ATV

Category: Lajme

  • Hulumtuesja amerikane: Vuçiqi dëshiron vetëm paratë e BE-së, s’e do anëtarësimin

    Hulumtuesja amerikane: Vuçiqi dëshiron vetëm paratë e BE-së, s’e do anëtarësimin

    Hulumtuesja amerikane, Ivana Stradner, ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por paratë e tij.

    Sipas Stradner, Vuçiq e do vetëm rrugën drejt BE-së pasiqë ka nevojë për para në mënyrë që të mbijetojë në politikë.

    Këto komente Stradner i bëri në rrjetin social “X” ku ka bërë share shkrimin e kryetarës së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kishte shkruar rreth takimit që kishte pasur në Athinë me Vuçiqin.

    “Rruga në BE apo anëtarësim në BE?

    Vuçiq dëshiron rrugën drejt BE-së, sepse ai ka nevojë për paratë tuaja për mbijetesën e tij politike.

    Ai nuk dëshiron anëtarësimin në BE”, ka thënë Stradner.

    Ndërsa der Leyen ka shkruar se me presidentin serb ka folur “për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së”.

    “Kam folur me presidentin Aleksandër Vuçiq për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Integrimi më i ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është jetik, veçanërisht përballë luftës ruse kundër Ukrainës”, ka thënë der Leyen.

  • Jasharaj për blerjen e librave nga prindërit: Shokuese, halle e stres edhe për mësimdhënësit

    Jasharaj për blerjen e librave nga prindërit: Shokuese, halle e stres edhe për mësimdhënësit

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, tha se deklarata e ministres së Arsimit Arbërie Nagavcit se prindërit do të detyrohet që t’i blejnë vet librat është shokuese.

    Jasharaj i tha Ekonomia Online, se me pagat që prindërit kanë një pjesë shumë e madhe e tyre nuk do kenë mundësi t’i blejnë librat për fëmijët e tyre.

    Sipas tij, edhe mësimdhënësit do jenë të ngarkuar emocionalisht e do të kenë halle e stres për këtë shkak.

    Jasharaj tha se ishin në pritje të një propozimi më të mirë, por krejt çka i’u servua doli të jetë mosfurnizim me libra nga MAShTI.

    “Deklarata e saj ka qenë goxha shokuese, kur them shokuese, për ne posepo sepse ne përfaqësojmë mësimdhënësit dhe ata në ditët e para të mësimit do të jenë në halle e do të jenë në stres, madje do të jenë të ngacmuar edhe emocionalisht ngase një pjesë e nxënësve do t’i blejnë librat sepse prindërit e tyre kanë më shumë mundësi ndërsa një pjesë tjetër do ta kemi pa tekste shkollore. Duke i krahasuar dy konferencat për media të zonjës Nagavci sepse ajo nuk ka takime me SBAShK-un, nuk pranon takime edhe pse ne disa herë kemi kërkuar takime që të bisedojmë jo vetëm me MAShT-in por të jemi bashkë edhe drejtoritë komunale të arsimit edhe prindërit edhe asociacioni i komunave, të shohim se çfarë po bëjmë bashkë me shkollën në Kosovë e cila është në gjendje goxha të vështirë”.

    “Ajo nuk ka pranuar të takohet dhe duke i krahasuar dy konferencat për media, i falënderoj mediat të cilat së paku ato po na mundësojnë të dimë çfarë po thotë ministrja jonë. Kemi parë dy dallime në deklarata. Deklarata e parë që ne e kundërshtuam ishte nga klasa e parë deri në të pestën libra falas dhe do të shpërndahen nëpër shkolla, ndërsa nga klasa e gjashtë në të nëntën le të gjinden si të duan mësuesit me ato librat e vjetra. Ne pritëm diçka më të mirë në konferencën e djeshme, e ndodhi një lajm shokues ku ajo thotë se ka telashe se gjoja shtëpitë botuese i kanë ngritur çmimet pa pritur e pa kujtuar dhe ua la tërë barrën në ditët e fundit prindërve të cilët do të presin se shtëpitë botuese a do t’i dërgojnë librat në librari dhe këta me ato pak paga që i kanë besoj një pjesë e madhe e prindërve do të ndihen në siklet sepse nuk kanë mundësi të blejnë libra sepse nuk janë përgatitur për këtë sfidë”, u shpreh Rrahman Jasharaj.

