ATV

Category: Lajme

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me intervale të lehta me diell, ndërsa gjatë pas ditës pritet të ketë dhe vranësira.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale do e mbajë Prishtina me 25 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë pritet të ketë kryesisht kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjilani me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 26 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Mundësi manipulimi me mjetet e ndara për librat

    Mundësi manipulimi me mjetet e ndara për librat

    Edhe këtë fillim javë, radhë të gjata janë parë para librarive për sigurimin e teksteve shkollore. Librashitësit thonë se me disa nga tekstet nuk janë furnizuar ende nga shtëpitë botuese, për shkak të vonesave në protokollimin e tyre nga ana e Ministrisë së Arsimit.

    Mungesa e disa librave shkollorë nëpër libraritë e kryeqytetit ka vënë në sfidë nxënësit dhe prindërit e tyre.

    Disa nga libraritë e kryeqytetit, mungesën e një numri të teksteve e arsyetojnë me vonesën e vendimit për protokollimit të tyre nga ana e MASHTI-t. Për pasojë, shumë nxënës javën e nisën pa kompletimin e librave

    “Mu m’ka ndodhë mos me i pasë shumë libra. Se kom gjuhë shqipe, matematikën, anglishten edhe njeriu dhe natyra. Se m’ka thanë nuk janë prodhu hala edhe ka thanë munesh me ardhë me i marrë pas dy ditesh ose nesër”, tha Enea Dushi, nxënëse.

    “Nuk e kom pasë njeriu dhe natyra edhe matematikën…ka thanë hajde para dy tri ditëve sepse i kemi me porosi prej Shqipërisë…”, tha Fiona Havolli, nxënëse.

    “…njeriu dhe natyra…nuk i ka gjetë prindi jem…”, tha Olsa Mataj një nxënëse tjetër.

    Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani shprehet optimist se problemi me kompletimin e teksteve shkollore do të tejkalohet brenda javës.

    “Dy tituj si kam gjetë të klasës se pestë, i kom kërku në katër librari të qytetit për vajzën, por, besoj qe brenda javës i gjejë, u interesova thanë që kanë dalë prej botimit, kam kërku tri ditë rradhazi…Ka pasë prind që i kanë pasë llogaritë bankare të bllokuara, ka prind sidomos të komuniteteve që nuk kane qasje në E-Kosova dhe kanë probleme përdorimi, por ne i’u kemi ofru asistencë, ndihmë, të i’u ndihmojmë rreth procedurave, krijimit të llogarive të tyre që të iu dalin mjetet dhe fëmijët e tyre të pajisen me libra. Dhe uroj që të mos iu ndërrohet destinacioni mjeteve që janë për libra, sepse ka raste që kërkohen librat e vjetëra në mënyrë që mjetet të përdoren për diçka tjetër”, tha ai për RTV21.

    Mësuesja Naxhie Fejzullahu, thotë se nga prindërit e nxënësve të saj, nuk ka pasur ankesa për aplikimin për rimbursimin e teksteve shkollore.

    “Janë disa nxënës që nuk i kanë blerë, por, në përgjithësi nuk kemi hasur vështirësi në gjetjen e teksteve të përcaktuara. Sa i përket aplikimit nuk kemi pasur ankesa nga ana e prindërve, edhe tek librat nuk kanë hasur ndonjë vështirësi në përjashtim kur dmth është shpenzuar sasia, tek njeriu dhe natyra, kemi pasë disa nxënës që na treguan se nuk kishte sasi të majtueshme”, u shpreh ajo.

    Aplikimi për rimbursim të teksteve shkollore do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator.

  • Richard Grenell: Jack Smith nuk donte ta shihte suksesin e Donald Trump në Ballkan

    Richard Grenell: Jack Smith nuk donte ta shihte suksesin e Donald Trump në Ballkan

    Ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, nëpërmjet disa fotografive ka sjellur disa nga momentet e prapaskenave, në trevjetorin e arritjes së marrëveshjes së 4 shtatorit, nën ndërmjetësimin e Donald Trump.

    Aty shihet edhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë.

