ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani takoi një grup të shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA

    ​Osmani takoi një grup të shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, nën organizimin e aktivistit të mërgatës shqiptare dhe shërbimeve filantropike, Mark Gjonaj, ka takuar një grup të organizatave të komunitetit shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Mali i Zi, të cilat veprojnë në SHBA.

    Sipas presidentes Osmani, ky takim me mërgatën shqiptare është dëshmi e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës, si dhe komunitetit shqiptar në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në komunikatën për media.

    Në këtë kontekst, Osmani, ka falënderuar komunitetin shqiptar, i cili përveç se në forcimin e lidhjeve të Kosovës me SHBA-të, ka ndihmuar shtetin e Kosovës në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

    “Ju jeni forca shtytëse e shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Liria dhe shteti jonë, janë rezultat edhe i angazhimit të vazhdueshëm të mërgatës sonë këtu, ndaj faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe po bëni. Na duhet edhe mëtej angazhimi juaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen tuaj dhe të SHBA-ve. E di që nuk hezitoni, ndaj presim që bashkërisht, pa dallim të angazhohemi që ta fuqizojmë shtetin tonë, krahas mbështetjes dhe koordinimit me aleatat tanë”, ka thënë ajo.

    Bëhet e ditur se e para e vendit shtroi nevojën e ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë në Shtetet e Bashkuara, për të cilën gjë tha se rol më rëndësi luajnë shoqatat, të cilat i grumbullojnë shqiptarët.

    Në bashkëbisedim me mërgatën, Osmani tha se Kosova pret mbështetjen e tyre edhe në fushën e investimeve. Sipas saj, në Kosovë tashmë është krijuar një klimë e përshtatshme për investime, ndaj investimet nga mërgata janë të mirëseardhura.

    Ndërkaq përfaqësues të shoqatave që grumbullojnë shqiptarët në SHBA, falënderuan Osmanin për takimin dhe shprehën mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe përkushtimin për të ndihmuar iniciativa të ndryshme, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit.

  • ​Kumnova dorëzoi kallëzim penal ndaj Veljko Odaloviq

    ​Kumnova dorëzoi kallëzim penal ndaj Veljko Odaloviq

    Udhëheqësja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nusrete Kumnova, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër Veljko Odalloviq. Ajo ka thënë se i njëjti dyshohet se është i përfshirë dhe mban përgjegjësi komanduese për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

    Ajo ka shkruar se Odalloviq duhet të jap përgjigje për krimet e kryera nga forcat e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

    Odalloviq aktualisht është kryetar i Komisionit Qeveritar të Serbisë për persona të zhdukur.

    “Velkjo Odalloviq, që gjatë luftës në Kosovë ishte kryetar i ‘Qarkut të Kosovës’, ndërsa aktualisht mban pozitën e kryetarit të komisionit të Qeverisë së Serbisë për persona të zhdukur, dyshohet se është i përfshirë dhe mbanë përgjegjësi komanduese për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Veljko Odalloviq duhet të jep përgjigje për krimet e kryera nga forcat e Serbisë gjatë luftës në Kosovë e jo të mbajë përgjegjësi për zbardhjen e tyre”, ka shkruar Kumnova./KP

  • OKB-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Libinë e përmbytur

    OKB-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Libinë e përmbytur

    Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se shpërthimi i ndonjë sëmundjeje në Libi mund ta përballë këtë vend me “krizë të dytë shkatërruese”, pas një jave të vërshimeve masive, të cilat e kanë shkatërruar qytetin bregdetar Derna dhe i kanë lënë mijëra njerëz të vdekur.

    Zyrtarët lokalë, agjencitë e ndihmës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë “janë të shqetësuara për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve, kryesisht për shkak të ujit të kontaminuar dhe mungesës së kanalizimeve”, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

    Vërshimet i kanë lënë të vdekur rreth 3.300 persona dhe mijëra të tjerë vazhdojnë jenë të zhdukur, prej kur stuhia Daniel ka zbarkuar në këtë shtet më 10 shtator.

    Dhjetëra mijëra banorë të traumatizuar tani janë të pastrehë dhe në nevojë të madhe për ujë të pijshëm, ushqime dhe produkte bazike, teksa rriten rreziqet për diarre, dehidrim dhe kequshqyerje, kanë paralajmëruar agjencitë e OKB-së.

    Ekipet e shpëtimit nga disa vende evropiane dhe arabe janë në kërkim të trupave nën rrënoja.

    “Nuk kam marrë asgjë përveç syzeve dhe telefonit, dhe kam ikur derisa uji merrte gjithçka”, ka thënë Abdel Moneim Awad al-Sheikh, 73-vjeçar, i cili është zgjuar nga gjumi në orët e para të mëngjesit nga britmat dhe sasia e ujit.

    Ai i ka ikur katastrofës duke u ngjitur bashkë me gruan në çatinë e shtëpisë.

    Prej rrëzimit të udhëheqësit Muammar Gaddafi më 2011, Libia është ndarë në mes të dy qeverive rivale, të cilat janë përfshirë disa herë në konflikte.

