ATV

Category: Lajme

  • Kurti kundër dorëheqjeve të kryetarëve në Veri

    Kurti kundër dorëheqjeve të kryetarëve në Veri

    Kryeministri Kurti i është përgjigjur kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili pak më parë tha se dorëheqja e kryetarëve aktualë është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet e reja në Veri.

    Ai tha nuk mund të detyrohet askush të japë dorëheqje në emër të askujt.

    Sipas tij, rruga demokratike dhe ligjore është udhëzimi administrativ, derisa tha se imponimet nuk janë të mirëseardhura dhe as demokratike.

    “Lista serbe si një degë e partisë në pushtet në Serbi që vepron në Kosovë , më 5 nëntor dha dorëheqje kolektive në komunat në veri të Kosovës dhe këto i bën me qëllim të keq dhe të gabuar. Për gabimin e tyre nuk do të duhej ta paguanin kryetarët aktualë që njëmend e kanë legjitimitetin e vakët sepse dalja ka qenë e ulët, mirëpo janë të vetmit që kanë legjitimitet. Unë jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar udhëzimin administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse, në mënyrë që pastaj të organizohet votimit drejt përfundimit të mandatit të kryetarit. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, tha Kurti.

    Borrell, sot në një konferencë për media, komentoi dy opsionet për t’i shpallur zgjedhjet, mirëpo e përsërit se dorëheqjet e katër kryetarëve është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë.

    Ai tha se ka marrë garanci nga Vuçiq se serbët do të angazhohen për zgjedhjet në Veri.

    “Zgjedhjet mund të shpallen përmes dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në Veri të Kosovës ose përmes mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët e Kosovës për t’i shkarkuar kryetarët. Më lejoni që ta sqarojë se BE e sheh dorëheqjen e kryetarëve, të cilët janë zgjedhur vetëm nga 3 për qind e popullsisë, si mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Procedura tjetër, kërkimi i nënshkrimeve, nuk është e sigurt. Serbët e Kosovës pritet që të tregojnë konstruktivitet dhe të angazhohen, pa kushte, në procesin zgjedhor, ata duhet të marrin pjesë… dhe mirëpres garancinë që mora sot nga presidenti Vuçiq për këtë. Nëse nuk ka progres në zgjedhje, rreziku për ripërshkallëzim do të vazhdojë të jetë i rrezikshëm mbi zbatimin e marrëveshjes dhe në procesin e normalizimit”, tha Borrell.

  • Borrell: Pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Serbinë as për Kosovën

    Borrell: Pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Serbinë as për Kosovën

    Kryediplomati evropian Josep Borrell, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijën një marrëveshje për rrugëtimin e tyre në Bashkimin Evropian.

    “Të dy shtetet duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, një union që është ndërtuar në një fqinjësi të mirë dhe të ardhme të mirë për gjithë qytetarët”, u shpreh Borrelli, njofton Klankosova.tv.

    “Rruga për në Bashkimin Evropian kalon nëpërmes dialogut, pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Serbinë as Kosovën”.

    “Serbia rrezikon të ecë prapa, pasi vendet e tjera e rajonit po ecin përpara”.

  • Kurti: Takimi pa rezultat shkaku i një kushtëzimi të Serbisë

    Kurti: Takimi pa rezultat shkaku i një kushtëzimi të Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit.

    Pas takimit me presidentin Vuçiq, Kurti para mediave tha se kanë propozuar plan të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ndërkaq pala serbe s’kishte asnjë propozuar por kushtëzonte me themelim të Asociacionit.

    “Kam propozuar një udhërrëfyes të senkuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Nuk ka mundur të ketë kompromis me një propozim me sekuencë dhe një kushtëzim të vjetër. Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia se mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje të sjellin. Kushtëzim i Serbisë se njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë”, tha ai.

    Ai kritikoi edhe Lajçakun për rolin e tij si ndërmjetësues në dialog.

    “Është për të ardhur keq që Lajcak ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe këtë e ka bërë në cenim të rolit të tij si lehtësuar dialogun”, tha Kurti.

  • Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje

    Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje

    Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Borrell priti të enjten në një rund të ri bisedimesh Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara në fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]”, tha Borrell.

  • Debati për librat, Dreshaj: Përgjegjësit duhet të identifikohet dhe të sillen para drejtësisë

    Debati për librat, Dreshaj: Përgjegjësit duhet të identifikohet dhe të sillen para drejtësisë

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj deklaroi se përgjegjësit për dështimin e sigurimit të teksteve shkollore, duhet të sillen para drejtësisë. Sipas tij, politika nuk duhet të ngufat vendin dhe as të ketë interferime.

    Në emër të AAK-së tha se ky debati parlamentar për librat është i vonë. Dreshaj në seancë të jashtëzakonshme u shpreh se nuk ka arsyetime për dështim.

    “Arsyetime për dështim nuk ka. Përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, kushdo qofshin ata. Ju përkujtoj që politika nuk është për të penguar dhe për të ngulfatur vendin, por është për të ndihmuar dhe për t’i larguar pengesat eventuale. A ka pasur interferime? Po ka pasur. Bie fjala në një tekst të vitit të parë shkollor, për të cilin është prononcuar edhe Nagavci. Ju përkujtoj që recensioni mund të jetë pozitiv apo negativ, nuk mund të jetë recension i gjatë apo i shkurtër. Janë hallkat që duhet të kalojnë nëpër të. Po ka pasur edhe në vitin e pestë kur është bërë presion që një nga recensentët që ka pasur recension negativ të bëjë pozitiv, ai tekst është publikuar”, deklaroi Dreshaj.

    Sipas tij, pushteti aktual ka premtuar shumë për arsimin, por që një gjë e tillë nuk po ndodhë.

    “A e kemi ditur numrin e nxënësve? Po. A e kemi ditur çmimin e teksteve? Po. A i kemi pasur shtëpitë botuese në kontakt? Po. Dhe çfarë ndodhi, u desh të pritej dhjetë ditë përpara të paraqitet ky problem, që të jetë edhe një ngarkesë për librat dhe për nxënësit tanë që ashtu-ashtu janë të pakënaqur me procesin dhe vendin”, deklaroi ai.

    Në diskutimin e AAK-së me drejtorët e arsimit në komuna, deputeti Shemsedin Dreshaj tha se kanë ardhur në përfundim që ky vendimi i qeverisë konsiderohet i jashtëligjshëm dhe se ka shkaktuar pabarazi sociale.

  • Arifi takon Escobarin, flasin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës

    Arifi takon Escobarin, flasin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës

    Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka takuar të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Arifi ka thënë se ka adresuar shqetësimin e madh mbi privimin e të drejtave bazë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës si dhe ka kërkuar ndalimin e procesit të pasivizimit të adresave, proces i cili sipas tij, shkel drejtpërdrejtë të drejtat elementare njerëzore.

    “Lidhja e ngushtë politike me SHBA-në është e pandryshueshme dhe njëherit garancë për forcimin e Republikës së Kosovës. Sa më e fortë Kosova, po aq Lugina e Preshevës”, ka shkruar Arifi.

  • ​Hoxha: Nagavci dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor hoqi dorë nga obligimi ligjor

    ​Hoxha: Nagavci dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor hoqi dorë nga obligimi ligjor

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se nga fillimi i qeverisjes aktuale, mësimi po fillon mbrapsht. Ajo theksoi se mbi 220 mijë nxënës po i vuajnë pasojat e dështimit të qeverisë, siç theksoi ajo, për të siguruar falas tekstet shkollore. Deputetja Hoxha shtoi se këtë vit nuk ka as kushte themelore për mësim.

    Gjatë debatit parlamentar për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, Hoxha theksoi se qeveria për të mbuluar këtë dështim, në momentet e fundit improvizoi një zgjidhje tjetër.

