ATV

Category: Lajme

  • ​Falja e 100 eurove tatim, AKK e dërgon Ligjin në Kushtetuese

    ​Falja e 100 eurove tatim, AKK e dërgon Ligjin në Kushtetuese

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin që mundëson faljen e 100 eurove tatim.

    Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë e Ligjit për tatimin në pronë e kanë bërë drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

    Kryetari i Prizrenit, Totaj, theksoi se kjo është ndërhyrje në kompetencat e komunave dhe se me këtë ligj do të humbin miliona euro.

    Totaj theksoi se bashkë me kërkesë për ligjshmëri kanë kërkuar edhe masë sigurie për këtë Ligj dhe se presin nga Kushtetuesja që atë ta shpallë të kundërligjshëm.

    Këtë veprim të komunave, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur të kotë.

    Ai në reagimin e tij në Facebook ka shkruar se krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”.

    “Po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin. Sidoqoftë, edhe ky veprim i tyre është i kotë. Por kjo nuk pin ujë. Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023”, ka shkruar Murati.

  • Aksident i rëndë mes dy veturave në hyrje të rrugës së Gadimes në Lipjan

    Aksident i rëndë mes dy veturave në hyrje të rrugës së Gadimes në Lipjan

    Një përplasje e rëndë ka ndodhur në hyrje të rrugës së Gadimes në Lipjan, ku janë përfshirë dy vetura.

    Në vendngjarje kanë mbërritur njësitet policore dhe ambulanca, të cilët aktualisht po merren me rastin.

    Sipas burimeve të ATV-së, nuk raportohet për viktima. Megjithatë, ende nuk ka informacione për shkallën e lëndimeve të pësuar nga personat e përfshirë në këtë aksident.

    Për më shumë detaje, ATV do të ju informojë me kohë.

  • Murati iu reagon komunave që e çuan në Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë

    Murati iu reagon komunave që e çuan në Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pasi Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe kryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, e kanë çuar sot në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për Tatimin në Pronë.

    Murati e ka cilësuar një lëvizje të tillë si “potez të kastës së vjetër politike”, që sipas tij duan të fshihen pas Gjykatës Kushtetuese, me arsyetimin se janë për zbritje të tatimit në pronë por që ligji është bllokuar nga Kushtetuesja.

    Por Murati thotë se një gjë e tillë s’ka efekt meqë thotë se ligji i ndryshuar është në fuqi dhe secila komunë ka mundësinë të vendos nëse dëshiron të falë një pjesë të tatimit më së largu deri më 15 shtator 2023.

    Reagimi i plotë:

    Për ligjin që e kishin miratuar vetë më 2018, ligj i cili parashihte vlerësimin e pronave sipas tregut, dhe që parashihte që përveç tatimit në objekte, të fillonte edhe të llogaritej tatimi në tokë me 100% të vlerës në vitin 2023, tentuan t’ia hedhin fajin qeverisë sonë.

    Thanë se qytetarit po i vihej barrë e papërballueshme, dhe se po të ishte në dorën e tyre, do ta letësonin këtë barrë.

    Qeveria Kurti e bëri këtë të mundur duke miratuar ndryshimin e Ligjit për Tatim në Pronë, ashtu që secila komunë të kishte mundësinë të falte faturat deri në 100 euro për vitin 2023, për të gjithë tatimpaguesit.

    Dhe, çfarë bëjnë tash ata që para 6 muajsh “qanin hallin e qytetarëve”?

    E dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese.

    Pra, po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin.

    Sidoqoftë, edhe ky veprim i tyre është i kotë.

    Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”.

    Por kjo nuk pin ujë.

    Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023.

  • Komuna e Graçanicës merr vendimin për faljen e 100 eurove tatim për qytetarët

    Komuna e Graçanicës merr vendimin për faljen e 100 eurove tatim për qytetarët

    Kuvendi Komunal i Graçanicës ka vendosur t’ua falë deri 100 euro tatim të gjithë banorëve të kësaj komune.

    Kjo është bërë e ditur nga nënkryetari i Komunës, Leutrim Ajeti, i cili ka thënë se vendimi në Kuvendin Komunal është marrë me shumicë votash.

    “Kuvendi Komunal sot me shumicë votash ka miratuar vendimin për faljen e tatimit në pronë në përputhje me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”, ka njoftuar Ajeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërkohë, sot, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme si dhe ka kërkuar masën e sigurisë.

