ATV

Category: Lajme

  • Bastisja në Prishtinë, flasin nga EULEX-i

    Bastisja në Prishtinë, flasin nga EULEX-i

    Gjatë ditës së sotme është bastisur shtëpia e ish ushtarit të UÇK-së nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.

    Nga zyra për informimin të EULEX-it për Telegrafin kanë thënë se nuk kanë mandat për të ndërmarr veprime të bastisjeve.

    Por sipas tyre, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore.

    “Prej vitit 2018, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka mandat për të ndërmarrë veprime që ndërlidhen me procedura gjyqësore si kryerjen e arrestimeve, bastisjeve, konfiskimeve, marrjes në pyetje apo të ndalimin e personave.

    Në kuadër të kufizimeve të mandatit aktual të tij për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, për sa i përket këtyre procedurave, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në përgjigjen nga zyra për informim të EULEX-it.

    Ndërkaq, përmes fotografive që ka siguruar Telegrafi shihen zyrtarë të Policisë së Kosovës para një shtëpie në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.

    Policia e Kosovës jashtë këtij objekti ka vendosur edhe shiritin e sigurisë në dy anët e rrugës.

    Basisja është kryer në shtëpinë e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behar Berishës.

    Berisha ka qenë bashkëluftëtar i Sali Mustafës – Calit.

    Gjithashtu, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

    Klinaku ka shkruar se duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00.

    Ndryshe, EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personal të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.

  • Qytetarët të pakënaqur me përfaqësimin e Kosovës në dialog, kërkojnë transparencë e përgjegjësi

    Qytetarët të pakënaqur me përfaqësimin e Kosovës në dialog, kërkojnë transparencë e përgjegjësi

    Transparencë e përgjegjësi po kërkojnë qytetarët e Prishtinës nga kryeministri Albin Kurti në procesin e dialogut me Serbinë, raporton Ekonomia Online. Ata nuk janë të kënaqur me përfaqësimin e Kosovës në këtë proces, madje shprehen të zhgënjyer për prishjen e raporteve me Amerikën.

    Bajram Islami, tha se si pasojë e politikave të kqija të Qervisë janë prishur edhe raportet me Amerikën. Sipas tij, as dialogu me Serbinë nuk do të ketë rezultate si pasoj e kryeneçësisë, siç e quajti ai, të kryeministrit Kurti.

    “Lidhjet tona na i ka prish që nuk kish dit mazi e ma keq, kemi luftuar shekuj me u bë miq me Amerikan, kurrë nuk na kana lejuar sllavët, Rusia e Serbia, ky tamon i rregullum diçka, i prish. Po shpresoj që Amerika prapë na runë e nuk na gjunjë poshtë, po na kushton, na vonon shumë, dialogu është veç kah zgjatet, si nga ana e Albinit, si nga ana e Vuçiqit veç me zgjat procesin se nuk e kanë qëllimin me rregullu diçka, e kanë qëllimin veç ai për politik të vet ky për të vetën, në qat far koncepti, që po mungohe me ndjek një koncept jashtëkohor, kështu po mendoj.

    “Sa të është Albini në pushtet gjë s’ka as prej bisedave, as prej dialogut, i ka prish marrëdhëniet thellësisht, kryeneçësia e tij e ka prish, njëherë jo veri, jo i prishi marrëdhëniet, i çrregulloj në veri kinse po bëjë diçka, gjë s’ka bo as s’ka me bo, unë jam intelektual, ai që e ka mirë edhe gjë mos me pas e përkrahi, vëlla me pas Albinin nuk e përkrahi, kur është në pyetje prishja e marrëdhënieve me perëndimin, e sidomos me Amerikën”.

    Vesel Veseli, u shpreh shqiptarët janë popullim më pro-amerikan. Sipas tij, është mirë që përfaqësuesit e vendit të dëshmojnë se Kosova nuk është pala që duhet të jetë e sanksionuar.

    “Shpresoj që do të dinë me u gjind në këtë dialog, përfaqësuesit tonë, që na përfaqësojnë atje, nuk dyshoj se nuk do të ketë përfaqësim të denjë, e mirë që ka shkuar përfaqësuesi jonë, me iu tregu që Kosova nuk është palë destruktive që prodhon konflikte, por pala tjetër është destruktive, që ajo nxitë konflikte edhe është një palë që s’i besohet se marrëveshjet e gjerë tanishme ajo kurrë si ka zbatuar, edhe nuk i besohet se do t’i zbaton.”.

