ATV

Category: Lajme

  • Kryetari i Prishtinës raporton për gjashtëmujorin e parë

    Kryetari i Prishtinës raporton për gjashtëmujorin e parë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Karriget i mbeten bosh, për shkak që grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të AAK-së, vendosën ta bojkotojnë thirrjen e Seancës komunale në Prishtinë.

    Arsyeja e bojkotit nga Vetëvendosja ishte zgjedhja e kryesuesit të kuvendit, për të cilën thanë se është në kohë të panevojshme dhe tendencioze pasi që në Gjykatën Themelore në Prishtinë është iniciuar një konflikt administrativ mes MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës.

    Por pavarësisht kësaj, mbledhja vazhdoi normalisht pasi që kuvendi komunal kishte kuorum, për të diskutuar rreth 16 pikave të vendosura në rend të ditës.

    Në mesin e këtyre pikave, ishte edhe raportimi për punën 6-mujore të kryetarit.

    “Kemi nënshkruar edhe ndërtimin e 5 shkollave, tri të tjera janë në ndërtim e sipër. Javën që lamë pas, isha në Japoni ku pata takime të shumta, u dakorduam për avancim të bashkëpunimit në fushën e kulturës, artit e teknologjisë. Janë duke u dizajnuar disa projekte të mëdha që do transformojnë kryeqytetin. Bashkë me këto janë duke u dizajnuar edhe platformat ndërlidhëse. Spitali i Prishtinës tanimë është duke u dizajnuar dhe do të fillojë së shpejti. Kemi ende sfida siç është problemi me mbeturinat, ku kemi ndarë mjete për blerjen e 8 kamionëve dhe 140 kontejnerëve të rinj… Për bujqit kemi ndarë 19 sera, 54 kultivatorë, kemi dyfishuar subvencionet për gratë…”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Lëvdata për punën, Rama mori nga bashkëpunëtorët e tij partiakë e të koalicionit.

    “Kryetari Rama edhe një herë po dëshmon që ka transparencë për punën që bën. Në këtë raport shihet se kryetari dhe drejtorët kanë bërë punë të mirë. Këto po dëshmojnë që Prishtina po transformohet”, tha Jeta Rafuna, këshilltare komunale e LDK-së.

    “Te raporti, nëse e analizojmë, ka punë të mira. I përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar. Një planifikim i mirë do ta mundësonte një jetë më të mirë për qytetarët”, tha Fatmir Dervishi, këshilltar komunal i PDK-së.

    Ndërkaq, në këtë seancë u miratua edhe projekt-propozimi nga nënkryetari i komunës për subvencionimin e festivaleve kulturore në kryeqytet.

  • Falja e tatimit në pronë, kushtetuesja pezullon zbatimin e ligjit

    Falja e tatimit në pronë, kushtetuesja pezullon zbatimin e ligjit

    Përgatiti: Nora Luta

    Komunat nuk do të mund të falin tatimin në pronë prej 100 eurosh, të paktën deri në nëntor të këtij viti.

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, i cili parasheh faljen e tatimit në pronë për qytetarët në vlerë të kësaj shume.

    Sipas vendimit të publikuar të hënën, zbatimi i këtij neni pezullohet menjëherë.

    “Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur, të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni, deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Vendimin e Gjykatës e ka mirëpritur Asociacioni i Komunave të Kosovës, pasi shumica e komunave e kishin kundërshtuar këtë mënyrën të faljes së tatimit në pronë, duke thënë se po i shkaktohet dëm buxhetit të tyre.

    Në bazë të këtij vendimi, sipas Sazan Ibrahimit, kuvendet komunale nuk do të mund të marrin asnjë vendim rreth faljes së tatimit në pronë.

    Ndërkohë, nga ky ligj deri tash kanë përfituar qytetarët e Komunës së Drenasit, asaj të Obiliqit dhe të e Graçanicës, të cilat vendosën t’ua falin nga 100 euro të tatimit në pronë qytetarëve për këtë vit.

