Është liruar Rrustem Mustafa, ish-komandant Remi, i cili para pak orësh ishte arrestuar. Familjarët e tij kanë bërë të ditur se Mustafa është lirurar pas një intervistimi potesues.
Ish-komandanti i UÇK-së ishte dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë për t’u intervistuar, raporton RTK.
Rriten sërish çmimet e derivateve në Kosovë. Gjatë ditës së sotme një litarë naftë është tregtuar deri 1.52 euro.
Ndërkaq, vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës duket se nuk ka ndikuar fare për uljen e çmimeve.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka treguar për KosovaPress se këto ditë ka ngritje të çmimeve për karburantet.
Sipas Berjanit, çmimet e karburanteve janë përafërsisht këto: dizel 1.44 deri në 1.52 euro për një litër, benzina 1.44 deri 1.51 euro.
“Në këtë javë që shkoi kemi pas rritje të çmimit të derivateve në berëz dhe reduktim të prodhimit nga organizata prodhuese OPEC. Dhe kështu kemi pas një rritje të lehtë të çmimeve edhe në Kosovë”, theksoi ai për KosovaPress.
Ai thekson se çmimi i derivateve për standardin e qytetarëve në Kosovës është i lartë.
Sipas tij, çmimi real për qytetarët tonë kishte me qenë 1 euro për një litër naftë.
“Kjo nuk varet nga ne po as nga qeveria, çmimin e percakton berza dhe organizata prodhuese OPEC”.
Megjithatë, ai thotë se në Kosovë çmimet janë më të lira se në rajon.
Shqipëri: Dizelli 1.93 euro, benzina 1.91 euro
Serbia: Dizeli 1.69 euro, benzina 1.76 euro
Mali i Zi: Dizeli 1.59 euro, benzina 1.63 euro
Bosna dhe Hercegovina: Dizeli 1.50, benzina 1.49 euro
Kroaci: Dizeli 1.59, benzina 1.60 euro
Slloveni: Dizeli 1.66, benzina 1.65 euro
Maqedonia Veriore: Dizeli 1.35 euro, benzina 1.42 euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për përfshirje në vrasjen që ndodhi të hënën në “Interex”, në Podujevë. Ndërsa, i dyshuari tjetër është ende në arrati.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurori i rastit Ilaz Beqiri.
“Është bërë kërkesa për caktimin e masës së parabugimit ndaj njërit të dyshuar për vrasjen e ndodhur në Podujevë nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, tha prokurori Beqiri.
Ai shtoi se Policia po vazhdon kërkimet për të dyshuarin e dytë, por se ka shumë pak informacione për të.
“Lidhur me personin tjetër të arratisur, Policia është duke i zhvilluar të gjitha procedurat në gjetjen e të njëjtit mirëpo mungojnë informacionet lidhur me të njëjtin, shumë pak po dinë për të”, tha prokurori.
Lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja, ai tha se Prokuroria është njoftuar mirëpo meqenëse është faza e hetimeve, nuk mund të japin detaje.
Ndryshe, lidhur me arrestimin e të dyshuarit të parë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, për “Betimi për Drejtësi” tha se i dyshuari që është arrestuar është i moshës madhore.
“Me urdhër të prokurorit është arrestuar një person nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në ngjarje. I arrestuari është i moshës madhore dhe ende nuk dihen motivet që çuan deri në vrasje”, tha Ulaj.
Kurse, përmes raportit 24 orësh të Policisë, thuhet se në shtëpinë e të dyshuarit u gjet pistoletë, pushkë gjuetie e municion.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se ende pa u bërë një muaj janë pranuar 2781 aplikime për subvencionim të pajisjeve.
Rizvanolli tha se aplikimet vazhdojnë të jenë të hapura. Kurse për më shumë informata për subvencionim qytetarët të vizitojnë këtë link.
“Ende pa u bërë një muaj kemi pranuar 2781 aplikime për subvencionim të pajisjeve. Aplikimet vazhdojnë të jenë të hapura”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, Ministria e Ekonomisë ka shpallur thirrjet për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar.
Në thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente përfshihet subvencionimi i makinave rrobalarëse, makinave enëlarëse dhe frigoriferëve ose frigoriferëve me ngrirëse.
Njëherit edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë për të përfituar nga subvencionimi për pajisje efiçiente shtëpiake dhe për sisteme diellore për ngrohje të ujit sanitar.
Kurti ndër të tjerash ka thënë se këtë vit synojnë të rrisin efiçiencën e energjisë edhe për shumë familje të tjera, ashtu sikurse vitin e kaluar.
Qeveria suedeze po e shqyrton mundësinë e dhurimit të avionëve luftarakë Gripen për Ukrainën, për t’i ndihmuar Kievit që të luftojë trupat ruse, raportoi radioja publike suedeze (SR).
Qeveria dëshiron të dijë, në mes tjerash, se si do të ndikonte dorëzimi i këtyre avionëve në kapacitetet mbrojtëse të Suedisë dhe sa shpejt mundet Suedia të posedojë avionë Gripen të rinj, raportoi SR.
Ekzekutivi suedez ka të ngjarë që zyrtarisht të pyesë forcat e armatosura të enjten që zyrtarisht ta shqyrtojë këtë çështje, tha SR, duke cituar burime anonime.
Ministria e Mbrojtjes së Suedisë nuk ka komentuar menjëherë këto raportime.
Holanda dhe Danimarka po shtyjnë përpara procesin e furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë F-16 të prodhimit amerikan, në mënyrë që Kievi t’i kundërvihet superioritetit ajror të Rusisë.
Sipas SR-së, Ukraina shpreson të pranojë një divizion të avionëve Gripen, që janë të prodhura nga kompania suedeze Saab, apo 16-18 avionë.
Suedia këtë vit tha se synon që të mundësojë që pilotët ukrainas të testojnë avionët Gripen, por Qeveria tha po ashtu se ka nevojë për të gjithë avionët që ka për të mbrojtur territorin suedez./REL/
Të enjten, më 14 shtator në Bruksel do të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar agjendën e takimit të së enjte ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, ku bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit si dhe çështjet aktuale.
Për rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi, analistët thonë se pala kosovare duhet të jetë e qartë me qëndrimet e veta.
Ndërsa nga partitë opozitare vlerësojnë se Kurti ka hyrë në dialog pa konsultim dhe pa përkrahjen e spektrit politik.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se Kurti dhe Vuçiq frikësohen nga vendimet e mëdha.
“Takimi Kurti-Vuçiq është vazhdimi i takimeve të dy liderëve që ju frikësohen vendimeve të mëdha. Ky takim nuk ka kuptim serioz duke i ditur deklaratat e vazhdueshme të dy palëve që kanë bërë para mediave. Kemi një Serbi që jeton dhe punon me ëndrra, që e ka shumë problem ta pranojë Kosovën shtet të pavarur. Kemi një kryeministër që ka hy në dialog pa konsultim, pa unitet dhe pa përkrahjen e spektrit politik, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës së diplomacisë”, është shprehur ai.
Gjithashtu, deputeti Lekaj thotë se as faktori ndërkombëtar nuk ka një qëndrim të prerë në raport me Serbinë.
“Kemi edhe faktorin ndërkombëtar i cili për shkak të zhvillimeve të politikave ndërkombëtare me Rusinë nuk kanë një qëndrim të prerë në raport me Serbinë, si dhe për shkak të rrethanave dhe lëvizjeve politike të Qeverisë Kurti kanë humbur besimin dhe respektin e ndërtuar për 20 vite në raport me Kosovën”, thekson ai.
Sipas Lekajt, këto rrethana të lartcekura e kanë krijuar një momentum jo të favorshëm për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, të cilëve përveç vështirësive në mirëqenie u rrezikohet ende lëvizja e lirë në BE nga janari 2024.
Si përfundim, Lekaj thekson se Kosova duhet të përmbyllë njëherë e mirë dialogun me Serbinë.
“Kosova ka nevojë ta mbyllë njëherë e përgjithmonë dialogun me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër si epilog të marrëveshjes”, shtoi mes tjerash ai, për telegrafin.
Theksojmë se, Kosova dhe Serbia në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.
Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti Task Forcë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në dy raste të ndara kanë parandaluar mallra të kontrabanduara, në automjete që kishin hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë.
Rasti i parë ka ndodhur në Kamenicë, ndërsa tjetri në Dobërqan.
“Pas pranimit të informatave për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar Serbi-Kosovë, njësiti Task Forcë ka ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, ku në zonën e Kamenicës është ndaluar automjeti Mercedes furgon me targa vendore, i cili është vërejtur duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, ku drejtues ishte personi R. M., 1988 mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në automjetin e tij i dyshuari kishte pasur të ngarkuara mallra që dyshohet të jenë të kontrabanduara”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa në rastin e dytë,, vetura që po kontrabandonte mall ishte me targa serbe.
“Në rrugën Stublinë – Dobërqan automjeti Tauran, me targa serbe, i cili dyshohet se kishte hyrë në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të njësitit Task Forcë dhe duke mos iu bindur urdhrave të Policisë, përveç që ka rrezikuar zyrtarët policorë, i njëjti gjatë vozitjes humb kontrollin mbi automjet duke dalë nga rruga. Gjatë kontrollit është vërejtur se i dyshuari me iniciale F. M. mashkull, shtetas i Serbisë, në automjet kishte pasur të ngarkuara pajisje të ndryshme të kontrabanduara, ku vlera e përafërt e tregut arrin shifrën rreth 20.000 euro”, njofton Policia.
Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar malli është dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme që parashihen për raste të tilla.
Ndryshe, Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti Task Forcë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz.
Osmani ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.
Në këtë drejtim, Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, i cili sipas saj, do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Osmani është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të Presidentes në Izrael, me ftesë të Presidentit Herzog.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) siguron se çdo produkt në treg – qoftë vendor apo i importuar – kontrollohet.
Produktet e dyshimta, sipas zëdhënësit Lamir Thaçi, hiqen nga tregu, kontrollohen dhe eventualisht asgjësohen.
Më 9 shtator, “Betimi për Drejtësi” – një emision i specializuar për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – transmetoi një hulumtim të vetin, në bazë të të cilit, një shtet i Bashkimit Evropian ka detektuar praninë e kimikatit kancerogjen – akrilamid – në një seri të produktit kosovar, Vipa Chips.
Sipas këtij hulumtimi, produkti i dyshimtë është detektuar gjatë transitit për në destinacionin e caktuar dhe është asgjësuar.
Tri punëtore duke punuar në fabrikën e patateve të skuqura Vipa Chips në Pestovë, në veri të kryeqytetit, Prishtina, janar 2013.
Duke folur për Radion Evropa, e Lirë, Thaçi thotë se ky rast daton nga muaji qershor.
Ai shton se seria e dyshimtë e patateve të skuqura Vipa Chips, që ka qenë e pranishme edhe në tregun e Kosovës, është hequr dhe është asgjësuar.
“Këto janë incidente ushqimore që ndodhin jo vetëm këtu, por në të gjithë botën. E rëndësishme është që autoriteti të marrë veprime. Besoj se ne i kemi bërë veprimet në kohën e duhur, ashtu siç e parasheh ligji”, thotë Thaçi.
REL-i kontaktoi kompaninë Pestova, e cila prodhon produktin Vipa Chips, por udhëheqësit e saj nuk deshën të prononcohen.
Në një deklaratë dërguar mediave në fundjavë, kompania tha, mes tjerash, se produktet e saj “vazhdojnë të jenë të sigurta” dhe “të jenë prezente në treg, në të gjitha shtetet ku eksporton”.
Produkte të Vipa Chips në raftet e një marketi kosovar, shkurt 2022.
Ekspertë të ushqimit, në anën tjetër, u rekomandojnë qytetarëve që gjithmonë t’i lexojnë vlerat ushqyese në produktet e paketuara, ashtu si edhe afatin e përdorimit.
Si kontrollohen produktet?
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, thotë se në periudhën janar-gusht të këtij viti, agjencia ka asgjësuar mbi 500 mijë kilogramë produkte të dyshimta në tregun e Kosovës.
Sipas tij, ato kanë përfshirë: mish, qumësht, produkte me orgjinë bimore, biskota, perime, pije e të tjera.
Asgjësimi bëhet kur produktet nuk i kalojnë testet e sigurisë – qoftë për prani të substancave të ndryshme apo ruajtjes në temperatura jo të duhura.
Inspektorët e AUV-it bëjnë kontrolle të vazhdueshme të mallrave në pika kufitare, në terminale doganore dhe në biznese, përkundër faktit se, siç thotë Thaçi, numri i tyre është i vogël në krahasim me shifrën prej dhjetëra mijëra biznesesh.
“Fusha e sigurisë ushqimore është komplekse dhe kërkon angazhim të përditshëm, sepse produktet mund ta ndryshojnë gjendjen e tyre. Për sigurinë në ushqim nuk janë as 100 inspektorë dhe ky numër është i vogël”, thotë Thaçi.
Ai shpjegon se mostrat për testim të produkteve bëhen në tre laboratorë që i ka Kosova për këtë qëllim. Në raste të caktuara, shton ai, autoritetet bashkëpunojnë edhe me laboratorë nga vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
“Gjithmonë vendoset për asgjësimin e produkteve të dyshimta, ndërsa ndaj operatorit ekonomik që ka vendosur produkte të dyshimta në treg, iniciohet fletëparaqitje për gjykatë”, thotë Thaçi.
Ai shton se, gjatë këtij viti, janë iniciuar disa fletëparaqitje të tilla, por nuk ofron shifër të saktë.
Sipas Ligjit për Ushqim në Kosovë, gjobat për operatorët ekonomikë për shkelje të dispozitave ligjore, përfshirë vendosjen e ushqimeve të pasigurta në treg, nisin prej 500 eurosh dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.
AUV-i, institucion që vepron nën Qeverinë e Kosovës, ka zbuluar edhe më herët produkte të dyshimta në tregun e Kosovës, të cilat kanë shkaktuar debat në lidhje me cilësinë ushqimore.
Rasti i fundit ka ndodhur vitin e kaluar, kur AUV-i ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të të gjitha produkteve të markës së importuar “Wudy”, si sallame e virshlle, pas dyshimeve se në to ka pasur një lloj bakteri.
Kosova importon shumicën e mallrave nga vendet fqinje, por edhe ato të BE-s, pasi industria e prodhimit nuk është shumë e zhvilluar.
Si të kujdesen qytetarët?
Derisa përgjegjësinë për kontrollin e ushqimeve e mbajnë institucionet, nutricionistët thonë se disa veprime mund t’i bëjnë edhe vetë qytetarët për të rritur sigurinë për shëndetin.
Sipas tyre, duhet kontrolluar gjithmonë data e skadimit, ndërsa produktet si mishi, qumështi, vezët nuk bën të qëndrojnë për kohë të gjatë në temperatura të larta, por të ruhen në frigoriferë.
Nutricionistja Vala Pupovci thotë për Radion Evropa e Lirë se ruajtja e ushqimit në mënyrë të duhur, është e domosdoshme për të parandaluar problemet e ndryshme shëndetësore.
Sipas saj, një rëndësi të madhe për shëndetin ka edhe kontrollimi i vlerave ushqyese të një produkti.
“Vlerat ushqyese në ambalazhe, zakonisht, përfshijnë kaloritë, proteinat, yndyrat, yndyrat e ngopura, karbohidratet, sheqerin e shtuar, fibrat, natriumin dhe disa prej vitaminave e mineraleve, si vitamina D, hekuri, kalciumi dhe kaliumi”, thotë Pupovci.
“Një person me mbipeshë, për shembull, duhet pasur kujdes kaloritë e ushqimit që konsumon, ndërkaq një person që ka probleme me hipertension, duhet pasur parasysh sasinë e natriumit që ushqimi ka”, shpjegon ajo.
Çfarë kanë bërë institucionet?
Siguria ushqimore është standard i Bashkimit Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet.
Në programin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, kjo temë është e ndarë në një sektor të veçantë.
Aty thuhet se Qeveria synon “avancimin e politikave të sigurisë së ushqimit dhe përafrimin e tyre me standardet e BE-së.
Në vitin 2022, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ri për Ushqim, i cili parasheh sigurinë e përgjithshme të produkteve, sipas standardeve të BE-së.
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e parimeve dhe kërkesave të përgjithshme për sigurinë e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, masat dhe procedurat lidhur me ushqimin dhe ushqimin për kafshë, si dhe përcaktimin e autoritetit kompetent për sigurinë e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë.
Sipas ligjit, ushqim i dëmshëm dhe jo i sigurt për njerëz konsiderohet ai që, mes tjerash, përmban mikroorganizma ose parazitë të rrezikshëm për shëndetin mbi kufirin e lejuar, toksinë të baktereve, mykotoksinë ose substanca tjera toksike mbi kufirin e lejuar.
Çfarë thotë OBSH-ja?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qasja në produkte të sigurta dhe me vlera ushqyese është kyçe për një shëndet të mirë.
OBSH-ja thotë se ushqimi i pasigurt që përmban baktere, viruse, parazitë ose substanca të dëmshme kimike, mund të shkaktojë më shumë se 200 sëmundje të ndryshme – duke filluar nga diarreja deri te kanceri.
Çdo vit, sipas OBSH-së, rreth 600 milionë njerëz – ose gati 1 në 10 njerëz – sëmuren, pasi hanë ushqim të kontaminuar, dhe kjo rezulton me rreth 420.000 vdekje. /REL
“Toka Management”, kompani britanike që punon në mirëmbajtjen e hekurudhave në Londër, vjen edhe në Kosovë, përmes qendrës së trajnimit hekurudhor, raporton EO.
Gjatë ceremonisë së hapjes, u tha se parimet themelore të funksionit të një hekurudhe janë të sigurojë një rrjet transporti cilësor që nxit tregtinë dhe sjell mallra në jetën e përditshme – gjë që fatkeqësisht nuk është rasti me hekurudhat në Ballkanin Perëndimor.
Prandaj, qëllimi kryesor i qendrës do të jetë trajnimi dhe aftësimi i të rinjve në infrastrukturën e hekurudhave dhe menaxhimin e tyre.
Zëvendësambasadori britanik, Paul O’Connor, u shpreh i lumtur se vendi i tij, vendi i parë që ka zhvilluar hekurudhat në botë, do ta ndajë eksperiencën dhe përvojën shumëvjeçare me Kosovën.
Siç u shpreh ai në hapjen e “Toka Management”, hekurudhat kanë luajtur rol kyç në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar e tani do ta ndihmojnë edhe ekonominë kosovare, duke e lidhur, përmes një hekurudhe, Prishtinën me portin e Durrësit.
“Të gjithë ne në Ambasadën Britanike këtu jemi shumë krenarë për partneritetin e thellë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës. Kjo vjen fillimisht si mbështetje e NATO-s dhe intervenimit të saj në luftën që zuri vend në luftën e ’99ës dhe për mbështetjen afatgjatë për Kosovën dhe ndërtimin e shtetit”.
“Jemi krenarë që jemi shteti i parë që e ka njohur Kosovën në 2010, dhe kemi qenë miq dhe partnerë të fuqishëm që atëherë. Brenda sektorit të edukimit ne jemi të lumtur që po mbështesim programe të ndryshme duke përfshirë programin e bursave “Chevening” që u mundëson studentëve kosovarë të studiojnë në Mbretëri të Bashkuar si dhe një numër të madh të programeve dhe është emocionuese të shoh një ambient britanik në edukim dhe specializim në sektorin hekurudhor. “
“Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka zhvilluar hekurudhat dhe hekurudhat kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin tonë shoqëror dhe ekonomik përgjatë shekullit 19 dhe 20. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të zhvillojë infrastrukturë të re në shumë qytete duke përfshirë Londrën dhe projekte për të zhvilluar hekurudha me shpejtësi të madhe”.
“Jam shumë i kënaqur me këtë pasi po i lejon ekspertët britanikë të ndajnë përvojën e tyre këtu në Kosovë, me plane për një hekurudhë të re që do e lidhë Prishtinën me portin e Durrësit. Do të ketë kërkesë për punëtorë të aftësuar në infrastrukturën e hekurudhave dhe menaxhimin e tyre. Juroj sukses të madh me këtë projekt”, ka thënë ai, raporton EO.
Geri Selenica, drejtor i Qendrës për Studime Strategjike në Shqipëri, ka thënë se synim kryesor është lidhja e Ballkanit Perëndimor me pjesën tjetër të Evropës, përmes porteve dhe hekurudhave të reja.
Selenica ka thënë se Qeveria e Shqipërisë tanimë e ka përfunduar dizajnin e portit të ri, Porto Romani, që do të jetë njëri nga gjashtë portet më të thella në detin Mesdhe.
Siç tha ai, porti do të jetë avantazh për zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën me vendet evropiane.
“Ne po mundohemi që ta lidhim Ballkanin Perëndimor me pjesën tjetër të Evropës, kryesisht përmes porteve dhe hekurudhave të reja. Agjenda jonë u mirëprit para 3 vjetësh nga administrata Amerikane dhe u përfshi në marrëveshjen e stabilizimit mes Kosovës dhe Serbisë, më 2022”.
“Mendoj se qeveria shqiptare e ka përfunduar tashmë dizajnin e portit të ri në Porto Romano që do të jetë njëri nga gjashtë portet më të thella në detin Mesdhe dhe automatikisht ky port do të japë një avantazh përshtatshmërie ndaj ekonomisë sonë për të konkurruar me ekonomitë evropiane”.
“Por ky port është tërësisht ekonomik nëse nuk e integrojmë portin me hekurudha të reja. Aksesi më i rëndësishëm është që qendra perëndimore të lidhet prej Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe gjithë rrugës së Evropës Perëndimore dhe në lindje aksesi më i rëndësishëm do të jetë që të lidhë hekurudhat e Shqipërisë me ato të Kosovës dhe që të lidhë Nishin dhe Serbinë, e prej andej të shkojë në Bullgari e Romani”.
“Deri më tani këto qeveri janë përkushtuar që të paguajnë për studimin përkatës por duke parë burokracinë mendojmë se mënyra më e mirë për të zhvilluar këtë infrastrukturë nuk është nëpërmjet kornizës ËBIF, sepse normalisht secila do të marri vite dhe me ËBIF shtetet fqinje sidomos Kroacia, Sllovenia dhe Greqia nuk duan që ne të kemi një port të mirë si dhe hekurudha tejet funksionale”.
E drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Britanike në Kosovë, Bekim Kastrati, e ka quajtur hapjen e “Toka Management” një storie suksesi.
Kastrati ka thënë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një plan të qartë të zhvillimit hekurudhor e se një plan do ta bënte transportin atraktiv në këtë rajon.
“Më në fund po vijmë me një storie suksesi nga e gjithë ajo punë e madhe e bërë, jo vetëm nga Agimi, Viola e Niku. Pres që ata të marrin pjesë në sukseset e mëtutjeshme të kompanisë. Duket se këtë herë shqiptarët po flasin anglisht e britanikët shqip, që është gjë e mirë”.
“Do të dëshiroja që të nënvizoja disa gjëra në kuadër të këtij eventi; arritja e një transporti cilësor që sjellë besim në jetën tuaj të përditshme. Të gjitha format e tjera të transportit duhet përmendur, se duhet arritur efiçiencë e plotë e udhëtimit, për pasagjerët të reduktohet kostoja.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për një plan të qartë të zhvillimit hekurudhor. Geri Selenica e përmendi një plan në zhvillim e sipër për Ballkanin Perëndimor që ofron një rrugë për të ardhmen e hekurudhave që do t’i mbyllte largësitë midis shteteve. Një plan hekurudhor i mirë në Ballkanin Perëndimor do të mund ta bënte transportin atraktiv në këtë rajon”.
“Për më tepër ne duhet të shikojmë të ndërtojmë një transporti në korniza, ndërtimi i një rrjeti hekurudhor të digjitalizuar me një tren direkt ekspres të lidhur në mes të qyteteve më kryesore të rajonit do të ndihmonte në zhvillimin e një lidhje më të zhvilluar dhe një ambient më të sigurt për njerëz dhe biznese në Ballkanin Perëndimor”.