    “Është një shans që bashkësia ndërkombëtare të këndellet edhe te sheh se kush i meriton sanksionet e jo me na i vu neve palës së pafajshme, Kosovës, po dikush kush është fajtori, atyre i ka vu sanksionet, kush është destruktivi, që po e prish paqen në rajon e më gjerë ajo është Serbia e Vuçiqit, trashëgimtare e Millosheviqit. Amerika e di fort mirë, na shqiptarët në përgjithësi jemi pro-amerikan edhe pro-demokrat, prandaj na nuk shitemi edhe fal idesë e edukatës që e kemi marrë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova” tha ai.

    Izet Dushi, tha se nuk mund të kemi dialog me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, për shkak të qasjes së tij. Madje ai shton se minoriteti serb ka shumë të drejta në Kosovë, raporton EO.

    “Po çfarë dialogu me Serbinë mund të arrijë, kur një kryetar i një shteti që na ka masakrue, 13 mije e 500 qytetar të Kosovës, 1500 fëmijë të vrarë, 1400 ende të pazbuluar, 100mijë shtëpi të djegura, 1 milion janë të shpërngulur dhe nuk ka kërkuar një falje për këto Vuçiqi, po plus edhe thotë më vjen keq që Millosheviqi nuk e ka arrit atë që është dashtë, domethënë që mos me ekzistuar na asnjë shqiptar këtu, Albin Kurti nuk mund t’i bëhet urë Vuqiqit, çka të thot Vuqiqi t’a kryen, këta do të kenë një mbledhje por nuk ka arrit asgjë, përveç çka e sheh kushtetuta jonë, shtet i pavarur, as asociacioni me kompetenca kurrsesi nuk vjen në shprehje, se të drejtat e minoritetit serb që i kanë këtu në Kosovë, nuk i kanë në tërë botën”.

  • OKB: Shumica e vdekjeve nga përmbytjet në Libi do të mund të shmangeshin

    OKB: Shumica e vdekjeve nga përmbytjet në Libi do të mund të shmangeshin

    Kombet e Bashkuara kanë thënë të enjten se mijëra vdekje në Libi – si pasojë e përmbytjeve të mëdha – do të mund të shmangeshin, nëse do të kishte paralajmërim të duhur dhe nëse do të funksiononte si duhet sistemi për menaxhim të emergjencave.

    Me një koordinim më të mirë në këtë shtet të shkatërruar nga kriza “ata do të mund të lëshonin paralajmërime dhe forcat për menaxhim të krizave do të mund t’i lëviznin personat e evakuuar, prandaj do të mund të shmangeshin shumica e viktimave”, ka thënë Petteri Taalas, udhëheqës i Organizatës së OKB-së për Meteorologji.

    Ai i ka bërë këto komente teksa ka folur për përmbytjet e fundjavës në Libi, të shkaktuara nga krisja e dy digave, duke i lënë mbi 4.000 njerëz të vdekur dhe mijëra tjerë të zhdukur, që besohet se mund të kenë vdekur.

    Sasia e madhe e ujit që është përhapur në qytetin Derna e ka vërshuar një pjesë të madhe të vendbanimeve.

    Kombet e Bashkuara kanë thënë të enjten se mijëra vdekje në Libi – si pasojë e përmbytjeve të mëdha – do të mund të shmangeshin, nëse do të kishte paralajmërim të duhur dhe nëse do të funksiononte si duhet sistemi për menaxhim të emergjencave.

    Me një koordinim më të mirë në këtë shtet të shkatërruar nga kriza “ata do të mund të lëshonin paralajmërime dhe forcat për menaxhim të krizave do të mund t’i lëviznin personat e evakuuar, prandaj do të mund të shmangeshin shumica e viktimave”, ka thënë Petteri Taalas, udhëheqës i Organizatës së OKB-së për Meteorologji.

    Ai i ka bërë këto komente teksa ka folur për përmbytjet e fundjavës në Libi, të shkaktuara nga krisja e dy digave, duke i lënë mbi 4.000 njerëz të vdekur dhe mijëra tjerë të zhdukur, që besohet se mund të kenë vdekur.

    Sasia e madhe e ujit që është përhapur në qytetin Derna e ka vërshuar një pjesë të madhe të vendbanimeve.

    Osama Hamad, kryeministër në lindje, udhëheq një administratë rivale të njohur si Shtëpia e Përfaqësuesve.

