ATV

Category: Lajme

  • ​Tre të arrestuarit gjatë bastisjeve në mbajtje për 48 orë

    ​Tre të arrestuarit gjatë bastisjeve në mbajtje për 48 orë

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar biznesmenin Ridvan Muharremi, drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara si dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

    Prokuroria Speciale deklaroi se tre personat e arrestuar dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    Përmes një komunikate për media, PSRK tha se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

    Po ashtu, është konfirmuar se të njëjtët me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

  • KB Trepça përforcohet me basketbollist kanadez

    KB Trepça përforcohet me basketbollist kanadez

    Basketbollisti kanadez, Jordy Tshimanga ka kompletuar kalimin e tij te KB Trepça, për ta nisur karrierën evropiane.

    Tshimanga, i cili luan në qendër dhe është i gjatë 211 centimetra, i bashkohet Trepçës nga kampionati kanadez (CEBL), ku edhe është duke luajtur në serinë e finaleve me ekipin e tij Calgary, raporton KosovaPress.

    KB Trepça e konfirmoi Tshimangan si përforcimin më të ri përmes “Facebook”, ndërsa edhe tregoi karrierën e kanadezit ndër vite.

    “Tshimanga përveç kampionatit kanadez, karrier ka bërë edhe në Venezula.

    Karrieren profesionale e ka nisur në G-League në sezonin 2021/22 me ekipin Cleveland Charge për tu bashkuar pastaj me Iowa Wolves dhe për të vazhduar edhe në sezonin 2022/23.

    Në nivel të kolegjeve, Tshimanga është paraqitur me 2 kolegje të ndryshme, Nebraska Cornhuskers dhe Dayton Flyers”, shkroi Trepça në “Facebook”.

  • ​Lukashenko paralajmëron se Bjellorusia mund të përdorë armë bërthamore në rast “agresioni”

    ​Lukashenko paralajmëron se Bjellorusia mund të përdorë armë bërthamore në rast “agresioni”

    Bjellorusia do të ishte e gatshme të përdorte armët bërthamore të dhëna nga aleati i ngushtë Rusia përballë “agresionit” të huaj, tha të enjten presidenti Aleksander Lukashenko, ndërsa tensionet rriten rreth kufijve të vendit me vendet e NATO-s.

    Minsku ka luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, me Moskën duke përdorur Bjellorusinë si një nga pikat e saj të nisjes për pushtim në fillim të vitit 2022, ndërsa stërvitjet e përbashkëta ushtarake Rusi-Bjellorusi gjatë vitit të kaluar kanë nxitur shqetësimet se trupat bjelloruse mund të bashkohen me forcat ruse.

    Sipas presidentit rus Vladimir Putin, në qershor, kokat bërthamore ruse thuhet se iu dorëzuan Bjellorusisë për “parandalim”, shkruan cnn, transmeton KosovaPress.

    Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve Belta, Lukashenko pohoi se Bjellorusia “nuk do të përfshihej kurrë në këtë luftë” nëse ukrainasit nuk do e kalonin kufirin e saj. Por ai shtoi: “Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Rusinë, ata janë aleati ynë”.

    Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse provokohet – veçanërisht nga vendet fqinje të NATO-s si Polonia, Lituania dhe Letonia – Bjellorusia “do të përgjigjet menjëherë me gjithçka që kemi”, përfshirë armët bërthamore.

    Nuk është e qartë se sa nga arsenali bërthamor i Rusisë u transportua në Bjellorusi kohët e fundit, dhe zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë nuk e kanë konfirmuar publikisht se ndonjë armë është transferuar – megjithëse zyrtarë të lartë nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së (DIA) thanë se nuk kishin “asnjë arsye për të dyshuar” në pretendimin e Putinit.

    Gjatë intervistës, Lukashenko tha se nëse Bjellorusia do të sulmohej, “ne nuk do të vonojmë, të presim, e të tjerë. Ne do të përdorim të gjithë arsenalin e armëve tona për parandalim.”

    “Ne nuk sollëm armë bërthamore këtu për të trembur dikë”, shtoi ai. “Po, armët bërthamore përfaqësojnë një faktor të fortë parandalues. Por këto janë armë bërthamore taktike, jo strategjike. Kjo është arsyeja pse ne do t’i përdorim ato menjëherë nëse do të nisë agresioni kundër nesh.”

