Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët dhe mot me diell.
Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 34 gradë Celsius.
Edhe dita e nesërme do të jetë me mot të kthjellët dhe intervale me diell, por gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje shiu.
Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Prishtinës me 15 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 30 gradë Celsius.
Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Gjirokastra me 19 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Korçë me 38 gradë Celsius. /atvlive.tv/
Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:
Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka treguar për takimin të cilin në Bruksel e kishte me Gabriel Escobarin, emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.
Lajçak ka thënë se ky takim ishte koordinues për sfidat që i presin – përmendi situatën në Veriun e Kosovës, për të cilën Lajçak thotë se de-përshkallëizmi i tij mbetet lartë në agjendën e tij.
Në lidhje me këtë, Lajçak në vazhdim paralajmëroi për takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
”Ndërsa ritmi në Bruksel u ngadalësua gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk u zhdukën. Një fushë e veçantë që ka mbetur lart në agjendën time është situata në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në Facebook, të dielën.
”Për t’u përgatitur për muajt e ardhshëm dhe për të forcuar më tej përpjekjet tona të përbashkëta, ftova Zëvendës Ndihmës Sekretarin Escobar në Bruksel për diskutime të thelluara dhe takime koordinuese. Së bashku me ekipet tona diskutuam në detaje çështjet e dialogut, ndamë vlerësime të situatës aktuale, zhvillimet e muajve të fundit dhe pritshmëritë për periudhën e ardhshme. Dhe ne gjithashtu u siguruam që të harmonizonim hapat dhe prioritetet e nevojshme të ardhshme”.
”Përpara qirasë tradicionale të javës së ardhshme në Bruksel, do të udhëtoj për në Alpbach, Bled dhe Beograd, ku do të takohem me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, por edhe me një numër partnerësh, miqsh dhe ekspertësh për Ballkanin Perëndimor dhe global. zhvillimet politike”, ka thënë ai.
Në Veriun e Kosovës ka pasur situatë të përshkallëzuar, poqë ishte arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Brukselit.
Brukseli kërkon nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes në mënyrë që Brukseli t’i shfuqizojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking ka njoftuar se nga 28 gushti do të ndryshohet orari i parkingjeve në Zonën 1, e njohur si Qendra e Qytetit.
Kjo kompani ka njoftuar të dielën në Facebook se konform Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, nga ora 07:00 deri në 23:00, nga e hëna deri të shtunën parkingu do të mund të shfrytëzohet me pagesë. Deri më tani, orari i parkingut me pagesë ka qenë deri në orën 19:00.
“Konform Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës nga data 28.08.2023 do të ndryshohet orari i parkingjeve (parkingje komerciale dhe rezidenciale) në Zonën 1 (Qendra e Qytetit), duke filluar nga ora 7:00 deri në ora 23:00, nga e hëna deri të shtunën”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.
Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë, është parë teksa bisedon me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, kjo pasi janë ulur afër njëri-tjetrit.
Kurti ka udhëtuar sot për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ku nesër do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në panelin kryesor të Forumit Evropian Alpbach 2023, që po mbahet në Alpbach të Austrisë, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme.
Osmani duke folur për një Evropë të guximshme, e cila është tema e sivjetme e Forumit, ka shkruar se kishte nderin të diskutojë në panelin kryesor, së bashku më përfaqësues të shteteve të tjera.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme. Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën. Familja euroatlantike është familja jonë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej.
Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili nga viti 1945, mbledhë çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar idetë për një Evropë më të fortë dhe më demokratike.
Gazetarja ukrainase, Iryna Synelnyk duke derisa ka përmendur smos vënien e sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia, ka thënë se ka ardhur koha të qëndrojnë me ata që i mbështesin dhe ta njohin Kosovën.
Iryna Synelnyk dhe Luidmyla, gazetaret ukrainase të cilat kanë qëndruar në Kosovë e që tash janë kthyer në Ukraine për shkaqe familjare, kanë dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, fotografi si shenjë falënderimi.
