ATV

Category: Lajme

  • Nisin adoptimet e para të qenve endacakë në Prishtinë

    Nisin adoptimet e para të qenve endacakë në Prishtinë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Janë bërë publike adoptimet e para të qenve endacakë dhe kontrata për adoptimin e këtyre kafshëve. Nga 25 qen endacakë të gatshëm për adoptim, dy prej tyre kanë shprehur gatishmëri t’i adaptojnë dy qytetarë. Mirëpo, sipas qytetarëve, vendimi i Komunës nuk është zgjidhje e mirë.

    Vetëm dy qytetarë kanë nënshkruar kontratë me Komunën e Prishtinës, për adoptimin e qenve endacakë.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me këtë rast ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të kujdesen për kafshët.

    “Jemi me dy adoptues të qenve endacakë që janë ofruar. Kontratën e kemi të gatshme, kontrata ka përgjegjësi edhe nga ana e kryeqytetit, por edhe për ata që adoptojnë qentë endacakë. Është kontratë e dyanshme me përgjegjësi të dyanshme”.

    Mirëpo, pavarësisht që ky është vendim i Komunës së Prishtinës, për qytetarët nuk është zgjidhje.

    “Kategorikisht jam kundër kësaj, duhet diçka ma humane për qentë jo në këtë mënyrë”.

    “Problemi nuk zgjidhet duke bo kontraktime me kompani të palicencuara, pa transparencë, duke e shkelë ligjin, hapësirat po krijohen duke i keqpërdorur fondet e duke i keqtrajtuar qentë”.

    Edhe avokati Arianit Koci, i cili njihet si aktivist për mbrojtjen e qenve endacakë, ka thënë se zyrtarët komunalë në bashkëpunim me AUV-in, nuk kanë bërë zgjidhje të duhur.

    “Kam biseduar edhe me zyrtarë komunalë, edhe me AUV-in, po luajnë pingpong sa i përket përgjegjësisë, nuk është zgjidhje e duhur”.

    Mirëpo, për këtë vendim vazhdon të arsyetohet Komuna e Prishtinës. Sipas drejtorit të sigurisë dhe emergjencave, kjo është e vetmja zgjidhje aktualisht.

    “Problemi me qentë nuk mund të themi se po zgjidhet plotësisht, mirëpo zgjidhje tjetër nuk kemi në krahasim me numrin e madh te tyre”.

    Qendra për Trajtimin e kafshëve aktualisht ka kapacitet për trajtimin dhe mbajtjen e 25 qenve, mirëpo sipas të dhënave të organizatave që merren me të drejtat e kafshëve, vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbi 3 mijë qen endacakë.

     

     

  • Kurti për televizionin slloven: Bullizimi i Beogradit është problem, na duhet ndihma e ndërkombëtarëve

    Kurti për televizionin slloven: Bullizimi i Beogradit është problem, na duhet ndihma e ndërkombëtarëve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Slloveni, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

    Ai ka dhënë një intervistë për Radiotelevizionin e Sllovenisë RTV SLO, një pjesë të shkurtër të të cilës e ka shpërndarë në ‘story’ në profilin e tij në Facebook.

    Kurti ka thënë se Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen dhe për këtë ka thënë se ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të Bashkimit Evropian.

    “Beogradi po bën gjithçka që mos t’i lejojë serbët në Veri të integrohen, kështu që ky bullizim i Beogradit është problem për vendin tonë, për çka kemi nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të BE’së”, tha Kurti.

  • Shefi i Zyrës së NATO-s në Beograd: Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi

    Shefi i Zyrës së NATO-s në Beograd: Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi

    Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, Giampiero Romano, tha se dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

    Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së është platforma më e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

    Ai i tha Radios Evropa e Lirë se të gjitha palët duhet të punojnë për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm dhe se dhuna mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe të kërcënojë aspiratat euroatlantike të rajonit, transmeton Klankosova.tv.

    “Kjo është arsyeja pse ne mirëpresim hapat që institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë së fundi për zvogëlimin e numrit të policëve nëpër objektet komunale në veri të Kosovës, si dhe punën për organizimin e zgjedhjeve të reja lokale. Këto janë hapa në drejtimin e duhur që duhet të shoqërohen. nga de-përshkallëzimi shtesë”, tha Romano.

  • MAShTI: Do të pranohen 50 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Gjilan e Gjakovë

    MAShTI: Do të pranohen 50 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Gjilan e Gjakovë

    Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit ka shpallur konkurs për regjistrimin e kandidatëve të gjeneratës së gjashtë për nivelin e 5-të të kualifikimit “Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore” në Gjilan dhe Gjakovë.

    Të përfshira do të jenë komunat Kamenicë, Viti, Novobërd, Rahovec, Deçan dhe Junik.Sipas njoftimit do të pranohen 50 kandidat, të cilët e kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë dhe janë më të vjetër se 18 vjeç.

    Më poshtë linku për detajet më të hollësishme të konkursit.

    https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/Konkursi-per-regjistrimin-e-kandidateve-per-asistente-2023-24-i-funditt.doc

  • E pazakontë: Një qen shihet duke ngrënë suxhuk brenda një marketi

    E pazakontë: Një qen shihet duke ngrënë suxhuk brenda një marketi

    Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në një market të Ferizajt.

    Në videon e publikuar nga “Ferizaj Media”, shihet një qen që është futur brenda frigoriferit të marketit, teksa ha suxhuk.

    Nuk dihet se për cilin market bëhet fjalë.

  • ​Oficerët doganor parandalojnë kontrabandimin e fishekëve luftarak në Vërmicë

    ​Oficerët doganor parandalojnë kontrabandimin e fishekëve luftarak në Vërmicë

    Oficerët e Doganës së Kosovës në Vermicë kanë arritur të kapin një sasi të konsiderueshme municioni gjatë një tentimi nga Shqipëria për të kryer kontrabandë në territorin e Kosovës.

    “Sot, rreth orës 11:00 në pikën kufitare të Vërmicës, oficerët doganor kanë vënë re një automjet (që vinte nga Republika e Shqipërisë) dhe që po përpiqej të shmangte kontrollet. Qëllimi i shoferit ishte evident pra shmangja e kontrolleve të dokumentacionit dhe fizike të kryera nga autoritetet doganore. Pas ndalimit të automjetit, u dha urdhër për të kryer një kontroll në vijën e dytë të kontrollit doganor. Përpara oficerëve drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asgjë në mjetin e tij. Megjithatë, pas një kontrolli të kujdesshëm të automjetit, së bashku me ndihmën e zyrtarëve të policisë që ishin të pranishëm gjatë këtij kontrolli, u zbulua mallrat e ndaluara që ishin fshehur me kujdes në pjesën e pasme të mjetit pranë këmbëve të pasagjerit. Konkretisht, u gjetën 577 copë fishekë për armën tip AK-47”, thuhet në komunikatë.

    Siç njofton dogana pas zbulimit të kësaj sasie të municionit, automjeti u dërgua për një skanim të thelluar në doganën e Shqipërisë.

    “Për të siguruar një kontroll më të hollësishëm, u përdor edhe fibroskopi, por nuk u gjet asgjë tjetër të dyshimtë. Municioni i zbuluar është konfiskuar dhe së bashku me rastin i është transferuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

  • Macron paralajmëron masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk “sillen me përgjegjësi”

    Macron paralajmëron masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk “sillen me përgjegjësi”

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi”.

    Macron në fjalimin e tij të përvjetmë para ambasadorëve, ka thënë se mendon që marrëveshja e Brukselit që njihet si propozimi “francezo-gjerman” është rruga e duhur dhe se duhet angazhim i palëve.

    Ai ka bërë thirrje që palët të riangazhohen edhe për organizim të zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, serbët të kthehen në institucione të Kosovës e po ashtu ka përmendur edhe formimin e Asociacionit. Ai ka thënë se nga autoritetet e Kosovës presin që “paqja të kthehet” në këtë pjesë.

    “Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Macron.

  • Dogana gjen dhe sekuestron mallra të kontrabanduar në një biznes në Kamenicë

    Dogana gjen dhe sekuestron mallra të kontrabanduar në një biznes në Kamenicë

    Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të mallit të kontrabanduar në një lokal në Kamenicë.

    Sipas Doganës së Kosovës, pas informacioneve të siguruara, sektori i antidrogës ka kryer kontrollin dhe ka gjetur sasi të mallit të kontrabanduar.

    “Me këtë rast, është hasur në një sasi të konsiderueshme të mallrave të kontrabanduar, përfshirë cigare, duhan të grirë dhe cigare elektronike. Mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe janë nisur procedurat kundërvajtëse ndaj biznesit”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

  • Dy të vdekur dhe disa të plagosur nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

    Dy të vdekur dhe disa të plagosur nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

    Rusia e sulmoi rajonin Poltava në lindje të Ukrainës gjatë natës së 27 gushtit, duke i vrarë dy persona dhe duke shkaktuar dëme, njoftuan autoritetet rajonale të hënën.

    “Si pasojë e sulmit të armikut u vranë dy njerëz, ndërsa dy të tjerë u dërguan në spital me lëndime të vogla, dhe dy të tjerë u zhdukën”, tha guvernatori rajonal, Dmitro Lunin në Telegram, duke shtuar se një ndërtesë industriale u shkatërrua, po ashtu.

    Ndërkohë, një sulm tjetër rus me raketë i shkatërroi dy shtëpi në qytetin Krivi Rih.

    Ushtria ukrainase tha më 28 gusht se forcat e saj po e vazhdojnë ofensivën drejt qytetit strategjik Melitopol në jug të rajonit Zaporizhja.

    Forcat ukrainase të Mbrojtjes i kryen 34 beteja në ditën e kaluar në vazhdën e “një ofensive drejt Melitopolit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës në raportin e rregullt të mëngjesit më 28 gusht.

    Melitopoli, në jug të rajonit Zaporizhja, është një pikë jetike transiti për forcat ruse dhe një pikë kyçe lidhëse me të ashtuquajturën “ura tokësore” mes Krimesë së aneksuar nga Rusia dhe pjesëve lindore të Ukrainës të zaptuara nga Rusia.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 27 gusht se pret një “shtator të fuqishëm për Ukrainën”, përfshirë vendime të rëndësishme nga aleatët e Perëndimit rreth furnizimit me armë dhe pajisje të tjera për luftën./REL/

  • Hovenier mirëpret në Kosovë Këshilltaren për Çështje Publike, Jennifer Lawson

    Hovenier mirëpret në Kosovë Këshilltaren për Çështje Publike, Jennifer Lawson

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka mirëpritur në Kosovë, Këshilltaren për Çështje Publike, Jennifer Lawson.

    Ai tha se pret me padurim udhëheqjen e Jennifeit të iniciativave të diplomacisë publike.

    “Ju lutemi bashkohuni me mua për të mirëpritur në Kosovë Këshilltaren për Çështje Publike, Jennifer Lawson! Pres me padurim udhëheqjen e Jenniferit të iniciativave tona të diplomacisë publike. Unë jam i sigurt se do ta shihni teksa ekipi ynë vazhdon të thellojë partneritetin e fortë me popullin kosovar”, ka shkruar ai.