    Ndaj kësaj ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke e quajtur të kotë dërgimin e Ligjit në Kushtetuese për faktin se i njëjti ligj tashmë është në fuqi derisa komunat kanë kohë deri më 15 shator të vendosin nëse do t’ua falin ose jo deri 100 euro tatim qytetarëve./BetimipërDrejtësi

  • Presidentja Osmani vizitë zyrtare në Shqipëri më 4 shtator

    Presidentja Osmani vizitë zyrtare në Shqipëri më 4 shtator

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë më 4 shtator Shqipërinë me ftesë të Presidentit Bajram Begaj.

    Osmani do të pritet me një ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës.

    Pas takimit është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp e dy homologëve, siç ka bërë të ditur Presidenca e Shqipërisë.

    Kjo është vizita e parë e Presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit Bajram Begaj mori detyrën.

    Vizita e kreut të shtetit të Kosovës vjen pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë dhe refuzimit që kryeministri Albin Kurti i bëri kryeministrit Rama në takimin informal me liderët e rajonit gjatë muajit korrik.

  • Kryeministri Kurti e viziton “Panairin e Rinisë”

    Kryeministri Kurti e viziton “Panairin e Rinisë”

    Kryeministri Albin Kurti, e ka vizituar “Panairin e Rinisë”, raporton EO.

    Ai ka vizituar të gjithë të rinjtë pjesëmarrës në Panair.

    Panairi u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të agjendës shtetërore të Muajit të Rinisë 2023, në bashkëpunim me UNICEF në Kosovë.

  • Trupi i Prigozhin identifikohet nga gishti i prerë, mediat ruse: Ishin vendosur dy bomba në avion

    Trupi i Prigozhin identifikohet nga gishti i prerë, mediat ruse: Ishin vendosur dy bomba në avion

    Teksa ishin ngritur dyshime nëse Yevgeny Prigozhin ndodhej në avionin privat që u rrëzua mes Moskës dhe Shën Petërsburgut duke e lënë të vdekur së bashku me nëntë persona të tjerë, në një kanal rus është deklaruar se trupi i liderit Wagner tashmë është identifikuar nga gishti dallues gjysmë i prerë në dorën e majtë.

    Prigozhin kishte humbur një pjesë të gishtit të tij gjatë vuajtjes së dënimit në një burg, raportoi kanali rus VChK-OGPU në Telegram.

    Në të njëjtën kohë, ai shtoi se një komandant i lartë i organizatës paraushtarake e njohu trupin nga ky dëmtim, si dhe nënkryetarin e tij, Dmitry Utkin, nga tatuazhet e tij.

    Megjithatë, ndërkombëtarisht, nuk është ende e qartë nëse Prigozhin dhe disa nga togerët e tij janë vrarë dhe nëse kjo është bërë në shenjë “hakmarrjeje” për kryengritjen që filloi në qershor duke sfiduar autoritetin e Presidentit Putin.

    Një zyrtar amerikan i paidentifikuar tha se ishte “shumë e mundshme” që Prigozhin të ishte shënjestruar, ndërsa Ministria Britanike e Mbrojtjes tha se nuk kishte “asnjë provë të qartë”, por ishte “jashtëzakonisht e mundshme” që ai të ishte vrarë.

    Raportime për dy bomba pranë tualetit të avionit

    Ndërkohë, dy media ruse me burime sigurie brenda Kremlinit pohuan se një ose dy bomba mund të jenë vendosur në aeroplan. Në raporte të pakonfirmuara, pretendohej se bombat ishin vendosur në pjesën e pasme të avionit, pranë tualetit.

    Kjo u nxit nga postimi i stjuardesës Kristina Raspopova, 39 vjeç, e cila postoi në rrjetet sociale përpara se avioni të ngrihej se fluturimi i saj ishte vonuar për shkak të “riparimeve” të minutës së fundit.

    Kështu, mendohej se mjetet shpërthyese ishin vendosur gjatë kësaj periudhe, por kjo nuk është konfirmuar.

    Prodhuesi i avionit, megjithatë, pohoi se nuk janë bërë riparime në këtë avion të veçantë që nga viti 2019.

  • Puthi në buzë futbollisten, jep dorëheqje kreu i Federatës së Futbollit të Spanjës

    Puthi në buzë futbollisten, jep dorëheqje kreu i Federatës së Futbollit të Spanjës

    Luis Rubiales ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit pasi puthi në buzë futbollisten Jenni Hermoso pas finales së Kupës së Botës.

    Incidenti shkaktoi reagime të shumta, me shumë aktivistë të të drejtave të njeriut që e akuzuan Rubiales për keqpërdorim të pozitës së tij si president dhe ngacmim seksual ndaj futbollistes.