Synelnyk ka shkruar në Facebook se Ukraina ende nuk e njeh Republikën e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbia vazhdon ta kundërshtojë zgjerimin e rrethit të vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Prishtinën.
Ajo ka përmendur edhe takimin e presidenti serb Aleksandër Vuçiq me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky gjatë Samitit Ballkanik në Greqi.
“Megjithatë, pasi kanë marrë pjesë në platformën e Krimesë, të nesërmen përfaqësues të qeverisë serbe kanë deklaruar se nuk e kanë mbështetur Ukrainën në çështjen e deokupimit të Krimesë. Serbia jep ndihmë humanitare për Ukrainën, ka përpjekje të ndara për furnizim me armë por nuk ajo vendos sanksione kundër Rusisë, dhe shpesh ndryshon pozicion. Përfshirë edhe deklaratat: nëse “Ukraina e njeh Kosovën, një ditë do të humbasë gjithçka”. Serbia paraqet interesat ruse në Ballkan. Së fundmi është parë promovimi i njërit prej kanaleve TG me sloganin – “Rusët dhe serbët janë vëllezër përgjithmonë”. Prandaj, mund të supozohet se ky vend do të veprojë sipas skenarëve të krijuar në Kremlin. Në anën tjetër, Kosova, qytetarët e së cilës i mbijetuan luftës së viteve 1998-1999, mreshtën Ukrainën pa falje, kështu që me shumë gjasa ka ardhur koha të qëndrojmë me ata që na mbështesin dhe nuk na vënë kushte. Është koha ta njohim Kosovën. Pas pjesëmarrjes në programin “Rezidenca në Kosovë” njeriu dëshiron të besojë se Kosova do të jetë vendi i parë me të cilin Ukraina do të përmirësojë marrëdhëniet diplomatike pas përfundimit fitimtar të luftës”, ka shkruar ajo.
Një person ka vdekur në vend të punës të premten e 25 gushtit.
Ai ishte gjendur pa shenja jete në afërsi të një objekti, konfirmoi Policia, e vdekjen e tij e konstatoi edhe mjekësia ligjore.
Nga fillimi i muajit Janar e deri në Gusht të këtij viti, 19 persona, kanë humbur jetën në vend të punës.
Për rastet e vdekjeve në vendin e punës, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli. Ai ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të adresuar çështjet e sigurisë në vendet e punës dhe për të siguruar se punëtorët kanë mundësi të sigurojnë një jetë të denjë dhe të sigurt për familjet e tyre.
Ndërkaq, pasiguria në punë vazhdon të jetë shqetësim edhe për Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat.
“Rastet e vdekjes në vendet e punës janë shumë shqetësuese për shkak që mekanizmat shtetërorë nuk janë duke e bërë inspektimin e duhur, por nuk është duke bërë as Qeveria si mjet përfundimtar, të cilat këto raste duhet të trajtohen më mirë, ky vit do të jetë më fatkeq për punëtorët e Kosovës”, tha Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës e Pavarur e Sektorit Privat.
Azemi thotë se, Inspektorati i Punës nuk po bën sa duhet për parandalimin e këtyre rasteve.
“Faktet po tregojnë që rezultate nuk kemi, rastet e vdekjeve po bëjnë me dije që nuk po bëjnë sa duhet”, tha Azemi.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, gjithsej janë realizuar 3686 inspektime, ndërsa për periudhën janar-maj 2022 ishin realizuar 2364 inspektime.
Ndërkaq, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nga Inspektorët e Punës, gjithsej janë shqiptuar 425 gjoba nga marrëdhënia e punës dhe siguria e shëndeti në punës, derisa për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë shqiptuar 122 gjoba.
Por, banorëve të qytezës së Klinës dhe fshatrave për rreth, ky bollëk i ujit nuk po iu hynë edhe aq në punë.
Qysh nga paslufta, nga rubinetët e tyre nuk rrjedh ujë i pijshëm që sigurohet nga shteti.