    Jasharaj konsideron se i vetmi fajtor për këtë situatë është Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,.

    Ai shtoi se përderisa në shtetet e tjera mikpriten pajisjet digjitale, projektorët e laptopët, në Kosovë sipas Jasharajt duhet të llogaritur nëse do të ketë libra falas.

    Ai, mosbashkëpunimin me Ministrinë e sheh si shkollë e mendësi të vetë kryeministrit Albin Kurti, sepse sipas Jasharajt është pikërisht ai që nuk ka dashur të takohet me sindikatat, e i ka injoruar e linçuar këto të fundit.

    “Dhe unë e kam thënë dhe po e them se i vetmi fajtor për këtë situatë është MASHT-i, gjegjësisht zonja Nagavci dhe kabineti i saj ngase me ditë e me muaj kishin punuar një ligj e një projektligj për tekstet shkollore, kishin paraparë në publik edhe tekste digjitale sa për tu lavdëruar, dhe në fund jo që nuk patëm tekste digjitale, por ja që në shekullin 21 në shtetet e tjera i duartrokasin kur i dërgojnë më shumë laptopë e më shumë projektorë ndërsa ne kemi ardhë në një situatë që të gëzohemi nëse zonja Nagavci e ndërron qëndrimin e saj dhe thotë ja mëshira ime po thotë që disa libra do t’i falim dhe disa të tjera jo, pra është një veprim i pamatur, i papjekur dhe e tregon edhe një herë se zonja Nagavci ka dëshirë të veprojë ashtu siç i teket pa komunikuar me palët e tjera dhe unë e pashë edhe kryetari i Këshillit të Prindërve që reagoi, e reagoi edhe z.Sazan i cili është drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, pra shkolla fillore dhe të mesme është pjesë e komunave dhe duhet të pyetemi dhe të diskutojmë të gjitha palët siç ka qenë dikur traditë kur para fillimit të vitit shkollor jemi ulur mbase edhe jemi përplasur e kritikuar por gjërat i kemi bërë bashkë, dhe jemi munduar t’i bëjmë bashkë”.

    “Zonja Nagavci nuk do bashkëpunim, i ikë dialogut dhe kjo është shkollë si duket edhe e kryeministrit Kurti i cili kështu i ka shkolluar sepse edhe ai kurrë nuk ka pasur dëshirë që të takohet me sindikatat madje i ka injoruar e madje i ka quajtur edhe me fjalë ofenduese, cinike e ironike”, tha Jasharaj për EO.

  • OKB: Mbi 200 ish-zyrtarë afganë të vrarë që kur talebanët morën pushtetin

    OKB: Mbi 200 ish-zyrtarë afganë të vrarë që kur talebanët morën pushtetin

    Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Afganistan tha më 22 gusht se më shumë se 200 ish-anëtarë të ushtrisë, forcave të zbatimit të ligjit dhe qeverisë së Afganistanit janë vrarë që kur talebanët morën pushtetin në vend, përkundër vendimit për amnisti.

    Misioni i OKB0-së në Afganistan (UNAMA) tha në një raport se kishte regjistruar të paktën 218 vrasje jashtëgjyqësore që nga marrja e pushtetit në Afganistanit nga talebanët në mes të vitit 2021 e deri në qershor të këtij viti.

    “Në shumicën e rasteve, individët u arrestuan nga forcat e sigurisë de fakto, shpesh për një kohë të shkurtër, përpara se të vriteshin”, thuhet në raportin e UNAMA-s.

    Udhëheqësit e lartë të talebanëve kanë thënë se ish-zyrtarët e qeverisë dhe ish-anëtarët e ushtrisë do të amnistohen me urdhër të liderit të tyre suprem.

    Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga talebanët tha në përgjigje të UNAMA-s se nuk kishte marrë raporte për ndonjë rast të mosrespektimit të urdhrit për amnisti dhe se çdo rast që kishte ndodhur do të hetohej.

    Rreth gjysma e vrasjeve të regjistruara nga UNAMA ndodhën në katër muajt e parë pasi talebanët morën pushtetin, ndërsa forcat e huaja të përkrahura nga SHBA-ja po tërhiqeshin në gusht të vitit 2021, ndërsa 70 raste u regjistruan gjatë vitit 2022.