    “E nisëm me presidentin Thaçi, që përfaqësonte Kosovën derisa u padit nga Jack Smith, sepse ai nuk donte që Trump të kishte sukses në Ballkan”, tha Grenell.

    Jack Smith, ishte prokurori në Hagë e ishte caktuar edhe për të hetuar rastin e Donald Trump.

  • MPB-ja merr në shfrytëzim veturën luksoze “Range Rover” të Burdushit

    MPB-ja merr në shfrytëzim veturën luksoze “Range Rover” të Burdushit

    Tri vetura iu konfiskuan nga shteti.

    Një xhip Range Rover, një Renault Megane RFB dhe një Audi A7 janë veturat luksoze që shteti ia mori mjekut popullor, Hysri Peqanit – Burdushit.

    Vetura e tipit LAND Range Rover e konfiskuara nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar po shfrytëzohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministria e tij për nevojat e tyre.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë konfirmuar se e kanë në shfrytëzim veturën e lartpërmendur dhe se ajo po përdoret për nevojat e Ministrisë.

    Ata në një përgjigje për Front Online kanë treguar se kanë mungesë të veturave dhe kanë bërë kërkesë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar për dy vetura, por kërkesa është aprovuar për vetëm një veturë.

    “MPB për shkak të mungesës së veturave, ka kërku nga Agjencia dy vetura dhe kërkesa jonë është aprovuar për një veturë që tashmë është në përdorim nga Ministria, sipas dispozitave të parapara ligjore”, thuhet në përgjigje

    Nga kjo Ministri thonë se në të njëjtën formë edhe veturat e tjera të konfiskuara u jepen institucioneve të ndryshme të shtetit.

    “Mallrat të cilat sekuestrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar të përfituara nga veprat të ndryshme penale, krimit të organizuar, kontrabandës etj, pas sekuestrimit u jepen në shfrytëzim institucioneve të ndryshme, sipas nevojës dhe kërkesës së institucionit. Në të njëjtën formë edhe shumica e veturave të cilat janë sekuestruar u jepen për përdorim Policisë së Kosovës, Ministrive si dhe institucioneve të ndryshme, varësisht nga kërkesat dhe nevojat”, thuhet më tej në përgjigjen e MPB-së

    Përgjigje nuk kanë kthyer nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar anipse këta të fundit përmes një e-maili kërkuan që pyetjet t’ua adresojmë nëpërmjet zyrës për komunikim në Ministrinë e Drejtësisë.

    Mediumi ka tentuar të flas edhe me Hysri Peqanin –Burdushin, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike e as mesazheve.

    Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

    Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.

    Sipas këtij ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.

  • Osmani edhe sot e vazhdon vizitën në Shqipëri

    Osmani edhe sot e vazhdon vizitën në Shqipëri

    Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar edhe sot për vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të homologut të saj shqiptar, Bajram Begaj.

    Dje ajo u takua me liderët shtetëror të Shqipërisë, dhe bëri thirrje që të dyja shtetet të punojnë sa më shumë në rrugën euroatlantike të tyre.

    Agjenda për sot:

    Ora 09:00 – 09.20 – Aktivitet i përbashkët i dy Presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave

    Të dy presidentët marrin pjesë në hapje dhe japin nga një deklaratë

    Vendi: Presidenca e Shqipërisë

    Ora 09:30-09:40 – Ceremonia e vendosjes së kurorës në monumentin “Nëna Shqipëri” me pjesëmarrjen e Nënkryetarit të Bashkise, z. Andi Seferi dhe Komandantit te Gardes se Republikes, z. Gramos Sako

    Nisja për në BERAT

    Ora 11:15-11:30 – Takim midis Presidentes së Republikës së Kosovës SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, me Kryetarin e Bashkisë së Beratit, Z.Ervin Demo

    Vendi: Bashkia e Beratit

    11.30-11.45 – Ceremonia e dhënies së Titullit ‘’Patron i Kalasë’’ ( Anglisht ‘’Patron of the Castle’’). Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv,i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

    NISJA PËR NE DURRËS

    Ora 16.50-17.15 – Takim me Kryetaren e Bashkisë te Durrësit, zj. Emiriana Sako

    Vendi: Bashkia Durrës

    Ora 17.30 – Vizitë në pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

  • BE e shqetësuar për dhënien e shtetësisë nga Serbia për rusët sipas rregullave të lehtësuara

    BE e shqetësuar për dhënien e shtetësisë nga Serbia për rusët sipas rregullave të lehtësuara

    Komisioni i Bashkimit Evropian ka ngritur edhe një herë shqetësimin për dhënien e shtetësisë nga Serbia për qytetarët e Rusisë përmes procedurave të përshpejtuara.

    Duke marrë parasysh numrin e madh të rusëve që u është dhënë shtetësia nga Serbia sipas rregullave të lehtësuara e që më pas hyjnë në zonën Shëngen pa pasur nevojë për vizë, Komisioni tha se ata janë të shqetësuar për rreziqet e mundshme të sigurisë në bllok, SchengenVisaInfo.com raporton, transmeton KosovaPress.

    Duke komentuar këtë çështje, një zëdhënës i Komisionit të BE-së tha për REL se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të vizave dhe të mos u japë shtetësinë rusëve përmes procedurave të përshpejtuara.

    Për më tepër, zëdhënësi tha se Serbia si vend kandidat duhet të mbajë rregulla më të rrepta ndaj Rusisë dhe, në të njëjtën kohë, theksoi se autoritetet aktualisht po e monitorojnë nga afër situatën.

    “Komisioni Evropian është në dijeni të numrit të madh të qytetarëve rusë që janë vendosur në Serbi pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Si vend kandidat, Serbia pritet të përshtatet në mënyrë progresive me politikat dhe vendimet e Bashkimit Evropian. Komisioni po monitoron me kujdes situatën dhe po shkëmben informacione me autoritetet serbe në lidhje me praninë e shtetasve rusë në Serbi”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

    Megjithatë, zëdhënësit nuk zbuluan se çfarë masash pritet të marrë Komisioni në rast se Serbia vazhdon t’u japë shtetësinë rusëve sipas procedurave të përshpejtuara dhe nëse nuk e përafron politikën e saj të vizave, si dhe nuk shtrëngon rregullat e saj.

    Kjo nuk është hera e parë që BE shpreh shqetësimet e saj. Më herët, në maj të këtij viti, Komisioni tha se ishte i shqetësuar për dhënien e shtetësisë nga Serbia për shtetasit e vendeve të tjera sipas rregullave të thjeshtuara.

    Në atë kohë, një zëdhënës i Komisionit të BE-së tha se Serbia rrezikon regjimin e saj të lëvizjes pa viza pasi numri i qytetarëve të vendeve të treta që u jepet shtetësia dhe më pas hyjnë pa viza në vendet e BE-së është rritur.

    “Serbia ka bërë një hap të rëndësishëm në përshtatjen e regjimit të vizave me atë të BE-së. Komisioni inkurajon Serbinë që të vazhdojë përpjekjet e saj në këtë drejtim në mënyrë që të ketë një përshtatje të plotë”, pati thënë zëdhënësi në muajin maj.

    Përveç të lartpërmendurave, vendet e BE-së janë ankuar edhe për një numër të shtuar të emigrantëve të parregullt që arrijnë në bllok përmes Serbisë. Ata thanë se numri i ardhjeve të parregullta është rritur ndjeshëm nga vendet për të cilat Serbia ka hequr kërkesat për viza.

    Për këtë arsye, ata kanë kërkuar vazhdimisht që vendi të vendosë rregulla më të rrepta për të gjithë.

  • Osmani: Përgjigja ndaj Macronit për vizat s’ishte kërcënim

    Osmani: Përgjigja ndaj Macronit për vizat s’ishte kërcënim

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se përgjigja e saj për Presidentin e Francës, Emanuel Macron, lidhur me liberalizimin e vizave, nuk është kërcënim, meqë Macron s’ka as dobi e as dëm nëse Kosova nuk merr pjesë në dialog.

    Osmani ka thënë se është takuar disa herë me Macronin dhe se e njeh jashtëzakonisht mirë.

    “Në radhë të parë, unë në asnjë moment nuk e vlerësoj si kërcënim, as në përmbajtje as në ton. Presidenti Macron nuk ka as ndonjë dobi, e as ndonjë dëm se a merr pjesë apo jo Kosova në dialog. Në mënyrë që të konsiderohej kërcënim ndaj tij, do të duhej ta spjegonin kritikët se ku qenka dobia e tij si president i Fraancës apo dëmi në raport me të, nëse Kosova s’merr pjesë në dialog. Mirëpo, unë e kam pas rastin ta takojë Presidentin Macron disa herë dhe mendoj që e njoh jashtëzakonisht mirë”, ka deklaruar Osmani në një intervistë me Grida Dumën, në Top Chanel.

    Osmani ka thënë se Macron dhe aleatët tjerë të Kosovës presin nga liderët e vendit sinqeritet të plotë se çka mund të ndihmojë e çka mund ta dëmtojë dialogun.

    “Në të gjitha takimet që i kam pasur me të, vlerësoj se ajo çka presidenti Macron por edhe gjithë aleatët tanë presin nga ne është sinqeriteti i plotë se çka mendojmë se mund ta ndihmojë dialogun dhe cka mendojmë se mund ta dëmtojë dialogun, si një proces nga i cili ka interes i gjithë rajoni jonë”, ka thënë Osmani.

    Ndryshe, më 30 gusht, Osmani ka thënë se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani.

  • Daka për zgjedhjet në veri: KQZ-ja nuk ka mandat për organizim të referendumit

    Daka për zgjedhjet në veri: KQZ-ja nuk ka mandat për organizim të referendumit

    Ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, vlerëson se KQZ-ja nuk ka mandat të organizojë referendum në katër komunat veriore.

    Mes tjerash,ajo ka folur edhe për udhëzimin administrativ, për të cilin tha se ka rregulluar vetëm procedurat e mbledhjes së nënshkrimeve dhe jo si do të organizoheshin zgjedhjet.

    “Me ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, KQZ-ja është i vetmi institucion që organizon zgjedhje, mirëpo ato zgjedhje duhet të dekretohen nga presidenti i shtetit. Në rastin konkret, edhe nëse mblidhen 20 për qind të nënshkrimeve pastaj duhet të organizohet një lloj referendumi, të cilin KQZ-ja për momentin nuk ka mandat të organizojë”, u shpreh Daka.

    “Sepse nuk ka ligj për referendum, dhe nuk mundet me një udhëzim të jap një kompetencë KQZ-së të cilin për momentin nuk e ka”.

    “Në fakt KQZ-ja ka kompetencë të organizojë referendum por nuk ka ligj për referendumin në bazë të cilit do të organizoheshin”.

  • Dreshaj: Për vendimin e MASHTI-t për librat duhet të kërkohej hetim

    Dreshaj: Për vendimin e MASHTI-t për librat duhet të kërkohej hetim

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka komentuar vendimin e Ministrisë së Arsimit lidhur me mos-shpërndarjen e teksteve shkollore.

    Ai ka thënë se për këtë vendim do të duhej të kërkohej hetim.

    “Një veprim i tillë antiligjor i Qeverisë konkretisht i MASHT-it është një vendim i cili në një shtet normal, me një strukturë normale legjislative do të duhej të merrej në konsideratë dhe të kërkohet hetuesi për arsyet e dështimit të sigurimit të librave. Duhet të gjendet një formë që është e kapshme për popullatën, kemi njerëz që nuk dinë të aplikojnë online, kemi qytetarë që s’kanë gjiro llogari bankare, kemi fëmijë që kanë shkathtësi që janë para kohe pjesë e procesit mësimor, e të atillë që janë në hall me përmbaruesit, ka shumë probleme që në qeverisjet paraprake janë marrë parasysh. Kjo dukuri mund ta stimulojë familjen që nuk mund t’i sigurojë mjetet të ikë jashtë vendit, ose ta ndalojë fëmijën në shtëpi”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ky ka qenë “hap eksperimental, i pamenduar mirë por uroj që të mos jetë pengesë e zhvillimit të procesit normal mësimor”.

    Teksa ka folur për pasojat, Dreshaj ka theksuar se në arsim nuk lejohen eksperimentet.

    “Në arsim duhet të jemi të kujdesshëm për shkak se arsimi nuk lejon eksperimente, një eksperiment i padëshmuar në fakte është aventurë në arsim, kemi pasur të tillë por që na kanë kushtuar shumë pastaj efektet i ka shumë të dëmshme, efektet e tilla mund të jenë ndonjëherë të parimparueshme ose mund të kërkojë kohë për t’u riparuar, nëse bëhet një dëm i tillë atëherë mund të presim me vite, zakonisht mund të presim 4-8 vite që të shihen efektet e dëmit”, shtoi ai.

  • Vendoset kujdestari për barnatoret në Prishtinë dhe gjoba për mos respektimin e orarit

    Vendoset kujdestari për barnatoret në Prishtinë dhe gjoba për mos respektimin e orarit

    Kuvendi Komunal i Prishtinës me shumicë votash kanë miratuar ndryshim, plotësimi i rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së organizatave të biznesit në kryeqytet.

    Sipas njoftimit, në këtë ndryshim sqarohet se nga tetori, në 10 (dhjetë) barnatore të kryeqytetit do të ketë kujdestari me orarë të plotë (24 orë) nga ora 07:00 deri në 07:00.

    “Orari i kujdestarisë së natës për barnatore është prej orës 21:00 deri në 07:00, kujdestarojnë 5 (pesë) barnatore në gjithë kryeqytetin. Gjobiten me nga 300 deri në 1000 euro personi fizik dhe nga 1000 deri në 3000 euro personi juridik, nëse nuk i përmbahen orarit të përcaktuar. Orari i barnatoreve kujdestare do të publikohet së shpejti”, thuhet në njoftim.

    Votimin nga Kuvendi i Prishtinës e pa mirëpritur edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës, e cila ka falënderuar Komunën e Prishtinës -Drejtorinë e Shëndetësisë, si dhe drejtorin Izet Sadiku për punën e bërë deri në miratimin e rregullores në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    “Më në fund pas shumë viteve të diskutimeve rregullorja e cila përcakton orarin e punës së barnatoreve hyn në fuqi në kryeqytet. Edhe kjo kërkesë e kahmotshme e farmacistëve të kryeqytetit po bëhet realitet me punën e përbashkët të Odës së Farmacistëve dhe Komunës së Prishtinës. Rregullimi i orarit 24-orësh për barnatore është i rëndësishëm për disa arsye: Siguria e pacientit: Lodhja dhe rraskapitja nga oraret e zgjatura të farmacistëve mund të dëmtojnë gjykimin dhe përqendrimin. Kjo mund të çojë në gabime mjekimi, dhe dhënien e gabuar të barnave që mund të kenë pasoja të rënda për sigurinë e pacientit. Mirëqenia e punonjësve: Orari i gjatë dhe i parregullt i punës mund të ketë efekte negative në shëndetin fizik dhe mendor të stafit të barnatores. Bilanci punë dhe jetës private: Stafi i barnatores, si të gjithë punonjësit, meriton një ekuilibër të arsyeshëm punës dhe jetës private. Efikasiteti dhe produktiviteti: Derisa orët e zgjatura të funksionimit mund të jenë të përshtatshme për klientët, kjo nuk mund të përkthehet domosdoshmërisht në rritje të efikasitetit dhe produktivitetit. Lodhja mund të çojë në ritëm më të ngadaltë të punës dhe ulje të efikasitetit, duke ndikuar përfundimisht në aftësinë e farmacistëve për t’i shërbyer pacientëve në mënyrë efektive. Pajtueshmëria ligjore dhe rregullatore: Shumë juridiksione kanë rregullore dhe ligje të punës që kufizojnë numrin maksimal të orëve të punës dhe kërkojnë pushime të detyrueshme për punonjësit. Prandaj edhe njëherë si Odë e Farmacistëve shprehim mirënjohjen tonë në emër të farmacistëve të kryeqytetit për punën e përbashkët dhe aprovimin e jetësimin e kësaj rregulloreje, dhe urojmë që edhe komunat tjera që ende nuk e kanë sa më parë ta bëjnë këtë”, thuhet në njoftim.