“Që prej paslufte nuk kemi ujë të pijshëm. Më duhet të shkoj e ta marrë ujin në Pejë apo në Istog”, thotë Ymer Mërlaku, banor.
Opozita në Klinë thotë se qytetarët po faturohen për furnizim me ujë të pijshëm, shërbim ky i cili faktikisht nuk realizohet.
“Unë u kam thënë qytetarëve se ne nuk duhet të paguajmë fatura të Hidrodrinit për ujë të pijshëm. Jo në shenj revolte për çmim pasi është i arsyeshëm, por ne paguajmë për një produkt që nuk e marrim”, tha Zafer Gashi, asambleist i LVV.
Në mënyrë që uji të filtrohet, tash e disa vite është aktive fabrika e ujit, megjithatë sipas asamblestit të Vetëvendosjes, Zafer Gashi, kjo fabrikë nuk po e kryen funksionin për të cilin edhe u ndërtua.
“Uji që vjen nga drini futet aty nëpër pompa dhe kalon lartë në hapësirë ku është rezevuari dhe aty vjen nëpër rubinetet tona…kryetari i komunës nuk paguan 150 mijë euro të premtuara për filetrat e ujit”, tha Gashi.
Ndërkohë, telashet me ujë, e kanë detyruar Fadil Morninën nga fshati nga fshati Gllarevë që të hap puse për ta siguruar ujin.
“Qe ku i kam bunarët e mijë, të familjarëve, rreth 30 bunarë janë këtu…ne është dashur të shpojmë bunarët, pastaj më është shterrur, e kam hapur tjetrin”, tha Fadil Morina, banor.
Nga Hidrodrini, respektivisht njësia në Klinë, në një përgjigje me shkrim për ATV-në thanë se ekzistojnë disa iniciativa që ende janë në proces, përmes të cilave synohet sigurimi i ujit të pijes për secilin banor të Klinës.
“Ndër iniciativat e fundit ka qenë nga kryeministri Kurti i cili ka kërkuar te formohet një grup punues në mes palëve qe do të jepte një zgjidhje afatgjate. Nga kjo iniciativë ka ndalur që në disa faza të realizohet që të ketë ujë të pijshëm për territorin e komunës se Klinës. Faza e pare – pastrimi i lumit Drini i bardh qe është duke u realizuar nga komuna, Ndërtimi i fundërruesit me kapacitet 100 l\s, i cili do të merr ujin nga lumi dhe duke e pastruar do të futet ne filterat e pastaj dërgimi te qyteti i Klinës dhe fshatrat përreth. – jemi ne fazën e tenderimit Ndërrimi i filterave te fabrikës – jemi duke ber marrëveshje pasi kemi marrur premtime nga qeveria (ministria) për ndërimin e filterave” thuhet në përgjigjen nga Hidrodrini.
Ndërkaq, edhe nga komuna për ATV-në u shprehën se po punohet që uji i pijshëm të sigurohet për secilin banor të Klinës, mirëpo, nuk kanë dhënë afate, detaje të projektit, ose përllogritje të Kostos.
Gjendja e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik është vështirësuar muajve të fundit në qendër të Gjakovës, në udhëkryqin në afërsi të rrugës “UÇK”, ku semaforët janë jashtë sistemit të funksionimit.
Si rrjedhojë, qarkullimi i automjeteve po realizohet vetëm me shenjat e trafikut, për të cilën qytetarët thonë se ndjehen të rrezikuar.
“Semaforët kurr s’kanë me u rregullu. Qe sa komuna është duke thënë se do t’i rregullojë, por jo vetëm po rrejn. Kjo gjendje po naj rrezikon jetën, se ka tulifar njeri që vozit keq pa i kqyr as shenjat”, thotë Agim Sylejmani, qytetar.
“Është tejet shqetësuese këta semaforë duhet të rregullohen sa më shpejt. Ne këmbësorët kemi shumë pengesa në qarkullim”, thotë një qytetar tjetër.
