatërrojnë bregdetin e mrekullueshëm shqiptar.

    “Ka dy arsye pse po shkruaj një libër për mafien shqiptare. E para, sepse Shqipëria ushtron një tërheqje të madhe te unë. Është një vend i bukur, me njerëz të mrekullueshëm dhe natyrë të paprekur. I rekomandoj të gjithëve që ta vizitojnë. Dhe mundësisht të mos presin shumë, sepse në bregdetin e Adriatikut po pastrohet një sasi e madhe parash nga krimi. Njeriu bën gjithçka për t’u lejuar të ndërtojë diçka. Bregdeti i mrekullueshëm është nën presion. Ky fakt përputhet plotësisht me arsyen e dytë përse e nisa këtë libër: në jetën time profesionale kam kontakte jo pak me mafien shqiptare. Ajo është e gjithëpranishme dhe e fuqishme në të gjithë Europën, por veçanërisht në Belgjikë“, është shprehur ai.

  • ​Shiu i dendur dhe rrëshqitjet e dheut godasin veriperëndimin e Italisë

    ​Shiu i dendur dhe rrëshqitjet e dheut godasin veriperëndimin e Italisë

    Një shi i dendur ka goditur rajonin veriperëndimor italian të Piemonte, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut pas derdhjes së lumit Merdovine, njoftuan mediat lokale të hënën.

    Për shkak të shirave të dendur në Bardonecchia gjatë natës u lëndua një person dhe pesë të tjerë janë të zhdukur, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve ANSA.

    Megjithatë, zëvendëskryeministri Antonio Tajani deklaroi më vonë në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, se pesë personat e zhdukur janë gjetur.

    Përmbytjet kanë zhvendosur gjithashtu 120 persona, të cilët janë vendosur në një kamp dhe hotele të Kryqit të Kuq Italian.

    Agjencia e re tha se zjarrfikësit kanë bashkuar përpjekjet për të shpëtuar gjashtë persona të bllokuar në një kamping të përfshirë në rrjedhën e ujit.

    Furnizimi me gaz në zonë është ndërprerë për shkak të rrezikut të shpërthimeve, ndërsa raportohet se janë dëmtuar edhe urat në rajon.