    Zyrtarët e lartë të DIA-s thanë në korrik se nuk besojnë se Lukashenko do të kishte ndonjë kontroll mbi arsenalin, i cili me shumë gjasa do të kontrollohej tërësisht nga Rusia.

  • ​Presidentja Osmani nis takimin me kryetarin e Klinës

    ​Presidentja Osmani nis takimin me kryetarin e Klinës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitave nëpër komuna, ka filluar takimin me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

    Pas këtij takimi, pritet që rreth orës 12:40, Osmani dhe Elezaj të flasin për media.

  • Joseph: Amerika po e mbështet autonominë serbe si gur të shenjtë për mbylljen e çështjes së Kosovës

    Joseph: Amerika po e mbështet autonominë serbe si gur të shenjtë për mbylljen e çështjes së Kosovës

    Analisti amerikan i politikës së jashtme Edward Joseph kas reaguar ashpër ndaj siç thotë ai mbështetjes dhe butësisë që po tregohet ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga ndërkombëtarët.

    Sipas tij, dhënia e asociacionit për serbët e Kosovës, pa avancimin e njohjes së Kosovës nga serbët dhe nga aleanca e plotë e NATO-s, është një propozim zor i arritur.

    “Zyrtarët amerikanë mbështesin autonominë serbe si gur të shenjtë për mbylljen e çështjes së Kosovës. Në realitet, dhënia e asociacionit për serbët e Kosovës, pa avancimin e njohjes së Kosovës nga serbët dhe nga aleanca e plotë e NATO-s, është një propozim pothuajse i paarritshëm”, ka shkruar analisti në Twitter.

    Reagimi i tij vjen pas një teksti të publikuar në Foreignpolicy, ku thuhet se Amerika po krijon kriza në Kosovë.

    “Nëse dikush mund ta kuptojë përplasjen e shëmtuar dhe të panevojshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ai është Volodymyr Zelensky. Kërkojini presidentit ukrainas t’u japë rusëve etnikë autonomi dhe Zelensky do të bëjë menjëherë tre pyetje: A do të pranojnë rusishtfolësit që të jetojnë në Ukrainë, jo në Rusi? A do ta njohë Rusia sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës? Dhe a do të na lejojë përfundimisht dhënia e autonomisë të anëtarësohemi në NATO?”, thuhet në hyrjen e këtij teksti.

  • Kurti s’flet për bastisjet: Deklarohemi gjatë ditës

    Kurti s’flet për bastisjet: Deklarohemi gjatë ditës

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar të flasë për bastisjet e policisë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe mundësinë e shkarkimit të ministres Rozeta Hajdari.

    Ai ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të “Thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.

  • Tahiri: Sot do të duhej të kishim shkarkimin e ministres Hajdari

    Tahiri: Sot do të duhej të kishim shkarkimin e ministres Hajdari

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas arrestimeve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nën dyshimin për keqpërdorim me rezerva shtetërore. Ai ka thënë se ministrja Rozeta Hajdari duhet të shkarkohet në mënyrë që të mundësohet një hetim i plotë.

    Tahiri ka shkruar se arrestimet e sotme janë rezultat i punës së mediave dhe Policisë së Kosovës.

    “Arrestimet e sotme vijnë si rezultat i punës së mediave dhe policisë së Kosovës. Andaj, në funksion të mundësimit të një hetimi të plotë dhe ku Qeveria nuk shihet si pengesë, po sot do të duhej të kishim shkarkim të ministres, Hajdari. Fundja, i gjithë ky rast i abuzimit me mjete shtetërore dhe me ligjin, asocohet me emrin dhe nënshkrimin e saj, përderisa sekseri për këtë skandal korruptiv u lidh drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit Kurtit”, ka thënë Tahiri.

    Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, janë arrestuar gjatë një aksioni në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Policia e Kosovës ka arrestuar edhe Ridvan Muharremin në restorantin e tij “Bukë e Zemër”, pas bastisjes që ka filluar në mëngjes.

  • Avokati i Ridvan Muharremit: Gjithçka do të sqarohet

    Avokati i Ridvan Muharremit: Gjithçka do të sqarohet

    Mëngjesin e së premtes restoranti “Bukë e zemër” në pronësi të Ridvan Muharremit si dhe banesa e këtij të fundit është bastisur me urdhër të Prokurorisë Speciale në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në fund të aksionit, është arrestuar edhe vet Muharremi.