“Rrezik është se ka njerëz që nuk shohin mirë. Kjo situatë mas shumti po na rrezikon neve të moshuarit. Duhet me u interesu kryetari i Gjakovës për këtë situatë”, tha Bajram Derri, qytetar.
Megjithatë, zyrtarët e Departamentit për Komunikacion në këtë komunë, nëpërmes një përgjigje me shkrim, kanë bërë të ditur për ATV-në, se e kanë ndërmend të rregullojnë semaforët, por ende nuk dihet se kur pritet të nis ky projekt.
“Së shpejti pritet të fillojë kontraktimi për projektin në qendër të qytetit i cili përfshin edhe rregullimin e semaforëve. Por ende nuk e dimë se sa do të kushtojë rregullimi i tyre, meqenëse është një projekt shumë i madh që do të ndodh në qendër të Gjakovës”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Komunikacion në Gjakovë.
Situata në trafik në Gjakovë, ngjashëm si në qytetet tjera, ka qenë dukshëm më e rënduar dhe më e komplikuar gjatë muajve të për shkak të ardhjes së mërimtarëve dhe fluksit më të madh të automjeteve.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i pacientëve të diagnostikuar me tuberkuloz ka shënuar ulje.
Për shtatë muaj në këtë vit, në klinikën e Pulmologjisë janë regjistruar rreth 100 raste më pak me këtë sëmundje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Sa i përket numrit të pacientëve të prekur me tuberkulozë, e që janë mjekuar në klinikën tonë, kemi numrin e saktë, kanë qenë 106 raste , nga 1 janari deri në ditën e sotme. Krahasim me vitin e kaluar, në bazë të mjekimit të pacientëve nga tuberkulozi në klinikën tonë që kanë qenë diku rreth 202 raste që janë mjekuar këtu tek ne, deri tash kur i krahasojmë me shtatë mujorin e parë 106 raste, në bazë të kësaj shifre vërehet një tendencë e rënies së numrit të sëmurëve nga tuberkulozi. Tek ne ende vazhdojnë të jenë moshat e reja të cilat janë të prekur me bacilin Koh, që zhvillohet në sëmundjen e tuberkulozit, por që vazhdon edhe me rastet e moshës së mesme dhe moshat e vjetra”, tha Musa Hoxha, drejtor i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK.
Teksa kjo klinikë është mjaftueshëm e furnizuar me barna nga lista esenciale për kurimin e tuberkulozit, ai tha se hapësira e pamjaftueshme për trajtimin mjekësor të pacientëve po e vështirëson punën e tyre.
“Ne vazhdimisht po e potencojmë se Klinika e Pulmologjisë sa i përket hapësirës, nuk mjafton, se kemi numër të shtretërve të vogël, edhe ato dhoma që janë të vendosur ata shtretër, janë po ashtu që nuk i plotësojnë kushtet se janë të mbingarkuara me nga një shtrat më tepër. Duke e ditur se SHSKUK-ja nuk ka Klinikë të Pulmologjisë, jemi qiraxhinj këtu në Klinikën e sëmundjeve të lëkurës, në Klinikën e Dermatologjisë. Ne kemi 4-5 vite që ballafaqohemi me këtë problem mjaft të madh, që sidomos gjatë muajve të dimrit, për shkak se patologjia e sistemit respirator gjatë muajve të dimrit rritet për 30-40 për qind dhe nevoja për hospitalizime janë shumë më të mëdha se tani muajve të verës”, tha Hoxha.
Sfidë tjetër për këtë klinikë, vazhdon të mbetet numri i ulët i stafit mjekësor, për të cilën Hoxha tha se është e nevojshme të rritet numri i infermierëve.
Ndryshe, tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, për të cilën ekziston vaksina e bacilit Calmette-Guerin (BCG), e cila përdoret kryesisht në vendet me prevalencë të lartë të kësaj sëmundje.