    Rubiales më vonë kërkoi falje, por kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se kërkim-falja nuk mjaftonte.

    “Ajo që pamë ishte një gjest i papranueshëm, por faljet e zotit Rubiales gjithashtu nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë as adekuate, dhe për këtë arsye ai duhet të vazhdojë të ndërmarrë hapa për ta sqaruar atë që ne të gjithë pamë në media”, tha Sanchez të martën.

    Victor Francos, ministri i Sportit i Spanjës dhe presidenti i Këshillit Sportiv të vendit (CSD), tha se këshilli do të ndërmerrte veprime nëse një gjë të tillë nuk e bën RFEF-ja, duke e ngritur çështjen në Gjykatën Administrative të Sporteve të Spanjës.

    “Unë mendoj se ajo që njerëzit përgjegjës do të bëjnë është të bisedojnë me dy palët e përfshira dhe ta lëshojnë një raport. Unë personalisht i kam thënë federatës se ky raport duhet të jetë transparent dhe urgjent, sepse, nëse nuk është, padyshim që ne jemi të detyruar t’i marrim masat përkatëse shtesë”, tha Francos për mediumin Cadena Ser.

    Disa tifozë të futbollit dhe zyrtarë i kanë bërë thirrje Rubialesit që të jepte dorëheqje shkaku i incidentit. Por, mediat spanjolle raportuan më 23 gusht se një gjë e tillë nuk ka të ngjarë të ndodhë.

    Hermoso tha në një postim në rrjetet sociale se “nuk i pëlqeu” puthja, por në një deklaratë të lëshuar më vonë e mbrojti presidentin e Federatës duke thënë se ata kishin një marrëdhënie të mirë dhe se incidenti ishte një “gjest reciprok krejtësisht spontan” gjatë festimit të titullit.

    Spanja e mposhti Anglinë me rezultat 1:0 në finalen e Kupës së Botës, duke u bërë kampione botërore për herë të parë në botë.

  • Gërxhaliu: Nga funksionalizimi i Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë do të goditet më së shumti diaspora

    Gërxhaliu: Nga funksionalizimi i Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë do të goditet më së shumti diaspora

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka thënë se me funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora.

    Në një postim në Facebook, Gërxhaliu e ka quajtur eksperiment një gjë të tillë, e se sipas tij mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.

    “Kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit pasojat mund të jenë të dëmshme”, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi i plotë:

    Nga funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora

    Çdo eksperiment me sistemin e drejtësisë mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.

    Kjo vjen në shprehje sidomos kur mungon dialogu i mirëfilltë në mes të akterëve relevant brenda një shteti.

    Kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit pasojat mund të jenë të dëmshme.

    Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe funksionalizimi i saj me ketë form siç po prezentohet dhe në këtë kohë do të jetë një goditje direkte për diasporën dhe mërgimtarët.

    Kontributi i diasporës është i pakontestuar dhe në këtë drejtim duhet kuptohet e vërteta se përmes bankave dhe institucioneve financiare dërgohet një pjesë e madhe për Kosovën, por pjesa më e madhe e parave nga diaspora vijnë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë që është tre fishi i asaj që dërgohet në forma bankare.

    Kemi një diasporë punëtore e cila punon shumë jashtë orarit të punës dhe ndoshta nga dy punë vetëm për qëllimin e ndihmesë dhe investimeve në Kosovë.

    Investimet më të mëdha të diaspos janë në patundshmëri dhe është një pjesë e parave ndoshta mund edhe të jetë fituar jashtë orarit të punës.

    Të gjitha këto që i thashë më lart mund të kenë efekte negative në qoftëse kërkohet deklarimi i origjinës së parave ku diasporës mund t’i verifikohen edhe paratë nga organet e shtetit ku veprojnë dhe jetojnë.

  • Prindërit ankohen për mosfunksionim të platformës e-Kosova

    Prindërit ankohen për mosfunksionim të platformës e-Kosova

    Në platformën e-Kosova sot është publikuar linku në të cilin prindërit mund të aplikojnë për subvencionim të teksteve shkollore për fëmijët nga klasa 1-5 dhe 6 -9.

    Por përkundër kësaj prindër të shumtë janë ankuar se nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak se sipas tyre, faqja nuk po funksionon.

    Ndryshe, Ministria e Arsimit të enjten mbrëma ka njoftuar se do të ndajë 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, dhe nga 30 euro për nxënësit e klasave 6-9.