ATV

Category: Lajme

  • Katër kosovarë plagosen nga shpërthimi në një motoskaf në Dhërmi

    Katër kosovarë plagosen nga shpërthimi në një motoskaf në Dhërmi

    Katër shtetas të Kosovës janë plagosur të martën në plazhin e Dhërmisë në Shqipëri, për shkak të shpërthimit të një motoskafi në det.

    Policia e Shtetit ka thënë se dyshon se për shkak të vakumit dhe nxehtësisë ka shpërthyer bidoni me 28 litra benzinë në mjet.

    Sipas autoriteteve, djegie kanë pësuar katër kosovarët dhe drejtuesi i motoskafit.

    Të plagosurit nga Kosova janë tre djem të moshës 24 vjeç, dhe një vajzë 21 vjeçe, ndërsa drejtuesi i motoskafit është 32 vjeç, banor i Vlorës, qytet tjetër në Shqipëri.

    Ata tashmë e kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe është thënë të jenë lëshuar nga spitali.

    Për këtë incident është krijuar një grup hetimor, me qëllim të zbulimit të shkakut të zjarrit.

  • Tiranë, Besnik Mujeci i Vetëvendosjes arrestohet për trafikim droge

    Tiranë, Besnik Mujeci i Vetëvendosjes arrestohet për trafikim droge

    Përgatit: Fatlum Jashari

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kryeqytetit, Besnik Mujeci, është një nga pesë të arrestuarit në flagrancë, në një aksion anti-drogë në Tiranë, që rezultoi me sekuestrimin e 5 kg lëndë narkotike ekstazi.

    Për trafikim dhe shpërndarje droge, Policia e Shqipërisë prangosi edhe Mit’hat Ramadanin nga Prishtina, si dhe Kalem Picarin, Ambra Myftarin dhe Daniel Avdiajn, të tre nga Tirana.

    “Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, tha drejtori i Policisë në Tiranë, Tonin Vocaj.

    Rezultatet e hetimeve të Policisë tregojnë se të arrestuarit, duke shfrytëzuar fluksin turistik, bënin dërgesa të drogës nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë, që më pas shpërndaheshin në qytete tjera të Shqipërisë me vetura të marra me qira.

    “Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, tha Vocaj.

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është edhe aksionar komunal në ndërmarrjen publike lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë, nga 8 Qershori kur u emërua nga Kuvendi i Kryeqytetit.

    Më 2021 ai fitoi mandatin e dytë në Kuvendin komunal.

    Të martën, Lëvizja Vetëvendosje inicioi procedurë disiplinore ndaj Mujecit.

    I arrestuari tjetër nga Kosova, Mit’hat Ramadani, është reper lokal në kryeqytet – i njohur ndryshe si DesPoti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Merdarja e ngarkuar, paradite pritjet deri në katër orë

    Merdarja e ngarkuar, paradite pritjet deri në katër orë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Largimi nga Kosova nuk është i lehtë për mërgimtarët që qëndruan në Kosovë për pushime. Kjo jo vetëm nga malli për atdheun, por edhe nga pritjet e gjata posaçërisht në pikë-kalimin kufitar në Merdare.

    Pritjet në kolona për të dalë nga Kosova përmes pikë kalimin kufitar në Merdare, zgjasin deri në rreth katër orë, kurse rreshti i kolonës është rreth një kilometër i gjatë.

    Alban Dautaj i cili po udhëton bashkë me fëmijë të vegjël, nuk është fare i kënaqur me kapacitetet operuese që momentalisht ofron pika kufitare në Merdare.

    “Faktikisht vetëm një sportel po punon, duhet që kur vijmë ne mërgimtarët të jenë funksionale edhe sportelet e tjera. Për vete se kam problem, por, jemi me fëmijë”, tha Dautaj.

    E për mërgimtarë të tjerë pritja nuk është fare problem.

