ATV

Category: Lajme

  • Lajçak në Forumin Alpbach takohet me Osmanin: E nisa sezonin e vjeshtës me biseda pasuruese

    Lajçak në Forumin Alpbach takohet me Osmanin: E nisa sezonin e vjeshtës me biseda pasuruese

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në margjinat e forumit Alpbach të Austrisë.

    Ai ka shpërndarë disa fotografi të takimeve, ndër të tjera edhe atë me presidenten Osmani.

    “E nisa sezonin e vjeshtës me dy ditë bisedash pasuruese rreth asaj se çfarë do të thotë për Evropën të jetë e guximshme. Mirë për të diskutuar me ekspertë, kolegë, miq dhe më e rëndësishmja me të rinjtë tanë në këtë vit”, ka shkruar Lajcak.

  • Vrasja në Prizren, “Kobrës” i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi

    Vrasja në Prizren, “Kobrës” i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 gusht 2023, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, i dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C., në Prizren.

    Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zyra e gjykatëses së procedurës paraprake Violeta Namani, ku konfirmohet se masa e paraburgimit, Hoxhajt iu vazhdua deri më 3 nëntor 2023.

    Ndërkaq, lidhur me të dyshuarin Roland Susuri, Gjykata Supreme më 16 gusht 2023, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për mbrojtje të ligjshmërisë, duke ia zëvendësuar kështu masën e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor.

    Kurse, për të dyshuarit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli si masë të fundit Gjykata ua kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, por ndaj të njëjtëve Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të kësaj mase.

    Gjithashtu, Gjykata edhe ndaj të dyshuarit Burim Mazreku si vendim të fundit kishte caktuar masën e paraqitjes në stacion policor dhe po ashtu për të njëjtin, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të masës.

    Kurse, ndaj të dyshuarit Enver Amrllahu, me vendimin e 19 prillit 2023 i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë, si dhe të dyshuarit Kujtim Gashi i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor. Për Amrllahun dhe Gashin, po ashtu nuk është paraqitur kërkesë për ndonjë masë.

    Lidhur me këtë rast, prokurorja speciale e ngarkuar me këtë çështje penale, Merita Bina-Rugova tha për “Betimi për Drejtësi” se ende nuk është ngritur akuzë ndaj të dyshuarve për vrasjen e të riut nga Kukësi.

    Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

    Ndërsa, i dyshuari i shtatë Roland Susurit, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

    Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se më 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

    “Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

    Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.

    Sidoqoftë, dy ditë pas vrasjes së V.C, më 5 janar 2023, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte publikuar analizën me titull “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”. Edhe në analizën e IKD-së, të publikuar në shkurt të vitit 2022, ishte theksuar se Dibran Hoxhaj ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë. Ky recidivist në medie proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur. Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist. Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxhaj, dënueshmëria sipas ligjit ka shkuar deri në 10 vite burgim. “Betimi për Drejtësi” ia ka kushtuar edhe një emision Dibran Hoxhajt me titull ” Recidivisti i “amnistuar”. /BetimipërDrejtësi

  • Jasharaj: Viti shkollor do të nisë me vështirësi, i gabuar eksperimenti i MAShTI-t me tekstet shkollore

    Jasharaj: Viti shkollor do të nisë me vështirësi, i gabuar eksperimenti i MAShTI-t me tekstet shkollore

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës (SBASHK), ka deklaruar se viti i ri shkollor do të fillojë me vështirësi, me të cilat i krijoi Ministria e Arsimit. Ndërkaq, e ka quajtur eksperiment të gabuar, vendimin që blerja e teksteve shkollore të bëhet nga ana e prindërve, raporton Ekonomia Online.

    Në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, kryesindikalisti tha se

    “Ky vit po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo do duhej ta gëzonte edhe qeverinë e veçmas ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i gëzonte greva për ta drejtuar gishtin drejt nesh e për tu heshtur lëshimet e mungesa e përgatitjeve që MASHTI do të duhej ti bënte. Ky vit shkollor do të filloj i përcjellë me vështirësi të cilat i krijoji MASHTI me eksperimentin e gabuar për tekstet shkollore”, tha Jasharaj.

    Ai shtoi se SBASHK-u me kohë ka reaguar për këtë çështje, derisa kritikoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci që po mban inate me sindikatën e arsimit.

    “Zonja Nagavci po e mban inatin nga grevat sepse nuk po takohet me SBASHK-un, këshillin e prindërve, DKA-të e as me Asociacionin e Komunave. Ajo doli me një lajm që i ka shqetësuar edhe prindërit dhe neve si mësimdhënës. Ajo sjell vendim që tekstet shkollore të shpërndahen nëpër librari që një pjesë e qyteteve nuk ka fare, dhe prindërit të vrapojnë në e-Kosova të aplikojnë dhe të presin rimbursimet”, tha Jasharaj.

    Jasharaj ka kërkuar nga ministrja Nagavci që të dal me qëndrim dhe zgjidhje për rreth 400 punonjës të arsimit të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.

    Ai ka thënë se për një vit atyre u ishte siguruar që të mos punonin dhe t’i merrnin pagat, por se ende nuk ka zgjidhje për ta për vitin e ri shkollor.

    Në një takim me kryetarët e nivelit komunal të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Jasharaj kërkoi nga MASHTI që të arrihet një zgjidhje për mësimdhënësit që vuajnë nga sëmundje të rënda.

