ATV

Category: Lajme

  • Plagosen rëndë dy persona në Prishtinë

    Plagosen rëndë dy persona në Prishtinë

    Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se dy persona janë plagosur rëndë në Prishtinë.

    Në raport thuhet se të njëjtit kanë marrë plagë nga të shtënat me armë zjarri dhe kanë kërkuar tretman mjekësor.

    Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfiskuar një veturë që dyshohet se është përdorur në rast.

    Rasti është hapur si “Vrasje e rëndë në tentativë”, dhe vazhdon të hetohet.

  • Kimi i kërkon ushtrisë të jetë në gatishmëri për “komplotin amerikan” për pushtimin e Koresë së V.

    Kimi i kërkon ushtrisë të jetë në gatishmëri për “komplotin amerikan” për pushtimin e Koresë së V.

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka bërë thirrje ushtrisë së vet të jetë gjithmonë në gatishmëri për luftë, në mënyrë që t’i parandalojë komplotet e rivalëve për pushtimin e vendit të tyre, raportuan mediat shtetërore të martën.

    Ai i bëri këto deklarata pasi Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia mbajtën ushtrime detare trepalëshe për t’u përballë me kërcënimet bërthamore në rritje të Koresë së Veriut.

    Ushtria amerikane dhe ajo jugkoreane janë duke mbajtur stërvitje të ndara dypalëshe verore që nga java e kaluar.

    Koreja e Veriut i sheh stërvitjet e tilla me përfshirjen e SHBA-së si përgatitje për pushtim, megjithëse Uashingtoni dhe partnerët e tij ngulin këmbë se stërvitjet e tyre janë mbrojtëse.

    Kimi tha gjatë një fjalimi për shënimin e Ditës së Marinës së Koresë së Veriut të hënën se ujërat pranë Gadishullit Korean janë bërë jostabile “nga rreziku për luftë bërthamore”, për shkak të armiqësive të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve qendrore të Koresë Veriore.

    Ai i përmendi stërvitjet e SHBA-së me aleatët e vet, vendosjen e armëve të fuqishme amerikane në ujërat afër Gadishullit Korean dhe një samit së fundmi mes SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë, ku u arrit një marrëveshje për rritjen e bashkëpunimin për mbrojtje, si kundërpërgjigje ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut.

    Kimi i quajti presidentin e SHBA-së, Joe Biden, presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dhe kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, “shefa të bandës” së tri shteteve

    “Kjo gjendje mbizotëruese i kërkon marinës sonë t’i përqendrojë të gjitha përpjekjet për t’u bërë gati për luftë, ta ketë vëmendjen e vazhdueshme për luftë, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’ia thyer armikut vullnetin për luftë”, tha Kim.

    Në stërvitjet mes tri vendeve të martën në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit të Koresë së Jugut, Jeju, pati shkatërrues detarë nga të tri vendet.

    Ndërkohë, që nga viti 2022, Koreja e Veriut i ka kryer më shumë se 100 testime të armëve, shumica e të cilave përfshinin raketa bërthamore të ndërtuara për ta goditur SHBA-në dhe aleatët e saj Korenë e Jugut dhe Japoninë.

    Kjo i ka shtyrë Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut t’i rrisin stërvitjet e tyre dhe t’i rinisin stërvitjet trepalëshe duke e përfshirë edhe Japoninë në to.

    Kimi ka bërë përpjekje të mëdha për ta rritur arsenalin e vet bërthamor dhe për të krijuar sisteme të armëve të sofistikuara.

    Gjatë fjalimit të tij, Kim shtoi se njësitë ushtarake të çdo shërbimi do të marrin armë të reja në përputhje me vendimin e Qeverisë për zgjerimin e përdorimit të armëve taktike bërthamore. /rel

  • Përmirësohet situata me rezervat e gjakut, rritet shkalla e dhuruesve vullnetar

    Përmirësohet situata me rezervat e gjakut, rritet shkalla e dhuruesve vullnetar

    Qendra Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, ka arritur ta stabilizojë gjendjen me rezerva të gjakut, pasi kohë më parë u paralajmërua mungesë e madhe, raporton EO.

    Se gjendja në këtë institucion është e mirë, e tha Safete Maliqi-Qorrmemeti, kryeudhëheqëse e departamentit për dhurim të gjakut në QKKTGj.

    Ajo ka deklaruar për Ekonomia Online se është rritur edhe shkalla e ndërgjegjësimit të vullnetarëve, për të cilën i falënderon.