    “Kur shkon në vendlindje ja vlen edhe të presësh…ka pasur raste kur kemi pritur edhe nga tetë orë në pika të tjera kufitare”, tha Sefi Morina, mërgimtar.
    “Jo nuk jemi mërzitur. Jemi kënaq kemi qesh, kemi bërë muhabet dhe kemi dëgjuar muzikë”, tha Ledion Cakaj, mërgimtar.

    Ndërkaq, pos Merdares kolona relativisht të gjata pati edhe në Mutivodë dhe Dheu i Bardhë.

    Ndërkohë policia e Kosovës Për shkak të pritjeve të gjata në Merdar, nëpërmjet një njoftimi ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera me Serbinë siç janë Muqibab, Jarinje, Bernjak dhe Mutivodë në të cilat pika ka më pak pritje e ndërsa në orët e mbrëmjes nuk ka pritje fare në të shumtën e rasteve. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Punonjës të policisë në protestë deri në realizimin e kërkesave

    Punonjës të policisë në protestë deri në realizimin e kërkesave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Rreth 100 punonjës të Policisë së Kosovës përgjatë orarit të punës këtë të martë kanë protestuar.

    Tash e një kohë punëtorët e Flotës Operative dhe ata të Departamentit Mbështetës Operativ janë të pakënaqur me pagat respektivisht me mosrregullimin e vlerës së koeficienteve sipas pozitave.

    Derisa ende nuk ka reagim nga ekzekutivi të punësuarit në polici paralajmëruan se do të vazhdojnë të protestojnë deri në realizim të kërkesave.

    “Nuk janë vetëm këta, janë shumica e punonjësve të policisë. Unë e kam paralajmëruar ekzekutivin për protest por deri më tani nuk ka ndonjë reagim. Me protestë nënkuptohet edhe bojkot i punës”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    Përveç tyre pakënaqësi kanë pothuajse të gjithë punonjësit e Policisë.
    Sipas njohësve të sigurisë kushtet e punës e pagat po e ulin edhe motivin për punë e krejt këto mund të ndikojnë edhe në siguri.

    “ministri i punëve të brendshme është më së miri të jap dorëheqje. Shkak i politikave të kësaj qeverie do të ketë edhe ndikim në sigurinë e vendit. Motivi për punë është zero”, tha Drizan Shala, njohës i sigurisë.

    Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më shumë se 6 muaj më parë ndërsa që nga ajo kohë pjesëtarët e policisë nuk kanë marrë as shtesat për rrezikshmëri.

    Ndërkohë që nga fillimi i vitit deri më tani sipas Sindikatës jo më pak se 50 zyrtarë e staf civilë kanë dhënë dorëheqje vullnetare. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore/ PRSK-ja po e trajton rastin, ende s’ka vendim për nisje të hetimeve

    Dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore/ PRSK-ja po e trajton rastin, ende s’ka vendim për nisje të hetimeve

    Përgatiti: Nora Luta

    Informacionet e publikuara në media rreth dyshimeve për keqpërdorime me rezervat shtetërore të mallrave, nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë, është duke i trajtuar Prokuroria Speciale e Kosovës, një nga prokuroritë më të rëndësishme, juridiksioni i së cilës shtrihet në tërë territorin e vendit.

    Por burime të ATV, i kanë thënë televizionit se ende janë duke grumbulluar prova, e informacione, dhe deri këtë të martë nuk ka një vendim për nisjen e hetimeve, të cilat nuk përjashtohen.

    Sipas juristëve organi i akuzës fillimisht duhet të bëjë mbledhjen e provave, e pastaj të vendos nëse ka bazë për nisjen e hetimeve. Sipas tyre nëse vërtetohen dyshimet e raportuara duhet të ketë hetime për ndërmarrjen e veprimeve që janë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore të mallrave.

    Sipas një incizimi të publikuar, vaji i porositur nga Polonia nuk kishte ardhur edhe pse për të ishin paguar qindra mijëra euro, ndërsa në një tjetër ngritën dyshimet që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë nuk ishte transportuar, dhe për presionet për të nënshkruar pranimin e grurit.

