ATV

Category: Lajme

  • Shtyhet edhe për dy javë afati për lirimin e ndërtesës së komunës në Mitrovicën e Veriut

    Shtyhet edhe për dy javë afati për lirimin e ndërtesës së komunës në Mitrovicën e Veriut

    Komuna e Mitrovicës së Veriut sot ka marrë vendim që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.

    Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

    Sipas tij, sot inspektorati do të ua kumtoj vendimin palëve për shtyrjen e afatit deri në 14 ditë.

    Ndryshe, afati për lirimin e ndërtesës së Komunës në Mitrovicën e Veriut kishte përfunduar sot.

    Komuna e Mitrovicës së Veriut pati sqaruar se afati për lirim të objektit është tri ditë. Komunës nuk i është ofruar dokumentacion mbi bazën e të cilit është shfrytëzuar ky objekt.

    “Afati prej 3 ditësh përfundon ditën e premte, data 25.08.2023. Vendimi i kryetarit do të zbatohet nga zyrtarët e komunës së Mitrovicës Veriore”, thuhej në vendimin e para tri ditësh të kryetarit Atiq.

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për largimin e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.

    Për rastin ka reaguar edhe Bashkimi Europian.

    Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha për media më 24 gusht se “ne jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale“.

    Ai i ka përsëritur kërkesat që të ketë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, dhe që kjo çështje të adresohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    “Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe“ tha ai.

    Stano i përsëriti qëndrimet e mëhershme të BE-së se zgjedhjet komunale në veri të Kosovës, edhe pse ishin zhvilluar sipas kornizës ligjore të Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, nuk dhanë zgjidhje afatgjate.

    “Është e ëndësishme që të organizohen sa më parë zgjedhje inkluzive lokale në të cilat serbët e Kosovës do të marrin pjesë pa parakushte”, nënvizoi ai.

    Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

    Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryetarët shqiptarë kanë marrë pushtetin në fund të majit, ndërsa në ndërtesat komunale kanë hyrë me ndihmën e policisë.

  • Statistikat ndërkombëtare: Shqipëria në 10 shtetet kryesore me papunësinë më të madhe të të rinjve

    Statistikat ndërkombëtare: Shqipëria në 10 shtetet kryesore me papunësinë më të madhe të të rinjve

    “Ne nuk kemi lekë as për bukë e mos të flasim për deti. Detin ua kemi lënë italianeve, serbëve dhe rusëve…Kush ka para bën qejf në vendin tim. Ne po ikim për ditë të mira, për t’i ushqyer fëmijët tanë..” thotë i riu porsadiplomuar Kastriot Rama për gazetën zvicerane Le Canton27.ch.

    “World of Statistics” ka publikuar së fundmi vendet me numrin më të lartë të papunësisë tek të rinjtë.

    Në pesë vendet e para, Afrika e Jugut renditet në krye me 62.1%, Nigeria u rendit e dyta me 53.4%, ndërsa Spanja, 27.4%, Suedia: 24.9% dhe Serbia: 24.9%, sipas Botës së Statistikave.

    Ndërkohë Shqipëria renditet e teta me 22.5% të shkallës së punësisë tek të rinjtë.

    Ndërsa vendet me numrin më të ulët të papunësisë tek të rinjtë janë Koreja e Jugut: 6.1%, Hong Kongu: 5.5%, Japonia: 4.2%, Kazakistani: 3.6% dhe Zvicra me 1.8%.

  • Policia konfiskon një armë në një aheng familjar në Vushtrri, arrestohet një 38-vjeçar

    Policia konfiskon një armë në një aheng familjar në Vushtrri, arrestohet një 38-vjeçar

    Në Stacionin Policor në Vushtrri, dje (e enjte) rreth orës 19:40 është pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në rrugën ,, Dëshmorët e kombit” në Vushtrri, me ç’rast i arrestuar ka mbetur një 38-vjeçar.

    Njësitë policore kanë arritur ta identifikojnë lokacionin ku kishte një aheng familjar, ku kanë konfiskuar edhe armën e zjarrit.

    “Në cilësi të provave materiale nga i dyshuari është konfiskuar një arma e llojit ‘Zoraki’. Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar i dyshuari S.Ll., 38 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “ Përdorim i armës”.