    “Për shumicën e shkeljeve të përmendura në këtë raport, ka informacion të kufizuar në lidhje me masat e marra nga autoritetet de fakto për t’i hetuar incidentet dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës”, tha UNAMA, duke iu referuar administratës talebane.

    “Mosndëshkimi i dukshëm përmes të cilit anëtarët e autoriteteve de fakto vazhdojnë të kryejnë shkelje të të drejtave të njeriut ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë ish-ushtrisë është një shqetësim serioz”, thuhet tutje në raport.

    Në total, UNAMA ka regjistruar 800 incidente të shkeljeve të të drejtave të njeriut të lidhura me talibanët ndaj ish-punonjësve të qeverisë dhe ushtrisë, duke përfshirë arrestime arbitrare, zhdukje më forcë dhe torturim.

    Shumica ishin kundër ish-anëtarëve të forcave të sigurisë dhe policisë, tha misioni.

    Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga talibanët tha se udhëheqësi i tyre suprem kishte lëshuar urdhrin për amnisti dhe një urdhër tjetër kundër torturimit dhe keqtrajtimit të njerëzve në paraburgim.

    “Asnjë personel ushtarak i administratës së mëparshme nuk është arrestuar, ndaluar apo torturuar për shkak të aktiviteteve të tij në institucionet e sigurisë”, thuhet në deklaratën e tyre, e cila është pjesë e raportit të OKB-së.

  • Michel: E rëndësishme zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE

    Michel: E rëndësishme zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate për në BE është e një rëndësie të madhe, veçanërisht për sa i përket mosmarrëveshjeve që lidhen me të drejtat e pakicave, vuri në dukje presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas darkës së udhëheqësve në Athinë.

    Më konkretisht, ai nënvizoi se zgjerimi është një proces i dyanshëm.

    “Vendet kandidate duhet të reformojnë, por edhe BE-ja duhet të përgatiten. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe është parësore, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e pakicave”, ka thënë ai, shkruan ana-mpa, transmeton KosovaPress.

    Bëhet e ditur se sipas të njëjtit, takimi joformal në Athinë ishte një rast i mirë për të diskutuar zgjerimin me partnerët, ndërsa u theksua se mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës mbetet e palëkundur.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nënvizoi se debati për zgjerimin është shumë i ndezur dhe ne duhet momenti.

    “Qëllimi nuk është vetëm zgjerimi, por edhe BE-ja të bëhet më e fortë”.

  • ​Rritet papunësia, ASK: Dy të tretat e popullsisë në moshë pune

    ​Rritet papunësia, ASK: Dy të tretat e popullsisë në moshë pune

    Rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë ose 1 milionë e 173 mijë e 978 janë popullsi në moshë pune, kurse 56 mijë e 520 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Ndërkaq, persona aktivë ishin 29 mijë e 508 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kurse persona joaktivë ishin 27 mijë e 10 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore për tre mujorin e katërt 2022 (TM2022), persona të punësuar ishin 8 mijë e 789 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Po ashtu në raportin thuhet se persona të papunësuar ishin 38 mijë e 298 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas ASK-së shkalla e papunësisë në vend është 11.8% në TM4 2022 ose 1 për qind më e lartë se në TM3 2022 sa ishte 10.8%.

    “Shkalla e papunësisë në Kosovë 11.8%, ndërsa, rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë (1 173 978) janë popullsi në moshë pune (56 520 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak). Persona aktivë ishin 29 508 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Persona joaktivë ishin 27 010 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Persona të punësuar ishin 8 789 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Persona të papunësuar ishin 38 298 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Po ashtu sipas ASK-së përqindja e meshkujve të punësuar ishte 4,1% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse, përqindja e femrave të punësuara ishte 0,3% më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak).

    “Shkalla e punësimit ishte 2,3% më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (-7,2%) sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kurse tek të rinjtë (15-24 vjeç), shkalla e papunësisë ishte më e ulët për (-15,6%) sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaftë e lartë (61,5 %), duke u rritur me 0.6 përqind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.

    “Shkalla e joaktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar 78.8 %, krahasuar me meshkujt, 44.2 %”, thuhet në raport.

    Tregtia, ndërtimtaria dhe arsimi prijnë me punësim

    Sipas ASK-së, sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 18,7%, ndërtimtaria 12,1%, arsimi me 10,3%, administrata publike dhe mbrojtja me 9,2%, prodhimi me 8,2%, etj.