    Pas përfundimit të aksionit, ka folur avokati i Muharremit, Mahmut Halimi, i cili tha se nuk ka pasur urdhërarrest për klientin e tij por vetëm urdhër për bastisje. Sipas tij, nuk dihet për çka janë bërë bastisjet por “me siguri” në lidhje me raportimet e mediave për përfshirjen e Muharremit në atë që njihet si “afera e vajit dhe e grurit”.

    “Urdhërarrest nuk ka, ka urdhër për bastisje. Ende nuk ka urdhër të arrestit. Tash klientin e kanë dërguar në Prokurorinë Speciale e më pas vendoset se cili do të jetë epilogu dhe statusi i tij… Ende nuk kemi as dyshime, me siguri se është fjala për lajmet e publikuara rreth importit të sasisë së grurit dhe të vajit, gjegjësisht zejtinit. Për ato do të japim sqarime atje, provat janë të gjithë. Gjithçka do të sqarohet”, tha Halimi.

    Halimi nuk ka pranuar të flas në lidhje me implikimet e mundshme të klientit të tij në transaksionet për vaj dhe grurë por është shprehur se do t’i bëjnë të gjitha publike në momentin kur të përfundojë deklarimi në Prokurorinë Speciale.

    Ai ka shprehur shqetësimet edhe në lidhje me rrjedhën e informatave për bastisjen.

    “Jam i shqetësuar nuk po di nga po vijnë informatat, qysh mbrëmë në ora 23:10 minuta disa persona kanë paralajmëruar prezencën e organeve të hetimeve në shtëpinë e z. Muharremi. Në ora 23:15 minuta mbrëmë qytetari po merr vesh më herët, ose dikush i portaleve, ka kontakte direkte me organin e ndjekjes, me prokurorinë, me policinë, po i merr informatat nga të gjitha dhe po del me lajm para se të ndodhë ngjarja. Kjo nuk guxon me ndodhë”, tha Halimi.

    Halimi nuk zbuloi se çfarë kanë sekuestruar hetuesit por tha se morën gjithçka të cilat mendojnë se iu shërbejnë për procedurë nga restoranti dhe banesa.

    “Si e ka pritur klienti im lajmin për bastisjen? Plotësisht normal, fare i pa shqetësuar për shkak se është fakt se edhe z. Muharremi dhe familjen e tij, them lirisht, shpifjet e tilla e kanë tronditur jashtëzakonisht shumë. Mirëpo i kam miq të shtëpisë, miq të vjetër, i njoh mirë, dhe tanë kohen kemi qenë në koordinim kështu që në një moment kur është kërkuar në Tribunalin e Hagës nga ana e avokatit z. Thaçi unë e kam lejuar, me lejen time, e ka përpiluar një reagim dhe ka dal në opinion para tri ditëve… dhe kemi kërkuar i vetmi organ ku duhet t’i paraqesim provat, faktet dhe të dëshmojmë se bëhet fjalë vetëm për shpifje dhe asgjë tjetër është organi i ndjekjes, prokuroria dhe gjykata, ai është vendi”, tha Halimi.

    Halimi ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ndue Gjinajt, personit i cili deklaroi publikisht se Ridvan Muharremi i kishte kërkuar të gjente disa dëshmitarë të fesë katolike për të dëshmuar kundër ish-presidentit Hashim Thaçi pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kjo deklaratë ishte ngritur edhe nga avokati i Thaçit në seancë gjyqësore gjatë kësaj jave. /KP/

  • ​Zhduket një person në Han të Elezit

    ​Zhduket një person në Han të Elezit

    Një person është raportuar i zhdukur në Han të Elezit, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Vendndodhja nuk dihet prej ditës së mërkurë kur personi thuhet të ketë dalë nga shtëpia.

    “Ankuesi mashkull kosovar me datën 17.08.2023, ka raportuar se viktima femër kosovare – ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori dhe njësitet policore janë duke hetuar rastin”, është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës./KP

  • Pas arrestimeve në MINT, Blerta Deliu kërkon dorëheqjen e Rozeta Hajdarit

    Pas arrestimeve në MINT, Blerta Deliu kërkon dorëheqjen e Rozeta Hajdarit

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas arresimit të dy zyrtarëve të MINT.

    Ajo ka kërkuar dorëheqjen e Rozeta Hajdarit, ministres së MINT.

    “Shoqërimi në polici i Hafizit e Irfanit dhe bastisja e pronave të Ridvan Muharremit për “Aferën Gruri&Vaji” në MINT, kanë kuptim vetëm nëse shkarkohet edhe Rozeta Hajdari”, ka thënë Deliu.