  • Postoi video me armë, shoqërohet në Polici 29-vjeçari

    Postoi video me armë, shoqërohet në Polici 29-vjeçari

    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Kaçanik, pasi i njëjti kishte postuar në rrjete sociale një video ku shihej duke përdorur një armë.

    Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se 29-vjeçari pas intervistimit nga policët hetues është liruar për procedurë të mëtejme hetimore, ndërsa arma është konfiskuar.

    “Stacioni i Policisë në Kaçanik ka pranuar një informacion se një person në rrjetin social ‘TikTok’, ditë më parë kishte shpërndarë një video, ku shihej duke e përdorur një armë. Policët hetues të stacionit në Kaçanik i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet, ndërsa kanë arritur që me datën 24.08.2023 rreth orës 23:00 të identifikojnë personin e dyshuar F.M (M/K) i moshës 29 vjeçar, i cili është shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit është liruar për procedurë të rregullt të mëtejme hetimore, ndërsa arma ( pistoletë) është konfiskuar”, thuhet në njoftim.

    Rasti është cilësuar “Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armëve – përdorimi armës”.

  • Zjarret në Greqi, 79 persona të arrestuar për zjarrvënie

    Zjarret në Greqi, 79 persona të arrestuar për zjarrvënie

    Autoritetet greke kanë bërë 79 arrestime për zjarrvënie, pasi flakët kanë shkatërruar vendin.

    Ministri i Mbrojtjes Civile Vassilis Kikilias tha se kishte pasur disa përpjekje nga zjarrvënësit për të ndezur zjarre të reja në malin Parnitha, në veriperëndim të Athinës.

    Zjarret në Greqi kanë vrarë të paktën 20 njerëz këtë javë.

    “Ju jeni duke kryer një krim kundër vendit,” tha ministri Kikilias në një deklaratë.

    “Zjarrvëniet po ndezin zjarre që kërcënojnë pyjet, pronat dhe mbi të gjitha jetët njerëzore. Nuk do të ikni, do të’ju gjejmë, do të mbani përgjegjësi”, u tha zoti Kikilias grekëve gjatë një konferencë urgjente televizive të enjten.

    Zjarret e verës janë të zakonshme në Greqi dhe shkencëtarët kanë lidhur frekuencën dhe intensitetin në rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë valët e të nxehtit, me ndryshimet klimatike.

    Stefan Doerr, i cili drejton Qendrën për Kërkimin e Zjarrit në Universitetin Sëansea, thotë se më shumë peizazhe të ndezshme, për shkak të motit të nxehtë ose menaxhimit të dobët të bimësisë, do të thotë se zjarrvënia dhe incidentet e tjera mund të shndërrohen lehtë në zjarre me lëvizje të shpejtë.

    Policia dhe shërbimi grek i inteligjencës EYP po hetojnë incidentet, raportoi AFP.

    Zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis, tha për median ERT se nga 140 arrestime të lidhura me zjarret, 79 kishin të bënin me zjarrvënie.

    Qindra zjarrfikës në të gjithë Greqinë janë duke luftuar me zjarret vdekjeprurëse.

    Fronti i madh i zjarrit që shpërtheu të shtunën pranë qytetit port të Alexandroupolis, është bërë më i madhi në histori në BE, sipas komisionerit evropian Janez Lenarcic.

    Ndërkohë, në malin Parnitha pranë Athinës, zjarret kanë shpërthyer në një pyll ngjitur me kryeqytetin, duke kërcënuar një park kombëtar.

    Në fillim të kësaj jave, trupat e 18 personave që besohet se ishin emigrantë, me fëmijë mes tyre, u gjetën pranë rajonit Evros në Greqinë verilindore. Nga zjarret në rajonin e Boeotias të hënën humbi jetën edhe një bari.

    Kikilias tha të mërkurën se vendi po kalonte verën më të keqe që nga prezantimi i hartave të rrezikut nga zjarri në 2009.

    Vetëm muajin e kaluar, mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga zjarret në ishullin grek të Rodosit, pasi zjarret shpërthyen atje dhe në pjesë të tjera të vendit.

    Top Channel

  • Bie numri i përfituesve nga skema për veteranët e luftës

    Bie numri i përfituesve nga skema për veteranët e luftës

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se ka rënë numri i përfituesve nga skema e pensioneve invalidore në korrik 2023, krahasuar me korrik 2022.

    “Në muajin korrik 2023, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 937 familje me gjithsej 82 621 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 25 088 familje me gjithsej 98 832 anëtarë, vërehet një rënie e numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 4 151 ose 16,5%”, njofton ASK-ja.