    “Qeveria zyrtarisht vendosi që të mos e zbatojë obligimin ligjor për ofrimin e teksteve falas e madje as nuk i subvencionoi. U mjaftua vetëm me 30 euro për materiale mësimore, për të cilat me ligj nuk është e obliguar. Dhe cili është rezultati? Qeveria ka ndarë mbi 13 milionë euro për subvencionimin, prej të cilave mbi gjashtë milionë për tekste për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe mbi gjashtë milionë euro të tjera për mjetet dhe materialet mësimore për arsimin e detyrueshëm”, tha ajo.

    Teksa ka aluduar në abuzime, Hoxha tha se situata me tekstet shkollore ka të bëjë me keqpërdorimet. Ajo shtoi se në këtë proces është shkelur edhe ligji për ndarjet buxhetore.

    “Nëse vitin e kaluar për blerjen e teksteve janë shpenzuar 17 milionë, sikur më parë deri në atë vit, pse këtë vit MAShTI ka planifikuar vetëm 4, 3 milionë për blerjen e teksteve shkollore. E dyta, nëse këtë vit nga shtëpitë botuese kanë qenë afërsisht të njëjta si vitin e kaluar, janë dhënë çmime që thuhet edhe më të ulëta si rasti me shtëpinë botuese ‘Dukagjini’, e cila thotë se ka ofruar 4 për qind më lirë se vitin e kaluar, atëherë pse nuk u demantuan këto deklarime nga ana e MAShT-it duka na ofruar dokumente shtesë. Nëse çmimet e teksteve këtë vit janë më të lartë, pse MAShT nuk e ka bërë publike listën e çmimeve të teksteve shkollore që i ka paguar vitin e kaluar dhe ofertën e bërë këtë vit nga shtëpitë botuese”, deklaroi ajo gjatë debatit parlamentar.

    Sipas saj, prindërit do të detyrohen të blejnë librat për fëmijët e tyre me çmim më të lartë.

    “Nuk mund të mos përmend hipokrizinë e ministres, e cila dy muaj më parë kishte deklaruar se tekstet do të jenë falas. Këtë citat e gjeni në mediat tona në qershor, dhjetë ditë para fillimit të mësimit, e njëjta kishte hequr dorë nga obligimi i saj ligjor duke ja lënë topin e nxehtë në dorë prindërve, për idenë e rimbursimit dhe improvizimit. Në këtë proces ata që këta i quajnë ‘oligarkë’, prapë do të përfitojnë më së shumti sepse kujtoj që është logjik e thjesht ta dimë se çdo gjë që blejmë në treg me sasi të vogël, kushton më shumë se sa kosto e sasisë më të madhe”, shtoi ajo.

    Më tej, gjatë deklarimit të saj tha se shkollat e Kosovës tash e tri vjet po e nisin vitin e ri shkollor mbrapsht.

    “Ky është viti i tretë shkollor, i cili nis mbrapsht. Nuk ka as pandemi e nuk ka as greva. Por këtë vit nuk ka as kushte themelore për mësim. Nuk kishte tekste shkollore si mjet bazë për mësim që t’i prisnin nxënësit në tavolinat e tyre. Ka dështim në planifikim, në realizim e mbi të gjitha dështim në përmbushjen e obligimit ligjor për sigurimin e teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit e nivelit fillor dhe arsimit të mesëm të ultë për vitin shkollor 2023-2024… Mbi 220 mijë nxënës i vuajnë pasojat e dështimit të qeverisë për të siguruar falas tekstet shkollore, obligim ky ligjor nga Ligji për Edukimin Parauniversitar, specifikisht neni 3”, përfundoi Hoxha.

    Ajo u shpreh se një standard i tillë i cili u krijua para sa kohësh, ishte mirëpritur nga prindërit dhe familjet në Kosovë. /KP

  • Dumoshi: Po qeverisemi nga njerëz që nuk e duan punëtorin e që na prishën më aleatët

    Dumoshi: Po qeverisemi nga njerëz që nuk e duan punëtorin e që na prishën më aleatët

    Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, ka thënë se për herë të parë Kosova është nën sanksione nga miqtë e saj ndërkombëtar që e ndihmuan në shtetndërtim, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur për ngritjen e çmimeve e inflacionin e lartë, Dumoshi ka thënë se mbi 70 për qind e qytetarëve janë shprehur se rritja e çmimeve ka vështirësuar jetën e tyre.

    Vendi, sic tha ajo, ka mbetur pa punëtorë dhe po qeveriset nga “njerëz që nuk e duan punëtorin e as mirëqenien”

    “Falë kësaj qeverie jemi nën sanksione nga aleatët tanë, nga ata që na ndihmuan në shtetndërtim. Mbi 70 për qind e qytetarëve janë shprehur se rritja e çmimeve ka vështirësuar jetën e tyre. Sektorë të tërë kanë mbetur pa punëtorë dhe për herë të parë po ikin mjekë, policët e po mbesim pa të rinj. Për herë të parë, Kosova po udhëhiqet nga njerëz që nuk e duan punëtorin e as mirëqenien”.

    “Ky vend ka pasur parti politike dhe në kohën kur VV-ja nuk ka qenë në Kuvend, sot shumica e VV-së kanë qenë nga regjimet e vjetra. Sot ju keni dështuar, në ekonomi dhe shihni çmimet që kemi mbi 50 për qind rritje të shportës familjare”, tha ajo.

  • ​Përfundon bastisja në shtëpinë e ish pjesëtarit të UÇK-së

    ​Përfundon bastisja në shtëpinë e ish pjesëtarit të UÇK-së

    Pjesëtarë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuara të Kosovës kanë përfunduar bastisjen në shtëpinë e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behar Berisha.

    Bastisja kishte nisur disa më parë në shtëpinë e Bershiës.

    Ndryshe, EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personal të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.

  • Nagavci akuzon qeveritë e kaluara: 25 milionë € janë shpenzuar për librat që kanë përfunduar në podrume të shkollave

    Nagavci akuzon qeveritë e kaluara: 25 milionë € janë shpenzuar për librat që kanë përfunduar në podrume të shkollave

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverive të kaluara për siç ka thënë keqpërdorimet me tekstet shkollore, raporton EO.

    Në seancën e jashtëzakonshme për dështimin e Qeverisë për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, ajo shtoi se rreth 25 milionë euro janë shpenzuar për librat e që kanë përfunduar nëpër podrume të shkollave.

    Madje sipas saj, tekstet janë blerë 125 për qind më shtrenjtë se në Shqipëri. Tekstet janë parë më shumë si biznes, dhe se tekstet janë parë më shumë si biznes.

    “Dështimet e qeverive të kaluara jo vetëm për shpenzimeve e keqpërdorimeve të qindra miliona euro. Rreth 25 milionë euro janë shpenzuar për librat e që kanë përfunduar nëpër podrume të shkollave. Ka grumbuj të teksteve shkollore që nuk janë përdorur dhe se të gjitha tekstet janë blerë pa u përdorur”.

    “Çfarë kemi bërë ne. E para në marrjen e mandatit kemi punuar në ligjin për tekstet shkollore sepse në gjetjet e auditorit është parë se ka abuzime me tekste shkollore. Pra kemi tekste që janë 125 për qind më shtrenjtë se në Shqipëri. Tekstet janë parë më shumë si biznes”, tha Nagavci.

    Nagavci tha se nuk kanë marrë asnjë njoftim që nëpër komuna kanë mungesa apo vështirësi me tekste, duke thënë që edhe drejtorët komunalë që janë ankuar, nuk kanë asnjë rast të konfirmuar.

    “Përtej kësaj, për informatën tuaj, nga asnjë komunë ne nuk kemi marrë njoftim që kanë mungesë apo vështirësi me tekste. Së fundmi vetëm javën e kaluar kemi pasur së paku tri vizita në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës ku nuk ka informata që kanë mungesë”.

    “Edhe në ato raste nga raportet zyrtare që i kemi pranuar kemi nga vetë të njëjti drejtorë komunalë që kanë dalë me deklarata të tilla publike, deklarimet zyrtare që nuk kanë asnjë rast të konfirmuar që ndoshta kanë qenë fjalë që i kanë dëgjuar dhe kanë dashur të parandalojnë një situatë të tillë, e jo të pengojë”.