    Kërkesa për vlerësim të ligjit në Gjykatën Kushtetuese ishte dërguar para dy javësh nga komuna e Prizrenit, me mbështetjen edhe të komunave tjera anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës, pasi AKK-ja si institucion nuk konsiderohet palë e autorizuar për t’iu drejtuar Kushtetueses.

  • Hashim Thaçi nga Haga flet për veten, familjen, Edi Ramën dhe të ardhmen e Kosovës

    Hashim Thaçi nga Haga flet për veten, familjen, Edi Ramën dhe të ardhmen e Kosovës

    Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Nacionalja ka realizuar një intervistë ekskluzive me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, brenda dhomave të paraburgimit, ku ai flet për veten, familjen, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, për domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos qëndrojë në një gjendje të vazhdueshme krizas të njëpasnjëshme, si dhe për nevojën e përmbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë – në njohje të ndërsjellë.

    Në fillim të intervistës zoti Thaçi thotë se “sot jam në izolim fizik, por jo burg mendor” dhe shprehet se ka “energjinë fizike” dhe “freskinë mendore”. Por për çka është në veçanti i përmalluar është për familjen në rend të parë, dhe miqt e tij jetësor.

    “Mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore”, e quajti ish-Presidenti Thaçi vizitën e tij të parë që nga paraburgimi në Burojë të Skenderajt më 29 maj të këtij viti, kur i ishte aprovuar vizita për shkaqe shëndetësore të së ëmës së tij; ku tregon se “koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time”.

    “Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore”, u shpreh zoti Thaçi.

    Teksa kujton edhe takimin me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën, ai i gëzohet edhe librat që ky i fundit i solli. “Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë”.

    Më pas, ish-Presidenti Thaçi duke komentuar në vija të trasha gjendjen e tanishme në vend, kërkon të hiqet dorë nga marrja për së tepërmi me të kaluarën, dhe “të mos rrezikohet apo humbet e ardhmja”.

    “Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale”, na tha ish-Presidenti i vendit.

    Çka duket se ia ka marrë vëmendjen Presidentit është krizat e njëpasnjëshme në vend, për çka shprehet se “Çdo krizë e vonon shumë Kosovën”.

    “Por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar”.

    “Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar”.

    Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sheh në retrospektivë për të treguar se Kosova, po, është storie suksesi, por është “storie e përbashkët suksesi” me aleatët e saj jetik perëndimor.

    “Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare”.

    Këtu, ish Presidenti e kthen kokën kah skeptikët dhe kundërshtarët e bërjes së Kosovës shtet dhe të pavarur, dhe kërkon që të qëndrohet kah aleatët.

    Sepse, përkundrazi “Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur”.

    “Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson”.

    Ish-Presidenti thotë se Kosovën që ai e beson është një Kosovë që është në NATO, në BE, “dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në”.

    “Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni. Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova”, tha ish-Presidenti në intervistë me Nacionalen.

    Intervista e plotë me Hashim Thaçin:

    Nacionale: Disa vite para se të arrestoheshit, disa herë e keni përsëritur se do të dilnit në pension pas përfundimit të mandatit të Presidentit. A e keni pasur përnjëmend?

    Hashim Thaçi: Nuk më mungon zyra e Presidentit apo e Kryeministrit, dhe as agjenda apo debatet ditore politike, partiake apo parlamentare. Pas përfundimit të angazhimit politik dhe procesit që po kaloj aktualisht, dua të jetoj kapituj të angazhimeve tjera jetësore.

    Unë sot jam në izolim fizik, por jo në burg mendor.

    Ndjej se kam energjinë fizike e krijuese, përvojnë dhe freskinë mendore të bëjë gjëra të mira, të dobishme dhe kreative për shoqërinë dhe vendin tim.

    Për qytetarët kosovarë, liria dhe pavarësia nuk duhet të jenë të mjaftueshme.

    Kosova ka shumë oportunitete të parealizuara; kapitali human përbën pasurinë më të çmueshme. Unë besoj në shoqërinë aktive, dinamike dhe inovative kosovare; besoj në të ardhmen e sigurt të fëmijve tanë dhe fëmijët e fëmijve tanë.

    Nacionale: Çka ju ka marrë malli më së shumti në Kosovë?

    Hashim Thaçi: Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj.

    I mungojmë njëri-tjetrit çdo ditë, por ky është çmimi i lirisë.

    E di që mallëngjimi është deri diku dobësi, por paraqet edhe njerëzi: jemi njerëz nga mishi dhe gjaku.

    Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm.

    Vizita ime para do kohësh, më 29 maj 2023, e cila u krye në ruajtje dhe shoqërim të DHSK, në vendlindje në Burojë, biseda me prindërit, për disa orë, paraqet një mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore. Koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time. Evokuam kujtime të së kaluarës, biseduan për rrethin e ngushtë dhe të gjerë familjar, për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Janë të bekuar që kanë plot mbesa e stërmbesa, nipa e stërnipa. Po e jetojnë pleqërinë të qetë, krenarë dhe dinjitozë.

    Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore.

    Nacionale: Në fjalimin e fundit para popullit të Kosovës, ditën kur u arrestuat, një pjesë më ka lënë shumë përshtypje: ajo kur thoni të qëndrojmë së bashku dhe që të mos lejojmë të thellohemi në krizë kushtetuese dhe institucionale. Çka keni pasur ndërmend kur i keni thënë ato fjalë?

    Hashim Thaçi: Unë vazhdoj të besoj se vetëm duke qëndruar të bashkuar si popull, mund t’i tejkalojmë sfidat. Të bashkuar ia dolëm në procesin e lirisë dhe pavarësisë, e ashtu duhet të vazhdojmë edhe në fazën e integrimit euro-atlantik.

    Ky unitet qytetar dhe institucional duhet të mishërohet në vlerat perëndimore, në kuptimin e ecjes përpara, e jo bashkim në kauza të gabuara. Jo të kalohet koha së bashku duke reflektuar për ballafaqimet e së kaluarës, por të hidhet shikimi kah e ardhmja.

    E kaluara jonë nuk është sfiduese, ajo është e fituar, është shumë krenare dhe me integritet, atë nuk mund dhe nuk duhet të tentojmë ta ndryshojmë. Sfidat dhe zgjidhjet i kemi përpara.

    Njerëzit duan zhvillim, vende pune, mirëqenie, edukim cilësor, shërbim shëndetësor, ambient më të pastër, etj. Duhet kujdes që, duke u marrë shumë me të kaluarën të mos vonohet, rrezikohet apo edhe të humbet e ardhmja.

    Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale.

    Çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar.

    Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar.

    Nacionale: Mbështetja personale e Edi Ramës për ju pasi u arrestuat ka habitur shumëkënd. Ai ju quan vëlla e ju shpreh dashuri të madhe miqësore. Ne ishim dëshmitarë të raporteve të mira, edhe sa ju ishit në Kosovë. Por, a ishin gjithnjë të mira?

    Hashim Thaçi: Kur erdhëm në Hagë, si pasojë e masave anti-Covid, i kaluam pa asnjë kontakt fizik rreth 9 muaj, madje as me familje. Nuk ishte e lehtë. Vizita e Edit ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore. Më kishte marrë malli. Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson, është impresionuese se si ai po vazhdon të ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane.

    U gëzova shumë që, pas autorizimit të shefit të paraburgimit, pranova librat që Edi më kishte sjellë në objektin e paraburgimit të DHSK. Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë.

    Ne besojmë në drejtësi, në të vërtetën dhe transparencën. Qytetarët e Kosovës janë të etur të shohin dhe të dëgjojnë të vërtetën. Jo të cunguar, apo të njëanshme. Kosova dhe qytetarët e saj besojnë në parimet e drejtësisë moderne, të cilat i ka përfshirë dhe i respekton edhe me kushtetutë dhe ligje shtetërore. Drejtësi që respekton standardet bashkëkohore, e shpejtë dhe efikase. Drejtësi që e fiton legjitimitetin e brendshëm. Kosova ka vuajtur shumë nga padrejtësia. Kosova ka ecur përpara vetëm duke i respektuar parimet e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.

    Nacionale: Në politikën kosovare ju keni ndërtuar raporte personale edhe me figura tjera politike. A mund ta përmendni ndonjë prej tyre, që ndoshta edhe ju mungon sot?

    Hashim Thaçi: Nuk do t’i ndaja njerëzit nga politika dhe jo politika. Më mungojnë miqtë me të cilët kam punuar bashkërisht mbi dy dekada, me të cilët kam ndarë gëzimin, hidhërimin, suksesin dhe dështimin, njerëzit e rrugëtimit krenar për lirinë, shtetin dhe zhvillimin e vendit.

    Jam i inspiruar nga këta njerëz dhe përulem me respekt dhe mirënjohje që më duruan në gabime dhe më besuan në sukses. Integriteti i këtyre njerëzve është i jashtëzakonshëm. Ani pse e dinim se rrugëtimi me mua ishte jo i lehtë dhe i shkurtë, por më i sigurti dhe i qëndrueshmi.

    Bashkëpunimi me partnerë apo rivalë politikë për mua ka qenë gjithmonë respekt, kujdes dhe qëllim në vete. Gjithë jetën time politike e kam bërë me njerëz të profileve të ndryshme politike. Për mua kanë qenë gjithmonë më me rëndësi prioritetet politike e jo ato ideologjike, partiake apo individuale.

    Gjatë ballafaqimeve politike kam fituar shumë miq dhe kundërshtarë, por edhe janë krijuar kundërshti të ndryshme politike prejudikuese, por normale për shoqërinë demokratike plurale. Për mua janë të kuptueshme.

    U jam shumë mirënjohës të gjithëve që i kanë qëndruar familjes sime afër, por edhe për vizitat që më kanë bërë në Hagë. Por, mbi të gjitha, për besimin që tregojnë në atë që përfaqësoj.

    E riktheksoj, njerëzit më mungojnë, jo politika. Më kanë vizituar presidentë, kryeministra, ambasadorë, kongresmenë, politikanë, aktivistë të shoqërisë civile, udhëheqës të bashkësive fetare, veprimtarë të të drejtave të njeriut, intelektualë, akademikë, gazetarë, njerëz të artit dhe kulturës, botës së sportit, sipërmarrës, qytetarë nga Diaspora, të njohur dhe të panjohur. Të them të drejtën, u kënaqa duke biseduar për tema private, familjare dhe profesionale.

    U jam shumë falënderues të gjithëve qytetarëve, kudo që jetojnë, të cilët ndajnë solidaritetin e tyre.

    Nacionale: Ju keni pasur kohë, si asnjëherë më parë, të mendoni për gjëra të ndryshme, ndoshta edhe për luftën e fundit në Kosovë. A ka diçka të re që mund të na e thuash për atë periudhë?

    Hashim Thaçi: Të them të drejtën, më shumë mendoj për të ardhmen se sa për kapitujt e mbyllur suksesshëm të Kosovës. Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror.

    Ne fituam.

    Tash duhet ta forcojmë paqen. Ajo sjell zhvillim, rend e ligj, harmoni mes njerëzve, jetë më të mirë e mirëqenie për qytetarët.

    Vetëm me histori nuk mund ta fitojmë të ardhmen, historia duhet respektuar, institucionalizuar. Ajo është mishërim i qytetarëve, por nuk garanton sukses për të sotmen dhe të ardhmen.

    Nëse dështojmë sot, e lëndojmë dhe e përbaltim historinë e fitores së djeshme. Por, duhet pasur parasysh se historia jonë e suksesit nuk është vetëm pronë kosovare, është edhe meritë e jashtëzakonshme e botës perëndimore.

    Kosova është storie e suksesit të përbashkët. Pa përkrahjen e sponzoruesve të lirisë dhe pavarësisë si shoqëri mund të mbijetojmë ngatërrueshëm disi, por si shtet funksional nuk mund të ekzistojmë.

    Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare.

    Duhet kujtuar se jo të gjithë faktorët relevantë botërorë ishin entuziastë për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur.

    E kundërta, Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur. Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson.

    Por, unë besoj në Kosovën në NATO, në BE dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në.

    Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.

    Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni.

    Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova.

    Nacionale: Kosova po përballet me probleme të mëdha, ikjen e të rinjve. Shquheni për mesazhe përbashkuese, edhe shkaku i pozitës si president. A keni ndonjë mesazh edhe për këta të rinj: Pse duhet të rrinë në Kosovë e ta duan atë?

    Hashim Thaçi: Largimi i të rinjve dhe familjeve të tëra nga Kosova është shqetësues dhe paraqet alarm.

    Njerëzit nuk largohen pse nuk e duan atdheun, por nga mungesa e mundësive për jetë më të mirë. Me këtë trend, shumë shpejt, në pak vite, mund të kemi proporcionin e mbi gjysmës së qytetarëve kosovarë që jetojnë në Diasporë.

    Nuk duhet vetëm ankuar apo vajtuar largimin e tyre, por krijimin e kushteteve për frendim apo zvogëlimin e këtij fenomeni. Por, askush nuk duhet të mendojë se largimin e njerëzve për në Diasporë mund ta ndalë tërësisht.

    Nuk duhet harruar se Kosova ishte përfituese e madhe nga Diaspora. Ata investuan shumë për lirinë dhe zhvillimin e Kosovës. Tash duhet ta shndërrojmë këtë faktor në përparësi për ekonominë dhe emancipimin shoqëror.

    Është e njohur se shumë talentë briliantë po ikin jashtë, me këtë gjendje largimi do të rritet, pra “largimi i trurit”.

    Uroj që të mos jetë njëdrejtimësh…besoj që shumë shpejt do ta kemi “qarkullimin e trurit” ku njerëzit largohen, qëndrojnë jashtë e pastaj kthehen në vendet e tyre…dua të besoj se invetime të ndryshme në Kosovë mund të lidhen me dijen dhe përvojën e sipërmarrësisë në Kosovë.

    Të rinjt besojnë dhe ndihen krenarë me Kosovën. Të arriturat e Kosovës janë të jashtëzakonshme. Kosova është vend që ka dëshmuar që mund të bëjë mrekullira. Pra, më shumë shpresë, besim dhe optimizëmn për të sotmen dhe të ardhmen e saj.

    Të punohet që secili qytetar, të ndihet mirë dhe krenar me Kosovën. /Nacionale

  • Arrestohet 50-vjeçari i dyshuar për vrasjen në Przren

    Arrestohet 50-vjeçari i dyshuar për vrasjen në Przren

    Një ngjarje e rëndë tronditi të dielën Prizrenin, ku në orët e pasdites, për motive akoma të panjohura, 48-vjeçari Beqir Morina u vra nga i dyshuari Aziz Gashi. Krimi ndodhi në lagjen “Arbana” dhe dyshohet se 50-vjeçari përdori një pushkë automatike për ta kryer vrasjen dhe më pas u zhduk nga vendi i ngjarjes. Policia e kishte shpallur Gashin në kërkim, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, raporton Gazeta Sinjali.

    Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Aziz Gashi tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.

    Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës kishte publikuar fotografinë e të dyshuarit duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për ta gjetur 50-vjeçarin.

    Si ndodhi krimi?

    Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

    Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

    “Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.

    Teksa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes po vazhdojnë, Policia akoma nuk ka rënë në gjurmët e të dyshuarit, i cili mbrëmë i shpëtoi prangave duke ikur.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar togeri i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Rreth orës 18:46 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen Arbana. I dyshuari nga automjeti në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër. Është komnstatuar vdekja e viktimës në vendin e ngjarjes. Viktima është mashkull shqiptar i moshës rreth 48 vjeçar dhe i dyshimti është rreth moshës 50-55 vjeçare. I dyshuari është në kërkim nga Policia. Policia bashkë me njësinë e forenzikës janë në vendin e ngjarjes”, tha Bytyqi.

    Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • ​Tahiri: Mossigurimi i librave për nxënësit është antiligjor

    ​Tahiri: Mossigurimi i librave për nxënësit është antiligjor

    Pas dështimit të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme në Kuvend për çështjen e teksteve shkollore, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se bojkoti i partisë në pushtet dëshmon se vendimi për mossigurimin e librave, por kompensimi i tyre, është i dëmshëm dhe antiligjor.

    Ai para gazetarëve tha se deputetët e mazhorancës me bojkotin e tyre të seancës së sotme të jashtëzakonshme tentuan që ta mbulojnë “marrën” që e ka bërë ekzekutivi me këtë vendim.

    “Sot është vërtetuar se shumica parlamentare nuk dëshiron të ballafaqohet me të vërtetën dhe nuk dëshiron t’i ballafaqojë faktet të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë me vendimin e fundit të qeverisë për librat shkollorë. Ne kemi qenë të përgatitur për të dokumentuar se shuma e cila është paraparë nuk mjafton për blerjen e librave. Të njëjtën kohë kjo shumë as nuk i përmbush nevojat e nxënësve. E dyta vendimi i qeverisë bie ndesh me ligjin në fuqi ku thuhet se shteti duhet t’i siguroj librat. Pra ka rënë ndesh dhe fatkeqësisht për buxhetin e Kosovës barra buxhetore është rritur dy herë. Këtu humbësit e vetëm janë nxënësit dhe zingjiri që përbënë përkujdesin ndaj nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit…Sot një temë e një rëndësie të veçantë bojkotohet me të vetmin qëllim që të mbulojnë marrën që kjo qeveri e ka bërë me këtë vendim”, tha ai.

    Sipas tij mënyra e kompensimit të librave po del që nuk është efektive, pasi një numër i madh i familjeve nuk kanë xhirollogari, kurse disa prej tyre i kanë edhe të bllokuara nga përmbaruesit dhe bankat komerciale./kp

  • ​VV për debatin parlamentar: Kishte për qëllim prishjen e disponimit të fëmijëve

    ​VV për debatin parlamentar: Kishte për qëllim prishjen e disponimit të fëmijëve

    Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka arsyetuar mospjesëmarrjen në seancë të ftuar nga opozita lidhur me librat duke thënë se viti shkollor ka nisur ka filluar me rregull.

    Në një konferencë për media të hënën, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se është e papranueshme thirrja e opozitës për seancë lidhur çështjen e librave.

    Sipas tij, vendimi i MAShTI-it për tekstet shkollore ka eliminuar praktikat korruptuese në të kaluarën.

    Gola tha se seanca e jashtëzakonshme kishte për qëllim prishjen e deponimit të fëmijëve, andaj sipas tij, partia në pushtet e ka bojkotuar atë.

    “Qysh në parashtrimin e çështjes e kemi një cilësim i cili është i papranueshëm për ne, që është dështimi në sigurimin e teksteve shkollore. Meqë ashiqare bëhet fjalë për një vendim të marrë rishtazi nga Qeveria e Kosovës e që kemi të bëjmë me një ndryshim të praktikes të distribuimit, ne ende nuk i dimë implikimet e këtij vendimi për të zhvilluar ndonjë debat të mirë informuar dhe mbi informata të sakta, për shkak se procesi po vazhdon dhe kemi një fillim vit plotësisht në rregull shkollor. Edhe sikurse vitet e kaluara kemi pas vonesë në sigurimin e teksteve shkollore, por meqë ka qenë kështu cdo vit, ne ende nuk e dimë saktë nëse kjo vonesë është për shkak të vendimit të ndërmarrë nga Qeveria apo është për disa shkaqe të cilat kanë qenë evidente edhe në të kaluarën, sepse edhe viteve të kaluara kur ka pas negocim të çmimit, serish kemi pas vonesa të teksteve”, tha Gola.

    Gola tha se vendimi i marrë nga ministria synon të transformojë një praktikë sipas tij me plot të meta korruptive në të kaluarën.

    “Konsiderojmë se vet pjesëmarrja jonë në një seancë ku cilësohet si dështim, është përligje dështimi, dhe ne kemi refuzuar që të marrim pjesë në këso seanca. Pra, ne duhet të presim epilogun e këtij procesi, si vendim i cili ka ardhur si rezultat i nevojës për të shmangur abuzimet, keq menaxhimet, mungesën e planifikimeve të qëndrueshme në të kaluarën. Gjitha këto të evidentuara qartezi nga organet e pavarura të Republikës së Kosovës, që janë auditimet. Kjo d.m.th që ne duhet të presim zhvillimin e këtij procesi se si do të zhvillohet deri në fund, meqë asgjë të pazakontë, përpos një vendimi i cili synon të transformoje një praktikë me plot të meta korruptive në të kaluarën, në një praktikë e cila mobilizon edhe prindërit përmes subvencionimit që t’i blejnë tekstet e tyre”, tha Gola.

    Sipas tij, seanca e sotme kishte për qëllim edhe prishjen e dispononit të fëmijëve në këtë fillim vit shkollor.

    “Unë premtoj edhe si kryetar i komisionit, do të diskutohet edhe në komision, pse jo edhe në seancë, mirëpo vetëm pasi ta kemi epilogun e qartë të këtij procesi, në mënyrë që t’i kemi të dhënat edhe nga terreni, si ka shkuar edhe si një praktikë e re, cilat kanë qenë epërsitë, cilat kanë mundur të jenë sfidat, a mund të vazhdojmë vitin e ardhshëm, por jo seanca të cilat zhvillohen përmes cilësimeve arbitrare dhe me pasojë prishjen e deponimit të fëmijëve më një fillim vit shkollor shumë të mbarë. Dhe shpresoj se në seancat e rregullta por edhe të jashtëzakonshmet që mund të organizohen pas fillimit të sesionit dimëror dhe vjeshtor të parlamentit t’i diskutojmë me informata të sigurta të bazuara nga terreni dhe jo me spina dhe propaganda partiake”, tha mes tjerash Gola.

    Ndërsa deputetja, Arjeta Rexhepi tha se deri më tani 18 shkolla në vend nuk kanë filluar mësimin për shkak të infrastrukturës dhe jo mungesës së teksteve shkollore.

    “Për aq sa na ka njoftuar Ministria e Arsimit, tregon se shkollat në Republikën e Kosovës, të cilat nuk kanë filluar procesin mësimore janë gjithsej vetëm 18 shkolla, dhe arsyeja e mos fillimit të mësimit nuk janë mungesa e teksteve shkollore, por është problemi në infrastrukturë. E në mesin e atyre 18 shkollave, janë shkollat prej komunave më të mëdha, ku qeverisë opozita dhe nuk kanë filluar procesin mësimore, pra nuk kanë qenë të gatshme të kryejnë punimet në infrastruktë. Ajo ka ndodhur në Komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës. Të quhet se po dështon një reformë substanciale, konsiderojmë se është tendencioze dhe politike…Numri i aplikimeve për rimbursim është rreth 130 mijë aplikues”, tha Rexhepi.

    Ndërkaq, deputeti, Jahja Kokaj ka kritikuar përmbajtjen e teksteve shkollore, sipas tij duhet të punohet në këtë drejtim.

    “Si deputet sot nuk kam marrë pjesë në mbledhjen e ftuar, me arsye sepse ishte e ftuar me rendin e ditës, ku ishte fjala dështimi. Nuk marr pjesë aty ku ka dështim…Kur thuhet ka munguar fillimi i vitit shkollor, është e pa saktë, sepse viti shkollor a filluar për së mbari, dhe jemi dëshmitar, se dita parë e shkollës është njoftim i nxënësve me fytyrën e arsimtarit, është njoftim arsimtarit me strukturën, programit, t’i rekomandojë se cilat tekste duhet të përdoren. Gjitha shkollat kanë filluar mësimin për së mbari përveç atyre që kanë pas pengesa që nuk kanë qenë të leshura me tekstet shkollore…Unë kisha me fole një kritik tjetër, faktin se tekstet konsideroj se janë të dobëta, një numër shumë i madh i tyre. Të dobëta edhe në kuptimin strukturor, edhe shkencor dhe pedagogjik e gjuhësor. Andaj, në këtë aspekt duhet të mendojmë të përparojmë”, tha Kokaj.

    Mes tjerash, Kokaj ka akuzuar edhe shtëpitë botuese për çmimin me libra.

    “Unë dëgjova që në Tiranë një libër ishte 2.2 euro, nuk e di si quhej, kurse në Kosovë 6.3 euro. Shto këtu edhe faktin se përveç tekstit bazë ekziston edhe një tekst suplementarë, fletore e punës. Konsideroj se ka qenë e nevojshme të bëhet një hap dhe ministria ka për tendence që ta bëjë një hap të reformimit, të organizimit të këtillë”, shtoi Kokaj.

    Debati parlamentar , i thirrur nga opozita, lidhur me furnizimin me tekste shkollore, ka dështuar si pasojë e bojkotit nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje./KP

  • Pjesën e dytë të Provimit të Maturës e kaluan vetëm 57.1 për qind të nxënësve

    Pjesën e dytë të Provimit të Maturës e kaluan vetëm 57.1 për qind të nxënësve

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës të afatit të dytë, sipas të cilave kalueshmëria është 57.1 përqind.

    MASHTI, ka njoftuar se Këshilli Shtetëror i Maturës ka bërë të ditur se nga 6670 nxënës që kanë paraqitur provimin, në test kanë hyrë 5366, nga të cilët 3064 e kanë arritur kriterin e kalueshmërisë.

    “Po ashtu, Këshilli ka konstatuar se i gjithë procesi i testimit ka shkuar në rregull, ndërsa gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim nga disa nxënës dhe si pasojë e posedimit dhe përdorimit të telefonit, 13 nxënës janë përjashtuar nga testi”, thuhet në njoftim.

    Matura shtetërore (pjesa e dytë) është mbajtur më 26 gusht 2023 në 30 komuna të Kosovës, ku nxënësit i janë nënshtruar testimit në 68 qendra të testimi.

  • “U godit me mjete të forta” – Dyshimi për vrasjen e Saime Domazetit nga familjarët, Prokuroria ka një njoftim

    “U godit me mjete të forta” – Dyshimi për vrasjen e Saime Domazetit nga familjarët, Prokuroria ka një njoftim

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka urdhëruar ndalim 48-orësh për N.A, e dyshuar për vrasjen e Saime Domazetit.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, këta të fundit kanë arritur të sigurojnë prova materiale që dëshmojnë se e ndjera është goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.

    “Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    “Në rastin konkret e njejta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, përfundon njoftimi.

  • Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Osmani takon Ramën: Bashkë mund të hapim rrugën për integrim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të vizitës zyrtare të saj në Shqipëri. Pas këtij takimi, ajo deklaroi se dy vendet mund të hapin rrugën për integrim.

    Osmani ka deklaruar se me Ramën kishte një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të të dy vendeve.

    “Me Kryeministrin Edi Rama pata një bisedë përmbajtjesore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka thënë Osmani.

    Në komunikatën për media thuhet se të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.

    “Në këtë kontekst, presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike.

    Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

  • LDK-ja paralajmëron kallëzim penal ndaj Nagavcit – “Shkaktoi dëme ekonomike e emocionale”

    LDK-ja paralajmëron kallëzim penal ndaj Nagavcit – “Shkaktoi dëme ekonomike e emocionale”

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me vendimin për subvencionim të teksteve shkollore, raporton EO.

    Gashi këtë vendim e ka quajtur anti-ligjor, teksa Qeverinë e ka quajtur të paaftë për ta menaxhuar situatën e teksteve shkollore.

    Në një konferencë për medie, Gashi ka thënë se ky “keqmenaxhim” u ka shkaktuar dëme ekonomike e emocionale prindërve.

    “Ata u sollën në mënyrë jo institucionale, duke i pamundësuar Kuvendit që të shohë se ku janë problemet në lidhje me librat dhe cilat janë veprimet dhe mosveprimet që i ka bërë Qeveria”.

    “Qeveria është në shkelje të ligjit për tekste shkollore dhe në shkelje të ligjit parauniversitar. Kjo është një shkelje shumë e rëndë që Ministria po e bën dhe për këtë do të përballen sipas gjitha gjasave edhe me ndjekje penale ministrja e Arsimit”.

    “Mendoj që paaftësia e qeverisë për ta menaxhuar këtë proces ka shkaktuar një dëm të madh ekonomik dhe dëm emocional për prindërit dhe nxënësit i cili është dëm pariparueshëm”, ka thënë ai.