    Ajo ka treguar për grupet që kanë pasur mungesë por që thotë se falë njerëzve vullnetmirë, kanë arritur ta rregullojnë gjendjen me gjak.

    “Për momentin janë përmirësuar rezervat e gjakut, kishim kohët e fundit një mungesë të disa grupeve të caktuara mirëpo kemi arrit me angazhim të përgjithshëm me stabilizuar gjendjen. Tani për momentin kemi rezerva jo te mjaftueshme, po vazhdojmë të krijojmë rezerve për t’i trajtuar pacientët me gjak dhe produkte të gjakut. Është normale grupet RH negative janë më pak edhe në popullatë, mirëpo tani kemi krijua rezerva të mjaftueshme, ka qenë mungesë e gjakut 0 negativ dhe B negativ, mirëpo tani kemi krijuar rezerva dhe nuk kanë nevojë të shqetësohen pacientet, mund të trajtohen të gjitha operacionet që janë të planifikuara”, thotë ajo për EO.

    Ajo shtoi se kërkesat më të mëdha të gjakut janë në Kirurgji, Gjinekologji, Hematologji, Dializa e njësi tjera.

    Ajo po ashtu theksoi se, shkallë e rritjes së dhuruesve vullnetar të gjakut dëshmon për një shkallë të lartë ndërgjegjësimi të popullatës.

    “Numri i dhuruesve kohëve të fundit është rritur mirëpo përkundër rritjes së numri është shtuar edhe numri i rasteve të cilat kanë nevojë për gjak dhe kërkuesit më të mëdhenj të gjakut janë rastet në Kirurgji, Gjinekologji, Hematollogji, sëmundjet e gjakut dializë e të tjera. Kjo shkallë e rritjes së dhuruesve vullnetar të gjakut dëshmon për një shkallë të lartë ndërgjegjësimi të popullatës dhe përgjegjësisë dhe shifrat e larta të dhurimit të gjakut tregojnë për nivelin e dhurimit vullnetar për ti krijuar rezervat e mjaftueshëm në nivel kombëtar”, u shpreh ajo.

    Ajo tha se janë duke vazhduar edhe një aksion me FSK-në për dhurim të gjakut, teksa bëri thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak.

    “Është një sfidë e theksuar për të siguruar doza të gjakut mjaftueshëm për të pasur rezerva mirëpo në bashkëpunim me strukturat shëndetësore, me organizatat e ndryshme shtetërore, private me qytetarët kemi arritur me ndihmën e medieve me bë promovimin e dhurimit të gjakut dhe me shpreh një apel tekë qytetarët për tu paraqit për të dhuruar gjak këtë kohë verë kur kemi pasur mungesë të disa grupeve. Është duke u përmirësuar gjendja, tani jemi duke vazhduar aksionet e dhurimit të gjakut në FSK-në prej 21 gusht dhe vazhdojmë deri me 18 shtator. Gjatë këtyre aksioneve kemi numër të konsiderueshëm të cilët pjesëtarët e FSK-së i përgjigjen dhurimit në mënyrë pozitive”, tha ajo.

  • Komuna e Prishtinës blen 500 mijë euro biçikleta, qytetarët nuk pajtohen me idenë

    Komuna e Prishtinës blen 500 mijë euro biçikleta, qytetarët nuk pajtohen me idenë

    Komuna e Prishtinës ditë më parë ka nënshkruar kontratën për blerjen e biçikletave në vlerë 500 mijë euro. Sipas kontratës, një biçikletë ka vlerë prej 2,744 euro, raporton EO.

    Ekonomia Online i ka pyetur disa qytetarë lidhur me këtë kontratë. Disa prej tyre u shprehën të pakënaqur me investimin e komunës së Prishtinës.

    Bislim Ademit, qytetar i Prishtinës kjo blerje nuk iu duk e arsyeshme.

    “Po më doket që s’osht e rrugës sepse ka ma prioritare tjera punë më kry se me ble biçikleta por ata vendosin vet fundi i fundit, s’po e shoh të arsyeshme kurrgjo këtë punë”.

    Një qytetar tjeter i quajti këto eksperimente.

    Sipas Fetah Dragushës, Prishtina nuk ka infrastrukturë që i përshtatet ngasjes së biçikletave.

    “Nuk di, është e çuditshme, këtu udhëheqësia tek ne si në nivelin qendër ashtu edhe lokal, që cili vjen bënë eksperimente, herë ia qëllojnë e më shumë nuk ia qëllojnë hiq, sepse Prishtina ka njëfarë infrastrukture që nuk mund t’i përshtatet biçikletave, për kundër asaj që është e dëshirueshme”.

    Rrahim Gashi, u shpreh se duhet të investohet në pensione e arsim.

    Ndërkaq, Avdullah Parduzi tha se ky investim është shumë i shtrejtë për komunën e Prishtinës.

    “Mendimi im është ndoshta kishin pas nevojë popullata, me e marrë ndonjë biçikletë gratis por si do qoftë, por sa i përket çështjes ka nevojë paratë të shkojnë për shembull drejtë nga pensionet e pleqërisë edhe për shkollimin e fëmijëve, vetëm kisha me iu thanë për të pas kujdes, sidomos me punu me popull jashtëzakonisht, në qoftë se punon me popull atëherë edhe ka prosperitet”.

    “Mendoj që është një shumë e shtrenjtë në këtë kohë me u bo investime komuna e Prishtinës 3 000 mijë euro një biçikletë, në këtë varfëri, mendoj se ato janë të mira për me i hjek automjetet sado pak me e mirëmbajte ambientin, sepse ambienti është shumë i ndotur, vetëm në këtë kohë po më duket shumë i shtrenjtë 3 000 euro një biçikletë në këtë kohë, në këtë krizë, për mu është shumë e shtrenjtë se nuk është gjë e keqe por e shtrenjtë”.

  • Stuhia po i afrohet Shqipërisë, ora kur pritet të nisi shiu i fortë dhe rrufetë

    Stuhia po i afrohet Shqipërisë, ora kur pritet të nisi shiu i fortë dhe rrufetë

    Duke nisur nga ora 03:00 e mëngjesit të ditës së martë e deri në orën 10 pritet që në të gjithë territorin të ketë stuhi shiu.

    Autoritet dhe disa bashki kanë dhënë alarmin, duke ju kërkuar qytetarëve të tregohen të kujdesshëm pasi pritet të ketë reshje me intensitet të lartë.

    Gjithashtu priten erëra të forta dhe shkarkesa elektrike.

    Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se qarqet më të rrezikuara janë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë.

    Peleshi sqaron se Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri, ndërsa i bën thirrje bashkive në të gjithë vendin që të marrin masat e nevojshme për çdo emergjencë.

    Ndërkohë edhe OSSH ka theksuar mbrëmjen e sotme se i ka marrë të gjitha masat, duke nxjerrë në terren më shumë se 1 mijë punonjës, të cilët do të jenë për të rregulluar defektet nëse do të ketë goditje të linjave elektrike gjatë stuhisë.

  • Osmani bisedon me të rinjtë për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë

    Osmani bisedon me të rinjtë për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian, ‘Alpbach 2023’, që po mbahet në Austri.

    Kësisoj, shefja e shtetit ka pasur një diskutim me të rinjtë nga e gjithë bota, transmeton Paparaci.

    “Një diskutim i gjallë dhe tërheqës këtë mëngjes me të rinj nga e gjithë bota në EFA2023. Biseduam për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë dhe përpjekjet tona sot si një demokraci e lulëzuar e përkushtuar ndaj integrimeve euroatlantike”, shkroi ajo në “X”.

  • Dallaveret në tender: Arrestohet edhe dyshuari i tretë në Suharekë

    Dallaveret në tender: Arrestohet edhe dyshuari i tretë në Suharekë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar edhe një person të hënën, i cili dyshohet për dallavere në një tender që peshon dhjetëra mijëra euro.

    Gjithsej, numri i të arrestuarve në këtë rast ka shkuar në tre. Më 22 gusht, Policia e Kosovës kishte arrestuar Enver Shabanin, drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashi, zyrtar i Komunës së Suharekës, të cilët dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.

    Ndaj Shabanit dhe Kabashit, Gjykata Themelore në Prizren, ua ka caktuar të enjten e kaluar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç).

    E, Policia sot njoftoi se i arrestuari i tretë është i dyshuari me inicialet B.S.

    “I dyshuari në bashkëveprim me persona zyrtar të komunës së Suharekës dhe menaxherin e kontratës pas përpilimit të procesverbaleve dhe situacioneve fiktive si dhe raportit fiktiv për kryerën e punëve lidhur me ketë tender, kompania ka lëshuar faturat për realizim të punëve me çka edhe janë realizuar pagesat nga komuna e Suharekës, ku në realitet punët apo shtrimi i rrugëve sipas kontratës nuk është realizuar”, tha Policia.

    I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, tha Policia.

    Ndaj të dyshuarit, pas përfundimit te intervistimit me vendim të prokurorit kompetent, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Sipas vendimit për fillimin e hetimeve, që Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda e ka marrë ndaj Shabanit dhe Kabashit, të njëjtit prej 18 maj 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në Suharekë në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për personat tjerë, të njëjtit me dashje shkelin ligjin e Prokurimit Publik.

    Sipas vendimit, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521 me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

    Për këto veprime, në vendim thuhet se të njëjtit Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 cent.

  • Macron: Kosova dhe Serbia mund të përballen me pasoja nëse nuk sillen me përgjegjësi

    Macron: Kosova dhe Serbia mund të përballen me pasoja nëse nuk sillen me përgjegjësi

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se do të përballen me pasoja nëse nuk veprojnë me përgjegjësi kundruall situatës në veri të Kosovës. Gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të ambasadorëve francezë në Paris, presidenti Macron theksoi se Franca dhe Gjermania kanë ofruar një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar planit për të cilin palët u pajtuan më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

    “Presim një ri angazhim të qartë nga të dyja palë”, tha presidenti Macron duke u bërë thirrje atyre të punojnë për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, që serbët të kthehen në institucionet e vendit dhe situata të shtensionohet.

    “Franca dhe Gjermania i kanë bërë zotimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dyja palët nuk sillen me përgjegjësi”, tha presidenti Macron, duke theksuar se duhet qasje e kujdesshme posaçërisht kur qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është në rrezik.

    Bashkimi Evropian vendosi në qershor masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të siç thuhet, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.

    Tensionet shpërthyen pasi grupe qytetarësh serbë u hodhën në protesta kundër vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

    Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

    Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Përmendja e çështjes së vizave nga presidenti Macron, nga vëzhguesit në Kosovë u pa si një paralajmërim për thellim masash ndëshkuese për shkak të situatës në veri.

    Në muajin prill Bashkimi Evropian vendosi që qytetaret e Kosovës të përfshihen në regjimin e udhëtimit pa viza nga 1 janari i vitit 2024. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në këtë regjim dhe e fundit në proceset integruese evropiane.

    Presidenti francez tha të hënën se Bashkimi Evropian është në rrugën e zgjerimit, veçanërisht me rajonin e Ballkanit Perëndimor, por blloku duhet të reformohet nëse dëshiron të integrojë vende të reja./VOA

  • Kurti pas takimit me Lajçakun: Kemi nevojë për njohje reciproke

    Kurti pas takimit me Lajçakun: Kemi nevojë për njohje reciproke

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimi të zhvilluar në Bled të Sllovenisë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Ai ka treguar se me diplomatin sllovak kanë folur për mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Themelore.

    Sipas tij, “me procesin e ri-fokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke, de-jure dhe de-facto”.

    Nga kryeministria u tha se ata diskutuan për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj pa kushtëzime.

    “Kryeministri tha në dritën e fjalimit të presidentit të Këshillit Evropian për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është e rëndësishme që të ketë avancim drejt normalizimit të plotë me njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Qeverisë Kurti.

    “Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, Kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”.

    Po ashtu u tha se aty u diskutua edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit.

    E, Lajçak me anë të një postimi në X ka theksuar se pati në takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë.

    “Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, shkroi ai në platformën “X”.

  • Hoxhaj: Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me Qeverinë Kurti i janë hapur dyert në tërë botën

    Hoxhaj: Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me Qeverinë Kurti i janë hapur dyert në tërë botën

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova nuk është mjaftueshëm prezente në politikën e jashtme.

    Sipas tij, Kosova është duke u kërcënuar për heqjen e liberalizimit të vizave për shkak të politikës së jashtme jo të duhur të Qeverisë Kurti.

    “Nga Evropa në Amerikë, e nga Azia në Amerikën Latine, Kosova asnjëherë nuk ka qenë me kaq pak prezencë në marrëdhëniet ndërkombëtare prej vitit 1989, sesa si tash me qeverinë Kurti! Politikës së jashtme së Kosovës i është shuar vullneti dhe tharë energjia e mbrojtjes së interesit shtetëror”, tha ai.

    “Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me qeverinë Kurti, i janë hapur dyert në tërë botën, sikurse asocimi i shpejt i Serbisë në ASEAN, organizatën më të madhe në Azi! Natyrisht, këtu për tërheqjet e njohjeve nga Azia, se as që mund të bëhet fjalë për të marrë njohje të reja! Si e sheh Evropa Kosovën, nuk tregojnë recitimet në Forumet Alpbach dhe Bled, por kërcënimet për heqjen e liberalizimit të vizave nga Parisi dhe Berlini!”.