    “Femrat ishin të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 55,2% të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, prodhimit, si dhe në sektorët e aktivitetit për akomodim dhe shërbim me ushqim, me 62,6%”, thuhet në raport.

  • Gjermania, vendi më i kërkuar nga kosovarët

    Gjermania, vendi më i kërkuar nga kosovarët

    Kanë mbetur edhe katër muaj kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Perëndimit.

    Nga janari i vitit të ardhshëm, Kosova edhe zyrtarisht do të jetë vendi i fundit në Ballkan që nuk do të vuajë më regjimin me viza.

    Por pavarësisht kësaj, numri i atyre që dëshirojnë të pajisen me vizë turistike, pune e familjare, vazhdon të jetë i lartë.

    Madje, sipas një përgjigjeje elektronike të Ambasadës gjermane në Prishtinë, dhënë për RTK-në, vetëm në vitin 2022 kjo ambasadë ka lëshuar në përgjithësi 73,686 viza.

    “Në vitin 2022, Ambasada gjermane i ka lëshuar 48,937 viza Shengen për nënshtetas të Kosovës, të cilët dëshirojnë të qëndrojnë në Gjermani përkohësisht me qëllim të turizmit, afarizmit etj, dhe 17.479 viza nacionale, ndër to 9.309 viza pune (përfshirë viza për shkencëtarë, trajnime profesionale, praktika, punë vullnetare). Ndërkohë, janë lëshuar edhe 7,270 viza me qëllim të bashkimit familjar për nënshtetas kosovarë të të gjitha moshave”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

    Se kosovarët kanë përbërë numrin më të madh në botë të atyre që kanë kërkuar ta kenë një vizë nga ky shtet, e tregon edhe kjo përgjigje.

    “Në po të njëjtin vit, Ambasada gjermane në Prishtinë ka qenë një nga ambasadat gjermane në mbarë botën e cila ka lëshuar më së shumti viza”.

    Qytetarët vazhdojnë të aplikojnë për një vizë në këtë vend.

    Në zyrën e aplikimit për vizë pune të Austrisë në Prishtinë, Astrit Ismaili nga Vitia e kishte sjellë shokun e tij që të aplikojë këtu. Ai tha se pothuajse të gjithë shokët e kanë marrë rrugën e Perëndimit.

    E njëjta situatë është edhe te Qendra e Aplikimit për Viza në Zvicër e Britani të Madhe.

    Megjithatë, një anketë e realizuar nga SchengenVisaInfo.com zbulon se 62.3 për qind e të anketuarve kosovarë, të cilët janë kryesisht nga mosha 25 deri në 34 vjeç, thonë se nuk mendojnë të transferohen në BE, krahasuar me 37.7 %, të cilët thonë të kundërtën, se planet e tyre janë që një ditë të largohen nga Kosova.

  • ​Deklarata e Athinës, ja çka përmban

    ​Deklarata e Athinës, ja çka përmban

    Njëmbëdhjetë liderë të vendeve të Ballkanit, përfshirë Greqinë në takimin në Athinë, shprehën “mbështetje të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit” përballë agresionit rus, të hënën mbrëma.

    Pas një darke joformale të mbajtur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, 11 liderët lëshuan Deklaratën e Athinës në të cilën ranë dakord gjithashtu se “nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera” dhe thanë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi, shkruan amna, transmeton KosovaPress.

    Në prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ata theksuan “rëndësinë e vendosjes (…) të një objektivi për plotësimin e vizionit të një BE-je të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë”.

    Deklarata e Athinës:

    Ne, presidenti Aleksandar Vuçiq, presidentja Maia Sandu, presidenti Volodymyr Zelenskyy, presidenti Jakov Milatovic, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, kryeministri Ion-Marcel Ciolacu, kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Krishna, kryeministri Dimitar Kovachevsky, kryeministri Nikolai Denkov dhe kryeministri Andrej Plenkoviq lëshuam sot në Athinë, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, njëzet vjet pas Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Selanik, deklaratën e mëposhtme:

    1. Pushtimi rus i Ukrainës është një moment kyç për Evropën, duke krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian. Ligjet dhe parimet që kontribuan në një rend sigurie të qëndrueshme dhe të parashikueshme evropiane për kaq shumë kohë janë shkelur dhe ne jemi dëshmitarë të shfaqjes së efekteve katastrofike të revizionizmit.