    “Ne kërkojmë nga ministrja Nagavci që të marrë qëndrim dhe të kemi një situatë të zgjedhur për kolegët tanë me sëmundje të rënda, ngase ata janë pezull. Një vit u është siguaruar që të mos punojnë e të marrin paga. Ky numër mbetet i lartë. Janë diku 400 punonjës të arsimit me sëmundje të rënda, si kanceri etj, por nëse MASHTI nuk bën zgjedhje ata do të detyrohen që të shkojnë në shkollë sa për të ruajtur vendin e punës, e sa të ushqejnë familjet e tyre”, tha Jasharaj.

    Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për tekstet shkollore dhe tha se “viti shkollor do të fillojë keq” për faj të ministres Nagavci. Tha se SBASHK-u do të vazhdojë luftën e vet me Ministrinë e Arsimit për kërkesat e tyre.

  • Remitencat shënojnë rritje, kaq para dërgoi diaspora gjatë vitit 2023

    Remitencat shënojnë rritje, kaq para dërgoi diaspora gjatë vitit 2023

    Vlera remitencave në gjashtë muajt e pare të këtij viti ka arritur 635 milionë euro, që paraqet rritje prej 13 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Banka Qendrore e Kosovës njofton se shuma e remitancave vetëm në muajin qershor 2023 ishte 123.9 milionë euro, ose me një rritje prej 18 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Sipas BQK-së, prurjet më të mëdha të remitancave gjatë këtij muaji ishin përmes agjencive për transferimin e parave dhe kanaleve tjera, konkretisht përmes IFJB 58.4 %, bankave 15.4% dhe kanalet tjera 26.2%.

    “Vlera remitencave deri në fund të qershorit 2023 shënoi rreth 635 milion euro, që paraqet rritje prej 13% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Remitancat kryesisht vijnë nga shtetet BE-së rreth 60% e gjithsej remitancave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1% dhe ndiqen nga Zvicra me 17.6% dhe SHBA rreth 7.5%. Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin korrik ishin rreth 116 .8 milion euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes IFJB 50.9 %, ndërsa përmes bankave 18.5% dhe kanalet tjera 30.5%”, thuhet në raportin e BQK-së për statistikat financiare dhe remitancat, raporton KosovaPress.

  • Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë për të dytën herë me radhë gjatë këtij muaji

    Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë për të dytën herë me radhë gjatë këtij muaji

    Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë protestuar të hënën para objektit të KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.

    Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar përpara zyrave të KEK-ut dhe objektit të Qeverisë, derisa në shenjë pakënaqësie ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut.

    Kjo protestë, e dyta me radhë gjatë këtij muaji, po mbahet për shkak të mospërmbushjes së premtimit nga pushteti për kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut./atvlive.tv/

  • Tekstet shkollore, mbi 51 mijë aplikime në platformën e-Kosova

    Tekstet shkollore, mbi 51 mijë aplikime në platformën e-Kosova

    Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se deri sot në orën 09:00 janë pranuar 51 mijë e 200 aplikime në platformën e-Kosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

    “Në platformën e-Kosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore deri sot në ora 09:00 janë pranuar 51,200 aplikime”, ka shkruar Kelmendi.

    Gjatë javës së kaluar ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se këtë vit nuk do të shpërndahen librat nëpër shkolla, mirëpo do t’i blejnë prindërit e më pas ata do të subvencionohen nga shteti.

  • Tetë persona dërgohen në mbajtje, penguan personat zyrtarë

    Tetë persona dërgohen në mbajtje, penguan personat zyrtarë

    Policia ka njoftuar se tetë persona janë shoqëruar në stacion policor pasi dyshohet se kanë penguar personat zyrtar ne kryerje te detyrës zyrtare, ku edhe ka rezultuar me lëndim te disa personave zyrtar.

    Të dyshuarit janë dërguar ne mbajtje.

    “PENGIM I PERSONIT ZYRTAR – Kaçanik 27.08.2023-00:30. Tete persona te dyshuar janë shoqëruar ne stacion pasi që te njëjtit kishin penguar personat zyrtar ne kryerje te detyrës zyrtare, ku edhe ka rezultuar me lëndim te disa personave zyrtar. Te njëjtit me vendim te prokurorit pas intervistimit janë dërguar ne mbajtje.”

  • “Njohja reciproke parakusht”/ Kurti: Ballkani Perëndimor duhet të mbështesë zgjerimin, të kryhen reformat

    “Njohja reciproke parakusht”/ Kurti: Ballkani Perëndimor duhet të mbështesë zgjerimin, të kryhen reformat

    Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për darkën e mbrëmshme të punës të ftuar nga kryeministri i Sllovenisë, Golob në kuadër të Forumit të Bledit, ku mori pjesë edhe Albin Kurti.

    Nën temën “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, gjatë darkës u diskutua për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurinë.

    Sipas ZKM-së, kryeministri ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes.

    “Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do të ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin.

    Kryeministri mirëpriti thirrjet e Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht.”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu Kurti ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet.

    “Ballkani Perëndimor duhet të mbështesë zgjerimin dhe vendet aspirante duhet të kryejnë reformat të cilat përshpejtojnë anëtarësimin.”

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, do dalin para trupit gjykues përsëri sot.

    Seanca pritet të zhvillohet me fillim nga ora 09:00.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Sot protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut

    Sot protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut

    Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK (Korporata Energjetike e Kosovës)  sot do të zhvillojë një protestë.

    Protesta pritet të nis në sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar përpara zyrave të KEK-ut dhe objektit të Qeverisë.

    Kjo protestë pritet të zhvillohet me fillim nga ora 10:00.

    Kujtojmë se para disa ditësh të njëjtit kanë protestuar për shkak të mospërmbushjes së premtimit nga pushteti për kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut.