Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar me Shqipërinë në politikën e jashtme është kryefjala e vizitës së saj në Tiranë.
Pas takimit me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, Osmani theksoi mbështetjen e madhe që tha se e mori atje, duke shtuar se ajo “nuk ka munguar”.
“Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, tha Osmani.
Ajo foli për Serbinë që tha se “akoma vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut”. “Është detyrim i secilit prej nesh që interesat kombëtare t’i vëmë para se gjithash, të koordinohemi në baza ditore, të flasim me një zë të unifikuar. Në qoftë se ndonjëherë kemi ndonjë dallim në strategji, atëherë duhet të ulemi dhe t’i tejkalojmë ato si një familje, sepse një familje jemi”, tha Osmani.
“Siç kemi pasur nevojë edhe më parë, sërish kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, sidomos që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim”, tha ndër tjerash Osmani, duke përmendur synimin e vendit për t’u anëtarësuar në NATO e BE.
Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, Osmani tha se “ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, e po ashtu edhe për përkrahjen e partnerëve euroaltantikë”.
“…Natyrisht që pajtohem me presidentin Begaj që koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo”, tha ajo.
Osmani tha se Begaj ka qenë “shumë aktiv” në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar anëtarësimin e Kosovës në çdop organizëm ndërkombëtar.
Policia në Ferizaj ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, janë raportuar pesë raste të dhunës në familje, prej tyre 2 raste në Ferizaj , 2 raste në Shtërpcë dhe 1 rast në Kaçanik.
Me vendim nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, 4 persona janë ndaluar në mbajtje, ndërsa 1 person është liruar për procedurë të rregullt të mëtejme hetimore.
“Policia apelon tek qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha rastet e dhunës në familje të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, Kryeqyteti ka marrë një transformim të madh, ndërsa sfiduese e sheh çështjen me mbeturinat, raporton Ekonomia Online.
Në raportin e punës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Rama ka përmendur ndërtimin e shkollave të reja, zgjerimin të “Termokosit”
Kreu i Prishtinës ka thënë se kanë arritur t’i shtrojnë qindra rrugë në zonat urbane e rurale.
“Kryetari i komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka raportuar para asamblesitëve të kësaj komune për punën që kanë bërë gjatë gjashtë mujorti të parë të këtij viti.
Në seancën e mbajtur të hënë, e cila u bojkotua nga Grupi i Asamblistëve të Vetëvendosjes dhe të AAK-së, Rama tha se komuna e udhëhequr nga ai ka bërë punë të mëdha gjatë gjysmës së parë të këtij muaji.
“Këtë vit e filluam me përkushtim për përmbushjen e vizionit për transformim të kryeqytetit. Një nuëmr i madh i projekteve kanë filluar që të zbatohen. Nismë një prej projekte e më të mëdha rrugën ‘Xhim Xhema’, një rrugë që pos që zgjidh problemi me kolektorët do të krijoj një jete të re për rreth 20 mijë qytetar të Prishtinës. Kemi zgjeruar rrjetin e ‘Termokosit’ për 40 mijë qytetarë shtesë”, ka thënë Rama.
“Kemi nënshkruar edhe ndërtimin e 5 shkollave, tri të tjera janë në ndërtim e sipër. Javën që lamë pas isha në Japoni ku pata takime të shumta, u dakorduam për avancim të bashkëpunimit ne fushën e kulturës, artit e teknologjisë. Jam duke u dizajnuar disa projekt të mëdha që do transferojnë kryeqyteti. Bashkë më këto janë duke u dizajnuar edhe platformat ndërlidhëse. Spitali i Prishtinës tanimë është duke u dizajnuar punët dhe do të fillojë së shpejti. Kemi ende sfida siç është problemi me mbeturinat, ku kemi ndarë mjete për blerje e 8 kamionëve dhe 140 kontejnerëve të rinj… Për bujqit kemi ndarë 19 sera, 54 kultivator, kemi dyfishuar subvencionet për gratë… Jemi duke instaluar sistemin ‘smart’ në Kryeqytet. Kemi rigjeneruar shkallët e Postës. Janë asfaltuar edhe shumë rrugë. Këto nuk janë të gjitha projekt por vetëm një numër i selektuar”, tha ai.
E përgëzime për këto punë, mori nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefja e asamblesitëve të kësaj partie, Jeta Rafuna-Hasani, tha se kryetari Rama e ka dëshmuar vetën për transparencë e punë për Kryeqytetin.
“Kryetari Rama edhe një herë po dëshmon që ka transparencë për punën që bënë. Në këtë raport shihte se kryetari dhe drejtorët kanë bërë punë të mirë. Këto po dëshmoj ë që Prishtina po transformohet”, u shpreh ajo.
Përgëzime Rama mori edhe nga partia tjetër në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës. Fatmir Dervishi nga kjo parti, tha se në këtë raport do të duhej që të vendoseshin të dhënë më të qarta.
“Raportin e kemi lexuar është një raport i përgatitur mirë vizualisht. Mendoj që në raport është mirë që të përfshihen edhe disa të dhënë më të qarta. Në raport të gjitha projekt të përmbajnë edhe datën e fillimit. Me që raportimi është gjashtë mujor të përshkruhet edhe faza deri ku do të mbërrij. Te raporti nëse e analizojmë ka punë të mira i përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar. Një planifikim i mirë do të ja mundësonte një jetë më të mirë për qytetarët. Mendoj që duhet të plotësohet raporti dhe për secilën drejtori të plotësohet puna dhe shpenzimet”, tha ai.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon.
Ai foli edhe për dialogun, për të cilin u shpreh se është rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve.
“Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm”.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqimisht nga SHBA-ja është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.
Begaj tutje bëri të ditur se me presidenten Osmani diskutuan edhe për procesin e njohjeve të Kosovës.
“E sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu. Sa i përketë procesit të njohjeve të Kosovës, ndamë mendimin se është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës mes institucioneve të dy vendeve”, u shpreh tutje ai.
Prokuroria e Shtetit ka urdhëruar ndalimin e një mjeku të QKUK-së, të dyshuar për marrje të ryshfetit.
I dyshuari është S.D., ka bërë të ditur Prokuroria e Shtetit.
”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria në koordinim me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale.
Njohësja e arsimit, Salie Gajtani-Osmankaq, në një intervistë në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar fillimin e vitit të ri shkollor për sivjet, ku shumë nxënës e kanë nisë pa libra, tha se problemi kryesor ka qenë vonesa e informimit.
Sipas saj, nxënësit nuk kanë mbetur pa libra, madje thotë ajo, këtë vit Qeveria majde ka subvencionuar edhe pajisjet shkollore, e cila nuk ak qenë më parë.
“Këtu unë lidhem gjithmonë dhe e kam kritiku vazhdimisht qeverisjen qendrore, në kuptimin që pse është lënë të informohen prindërit në këtë kohë, do të thotë pak ditë para fillimit të mësimit të vitit shkollor. Sikur kjo informatë t’u bëhej e ditur prindërve në qershor, sot do të kishim një situatë tjetër, do të thotë debati do të zbriste deri në këtë nivel, kur kemi të drejtë e s’kemi të drejtë e hallet e problemet, por e para prindërit do të kishin kohë të mjaftueshme që të kontaktonin me mësimdhënësit se cilat libra duhet t’i sigurojnë, si t’i sigurojnë, e kështu me radhë, si dhe do të ndanin ç’është më e rëndësishmja, nga buxheti i tyre familjar, sado që do të thotë qeveria e ka bërë të ditur se do subvencionojë shpenzimet, madje do të japë edhe për pajisjet shkollore që nuk e kanë pasë më herët, mirëpo krejt problemi për mua është koha, koha e shkurtër e cila si dhe mungesa e buxhetit familjar, edhe pse janë nderë një shumë e madhe e mjeteve tashmë, sipas informatave që kam, janë nderë në llogaritë e prindërve, atyre që kanë apliku në e-Kosova, megjithatë prindërve u ka mungu kjo pjesë e ndarë e buxhetit për sigurimin e librave shkollor”, u shpreh Gajtani-Osmankaq.