    2. Përballë agresionit rus, ne shprehim mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

    3. Në diskutimet tona sot në Athinë, ne shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për përpjekjet e zellshme të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në përcaktimin e parimeve për paqen në përputhje me Kartën e OKB-së, në Formulën e tij të Paqes. Ne mirëpritëm gjithashtu përpjekjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të promovuar një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

    4. Ne ramë dakord se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera, siç janë sulmet kundër civilëve dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.

    5. Njëzet vjet më parë, Samiti i Selanikut pranoi se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ne besojmë fuqishëm se sot kjo deklaratë mbetet më e rëndësishme se kurrë. Lufta e përshkallëzuar e agresionit kundër Ukrainës zbuloi nevojën urgjente për një BE të fortë, elastike dhe gjithëpërfshirëse si një gur themel i paqes dhe prosperitetit midis popujve tanë gjatë këtyre kohërave sfiduese.

    6. Theksuam se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, gjeografikisht ngjitur me Shtetet Anëtare të BE-së, kanë një trashëgimi të përbashkët evropiane, histori dhe një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Si një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, është e rëndësishme që këto rajone të përqafohen si anëtarë të plotë të familjes evropiane.

    7. Sot në Athinë diskutuam rrugën përpara, për ta bërë realitet këtë vizion të Evropës. Ne nënvizuam rëndësinë për t’i vendosur vetes një objektiv për plotësimin e vizionit të një BE të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Ne nënvizuam nevojën për një proces zgjerimi të ri-energjizuar dhe të ri-fokusuar që të jetë i qartë dhe i besueshëm, pa rrugë alternative më të shkurtra për kushtet e vendosura. Ne shprehëm angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën dhe Moldavinë për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e tyre të anëtarësimit sapo të kenë përfunduar reformat e nevojshme.

    8. Ne besojmë fuqishëm se 20 vjet pas Samitit të Selanikut dhe në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, ka ardhur koha për të miratuar një qëllim përfundimtar të guximshëm dhe ambicioz që do të shërbejë si udhërrëfyes, frymëzim dhe kontekst.”

  • Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

    Analisti amerikan dhe ligjëruesi i Universitetit të “Johns Hopkins”, Edëard Joseph ka folur për takimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq. Ai ka paralajmëruar Zelenskyn se do të dëgjojë shumë marrëzi për gjoja ‘neutralitetin’ serb ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.

    Ai i ka kërkuar po ashtu Zelenskyt që të mos bjerë në grackën e përpjekjes për të kërkuar mbështetjen e Vuçiqit, në takimin e tyre kokë më kokë.

    “Marrëdhënia e Vuçiqit me Rusinë – dhe fuqia e tij – mbështetet në izolimin e Kosovës. Si Rusia ashtu edhe Serbia e shfrytëzojnë Kosovën për të mbështetur agresionin kundër vendit tuaj. Në të vërtetë, ministri i Mbrojtjes i Vuçiqit – dhe kreu i partisë së tij politike – sapo fajësoi promovimin perëndimor të pavarësisë së Kosovës për pushtimin e Rusisë në vendin tuaj. Këtu hyn Ukraina”, ka thënë analisti amerikan në rrjetin social “X”, shkruan KosovaPress.

    Sipas tij, marrëdhëniet Beograd-Moskë prishen kur asnjë kryeqytet nuk mund ta izolojë Kosovën.

    “Njohja e Kosovës nga Kievi do të katalizojë 4 shtetet jonjohëse të NATO-s që të ndjekin shembullin. Siç e dini, rruga për anëtarësimin në NATO është çelësi. Pasi të përfundojë izolimi ruso-serb i Kosovës, është fundi i lojës për sharadën e Vuçiqit. Beogradi do të ketë vetëm një opsion: atë që ju dhe qytetarët tuaj e keni zgjedhur, të mirëpresë dhe pranojë NATO-n dhe BE-në. Një zgjidhje përfundimtare dinjitoze e çështjes së Kosovës do t’i shkaktojë një goditje të madhe Putinit”, ka shkruar ai mes tjerash.