    Kryeministri Abdul Hamid Dbeibah e udhëheq Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli dhe gëzon mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

    Osama Hamad, kryeministër në lindje, udhëheq një administratë rivale të njohur si Shtëpia e Përfaqësuesve./REL/

  • Hidhet poshtë mocioni i mbrojtjes së Shalës për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme

    Hidhet poshtë mocioni i mbrojtjes së Shalës për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme

    Trupi gjykues në çështjen kundër Pjetër Shalës ka hedhur poshtë mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme.

    Mbrojtja e Shalës kishte dorëzuar mocion për të rrëzuar pikën e katërt në aktakuzë, që është ajo për vrasje të paligjshme. Vendimi i trupit gjykues është marrë më 15 shtator.

    Seancat në këtë çështje gjyqësore do të vazhdojnë më 20 shtator në Gjykatën Speciale në Hagë ku do të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja e të akuzuarit.

    Gjykimi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së ka filluar në shkurt të këtij viti ndërsa ai po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Bllokuan autostradën, gjobiten shoferët e autobusëve

    Bllokuan autostradën, gjobiten shoferët e autobusëve

    Policia e Kosovës, gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka hasur në pesë autobus të ndaluar dhe parkuar në shiritin për ndalje emergjente, me ç`rast janë gjobitur të gjithë shoferet.

    Sipas njoftimit, shoferet të cilët janë gjobitur janë larguar nga ai lokacion.

    “Njësia për kontroll të Autostradave gjatë patrullimit në Autostradën Ibrahim Rugova në afërsi të daljes në Suharekë kanë hasur në 5 (pesë) Autobus të ndaluar/parkuar në shiritin për ndalje emergjente, me ç‘rast janë gjobitur të gjithë shoferet si dhe janë larguar nga ai lokacion”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Vetura godet për vdekje një këmbësor në Drenas, arrestohet ngasësja e automjetit

    Vetura godet për vdekje një këmbësor në Drenas, arrestohet ngasësja e automjetit

    Një veturë e ka goditur një person rrugën “Xhevat Dogani” në Drenas, ku si pasojë e lëndimeve të rënda i njëjti ka vdekur.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosvoës, Flora Ahmeti, e cila tregoi se vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK.

    Ahmeti shtoi se ngasësja e automjetit të përshirë në aksident është arrestuar.

    “Rreth orës 10:40  kemi pranuar informatën se në rrugën “Xhevat Dogani”-Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një  këmbësor dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti  ka ndërruar jetë”, u shpreh Ahmeti.

    “Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit të përfshirë në aksident është arrestuar”.

  • Osmani: Mërgata në SHBA ka qenë forcë shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën

    Osmani: Mërgata në SHBA ka qenë forcë shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në New York, ku është takuar me shoqata të shumta shqiptare që veprojnë në këtë vend.

    Osmani potencoi se mërgata jonë në SHBA ka qenë forcë shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën, përfshirë lirinë e pavarësinë tonë.

    “Kënaqësi të takoj shoqata të shumta shqiptare që veprojnë në New York, nën organizimin e aktivistit të mërgatës sonë Mark Gjonaj”, shkroi Osmani.

  • ASK: Vetëm në korrik 150 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    ASK: Vetëm në korrik 150 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, 150 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Por në këtë muaj nuk pati vetëm ndarje, pasi që brenda dhe jashtë Kosovës, gjatë këtij muaji janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 289 kurorëzime. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    “Në muajin korrik 2023 janë regjistruar gjithsej 1 289 kurorëzime , brenda dhe jashtë Kosovës. Kurse shkurorëzime të ndodhura në Kosovë janë regjistruar 150 raste”, thuhet në njoftimin e Agjencës së Statistikave të Kosovës.

  • Hoti: Raportimi i Kurtit është vajtim dhe dëshmi e paaftësisë për të udhëhequr dialogun

    Hoti: Raportimi i Kurtit është vajtim dhe dëshmi e paaftësisë për të udhëhequr dialogun

    Raportimin e kryeministrit Albin Kurti para mediave lidhur me takimin e fundit në Bruksel, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur “vajtim dhe dëshmi e paaftësisë së tij për të udhëhequr këtë proces”.

    Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Kurti po tregon paaftësi që të udhëheq me vizion të qartë dhe insistim vetëm për njohje reciproke, në koordinim me aleatët si dhe me konsensus të brendshëm politik.

    “Fatkeqësisht, Kurti i ka bërë dëm të madh Kosovës duke e degraduar dialogun nga: ‘Dialog për marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve’, në ‘Dialog për menaxhim të krizave’. Duhet thënë se krizat janë provokuar nga Serbia, por ato janë menaxhuar keq dhe pa koordinim me aleatët nga ana e Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

  • Kurti thotë se pas takimit të Brukselit u ka dërguar letër sqaruese vendeve aleate

    Kurti thotë se pas takimit të Brukselit u ka dërguar letër sqaruese vendeve aleate

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha pas takimit në Bruksel u ka dërguar letër sqaruese vendeve aleate të Kosovës.

    Ai tha se një ditë pas dështimit të arritjes së dakordimit për zbatim të marrëveshjes bazike Kosovë-Serbi u ka dërguar letër Berlinit, Parisit dhe Uashingtonit.

    Kurti në konferencë për media kërkoi edhe largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa tha se të njëjtat janë të ndërlidhura me situatën në veri dhe jo për zbatimin e marrëveshjes bazë.