ATV

Category: Lajme

  • Kurti të hënën në Greqi në darkën joformale për të ardhmen evropiane të BP

    Kurti të hënën në Greqi në darkën joformale për të ardhmen evropiane të BP

    Kryeministri Albin Kurti do të marr pjesë në një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor që do të organizohet nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Lajmi u bë i ditur nga mediat greke.

    Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, ndërsa nuk bëhet e ditur nëse kjo është për shkak të ashpërsimit të gjuhës për rastin e kryetarit të Himarës, Fredi Beleri.

    Agjencia e lajmeve ANA – MPA, raporton se nisma e kryeministrit Mitsotakis për të ftuar të hënën më 21 gusht në orën 20:15 liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Mansionin Maximos për një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, nënvizon rolin e Greqisë si shtyllë për stabilitetin, paqen dhe sigurinë energjetike në Ballkan dhe në Evropën Juglindore.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis diçka që është sa thelbësore dhe simbolike.

    Përpos Kurtit, nga liderët rajonalë do të marr pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, presidenti malazez, Jakov Milatoviç, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe presidenti serb, ish-ministri i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.

    Në darkën joformale do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve që janë anëtare të BE-së si kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe i Rumanisë Ion-Marsel Ciolacu.

  • Komuna e Vushtrrisë blen autoambulancë të re për QKMF-në

    Komuna e Vushtrrisë blen autoambulancë të re për QKMF-në

    Komuna e Vushtrrisë ka blerë një autoambulancë të re për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Ferit Idrizi, me anë të një postimi në Facebook.

    “Me qëllim të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, si komunë kemi blerë një autoambulancë të re për QKMF-në e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e tij.

    Idrizi po ashtu bëri të ditur se automjeti në fjalë ka vlerën e 57 mijë eurosh.

     

  • Reagon MINT: Mirëpresim hetimet, nuk ka ndodhur asnjë dëm në rezerva shtetërore

    Reagon MINT: Mirëpresim hetimet, nuk ka ndodhur asnjë dëm në rezerva shtetërore

    Ministria e Rozeta Hajdarit, ka reaguar pas arrestimeve të sotme në MINT. MINT ka theksuar se mirëpret këtë hetim, ndonëse kanë shtuar se furnizimet me rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin.

    Sot janë arrestuar tre persona në lidhje me aferën e grurit dhe vajit, të cilat i publikoi kohë më parë gazeta Nacionale. Në mesin e të arrestuarve është edhe Ridvan Muharremi, pronari i furrës/restoranit “Bukë e Zemër”.

    Reagimi i plotë:

    Sot, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, erdhën njësia hetuese e Prokurorisë Speciale, me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontroll në zyret e dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Drejtorit të Departmentit për rezervat shtetërore, z. Hafiz Gara dhe Drejtorit të Deparmentit të integrimeve evropiane, z.Irfan Lipovica.

    Për më tej Prokuroria Speciale ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to.

    Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i lut mediat që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria dhe siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi.

    Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës.

  • OBSh-ja po e vëzhgon nga afër një variant të ri të koronavirusit

    OBSh-ja po e vëzhgon nga afër një variant të ri të koronavirusit

    Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane, kanë thënë të premten se janë duke e vëzhguar nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndonëse ndikimi i tij potencial nuk dihet.

    OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh (më shumë se 30) të mutacioneve që bart”, është thënë në buletinin e kësaj organizate për pandeminë.

    Deri më tani, varianti i ri BA.2.86, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë, po ashtu, se janë duke e vëzhguar variantin.

    Shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, duke thënë se koronavirusi nuk është më aq i ashpër dhe nuk ia vlen barra qiranë – veprim që është dënuar nga OBSH-ja, duke bërë thirrje për më shumë monitorim.

    Në periudhën e fundit raportuese, në periudhën 17 korrik – 13 gusht, janë regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të reja me koronavirus, bashkë me mbi 2.300 vdekje, sipas një deklarate të OBSH-së.