    Megjithatë, shumë persona besojnë se fuqinë e vërtetë në këtë krah e ka gjenerali Khalifa Haftar, i cili e udhëheq Ushtrinë Kombëtare të Libisë. /rel

  • Rrustemi për takimin në Bruksel: Ka përfunduar koha kur Kosova përfaqësohej nga personat e korruptuar

    Rrustemi për takimin në Bruksel: Ka përfunduar koha kur Kosova përfaqësohej nga personat e korruptuar

    Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, thotë se ka përfundura koha kur Kosovën e kanë përfaqësuar persona të cilët kanë qenë të papërgatitur e të korruptuar.

    Rrustemi për GazetaBlic theksoi se dikur takimet e Brukselit shndërroheshin në makth për qytetarët e Kosovës

    “Ka përfunduar koha kur Kosova përfaqësohej nga persona të papërgatitur, të korruptuar e të shantazhuar, këto takime shndërroheshin në makth për qytetarët e Kosovës ku edhe sillnin konsicione të pafundme për Serbinë që prodhonin pasoja për Kosovën”, deklaroi Rrustemi.

    Për takimin e sotëm trepalësh në Bruksel mes Kurti – Vuçiç – Lajçak, Rrustemi tha se Kosova pret që të kthehemi te zbatimi i plotë i marrëveshjes së Brukeslit në kuptimin e njohjes.

    “Nuk mund të flasim me detaje se çfarë presim, por Kosova pret që të kthehemi te zbatimi i i plotë i marrëveshjes së Brukselit, në tërësi në kuptimin e njohjes defacto dhe respektimit të Integritetit dhe Sovranitetit dhe të subjektitvitetit si dy vende të pavarura”, përfundoi ai për GazetaBlic.

  • Haradinaj viziton myftiun Naim Tërnava: I lumtur që e pashë në gjendje të mirë shëndetësore

    Haradinaj viziton myftiun Naim Tërnava: I lumtur që e pashë në gjendje të mirë shëndetësore

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar sot kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava pasi ky i fundit ka pasur probleme shëndetësore.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj pas vizitës përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

    “Sot pata nderin dhe kënaqësinë që me mikun tim Behgjet Pacolli, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës të takoj myftiun Naim Tërnava, pas një periudhe të vështirë shëndetësore”.

    “I lumtur që e kam parë në gjendje të mirë dhe shpresoj që shëndeti i tij të vazhdojë të përmirësohet. Faleminderit Myftiut dhe bashkëpunëtorëve të tij për mikpritjen e ngrohtë”, ka thënë Haradinaj.

  • Vuçiq: Nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqje, do të bëj çmos që serbët të dalin në zgjedhje

    Vuçiq: Nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqje, do të bëj çmos që serbët të dalin në zgjedhje

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti dhe ndërmjetësit europianë, ka folur para gazetarëve në Bruksel.

    Sipas tij, pas gati pesë orë takime të veçanta dhe trepalëshe, bisedimet përfunduan pa sukses

    Ai foli edhe për zgjedhjet në veri të vendit, duke thënë se nëse kryetarët aktualë dorëhiqen, ai do t’i bindë serbët të dalin në zgjedhje.

    “Nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqjen, do të bëj çmos që serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai kur u pyet nëse është folur për zgjedhje në veri.

    “Është e kotë të flasim për këtë tani”, tha ai.

    Ai foli edhe për atë që ndodhi brenda takimit, duke akuzuar si zakonisht kryeministrin Kurti se po refuzon të themelojë Asociacionin.

    “Të gjithë kemi kërkesat tona. Kosova i ka kërkesat e veta, ne i kemi tonat. Tek e fundit ne si Serbi i ka pranuar kompromiset e BE-së. Kurti nuk i ka pranuar. Është e qartë që Kurti po i ik reformave, do të thotë formimit të Asociacionit. Serbia nuk po i ik përgjegjësive të saj”, tha ai.

    Ai shtoi se në takim është biseduar edhe për situatën në veri të Kosovës dhe se ka theksuar “se sa ngacmimet dhe arrestimi dhe ndalimi i përditshëm i serbëve shqetëson dhe pengon çdo proces të vendosjes së marrëdhënieve racionale”.

    “Ne ngritëm çështjen e shpronësimit të paligjshëm, të dëbimit të serbëve nga institucionet nga vendet e tyre të punës, Kurti do të duhet të përgjigjet në pyetjen e shpronësimit dhe unë nuk besoj në emigracion”, shtoi Vuçiq.

    Ai theksoi se sa i përket rrjedhës aktuale të negociatave, nuk ka pasur shumë gjëra të këndshme, por më së shumti gjëra të pakëndshme, pasi secili po lufton për të vetën.

    “Ne thamë, jo vetëm ne, por edhe BE-ja, cili është orari dhe si duhet të vazhdojnë gjërat dhe i tillë është propozimi i tyre, përkundër asaj që nuk është aspak e lehtë për ne, ata pranuan, kurse Kurti refuzoi dhe kështu përfundoi gjithçka”, tha Vuçiq.

  • Begaj dekreton lirime dhe emërime të disa ambasadorëve, 15 diplomatët e rinj të Shqipërisë

    Begaj dekreton lirime dhe emërime të disa ambasadorëve, 15 diplomatët e rinj të Shqipërisë

    Presidenti Bajram Begaj ka liruar nga detyra disa ambasadorë dhe ka emëruar disa të tjerë.

    Kështu, në Kosovë Shqipëria do të përfaqësohet nga Petrit Malaj, në Kuvajt nga Ilir Hysa, në Çeki nga Ilir Tepelena dhe në Poloni nga Mimoza Halimi.

    Dekreti:

    Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dekretoi sot lirimet dhe emërimet e Ambasadorëve si më poshtë vijojnë:

    1.Lirohet z. Qemal Minxhozi nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, rezident.

    2.Lirohet z. Saimir Bala nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Irakut, jorezident.

    3.Lirohet z. Ilirian Kuka nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë, rezident.

    4.Lirohet z. Ilir Tepelena nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Rumanisë, rezident.

    5.Lirohet z. Pëllumb Qazimi nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Sllovenisë, rezident.

    6.Lirohet znj. Enkeleda Mërkuri nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Sllovakisë, rezident.

    7.Lirohet znj. Elida Petoshati nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës, rezident.

    8.Lirohet znj. Shpresa Kureta nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Polonisë, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Estonisë, Republikën e Letonisë, Republikën e Lituanisë dhe në Republikën e Ukrainës, jorezident.

    9.Emërohet z. Petrit Malaj, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, rezident.

    10.Emërohet z. Ilir Hysa, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Irakut, jorezident.

    11.Emërohet z. Ilir Tepelena, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Çekisë, rezident.

    12.Emërohet znj. Enkeleda Mërkuri, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Rumanisë, rezident.

    13.Emërohet z. Oljan Kanushi, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Sllovenisë, rezident.

    14.Emërohet znj. Mimoza Halimi, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Polonisë, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Estonisë, Republikën e Letonisë, Republikën e Lituanisë dhe në Republikën e Ukrainës, jorezident.

    15.Emërohet z. Sokol Dedja, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës, rezident.

  • VV në Prishtinë: Buxheti për vitin tjetër nuk i shërben zhvillimit, u kontrabandua në seancë të paligjshme

    VV në Prishtinë: Buxheti për vitin tjetër nuk i shërben zhvillimit, u kontrabandua në seancë të paligjshme

    Grupi Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, vlerëson si joligjore dhe të parregullt seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në të cilën u miratua buxheti i Kryeqytetit për vitin 2024.

    Siç është i njoftuar opinioni, për shkak të paqartësive ligjore, në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë gjysma e asamblistëve të Kuvendit Komunal. Gjithashtu edhe kjo seancë, si disa tjera më herët, kontestohet dhe nuk pranohet nga MAPL si organ që me Kushtetutë është përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve dhe zbatimin e ligjshmërisë nga niveli komunal.

    Ky buxhet i miratuar sot, i kontestuar ligjërisht edhe nga organizata të shoqërisë civile, i kontrabanduar në seancë të jashtëzakonshme e të paligjshme, është në fakt buxhet për partitë në pushtet, LDK e PDK, për klientelen e tyre, jo për zhvillim, jo për Prishtinën.

    Këto veprime të koalicionit aktual qeverisës, injorimi dhe mos respektimi i vendimeve të organeve mbikëqyrëse përveç se janë të papranueshme do të shkaktojnë dëm të pariparueshëm në zhvillimin e qytetit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Jemi të bindur se kjo do të dëshmohet shumë shpejt.

    Besojmë thellësisht se kjo seancë dhe vendimet e miratuara në të nuk do t’i kalojnë filtrat ligjor. Kërkojmë nga organet përgjegjëse të të gjitha niveleve veprime konkrete e emergjente në kthimin e ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës.

    Vendimet dhe veprimet që mirren duke shkelur ligjet e procedurat, pa transparencë e në mënyrë jo demokratike nuk duhet toleruar më.