Ajo thotë se për dallim me vitet e kaluara ku kishin greva, çështja e fillimit të vitit të ri shkollor këtë vit ka kaluar në një debat tjetër dhe se tani problemi është i zgjidhshëm.
“Sikur e kemi bërë njëfarë rutine që në çdo fillimvit shkollor me ndodhë diçka. Do thotë, s’po du me përmendë vitet e pandemisë, ato telashe që i patëm edhe në nivel vendor sikur gjithë bota. Por, ja që pas pandemisë sërish çdo vit shkollor po e nisëm me shumë debat, me shumë huti, me shumë dilema. Vjet t’i kishim grevat, të gjithë jemi dëshmitarë çfarë ndodhi, si ndodhi, çka shkoi keq. Sivjet na ndodhi kjo me librat, që në fakt nuk e prisnim, por ja që ndodhi. Mirëpo, po du me e theksu që tani kemi zbritur në një nivel tjetër të debatit dhe ndonëse ka pasur mjaft revoltë me thanë ashtu në mesin e prindërve dhe huti, nuk mund të themi që ky është problem i pazgjidhshëm. Do thotë, unë po shoh tani shumë reagime, të cilat do thotë sidomos nga aspekti spektri politik, flasin sikur librat nuk janë fare, kjo nuk është e vërtetë, sepse librat do të jenë mbi tavolinë, ai ka të gjithë fëmijët jo”, tha Gajtani-Osmankaq. /atvlive.tv
Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:
Të premten me një shtator filloi viti i ri shkollor 2023/2024.
Për dallim nga vitet e kaluara kur zakonisht problem ishin grevat, këtë vit problem është pajisja me tekste shkollore, të cilat ka 15 vite që sigurohen përmes Ministrisë së Arsimit dhe nxënësit i marrin falas në objekte shkollore.
Por, këtë vit MASHT-i bëri një ndryshim që librat i blejnë prindërit me paratë subvencionuara nga Qeveria e Kosovës e që për këto para prindërit u udhëzuan të aplikojnë sistemin elektronik E-Kosova.
Kjo gjë ndodhi në arsyetimin e MASHT-it për transparencë dhe menaxhimin e mirë të buxhetit të shtetit.
“Për të filluar mbarë vitin e ri shkollor dy mijë e njëzet e tre-dy mijë e njëzet e katër, me qëllim të rritjes së transparencës dhe menaxhimit të mirë të buxhetit, mjetet për sigurimin e teksteve do të deponohen në xhirollogaritë e prindërve”, kishte thënë ministrja Nagavci në video mesazhin përmes të cilit u bëri thirrje prindërve të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Por, kaq e thjeshtë sa për Ministrinë e Arsimit nuk ishte për prindërit. Aplikimi në E-Kosova për rimbursim hapi probleme të reja, prindër pa xhirollogari bankare, prindër që patën probleme në aplikim, komuna që nuk kanë librari e prindër që u detyruan të shkojnë në komuna të tjera për blerjen e librave.
“Vëshir është sepse më së pari ti duhet me shku me kerr. Pa pasë kerr nuk mund shkon në Ferizaj a në Prishtinë. Tash normal duhet me qenë një librari këtu në Kaçanik”, thotë një prind.
Mundësitë e ulëta financiare që librat t’i blejnë para një shtatorit, para se t’i marrin subvencionet e shumë probleme të tjera, për këtë çështje u deklaruan edhe njohësit e arsimit.
Në anën tjetër, ndarja e shumave për blerjen e librave për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën nga pesëdhjetë euro për tekste shkollore dhe tridhjetë euro për mjete shkollore nga librashitësit u konsiderua e mjaftueshme.
“Mendoj që është çmim i favorshëm kështu se pesëdhjetë euro bëhet kompleti i librave, tridhjetë euro mbesin për këto produkte tjera harxhuese”, thotë një shitës në një librari.
Pavarësisht kësaj, me një shtator pati fëmijë që klasën e parë e filluan pa libra, sepse subvencionet për to nuk kanë dalë ende për të gjithë dhe jo të gjithë prindërit patën mundësi financiare t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, para se paratë dalin nga shteti.
“Do t’i blej sivjet librat edhe kështu që unë nuk kena ba kurrafr pyetjeje a duhet me i siguru shkolla apo dikush tjetër”, thotë një prind.
“Po thonë që me i ble, po ne s’kemi mundësi me i ble, ku me marrë me ble pa punë, pa sen…”, thotë një prind tjetër.
Pikërisht për këtë arsye edhe mësimdhënësit ankohen se këto vonesa do të shkaktojnë probleme në procesin mësimor.
“Sigurisht do të jetë shumë e vështirë nëse nuk pajisen me libra për shkak që neve do të na mbesin orë të pazhvilluara, sipas planifikimit, por ne po urojmë që do të do të gjejnë zgjidhje prindërit dhe nuk do të humbasim mësim as fëmijët, po edhe ne nuk do të mbesim prapa për sa i përket planprogramit”, thotë një mësimdhënëse.
Me 29 gusht përfunduan procedurat e pagesave për Grupin e parë të aplikuesve, e që ishin tetëdhjetë e një mijë aplikime, sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit.
Ndërkaq, Grupi i dytë i aplikuesve do të rimbursohet ditë dhe në vazhdim, sipas MASHT-it.
Kjo ministri gjithashtu ka njoftuar që aplikimi në e-Kosova do të mbetet i hapur deri më tridhjetë shtator.
Po ashtu, Ministria e Arsimit ka premtuar se do të ofrohet ndihmë e nevojshme të gjithë prindërve që hasin në probleme në sigurimin e teksteve shkollore dhe se asnjë fëmijë nuk do të mbesë pa libra.
Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë:
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
Kjo është bërë pasi që Komuna e Prizrenit, para dy javësh e kishte dërguar ligjin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seanca e të hënës ka filluar me dëgjimin e dëshmitarit të 20-të (me kodin 04368) në këtë çështje.
Dëshmia e tij pritet të zgjas një ditë dhe atë parashihet se prokurorisë i duhet 1 orë, mbrojtësit të viktimave gjysmë ore dhe ekipeve mbrojtëse 5 orë për ta marr në pyetje të njëjtin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca po vazhdon në sesion publik.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka njoftuar se nga data 5 deri më 7 shtator, do të zhvillojë një stërvitje ushtarake në Kosovën perëndimore.
Sipas njoftimit, për shkak të ushtrimeve ushtarake, ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë një stërvitje rutinë ushtarake në Kosovën perëndimore nga data 5 deri më 7 shtator 2023. Aktiviteti stërvitor do të kryhet nga Komanda Rajonale-Kontingjentet Shumëkombëshe Perëndimore dhe do të fokusohet në procedurat dhe përgatitjen e gatishmërisë operacionale të njësisë. Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftim.
Aty jepen edhe detaje tjera.
“Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje si ditën ashtu edhe natën në terren. Do të ketë gjithashtu autokolona mjetesh ushtarake të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që do të udhëtojnë në rrugët kryesore dhe dytësore brenda zonës. KFOR-i i kryen këto ushtrime rutinë për qëllime provash dhe trajnimi për të ofruar reagim në kohë dhe të sigurt sa herë që kërkohet. KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile gjatë gjithë kohës gjatë stërvitjes dhe kërkon bashkëpunimin e komuniteteve lokale gjatë këtij aktiviteti”, vijon njoftimi.