    “President Zelensky, ji i gatshëm të dëgjosh shumë marrëzi për “neutralitetin” serb ndaj agresionit rus kundër vendit tënd. Siç e dini, e vetmja gjë më e keqe se neutraliteti është neutraliteti i rremë. Serbia jo vetëm që refuzon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi shpërfill hapur politikën e BE-së duke mirëpritur mediat RT dhe Sputnik, duke përkrahur narrativat pro-ruse në të gjithë rajonin. Vuçiq ka lënë në krye të inteligjencës bashkëpunëtorin e Rusisë, të sanksionuar nga SHBA, Vulinin”, ka shkruar Joseph.

    Sipas tij, Vuçiq dhe Vulin e dinë me siguri se sa municione serbe shkojnë në Ukrainë.

    “A e dini se sa municione serbe mbërrijnë në Rusi? Presidenti dhe kryeministri serb pranojnë se votat për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë Rusinë kanë të bëjnë me ruajtjen e pretendimit të Serbisë ndaj Kosovës – nuk kanë të bëjnë me solidaritetin me Ukrainën. Serbia anashkaloi Samitin e Platformës së Krimesë me më shumë se 40 vende, duke ekspozuar ‘shqetësimin’ mashtrues për sovranitetin e Ukrainës. Serbia ka dyfishuar naftën ruse, duke ndërtuar një tubacion të ri me Hungarinë. Nëse vendi juaj, Ukraina, përfundon tranzitin e gazit rus në Hungari, Beogradi do ta zëvendësojë atë me gazin rus. E shikoni? Serbia ruan marrëdhëniet e saj energjetike me Rusinë, ashtu si Vuçiç e ruan marrëdhënien e tij me Putinin. Dikush që është ‘neutral’ do të kishte qëndruar i qetë gjatë kryengritjes së Ëagnerit; në vend të kësaj, Vuçiç përkrahi “reagimin e vendosur, të qartë dhe me vullnet të fortë” të Putinit, duke pretenduar se vetëm Putini mund të kishte pasur sukses. Nuk është çudi që Rusia gëzon mbështetje në Serbi”, ka shkruar ai.

  • LDK-ja kërkon dorëheqjen e Nagavcit: Për blerjen e librave nga prindërit buxheti mund të shkojë mbi 2 milionë €

    LDK-ja kërkon dorëheqjen e Nagavcit: Për blerjen e librave nga prindërit buxheti mund të shkojë mbi 2 milionë €

    Kryetarja e forumit të gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, pasi që Ministria kë thënë se tekstet shkollore duhet të blihen nga prindërit e më pas do të rimbursohen.

    “Paaftësia e Qeverisë ka bërë që të ngarkohen prindërit për blerjen e librave. Ministria në emër të kursimit të buxhetit, ka zgjedhur një variant që do të jetë më i kushtueshëm për buxhetit, kjo do të shkaktojë buxhet shtesë”.

    “Shuma mund të shkojë edhe më shumë se 2 milionë sa është paraparë, kjo nuk është kursim, por është paaftësi. Qeveria ka dështuat të sigurojë buxhetin dhe ka vendosur për një metodë të komplikuar. Ky diskurs është mashtrim dhe dëmton shumë qytetarët. Do te ketë vonesa me furnizim me libra dhe do të ketë konfuzion për familje dhe fëmijët, do të pengohet edhe zhvillimi i mësimit. Kjo Qeveri e kanë degraduar sistemin e arsimit në mënyrë eklatante. Kërkojmë dorëheqjen e ministres Nagavci për shkelej dhe krijimin e anarkisë në sistemin e arsimit”.

  • Policia jep detaje për aksidentin ku vdiq një grua në Drenas

    Policia jep detaje për aksidentin ku vdiq një grua në Drenas

    Një grua ka vdekur dje si pasojë e një aksidenti në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit.

    Sipas policisë, gruaja që ka vdekur ka qenë pasagjere në veturë.

    Po ashtu lëndime trupore kanë pësuar edhe drejtuesja e veturës, dhe pasagjerët tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare.

    “Fsh. Qikatovë e Vjetër, Drenas 21.08.2023 – 12:10. Është raportuar se një veturë civile të cilën e drejtonte një femër kosovare është vet-aksidentuar. Si pasojë e aksidentit lëndime vdekjeprurëse ka pësuar pasagjerja femër kosovare, po ashtu lëndime trupore kanë pësuar edhe drejtuesja e veturës, dhe pasagjerët tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa të lënduarit tjerë janë dërguar në tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.