    Ndërsa Ministria ka mohuar raportimet se kishte pasur manipulime gjatë procesit të furnizimit me rezervat shtetërore, duke thënë se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore. Përmes një reagimi në Facebook, kishte thënë se audio incizimet e publikuara janë tendencioze më qëllim denigrimin e figurës së ministres Rozeta Hajdari, e cila disa ditë më pas edhe dorëzoi padi për shpifje ndaj gazetës Nacionale. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Presidentja për reagimet rreth vizitës së Kurtit në Maqedoni të Veriut, keqkuptim që tejkalohet

    Presidentja për reagimet rreth vizitës së Kurtit në Maqedoni të Veriut, keqkuptim që tejkalohet

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Vizita e kryeministrit Albin Kurti, në Maqedoni të Veriut, ngjalli reagime të shumta.

    Madje, presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, bëri thirrje që organizatorët e dy ngjarjeve në Çair dhe Tetovë, të sanksionohen. Mirëpo, presidentja Vjosa Osmani, mendon që vizita e kryeministrit kosovar është keqkuptuar.

    “Kjo besoj që është një keqkuptim i vogël, që kur kemi vullnet të dyja palët, siç e kemi dëshmuar gjithnjë, tejkalohet, duke e ditur që të gjitha institucionet e Kosovës janë të interesuara vetëm për relacione pozitive gjithnjë në rritje me Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

    Presidentja foli edhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që vazhdojnë të mbesin në fuqi, pavarësisht që sipas Osmanit, pala kosovare e ka respektuar marrëveshjen e Bratislavës plotësisht.

    “Nuk është përgjigje që nxitë bashkëpunimin dhe koordinimin , përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut që e qet komplet jashtë binarëve ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë. Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarët e NATOS-. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë”, tha Osmani.

    Teksa përmendi faktin se institucionet përkatëse po punojnë për të krijuar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, presidentja beson se serbët e veriut dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.

    “Unë jam e bindur që qytetarët dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, dhe për këtë jam e bindur nga komunikimet që kemi çdo ditë. Ata dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë, në mënyrë që të kenë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të zgjedhin kryetarët e komunave që e marrin votën e qytetarëve në zgjedhje të lira e demokratike. Mirëpo, deri më tani, unë nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti Vuçiq, që të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët”, tha Osmani.

    Këto qëndrime, presidentja Vjosa Osmani i shpalosi gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dorëzohet i dyshuari për vrasjen në Klinë

    Dorëzohet i dyshuari për vrasjen në Klinë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Pavarësisht përpjekjeve, Policia nuk kishte mundur ta arrestonte Tush Frrokun, të dyshuarin për vrasjen e Anton Prelës në Klinë.

    Për gjetjen e tij, punë nuk kreu as droni i Prokurorisë, derisa Frroku, gjatë ditës është dorëzuar në stacionin e Policisë në Pejë.

    “Tush Frroku gjendet ne Stacion Policor, ku me urdhër te prokurorit te shtetit do ndalohet fillimisht për 48 orë dhe brenda afati ligjor ndaj tij do parashtrohet kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit”, ka njoftuar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

    Ndërkohë, përpjekjet e policisë nuk kanë rezultuar të suksesshme në gjetjen e autorit të vrasjes së 39 vjecarit në një kafene të Prishtinës para 11 ditësh, e as për atë të vrasjes në Runik të Skenderajt.

    Pavarësisht se dy vrasjet u kryen në hapësira publike e në sy të shumë dëshmitarëve, autorët janë ende në arrati.

    Sipas njohësve të drejtësisë, duhet të bëhet më shumë për arrestimin e tyre.

    “Organet e drejtësisë, në rastin konkret Policia, duhet që me intensitetin më të madh t’i kryejnë hetimet, në mënyrë që autorët të sillen para drejtëisë. Cdo moment që kalon, ofron pasiguri për qytetarët tjerë”, tha Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Në rast se autorët kanë arritur të largohen nga Kosova, tentimi për arrestimin e tyre vështirësohet edhe më shumë.