    Kjo shifër e infektimeve përbën rritje prej 63 për qind, në krahasim me periudhën paraprake 28-ditore, përderisa shifra e viktimave është 56 për qind më e vogël.

    Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

    Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

    Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL/

  • Rukiqi: Vjedhja e rezervave shtetërore u bë me vendim qeveritar, dorëheqja e Hajdarit e padiskutueshme

    Rukiqi: Vjedhja e rezervave shtetërore u bë me vendim qeveritar, dorëheqja e Hajdarit e padiskutueshme

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se vjedhja e rezervave shtetërore është bërë me vendim qeveritar, raporton Ekonomia Online. Rukiqi pohoi se dorëheqja e Rozeta Hajdarit është e padiskutueshme.

    Rukiqi mbajti konferencë për medie, në lidhje me arrestimin e tre personave për shkak të skandalit të grurit dhe vajti.

    Sipas tij, pushteti i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka treguar zell për kapjen e shtetit.

    “Dua të theksoj që ky rast është pjesë e mozaikut të gjerë të sistemit korruptiv dhe kriminal i vendosur nga VV-ja. Ky pushtet ka treguar në një anë pa aftësi të kashtë zakonshme për me qeverisë nga ana tjetër ka treguar zell për kapjen e shtetit. Ky nuk është vetëm rast korruptiv gjitha element na qojnë deri të një niveli i mirë”.

    “Qeveri Kurti me vendim ju ka bërë më të lehte dhe të shpejt për vjedhjen e grurit këtyre akterëve… Dorëheqje për ministre nuk mjafton ajo duhet që të jep përgjegjësi tekë organet e rendit. Dorëheqja. I bëjmë thirrej pushteti që të mos ndikoj në hetimet. Do të angazhohemi që të krijojmë komisionin hetimore në kuadër të parlamentit në lidhje me këtë rast”, tha ai.

    Ai i pyetur se a do ta përkrahin mocionin e AAK për rrëzimin e Qeverisë, Rukiqi tha se LDK-ja është e angazhuar çdo ditë që të ketë zgjedhje të reja, por jo me format që tani janë në tavolinë.

    “Ne e kemi thënë, nuk është çështje a duhet të ketë zgjedhe apo jo. Duhet që të shkohet me opsioni që është i sigurti, qytetar duhet që të ja japin përgjigjen kësaj qeverie. Rruga që në po angazhohemi është ta kalojmë krizën që jemi, ne vendi do t’i sjellim qeverisje përmes rrugës se re. Ne angazhohemi çdo ditë që të kemi zgjedhje më shpejt por jo në format që tani janë në tavolinë”, tha ai.

  • ​Osmani nuk komenton arrestimet e sotme: Të pritet epilogu i këtij rasti

    ​Osmani nuk komenton arrestimet e sotme: Të pritet epilogu i këtij rasti

    Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është deklaruar sot lidhur me arrestimin e tre personave nën dyshimin për keqpërdorim detyrës zyrtare për rezervat shtetërore. Sipas saj, duhet pritur epilogu i këtij rasti.

    Kështu deklaroi ajo gjatë një konference për media me rastin e vizitës në Komunën e Klinës.

    “Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Dhe, në këtë moment, nga informatat që kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”, tha Osmani, përcjell kp.

    Policia e Kosovës i ka arrestuar në mëngjesin e së premtes tre persona nën dyshimet për kryerje të veprave “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Po ashtu, PK ka kryer bastisje në MINT, në banesën e biznesmenit Ridvan Muharremi, për të cilin është raportuar në media se është “njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti”, si dhe lokalin e tij “Bukë e zemër”.

  • Rashiq: Policët serbë që u dorëhoqën u kërcënuan, shënjestruan e u fyen

    Rashiq: Policët serbë që u dorëhoqën u kërcënuan, shënjestruan e u fyen

    Ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pasi që tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, një muaj pasi e kanë marr detyrën.

    Sipas Rashiqit ata e kanë filluar dhe përfunduar “karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve”.

    Sipas tij nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet e tilla të paktën njëherë.

    “Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar”, thuhet në reagimin e ministrit Rashiq.

    Ai u ka thënë pjesëtarëve të rinj serb të Policisë së Kosovës se se di se çfarë po kalojnë ata dhe familjet e tyre.

    “Një brigadë mercenarësh të pashpirt na ndjek me detyrën për të vjedhur planet dhe ëndrrat tona … Mund të mos ju njoh personalisht, por më besoni e njoh mirë metodologjinë mizore të punës së tyre dhe e di se sa e vështirë është të qëndrosh i ndërgjegjshëm dhe i moralshëm në kushtet jo normale dhe jo morale që na imponohen me dhunë”, thuhet në reagimin e tij.

    “Nga sot, dua t’ju premtoj se do të jem me ju me të gjithë kapacitetin tim personal dhe institucional. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…”, thuhet në reagimin e Rashiqit.

  • Vendimi i Qeverisë që çoi në burg Ridvan Muharremin

    Vendimi i Qeverisë që çoi në burg Ridvan Muharremin

    Me datë 26 shkurt të vitit 2022, Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim që të anashkalohet ligji i prokurimit dhe të bëhen negociata direkte.

    Ky vendim është marrë pas kërkesës së Departamentit të Rezervave Shtetërore, që të mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit.

    “Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore – Ministria e Industrisë, Ndërmmarrësisë dhe Tregtisë, që t’u mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Paparaci.

    Tutje, në vendim thuhet se MINT është e obliguar ta zbatojë këtë vendim, që ka nënshkrimin e kryeministrit Kurti.

    Ligji për prokurimin ka për qëllim të siguroj mënyrën më efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, si dhe të gjitha burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese në Kosovë duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen, procedurat që do të ndiqen, të drejtat që do të respektohen dhe detyrimet që do të përmbushen nga personat, operatorët ekonomik dhe organet publike që zhvillojnë, përfshihen, marrin pjesë ose interesohen, në aktivitetet e prokurimit ose që përfshihen ose kanë të bëjnë me fondet dhe/ose burimet e tilla.

    Përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, duke shfrytëzuar jotransparencën, i ka mundësuar Muharremit që të bënte dallavere me blerjen e vajit dhe grurit që ishte të destinuar për Kosovë, që dyshohet se nuk ka ardhur asnjëherë.

    Kohë më parë Nacionale kishte publikuar një përgjim në të cilin dy zyrtarë të kësaj ministrie flisnin për këtë aferë. Ata e përmendnin edhe Ridvan Muharremin, një të afërm të kryeministrit Albin Kurti të cilit në një moment i referohen edhe si “dallaverxhi”.

    Kompania polake prej të cilës ishte blerë vaji për Rezervën Shtetërore i cili dyshohet që nuk ka ardhur asnjëherë në Kosovë quhej Xanto dhe ajo nuk ishte lajmëruar më.

  • Këto janë pajisjet shtëpiake efiçiente që do të subvencionohen nga ME

    Këto janë pajisjet shtëpiake efiçiente që do të subvencionohen nga ME

    Sistemet diellore për ngrohjen e ujit, rrobalarëset, enëlarëset dhe frigoriferët, janë pajisjet shtëpiake efiçiente të radhës të cilat do të subvencionohen për të gjithë qytetarët nga Ministria e Ekonomisë. Megjithatë, lehtësira, do të ketë për familjet nën asistencë sociale dhe për prindërit vetushqyes.

    Kështu u tha në lansimin e “Thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se fokusi i Qeverisë është edhe rritja e efiçencës së energjisë.

    “Fokusi ynë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese, ne paralelisht jemi duke bërë punë edhe në rritjen e efiçencës së energjisë. E Kjo nuk është veç ulje e konsumit, efiçrenca e energjisë përveç që ndikon në uljen e kostos financiare për familjet dhe ekonominë tonë, ajo gjithashtu ndikon në reduktimit e emetimit të gazrave dhe uljen e importit të energjisë elektrike, pra mjedisë më të shëndetshëm për të gjithë dhe kursim të buxhetit të shtetit që është i të gjithëve. Këtë qëllim e ndajmë me miqtë dhe partnerët tanë të cilët kanë ndarë 75 milionë euro për Republikën e Kosovës, në përballje me pasojat me pasojat e krizës energjetike evropiane. Kjo pako ka vlerën më të lartë për kokë banori në rajon”, tha ai.

    Kurti tha se një javë më parë është lansuar thirrja e dytë e Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë për subvencionimin e qytetarëve për investimin në efiçencë të energjisë, e që është ende e hapur dhe synon t’i mbështes rreth 2 mijë qytetarë.

    “Sot po lansojmë masën e tretë me radhë, subvencionimin e pajisjeve shtëpiake për familje me fokus në përkrahjen e qytetarëve në mbështetje të asistencës sociale dhe të prindërve vetushqyes. Këto masa vinë si vazhdimësi e punës që kemi bërë si qeveri për të rritur investimet në efiçencë të energjisë, krahas punës që kemi bërë për vendosje të objektivave ambicioze në strategjinë tonë të energjisë…kjo skemë që po lanësojmë sot e me ato që do të prezantojmë në javët në vijim, do të mbështesim edhe 20 mijë familje e do të rrisim edhe më tej efiçencën e energjisë në vendin tonë”, tha ai, duke shtuar se vitin e kaluar kanë mbështetur mbi 9 mijë familje për paisje të efiçencës së energjisë.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se këtë vit ministria që drejton do të zbatojë programin e efiçencës i cili kap shifrën prej 15 milionë euro, përmes së cilës synohet të përfitojnë së paku 20 mijë qytetarë, derisa sa dha detaje edhe për dy thirrjet e para që lansuan sot.

    “Për pajisje shtëpiake, rrobalarëse, enëlarëse, frigorifer dhe sisteme diellore për ngrohjen e ujit. Ndërsa me të tjera do të vazhdojmë gjatë javëve në vijim…. sivjet për herë të parë në Kosovë, do të investohen rreth 30 milionë euro në investime në sektorin rezidencial, që është shuma më e madhe që është investuar ndonjëherë në këtë sektor“,tha ajo.

    Kurse, Alessandro Bianciardi nga zyra e BE-së në Kosovë, inkurajoi familjet e Kosovës që t’i adaptojnë masat kursyese, pasi benifitet janë të shumfishta.

    “BE mbetet e përkushtuar që ta mbështes Kosovën në rrugën për një energji të pastër, dekarbonizimin dhe një sigurime më të mirë me energji të ripërtrishme që janë esenciale për një zhvillim të qëndrueshëm“, tha ai.

    Përndryshe, në këtë konferencë u tha se ME do t’i mbështes familjet me pajisje ngrohëse efiçente, pajisjeve elektor shtëpiake me efiçente të lartë dhe instalimin e sistemeve të energjisë së ripërtrishem.

    Masa e pesetë do ta vazhdojmë me mbështetjen e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme dhe përfshinë vlerën prej 5 milionë euro.

    Për rrobalarëse, ME do të subvencionojë gjithë qytetarët në vlerë prej 200 euro. Kurse, për prindërit vet ushqyes subvencionimi bëhet në vlerën 300 euro. Ndërsa, për familjet nën asistencë sociale subvencionimi bëhet deri në 400 euro. Kriter për aplikim që duhet të përmbushet për të gjitha pajisjet, është që konsumi mujor i energjisë elektrike të jetë 250 kilovat orë për 10 muajt e fundit.

    Për enëlarëse, ME për të gjithë qytetarët do të subvencionojë 150 euro. Për prindërit vetushqyes 250 euro dhe për familjet nën asistencë sociale 300 euro.

    Për frigorifer, ME do të subvencionojë është 100 euro për qytetarët, 150 për prindërit vetushqyes dhe 200 euro për familjet nën asistencë sociale.

    Për sistemin diellor, ME do të subvencionojë 40 % të vlerës së investimit, por jo më shumë se sa 1000 euro.

  • ​PDK pas arrestimeve në MINT, kërkon shkarkim dhe hetim të ministres Hajdari

    ​PDK pas arrestimeve në MINT, kërkon shkarkim dhe hetim të ministres Hajdari

    Partia Demokratike e Kosovës pas arrestimit të Ridvan Muharremit dhe dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nën dyshimin për keqpërdorim të rezervave shtetërore, kërkon shkarkimin dhe hetimin edhe të ministres, Rozeta Hajdari.

    Sekretari për organizim dhe zgjedhje në PDK, Betim Gjoshi, gjatë një konference për media, ka thënë se Ridvan Muharremi nuk është thjeshtë një sipërmarrës, por, përveç se mik i Kryeministrit, është personi përgjegjës, i cili me bekimin e Albin Kurtit dhe emërimin e Rozeta Hajdarit, është marrë me furnizimin e rezervave shtetërore të Kosovës.

    “Ridvan Muharremi është personi i cili në emër të Kryeministrit dhe me lejen e tij, përveç se është marrë me biznese të ndryshme, edhe të armëve, ka kërkuar edhe gjetjen e katër dëshmitarëve katolikë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë. Ridvan Muharremi, miku i Kryeministrit, si person i autorizuar nga Rozeta Hajdari jashtëligjshëm sepse nuk i ka plotësuar kriteret, në emër të furnizimit me rezerva shtetërore, paratë e buxhetit të shtetit i ka dhënë ndërsa mallin nuk e ka marrë asnjëherë – duke i shkaktuar qindramijëra euro dëme vendit”, ka thënë Gjoshi.

    Sipas tij, sot, para se gjithash, përgjegjësia politike, publike por edhe penale, bie mbi Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    “Kryeministri Albin Kurti, urgjentisht, sot, menjëherë, duhet që ta shkarkojë nga detyra Ministren Hajdari, për t’i hapur rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa herë, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, ka thënë tutje Gjoshi.

    Ai shtoi ka thënë se është fatkeqësi që kryeministri Albin Kurti rrethohet me njerëz të tillë, të cilët çdo ditë e më shumë po arrestohen dhe përfshihen nëpër skandale të mëdha.

    “Pas përfshirjes së ambasadorit Martin Berishaj në aferën e madhe të tregtimit të energjisë, arrestimit të shefit të KEK-ut Nagip Krasniqi dhe arrestimit të zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes për trafikim me drogë, Besnik Mujeci – Ridvan Muharremi është miku i katërt me radhë i Kryeministrit Albin Kurti i cili arrestohet dhe dyshohet për keqpërdorim taksave të qytetarëve tanë. Është fatkeqësi e madhe që Kryeministri i vendit tonë rrethohet dhe ka për miq të afërt këtë strukturë të njerëzve: Hajnat e energjisë, trafikantët e drogës dhe hajnat e bukës së gojës”, ka thënë Gjoshi.

    Në fund të konferencës, Gjoshi ka thënë se kjo Qeveri ka humbur çdo legjitimitet dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

    “Prej aferave me energjinë, koordinimit me Radojçiqin, trafikimit të drogës nga zyrtari i tyre i lartë e deri te hajnia me rezervat e shtetit – janë skandale të cilat këtë qeverisje e karakterizojnë vetëm në një mënyrë: Skandaloze! Të dëmshme! Të paaftë! Prandaj, sot, është prioritet shtetëror që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme dhe mandati t’u kthehet qytetarëve. Kosova ka nevojë për një qeverisje të re, kredibile, të aftë dhe e cila rikthen prosperitetin e normalitetin në vend”, ka përfunduar Betim Gjoshi.