    Në muajin korrik 2023, krahasuar me muajin korrik 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga:skema për pensionet invalidore (-20,6%); skema për pensionet e Trepçës (-18,2%);skema për pensionet familjare (-8,9%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (-3,1%); skema e pensioneve bazike të moshës (-2,0%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës(-1,7%); skema për veteranët e luftës(-0.2%).

    “Në muajin korrik 2023, krahasuar me muajin korrik 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: Skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (14,8%); skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (10,6%);skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik (7,6%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (5,3%);skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (4,9%);skema e kompensimeve për personat e verbër (4,3%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK)(3,4%)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

  • Trumpit i grumbullohen të dhënat personale në burgun e Atlantës, pas akuzave për zgjedhjet

    Trumpit i grumbullohen të dhënat personale në burgun e Atlantës, pas akuzave për zgjedhjet

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u largua nga burgu i Fultonit në Atlanta, pasi u akuzua për 13 vepra penale më 24 gusht, si pjesë e një padie që rrjedh nga përpjekjet e tij për ta përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

    Trump u largua nga burgu rreth 20 minuta pasi hyri dhe u nis drejt aeroportit Hartsfield-Jackson të Atlantës, ku avioni i tij privat po e priste për ta kthyer atë në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi.

    77 vjeçari tashmë ka hyrë në një territor të paeksploruar duke u bërë ish-presidenti i parë i SHBA-së që përballet me akuza penale, megjithëse katër rastet e ngritura kundër tij nuk e kanë dëmtuar statusin e tij si favorit në garën për nominimin republikan për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm për presidencë.

    Pasi u dorëzua në burgun në Atlanta, Trump u rikthye në platformën X, më herët të njohur si Twitter, duke publikuar mesazhin e parë pas më shumë se dy vjet e gjysmë.

    Ai e postoi fotografinë e tij të bërë në burg, të cilës ia bashkëngjiti fjalët “Ndërhyrje në zgjedhje. “Nuk dorëzohem kurrë!””

    Ky ishte postimi i parë i Trumpit që nga 8 janari 2021, kur Twitter e pezulloi llogarinë e tij për një kohë të pacaktuar, shkaku i frikës se ai do të nxiste dhunë shtesë pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kapitolit të SHBA.

    Ish-presidenti republikan përballet me 13 akuza penale, përfshirë shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për ta kthyer humbjen e tij në zgjedhje nga presidenti demokrat, Joe Biden.

    Rasti i Xhorxhias përbën aktakuzën e katërt të ngritur ndaj Trump. Ai përballet me një gjyq në Nju Jork lidhur me një pagesë të bërë ndaj një ylli të pornografisë dhe një gjyq në Florida për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara federale.

    Një tjetër aktakuzë, në Uashington, e akuzon atë për përpjekje të paligjshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi të nisë në janar, por ende nuk është caktuar një datë.

    Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij./REL/

  • Arrestohet një 40-vjeçar në Istog, dyshohet se dhunoi seksualisht një 11-vjeçare

    Arrestohet një 40-vjeçar në Istog, dyshohet se dhunoi seksualisht një 11-vjeçare

    Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Istog, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

    Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u zbulua pas denoncimit të një burri, i cili ka raportuar në Polici se dyshon se vajza e tij 11-vjeçare është keqpërdorur seksualisht nga një person.

    Sinjali mëson se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në një bodrum të një ndërtese, ku i dyshuari M.Shala (40-vjeçar) ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

    Përballë kësaj situate, babai i vajzës vendosi të kërkojë ndihmë, duke e raportuar rastin në Polici, me ç’rast ka rrëfyer detajet për të cilat është vënë në dijeni.

    Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion, ku edhe është intervistuar.

    Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.

    Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

  • 1 orë pritje për dalje nga pika kufitare në Merdarë

    1 orë pritje për dalje nga pika kufitare në Merdarë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njoftoi se pritjet për dalje nga pika kufitare në Merdarë janë shkojnë deri në një orë.

    Ndërkaq, në dalje të pikës kufitare te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 40 minuta, derisa kolona në këtë pikë kufitare është 150 metra.

    Në pikat e tjera kufitare, pritjet janë deri në pesë minuta.

     

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët dhe mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 32 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 34 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme: