ATV

Category: Lajme

  • Ushtarët e FSK-së, në tetor do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll” në Uells

    Ushtarët e FSK-së, në tetor do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll” në Uells

    Përgatiti: Armand Hoti

    Një pjesë e tetorit, pritet të jetë rraskapitëse për disa nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ata, nga data gjashtë deri më 15 tetor, do të marrin pjesë në ushtrimin “Cambrian Patroll”, të organizuar nga Ushtria Britanike, që do të mbahet në Uells.

    “Ushtrimi aktualisht përbëhet nga tetë faza, secila prej 48 orësh, në 10 ditë. Çdo patrullë do të përshkojë afërsisht 60, duke mbajtur jo më shumë se 32 kg për person. Ushtrimi është projektuar që të jetë i mundimshëm dhe të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur, si mendërisht, ashtu edhe fizikisht, për sfidën e ardhshme”, thuhet në njoftimin nga “Cambrian Patroll”.

    Ministria e Mbrojtjes, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, tregoi për avantazhet që ushtrimi në fjalë do të sjellë për ushtarët e FSK-së.

    “Në këtë garë, FSK-ja merr pjesë me një skuadër. Ushtarakët tanë do të përvetësojnë aftësitë e fituara nga ushtrimet dhe trajnimet që ndjekin brenda dhe jashtë FSK-së, do të sfidohen në punën ekipore dhe të përvetësojnë nga njohuritë dhe eksperiencat e shteteve të tjera pjesëmarrëse në garë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Kadri Kastrati, ish-gjenerali i ushtrisë kosovare, tregon për sfidat që i presin trupat e FSK-së, pjesëmarrëse në këtë ushtrim.

    “Ata me pesha të rënduara në trup, do të ngjiten në lartësi deri në 1000 metra, do të ecin në zona të minuara, do të bëjnë tërheqjen e të plagosurve. Jam krenar me rezultatet që ushtarët tanë kanë korrur në këtë ushtrim apo garë, gjithmonë jemi kthyer me suksese”, tha ish-gjenerali i FSK-së, Kadri Kastrati.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se pjesëmarrja pasqyron marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Britanisë, në fushën e mbrojtjes, si dhe orientimin e Kosovës drejt NATO-s.

    “Kjo dëshmon faktin që FSK-ja tanimë është në rrugën e saj drejt integrimit në familjen e madhe të NATO-s dhe trajnime të tilla vetëm sa e forcojnë aspektin kuadrovik, sepse vetëm kështu mund të arrihet standardi i kërkuar”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Ndërkohë, nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, njoftuan se ushtarët kosovarë janë në fazat e fundit përgatitore para se të nisen drejt Uellsit.

    Trupat e FSK-së, për herë të parë në këtë ushtrim morën pjesë në vitin 2016, ku arritën të siguronin medaljen e artë.

  • Asnjë rezultat nga takimi në Bruksel, Asociacioni “Pengesa” kryesore

    Asnjë rezultat nga takimi në Bruksel, Asociacioni “Pengesa” kryesore

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pas katër muajve, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, u takuan sy me sy në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, këtë të enjte.

    Mirëpo, edhe ky takim përfundoi pa sukses, njoftoi pas takimeve, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.

    Kryediplomati tha se pala kosovare nuk pranoi propozimin e bërë nga ndërmjetësuesit evropianë, për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa ajo serbe po. Ai shtoi se kryeministri kosovar insistoi në njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

    “Sot u mundova që të gjej zgjidhje për rrugën përpara, duke u bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, Kurti nuk ishte i gatshëm që të lëvizë përpara dhe të fillojë që ta themelojë Asociacionin. Ai insistoi në njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërsa, Vuçiqi e ka pranuar propozimin tonë. Propozimi ynë ishte që palët të punojnë paralelisht”. Tha Borrell.
    Duke aluduar në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka mundur të pranojë kompromis mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë, teksa e cilësoi si kusht të vjetër.

    “Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues…E unë s’mund ta pranoja një të tillë duke cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e s’kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë”, tha Kurti.

    Në anën tjetër, për presidentin e Serbisë, Asociacioni është gjeja kryesore.

    “Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar. Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha Vuçiq.

    Në konferencën për media, pas takimit trepalësh, shefi i Politikes se Jashtme i BE-së, tha se Kosova nuk ka plotësuar gjitha kushtet për deeskalim, teksa insistoi se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, është më e shpejtë për zgjedhjet e reja.

    Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se kryetarët e komunave në veri nuk mund të japin dorëheqje, sipas tij, duhet të respektohet udhëzimi administrativ.

    Ndërkohë pas takimit është thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të mbeten ende në fuqi.

  • Bastisja 8 orëshe e shtëpisë së Behar Berishës nga zyrtarët e ZPS

    Bastisja 8 orëshe e shtëpisë së Behar Berishës nga zyrtarët e ZPS

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në rresht “për një”, zyrtarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar dolën nga shtëpia e Behar Berishës, ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare.

    Materialet që gjetën gjatë bastisjes, 12 zyrtarët i vendosën në veturat e asistentëve, EULEX-it.

    Por, ky qe vetëm fundi i një aksioni që nisi në orët e hershme të mëngjesit, i cili zgjati diç më shumë se 8 orë.

    Derisa zyrtarët policorë siguronin perimetrin, hetuesit ndërkombëtarë kontrollonin thuajse çdo cep të shtëpisë, të shoqëruar edhe nga familjarët.

    Megjithatë, nuk dihet se çka u gjet në shtëpinë e bashkëluftëtarit dhe djalit të dajës së Salih Mustafës-Calit, i cili tashmë është duke e vuajtur dënimin nga Gjykata Speciale.

    Ndërkohë, rruga “Ramë Gavori”, në kryeqytet u bllokua për kalim, gjë që shkaktoi pakënaqësi te banorët e lagjes.

    Në fakt, kjo ishte vetëm njëri prej disa angazhimeve të ZPS-së këtë javë.

    Të martën, po ashtu bastisën shtëpinë e dëshmorëve Fazliu, dhe intervistuan Ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, të cilit ia kontrolluan edhe telefonin, ngjashëm siç vepruan një ditë më vonë edhe me një nga themeluesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Nait Hasani.

  • Deputetët diskutojnë me ministren e arsimit për librat shkollor

    Deputetët diskutojnë me ministren e arsimit për librat shkollor

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Edhe pse seanca e jashtëzakonshme e së enjtes u thirr nga opozita, shumica e deputetëve të partive opozitare nuk ishin në sallë. Ata që erdhën në kohë pritën më shumë se gjysmë ore që të formohej kuorumi për debatin parlamentar, lidhur me furnizimin nxënësve me tekste shkollore.

    Fillimisht kritikat u dëgjuan nga opozita, sipas së cilës, situata me tekstet shkollore ka të bëjë me keqpërdorim.

    Por, edhe opozita u kritikua për keqpërdorime, derisa Ministria e Arsimit, Arbërie Nagvaci, tha se qeveritë e kaluara çdo vit kanë dyfishuar buxhetin për furnizim me tekste shkollore.

    Deklarimit të saj, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj i dha notë.

    Më i ashpër ishte fjalimi i kolegut të tij partiak.

    Kjo seancë e jashtëzakonshme e cila ishte thirrur nga opozita më 4 shtator përfundoi pa ndonjë epilog.

  • ​Arrestohet një person i dënuar për veprën dhunim në Podujevë

    ​Arrestohet një person i dënuar për veprën dhunim në Podujevë

    Njësite të stacionit policor të Podujevës kanë arrestuar një person i cili kërkohej me urdhëresë të Gjykatës.

    Policia e Kosovës njofton se ndaj personit të dyshuar me inicialet E.A, mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka qenë aktive urdhëresa (dënim me tri vite burgim) për veprën dhunim.

    “Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj-Stublla: Ka kohë që Borrelli e Lajçaku anojnë kah Serbia

    Haradinaj-Stublla: Ka kohë që Borrelli e Lajçaku anojnë kah Serbia

    Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, ka komentuar zhvillimet e sotme në Bruksel, ku tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Borrelli e Lajçaku tash e sa kohë dukshëm anon kah Serbia, duke toleruar shkeljet e saje duke e kushtëzuar Kosovën pafundësisht.

    Haradinaj – Stublla kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të ftojë urgjentisht një tryezë uniteti me të gjitha partitë politike parlamentare dhe bashkërisht të bëjnë një rishikim strategjik të pozicionit të Kosovës në dialog.

    “Kryeministria pastaj – të bëjë publik dhe të përfaqësojë qëndrimin e dakorduar të unitetit politik. Vetëm kështu ndihmohet Kosova nga vorbulli i rrezikshëm ku gjindet sot”.

    “I ashtuquajturi ‘Asociacion i komunave me shumicë serbe’ i nënshkruar më 2013/2015 – pakëson dhe dobëson sovranitetin e Kosovës, dhe forcon Serbinë zyrtare në Kosovë për të mbajtur pastaj përjetësisht peng shtetin dhe qytetarët serb të Kosovës”, shkroi Haradinaj – Stublla.

    Tutje, ajo tha se si i tillë, Asociacioni do tëduhej të refuzohet nga të gjithë, përfshirë partitë që e kanë nënshkruar.

    “Dialogu ka kuptim vetëm kur udhëhiqet nga një ndërmjetësues që nuk e injoron të vërtetën”, tha ajo.

  • ​BQE rrit normat e interesit për 25 pika bazë për të luftuar inflacionin e vazhdueshëm

    ​BQE rrit normat e interesit për 25 pika bazë për të luftuar inflacionin e vazhdueshëm

    Banka Qendrore Evropiane rriti të enjten tre normat kryesore të interesit me 25 pika bazë për të luftuar inflacionin e vazhdueshëm.

    Pavarësisht prirjes së tij rënëse, inflacioni pritet të mbetet “shumë i lartë për një kohë të gjatë”, tha banka në një deklaratë.

    Sipas vlerësimeve të shpejta të publikuara nga Eurostat, norma vjetore e inflacionit të konsumatorit në eurozonë ishte e qëndrueshme në 5.3% në gusht, ende mbi objektivin afatmesëm të bankës prej 2%.

    Norma e operacioneve të rifinancimit kryesor do të rritet në 4.50%, dhe do jetë në fuqi nga 20 shtatori.

    Norma e lehtësisë së depozitave do të jetë 4% dhe ajo marxhinale e kredisë do të jetë 4.75%./AA/

  • ​Ish-oficeri britanik: Nuk kam prova se është keqtrajtuar personi i ndaluar

    ​Ish-oficeri britanik: Nuk kam prova se është keqtrajtuar personi i ndaluar

    Ish-oficeri i ushtrisë britanike, Douglas Young, e ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve. Kjo dëshmi lidhet me Ymer Xhafiqin që sipas tij ishte rrëmbyer por për të cilin nuk tregoi asnjë provë që ishte mbajtur nga UÇK apo që ishte keqtrajtuar.

    Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, ai është përgjigjur në pyetjet e avokatëve mbrojtës si dhe trupit gjykues.

    Derisa është intervistuar nga mbrojtja e Kadri Veselit, është bërë e ditur se Xhafiqi në atë periudhë ishte i regjistruar në MUP-in serb.

    Avokati Emmerson: Në hetimin që keni bërë keni vërtetuar që ai ishte oficer i MUP-it i regjistruar, apo jo?

    Dëshmitari Young: Ishte oficer i regjistruar në mënyrë të rregullt që atë ministri, me sa kam kuptuar roli i tij që nga fillimi ishte të merrej me dokumente.

    Avokati Emmerson: Por siç e dini, si pjesëtar i forcave të armatosura i regjistruar në mënyrë të duhur dhe i uniformuar nuk ka rëndësi a jeni kuzhinier apo merreni me trafikun.

    Dëshmitari Young: Nuk e di as njërën as tjetrën, nuk e di a e ka pasur uniformën apo jo, në kohën kur është ndaluar.

    Avokati Emmerson: A është e saktë që në atë kohë po zhvilloheshin operacione ushtarake të MUP-it në Kosovë dhe afër kufirit, dhe menjëherë në afërsi të zonës ku ju keni bërë hetimin, përpara dhe pas në këtë zonë ku forcat e MUP po përdornin fuqi për të sulmuar UCK-në?

    Dëhsmitari Yoing: Më duket pyetja e vështirë, bëhet fjalë për një person që shkonte në punë nuk po flasim për pjesën morale të historisë.

    Avokati Emmerson: Por operacione e MUP-it, edhe ata në fakt në një farë mënyre po shkonin në punë kur bënin luftime, bëhet fjalë kemi forcat e MUP-it që po luftonin kundër UCK-së përpara dhe menjëherë pas kësaj ngjarje.

    Emmerson e ka lexuar një deklaratë të dëshmitarit lidhur me hetimin që ai e kishte kryer në kuadër të misionit vëzhgues në Kosovë.

    Aty u bë e ditur se në atë zonë ku po kryheshin hetime më 9 mars, një ditë më herët kishte pasur të shtëna në mes të MUP-it dhe UÇK-së.

    Në këtë kontekst dëshmitari e pranoi se këto forca ishin rrezik për pjesëtarët e UÇK-së.

    Tutje, Emmerson është ndalur edhe te takimi që dëshmitari pretendon ta ketë zhvilluar më Fatmir Limajn në Tërpezë.

    Ai ka lexuar përmbledhjen e takimit e cila ishte e vendosur atë kohë në raport, ku thuhej se “përpjekjet për të bërë një bisedë personale tek polici shqiptar i MUP-it, Xhafiqi, që ishte marrë nga shtëpia në mars 1999, ishin të pasuksesshme”.

    Young kishte deklaruar se atij i ishte konfirmuar që komanda e lartë e UÇK-së e kishte nën ruajtje Xhafiqin dhe se do ta trajtonin sipas konventës së Gjenevës si dhe “do ta lironin në momentin që operacionet e ushtrisë jugosllave të MUP-it në zonën kufitare do të ndërpriteshin.

    Emmerson u interesua të dijë nëse dëshmitari ka ndonjë provë se personi në fjalë ishte keqtrajtuar, por Young nuk arriti të dëshmojë diçka të tillë.

    Avokati Emmerson: Ju keni ndonjë provë për të thënë që ai ishte trajtuar në kundërshtim me Konventën së Gjenevës, keni ndonjë provë për këtë?

    Dëshmitari Young: Jo. Mua më kishin garantuar, personin që kisha takuar më garantoi që do të trajtohej në përputhje me Konventën e Gjenevës ndonëse unë kisha shqetësimet e mija.

    Avokati Emmerson: As në ato momente nuk doli gjë nga pikëpamje e provave e as më vonë, që do të tregonin ty apo të tjerëve që ky person nuk ishte trajtuar në përputhje me Konventën e Gjenevës, apo t ishte keqtrajtuar në ndonjë formë?

    Dëshmitari Young: …prova për këtë nuk kam.

    Avokati Emmerson: Kush ua tha këtë?

    Dëshmitari Young: Më pas, kur isha në Kosovë, pyeta a ka marrë vesh njëri çka ndodhi me këtë rast, nuk mund të them me siguri nga më erdhi informacioni por mbase kam lexuar ndonjë gjë në gjykatën e TPNJ-së, nuk është dëshmia ime kjo, është mënyra si e kuptoj unë, një burim i tretë ka thënë që personi është keqtrajtuar dhe më pas është vrarë.

    Në këtë pjesë të intervistimit kryegjykatësi Smith i ka bërë të ditur avokatit Emmerson se i ka përfunduar koha e pyetjeve, ndërsa dëshmitari shkurtimisht është përgjigjur në pyetjet e turpit gjykues.

    Dëshmitari u ka thënë atyre se qëndron prapa deklaratave të mëparshme të tij ku ka thënë se Xhafiqi ishte nëpunës civil.

    “I qëndroj kësaj, e vetmja që mund të shtoj është që unë supozova se hyrja e MUP mund të jetë lidhur nga UÇK me zotin Xhafiqi sepse ai jetonte në zonë, ata mund të kenë thënë ‘ky është ankuar, ky ka parë flamur shqiptar në zonë’, dhe për shkak të faktit se ai raportonte në zonën ku jetonte kjo në mënyrë të tërthortë solli atë që bëri MUP-i, ky është thjesht hamendësimi im, asgjë më shumë”, ka thënë ai.

    Ndërsa kur është pyetur se si e ka mësuar për ndalimin e Xhafiqit, dëshmitari ka thënë se kjo ishte bërë e ditur përmes radios nga shtabi i misionit.

    “Informacioni i parë që kemi marrë është që thjesht është rrëmbyer, dhe u hamendësua që nëse ishte rrëmbyer atëherë do tak ishte rrëmbyer dikush nga ana e shqiptarëve. Por nuk pati informacione në ato momente se për llogari të kujt kishte ndodhur përveç që nga ana shqiptare…Kjo frazë është e një raporti që unë e kam parë vetëm gjatë një dëshmie, nuk jam i sigurt për fjalën komandë, por Shtabi i Përgjithshëm me siguri u përmend më vonë gjatë asaj dite. Në fillim unë pata përshtypjen që dikush i lidhur me UÇK-në ishte i përfshirë, por thjeshtë përfshirje e UÇK-së, jo shtabit të përgjithshëm në atë fazë”, ka thënë ai.

    Dëshmitari insistoi se personi me të cilin ishte takuar në Tërpezë për të biseduar për Xhafiqin, ishte Fatmir Limaj.

    Sipas tij, ai e kishte pranuar që i ndaluari është në duart e UÇK-së.

    Gjatë dëshmisë së tij, Young ka bërë të ditur se takimi me personin për të cilin pretendon se ishte Limaj, është zhvilluar me përkthyes.

    “Nëse e kam kuptuar mirë përkthimin, zoti Limaj vet e pranoi ose e tha që fliste në emër të Shtabit të Përgjithshëm, së pari tha që personi në fjalë ishte nën kontrollin e Shtabit të përgjithshëm dhe së dyti zoti Limaj kishte njohuri të drejtpërdrejt, kështu që nëse i mbledh këto të dyja bashkë, unë e kuptova që ai fliste ne emër të Shtabit të Përgjithshëm ose që e prezantoi vetën se fliste në emër të Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.

    Në fund të seancës, disa prej pyetjeve të mbrojtjes janë bërë në seancë private ndërsa është bërë e ditur se dëshmisë së ish-oficerit britanik i ka ardhur fundit.

    Dëshmitari i 25 ka shërbyer në kuadër të misionit Vëzhgues Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, pastaj edhe misionit të OSBE-së.

    Ai ka thënë se është kthyer në Kosovë edhe pas luftës, kësaj radhe si pjesë e KFOR-it.

    Në prezantimin e tij nga prokuroria, është thënë se dëshmitari ka bashkëpunuar me UÇK-në për gjetjen e personave sipas tyre të rrëmbyer nga UÇK.

    Douglas Young është dëshmitari i tretë ndërkombëtar në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve i cili njësoj si dy të tjerët ka dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seancë të hapur për publikun.

    Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë të hënën e 25 shtatorit me dëshmitarin e radhës së ZPS-së.

    Ky proces gjyqësor ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /KosovaPress

  • OneFor, aplikacioni për shërbime financiare digjitale tashmë edhe në Kosovë

    OneFor, aplikacioni për shërbime financiare digjitale tashmë edhe në Kosovë

    Pas një përvoje të suksesshme në Bashkimin Evropian, OneFor ka lansuar aplikacionin më inovativ të ofrimit të shërbimeve financiare digjitale në vend duke sjellë një përvojë të re në menaxhimin e financave.

    Kosova është destinacioni i radhës që OneFor e futi në hartën e shteteve krahas atyre të Bashkimit Evropian, për të ofruar aplikacionin më të avancuar për shërbime financiare digjitale.

    Aplikacioni OneFor shërben si një platformë financiare që adreson nevojat e përgjithshme të qytetarëve dhe ofron zgjidhje për pagesa të menjëhershme dhe transfere të parave në kohë reale dhe ekonomike.

    OneFor është licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës si Institucion Financiar Jo-Bankar (IFJB) me iniciativë të kompanisë amë OneFor Holding GmbH, me seli në Düsseldorf.

    Krijimi i një llogarie në aplikacionin OneFor është e lehtë dhe zgjat vetëm disa minuta. Menjëherë përdoruesit pajisen me një eWallet (kuletën digjitale) dhe Mastercard, që mundëson pagesa të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Një përparësi e veçantë është shpejtësia e transferit brenda aplikacionit OneFor, që bëhen në vetëm 0.2 sekonda. Mundësia për personalizimin e transfereve përmes chat-it dhe ndarjes së fotove i jep dimension tjetër aplikacionit. Ndërsa, llogaria IBAN e standardit të Bashkësisë Evropiane e krijuar automatikisht lejon pranimin dhe dërgimin e transfereve SEPA nga çdo llogari IBAN tjetër në BE.

    Krijimi dhe mirëmbajtja e llogarisë janë pa tarifë, duke përfshirë edhe e-Wallet, kartelën virtuale Mastercard dhe transferet kombëtare brenda aplikacionit. Ndërkohë, tarifat për transferet ndërkombëtare janë fikse, pavarësisht vlerës së transaksionit. Kjo e bën aplikacionin akoma më tërheqës dhe një zgjidhje të përshtatshme për shërbimin e ndërlidhjes së familjeve, përfshirë edhe ata në diasporë.

    “Sot, në Kosovë, mbi 40% e popullatës nuk kanë qasje në sistemin financiar. Ne jemi të përkushtuar për të promovuar përfshirjen duke e konsideruar atë si një të drejtë themelore për të gjithë. Prandaj, shërbimet tona financiare janë projektuar për të qenë përgjithësisht të arritshme, të lehta për përdorim dhe pa kufizime gjeografike për të gjithë qytetarët,” tha Yll Dushi, Drejtor i Përgjithshëm i OneFor Kosova.

    Një aspekt tjetër kyç i shërbimeve të aplikacionit OneFor është mundësia për prindërit të krijojnë llogari për fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeç, të cilat menaxhohen nga prindërit. Rrjedhimisht fëmijët pajisën me eWallet dhe Mastercard personale. Kjo lejon edukimin dhe zhvillimin e aftësive për menaxhimin e financave që në moshë të hershme në anën tjetër i jep pavarësi financiare të rinjëve.

    “Ne besojmë fort se OneFor do të sjellë një përvojë të re dhe të përmirësuar në qasjen dhe menaxhimin e transaksioneve financiare. Prandaj, për të nxitur më tej përdorimin e teknologjisë, lansimi i aplikacionit OneFor është një hap i rëndësishëm drejt praktikave financiare digjitale, një pikë kulmore e rëndësishme për Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit teknologjik dhe ekonomik. Ne jemi të bindur që Kosova ka potencialin për të pozicionuar veten në nivel rajonal si një qendër e përparimit teknologjik, dhe kështu, heqja e barrierave në shërbimet financiare është thelbësore për arritjen e këtij qëllimi,” deklaroi Ilir Aliu, Drejtor Menaxhues i OneFor Holding.

    Më shumë për OneFor:

    OneFor Holding GmbH, me bazë në Düsseldorf, Gjermani, është kompania amë e OneFor Kosovës, misioni i së cilës është që të sjell inovacion dhe shërbime financiare moderne për qytetarët e Kosovës. OneFor është një platformë financiare digjitale që lidh përdoruesit me mënyra të përshtatshme, të thjeshta dhe të sigurta të pagesave. OneFor është aktive në Bashkimin Evropian që nga viti 2021.

    Për më shumë informacion, vizitoni www.onefor.com.

  • A do t’i jepet leje Vuçiqit për ta vizituar Graçanicën? – Përgjigjet kryeministri Kurti

    A do t’i jepet leje Vuçiqit për ta vizituar Graçanicën? – Përgjigjet kryeministri Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nëse do t’i japë leje presidentit të Serbisë, Alekssander Vuçiqit , për të vizituar Graçanicën.

    Kurti ka pyetur gazetarin nëse e ka parë kërkesën e Vuçiqit, duke thënë se në momentin që presidenti serb do ta dërgojë kërkesën për vizitë, do ta trajtojë atë me seriozitetin dhe sinqeritetin më të madh.

    “A e keni parë kërkesën.. Kur të na e dërgojë kërkesën do ta trajtojmë më seriozitetin dhe sinqeritetin më të madh”, ka thënë kryeministri.