  • ​Zelensky falënderon Bullgarinë për heqjen e masës së ndalimit ndaj importeve të Ukrainës

    ​Zelensky falënderon Bullgarinë për heqjen e masës së ndalimit ndaj importeve të Ukrainës

    “I jam mirënjohës Bullgarisë për vendimin e saj për të mos zgjatur kufizimet në eksportet bujqësore të Ukrainës pas 15 shtatorit”, shkroi të enjten presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. “Falënderoj kryeministrin Nikolai Denkov dhe ekipin e tij, si dhe deputetët bullgarë që e mbështetën këtë veprim. Bullgaria jep një shembull të solidaritetit të vërtetë”, shtoi lideri ukrainas.

    Më herët gjatë ditës, Parlamenti i Bullgarisë votoi, me 124 vota pro, 69 kundër, dhe 8 abstenime, për heqjen e ndalimit të importit të grurit, misrit, dhe farave të lulediellit me origjinë nga Ukraina, duke filluar nga data 16 shtator 2023.

    Rezoluta thotë se duke marrë parasysh solidaritetin e Bullgarisë me Ukrainën dhe duke marrë parasysh nevojën e furnizimeve të produkteve bujqësore për sigurinë globale të ushqimit, Bullgaria nuk e mbështet zgjatjen përtej 15 shtatorit 2023 të ndalimit të importit të grurit, misrit, dhe farave të lulediellit ukrainas në Bullgari, Poloni, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Sipas rezolutës, heqja e ndalimit nuk do të rrezikojë konkurrencën e prodhuesve bujqësorë bullgarë.

    Para votimit, Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Kiril Vatev i tha Parlamentit se ishte dakord me treguesit makroekonomikë të paraqitur në Këshillin e Ministrave, sipas të cilëve nocioni që Bullgaria të heqë dorë nga kërkesa e saj për të vazhduar ndalimin e importeve nga Ukraina nuk është “aq shqetësuese”. Ministri tha se ndër masat që do të zbatohen është rritja e kontrollit për të gjitha mallrat e importuara ukrainase, veçanërisht drithërat, si dhe kontrolli rigoroz i pranisë së radioaktivitetit dhe metaleve të rënda, herbicideve dhe pesticideve.

    Ndërkohë, Unioni Bullgar i Fermerëve kërkoi që Bullgaria të kërkojë kompensime shtesë nga Komisioni Evropian (KE) për humbjet e prodhuesve bullgarë të drithërave, veçanërisht ato të lulediellit, pas heqjes së ndalimit të importit të drithit ukrainas të premten. “Qeveria dhe fermerët së bashku duhet të përcaktojnë një paketë masash në mbështetje të degës dhe të kërkojnë burime nga KE. Paratë duhen për të siguruar burime për mbjelljet e vjeshtës dhe për të garantuar korrjen e re. Gjithashtu, kontrolli i importeve të Prodhimi bujqësor ukrainas duhet të rritet”, tha kreu i Unionit të Fermerëve Bullgar, Georgi Stojanov./BTA-KosovaPress/

  • ​WMO: Sistemet e avancuara të paralajmërimit mund të kishin shmangur shumicën e vdekjeve në Libi

    ​WMO: Sistemet e avancuara të paralajmërimit mund të kishin shmangur shumicën e vdekjeve në Libi

    Përdorimi i sistemeve të avancuara të paralajmërimit do të kishte zvogëluar numrin e viktimave dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit shkatërruese në Libi, tha të enjten Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (WMO).

    “Nëse do të kishte pasur një paralajmërim të avancuar, ne mund të kishim shmangur shumicën e viktimave njerëzore në Libi,” u tha Petteri Taalas, sekretari i Përgjithshëm i WMO-së, gazetarëve në Gjenevë ku ai prezantoi raportin e Bashkuar në Shkencë 2023.

    Për humbjet ekonomike nga përmbytjet, ai tha: “Sigurisht që humbjet ekonomike nuk mund t’i shmangim plotësisht, por edhe mund t’i minimizonim ato humbje, duke pasur shërbimet e duhura”, shkruan aa, transmeton KosovaPress.

    Të paktën 6,000 njerëz kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë zhdukur për shkak të përmbytjeve të fundjavës në Libinë lindore, thonë zyrtarët.

    Shirat e rrëmbyeshëm përfshinë disa rajone, veçanërisht qytetet Derna, Bengazi, Al-Bayda, Al-Marj dhe Soussa.