ATV

Category: Lajme

  • Rregullohen problemet në e-Kosova, ministria fton qytetarët të aplikojnë për pajisje efiçiente

    Rregullohen problemet në e-Kosova, ministria fton qytetarët të aplikojnë për pajisje efiçiente

    Ministria e Ekonomisë ka pranuar se gjatë ditës së premte dhe të shtunë, më 25 dhe 26 gusht, platforma e-Kosova ka hasur në disa probleme teknike dhe si pasojë e kësaj, aplikimi për masat e subvencionimit për pajisje efiçiente nuk ka qenë i mundur për disa persona.

    Sipas ME-së, ky problem teknik tashmë është rregulluar dhe platforma është funksionale e pa vështirësi aplikimi.

    “Në thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente përfshihet subvencionimi i makinave rrobalarëse, makinave enëlarëse dhe frigoriferëve ose frigoriferëve me ngrirëse.

    Vlera e subvencionimit për një pajisje makinë rrobalarëse është 200.00 €.

    Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një pajisje është 300.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 400.00 €. Vlera e subvencionimit për një pajisje makinë enëlarëse është 150.00 €.

    Për prindërit vetushqyes, vlera e subvencionimit për një pajisje është 250.00 €.

    Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 300.00 €. Vlera e subvencionimit për një pajisje frigorifer ose frigoriferëve me ngrirëse është 100.00 €. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një pajisje është 150.00 €.

    Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 200.00 €. Për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, do të subvencionohet vetëm një sistem diellor për ngrohjen e ujit sanitar për një shtëpi dhe sistemi duhet të blihet i ri. Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar subvencionohet dyzet përqind (40%) e vlerës investive të komplet sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar dhe jo më shumë se 1000.00 €.

    Për të dy thirrjet të drejtë aplikimi kanë të gjithë konsumatorët familjar, konsumi mujor i energjisë elektrike i të cilëve nuk është më i vogël se 250 kWh/muaj në të paktën dhjetë (10) muaj brenda dymbëdhjetë (12) muajve të fundit”, thuhet në njoftim.

  • Diaspora për shtatë muaj dërguan mbi 750 milionë euro në Kosovë

    Diaspora për shtatë muaj dërguan mbi 750 milionë euro në Kosovë

    Pavarësisht krizës ekonomike botërore të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë që nga shkurti i 2022-së, mërgata vazhdon të kontribuojë në dërgimin e parave për familjet e tyre në Kosovë.

    Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) mbi dërgesat nga jashtë, tregojnë se nga muaji janar deri në korrik 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, diaspora jonë ka dërguar 81.5 milionë euro më shumë.

    Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit maj me 126.6 milionë euro nga totali prej mbi 751.8 milionë euro.

    Duke iu referuar kanaleve të dërgimit, BQK-ja thotë se, 429.6 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

    Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 37.4 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.4 për qind, Austria me 4.9 për qind dhe Italia me 4.5 për qind.

    “Ngadalësimin e rritjes së konsumit e ka ndikuar kryesisht rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve, për shkak të rritjes së çmimeve, ndërkohë që burimet kryesore të financimit si remitencat, kreditë e reja konsumuese, konsumi publik, etj., shënuan rritje”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.

    Vlera e remitencave të pranuara në tremujorin e parë të 2023-së kanë shënuar rritje prej 12.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Struktura e remitencave sipas shteteve mbetet e pa ndryshuar: Gjermania që ka një pjesëmarrje prej 38.8 për qind të remitencave të dërguara, ndjekur nga Zvicra me 17.2 për qind dhe SHBA-ja me 7.6 për qind”, vijon raporti “Vlerësimi tremujor i ekonomisë, tremujori i parë 2023“.

    Sipas BQK-së, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë pasur ndikim mbi këto dërgesa, si një e hyrë për ekonominë e vendit tonë.

    “Duke konsideruar që pjesa me e madhe e remitancave të pranuara kanë origjinë vendet e Eurozonës apo 57.2 për qind e totalit, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Eurozonë mund të ketë implikime mbi këtë të hyrë për ekonominë e Kosovës”, përfundon BQK-ja.

  • Kosova vazhdon të mbetet jashtë sistemit të “Kartonit të Gjelbër”

    Kosova vazhdon të mbetet jashtë sistemit të “Kartonit të Gjelbër”

    Mosanëtarësimi në OKB, paraqet pengesën kryesore të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane. Rrjedhimisht vendi ynë vazhdon ta ketë të pamundur të jetë pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër. Kështu tha drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, BKS, Sami Mazreku, i cili konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike nga ana e Kosovës.

    Duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e ka të pamundur të jetë pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër. Kështu tha për Radio Kosovën drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, i cili tha se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike në këtë drejtim

    “Byroja e Kosovës i ka të rezervuara rreth 7 milionë euro edhe pse kjo shumë është më e madhe se ajo që kërkohet nga Këshilli i Byrove, mirëpo duke qenë se nuk jemi pjesë e OKB-së nuk po mundemi të bëjmë zgjidhje për sa i përket Kartonit të Gjelbër”, tha ai.

    Mazreku tha se është tentuar përmes një shteti tjetër për të qenë pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, por nuk ka qenë e mundur për shkak të problemeve politike.

    “Ne kemi tentuar përmes një shteti tjetër mirëpo Këshilli i Byrove po thotë ju keni probleme politike”, theksoi ai.

    Sipas Mazrekut, Kosova në këtë mënyrë mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane, edhe pse i ka plotësuar kushtet teknike.

    “Duke qenë se Kosova është shtet i ri dhe ka probleme me mosnjohje nga disa shtete përreth po ashtu ka probleme politike të cilat nuk e kanë mundësuar që Kosova të jetë pjesë e OKB-së. Ne jemi angazhuar që gjatë këtyre dy viteve ato që janë teknike t’i plotësojmë”.

    Mazreku më tej tha se tashmë janë duke pritur një raport nga Këshilli i Byrove. Ai tha se duhet gjetur ndonjë variant tjetër për të qenë pjesë e këtij Këshilli. Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.

  • Mbi 40 mijë kosovarë ia mësyjnë bregdetit shqiptar

    Mbi 40 mijë kosovarë ia mësyjnë bregdetit shqiptar

    Fundjava e fundit e gushtit duket se ka zbrazur Kosovën. Me mijëra automjete e qytetare janë nisur këtë fundjavë drejt bregdetit, duke sjelle ngarkesë trafiku në segmentin Morinë-Kukës të Rrugës së Kombit. Kolona e mjeteve kaloi më shumë se 6 kilometra.

    Të dhënat zyrtare të policisë kufitare të Kukësit flasin për mbi 40 mijë qytetarë të Kosovës, që kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Vërmicës me të paktën mbi 10 mijë automjete të vogla dhe autobusë.

    Por numri i qytetarëve dhe mjeteve, nga pamjet mund të jetë shumë me i madh e kjo vërehet tek Ura e Kukësit pasi aty rruga e ngushtë po e vonon qarkullimin normal të automjeteve.

    Siç dihet, përgjatë sezonit, policia kufitare e Morinit operon me procedurën e kalimit të kufirit pa kontrolle sipas marrëveshjes së përbashkët ndër qeveritare Kosovë-Shqipëri.

    Nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Kukës, janë marrë masa duke shtuar sportele dhe punonjës për të përballuar fluksin e shtuar dhe është bashkëpunuar edhe me Policinë e Kosovës dhe deri më tani sipas policisë kufitare nuk ka pasur probleme.

  • Tërmet në Maqedoni të Veriut

    Tërmet në Maqedoni të Veriut

    Sot rreth orës 10:17 në mëngjes një tërmet me magnitudë 2.8 të shkallës Rihter është regjistruar në Maqedoni.

    Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në veriperëndim të Kërçovës, përkatësisht 67 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

    Thellësia ishte 5 km.

  • Escobar: Korrupsioni, problem i madh për Ballkanin Perëndimor

    Escobar: Korrupsioni, problem i madh për Ballkanin Perëndimor

    Zëvendësndihmës sekretari amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se korrupsioni është një problem i madh për Ballkanin Perëndimor dhe kjo është arsyeja pse Washingtoni dëshiron që rruga evropiane të jetë e hapur për të gjitha vendet e rajonit.

    “Ajo që mund të them është se për rajonin, për të gjithë rajonin, korrupsioni është një problem i madh. Jam i lumtur që shoh se procesi i anëtarësimit i jep sundimit të ligjit një vend qendror si kusht për hyrje në BE”, ka thënë Escobar në një intervistë për portalin maqedonas “360stepeni”.

    Escobar ka thënë se ka edhe një arsye pse SHBA-ja dëshiron të shohë që rruga evropiane të jetë e hapur për gjitha vendet e rajonit.

    “Çdo vend që iu bashkua BE-së është më stabil, më demokratik dhe më i avancuar, dhe në të njëjtën kohë më i drejtë sa i përket drejtësisë për qytetarët e vetë. Kjo është një tjetër arsye pse duam t’ju shohim në rrugën e anëtarësimit në BE”, tha Escobar.

  • Çështja e librave – Nesër mblidhet SBASHK-u

    Çështja e librave – Nesër mblidhet SBASHK-u

    SBASHK nesër do të mbajë një takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, që nga çerdhet e deri në universitete.

    Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

    Takimi do të nisë në orën 10:00, në sallën e takimeve në Qendrën e studentëve, te selia e SBASHK’ut.