    “Ndodh që vendet që nuk kanë bashkë punim me Kosovën, edhe nëse e arrestojnë, refuzojnë ta esktratojnë meqë kosova nuk është pjesë e Interpolit…”, tha Makshana.

    I dyshuari për vrasjen në Klinë, Tush Frroku ishte dënuar me 11 muaj burgim për tri vepra penale “vjedhje e rëndë”, ndërsa në vitin 2012, ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dorëzohet Tush Frroku i dyshuari për vrasjen në Klinë javën e kaluar

    Dorëzohet Tush Frroku i dyshuari për vrasjen në Klinë javën e kaluar

    Tush Frroku, i dyshuar për vrasjen e Anton Prelës më 7 gusht në Klinë është dorëzuar në Polici.

    Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Tush Frroku gjendet ne Stacion Policor, ku me urdher te prokurorit te shtetit do ndalohet fillimisht per 48 ore dhe brenda afati ligjor ndaj tij do parashtohet kerkesa per cakitimin e mases se paraburgimit”, tha ai.

    Frroku dhe Prela ishin familljarë mes vete.

    “Viktima ishte i martuar me motren e të akuzuarit. Ndërsa edhe ky i fundit, ishte i martuar me motrën e viktimës”, kishte thënë Nikçi disa ditë më parë për Express.

  • Gërmimet në parkun arkeologjik “Ulpiana”, Kurti takon ekipin udhëheqës

    Gërmimet në parkun arkeologjik “Ulpiana”, Kurti takon ekipin udhëheqës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e ministrit, Nora Arapi Krasniqi, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, në përbërje të Christophe Goddard nga Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe arkeolog, dhe Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

    Kryeministri Kurti falënderoi për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa u informua për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.

    “Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, citohet në komunikatë Kurti.

    Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Ministrisë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, dhe Universitetit në Paris, “Ecole Normale Supérieure”.

    “Në korrik të vitit të kaluar ishte nënshkruar vazhdimi i marrëveshjes fillestare të bashkëpunimit nga viti 2017. Projekti ka një shtrirje kohore tre vjeçare dhe buron nga ligji për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 milion euro”, thuhet në njoftim.

    Përmes tij është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike.

    Në fund të komunikatës thuhet se përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

  • ​Kamberi i reagon Vuçiqit: Kushtetuta na lejon të bashkëpunojmë me Kosovën

    ​Kamberi i reagon Vuçiqit: Kushtetuta na lejon të bashkëpunojmë me Kosovën

    Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Aleksander Vuçiq po e paraqet si tentativë për destabilizim bashkëpunimin e shqiptarëve atje me Qeverinë e Kosovës.

    Ai ka theksuar se Kushtetuta e Serbisë e parasheh edhe bashkëpunimin me shtetin amë.

    “Ka disa herë që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, bashkëpunimin tonë institucional me qeverinë e Republikës së Kosovës e paraqet si tentativë për destabilizim dhe ‘krijim të Shqipërisë së Madhe’. Si një ndër të drejtat fundamentale të pakicave, Kushtetuta e Serbisë, e parasheh edhe bashkëpunimin me shtetin amë. Të drejtat janë univerzale. Ato nuk janë mëshirë e shtetit. Njeriu i fiton me lindje. Së paku kështu e thonë teoritë moderne për të drejtat e njeriut”, ka shkruar Kamberi.

    Ai ka thënë se nuk mund të ketë drejtësi dhe paqe afatgjate në rajon duke tentuar të krijohen pakicat apo popujt hyjnorë.

    “Në vend të krimilazimit të kërkesave tona legjitime, shmangies së përgjegjësisë nga tri marrëveshjet e nënshkruara, është koha të reflektosh në realizimin e obligimeve të marra. Të nënshkruara janë. Të kursejmë nga “dhimbja e dorës së djathtë”, ka shkruar Kamberi në Facebook. /KP