    “Në këtë takim do të bashkëbisedohet për gjendjen aktuale në arsim, për problemet lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, për vendimin skandaloz të MASHTI-it për tekstet shkollore e për shumë çështje të tjera.”

    SBASHK ka ftuar mediat që ta përcjellin këtë takim.

    Ministria e Arsimit këtë vit ka vendosur që mos t’i blejë librat shkollorë, por që t’i blejnë prindërit e më pas të subvencionohen nga prindërit.

  • 3 muaj ngujim: Çka dimë dhe çfarë pasojash mund të ketë për Lulzim Hetemin?

    3 muaj ngujim: Çka dimë dhe çfarë pasojash mund të ketë për Lulzim Hetemin?

    Po bëhen tre muaj prej që Lulzim Hetemi u ngujua në ndërtesën e komunës që drejton. Çka dimë deri tash dhe çfarë pasojash mund të ketë një gjë e tillë?

    Në orët e mbrëmjes së 28 majit do të mbahej një mbledhje e partisë në pushtet, Vetëvendosjes, në Prishtinë. Menjëherë të nesërmen në mëngjes, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi do të futej brenda ndërtesës komunale për të mos dalë më.

    Pasnesër bëhen saktë tre muaj prej që ndodhi ngujimi në fjalë.

    Pse ndodhi ngujimi?

    Një përgjigje direkte mbi vendimin për t’u ngujuar në ndërtesën komunale nuk ekziston. Megjithatë, besohet se ajo ka të bëjë me mundësinë që Hetemi pasi të dilte të mos mund të futej më.

    Kryeministri Kurti, dhe kryetari i partisë së Hetemit, kishte folur në disa raste për këtë ngujim por megjithatë nuk e kishte adresuar qartazi “pse”-në e saj.

    “Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës.”” – shprehej Kurti në një status në Facebook, pa treguar as kush po i kërkonte Hetemit ‘të çante’ vetëngujimin.

    Në një adresim tjetër, kryeministri i vendit kishte folur tërthorazi për arsyen e këtij veprimi:

    ““Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë se në ndërtesat në komunat në veri të Kosovës kryetari të jetë veçse serb. Dhe veçse serbët të hyjnë në ato ndërtesa… Ndërtesat vetëm për një etni janë segregacion, janë apartheid,” – kishte thënë ai.

    Edhe nëse do të merrej si e mirëqenë e gjithë kjo, vetë Kurti është shprehur se situata tashmë ishte shtensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Shtensionimi e bën mjaft absurd ngujimin.

    Por, cilat mund të jenë pasojat mbi vetë Hetemin?

    Pasojat

    Hetemi potencialisht mund të përballet edhe me pasoja ligjore, marrë parasysh që askush nuk ka të drejtë t’i shkelë të drejtat madje as vetes së tij.

    Por, ai mund të përballet edhe me pasoja psikologjike marrë parasysh qëndrimin e gjatë brenda.

    Psikoterapistja Laura Dabney beson që pasojat e qëndrimit brenda ambienteve të mbyllura për kohë të gjatë mund të jenë mjaft të rënda.

    “Ankthi dhe depresioni, të dyja këto rriten kur ju ngujoheni brenda. Madje edhe kur ju vendosni vetë që të ngujoheni brenda,” – tha ajo.

    Një tjetër problem është edhe prishja e gjumit, rënia e nivelit të vitaminës D dhe dobësimi i sistemit imunitar.

    Lulzim Hetemi para disa muajsh ishte shprehur mjaft i kënaqur me kushtet brenda ndërtesës komunale në Leposaviq duke i përshkruar ato “si në hotel”.

  • Parashikimi i motit për sot në Kosovë: Temperaturat deri 34 gradë Celsius

    Parashikimi i motit për sot në Kosovë: Temperaturat deri 34 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon që në vendi ynë po vazhdon të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të lartë atmosferk.

    Sipas IHMK-së, për shak të kësaj situata barike, gjatë këtyre ditëve tdo të ketë mot kryesisht me diell

    IHMK-ja thotë se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius , ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-34 gradë celsius.

    “Vendi ynë do të vazhdoj të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të lartë atmosferik. Kjo situatë barike do të mundësoj që gjatë këtyre dy ditëve të vikendit të mbajë mot kryesisht me diell me pak vranësira të lehta të cilat mund të kenë shtrirje për gjatë relievit malor.”

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius , ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-34 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë deri mesatare” – thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

  • Kurti udhëton drejt Sllovenisë, merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit

    Kurti udhëton drejt Sllovenisë, merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, raporton EO.

    Kështu ka bërë të ditur zyra e Kryeministrit, me ç’rast sonte do të marrë pjesë në darkë pune me homologun e tij slloven, Robert Golob.

    “Në kuadër të pjesëmarrjes së tij në këtë forum, ai sonte do të marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob, ndërkaq të hënën do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale”, thuhet në komunikatë